Irina

Durrës: “Muzika dhe Vena, një harmoni e përkryer”, koncerti i Inva Mulës hap sot Bienalen 2019

“Muzika dhe Vena, një harmoni e përkryer” është tema që ka përzgjedhur këtë vit violinisti Florian Vlashi dhe ekipi organizator i Bienales “Netët e Muzikës Klasike 2019”, që do të startojë sot në Durrës dhe do të vijojë deri më 7 gusht.

Soprano e mirënjohur Inva Mula, e shoqëruar nga pianisti Genc Tukiçi dhe grupi instrumental “Shekulli i XX” do të hapë edicionin e nëntë të Bienales me pjesë nga Giacomo Puccini, Giuseppe Verdi, Pietro Mascagni dhe Alfredo Catalani.

Aktiviteti që ka nisur në vitin 2003 ka mbërritur në edicionin e nëntë të tij-tha drejtori I përgjithshëm I festivalit Haig Zacharian, duke kujtuar se çdo dy vjet në pikat arkeologjike dhe qendrat historike të qytetit antik janë interpretuar vepra muzikore të autorëve vendas dhe të huaj. Edicioni i këtij viti bashkë me instrumentistët e njohur do të ndalet te harmonia e Muzikës me Venën, siç ka dashur ta quajë Florian Vlashi, jo vetëm për ta veçuar nga stina e nxehtë, por edhe për të ruajtur ngjyrën e dialektit durrsak-shton kompozitori Zacharian.

Zgjedhja, prezantimi dhe degustimi i verërave nga kantinat lokale dhe ato nga Spanja, Italia dhe Gjermania, do të bëhet nga somelierë gjithashtu vendas dhe të huaj si Luis Paadin, Alejandro Paadin, Dashamir Elezi e Jorgji Toska. Një bashkëpunim shumëplanësh dhe një përvojë e re për Bienalen, thotë Haig Zacharian në rolin e drejtorit të festivalit, teksa nënvizon edhe bashkëpunimin me znj Nevila Dudaj dhe stafin e hotel Adriatik.

Duke kërkuar të jetë sa më konçiz në përkufizimin e harmonisë Muzikë-Venë të këtij edicioni, themeluesi i Bienales, Florian Vlashi, shprehet “duam të dëshmojmë se vera është kulturë, art dhe histori, si dhe një nga treguesit e mirëfilltë të qytetërimit, sipas Hemingëay-t; degustimi I verërave pas çdo koncerti prezantuar nga ekspertë të njohur si dhe nga artiste; 7 premiera shqiptare drejtuar nga dirigjenti Petrika Afezolli dhe një spanjolle shkruar enkas për tematikën e festivalit;

muzika baroke franceze aq pak e njohur; muzikantë të rinj shqiptarë me karrierë ndërkombëtare si Zamir Kabo, Juliana Laska e Daniel Vlashi; “Sax- Ensambel Madrid” grupi më i njohur në Spanjë në llojin e tij bashkë me “Grupo Instrumental Siglo XX”; programi “Kryqëzime udhësh” mbi pelegrinazhin Shqipëri-Compostela, program i porositur nga Institucionet Kulturore të Spanjës si kembim ndërmjet dy vendeve; “Katër Stinet” e Vivaldit në Amfiteatrin Romak me Daniel Vlashin solist, 30 vjet pas premierës shqiptare në të njëjtin qytet si dhe mbremja me sopranon e famëshme shqiptare “diamantin e artit shqiptar” Inva Mula e pianistin Genc Tukiçi që është njëherësh dhe hapja e Bienales”.

Pa harruar këtu dhe Konkursin e Talenteve te Rinj-e mbyll fjalën e tij shteruese, Florian Vlashi, i cili bashkë me stafin ka hyrë në fazën përfundimtare të përgatitjeve./atsh

Durrës: “Muzika dhe Vena, një harmoni e përkryer”, koncerti i Inva Mulës hap sot Bienalen 2019 Read More »

Si do të jetë moti, në vend do të qarkullojnë masa ajrore të qëndrueshme

Në vend do të qarkullojnë masa ajrore të qëndrueshme.

