Irina

Të rinjtë e Smile Albania, aksion pastrimi në plazhet e Karaburunit

Të rinjtë e Smile Albania si dhe stafi i Administratës Rajonale të Zonave të Mbrojtura në Vlorë kanë bërë të mundur grumbullimin e afërsisht 220 kg mbetje, në një prej plazheve natyror të Karaburunit.

Administrata Rajonale e Zonave të Mbrojtura Vlorë, ju bën thirrje vizitorëve të Parkun Kombëtar Detar Karaburun të mbajnë pastër këto zona turistike

”Kur vizitoni Parkun Kombëtar Detar Karaburun Sazan merrni padyshim kujtime të bukura. Ju lutemi, kujdesuni të mos lini pas mbetjet tuaja. Është e papranueshme që në vetëm 80 m2, të një prej plazhe natyror të Karaburunit të rinjtë e Smile Albania dhe stafi i AdZM Vlorë, arrijnë të grumbullojnë afërsisht 220 kg mbetje”, thekson AdZM Vlorë.

Të rinjtë e Smile Albania, janë jo vetëm promotorë të turizmit gjatë sezonit veror, por po kryejnë edhe një mision të rëndësishëm në përçimin e mesazheve ndërgjegjësuese përmes pjesëmarrjes në operacionet simbolike të pastrimit, organizuar kudo në Shqipëri nga ministria e Turizmit dhe Mjedisit.

Të rinjtë e Smile përgjatë dy muajve kanë ndihmuar në pastrimin e të gjitha zonave bregdetare dhe turistike. /atsh

Të rinjtë e Smile Albania, aksion pastrimi në plazhet e Karaburunit Read More »

Kura natyrale kundër helmimit nga ushqimi

Efektet e helmimit ushqimor janë të ndryshme për çdo njeri. Disa përjetojnë ngërçe në stomak, kurse të tjerë dhe të vjella. Gjithashtu mund të përjetohet edhe marrje mendsh dhe dehidratim. Në listën më poshtë do të gjeni ushqimet që janë provuar se u bëjnë mirë personave të helmuar nga ushqimi.

Çaji i mentes
Mentja përdoret shumë në aromaterapi. Vaji i saj ka efekt relaksues dhe qetëson trupin. Kjo cilësi e saj është perfekte për ata që vuajnë nga helmimi ushqimor, pasi lehtëson spazmat dhe dhimbjen. Përgatisni një filxhan të ngrohtë çaj menteje dhe spazmat në stomak do t’ju largohen.
Uthulla e mollës
Uthulla e mollës në stomak qetëson traktin gastro-intestinal. Ajo ka natyrë alkaline dhe nuk i lejon bakteret të popullojnë stomakun. Është perfekte për të parandaluar edhe shumimin e mikroorganizmave që kanë shkaktar helmimin ushqimor.
Uji
Diarreja është një prej pasojave të helmimit ushqimor. Gjatë kësaj kohe, trupi humbet shumë lëngje dhe dehidratohet. Pirja e sa më shumë uji e ndihmon trupin të hidratohet përsëri. Gjithashtu eliminon toksinat dhe bakteret e tjera që do të përshpejtojnë shërimin.
Limoni
Bakteret mund të zhduken në praninë e aciditetit duke përshpejtuar kështu shërimin nga helmimi ushqimor. Përgatisni një lëng me limon dhe shtoni pak mjaltë ose sheqer.
Mollët
Lehtësojnë urthin dhe parandalojnë refluksin. Mollët përmbajnë substanca që shkatërrojnë bakteret shkaktare të diarresë dhe mikroorganizmat që shkaktojnë dhimbje stomaku.
Bananet
Kaliumi ndihmon në lehtësimin e efekteve anësore të helmimit ushqimor. Ndihmon gjithashtu të merrni veten shpejt.
Borziloku
Gjethet e borzilokut të përziera me një lugë gjelle mjaltë janë një trajtim efektiv për infeksionet në fyt dhe stomak. Vetëm pas disa orësh do ta ndieni veten shumë më mirë.
Xhinxheri
Xhinxheri ka efekte të shkëlqyera kundër sëmundjeve të aparatit tretës. I kombinuar me mjaltin ai është një trajtim i mirë për dhimbjen dhe reduktimin e inflamacionit. /atsh

Kura natyrale kundër helmimit nga ushqimi Read More »

Ngrënia e kërpudhave zvogëlon rrezikun nga kanceri i prostatës

Sipas një studimi të zhvilluar në Japoni, është zbuluar se ngrënia e kërpudhës mund të ketë zvogëluar rrezikun nga kanceri i prostatës.

