Irina

Platforma e bashkëqeverisjes, 26896 ankesa të zgjidhura

“Shqiperiaqeduam.al” është kthyer në një nga platformat më të besueshme për qytetarët shqiptarë, ku përmes një mesazhi shumë shpejt mund të gjendet zgjidhje për problemet dhe ankesat e tyre.

Këtë javë numri ankesave të zgjidhura nga platforma e bashkëqeverisjes në nivel qendror është 26896, ndërsa numri ankesave të regjistruara është 38202.

Në nivel vendor janë regjistruar 6852 ankesa dhe janë zgjidhur 3269.

Sipas shifrave të publikuara nga “Pasqyra e qeverisjes” këtë javë, rezulton se janë dhe 11 raste të spikatura të zgjidhura përmes platformës së bashkëqeverisjes. Konkretisht janë 2 raste nga Agjencia Shtetërore e Kadastrës. 7 raste nga Ministria e Financës dhe Ekonomisë, 1 rast nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe 1 rast nga Ministri i Shtetit për Mbrojtjen dhe Sipërmarrjen.

Numri i “log in” në faqen e platformës për javën që sapo mbyllëm ishte 105 292, ndërsa numri i regjistrimeve të reja është 17 999./atsh

Platforma e bashkëqeverisjes, 26896 ankesa të zgjidhura Read More »

Simptoma të rrezikshme nga i nxehti që nuk duhet t’i injoroni

Me mijëra njerëz vdesin çdo vit nga komplikacionet e shkaktuara nga i nxehti ekstrem, përfshirë sfilitjen dhe goditjen nga i nxehti.

Ja çfarë duhet të dini për goditjen nga i nxehti, si të kuptoni simptomat dhe masat që duhet të ndërmerrni për të qenë të sigurt këtë verë.

Temperatura e lartë e trupit

Nëse temperatura e trupit arrin deri në 39 gradë celsius, mund të jeni duke u rrezikuar nga goditja nga i nxehti.

Edhe nëse termometri shënon më pak se 39, por përsëri shfaqni simptoma të goditjes nga i nxehti, duhet të merrni masa për të ulur temperaturën ose duhet të kërkoni ndihmë mjekësore.

Krampe të muskujve

Njohur ndryshe si krampet e të nxehtit, kjo është një nga simptomat e para të problemeve gjatë stërvitjes të lidhura me të nxehtin. Mund të përjetoni ngërçe të dhimbshme, sidomos në këmbë, krahë ose pjesën e barkut, kur djersitni shumë.

Edhe pse nuk shkaktohen vetëm nga i nxehti, krampet muskulore bëhen më të shpeshta kur trupi nuk është përshtatur me temperaturat e larta.

Dehidratimi është gjithashtu një tjetër shkak i zakonshëm i krampeve, megjithatë, nëse keni dhimbje të tilla së bashku me simptoma të tjera, mos i injoroni.

Mungesë të djersitjes – ose djersitje të tepërt

Kur kalon shumë kohë në të nxehtë ekstrem, trupi ndalon së ruajti temperaturën e brendshme. Kështu, ju ndaloni së djersituri ose po djersitni më shumë se zakonisht.

Marramendje ose vështirësi në të ecur

Goditja nga i nxehti shkakton çrregullim të sistemit nervor qendror, prandaj mungesa e koordinimit, marramendja ose pamundësia për të ecur janë shenja alarmi që nuk duhet t’i injoroni.

Dhimbje koke therëse

Dhimbja therëse e kokës është një tjetër simptomë e zakonshme e goditjes së tru. Kjo simptomë zhvillohet kryesisht si pasojë e dehidratimit (kur nuk keni pirë mjaftueshëm ujë) ose si komplikacion i goditjes në tru në sistemin nervor qendror.

Të përziera ose të vjella

Ndërkohë që vazhdoni të djersitni, trupi bëhet edhe më shumë i dehidratuar. I nxehti fillon të prekë disa organe, duke shkaktuar të përziera, të vjella ose gjendje të fikëti.

Skuqje të lëkurës

Në rastet e goditjes nga i nxehti, trupi drejton rrjedhjen e gjakut drejt lëkurës në përpjekje për t’u ftohur, prandaj krijohet skuqja e lëkurës. Lëkura gjithashtu mund të duket shumë e thatë ose e ftohtë, në varësi të llojit të goditjes së po përjetoni.