Shërbimi Meteorologjik Ushtarak bën me dije se sot moti ditën e premte përgjatë gjithë vijës bregdetare parashikohet i kthjellët.

Në mesditë e pasdite në veri dhe përgjatë maleve do të ketë zhvillim vranësirash.

Era do të fryjë me drejtim Juglindje-Veriperëndim, e lehtë e përkohësisht mesatare në bregdet, duke u shoqëruar me valëzim 1-2 ballë.

Temperaturat parashikohen:

QYTETET Temperaturat në °C Sigla
Shkodër 23/34 diell
Kukës 20/33 diell re
Lezhë 23/33 diell
Dibër 18/32 diell re
Durrës 22/33 diell
Tiranë 23/36 diell re
Elbasan 22/36 diell re
Berat 21/36 diell
Vlorë 23/34 diell
Korçë 18/32 diell
Gjirokastër 19/34 diell
Sarandë 25/34 diell/atsh

Si do të jetë moti, në vend do të qarkullojnë masa ajrore të qëndrueshme Read More »

Palmer: Zgjedhjet lokale të përgjegjshme e transparente, SHBA nuk mbajnë anë

Në një intervistë për Zërin e Amerikës, Matthew Palmer, Zëvendësndihmës Sekretar i Shtetit për Çështjet e Europës dhe Euroazisë, ka theksuar se mosmarrëveshja politike duhet zgjidhur nga institucionet shqiptare dhe jo me ndërhyrje nga jashtë.

I pyetur lidhur me kritikat se SHBA kanë zgjedhur stabilitetin mbi demokracinë duke mbështetur kryeministrin Rama, Palmer tha se Uashingtoni nuk mban anë në mosmarrëveshjet politike në Shqipëri dhe as nuk po i jep mbështetje Ramës, por mbështet institucionet shqiptare.

“Ne nuk po mbështesim kryeministrin Rama. Shtetet e Bashkuara nuk po mbajnë anë në mosmarrëveshjet politike të Shqipërisë. Ajo që ne po mbështesim është sundimi i ligjit, mbështesim institucionet shqiptare. Dhe ne do të dëshironim që mosmarrëveshjet politike në Shqipëri të zgjidheshin përmes këtyre institucioneve e jo përmes ndërhyrjeve nga jashtë”, deklaroi Palmer.

Në intervistë, Palmer thotë se dëshiron krijimin e Gjykatës së Lartë sepse mungesa e saj përbën shqetësim. “Ajo që na shqetëson është se nuk ka Gjykatë të Lartë. Ne do të dëshironim që gjykata të konstituohej. Mendojmë se është shumë e rëndësishme që çdo sistem të ketë kontrollet dhe ekuilibrat e duhur, në mënyrë të ketë përgjegjshmëri, transparencë dhe respek për sundimin e ligjit. Ne ia kemi shtruar këto çështje Kryeministrit Rama, siç kemi bërë me paraardhësin e tij dhe si ç’do të bëjmë edhe me pasardhësin e tij. Kjo është shumë e rëndësishme për Shtetet e Bashkuara, është e rëndësishme për Shqipërinë dhe për popullin shqiptar. Është gjithashtu e rëndësishme për rajonin”.

I pyetur nëse duhen përsëritur zgjedhjet lokale, Palmer tha se “kjo varet në të vërtetë nga institucionet shqiptare. Apo jo? Dhe pikërisht për këtë arsye ne do të donim që Gjykata e Lartë të ngrihej, e përbërë nga gjyqtarë që kanë kaluar procesin e duhur të verifikimit. Ajo gjykatë do të ishte pikërisht në gjendje t’i përgjigjej asaj pyetjes. Nuk u takon Shteteve të Bashkuara që ta gjykojnë atë çështje. I takon Gjykatës së Lartë të Shqipërisë ta marrë atë vendim”.

