Irina

Sheshi “Skëndërbej” vlerësohet me çmimin e parë si Hapësira më e mirë Europiane në Spanjë

Pas vlerësimit që mori në bienalen e Çikagos, çmimit prestigjioz europian për “Hapësirën Publike Urbane 2018” në Barcelonë dhe çmimit të dytë për Arkitekturën Bashkëkohore 2019 që u akordua nga Bashkimi Europian, sheshi “Skënderbej” vijon të tërheqë vëmendjen e profesionistëve ndërkombëtarë të arkitekturës, si një nga hapësirat që ka pësuar një transformim të jashtëzakonshëm.

Së fundi, sheshi “Skënderbej” është përzgjedhur si fitues i Çmimit Europian për Ndërhyrje në Trashëgiminë Arkitekturore (European Award for Architectural Heritage Intervention AADIPA), në një garë aspak të lehtë, ku konkurruan 239 projekte nga vende të ndryshme të botës. Juria e cilësoi projektin e sheshit “Skënderbej” si një reflektim i kompleksitetit dhe historisë së Shqipërisë.

Çmimi prestigjioz u dha nga Shoqata e Arkitektëve të Katalonjës dhe Shoqata e Arkitektëve për Mbrojtjen dhe Ndërhyrjen në Trashëgiminë Arkitekturore, mbështetur nga Ministria e Kulturës e Qeverisë së Katalonjës dhe Këshillit Bashkiak të Barcelonës.

Sheshi “Skëndërbej” konkurroi në kategorinë “Hapësirat e Jashtme” dhe nga dhjetë veprat e përzgjedhura, në finale shkuan 4 finalistë:

– Sheshi “Skënderbej” nga studio 51N4E, Anri Sala, iRI dhe Plant en Houtgoed (Tiranë, Shqipëri)

– Qendra e Vizitorëve në Villers Abbey nga Binario Architects (Villers-la-Ville, Belgjikë)

– Hyrja e Kështjellës Jorba nga Carles Enrich Studio (Barcelona, Spanjë)

– Parku Zollverein nga Planergruppe GmbH Oberhausen (Essen, Gjermani)

Juria vendosi si projekt fitues sheshin “Skënderbej” në Tiranë, duke theksuar rëndësinë e veçantë që ka luajtur liria e autorëve në realizimin e projektit për sfidën e të punuarit në një shesh shumë kompleks dhe simbolik, për shkak të kontekstit historik dhe politik që ai mbart, si dhe thjeshtësisë së shprehur përmes një topografie plot sqimë, që ringre në të njëjtën shkallë vlerat e kompleksit historik arkitekturor rrethues, në harmoni me ndërtesat përreth, duke krijuar një thyerje në përbërjen e aksit urban ekzistues, çka gjeneron një model të ri të hapësirës urbane. /atsh

Sheshi “Skëndërbej” vlerësohet me çmimin e parë si Hapësira më e mirë Europiane në Spanjë Read More »

Ja si do të jetë moti

Dita e martë do të ndikohet nga masa ajrore relativisht të paqëndrueshme.

Shërbimi Meteorologjik Ushtarak bën me dije se moti do të jetë i kthjellët në pjesën e parë të ditës, ndërsa në mesditë e pasdite do të kemi zhvillim të vranësirave të cilat do të pasohen nga reshje shiu në formën e shtrëngatave afatshkurtra, të shoqëruar me shkarkesa elektrike.

Reshjet do të prekin zonat kodrinore dhe malore të vendit, në zona të izoluara reshjet do të jenë në formën e breshërit.

Era do të jetë nga Veriperëndimi 2-10 m/s, era fiton intensitet kryesisht në momentin e zhvillimit të vranësirave.
Në fushën termike nuk priten luhatje të ndjeshme.

Më konkretisht:
Zonat malore 15°C deri në 30°C
Zonat e ulëta 18°C deri në 34°C
Zonat bregdetare 20°C deri në 32°C/atsh

Ja si do të jetë moti Read More »

877 turistë me dy kroçera, vizita në qendra historike dhe arkeologjike

Në në orët e para të mëngjesit të sotëm në kalatat 4 dhe 5 të portit të Durrësit u ankoruan kroçerat “La Belle De L’Adriatique” dhe “Seven Seas Voyager”, me 877 turistë gjithsej.

Turistët e organizuar në grupe dhe nën kujdesin e operatorëve turistikë janë nisur me autobusë drejt qyteteve të Krujës, Beratit dhe Tiranës, ku do të vizitojnë qendrat historike dhe muzeale.

Një pjesë e tyre kanë preferuar të qëndrojnë në Durrës për të vizituar Muzeun Arkeologjik të qytetit si dhe Amfiteatrin antik.

