Irina

Festa e 1 Qershorit, Policia e Shtetit uron fëmijët

Shtëpia e fëmijës “Zyber Hallulli” priti sot disa vizitorë të veçantë, efektivët e Policisë së Tiranës, të cilët festuan së bashku me banorët e kësaj shtëpie, me rastin e 1 Qershorit. Punonjësit e Policisë shpërndanë dhurata të shumta për fëmijët, duke i bërë ata të ndihen specialë në këtë ditë. Më pas fëmijët u “shndërruan” për pak çaste në policë duke provuar edhe mjetet e Policisë, makinat dhe motorët e saj.

“Policia e Shtetit është gjithmonë pranë komunitetit e sidomos pranë fëmijëve, në mbrojtje të tyre e në çdo nevojë që ata kanë”, thuhet në njoftim.

Gjithashtu efektivët e Policisë së Elbasanit vizituan fëmijët me aftësi ndryshe për t’i uruar për festën e 1 Qershorit dhe për tu argëtuar së bashku me ta. Fëmijët me aftësi ndryshe janë pjesë e shoqërisë sonë, pjesë e ylberit vezullues. Ata nuk janë të frikshëm dhe as të “këqij”, janë thjesht fëmijë për tu dashur pasi kështu kuptohet me mirë vlera e dashurisë me gjithë shkëlqimin që kanë këta fëmijë kanë brenda tyre. Përmes aktivitetit festiv te shkolla speciale “Zërat e Jetës”, punonjësit e Policisë së Elbasanit kishin mundësinë të ishin pranë këtyre fëmijëve, në festën e tyre, për tu argëtuar së bashku me ta. Të pranishëm në këtë aktivitet ishin edhe Drejtori i DVP Elbasan Arjan Muça, prindër e mësues. Gjatë aktivitetit u shpërndanë dhurata simbolike nga efektivët e DVP Elbasan, ndërsa fëmijët patën mundësinë të shihnin nga afër mjetet, makinat e motorët e Policisë.

Policia e Shtetit uron 1 Qershorin për gjithë fëmijët, duke u gjendur pranë tyre në çdo nevojë që ata kanë./atsh

Festa e 1 Qershorit, Policia e Shtetit uron fëmijët Read More »

“Corde Oblique”, grupi i njohur muzikor italian koncert në Vlorë

Grupi i njohur muzikor italian “Corde Oblique”, ishte i pranishëm të premten në mbrëmje në Vlorë me një koncert në sallën e Teatrit “Petro Marko”, të këtij qyteti në kuadër të Festës së Republikës së Italisë.

Kjo mbrëmje e veçantë, e organizuar nga Konsullata e Përgjithshme e Italisë në Vlorë, nisi me një minutë heshtje në nderim të parodistit të njohur vlonjat, Muhamet Liko, i cili u nda nga jeta dy ditë më parë në një nga klinikat e vendit fqinj.

Të pranishmit në sallë, konsullja e Përgjithshme, Luana Mikeli, qytetarë vlonjatë dhe shtetas italianë, mes të cilëve edhe mjaft të rinj e të reja nga Italia që kanë mbërritur në Vlorë në kuadrin e një projekti bashkëpunimi të ndërsjelltë, nderuan kujtimin e artistit të njohur, ndërkohë që, në homazh të veprës dhe jetës së Likos, kompozitori Aulon Naçi, interpretoi në piano pjesë nga vepra e vet “Shi lotësh”/atsh

“Corde Oblique”, grupi i njohur muzikor italian koncert në Vlorë Read More »

Pasojat e tërmetit në Korçë, ngrihet kampi i përkohshëm për banorët në Floq

Kryebashkiaku i Korçës, Sotiraq Filo deklaroi se për banorët në fshatin Floq (zona ku janë ndjerë edhe më shumë lëkundjet e tërmetit dhe janë dëmtuar muret e 50 banesave) do të ngrihet kampi i përkohshëm për strehimin e tyre gjatë natës.

Filo tha për mediet sot se, “nga ana e bashkisë dhe e shtabit të emergjencave janë marrë të gjitha masat. Personel me ekspertë përkatës presin raportime nga qytetarët për çdo nevojë që ata kanë. Ndërkohë që po bashkëpunojmë edhe me shtabin qendror të emergjencave, pranë Prefekturës, për hartimin e planit të masave në lidhje me problematikat e ditës së sotme, ku një pjesë e banesave janë të dëmtuara dhe banorët kanë frikë të kalojnë natën brenda tyre”.

