Irina

Situata e fruthit në Shqipëri- ISHP apel për vaksinimin e fëmijëve

Lidhur me situatën e Fruthit në Shqipëri, Instituti i Shëndetit Publik bën me dije se deri më 22 Janar 2019 numri i të prekurve me fruth është 30 raste (pozitive) dhe rastet e konfirmuara i përkasin kryesisht grupmoshës nën 2 vjeç.

Instituti i Shëndetit Publik ju bën thirrje të gjithë prindërve të vaksinojnë fëmijët e tyre sipas kalendarit kombëtar të vaksinimit dhe udhëzimeve të ISHP-së për grupet që janë më të rrezikuara.

“Jo vetëm fëmijët, por edhe të rriturit që nuk janë vaksinuar ndaj fruthit apo nuk kanë marrë dy doza të vaksinës, duhet të vaksinohen. Vaksinimi ndaj fruthit është mbrojtja më e mirë për parandaluar fruthin dhe komplikacionet që vijnë prej tij. Për shkak se kjo periudhë e vitit sjell rritje të numrit të rasteve të infeksioneve respiratore dhe gripit, bëhet akoma më i rëndësishëm vaksinimi, për të parandaluar përhapjen e fruthit”, bën të ditur ISHP.

Masat e ndërmarra për mbrojtjen nga fruthi dhe ndaj epidemisë të shkaktuar prej tij janë masa të kontrollit spitalor dhe në qendra shëndetësore, si me poshtë:

– Izolimi në pavione të caktuara në spitale dhe vetëizolimi për rastet ambulatore.

– Masa standarde të kontrollit të infeksionit dhe ato të transmetimit nëpërmjet ajrit.

– Përdorim i mjeteve të mbrojtjes personale, si maskave, etj nga personeli dhe pacientët kur shkojnë në ekzaminime.

– Vaksinim i personelit shëndetësor.

– Monitorim i gjendjes mbrojtëse të personelit ndaj fruthit.

– Gjurmin dhe vaksinim brenda 72 orëve i kontakteve.

– Vaksinim i disa grupeve të rrezikuara.

– Vendosja e survejancës aktive në të gjithë vendin.

– Takime dhe trajnime për mjekët e familjes, institucioneve parashkollore dhe personelin infermier.

– Monitorim dhe zbatim rogoroz të legjislacionit në lidhje me vaksinimin në institucionet parashkollore dhe shkollore si dhe institucionet shëndetësore.

“Gjatë vitit 2018 dhe deri më tani raportohen të jenë kryer mbi 113,237 vaksinime, nga të cilat, mbi 51.227 janë vaksinime sipas kalendarit kombëtar të vaksinimit për personat në moshën 1 dhe 5 vjeç. Ndërkohë janë kryer edhe rreth 62,000 vaksinime të tjera që i përkasin fëmijëve të prapambetur në vaksinim, të rriturve të pavaksinuar ose me një dozë, komunitetit rom, si edhe të gjithë personave që kanë qenë në kontakt me persona të dyshuar apo të sëmurë me fruth”, sqaron ISHP./atsh

Situata e fruthit në Shqipëri- ISHP apel për vaksinimin e fëmijëve Read More »

AKU- Në 2018 u dyfishua numri i analizave të produkteve ushqimore

Instituti i Sigurisë Ushqimore dhe Veterinare është i vetmi laborator reference në Shqipëri, realizon 340 lloje analizash dhe 53 teste të akredituara, ndërsa në fillim të 2018 kishte vetëm 8 të tillë.

Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU), bën të ditur se “për këtë laborator janë financuar 1.500.000 euro për pajisje laboratorike të modernizuara. Është 2-fishuar numri i specialistëve, ndërsa stafi është trajnuar dhe kualifikuar nga institucionet ndërkombëtare”.

Sipas AKU-së shumë shpejt Institutit të Sigurisë Ushqimore dhe Veterinare i rikthehet statusi i Institucionit kërkimor.

AKU shprehet se disa nga analizat që kryhen në laboratore janë;

Salmonella spp. në ushqime- Në 2018 është 2-fishuar numri i kësaj analize krahasuar me vitin 2017. Salmonela është patogjen që gjendet në produktet me origjinë shtazore.Kryerja e kësaj analize parandalon disa lloje sëmundjesh”.

Listeria Monocytogenes në ushqime; Në 2018 është 3.5-fishuar numri i kësaj analize krahasuar me vitin 2017. Është patogjen që gjendet në produketet me origjinë shtazore dhe ato bimore.Rritja e numrit të kësaj analize rrit dhe monitorimin e OBU-ve.