Më tej, Palmer u shpreh se ” unë mund t’ju them se vëzhguesit tanë panë dhe ndoqën nga shumë afër atë që dëgjuam nga Misioni Monitorues i OSBE-ODIHR-it, pra që zgjedhjet dhe procesi aktual i votimit u zhvilluan kryesisht në mënyrë të përgjegjshme dhe transparente, por procesi i përgjithshëm i mohoi popullit të Shqipërisë një alternativë kuptimplote. Pra, ekzistojnë shqetësime dhe rezerva reale në lidhje me vetë zgjedhjet, siç artikulohen nga OSBE-ja. Përsa i përket se cilat janë përgjigjet e duhura ndaj kësaj, ne do dëshironim ta shihnim këtë të dilte nga institucionet shqiptare”.

Lidhur me ndalimin e hyrjes në SHBA të Vangjush Dakos dhe familjen e tij, Palmer u shpreh se “mendoj se çështja këtu për Shtetet e Bashkuara është se kemi pasur dëshmi të forta në lidhje me aktivitetet e korrupsionit nga ana e zotit Dako. Dhe ne kemi autoritetet që janë të nevojshme për të ndërmarrë veprime në përgjigje të kësaj”.

Ai tha se “ky është një autoritet që ne me siguri nuk kemi frikë ta përdorim. Dhe është një autoritet që ne besojmë se mund të kontribuojë në procesin e luftimit të korrupsionit publik në Shqipëri dhe gjetkë”.

Gjithashtu, zëvendësndihmës Sekretar i Shtetit për Çështjet e Europës dhe Euroazisë theksoi se nuk mendoj se e shohim këtë si çështje të qeverisjes së Kryeministrit. Ne e shohim këtë si një çështje se si Shtetet e Bashkuara reagojnë ndaj sfidës së praktikës korruptive nga ana e atyre që janë në pozitën e besimit publik”.atsh

Palmer: Zgjedhjet lokale të përgjegjshme e transparente, SHBA nuk mbajnë anë Read More »

Rritet numri i turistëve të huaj në vend, Klosi: Shumë pranë shifrës 10 milionë

Në gjashtë muajt e parë të vitit 2019 ka mbi 13 përqind më shumë të huaj që kanë hyrë në Shqipëri dhe vetëm në muajin qershor ka pasur një rritje me 22 % përqind më shumë krahasuar me një vit më parë.

Nga Laguna e Kunë Vainit në Lezhë, një nga pikat më të frekuentuara turistike, ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi bëri shifrat publike në një intervistë për ERTV.

Klosi tha se vetëm në 21 ditët e para të korrikut ka 18 përqind më shumë vizitorë të huaj se sa Korriku i vitit të kaluar.

Në të njëjtën kohë, njoftoi Ministri, janë shtuar edhe strukturat e njësive akomoduese.

“Ajo që është më impresionuese është shtimi me shpejtësi i kapaciteteve akomoduese. Plot 228 operatorë të rinj funksionojnë si hotele që mund të jenë edhe guest house, por ama janë me nipte, në zyra tatimesh. Ky është një hov i ri që kanë marrë investimet në turizëm që na rrit neve përgjegjësinë, se si të kemi më shumë klientë. Vetëm në Berat janë shtuar 4 ose 5 hotele me mbi 100 dhoma që duan furnizim”,- u shpreh ministri.

“Në vitin 2019 pritet që të arrihet shifra e 6.8 vizitorëve të huaj në Shqipëri, që krahasuar me një vit më parë është 15 %. Në vendin tonë, në vitin 2018 hynë rreth 6 milionë turistë të huaj, një rritje e konsiderueshme që do të thotë më shumë ekonomi, entuziasëm në sektor, por po ashtu, shumë më tepër përgjegjësi sepse po arrijmë drejt objektivit 10 milionë, sfidë krejtësisht e mundshme”, -shtoi Klosi.

