Irina

“Njerëz të padukshëm” sjell historinë frymëzuese të kirurgut 82-vjeçar, dr. Janul Barxho

“Njerëz të Padukshëm” solli sot historinë frymëzuese të mjekut kirurg, dr. Janul Barxho, i cili edhe pse në moshën 82-vjeçare vazhdon të shërbejë me përkushtim në Spitalin e Përmetit.

Nga pasioni te kirurgjia, te ai për bujqësinë, jeta e kirurgut Barxho vjen përmes rrëfimit të tij për ERTV-në.

“Unë jam kirurgu i parë në këtë spital dhe e kam ushtruar profesionin në kushte mjaft të vështira godine, pajisjesh dhe përvoje. Gjatë gjithë karrierës time profesionale mund të kem bërë mbi 5 mijë operacione”, – thotë ai.

Çdo ditë dr. Barxho kryen konsulta e vizita në Spitalin e Përmetit, për 3 orë nga ora 09:00-12:00. Njëkohësisht në çdo orë të ditës dhe natës nëse ka urgjenca.

“Jam 82 vjeç. Nga lartësia e këtyre viteve shoh që kam bërë edhe unë diçka në shërbim të qytetit dhe të popullit të Përmetit. Me fëmijët është marrë kryesisht gruaja, unë nuk kisha shumë kohë të merresha me ta. Madje të them të drejtën nuk i shikoja se, i lija në gjumë dhe i gjeja në gjumë”, – tregon ai.

Dr. Barxho shprehet se mbresa i ka lënë vetëm operacioni i parë, ndërsa kujton kohën kur është kryer ky operacion. “Atë ditë nga Kryetari i Degës deri te polici më i thjeshtë ishin te dera e sallës së operacionit. Qesharake të them se për llampë qendrore ne kemi marrë një prozhektor të lapidarit në qendër. E adaptuam dhe e bëmë llampë ndriçimi. Kirurgjia ka një gjë, o të ngre, o të fut në dhe… duhet ta dashurosh profesionin”, – thotë ai.

Dr. Barxhos i janë akorduar dy tituj nga këshilli bashkiak i Përmetit, titulli “Mirënjohja e qytetit” dhe “Qytetar Nderi”, ndërsa nga Urdhri i Mjekut “Certifikatë mirënjohje për ushtrimin e detyrës me profesionalizëm”. /atsh

“Njerëz të padukshëm” sjell historinë frymëzuese të kirurgut 82-vjeçar, dr. Janul Barxho Read More »

Rama: Komunikime me Macron dhe drejtuesit e vendeve të tjera, rruga jonë vazhdon pa asnjë ekuivok

“Mosmarrja e një vendimi të merituar për Shqipërinë për çeljen e negociatave është rezultat i një përplasje të brendshme në tryezën e familjes europiane, por rruga jonë vazhdon pa asnjë lëkundje dhe pa asnjë ekuivok për të bërë detyrat e shtëpisë që janë të qarta”.

Kështu deklaroi sot Kryeministri Edi Rama, në një prononcim për shtyp pas mbledhjes së kryesisë së Partisë Socialiste.

Natyrisht, tha ai, “kemi rënë të gjithë dakord për faktin se kjo nuk ndryshon asnjë gjë në trajektoren strategjike të vendit, të Partisë Socialiste dhe të qeverisë sonë”.

Ndërkohë, Rama tha se “në ditët në vijim ka një sërë komunikimesh të përcaktuara në axhendë me Presidentin e Francës dhe me një sërë drejtuesish të tjerë të vendeve anëtare për të kuptuar ecurinë e mëtejshme të procesit”.

“Nga ana tjetër, pa diskutim që në aspektin praktik ne jemi të qartë që duhet të vazhdojmë çdo ditë punën, sepse edhe nëse do të kishim marrë një ‘Po’ të shumëpritur dhe të merituar disa ditë më parë, detyrat janë po ato që janë edhe pa atë ‘Po’. Pra, ecim përpara me reformën zgjedhore dhe brenda vitit të ngjisim shkallën e parë të miratojë në parlament të gjitha rekomandimet e OSBE/ODIHR-it, si pjesë e ligjit zgjedhor. Po ashtu të presim, se në këtë aspekt nuk kemi ne diçka më shumë për të bërë, plotësimin e Gjykatës Kushtetuese dhe me radhë të gjitha pikat e përcaktuara nga Bundestagu gjerman, që janë të rëndësishme për ne dhe jo të nevojshme për Gjermaninë dhe BE-në”, – tha Rama.