Histamina në produkte peshkore; Në 2018 është rritur me 17% numri i kësaj analize krahasuar me 2017.Rritja e numrit të kësaj analize ka parandaluar tregtimin e peshkut që përmban këtë toksinë.

Pesticidet në produktet me origjinë shtazore (vezë, mjaltë, peshk, dhjamë, ujë).
Në 2018 është 2-fishuar numri i kësaj analize krahasuar me vitin 2017. Rritja e numrit të kësaj analize ka bërë bllokimin e tregtimit të këtyre produkteve, si pasojë eleminimin e tyre nga tregu.

Mbetjet e pesticideve në produktet me origjinë bimore (fruta, perime, drithëra, çajra) nga 2017 në 2018.Në 2018 është dyfishuar numri i kësaj analize krahasuar me vitin 2017.

“Numri i analizave të kryera për 2018 është dyfish më i lartë se në vitin 2017 duke bërë që rritja e numrit të kësaj analize ka sjellë eleminimin e tregtimit të këtyre produkteve që përmbajnë pesticide mbi normën e lejuar, ka shtuar përgjegjësinë e fermerëve duke përdorur në këto produkte, pesticide në normën e lejuar, si dhe kur konstatohen mos përmbushje e standardeve merret mostra dhe dërgohen në laborator, kështu sjellim siguri ushqimore”, thekson AKU.

Laboratorët e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU), garantojnë siguri, besueshmëri dhe pavarësi mbi produktet ushqimore.

AKU inkurajon të gjithë qytetarët të denoncojnë çdo abuzim me sigurinë ushqimore ose në telefonin 0800 75 75 ose në portalin e bashkëqeverisjes “Shqipëria që duam”./atsh

AKU- Në 2018 u dyfishua numri i analizave të produkteve ushqimore Read More »

Rama: Drejtori i Hipotekës Durrës shkarkohet, halabak dhe i padenjë

Kryeministri Edi Rama njoftoi sot shkarkimin e menjëhershëm të Drejtorit të Hipotekës së Durrësit, i denoncuar mbrëmjen e djeshme nga emisioni Fiks Fare për sorrollatjen e një qytetari.

Në takimin e përjavshëm me koordinatorët e bashkëqeverisjes, Kryeministri Rama tha se “ka njerëz të padenjë, që për fat të keq nuk na mungojnë në zyrat e shërbimeve”.

“Kështu ishte edhe rasti i djeshëm i denoncuar nga emisioni Fiks Fare i një drejtori që meriton vetëm një përcaktim, një halabak, për të cilin është marrë menjëherë masa e shkarkimit dhe Ministrja e Drejtësisë në raportin e përjavshëm që përkon me bashkëqeverisjen do ta komunikojë për publikun”, tha Rama.

Kreu i qeverisë përsëriti thirrjen për qytetarët që kanë të tilla pengesa dhe problematika, që t’i drejtohen platformës shqipëriaqëduam.al për një zgjidhje të shpejtë. /atsh

Rama: Drejtori i Hipotekës Durrës shkarkohet, halabak dhe i padenjë Read More »

Rektori i Vlorës: 4164 studentë përfitojnë nga reduktimi i tarifës

Rektori i Universitetit “Ismail Qemali”Vlorë, Roland Zisi, theksoi sot se “4164 studentë të këtij universiteti përfitojnë nga reduktimi i tarifës, ndërsa 154 janë studentët që përjashtohen nga tarifa e studimit dhe që përfitojnë bursë”.

Në një prononcim për Agjencinë Telegrafike Shqiptare, rektori Zisi shprehet se “janë 77 studentë që përjashtohen nga tarifa e studimit, si dhe po 77 studentë që përfitojnë bursë, 42 prej tyre janë në vitin e dytë dhe të tretë dhe 32 prej tyre vijnë nga lista e ardhura nga qendra e shërbimeve arsimore, pra nga shkolla e mesme”.

“I gjithë pakti fokusohet në tre aspekte kryesore së pari gjithë vëmendja e shoqërisë, e politikës dhe qeverisë në veçanti kthehet në universitet me fokus të veçantë studentin. Pakti për Universitetin realizon tre gjëra. e para reduktim apo përgjysmim të kufirit maksimal të tarifës së studimit, së dyti, shkolla ndan bursa pra zgjeron gamën dhe kategoritë që përfitojnë bursa dhe e treta përjashton nga tarifa disa kategori studentësh”, tha Zisi.

