Irina

Shqipëri-Mal i Zi/ Bashkëpunim i ngushtë në fushën parlamentare

Kryetarja e Komisionit për Politikën e Jashtme, Mimi Kodheli priti sot në një takim në ambientet e Kuvendit të Shqipërisë deputetin Luigj Shkreli, kryetar i Komisionit për Çështjet Administrative në Parlamentin e Malit të Zi dhe delegacionin që e shoqëron.

“Ndamë mendimin se marrëdhëniet mes dy vendeve janë të shkëlqyera, megjithatë institucionet tona duhet të bashkëpunojnë akoma më ngushtë për rritjen dhe forcimin e ekonomisë e begatisë së popujve tanë”, u shpreh Kodheli.

Delegacioni nga Mali i Zi po zhvillon një vizitë dyditore në vendin tonë./atsh

Shqipëri-Mal i Zi/ Bashkëpunim i ngushtë në fushën parlamentare Read More »

Parashikimi i motit

Vendi ynë sot do të ndikohet nga mot i paqëndrueshëm.

Moti parashikohet me vranësira mesatare dhe të dendura.

Shërbimi Meteorologjik Ushtarak bën me dije se reshje shiu parashikohen që në orët e para të ditës me intensitet të ulët në Vlorë dhe më pas reshjet e shiut prekin pjesën më të madhe të vendit me intensitet mesatar në formë shtrëngatash, shoqëruar me shkarkesa elektrike në Jugperëndim, Veri dhe Verilindje.

Mjegullinë lokale e përkohshme.

Era do të fryjë Verilindje-Veriperëndim e lehtë e mesatare në det.

Valëzimi parashikohet i forcës 2-3 ballë me lartësi vale 0.5 deri 1.5 metra.

Temperaturat parashikohen:

QYTETET Temperaturat në °C Sigla
Shkodër 20/28 Diell shi
Kukës 18/27 Diell shi
Lezhë 19/27 Diell shi
Dibër 15/25 Diell shi
Durrës 21/28 Diell shi
Tiranë 21/30 Diell shi
Elbasan 20/29 Diell shi
Berat 18/30 Diell shi
Vlorë 21/28 Re shi
Korçë 16/25 diell shi
Gjirokastër 16/30 Diell shi
Sarandë 21/28 re diell/atsh

Parashikimi i motit Read More »

Nuk gjente medikamentin për hepatitin B, institucionet shëndetësore i përgjigjen në kohë qytetarit

Një qytetar nga Gramshi i cili vuante nga hepatiti B, por nuk mund të merrte kurën e nevojshme pasi nuk ishte e disponueshme në spitalin e Elbasanit, zgjodhi t’i drejtohej kryeministrit Edi Rama për një zgjidhje.

Kreu i qeverisë publikoi sot mesazhet e shkëmbyera me një qytetar nga Gramshi, i cili ankohej se nuk mund të gjente pranë shërbimit spitalor në Elbasan, medikamentin e domosdoshëm për shëndetin e babait të tij.

“Kryeministër, im atë vuan nga hepatiti B. Merr ilacin për sëmundjen e tij (ternavir), që është një ilaç që nuk gjendet në farmaci, pasi është për shërbim spitalor dhe e merr me rimbursim. Para 5 ditësh ishte në Elbasan (jemi nga Gramshi) për ta marrë, por nuk i dhanë pasi ka 2 muaj që është mungesë. (Kujtoj që ai merr një kokërr çdo ditë dhe nëse nuk e merr situata nuk është në favor). Mjeku në Elbasan i kishte thënë që bëheni problem lart që ta sjellin, se ne kemi bërë kërkesën dhe nuk po e sjellin. Në të gjithë Tiranën gjeta vetëm në një farmaci dhe 30 kokrra kushtonin 140 euro (ai aq ka të gjithë pensionin). U interesova në Itali dhe atje ishte vetëm për shërbim spitalor dhe 250 euro. Të lutem si zgjidhet ky problem dhe sa duhet të presim. Nëse është në procedurë tenderimi kush kompani do ta fusë në Shqipëri? Ju falënderoj për çfarë po bëni, natyrisht kam edhe rezerva por edhe Roma nuk u bë në një ditë”, shkruan qytetari.

Pas ankesës te kryeministri Rama, ai u kontaktua nga Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu dhe drejtuesit e institucioneve përgjegjëse, duke marrë zgjidhje për problemin.

“Përshëndetje zoti kryeministër. Pas ankesës te ju kam pasur telefonata nga Ministrja Ogerta Manastirliu, nga Fondi dhe nga Drejtori i QSUT-së. Im atë u paraqit sot në Elbasan dhe mori ilaçin që i duhej. Na informuan se kjo situatë është kalimtare pasi ka qenë mungesë tregu jo vetëm në Shqipëri, por edhe në gjithë rajonin. Situata do të normalizohet pas datës 20 dhe të gjithë personat që kanë të njëjtin problem do ta marrin ilaçin në kohë. Ju faleminerit juve personalisht, Ogertën për gatishmërinë dhe shpejtësinë e vazhdimit të procedurave si edhe gjithë stafin që është angazhuar për zgjidhjen e problemit tim. Shëndet dhe suksese për ju që gjeni kohë të merreni me raste specifike përtej punës suaj të përditshme. Faleminderit”, shkruan qytetari.