I pyetur lidhur me kërkesën e opozitës për dorëheqje, Rama tha se “nuk ka asnjë gjë të re, pasi ata kanë punuar shumë fort dhe nuk kanë lënë gur pa luajtur për të dështuar procesin”. “Nuk ia kanë dalë, sepse ne ia kemi arritur të kapërcejmë pengesën e ngritur artificialisht në 6 muajt e parë të vitit duke marrë mbështetjen e fuqishme të Kancelares Merkel dhe të Gjermanisë”, – tha Rama.

Kryeministri tha se “faktikisht, qoftë Maqedonia e Veriut, qoftë Shqipëria, nuk ka arritur të marrë atë që u takonte jo si rezultat i një rezerve substanciale ndaj tyre, por si rezultat i një përplasje të brendshme në tryezën e familjes europiane, ku sot është materializuar ajo që kisha paralajmëruar prej disa kohësh me të gjitha fjalimet e mia në parlament, një konflikt mbi të ardhmen e BE-së”, – tha Rama.

Në këtë pikë, Rama u shpreh se “nuk besoj se ne këtu, apo ata në Maqedoninë e Veriut kanë më shumë në dorë sesa të bëjnë detyrat e tyre të shtëpisë dhe detyrat e shtëpisë janë shumë të qarta”.

“Dielli ka dalë përsëri, dita ka filluar përsëri dhe rruga jonë vazhdon pa asnjë lëkundje dhe pa asnjë ekuivok. Ne duam të bëjmë Shqipërinë europiane për shqiptarët, për fëmijët tanë dhe këtë do të bëjmë”, – tha Rama. /atsh

Rama: Komunikime me Macron dhe drejtuesit e vendeve të tjera, rruga jonë vazhdon pa asnjë ekuivok Read More »

Diplomohen 402 oficerë, Lleshaj: Modernizojmë Policinë e Shtetit

Në Ministrinë e Brendshme është organizuar sot ceremonia e diplomimit dhe certifikimit të studentëve që përfunduan studimet Bachellor në Fakultetin e Sigurisë dhe Hetimit, studentëve të ekselencës që përfunduan kursin profesional për policimin, si dhe të kursantëve që përfunduan kolegjin profesional të lartë, Kolegji i Policisë. “Sot diplomohen 208 kursantë si oficerë të patrullës së përgjithshme të Policisë së Shtetit, 194 nënkomisarë si menaxherë të Policisë,” u shpreh ndër të tjera drejtori i Akademisë së Sigurisë, Drejtues i Lartë Bilbil Mema.

Ndërsa Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu tha se në 4 vitet e fundit janë mbi 2500 djem e vajza që janë arsimuar në Akademinë e Policisë dhe janë bërë pjesë e Policisë së Shtetit.

“Gjatë viteve të fundit Policia e Shtetit i është nënshtruar një procesi të gjerë reformimi, i cili ka konsistuar në ndryshimin e organizmit strukturor, performancës e prezantimit në komunitet por më i rëndësishëm është ndryshmi rrënjësor i strategjisë dhe programeve të arsimit dhe trajnimit të trupës policore. Rritja e nivelit të kapaciteteve profesionale, duke bërë pjesë të Policisë punonjës nga specialistë të fushave, të cilat nuk mund të përgatiten në Akademinë e Sigurisë, përmirësim i balancës në barazisë gjinore ku është synuar që punonjëset e gjinisë femërore në policinë e shtetit nga viti në vit të rrisin ndjeshëm përfaqësimin e tyre. Policia e Shtetit është orientuar drejt filozofisë më të përparuar të policimit, asaj të policimit në komunitet, si dhe drejt rritjes së kapaciteteve profesionale, duke bërë pjesë të saj studentë që kanë mbaruar me rezultate të larta në disa degë specifike”, – tha ndër të tjera Veliu, duke veçuar faktin se pas një procesi tejet transparent për përzgjedhjen e fituesve nga 589 konkurrentë që kishin përfunduar studimet në degët Ekonomi, Financë, juridik dhe IT, 36 prej tyre kanë përfunduar sot ëndrrën e tyre për të qenë në radhët e Policisë.