Rrahje të çrregullta të zemrës ose vështirësi në frymëmarrje

Zemra vendoset nën një presion shumë të madh si pasojë e të nxehtit ekstrem. Ajo duhet të pompojë më fort dhe më shpejt për t’u siguruar që sistemet e ftohjes natyrale të trupit të funksionojnë siç duhet për të mbajtur të balancuar temperaturën e trupit. Kjo mund të çojë edhe në probleme me frymëmarrjen. /atsh

Simptoma të rrezikshme nga i nxehti që nuk duhet t’i injoroni Read More »

Vlorë, sezoni turistik punime mirëmbajtje në monumentet e kulturës

Sezoni turistik ka nisur por specialistët e mirëmbajtjes vijojnë punimet mirëmbajtëse në monumentet e kulturës kudo në vendin tonë.

Këtë javë fokusi i punimeve mirëmbajtëse të DRKK Vlorë ka patur qendrat historike dhe monumentet e kulturës të qytetit bregdetar.

Punonjësit janë përfshirë në aksionin kundër vegjetacionit, për t’u dhënë këtyre monumenteve paraqitjen e denjë në pritje të turistëve dhe vizitorëve të shumtë.

Punimet janë bërë në qendrën historike dhe kalanë e Himarës, kalanë e Kaninës, urën e Brataj, urën e Slapit në Drashovicë dhe urën e Frëngut në Gjormë.

Mirëmbajtja e monumenteve dhe hapësirave rreth tyre mbetet një nga sfidat e përditshme të punonjësve që kërkon mbështetjen dhe ndërgjegjësimin e qytetarëve në mbajtjen pastër të mjediseve për një imazh më dinjitoz ndaj turistëve që mbushin çdo ditë qytetin e Vlorës gjatë kësaj periudhe. /atsh

Vlorë, sezoni turistik punime mirëmbajtje në monumentet e kulturës Read More »

Artistët i bashkohen fushatës së dhurimit të gjakut, Manastirliu: Të krijojmë zinxhirin e dhuruesve vullnetarë

Gjatë fushatës së dhurimit vullnetar të gjakut në ndihmë të fëmijëve talasemikë, arritëm në 2200 dhurime vullnetare, që mbulojmë një pjesë të konsiderueshme të nevojave për fëmijët talasemikë, në këtë periudhë të vështirë të vitit”. Në Ditën Botërore të Dhurimit të Gjakut, Ministrja Manastirliu apeloi për më shumë dhurime vullnetare, për të plotësuar nevojat me gjak.

“Shqipëria ka 10.8 dhurime për 1000 banorë ndërsa nevojat janë dy herë më të mëdha. Nevojat e vendit për gjak janë 20 dhurime për 1 mijë banorë ndaj gjej rastin përsëri, bashkë me miqtë tanë artistë të bëjmë një apel për qytetarët, të dhurojnë gjak”, tha Manastirliu.

Fushatës së dhurimit vullnetar të gjakut sot ju bashkuan figura të njohura të skenës dhe ekranit, si Valbona Selimllari, Mirela Milori, Rudina Dembracaj, etj, të cilët dhuruan gjak në ndihmë të fëmijëve talasemikë.

“Sot mbyllim një fushatë intensive, ku dhurues nga e gjithë Shqipëria, nga institucione publike e private, njerëz të zakonshëm, dhurues periodikë por edhe shumë dhurues për herë të parë, personeli shëndetësor, artistë, politikanë dhe sidomos të rinjtë, u bashkuan në nismën tonë në ndihmë të fëmijëve talasemikë”, tha Manastirliu.

Sipas të dhënave të Qendrës Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut, nëse vijojmë me këtë ritëm dhurimesh vullnetare, me të gjitha gjasat, kjo verë nuk do të ketë vështirësi për sigurimin e gjakut për fëmijët talasemikë, për të bërë një jetë sa më normale. Me një kalendar të përcaktuar përgjatë gjithë verës, sidomos gjatë muajve Korrik-Gusht, do të vijohet me dhurimet vullnetare, për të garantuar plotësimin e nevojave me gjak për fëmijët talasemikë dhe për këdo që ka nevojë./atsh

Artistët i bashkohen fushatës së dhurimit të gjakut, Manastirliu: Të krijojmë zinxhirin e dhuruesve vullnetarë Read More »

Gjumi me televizorin ndezur dhe drita dëmton metabolizmin

Qëndrimi deri vonë përpara televizorit apo drita që lini ndezur për t’u ndjerë më të sigurt gjatë gjumit mund t’iu shëndoshë.