Ai tha se plani i masave për strehimin e përkohshëm të banorëve, banesat e të cilëve janë dëmtuar nga tërmeti, parashikon ngritjen e një kampi të përkohshëm me çadra, furnizimin me ushqime dhe mjete të tjera të nevojshme.

“Ndërsa puna do të vijojë hap pas hapi për çdo problematikë të krijuar”, – u shpreh Filo. atsh

Pasojat e tërmetit në Korçë, ngrihet kampi i përkohshëm për banorët në Floq Read More »

Meta: Të ndërtojmë të ardhmen e fëmijëve në Shqipërinë e vërtetë europiane

Kopshti i Presidencës u gjallërua sot më shumë se asnjëherë tjetër me ngjyrat më të bukura të verës, ku lulet më të freskëta dhe të veçanta ishin fëmijët e mrekullueshëm të ardhur nga të gjitha qytetet e vendit.

Presidenti i Republikës Ilir Meta në urimin kushtuar fëmijëve u shpreh se është “lumturi e madhe, që së bashku me këta vogëlushë t’u përcjell sot urimet më të ngrohta e të përzemërta fëmijëve shqiptarë: Gëzuar festën e 1 Qershorit!

Mbështetur në ëndrrat shumëngjyrëshe të fëmijëve, çiltërsinë dhe dashurinë e tyre të pamatë, të punojmë të gjithë bashkë për të ardhmen e tyre në një Shqipëri të vërtetë europiane”. /atsh

Meta: Të ndërtojmë të ardhmen e fëmijëve në Shqipërinë e vërtetë europiane Read More »

Sofra e Iftarit – Rama: Buka që ndajmë, dëshmia më domethënëse se si zemra i flet zemrës

“Ju uroj mirëseardhjen në këtë sofër tradicionale Iftari ku buka që ndajmë së bashku është dëshmia më domethënëse se si zemra i flet zemrës, sipas një shprehjeje të bukur të të madhit Kardinal Njuman”.

Më këto fjalë e nisi përshëndetjen Kryeministri Edi Rama në sofrën tradicionale të Iftarit, të shtruar në Natën e Kadrit, në kuadër të Muajit të Madhnueshëm të Ramazanit, ku ishin të pranishëm drejtues të besimeve fetare në vend, besimtarë, ministra, diplomatë të huaj, deputetë të Partisë Socialiste, etj., në Pallatin e Brigadave.

“Dëshiroj t’i uroj një mirëseardhje të veçantë Basri Tanushit, Osman Bashës dhe Rakip Cukut, baballarë dhe vëllezër të “Dëshmorëve të Atdheut” Klodian Tanushi, Ibrahim Basha dhe Artan Cuku. Ndihemi të nderuar e të prekur që ju kemi këtu mes nesh. I përjetshëm dhe i paharruar kujtimi i bijve tuaj “Dëshmorëve të Atdheut” tonë të përbashkët!”

“Përjetimin më të mirë të kësaj nate të mirë të Kadrit e bën më të ndjerë kumbimi i ndjeshëm i zërit të Ezanit, i cili paqësisht, qetësisht, qartësisht, thërret prej shembullit të përulësisë personale forcën e lutjes së përbashkët. Sipas traditës islame, i pari që e lartësoi Ezanin ishte një skllav, abisinasi Bilal, i emancipuar mbi nënshtrimin dhe përbuzjen nga mëshira e Bubekrit, ky i fundit shok i armëve dhe lutjeve të Profetit, u prek më tepër nga forca e shembullit të Bilal Etiopasit, sesa nga shembulli i forcës që mishëronin ata që kalëronin në krah të tij dhe kryqëzonin shpatën me armikun”, – theksoi Rama.