Ndërsa ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj nënvizoi rëndësinë që ka ky brez i ri oficerësh të Policisë të cilët kanë ndjekur kursin e Policisë Kriminale dhe atë për Patrullë të Përgjithshme.

“402 djem e vajza i bashkohen sot radhëve të Policisë së Shtetit duke shënuar kështu një moment të rëndësishëm ripërtëritje dhe modernizimi të saj. Krahas atyre që përfunduan kolegjin e Policisë për t’u bërë pjesë e bazës solide të saj, 158 të tjerë përfundojnë studimet e larta dhe bëhen pjesë e trupës drejtuese si nënkomisarë policie, ndërkohë që 36 studentë që i kanë përfunduar më parë me rezultate të larta studimet universitare, përfundojnë sot kursin e oficerit të Policisë Kriminale dhe i bashkohen strukturave të specializuara të hetimit. Kjo prurje e konsiderueshme cilësore, e përzgjedhur ndër mijëra kandidatë, shënon një hap tjetër të rëndësishëm në kuadër të një programi të madh të qeverisë shqiptare për të përmirësuar në mënyrë rrënjësore nivelin profesional të Policisë së Shtetit”, u shpreh ndër të tjera Lleshaj.

Nga ana tjetër, ai shtoi se së shpejti do të hapen programe të reja për 600 të rinj e të reja që fillojnë Akademinë e Sigurisë.

“Ne do ta thellojmë më tej procesin e modernizimit të Policisë së Shtetit, duke vijuar me konsekuencë programin e rritjes dhe të përtëritjes së saj. Pas pak ditësh do të hapim programet e reja, për rreth 600 të rinj e të reja që fillojnë Akademinë e Sigurisë, 60 prej të cilëve do të jenë përsëri nga radhët e studentëve të shkëlqyer, që i kanë përfunduar ndërkohë studimet universitare në degë të përzgjedhura,” u shpreh ministri.

Ndër programet ambicioze në proces ministri përmendi kampusin e ri të Policisë së Shtetit dhe Akademisë së Sigurisë, komisariatet e reja të Policisë, Policinë Shkencore, fuqizimin dhe modernizimin e flotës së automjeteve, pajisjet individuale dhe kolektive të Policisë, modernizimin e Policisë Kriminale, asaj Kufitare etj. /atsh

Diplomohen 402 oficerë, Lleshaj: Modernizojmë Policinë e Shtetit Read More »

Bllokohen 298 tonë karburant jashtë standardit të tregtimit

Inspektorati Shtetëror Teknik dhe Industrial, në bashkëpunimin me Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave, bllokuan një sasi prej 298 tonë karburant, në një vendburim në Bashkinë Finiq, e cila ishte jashtë standardeve të tregtimit. Nga kontrolli i ushtruar në këtë vendburim u konstatua se mungonte vërtetimi teknik, si dhe u evidentuan probleme me cilësinë e produktit.

Aksioni u ndoq nga afër nga ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, së bashku me kryeinspektorin e ISHTI, Admir Abrija dhe zëvendësdrejtorin e Doganave, Ylber Kalaja.

“Inspektorati Shtetëror Teknik dhe Industrial në kuadër të planit antiinformalitet, bashkë me administratën doganore, bën një plan kontrolli dhe gjatë kontrollit kemi konstatuar 298 tonë naftë bruto, e cila është e stokuar në këtë vendburim, pa vërtetimin teknik. Menjëherë kemi njoftuar administratën doganore që të hetojë në lidhje me fiskun e produktit”, bëri të ditur kryeinspektori Abrija.

Duke ju referuar parametrave të produktit të sekuestruar, zëvendësdrejtori i Doganave tha se ky është një produkt me risk dhe me shkallë monitorimi shumë të lartë. “Për vetë parametrat që kanë rezultuar, ky produkt rezulton të jetë një ndër produktet me risk dhe me shkallë monitorimi shumë më të lartë, për vetë mundësinë e përdorimit dhe si lëndë djegëse për ngrohje apo për elementë të tjerë”, nënvizoi Kalaja.