Rektori i Universitetit të Vlorës shprehet se “së pari, për ciklin e parë të studimeve reduktimi i kufirit maksimal të tarifës vjetore të shkollimit, domethënë kufiri maksimal i studimit paguhet nga studenti në masën 50%, ndërsa pjesa tjetër do të rimbursohet nga shteti në institucionet e arsimit të lartë. Së dyti, për studentët nga viti I-III të ciklit të parë të studimeve përjashtohen nga tarifa vjetore studentët e ekselencës, ata që kanë mesataren 9.00 deri në 10.00. E treta, përjashtohen studentët e vitit të parë që vijnë nga arsimi i mesëm dhe janë regjistruar në vitin e parë në programet e studimit të Universitetit “Ismail Qemali”, ata që kanë mesataren 9.00 deri në 10.00″, nënvizoi Zisi.

Së katërti, shtoi rektori, përfitojnë bursë studentët e vitit të parë të regjistruar në çdo program studimi që kanë mesatare nga arsimi i mesëm 9.00 deri në 10.00.

Sipas tij, nëse studentët e mbajnë këtë mesatare ata e përfitojnë bursën edhe vitin pasardhës.

“Çdo ditë sekretaritë mësimore, kryesekretaret, specialistët e informimit të studentëve pranë fakulteteve, gjithë rektorati, gjithë përgjegjësit e departamenteve janë në funksion për të sqaruar, shpjeguar dhe mbushur boshllëqet e studentëve në lidhje me informimin”, tha Zisi.

Në lidhje me rikonstruksionin dhe investimet për godinat dhe konviktet, rektori shprehet se edhe kjo çështje gjen zgjidhje.

“Qeveria ka kërkuar nga universitetet dhe ne kemi dërguar sot në MAS dhe në Ministrinë e Financave nevojat tona infrastrukturore dhe kemi kërkuar mbështetjen nga qeveria për ngritjen e godinës së Infermierisë, që është e menjëhershme”, tha Zisi.

Ai sqaron se para se të fillonin protestat në muajin nëntor qeveria me një VKM të posaçme i ka dhënë Universitetit “Ismail Qemali” 6 mijë metra katrorë tokë për të ngritur këtë godinë.

“Projekti për ngritjen e këtij fakulteti është gati, është tenderuar dhe pritet të fillojë puna”, tha Zisi.

Po ashtu, shton ai, ne kemi kërkuar mbështetje financiare për infrastrukturë laboratorike për të riformuar dhe mbështetur sistemet e ngrohjes.

Rektori Zisi bën të ditur gjithashtu se në Universitetin “Ismail Qemali”, nuk ka pasur ndërprerje të mësimit kjo është e faktuar me regjistrat e mësimit, me korrektësinë e pedagogëve që kanë shkuar në mësim. Universiteti nuk ka humbur asnjë orë mësimi dhe për pasojë nuk do të shtyjë as provimet dhe as procesin mësimor”. /atsh

https://www.facebook.com/Agjencia.Telegrafike.Shqiptare/videos/336941340245527/?t=0

Rektori i Vlorës: 4164 studentë përfitojnë nga reduktimi i tarifës Read More »

Shqipëria mes 20 destinacioneve më të bukura për 2019

Shqipëria renditet mes 20 destinacioneve më të bukura për 2019.

Prestigjiozja e përditshme Le Monde ka renditur Shqipërinë mes 20 destinacioneve të preferuara që duhet vizituar gjatë këtij viti.

“MIRËMËNGJES , dhe me këtë faqe të prestigjozes së përditshme Le Monde, e cila mes 20 destinacioneve të preferuara të vitit 2019 e sugjeron Shqipërinë si zgjedhjen e gjashtë, ju uroj një ditë të mbarë”, shkruan Kryeministri Edi Rama.

Edhe Gazeta britanike “The Sun” ka botuar një artikull mbi dhjetë destinacionet më të mira në të gjithë botën për turizëm mes të cilave përmend edhe Rivierën Shqiptare.