Autoriteti Portual Durrës ka krijuar të gjitha kushtet për sigurinë edhe lëvizjen e turistëve në territorin portual.

Që nga fillimi i këtij viti në portin më të madh të vendit janë ankoruar 11 kroçera me 2.194 turistë gjithsej – bëhet e ditur nga Sektori i Statistikave në APD.

Nga agjencia e lundrimit “Intermed Shipping” mësohet gjithashtu, se kroçera “La Belle De L’Adriatique” me një gjatësi prej 110 metra mbërriti në Durrës sot paradite, pas dy ndalesave në Sarandë dhe në Vlorë, ndërsa në mbrëmje vonë do të niset për në portin e Tivarit (Mali i Zi). Me këtë kroçerë po udhëtojnë 154 turistë nga shtatë vende të Evropës, 135 prej të cilëve nga Zvicra.

Kroçera “Seven Seas Voyager” ka një gjatësi 206 metra. Turi i saj 11-ditor përveç Durrësit përfshin disa nga portet e njohura turistike të Mesdheut, si Saint Tropez, Monte Carlo, Venecia, Sorrento, Venecia, etj. 723 udhëtarët e këtij turi vijnë nga 22 vende të ndryshme, por pjesa më e madhe janë turistë nga SHBA, 476 vetë, dhe nga Britania e Madhe, 97 të tjerë./atsh

877 turistë me dy kroçera, vizita në qendra historike dhe arkeologjike Read More »

Shëtitorja e bregdetit të Dhërmiut e ka transformuar plotësisht plazhin, një ndër hapësirat më atraktive të turizmit në Shqipëri

Shëtitorja e bregdetit të Dhërmiut, një prej investimeve të fundit të realizuara në bashkinë e Himarës, e ka transformuar plotësisht plazhin në këtë pjesë të bregdetit të Jugut, një ndër hapësirat më atraktive të turizmit në Shqipëri.

Turistë të huaj, nga vende të ndryshme, si Polonia, Rusia, Çekia, Italia, Gjermani, Franca, Ukraina, Bjellorusia, Maqedonia, shqiptarë nga Kosova, kanë zgjedhur të pushojnë dhe të shijojnë detin e mrekullueshëm të Jonit dhe gjithçka ofron natyra dhe njerëzit, në këtë pjesë të Bregdetit të Jugut të Shqipërisë.

Në orët e mbrëmjes, shëtitorja është plot dhe po ashtu edhe lokalet përgjatë saj.

Ky është tregues i drejtpërdrejtë i këtij projekti, që nisi vitin e kaluar, për t’u shndërruar në një realitet të këndshëm për pushuesit, banorët e zonës dhe operatorët e shumtë turistikë.

Dhërmiu, i shtrirë buzë detit Jon, midis gjelbërimit të ullinjve dhe agrumeve të shumta, ka një bukuri madhështore. Dhërmiu gjendet në fund të një plazhi më shumë se pesë kilometra të gjatë, plazh i cili përfundon në një kodër, mbi të cilën ngrihet manastiri i Shën Theodhorit. Fshati përbëhet nga tri lagje: Kondraqa, apo Kallami që është lagjja e parë për ata që vijnë nga Llogoraja; vijuar nga Gjileku – lagjja e dytë dhe Dhërmiu – lagjja e tretë dhe më e madhja, e cila i ka dhënë edhe emrin fshatit.

Fshati i Dhërmiut ndodhet 52 km në jug të Vlorës, 72 km në veri të Sarandës dhe rreth 210 km nga kryeqyteti, Tirana. Dhërmiu bën pjesë në bashkinë e Himarës që janë zonat emblemë të turizmit shqiptar.atsh

Shëtitorja e bregdetit të Dhërmiut e ka transformuar plotësisht plazhin, një ndër hapësirat më atraktive të turizmit në Shqipëri Read More »

Krimet e Rënda: Po verifikohet autenticiteti i përgjimeve

Drejtuesja e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Donika Prela ka reaguar pas publikimit të audiopërgjimeve të publikuara nga “Bild”, duke i cilësuar si prishje të imazhit të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, ndërsa ka nisur verifikimi i autenticitetit të audiove të publikuara.

“Nisur nga publikimet audio të bëra sot më datë 17.06.2019 në gazetën gjermane “Bild”, Prokuroria e Krimeve të Rënda njofton se ka filluar veprimet hetimore për verifikimin e elementëve të veprës penale të “Zbulimit të akteve ose të dhënave sekrete” të parashikuar nga neni 295/a i K.Penal”, thekson Prela.