Ministrja Belinda Balluku e cilësoi aksionin në fjalë si provën e radhës për angazhimin e qeverisë në luftën kundër informalitetit duke paralajmëruar se aksionet do të vijojë edhe në javët në vijim në të gjithë territorin e vendit. “Ky është një sulm frontal kundër informaliteti, të cilin ne do ta vazhdojmë. Të gjithë entet shtetërore, si Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, si Ministria e Financave dhe të gjithë agjencitë apo drejtoritë në varësi të tyre, janë të fokusuar tek lufta kundër informalitetit dhe askush nga ne nuk ka plan që të ndalojë”, nënvizoi Balluku.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë theksoi se koordinimi mes agjencive dhe institucioneve përkatëse, si në këtë rast, rrisin eficiencën e aksioneve, ndërsa nxiti bashkëpunimin mes ISHTI-t dhe administratës doganore, me qëllim evidentimin e shkeljeve dhe marrjen e masave përkatëse për subjektet që abuzojnë.

“Në rastet kur kemi aksione të koordinuara, eficienca e aksionit është më e lartë dhe unë do t’ju sugjeroja dhe do t’ju nxisja që dhe në të ardhmen të ketë një bashkëpunim të hapur midis drejtorive dhe Inspektoratit Teknik për të goditur sa më shumë, qoftë parregullsitë cilësore, që janë shumë të rëndësishme, ashtu dhe parregullsitë fiskale. Për të vendosur një herë e mirë në tregun e karburanteve në Shqipëri një legjitimitet të plotë për sa i përket tregtimit, cilësisë dhe sigurisht për sa i përket të gjithë rregullimit të këtij sektori, i cili ndër vite lë shumë për të dëshiruar”, theksoi Balluku.

Nga analizat e kryera rezultoi se lënda prej 298 tonësh, e bllokuar në këtë pikë vendgrumbullimi, kishte parametra të pazakontë sa i takon nivelit të squfurit por edhe nivelit të flakërimit. Nga ana e inspektorëve të ISHTI-t subjektit ju kërkuar edhe pajisja me vërtetimin teknik, pasi nuk plotësonte kushtet e sigurisë. /atsh

Bllokohen 298 tonë karburant jashtë standardit të tregtimit Read More »

Pse burrat shqiptarë e kanë zakon të vjetër ‘të ndërrojn duhanin’ me njëri-tjetrin?

Ndërrimi i duhanit ka qenë gjithmonë një shenjë respekti i ndërsjelltë mes burrave shqiptarë.

Për burrat, të cilët kryenin detyra shoqërore me rëndësi si: pjesëmarrja në kuvendet e fshatit ose të krahinës, angazhimi në zgjidhjen e konflikteve të shumëllojshme, administrimi i çështjeve ekonomike e socialkulturore të familjes ose i problemeve të veçanta të fisit etj, ishte gati e domosdoshme pirja e duhanit.

Më saktësisht, ata shfrytëzonin me kujdes mundësitë që u jepte servirja e duhanit, ndezja ose thithja e llullës apo e çibukut për të “peshuar” me maturi e për të gjetur fjalën e duhur edhe për situatat më të ndërlikuara, për çështjet më delikate.

Ftesa që një burrë i bënte një tjetri për “të ndërruar duhan” simbolikisht nënkuptonte kërkesën për të biseduar për një çështje serioze, mëson “Mekulipress”.

Në shoqërinë shqiptare deri në fillim të shekullit XX, sidomos në pjesët e saj që banonin në krahinat fshatare, nuk kishte ose kishe fare pak njësi shërbimi të tilla si kafene, restorante etj. Burrat përgjithësisht takoheshin në rrugë rastësisht ose si rastësisht.

Kur një burrë e ftonte dikë që takonte në rrugë me shprehjen “a ndërrojmë një duhan”, tjetri e pranonte ftesën pothuajse në çdo rast. Kjo ndodhte sepse, ndërkohë që pinin duhanin e njëri-tjetrit, burri që ftonte çelte një bisedë për ndonjë çështje të rëndësishme ekonomike që kishte të bënte me familjet ose fiset e tyre, për ndonjë fejesë, për tejkalimin e konflikteve të caktuara e deri për faljen e gj.akut.