Lidhur me hapësirat publike në plazhe, ministri theksoi se “Task Forca e ngritur nga qeveria shqiptare ka punuar për lirimin e hapësirave publike dhe sot kemi një mënyrë të re menaxhimit të hapësirës publike në plazhe”.

Paralelisht, lehtësitë fiskale të qeverisë për investimet në hoteleri, sipas ministrit të Turizmit kanë zgjuar tregun elitar të turizmit në Shqipëri, pasi sot janë 8 hotele me 5 yje në fazën përfundimtare të menaxhimit përfundimtar dhe marka të njohura si Hayatt, Mariott, Hilton, etj./atsh

Rritet numri i turistëve të huaj në vend, Klosi: Shumë pranë shifrës 10 milionë Read More »

Basha: Zgjidhje krizës përmes parimeve, jo pazareve

Zgjidhje për krizën aktuale në vend sipas kryetarit të opozitës, Lulzim Basha do t’i jepet përmes parimeve, jo përmes pazareve, përndryshe sipas tij, ato do të përsëriten.

Në takimin me strukturat e Partisë Demokratike në Cërrik, kryetari i opozitës Lulzim Basha, u fokusua tek gjendja e rëndë ekonomike, sipas tij, një nga arsyet që krijoi shumicën refuzuese Rama ik.

“Shqiptarët janë të papunë për shkak të vjedhjes dhe të hajdutërisë së Edi Ramës të cilën nuk e ka parë dhe nuk e ka njohur Ballkani. Shikoni Milot Balldrenin, 7-fish koston e rrugës, shikoni Orikum Vlorën. Vetëm këtë javë shikoni vjedhjet që bëjnë me tenderin e uniformës së policisë, dyfish i çmimit, nga 15 milionë në 30 milionë. Shikoni aferën tjetër me kasat fiskale siç e paralajmëruam para disa muajsh, çdo biznes do të paguajë tarifë shtesë” -tha Basha.

Më tej, ai shprehu vendosmërinë e opozitës se kriza nuk do të marrë fund përmes një marrëveshjeje politike – pazar, sikurse ai vetë e cilësoi.

“Kjo krizë do të zgjidhet përmes parimeve, jo përmes pazareve, përndryshe krizat do të përsëriten. Në Europë çdokush që kapet me këto krime shkon para drejtësisë. Kjo krizë nuk do të mbyllet pa çuar para drejtësisë të gjithë pushtetarët e kapur në krim elektoral dhe në vjedhje të pasurive të shqiptarëve. Kësaj radhe kriza do të mbyllet vetëm duke i dhënë fund pandëshkueshmërisë së politikanëve. Kësaj radhe kriza do të mbyllet vetëm me politikanë me pranga në duar”- tha lideri i opozitës./atsh

Basha: Zgjidhje krizës përmes parimeve, jo pazareve Read More »

Anija “Oriku” shpëton 5 shtetas iranianë në detin Egje

“Oriku” dhe ekuipazhi i saj shpëtuan jetët e para në detin Egje që nga dislokimi atje rreth 3 javë më parë.

Lajmi bëhet i ditur nga ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka duke theksuar se “detarët tanë shpëtuan 2 gra dhe 3 burra me shtetësi iraniane dhe ia dorëzuan kolegëve të tyre të Rojës Bregdetare turke”.

Anija e Forcës Detare shqiptare “Oriku” dhe ekuipazhi i saj u nisën për në misionin e NATO-s në detin Egje me datë 12 korrik. 21 pjesëtarët e kontingjentit të XIII shqiptar në misionin “Sea Guardian”, u nisën nga Flotilja Detare e Pashalimanit, ku u përcollën nga drejtuesit e Forcës Detare, familjarët dhe kolegët e tyre.