Kryeministri u shpreh se “është gjë e ndjerë dhe e bukur, kur kinse për ta respektuar zërin paqeprurës që vjen nga shkretëtirat dhe nga tutje-tëhut e kohërave edhe vetë adhuruesit e forcës, e reshtin poteren, i squllin flakadanët dhe ulen në sofër, siç thonë ata në respekt të besimtarëve. Por më pas kur Ezani hesht, ç’bëhet me poteren, ç’bëhet me flakadanët, po për besimtarët kush mendon me respekt? A thua se kur shkon lutja, shkon edhe shembulli e mbetet ndasia, e vazhdon jeta, sikur asgjë të mos kish ndodhur. Megjithatë në sofrën e Iftarit ka vend për të gjithë, edhe për hipokritët, për të cilët i shenjti Kuran dëshmon që janë gënjeshtarë”.

“Për të përligjur forcën hipokritët përpiqen t’i afrohen forcës që mbart shembulli ta shpërdorojnë dhe ta transformojnë, megjithatë më të fortë sesa shembulli i pararendësve nuk ka dhe t’u përngjash atyre është virtyt”, – tha Rama.

Duke falënderuar të gjithë për praninë në këtë sofër tradicionale, Rama tha se “jemi të rrethuar nga mure që rrezatojnë histori pushtetesh dhe që na mësojnë nëse kemi vesh t’i dëgjojmë, që pushtetet ndërrohen, por shtegu i arsyes mbetet dhe kush prej tij devijon, humb pushtetin mbi vetveten. Qoftë edhe kjo banesë meditimi sot e kthyer në e tillë për shkak të sofrës së Iftarit, një shëmbëlltyrë për urtësi dhe paqe, e dashtë Zoti, rrezatoftë edhe më gjerë!”

“Në fund fare, siç thotë fjala në Kuran, këtë banesë të mbrame ia japim atyre që nuk duan të jenë kryeneçë e të marrin njerëzit në qafë. Gjithçka në fund i përket atyre që u ka përkitur gjithmonë, janë ata që i frigohen Zotit. Iu qoftë i lehtë agjërimi të gjithë besimtarëve myslimanë, të gjithë juve dhe të gjithë atyre që sipas fjalëve të shenjta janë në besë dhe gjithë sa janë i përngjiten paqes, larg ecejakeve të ndasibërësve, zullumqarëve të pandreqshëm”, – tha Rama./atsh

https://www.facebook.com/edirama.al/videos/2364648853808101/?t=0

Sofra e Iftarit – Rama: Buka që ndajmë, dëshmia më domethënëse se si zemra i flet zemrës Read More »

Ja si do te jetë moti,parashikohet me…

Sipas Shërbimit Meteorologjik Ushtarak, moti për ditën e sotme parashikohet me kthjellime dhe alternime vranësirash.

Prej mesditës do të ketë zhvillim vranësirash, mesatare e të dendura, në pjesën më të madhe të territorit.

Prej orëve të mesditës, parashikohen reshje shiu të herëpashershme me intensitet të ulët në pjesën më të madhe të territorit. Në qarqet e veriut dhe pjesërisht në qendër, do të ketë shtrëngata shiu, të shoqëruara me rrufe.

Gjithashtu parashikohet edhe breshër i izoluar, në orët me temperatura më të larta, kryesisht në zonën malore. Mjegullinë do të ketë si pasojë e reshjeve. Era do të fryjë me drejtim Juglindje-Veriperëndim 1-8 m/sek, në brigjet e Jonit prej orëve të mesditës, era do të fitojë shpejtësi deri 15 m/sek, duke u pasuar nga një valëzim i forcë 2-3 ballë.

QYTETET Temperaturat në °C Sigla
Shkodër 10/25 re shi diell
Kukës 12/22 re shi diell
Lezhë 10/25 re diell
Dibër 9/20 re shi diell
Durrës 14/24 re diell
Tiranë 12/25 re shi diell
Elbasan 13/25 re shi diell
Berat 10/25 re shi diell
Vlorë 13/24 re shi diell
Korcë 9/22 re shi diell
Gjirokastër 11/26 re shi diell
Sarandë 14/24 re diell

Ja si do te jetë moti,parashikohet me… Read More »

Tradita shqiptare e kulinarisë, në konkursin Ndërkombëtar të Zanateve në Kinë

Shqipëria ka konkurruar në fushën e gatimit dhe lidhjes se rrjeteve dhe informacionit, në “Konkursin Ndërkombëtar të Zanateve”, që u zhvillua në Chongqing, Kinë, nga datat 25–31 Maj 2019, në kuadër të nismës “Një brez një rrugë”.