Kësisoj ftesa “për ndërrim duhani” përcillte mesazhe simbolike shumë të rëndësishme dhe njëherazi nuk vinte në pozitë të nërenditur asnjërën palë, pasi asnjëra palë nuk qeraste tjetrën, por thjesht ndërronin duhanin, duke qenë në pozita krejt të barabarta, çka konsiderohej diçka shumë e rëndësishme për malësorët shqiptarë.

Pse burrat shqiptarë e kanë zakon të vjetër ‘të ndërrojn duhanin’ me njëri-tjetrin? Read More »

E birësuan 5 vjeç, e zbuloi nga shokët, sot b.raktis 2 vajzat e mitura, babai e kërkon mes lot.ësh

Ibrahim Krusa është 70 vjeç dhe vjen nga fshati Zogjaj i Bulqizës për të rrëfyer historinë e tij në emisionin “Me Zemër të Hapur”, në News24.

Ishte viti 1974 kur së bashku me bashkëshorten vendosën të birësonin një fëmijë, për shkak se nuk po arrinin dot të bëheshin prindër.
Në shtëpinë e fëmijës, në Tiranë, morën Shpëtimin, asokohe 5-vjeçar, të cilin e rritën me shumë dashuri dhe përkushtim. Aktualisht, ai është i martuar dhe babai i 2 vajzave.

Ishte data 12 qershor e vitit të kaluar, kur Ibrahimi u nda me të, pasi ishin kthyer nga Maqedoni, vend ku Shpëtimi punonte, dhe më pas ai u zhd.uk. Që nga ajo ditë e deri më sot asnjë telefonatë dhe asnjë kontakt me asnjë pjesëtar të familjes. Ka lënë në shtëpi nusen së bashku me 2 vajzat e vogla, të cilat jetojnë me Ibrahimin dhe bashkëshorten e tij. Ai i bëri një apel të birit të kthehet në familje, sepse e presin e shoqja dhe 2 vogëlushet.

Rrëfimi i të moshuarit:

Ibrahim Krusa: Nuk ka as nënë as babi. Nuk i kam pyetur për prindërit. Ditëlindja e Shpëtimit është datë 13.03.1979, ka lindur në Berat. Ma lavdëruan edukatorët, më thanë është djalë i mirë dhe i zgjuar. Unë doja djalë. Nuk e mbaj mend ditën e parë kur kam trokitur në derën e shtëpisë së fëmijës. Nuk ishte djalë i keq. Ne shkuam në gjykatë dhe e birësuam. Shpëtimi u afrua shumë me ne.

Shpëtimi ka bërë shtatë vite shkollë. Filloj të konsumonte duhan. Të vërtetën e birësimit e ka mësuar në moshën 12-vjeçare. Kur e mësoj të vërtetën nuk na tregoi neve. Të vërtetën ia thanë të tjerët. Nëse do t’i thoja sot, do ti ngelte hatri. Atë ditë më tha: unë vij vetë në shtëpi, pse më vjen mbrapa?

Iku në mal për dru dhe prit se mos vjen, s’ka. Kur e morëm vesh ne, Shpëtimi ka ikur për Greqi. Kishte lënë kalin në mal dhe kishte ikur. Unë nuk do ta lejoja të ikte, sepse ishte i vogël. Unë kisha qejf ta çoja në shkollë, por u tërhoq, nuk shkoi. Mësuesit më thonin “Shpëtimi nuk është në rregull, shikoje mirë”.

E gjetëm në fshatin Bulerat të Gjirokastrës, merrej me dele si çoban. Ai qëndroi dy vjet atje, u kthye në moshën 17-vjeçare. Kur shkova për ta marrë, ishte pak i larguar. I thashë “a do vish në shtëpi”, “po, do vij, si s’do vij”, më tha. Pastaj ikte në Greqi, vinte. Pasi bëri 25 vjeç, e martuam, me dëshirën e tij. Me bashkëshorten shkonin mirë. Pastaj, pasi bëri dy vajzat, filloi punën në Dibër të Madhe.