Anija “Oriku” është duke zëvendësuar në zonën e operacionit simotrën e saj “Butrinti”, e cila patrullon prej 6 muajsh në detin Egje. “Oriku” po patrullon në Egje dhe do të qëndrojë atje, deri në fund të vitit, ndërkohë që kontingjenti i XIII do të shërbejë atje për rreth 3 muaj.

Anijet e Forcës sonë Detare patrullojnë prej 2 vitesh e gjysmë në detin Egje ku kanë parandaluar dhe shpëtuar mijëra emigrantë të paligjshëm. Anijet shqiptare janë pjesë e grupit të gatshëm të anijeve të NATO, Standing NATO Maritime Group 2 (SNMG2), në detin Egje./atsh

Anija “Oriku” shpëton 5 shtetas iranianë në detin Egje Read More »

Artan Imami: Dakordësi dhe nevojë urgjente për një godinë të re të Teatrit Kombëtar

Aktori i njohur Artan Imami shpreh dakordësinë dhe nevojën emergjente për një godinë të re të Teatrit Kombëtar.

Në vijim të qëndrimeve të aktorëve të njohur që mbështesin prishjen e Teatrit Kombëtar, Kryeministri Edi Rama shpërndau sot qëndrimin e aktorit Artan Imami.

“Një godinë, e cila t’u shërbejë artistëve dhe mbi të gjitha publikut, i cili edhe pse në kushte tërësisht të papërshtatshme, për asnjë moment nuk e ka braktisur skenën e teatrit. Teatri Kombëtar duhet të shfrytëzohet vetëm dhe vetëm për godinën e re të Teatrit Kombëtar, duke mos cënuar tjetërsimin e asnjë pjese të kësaj prone. Mua nuk më zë gjumi nga qejfi se do të bëhet një teatër i ri modern, në vend të këtyre pamjeve të tmerrshme që shohim me gjendjen aktuale. Më vjen ndër mend një takim i vitit ‘87 apo ‘88 me Ismail Kadarenë dhe ndërkohë që po bisedonim, dikush e pyeti se si duket niveli i teatrit. Ai ia kishte ngulur sytë në një qoshe të tavanit, ku po binte suvaja dhe thotë: Po ja, ashtu si kjo godinë”, thekson Imami.

Duke ndarë këtë qëndrim, Kryeministri Edi Rama thekson se “Artan Imami është një tjetër protagonist tanimë i hershëm i skenës së Teatrit Kombëtar, i cili është ngjitur në atë skenë qysh “kalama”, si një ndër talentet më të spikatura të gjeneratës së re të viteve ‘80 dhe sot ai ka një opinion të qartë në debatin për të ardhmen e godinës së Teatrit Kombëtar”./atsh

Artan Imami: Dakordësi dhe nevojë urgjente për një godinë të re të Teatrit Kombëtar Read More »

Kuptimi i emrit të Kishës së Marmiroit!

KUPTIMI I EMRIT TË KISHËS SË MARMIROIT
Nuk ka fakte, ka vetëm interpretime. ( Fidrih Niçe)

Shkruar nga Xhevdet Hoxha

I shtyrë nga një artikull me autor Ilirjan Gjika që flet për ndërtimin dhe historinë e Kishës së Marmiroit, por edhe nga një mendim i arkeologut austriak Karl Paç (Karl Patch 1865-1945) në vitin 1900 mbi origjinënë e emrit të kësaj kishe, po shfaq edhe unë mendimin tim rreth këtij argument.
Për këtë, po jap në fillim citimin e fjalëve të Karl Paç sipas wikipedias.

‘Është e çuditshme se kjo kishë sot nuk e ruan emrin e saj të dikurshëm. Sipas traditës kristiane çdo objekt kulti ka emrin e tij i cili është marrë nga panteoni i apostujve, Maries, shenjtorëve dhe martitëve kristianë.’ Këtë gjë profesori dhe studiuesi vjenez e konstatoi në 1902, vit në të cilin e vizitoi kishën dhe vuri re se kleri e kishte braktisur dhe nuk ishte në gjendje të mire e funksionale.