Sipas lajmit të publikuar nga “Newsweek”, studiuesit kanë zbuluar se ngrënia e të paktën tre herë kërpudha në javë, mund të zvogëlojë rrezikun e kancerit të prostatës tek meshkujt.

Në këtë studim janë përfshirë 36499 meshkuj të moshave 40 deri 79, të cilët janë vëzhguar gjatë 13 viteve.

Pjesëmarrësit janë pyetur në lidhje me mënyrën e jetesës si dhe zakonet e ngrënies.

Studimi vuri në dukje se diagnostifikimi me kancer është 17% më i ulët tek ata që konsumojnë kërpudha të paktën tre herë në javë se sa tek ata që konsumojnë një herë.

Kjo përqindje është 8% më pak te ata që hanë kërpudha dy herë në javë.

Rezultatet e studimit janë publikuar në revistën shkencore “International Journal of Cancer”. /atsh

Ngrënia e kërpudhave zvogëlon rrezikun nga kanceri i prostatës Read More »

Parashikimi i motit

Shërbimi Meteorologjik Ushtarak bën me dije se moti sot parashikohet me vranësira me karakter të ndryshueshëm të cilat do të jenë pranishme deri pasdite. Nga pasditja do të ketë kthjellime.

Do ketë reshje shiu në pjesën bregdetare që prej orëve të para të ditës dhe më tej në zonat malore. Në pjesën veriore dhe bregdetare do jenë të pranishme shtrëngata, rrebeshe me rrufe të herëpashershme deri në mesditë. Nuk do mungojë as mjegullinë lokale e përkohshme.

Era do të fryjë nga kuadrati i Juglindjes, e lehtë dhe përgjatë vijës bregdetare në momente të përkohshme deri 12 m/sek.

Valëzimi i detit parashikohet i forcës 2-3 ballë.

Temperaturat priten të shënojnë këto vlera:

Vendet malore 13 deri 27°C,

Vendet e ulëta 14 deri në 29°C,

Në bregdet 14 deri në 30°C.atsh

Parashikimi i motit Read More »

Shqipëria ndër minierat e pashfrytëzuara të arit për turizmin

Shqipëria bën pjesë në gjashtë vendet e Europës Lindore që konsiderohen miniera të pashfrytëzuara të arit për turizmin, shkruan Luke Rix-Standing, i faqes së njohur irlandeze Xposé.ie.

E renditur e katërta mes Estonisë, Malit të Zi, Bullgarisë Rumanisë dhe Letonisë, ku çuditërisht mungon Greqia, po sipas Luke Rix-Standing ”Shqipëria duhet të vizitohet përpara se të jetë shumë e zënë”.

”Ndoshta, sekreti më i mirëruajtur i Europës, padrejtësisht e penalizuar për sa i përket numrit të turistëve, Shqipëria krenohet me peizazhet e saj malore, rrënojat e gërshetuara me romanticizmin dhe një bregdet që rivalizon cilindo bregdet tjetër mesdhetar.

E ashtuquajtura Riviera Shqiptare nuk ka shumë resorte, por njihet për plazhet e shumta dhe gatimet e fshatit, ndërsa përralloret Bjeshkët e Namuna ofrojnë terrene marshimi të nivelit të lartë, nën një pyllnajë të dendur. Strukur mes majash të larta, atje shtrihen copëza vendesh të trashëgimisë botërore, përfshirë qytetin e Butrintit dhe atë mesjetar të Gjirokastrës.