Në këtë konkurs kanë marrë pjesë 44 shtete të botës që konkurruan në 17 fusha të ndryshme, midis të cilave edhe Shqipëria.

Në fushën e gatimit vendi ynë është prezantuar nga konkurrenti Adriano Musta dhe trajneri i tij Olsjon Bilani, te cilët janë nga shkolla “Hoteleri Turizëm” në Tiranë. Në fushën e lidhjes se rrjetit dhe informacionit është prezantuar nga konkurrenti Fatjon Mehmeti dhe trajnerja e tij Ilda Fishta, të shkollës së mesme profesionale “Herman Gmeiner”.

Skuadra është plotësuar me drejtuesen Luljeta Dauti, specialiste në Ministrinë e Financave dhe Ekonomise.

Përfaqësia e skuadrës shqiptare në këtë konkurs ka qënë dinjitoze dhe kanë arritur të marrrin medalje inkurajimi në fushën e gatimit, duke u renditur në vend të 8-të nga 17 shtete qe konkuronin në këtë fushë.

Skuadra shqiptare do të kthehet ne Shqipëri edhe me një eksperiencë profesionale dhe personale të jashtëzakonshme dhe me përshtypjet më të mira për organizimin e këtij konkursi, mikpritjen e popullit kinez dhe bukurive natyrore të Kinës/atsh

Tradita shqiptare e kulinarisë, në konkursin Ndërkombëtar të Zanateve në Kinë Read More »

Siguria ushqimore, Çuçi: Zero tolerancë abuzuesve

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Blendi Çuçi gjatë një takimi të premten në mjediset e dikasterit të Bujqësisë, me operatorë të biznesit të ushqimit, prezantoi paketën e ndryshimeve ligjore që ndalon abuzuesit me produktet në treg.

“Siguria ushqimore në mbrojtje të shëndetit të konsumatorëve, është prioritet dhe e kemi bërë të qartë, tolerancë zero ndaj kujtdo që abuzon me produktet ushqimore” -tha Çuçi, ndërsa garantoi kontroll rigoroz në të gjithë zinxhirin ushqimor, në çdo hallkë të prodhimit dhe tregtimit të ushqimeve.

“Miratimi në Kuvend i ndryshimeve në Kodin Penal për sigurinë ushqimore, na jep mundësinë të kapin abuzuesit dhe t’i ndëshkojmë ato. Asnjë operator i biznesit ushqimor nuk do tentoje te mashtrojë duke u nisur nga babëzia per fitim”- tha ministri.

Sipas tij, qëllimi final, është rikthimi i besimit tek konsumatorët, se çdo produkt që konsumojnë është i sigurt.

Çuçi theksoi se, “Janë shumë beteja për tu fituar derisa të garantojnë konsumatorët se produktet që konsumojnë janë 100% të sigurta dhe ne do t’ia arrijmë”.

Ministri i bëri apel biznesit, prodhuesve dhe konsumatorëve të angazhohen në sfidën për sigurinë ushqimore, me impakt të drejtpërdrejt në mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve.

“Ne kemi filluar betejën për sigurinë ushqimore, me produktet e shportës, duke menduar se 90% e konsumatorëve i kanë si ushqime të përditshme. Kemi filluar me kontrollin e qumështit, kripën dhe do të vazhdojmë me miellin, bukën”- tha Çuçi.

Ndërsa solli në vëmendje të audiencës, shembullin e abuzimit me gjalpin të konstatuar nga inspektorët e Autoritet Kombëtar të Ushqimit. Ky produkt, tha ministri hyn nga importuesi si yndyrë me origjinë bimore, ç’doganohet si margarinë dhe paketohet si gjalp, duke infektuar tregun.

“Ky është rasti për të bërë me dije se kontrolli në të gjithë zinxhirin ushqimor, do të kryet për të gjitha produktet dhe të gjithë abuzuesit që kërkojnë të fitojnë në kurriz të sigurisë ushqimore do të ndëshkohen”- tha ai./atsh

Siguria ushqimore, Çuçi: Zero tolerancë abuzuesve Read More »