Irina

Zakonet e këqija që dobësojnë sistemin imunitar

Sistemi imunitar është ai që na mbron nga mikrobet pushtuese dhe substancat e ndryshme që mund të shkaktojnë sëmundje dhe probleme të tjera. Nëse mekanizmi mbrojtës i trupit tuaj dobësohet, ju jeni më shumë herë më të rrezikuar të prekeni nga të gjitha llojet e problemeve që lidhen me shëndetin, duke filluar nga ftohja e zakonshme, tek kanceri vdekjeprurës.

Duke pasur një dietë të shëndetshme dhe jetë aktive ju mbani në formë sistemin tuaj imunitar.

Janë disa zakone që dobësojnë imunitetin tonë. Ja disa prej tyre:

Stresi kronik

Rrija e kortizolit (hormonit të stresit) ul nivelet e prostaglandinës. Prostaglandina rregullon presionin e gjakut, parandalon inflamimin dhe mbështet sistemin imunitar. Përpiquni sa më shumë të shmangni situatat stresuese dhe angazhohuni në aktivitete që ju qetësojnë si yoga, masazhet, dëgjimi i muzikës, piktura etj..

Sasia e tepërt e alkoolit

Pirja e tepruar e alkoolit mund të zvogëlojë aftësinë e qelizave të bardha për të vrarë mikrobet.

Privimi nga gjumi

Është pikërisht koha kur ne flemë, momenti kur sistemi imunitar përpiqet të rigjenerohet dhe të përgatitet të mbrojë organizmin nga gjithçka që e dëmton. Orët e pakta të gjumit me siguri do të dobësojnë mekanizmin tuaj të mbrojtjes. Ekspertët thonë se privimi i gjumit shkakton një reduktim të numrit të qelizave të bardha të gjakut, në veçanti qelizat T të sistemit imunitar që ju mbrojnë nga infeksionet.

Mbipesha

Kilogramët e tepërt rrisin ndjeshëm rrezikun për t’u prekur nga problemet si sëmundjet e zemrës, goditjet, diabeti, kanceri dhe osteoartriti. Por ajo që nuk dini është se mbipesha gjithashtu ul imunitetin tuaj. /atsh

Zakonet e këqija që dobësojnë sistemin imunitar Read More »

I mituri shqiptar në kampin në Siri/ Rama: Përpjekje të vazhdueshme

“Për çështjen e 11-vjeçarit që ndodhet në kampet e ISIS në Siri, ne po bëjmë përpjekje të vazhdueshme dhe shpresojmë shumë që të ditët e ardhshme të ketë një moment stabilizimi të situatës dhe të mundohemi të ecim më tej me autoritet turke”, tha sot në mbrëmje kryeministri Edi Rama.

Rama tha se “prej disa kohësh për këtë çështje kemi çdo javë një takim informues dhe kemi shumë përpjekje dhe kontakte të vazhdueshme”.

Rama tha se është tërësisht i pavërtetë lajmi se kjo varet nga ambasadori ynë në Turqi.

“Nuk mjafton asnjë lloj përfaqësuesi. Kemi një urdhër të klasifikuar sensitiv të bazuar në informacione të mbledhura bashkë me partnerët për numrin e shqiptarëve”, tha Rama.

Sipas tij, “ka një plan evakuiimi dhe informacioni është se ka rreth 70 persona, gra dhe fëmijë dhe një numër i caktuar burrash nga Shqipëria”.

“Nëna e djalit të vogël, person i radikalizuar e ka marrë me vete dhe ka qenë pjesë e forcave dhe ajo. Ne kemi punuar ngushtë me aleatët amerikanë që kishin një plan me vende të ndryshme për të organizuar evakuimin por ata nuk janë më aty”, tha Rama.

Sipas tij, “ky burg nuk është në një zonë të aksesueshme”. “Gazetarët kanë metodat e tyre. Problemi është se nuk ke me kë flet dhe ndërmarrja e një operacioni me forca civile apo ushtarakë të veshur civilë, pasi nuk ka autoritet me kë të flasësh. Kam folur personalisht me koordinatorin amerikan të procesit. Ambasada amerikane është shumë e interesuar por e vetmja mënyrë teorike është të shkohej me forca. Nëse shkojnë si autoritete civile nuk mund të hysh në atë zonë”, tha Rama.