”Vendasit i kanë ruajtur me dinakëri për vete plazhet dhe gjiret e detit për dekada të tëra. Por tani, Lonely Planet e ka quajtur vendin një destinacion të mirë për 2019. Mund të vini bast se është vetëm çështje kohe para se Shqipëria të bëhet një Kroaci e re”, shkruan “The Sun”./atsh

Shqipëria mes 20 destinacioneve më të bukura për 2019 Read More »

Dhelpra e kuqe, pjesë e pasurisë së faunës në Parkun Kombëtar të Dajtit

Moratoriumi i gjuetisë në vendin tonë përherë e më shumë po pasuron parqet natyrore me faunën e egër, si dhe me specie të rralla që i kanë munguar natyrës dhe mjedisit tonë.

Përkujdesja dhe angazhimi i specialistëve për të ruajtur mjediset nga gjuetia e paligjshme ka bërë të mundur që një specie rrallë në vendin tonë si është dhelpra e kuqe të rikthehet pas përkujdesjes në Parkun Kombëtar të Dajtit, duke e shndërruar tashmë në një atraksion turistik dhe për pasionantët e vëzhgimit të botës së egër.

Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi shprehet se, ”dhelpra e kuqe e “Safari Park”, në Fier, tani është e lirë. Pas 80 ditësh trajtim intensiv në kopshtin zoologjik të Tiranës, “Four Paws” realizoi me sukses lëshimin e saj në natyrë. Ajo do të jetë pjesë e pasurisë së faunës në Parkun Kombëtar të Dajtit”. /atsh

Dhelpra e kuqe, pjesë e pasurisë së faunës në Parkun Kombëtar të Dajtit Read More »

Basha: Opozita dhe PD nisin protestat për t’i kthyer pushtetin qytetarëve

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha tha nga salla e Parlamentit, se nga sot opozita do të udhëheqë protestat drejt një kryengritje popullore e demokratike për të kthyer pushtetin në duart e qytetarëve. “Nga sot Partia Demokratike dhe opozita kanë një mision, t’i prijnë qytetarët të bëhen zot të fatit të tyre përmes një kryengritje demokratike dhe popullore”.

Sipas Bashës sot në Shqipëri kanë rënë institucionet më të rëndësishme.

“U asgjësua Kuvendi, kjo sallë sot nuk përfaqëson vullnetin e popullit, këta mbrojnë veç krimin. U asgjësua Gjykata Kushtetuese. U asgjësua në këtë sallë edhe Prokuroria”.

Kryetari i Partisë Demokrati theksoi se Shqipëria nuk po qeveriset nga Partia Socialiste, por nga disa ministra që përfaqësojnë oligarkët.

“Sot ministrat në pushtet nuk janë as përfaqësues të popullit, as të Partisë Socialiste. Këta ministra janë kukullat e Edi Ramës, sepse nuk i njohin as socialistët, as qytetarët. Këta ministra të rinj i kanë sjellë në pushtet oligarkët. Uroj që Partia Socialiste të çlirohet nga kjo bandë kriminelësh. Uroj që kjo rrugë të mos ketë kosto të madhe dhe faturë të madhe për shoqërinë shqiptare”. /atsh

Basha: Opozita dhe PD nisin protestat për t’i kthyer pushtetin qytetarëve Read More »

Check up falas, gjysmë milioni shqiptarë çdo vit analiza me standarde

Kryeministri Edi Rama u ndal edhe tek programi i kontrollit shëndetësor falas, gjatë fjalës së tij në seancën hapëse të sesionit të katërt të legjislaturës së Kuvendit.

“Sot që flasim janë që nga viti i kaluar afro gjysmë milion shqiptarë, të cilët nuk kanë mundësi të bëjnë check up në Amsterdam e Vjenë si i bëjnë këta të opozitës, që e kanë bërë falas në Shqipëri me standardet njësoj si në Vjenë e Amsterdam, me laboratorë ultra modernë e kushte optimale”, theksoi Rama.

“Pse i shqetëson këta check up? Ja po e ndalojmë partneritetin publik-privat dhe gjysmë milioni që e bëjnë çdo vit kontrollin, që po e shfrytëzojnë këtë mundësi, do u themi bëhjeni 81 mijë lekë të vjetra ose kurrë mos e bëfshi. E paguan shteti, sigurisht. Shërbimin e garanton një sipërmarrje që ka investuar për laboratorët, makineritë, qendrat e trajnimin e qindra njerëzve, por ne paguajmë analizat e gjysmë milioni njerëzish”, theksoi kryeministri Rama.

Ai solli në vëmendje edhe paketën e re të prezantuar para disa ditësh për lentet e syve për pensionistët./atsh

Check up falas, gjysmë milioni shqiptarë çdo vit analiza me standarde Read More »