Sipas saj, “Po bëhet verifikimi me shpejtësi i të gjitha akteve hetimore dhe të CD-ve të përgjimeve me qëllim verifikimin e autenticitetit të audiove të publikuara”.

“Prokuroria e Krimeve të Rënda deklaron, se po ndjek me kujdes situatën e paprecedentë të krijuar, që ka cenuar rëndë imazhin e Prokurorisë Shqiptare dhe që është kryer në shkelje flagrante të ligjit”, përfundon reagimi i Drejtueses së Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Donika Prela. /atsh

Krimet e Rënda: Po verifikohet autenticiteti i përgjimeve Read More »

Përgjimet, Rama: Gazetarin do e çoj para gjykatave gjermane, ku drejtësia nuk bën lojëra me sekretet hetimore

Kam vendosur ta çoj në gjykatat gjermane këtë gazetar dhe në atë vend të bekuar, ku drejtësia nuk bën lojra me sekretet hetimore e ku dinjiteti i njerëzve dhe i shteteve respektohet si vlerë e pacënueshme, le të shohim kush është me të drejtën në këtë histori drejtësie të munguar”, deklaroi sot Kryeministri Edi Rama.

Kryeministri Rama iu referua gazetarit të “Bild”ku janë botuar sot të tjera përgjime. Më herët kryeministri Rama nxiti prokurorinë shqiptare të vijojë intensivisht hetimet.

Sipas tij, ky është i gjithi një skandal i turpshëm, i gatuar për shantazh dhe lojë politike. /atsj

Përgjimet, Rama: Gazetarin do e çoj para gjykatave gjermane, ku drejtësia nuk bën lojëra me sekretet hetimore Read More »

Meta për “Al Jazeera-n”: Nuk do të ketë zgjedhje më 30 qershor, të gjithë të zbatojnë dekretin

Në një intervistë të dhënë për Al Jazeera, Presidenti Ilir Meta, shprehet se në 30 qershor, nuk do të ketë zgjedhje.

“Nuk do të ketë zgjedhje më 30 qershor. Ky dekret është publikuar tashmë në Fletoren Zyrtare dhe të gjithë kanë detyrimin ta zbatojnë atë”, tha ai.

I pyetur nëse ka shkelur Kushtetutën dhe për mocionin e Largimit nga zyra, të votuar në Parlament, Kreu i Shtetit u shpreh se “unë kam qenë deputet i Parlamentit për 25 vite me radhë dhe e di shumë mirë se si funksionon ky institucion. Unë jam zgjedhur në postin e Presidentit të Republikës nga një parlament plotësisht legjitim dhe jo nga ky që kemi aktualisht”.

“Duhet t’jua bëj me dije se nuk është kryer asnjë shkelje e Kushtetutës nga Presidenti i Republikës dhe dua gjithashtu t’ju siguroj gjithashtu se rendi kushtetues i Shqipërisë është i bazuar mbi pluralizmin politik dhe zgjedhje të lira e të ndershme. Dhe ajo që ka bërë Presidenti ekzaktësisht është që të tregojë përkushtimin e tij për të mbrojtur pluralizmin politik në vend, si edhe të garantojë zgjedhje të lira e të ndershme për të gjithë qytetarët e Shqipërisë, sepse Shqipëria ka pasur për 45 vjet votime gjatë regjimit komunist, por të gjithë e dinë se ka një ndryshim të madh mes zgjedhjeve dhe votimeve”, tha ai.

“ Por që nga momenti që u zgjodha dhe u betova mbi Kushtetutën e Shqipërisë si President i Republikë, tha Meta, unë i përkas Republikës dhe Republika u përket qytetarëve”.

Presidenti shprehet se vendimi për anulimin e zgjedhjeve “i shërben paqes sociale, stabilitetit, duke shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm e të pakontrolluar të situatës, që mund të çojë në një përplasje civile në vend ashtu siç edhe ju e keni parë gjatë zhvillimeve të muajit të fundit, sepse zgjedhjet pa opozitën, jo vetëm minojnë stabilitetin e vendit, por gjithashtu çdo shans pozitiv që Shqipëria të bëjë hapa përpara në procesin e çeljes së negociatave me BE-në sa më shpejt të jetë e mundur”.

“Jam shumë i vendosur për të bërë më të mirën për të krijuar kushtet e nevojshme për dialog dhe për një zgjidhje të besueshme, sepse kjo është shumë e rëndësishme, jo vetëm për stabilitetin e vendit dhe për bashkëjetesën demokratike të qytetarëve tanë, por kjo është shumë e rëndësishme për të ardhmen europiane të Shqipërisë. Zhvillimi i zgjedhjeve pa opozitën do të ishte një investim krejtësisht në dëm të së ardhmes europiane të vendit, që është objektivi kombëtar i të gjithë shqiptarëve, pavarësisht nga përkatësitë e tyre politike. Gjithashtu, pas 4-5 muajve të mbushur me konfrontime dhe tensione, që ju i keni raportuar si e gjithë media botërore, zgjidhja nuk mund të gjendet brenda 2-3 ditëve”, tha ai.