Rama tha se “ky kamp është pak matanë kufirit të zonës së paqes”. “Nuk është në atë 30 km. Në këto kushte nuk ka shanse të zgjidhet gjë, është matanë zonës. Duhet të futesh në një zonë ku nuk dihet çfarë është dhe me kë do merresh. Janë 72 mijë veta në total ku ne kërkojmë 70 veta. Nuk mund të nisesh qorrazi”, tha Rama, duke shtuar se deri tani nuk i ka tërhequr asnjë shtet. /atsh

I mituri shqiptar në kampin në Siri/ Rama: Përpjekje të vazhdueshme Read More »

Tetori i Librit, një prurje e re në letërsinë për fëmijë

Në muajin e librit, një botim i ri i shtohet letërsisë shqipe për fëmijë dhe bibliotekave të fëmijëve. Është “Supa Magjike e Dragoit” një përrallë dygjuhëshe në vargje.

Në shqip dhe në anglisht vjen historia e tre dragojve të vegjël të cilët mësojnë si të hanë shëndetshëm kur takojnë një dragua, kuzhinier me famë, i cili gatuan një supë me perime dhe me një përbërës magjik.

Përralla në vargje është shkruar në anglisht nga Stela Gega – Mçonaghy për t’u sjellë më pas në shqip nga Matilda Vangjeli. Me situata me humor dhe imagjinatë, përralla është ilustruar bukur nga Ledia Kostandini dhe është redaktuar nga shkrimtarja e njohur për fëmijë, Adelina Mamaqi.

Në një botim cilësor kjo prurje e re e letërsisë shqipe për fëmijë vjen për lexuesit e vegjël si një argëtim ndërsa për prindërit e tyre si një ndihmë për t’i mësuar fëmijët që të duan perimet.

Ashtu si ka ndodhur edhe Stela Gega-Mçonaghy e cila është frymëzuar për këtë përrallë teksa mundohej ta mësonte djalin e saj trevjeçar që të hante perimet. Libri rekomandohet për fëmijë mbi 4 vjeç. //atsh

Tetori i Librit, një prurje e re në letërsinë për fëmijë Read More »

Parashikimi i motit

Shërbimi Meteorologjik Ushtarak bën me dije se moti ditën e sotme parashikohet i kthjellët me vranësira të pakëta. Në bregdet vranësira deri në mesatare.

Mjegulla e dendur do të jetë prezente deri në orët e para të ditës kryesisht përgjatë luginave.

Era do të fryjë me drejtim Juglindje – Veriperëndim 1-4m/s, në bregdet deri 8m/sek.

Valëzimi në det do të jetë i forcës 1-2 ballë.

Temperaturat parashikohen:

QYTETET Temperaturat në °C Sigla
Shkodër 13/26 diell
Kukës 9/22 diell
Lezhë 12/25 diell
Dibër 9/21 diell
Durrës 13/26 diell pak re
Tiranë 13/28 diell
Elbasan 12/29 diell pak re
Berat 11/29 diell
Vlorë 13/26 diell re
Korçë 8/23 diell pak re
Gjirokastër 7/28 diell
Sarandë 15/27 diell re/atsh

Parashikimi i motit Read More »

Kryhet ndërhyrja e rrallë në QSUT, del me sukses operacioni i vajzës 1-vjeçare

Një ndërhyrje e ndërlikuar kirurgjikale është kryer me sukses në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, operacioni i parë i zëvendësimit të një organi që mungonte, ezofagut, me pjesë të stomakut.

Ndërhyrja e parë e këtij lloji në Shqipëri, me teknikë të avancuar, u realizua nga dr. Dritan Alushani dhe ekipi i mjekëve të Kirurgjisë Infantile.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu tregon rrëfimin e nënës së Amelias, e cila ishte diagnostikuar me një defekt madhor në lindje.