Një studim i ri tregon se fjetja me dritën ndezur lidhet me rrezikun gjithnjë e në rritje për fitimin e peshës së padëshiruar dhe obezitetit. Kërkim i publikuar në revistën e Shoqatës Mjekësore Amerikane, që analizoi rreth 44 mijë gra në Shtetet e Bashkuara, zbuloi se ato që flinin me televizorin apo me një dritë ndezur në dhomë, fituan 5 kilogramë në peshë ose më shumë.

Gjithashtu patën një rritje në masën e trupit me 10% në një periudhë 5-vjeçare, si dhe iu shtuan shanset me 22% për të kaluar mbipeshë. Studimi zbuloi se për shkak të këtyre rrethanave, u rritën shanset me 33% për të kaluar në obezitet.

Zyrtarët e shëndetit amerikan rekomanduan që televizori dhe pajisjet e tjera elektronike të largohen nga dhoma e gjumit në mënyrë që të krijohet një mjedis i shëndetshëm për fjetjen. Për shkak të dritës artificiale gjatë natës, ora trupore mund të fiket. Kjo mund të dëmtojë metabolizmin duke shkaktuar shtim në peshë. /atsh

Gjumi me televizorin ndezur dhe drita dëmton metabolizmin Read More »

Portali “Mësues për Shqipërinë”, rritje të cilësisë së mësimdhënies dhe punësimit në bazë të meritës

“Kemi 7200 aplikime në portalin “Mësues për Shqipërinë” që është numër shumë i mirë për të pasur mundësinë për të zgjedhur mësuesit më të mirë për fëmijët tanë”, – u shpreh sot ministrja e Arsimit Rinisë dhe Sporteve, Besa Shahini gjatë një interpelance me mësues në detyrë dhe aplikantë të rinj.

Shahini gjithashtu foli dhe për risitë që sjell udhëzimi më i fundit i MASR në lidhje me portalin dhe ndikimin e tij në rritjen e cilësisë së mësimdhënies dhe punësimin në bazë të meritës.

“Çdo vit ne kemi 600 deri në 700 që dalin në pension mësues pra janë vende pune që hapen për kontrata afatgjata. Janë 1400 që punësohen nga 7200, pra zgjidhen më të mirët”, – tha Shahini.

Ajo vijoi se “ndryshimet që kemi bërë vijnë nga politikat e reja që kemi ndërmarr për ta vendosur nxënësin në qendër të politikave tona arsimore. Gjithashtu dhe të përmirësojmë cilësinë e mësimdhënies dhe të rrisim transparencën në procesin për zgjedhjen e mësuesve”.

“Kur kemi bërë ndryshimet në udhëzimin e pranimit të mësuesve të rinj në sistem kemi pasur dy gjëra parasysh: të bëjmë sa më transparent procesin e zgjedhjes dhe konkurrimi të jetë sa më i drejtë, duke pasur parasysh ankesat që kanë ardhur nga mësues dhe kandidatët e rinj që ky proces të jetë sa më i drejtë për të gjithë”, – u shpreh Shahini.

Shahini tha se “në mënyrën sesi këto mësues renditen në portal janë dy gjëra që merren parasysh është vlerësimi i dosjes që ka një vlerë 20% të gjitha pikëve dhe testi i informatizuar. Tek vlerësimi i dosjes ka një 20 pikë që merren tek dosja, 10 pikë i takojnë notave që ka marrë gjatë studimeve dhe pjesa tjetër vjen nga kualifikime të tjera që ka mësuesi që konkurron”.

“Nëse një mësues është në sistem 10 vjet dhe nuk arrin të kualifikohet në një nivel më të lart atëherë ky mësues nuk është në të njëjtin hap me ndryshimet që po bëhen në sistemin e arsimit. Pra pse të promovohet ky mësues kur një kandidat i ri ka kushtuar shumë rëndësi studimeve dhe është shumë më i përgatitur që të jetë mësues në shkollë. Kjo gjë nuk penalizon mësues që janë në sistem, por promovon ata që kualifikohen, që kanë vjetërsinë dhe kanë një stad më të lartë, dhe gjithashtu i lë mundësi mësueseve të rinj që dhe ata të jenë pranë nxënësve”, – sqaroi Shahini.