Lidhur me deklaratën e Presidentit të KE, Juncker i cili është shprehur pro zhvillimit të zgjedhjeve më 30 qershor, Meta tha se “jam i sigurt se ai nuk është informuar siç duhet për faktin se zgjedhjet e 30 qershorit praktikisht, ose në thelb janë thjesht votime dhe jo zgjedhje, sepse janë zgjedhje pa opozitën. Jam i sigurt se ai nuk është plotësisht në dijeni të gjithë situatës.Në këtë drejtim, ajo që ju thoni është korrekte, por tani nuk është më përgjegjësi e Komisionit Europian, sepse ky Komision e ka bërë tashmë një rekomandim pozitiv për Shqipërinë. Tani ky vendim do të merret në nivelin më të lartë të politikës europiane dhe mesazhet janë të qarta se zgjedhjet pa opozitën nuk ndihmojnë progresin europian të Shqipërisë”.

I pyetur nëse do të ketë një marrëveshje për zgjidhjen e krizës, Meta tha se “unë shpresoj që zoti Rama të vijë këtu së bashku me udhëheqësit e tjerë për të bërë një marrëveshje që do ta ndihmonte vendin jo vetëm për të shmangur këtë klimë përçarëse, por edhe do të ndihmonte vendin t’i demonstronte Bashkimit Europian dhe të gjithë partnerëve të tjerë maturinë e duhur dhe se ne jemi një vend që i kemi përmirësuar standardet demokratike dhe jo që i kemi përkeqësuar atë”

I pyetur nëse kryeministri Rama gëzon mbështetjen dhe besimin e Presidentit si kreu i Qeverisë, Meta tha se “kjo është një pyetje të cilës i jam përgjigjur më parë, kur e kam dekretuar si Kryeministër i Shqipërisë. Prisja që ai me kalimin e kohës në atë detyrë të ishte me fleksibël dhe bashkëpunues me opozitën, sepse para së gjithash, sfidat me të cilat përballet vendi mund të adresohen me sukses vetëm duke u bazuar në bashkëpunim më të gjerë. Dhe pres që ai ta lërë pas këtë retorikë përçarëse që e përdor aq shumë dhe që nuk po ndihmon mundësinë e një konsensus më të gjerë, por edhe politikat më gjithëpërfshirëse që vendi të jetë më i bashkuar”. /atsh

Meta për “Al Jazeera-n”: Nuk do të ketë zgjedhje më 30 qershor, të gjithë të zbatojnë dekretin Read More »

“Kala Festival”, 5 mijë turistë nën ritmet e muzikës ndërkombëtare në Rivierën Shqiptare

“Kala Festival” në bregdetin e Dhërmiut gjatë këtyre ditëve ka mirëpritur 5 mijë vizitorë të huaj të cilët po argëtohen nën ritmet e muzikës dhe bukurive që ky vend ofron.

Turistët e huaj gjatë fazë së parë të këtij eventin që organizohet nga data 12-19 qershor po shijojnë gjatë natës ritmet e muzikës së 55 DJ-ve më të mirë ndërkombëtarë, dhe po ekspolorojnë shtigjet dhe bukuritë bregdetare të Rivierës Shqiptare.

“Kala Festival, një nga organizimet e jashtëzakonshme të kësaj vere, që e ka shndërruar Rivierën Shqiptare, në bregdetin e muzikës, rinisë e atmosferës së festës. Mbi 5 mijë turistë po shijojnë jo vetëm skenat e muzikës së 55 DJ-ve më të mirë ndërkombëtarë, por edhe bukurinë e Jonit e mikpritjen turistike shqiptare”, shprehet ministri i Turizmit dhe Mjedisit Blendi Klosi.

Klosi shprehet se, “muzikë, argëtim, drita e ngjyra në skenat gjigande të improvizuara në bregdetin e jugut, në Kala Festival. Promovim i turizmit, zhvillim i biznesit lokal, marketim i Shqipërisë turistike”.

“Kala Festival” në këtë vit do zhvillohet në dy faza, e para në datat 12-19 qershor dhe faza e dytë 20-25 qershor. /atsh

“Kala Festival”, 5 mijë turistë nën ritmet e muzikës ndërkombëtare në Rivierën Shqiptare Read More »