Atje filloi të mos merrte në telefon. Shkova e takova dhe i thashë “pse nuk flet me nusen e fëmijët”. Më tha “s’kam telefon”. Pastaj më tha ta prisja diku, se do shkonte te berberi të qethte flokët, por nuk u kthye më. Prej asaj kohe nuk kemi pasur më kontakte me të, por e di që nuk është më në Dibër të Madhe. Djali i dajës së tij më tha që para tre muajsh e ka parë në Gjirokastër.

Shoku i Shpëtimit në lidhje telefonike për emisionin “Me Zemër të Hapur”: E kam parë nga fundi i muajit shtator deri në fund të muajit tetor të vitit 2018. E njoh mirë këtë person, kam pirë kafe me të, kam ndenjur me të. Më ka thënë që jam i martuar, kam dy fëmijë, jam nga Dibra.

Ishte i vetmuar, rri pak si me stres, por nuk më ka thënë gjë për këtë. I merret pak goja, duket i stresuar, nuk rri në një vend. Bisedova me ca shokë, që të gjejnë adresën e saktë të tij, ku ka jetuar vjet, që të shohin nëse është akoma aty.

E birësuan 5 vjeç, e zbuloi nga shokët, sot b.raktis 2 vajzat e mitura, babai e kërkon mes lot.ësh Read More »

Buzhala: “Më shumë ka mundësi që Shqipërinë ta godasë një tërmet 10 ballë, sesa Rama të japë dorëheqjen”

Gazetari dhe botuesi nga Kosova, Berat Buzhala shkruan në një postim në Facebook se, “ma shumë ka mundësi që Shqipërinë me e goditë një tërmet 10 ballë të rihterit se sa Edi me dhanë dorëheqje”.

Buzhala sjell në kujtesë verimet e liderëve të vendeve të Rajonit, të cilët kanë dhënë dorëheqjen për shkaqe të ndryshme kohët e fundit. Ai bën një paralelizëm me kryeministrin shqiptar Edi Rama, qeveria e të cilit edhe pse ka qenë në qendër të shumë skandaleve, nuk e ka ndërmarrë këtë akt.

“Ne momentin qe partia e Ciprasit i pat hupe zgjedhjet per Parlamentin Evropian ish kryeministri i Greqise ka pas dhane doreheqje. I humbi zgjedhjet por jo me rezultat te thelle.

Ne momentin qe Bashkimi Evropian nuk i hapi negociatat me Maqedonine Kryeministri Zaev dha doreheqje duke e çu vendin ne zgjedhje. Nuk dihet a do t’i humbe zgjedhjet.

Ne momentin qe e thirren ne Hage si te dyshimte per krime te luftes Kryeministri Haradinaj dhe doreheqje. I humbi zgjedhjet bindshem.

Qe 6-7 vjet Kryeminister i Shqiperise Edi Rames i ka ra gjithecka me pa me ata sy. Ministra me droge ne kerre, banda te pergjume duke vjedhe vota, tendere qe nje kilometer autostrade ta shesin me 15 milion euro, e tash se fundmi edhe deshtim per hapje te negociatave. Mirepo ma shume ka mundesi qe Shqiperine me e godite nje termet 10 balle te rihterit se sa Edi me dhane doreheqje. Garant Edi thote ‘me kete popull nuk mundesh me bo shtet’ por assesi me kete kryeminister nuk mundesh me bo shtet”, shkruan Buzhala në një postim në Facebook.

Buzhala: “Më shumë ka mundësi që Shqipërinë ta godasë një tërmet 10 ballë, sesa Rama të japë dorëheqjen” Read More »

Ja si do të jetë moti në vazhdim

Sipas Insitutit të Gjeoshkencave ditën e sotme (e diel dt.20) dhe nesër (e hënë dt.21) nuk priten reshje në të gjithë qarqet.

TEMPERATURAT

Sot (e hënë dt.21) temperaturat minimale dhe maksimale të ajrit pritet të arrijnë:

në bregdet: 14 / 24 °C

në vendet e ulëta: 13 / 27 °C

në vendet malore: 9 / 23 °C

ERA

Sot (e hënë dt.21) era pritet të fryjë e lehtë deri mesatare.

Ja si do të jetë moti në vazhdim Read More »