“Sytë i kishim nga mjeku po shpresat po na shuheshin” – më tregoi Sonila, mami i Amelias që u diagnostikua me një defekt madhor në lindje. Por pas dy ndërhyrjesh shumë delikate, e para menjëherë pas lindjes dhe e dyta 1 vit më vonë që zgjati për 9 orë me rradhë, Amelia ia ka dalë me sukses asaj që ishte e pamundur: Të jetojë dhe të ushqehet vetë pas zëvendësimit të një organi që i mungonte, ezofagut, me pjesë të stomakut”, -thotë Manastirliu.

Pas kontrollit të fundit mjekësor pak ditë më parë, Amelia rezulton plotësisht e shëndetshme. /atsh

Kryhet ndërhyrja e rrallë në QSUT, del me sukses operacioni i vajzës 1-vjeçare Read More »

Lleshaj: Të përkushtuar në luftën kundër kërcënimeve terroriste

Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj mori pjesë në një tryezë rajonale ekspertësh ku u diskutua për sfidat që paraqet terrorizmi si fenomen dhe kthimi i luftëtarëve të huaj dhe familjarëve të tyre në vendet e origjinës.

Tema kryesore që u trajtua në këtë forum ishte “Zhvillimi dhe implementimi i strategjive për procedim, rehabilitim dhe ri-integrim lidhur me rikthimin e luftëtarëve të huaj terroristë dhe anëtarëve të familjeve të tyre”.

Lleshaj u shpreh se vendi ynë ka qenë aktiv në përpjekjet rajonale dhe globale për të parandaluar dhe luftuar kërcënimet terroriste. Ai nënvizoi aktet ligjore të miratuara dhe strukturat e posaçme që ka ngritur vendi ynë, për t’i bërë ballë këtij fenomeni.

“Shqipëria ka një emër të mirë në hetimin dhe procedimin e veprave që lidhen me terrorizmin”, theksoi ndër të tjera ai.

Në lidhje problemet që dalin tani në situatën pas rënies së ISIS, Ministri Lleshaj u shpreh se “terrorizmi nuk njeh kufij dhe asnjë vend nuk është i paprekshëm prej propagandës dhe akteve terroriste. Pavarësisht disfatës ushtarake dhe humbjes territoriale të ISIS, terrorizmi dhe ekstremizmi i dhunshëm mbeten një shqetësim madhor për sigurinë tonë. Kthimi dhe zhvendosja e luftëtarëve të huaj terroristë dhe personave familjarë të tyre, në vendet e tyre të origjinës apo kombësisë, ose në vende të treta, paraqet një sfidë të vazhdueshme dhe në rritje. Shqipëria ka qenë vazhdimisht pjesë e përpjekjeve rajonale dhe ndërkombëtare për të parandaluar dhe për t’iu kundërvënë kërcënimeve terroriste. Ne kemi miratuar ligje të reja në përputhje me rezolutat e njohura të Këshillit të Sigurimit të OKB, të cilat adresojnë rrezikun e luftëtarëve të huaj terroristë dhe ekstremizmit të dhunshëm. Shqipëria ka rezultate të mira në hetimin dhe procedimin e veprave që lidhen me terrorizmin. Shqipëria ka përmirësuar kuadrin ligjor, ka forcuar kapacitetet e agjencive ligjzbatuese për të hetuar dhe proceduar terroristët, nëpërmjet krijimit të Njësisë Anti-Terror në Policinë e Shtetit”.

Lidhur me hapat që duhen ndërmarrë nga institucionet dhe bashkëpunimi me komunitetin, Ministri Lleshaj tha se “së bashku me Qeverinë, shoqërinë civile, drejtuesit e komuniteteve fetare, shoqërore dhe edukative, si dhe të rinjtë, duhet të angazhohemi dhe veprojmë për të parandaluar dhe adresuar radikalizimin dhe rekrutimet. Vetëm duke punuar së bashku, ne do të jemi në gjendje t’i kundërvihemi ideologjisë së tyre të rrezikshme dhe të ndërtojmë komunitete të qëndrueshme.