“Punësimi i mësuesve tani ndodh menjëherë nuk do kemi më 1 vit provë. Portali “Mësues për Shqipërinë” është bërë pjesë e ligjit për arsimin parauniversitar pra portali ne na siguron që mësuesit më të mirë të dalin të parët në list. Kjo i jep mundësi të bëhen menjëherë mësues me kontratë afatgjate dhe jo të kalojnë në periudhën e provës”, – tha Shahini.

“Ruajtja e pikëve të dosjes nga viti i kaluar mund të ruhet por ato do të përkthehen sipas vlerësimit të ri, nëse dikush ka pasur pikë sipas vlerësimit të vjetër do merret e gjithë dosja dhe do të rivlerësohet sipas pikëzimit të ri. Testi i informatizuar nuk ka ndryshuar nga viti i kaluar dhe pikët mund të ruhen por dhe kjo do të bëhet sipas peshës që ka testi. Vitin e kaluar ka qenë 70% e gjithë notës ndërsa sivjet është 80%”, – përfundoi ministrja e Arsimit Rinisë dhe Sporteve, Besa Shahini.

Portali “Mësues për Shqipërinë”, rritje të cilësisë së mësimdhënies dhe punësimit në bazë të meritës Read More »

Meta: Të jemi më aktivë në dhurimin e gjakut

Presidenti i Republikës, Meta vizitoi sot paradite tendën e Kryqit të Kuq Shqiptar të ngritur në Parkun “Rinia” të kryeqytetit, me rastin e Ditës Botërore të Dhuruesve Vullnetarë të Gjakut.

Në kuadër të nismës së ndërmarrë, në bashkëpunim me Aleancën e Dhurimit të Gjakut, Presidenti Meta vuri në dukje kënaqësinë që u rikthye edhe këtë vit mes dhuruesve të shumtë vullnetarë, si dhe falënderoi Kryqin e Kuq Shqiptar, që punon me përkushtim për këtë kauzë kaq humane në ndihmë të njerëzve në nevojë.
“Sot në këtë ditë të rëndësishme të dhurimit të gjakut dua t’i falënderoj të gjithë të rinjtë dhe të rejat shqiptarë që i janë bashkuar kësaj kauze! Në mënyrë të veçantë të gjithë ata që janë dhurues të rregullt e të qëndrueshëm, pasi i shërbejnë një kauze të jashtëzakonshme humanitare, sepse përmes këtij solidariteti, ata garantojnë që të gjithë qytetarët, të cilët kanë nevoja të përhershme për gjak, e në mënyrë të veçantë për fëmijët, të vazhdojnë normalisht jetën e tyre dhe të jenë plotësisht të integruar në shoqëri”, – ishte mesazhi i sotëm i Presidentit të Republikës.

“Jam këtu për të nxitur më tej këtë vullnetarizëm, këtë solidaritet që i ka shërbyer prej më se një viti edhe Aleanca për Dhurimin e Gjakut dhe do të vijojë në mënyrë të qëndrueshme edhe në të ardhmen. Aq më tepër që jemi edhe në fillim të sezonit të verës dhe tani nevojat shtohen akoma e më shumë”, – nënvizoi Presidenti Meta.

“Do t’i ftoja të gjithë që të jenë edhe më aktivë në proces. Edhe ne si Aleancë për Dhurimin e Gjakut do të organizojmë më shumë seanca të tilla në të gjithë vendin, sidomos në ato zona dhe rajone të Shqipërisë ku ka nevojë më shumë”, – u shpreh Presidenti Meta.

Meta: Të jemi më aktivë në dhurimin e gjakut Read More »

Nxënësit monitorim ujit të lumit Izvor, në Tragjas

Nxënësit e klasave të 8-ta të shkollës “4 Heronjtë” të qytetit të Vlorës, në kuadër të programit “Sfida Botërore e Monitorimit të Ujit” zhvilluan sot monitorimin e ujit të lumit Izvor, në Tragjas, Vlorë.

Nën drejtimin e mësuesve Ferdinand Breshanaj dhe Evisa Sinani, nxënësit pjesëmarrës kryen monitorimin e këtij burimi ujor duke matur pH, temperaturën, turbiditetin dhe oksigjenin e tretur në ujë.

Qëllimi i këtij programi është edukimi dhe angazhimi i nxënësve në mbrojtjen e burimeve ujore.

Programi është duke u zhvilluar nga Shoqata e Ujësjellës Kanalizimeve të Shqipërisë në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë dhe është i bashkëfinancuar nga Bashkimi Europian dhe Qeveria gjermane./atsh

Nxënësit monitorim ujit të lumit Izvor, në Tragjas Read More »