Nën thundrën e komunizmit deri në fillim të viteve ’90, udhëtarët e botës ende i njohin shumë pak hijeshitë e Shqipërisë, megjithatë, në këtë epokë Instagrami ku po jetojmë, themi se s’do të vonojnë edhe shumë”, përfundon Xposé.ie./ atsh

Shqipëria ndër minierat e pashfrytëzuara të arit për turizmin Read More »

Sot, Dita Botërore e Shkrimit dhe Leximit

Dita Ndërkombëtare e Shkrimit dhe Leximit, e cila festohet çdo vit më 8 shtator ka për qëllim që të rrisë vëmendjen e opinionit ndërkombëtar në lidhje me problemin e analfabetizmit, i cili fatkeqësisht si proces është prezent në shumë shoqëri.

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë nënvizon rëndësinë e kësaj dite, sipas së cilës thuhet se shkrimi dhe leximi është çelësi i suksesit në çdo shoqëri.

“Sot është Dita Botërore e Shkrimit dhe Këndimit! Kjo ditë nënvizon rëndësinë që ka njohuria për të shkruar dhe lexuar për individët, komunitetet dhe kombet. Aftësia për të lexuar është rruga e shkëlqimit akademik dhe një çelës suksesi në çdo shoqëri demokratike. Tema e Ditës Botërore të Shkrimit dhe Këndimit këtë vit është “Shkrimi, këndimi dhe shumëgjuhësia”, -thotë ambasada Amerikane.

8 shtatori u shpall nga Organizata e Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (UNESCO) në vitin 1967 si Ditë Ndërkombëtare e Arsimimit me qëllim që çdo vit në këtë datë të theksohet rëndësia e shkrimit dhe leximit në jetën e individit dhe shoqërisë në tërësi. /atsh

Sot, Dita Botërore e Shkrimit dhe Leximit Read More »

Zjarr i madh e shtëllunga tymi në Radhimë

Një sipërfaqe e pyllëzuar është përfshirë nga flakët diten e sotme në Radhimë.

Siç shihet edhe nga imazhet e publikuara nga LSA, flakët kanë djegur një sipërfaqe të madhe, ndërsa zona është ‘pushtuar’ nga tymi.

Deri më tani nuk dihen detaje nga aksioni për shuarjen e flakëve si dhe shkaqet e zjarrit.

Zjarrfikësja por dhe banorë të zonës ndodhen në vendin e ngjarjes, ndërsa po punojnë për lokalizimin e flakëve.

Zjarr i madh e shtëllunga tymi në Radhimë Read More »

Pasi fituan betejën e jetës, binjakët shkojnë në shtëpi me çekun 1.6 milionë

Dy binjakët që fituan betejën për jetën falë përkushtimit të mjekëve në maternitetin “Mbretëresha Geraldinë” në Tiranë, përfituan po ashtu edhe çekun e dyfishtë të bebes prej 1.6 milionë lekësh.

Kryeministri Edi Rama ndau sot lajmin e mirë të tejkalimit të rrezikut për jetën të dy binjakëve Amir dhe Amar, të cilët prej 37 ditësh të vështira në reanimacion tashmë shkojnë në shtëpinë e tyre.

“Pas 37 ditësh të vështira në reanimacion mes frymëmarrjes e ndalimit të frymës, dy ëngjëllushët e vegjël, Amir dhe Amar, ia kanë dalë të fitojnë betejën për jetën falë një ndërhyrjeje tejet delikate të mjekëve tanë dhe përkushtimit të gjithë bluzave të bardha të maternitetit “Mbretëresha Geraldinë””, tha Rama.

Rama tha se ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, që i ka ndjekur nga afër çdo ditë, po i përcjell sot binjakët në shtëpi, bashkë me mamin dhe babin.

“…edhe me çekun e tyre të dyfishtë 1.6 milionë, sepse janë jo vetëm dy, po janë edhe të dytët”, sqaroi Kryeministri./atsh

Pasi fituan betejën e jetës, binjakët shkojnë në shtëpi me çekun 1.6 milionë Read More »