“Detyrë dhe kënaqësi”, u shpreh Kryeministri Rama duke uruar “të shkuara babait dhe qofshi mirë të gjithë familjarisht”./atsh

Nuk gjente medikamentin për hepatitin B, institucionet shëndetësore i përgjigjen në kohë qytetarit Read More »

Fuqia e marrëdhënieve Shqipëri-SHBA, e pamatshme dhe e pathyeshme

Ministria e Mbrojtjes i ka dorëzuar të martën Medaljen e Mirënjohjes, Zyrës së Atasheut Ushtarak të SHBA në Tiranë dhe Zyrës së Bashkëpunimit Ushtarak në Tiranë.

Gjatë ceremonisë së zhvilluar në Tiranë, e ngarkuara me punë e SHBA në Tiranë, Leyla Moses-Ones, ka theksuar se bashkëpunimi mes dy vendeve është i shkëlqyer dhe Forcat e Armatosura Shqiptare kanë aftësinë dhe profesionalizmin e duhur për të qenë në krah të Forcave ushtarake amerikane në të gjitha situatat që kërkohet.

“SHBA mbështesin Forcat e Armatosura Shqiptare. FA-të shqiptare janë të gatshme dhe të afta të luftojnë krah për krah me trupat amerikane dhe Nato në çdo kohë dhe në çdo moment. Kjo dekoratë është e një vlerë e padiskutueshme dhe një kujtim i rëndësishëm dhe përballë ushtarakëve që kemi humbur në misionet paqeruajtëse”, tha Moses-Ones.

Ajo tha se “çdo ditë të vitit ka forca amerikane këtu për të forcuar lidhjet tona të forta. Forcat shqiptare janë ndër më profesionalet. Forcat shqiptare kanë treguar se janë të përgatitura, të gatshme për të luftuar, në çdo kusht”.

Leyla Moses-One tha vlerësoi se Shqipëria ka respektuar zotimin e Samitit të Uellsit për arritjen në 2% të PBB. “SHBA e përgëzon Shqipërinë dhe mbështet përpjekjet e saj të vazhdueshme deri në vitin 2024. Fuqia e marrëdhënieve tona është e pamatshme dhe e pathyeshme. Për stafin amerikan të atasheut, puna juaj me zell sjell rritje të angazhimit”, tha ajo.

“Për personelin shqiptar, ju jeni zemra e bashkëpunimit, asnjë nga këto nuk do të ishte e mundur. Pa punën tuaj të madhe asgjë nuk do të ishte e mundur” tha e ngarkuara me punë e SHBA-së, Leyla Moses-Ones.

Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka tha se, pa mbështetjen e SHBA-së, Shqipëria nuk do të ishte sot kështu.

“Kjo certifikatë është shumë pak, është një gjest simbolik për të shprehur falënderimin e sinqertë për punën e bërë. Sepse të gjithë, unë e para e kam parë që ka qenë një punë e jashtëzakonshme. Nëse sot bashkëpunimi ushtarak mes vendeve tona janë më të forta dhe konsoliduara se kurrë kjo i dedikohet dhe punës së palodhshme dhe të këtyre dy miqve. Faleminderit nga zemra. Nuk mund të rri pa falenderuar përfaqësuesen e SHBA, miken time, Leylan Moses-Ones”, tha Xhaçka.

Ministrja Mbrojtjes tha se i kemi një borxh të madh SHBA. “SHBA na është gjetur në momentet më të vështira të historisë, i kemi një borxh mirënjohje shumë të madh, që nga momentet e themelimit. Pa këtë mbështetje historia e Shqipërisë do të kishte ndjekur një trajektore tjetër. Falë mbështetjes së SHBA, Shqipëria po hyn në fazën jetike të zbatimit të reformës në drejtësi” tha ministrja .

Ajo duke folur për bashkëpunimin me SHBA, nënvizoi investimin për bazën ushtarake të Kuçovës apo tri helikopterët “Cougar”, ndërsa kujtoi dhe stërvitjet e përbashkëta.