Më pas Karl Paç tekson: – Por më e çuditshme është fakti se vendasit e quajnë Kisha e Marmiroit, ndoshta kisha e bardhë, nga latinishtja marmoreus (i mermertë), i bardhë si mermeri, për shkak të ngjyrës së gurëve me të cilët është ndërtuar.’
Megjithatë përreth këtij objekti ndeshim edhe toponimin /Dukat/ (lat. Duko)= ngre, çoj, dmth vend I ngritur, i lartë. Më pas autori i artikulli hedh një tjetër ide: -Po tu hedhësh një sy manastireve ortodokse në Shqipërinë Jugperëndimore vë re se pjesa mbizotëruese e tyre mban emrin e Marias, nënës së Jezusit. Këtë e shohim te manastiri i Ardenicës (Lushnje), i Apolonisë (Fier), manastirin rrënojë të Ballshit, manastirin e Zvërnecit. 

Autori Ilirjan Gjika duke iu referuar austriakut Karl Paç thotë se është e çudtshme që kisha nuk mban sipas traditës emra të apostujve sikurse nënvizojnë edhe arkeologët shqiptarë A Meksi, Pirro, Thomo, etj. Mandej na orienton tek vedësit të cilët e quajnë Kisha e Marmiroit.

Ai e mbyll artikullin me hipotezën se kisha e këtij manastiri ka mbajtur dikur emrin e Marias, por vendësit ia kanë ndryshuar emrin e vërtet Pasi i lexova me vëmendje këto mendime unë me modesti ju hedh hipotezën se kjo kishë, ashtu si simotrat e saj përgjatë bregdetit nga Shkumbini deri në Himarë, mban emrin e Maries dhe ja pse:
Së pari kjo kishë është ndërtuar pranë një fushe dhe kjo lidhet me faktin se në traditën kristiane Maria është mbrojtësja e bujqësisë.
Së dyti unë nuk mendoj se popullsia vendase është larguar aq shumë nga ndjeshmëria fetare, kristiane në emërtimin e një kishe a manastiri të ndërtuar në shek. XII në afërsi të kishës më të famshme të Orikut (pjesë e Peshkopatës së Orikut dhe e qëndrës Administrative tëAmantias deri në shek. VI, e.r, kur u rrafshua nga barbarët dhe u rindërtua në shek. IX.

Së treti, fjala /marmiro/ është fjalë shqipe, ndërsa /marmoreus/ është latinisht, që do të thotë mermer dhe kjo e dyta nuk bëhet dot si e para sepse zanorja /o/ nuk bëhet asnjëherë /i/. Prandaj studiuesi austriak nuk e gjen dot në latinisht fjalën /marmiro/ dhe e përshtat atë me fjalën /marmoreus/
Në gjuhën shqipe kjo fjalë zbërthehet në dy njësi linguistike: marmiro= mar(ë) + miro.

Fjala /marë/ në zonat e Jugut të Shqipërisë është emri i Maries, nënës së Jezusit, ndërsa fjala /miro/ në fjalorin e shqipes (1980) do të thotë ‘vaj i shenjtë’ me të cilin prifti miros, bekon duke i lyer me vaj besimtarët e vet. Pra, marmiro= Maria e mirosur, e bekuar, e shenjtëruar.

Varianti i dytë i kësaj fjale të shpjeguar përmes shqipes është: mar=marr(ë), pra folja /marr/ ku njëra /r/ ka rënë dhe miro= bekim, pra ‘marmiro’ dmth ‘marr bekimin’, ose kisha e bekuar, kisha e bekimit.
Si përfundim kjo falë e gjen shpjegimin e vet me anë të gjuhes sonë, gjuhës shqipe dhe në thelb ruan traditën kristiane në vënien e emrave të objekteve të kultit të asaj periudhe..

Kuptimi i emrit të Kishës së Marmiroit! Read More »