Nën dritën e kësaj, ne besojmë fort se vetëm me një politikë rajonale konstruktive, bashkëpunim i fortë dhe mirëbesim, ne mund të adresojmë sfidat që lindin nga terrorizmi, ekstremizmi i dhunshëm dhe radikalizimi. Si anëtarë në NATO dhe vend kandidat për në BE, ne mbetemi të përkushtuar që të marrim pjesë aktivisht në luftën kundër kërcënimeve terroriste, njëherësh duke mbrojtur të drejtat njerëzore dhe sigurinë e vendit dhe qytetarëve tanë,” nënvizoi ministri i Brendshëm. /atsh

Lleshaj: Të përkushtuar në luftën kundër kërcënimeve terroriste Read More »

Profesoresha Gjyle Çeliku kritikon Blendi Fevziun: “Nuk është politika e trojeve shqiptare ajo që promovon, shet e blen Blendi kush ka më shumë dhe nuk i interson kombi, ndaj mos i besoni”

Profesoresha Gjyle Çeliku ka kritikuar ashpër moderatorin e emisionit Opinion, Blendi Fevziun se asnjëherë nuk e ka ftuar liderin e Aleancës për Shqiptarët në Maqedoni, Ziadin Selën. Sipas saj Blendi Fevziut i intereson më shumë paraja se sa kombi prandaj edhe nuk fton intelektualë apo politikanë që nuk kanë para.

“Blendi Fevziu fton në emisionet e tij çdoherë pozitën dhe paratë, duke i promovuar Shqipërisë gënjeshtra të kulluara për Maqedoninë e Veriut, asnjëherë nuk e kam parë Ziadin Selën në emisionin e tij dhe a thua pse?

E ftoi edhe Albinin sepse pretendon përsëri pozitën dhe paratë, por nuk ia del me te😉
Nuk është politika e trojeve shqiptare ajo që promovon, shet e blen Blendi kush ka më shumë dhe nuk i interson kombi, ndaj mos i besoni. Në Dardani ka politikanë të cilët nuk hezitojnë të thonë realitetin dhe të ndryshojnë perceptimin, por ama ata s’i fton Blendi sepse s’kanë miliona dhe rrymave të ndryshme u pengojnë…” ka shkruar Çeliku.

Profesoresha Gjyle Çeliku kritikon Blendi Fevziun: “Nuk është politika e trojeve shqiptare ajo që promovon, shet e blen Blendi kush ka më shumë dhe nuk i interson kombi, ndaj mos i besoni” Read More »

Mirush Kabashi: “Fishta mbetet përjetësisht njeri i madh, edhe sikur shtatorja e tij të ishte pa piedestal fare, por rrafsh me barin2

I ftuar në përvjetorin e 148 të lindjes së At Gjergj Fishtës ka qënë edhe artisti Mirush Kabashi i cili, pasi ka recituar dy prej poezive madhore të Fishtës, ka kërkuar lejen e të pranishmëve për një koment të shkurtër.

Kabashi thotë se u ndje keq kur hyri në bibliotekën e Lezhës dhe vuri re se sipër fotografisë së madhe të Fishtës ishte e shkruar fraza: At Gjergj Fishta Nderi i Kombit.

“Të më falni për mungesën e modestisë” ka shtuar Kabashi “por titulli Nderi i Kombit më është akorduar edhe mua, dhe unë s’e përfytyroj të jem në lartësitë e Fishtës. Ose krijoni një titull tjetër shumë herë më të lartë për 3 apo 4 personalitetet e larta të historisë së Shqipërisë, ose na e ulni titullin neve dhjetëra të tjerëve që kemi dhënë kontribute në fusha të caktuara”.

Mirush Kabashi ka dhuruar emocion dhe mori duartrokitje të shumta kur u shpreh “se Fishta mbetet përjetësisht njeri i madh, edhe sikur shtatorja e tij të ishte pa piedestal fare, por rrafsh me barin, sepse madhështia e këtij njeriu nuk qëndron aspak te lartësia e shtatores por tek ajo sandalla që mbante veshur, duke treguar me gisht detajin e hollë të skulptorit të shtatores së Fishtës në Lezhë, një detaj i cili nuk i ka shpëtuar artistit të madh, që rrëfen për thjeshtësinë dhe shpirtmadhësinë në jetesën e përditshme të françeskanëve.”

Mirush Kabashi: “Fishta mbetet përjetësisht njeri i madh, edhe sikur shtatorja e tij të ishte pa piedestal fare, por rrafsh me barin2 Read More »