“Padyshim që forcimi në logjistik dhe kthimi i vendit tonë në një eksportues të sigurisë është meritë e bashkëpunimit dhe mbështetjes së pakursyer të SHBA. Duke nisur nga logjistika me armë dhe municione moderne, duke vijuar te helikopterët “Cougar” si dhe investimin madhorë në bazën ushtarake të Kuçovës. Po ashtu në stërvitje të përbashkëta, të cilat kanë rritur profesionalizmin e trupave shqiptare të cilat radhiten pranë aleatëve të NATO-s në misionet paqeruajtëse në të gjithë botën, duke e kthyer vendin tonë në një eksportues të sigurisë”, tha ndër të tjera ministrja Xhaçka. /atsh

Fuqia e marrëdhënieve Shqipëri-SHBA, e pamatshme dhe e pathyeshme Read More »

Basha në PPE: Hapja e negociatave, aspiratë e shqiptarëve

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha po merr pjesë në Asamblenë Politike të Partive Popullore Europiane (PPE), që po zhvillon punimet në Bruksel.

Në ditën e parë të punimeve të Asamblesë, Basha u takua me përfaqësues të partive anëtare të PPE-së, drejtues të politikës së jashtme dhe të zgjerimit në Parlamentin dhe Komisionin Europian, si dhe Parlamentet e vendeve anëtare.

Lideri i opozitës kërkoi mbështetjen e tyre për hapjen e negociatave për Shqipërinë si një aspiratë e shqiptarëve, por edhe si garanci për të ndërtuar në Shqipëri një shtet demokratik, me pushtete të ndara, ku të garantohet vota e lirë.

“Siç u dëshmua nga raporti i OSBE/ODHIR për votimet moniste dhe antikushtetuese të 30 Qershorit, zgjedhjet nuk janë as të lira, as demokratike. Hapja e negociatave është e rëndësishme, pasi do të sjellë një mbikëqyrje të shtuar nga BE për të ndihmuar në ndarjen e politikës nga krimi, i cili sot ka kapur shtetin dhe për të penguar kandidimin e personave me rekorde kriminale, siç demonstrojnë rasti i Shkodrës dhe Vorës, ku është provuar tashmë se dy të inkriminuar u caktuan të kandidonin për bashkitë”, tha Basha.

Sipas tij, “Shqipëria sot ka një krizë të thellë politike, institucionale dhe ekonomike”. Për Bashën “zgjidhja janë zgjedhjet e lira dhe të ndershme, të mbikëqyrura nga një qeveri tranzitore”.

Punimet e Asamblesë Politike të PPE-së do të vazhdojnë dhe gjatë ditës së nesërme, ku në axhendën e diskutimit, do të jenë sfidat me të cilat përballet Europa aktualisht dhe përgatitjet për Kongresin e PPE-së, i cili këtë vit mbahet në Zagreb./atsh

Basha në PPE: Hapja e negociatave, aspiratë e shqiptarëve Read More »

Zjarrvënia e qëllimshme, Xhaçka: Ligji do veprojë ashpër mbi autorët

Muajt korrik dhe gusht kanë shënuar një numër të pazakontë zjarresh, 324 vatra zjarri ka pasur në mbarë territorin e vendit, ku si pasojë janë djegur 1900 ha pyje, toka bujqësore, dhe kullota.

Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka tha sot se nga këto zjarre, 99% të rasteve kanë ardhur jo nga temperaturat e larta, por nga zjarrvënia e qëllimshme.

Xhaçka shprehu vendosmërinë se “ne do të vazhdojmë të jemi në krye të detyrës për të mbrojtur pronën publike e private, e mbi të gjitha jetën e qytetarëve”. “Ligji do të veprojë me ashpërsinë më të madhe ndaj autorëve të këtyre akteve që rrezikojnë të mirën tonë të përbashkët”, tha ajo.

Ministrja gjithashtu vlerësoi punën e jashtëzakonshme të Emergjencave Civile, Forcave të Armatosura, zjarrfikësve dhe ndihmën e qytetarëve të shumtë që u bashkuan si vullnetarë. /atsh

Zjarrvënia e qëllimshme, Xhaçka: Ligji do veprojë ashpër mbi autorët Read More »

Takon babin për herë të parë në jetë,ka 19 motra dhe vëllezër

Julia gjithmonë e ka ditur se nëna e saj përdori një dhurues të spermës. Ajo nuk e dinte që kishte 19 motra dhe vëllezër.

Rrëfimi i vajzës fillon me momentin kur ajo tregon se nëna e saj po shkon të vizitojë babin e saj për herë të parë madje ajo as nuk e ka takuar kurrë më parë atë. Po ashtu ajo tregon se është rritur me 2 nëna dhe se nuk e ka ndjerë aspak mungesën e babait ndër vite.

Julia tregon se ka edhe një motër me emrin Sarah dhe se në çdo foto ka vetëm atë dhe 2 nënat e tyre.

Ajo as nuk e kishte menduar se mund te kishte kaq shumë motra dhe vëllezër madje shpresonte të kishte të paktën një ose dy por përfundoi duke takuar plot 19.

Julia ka krijuar një marrëdhënie të mirë me një prej motrave të saj me Karolinën të cilën e quan edhe si një ndër mundësitë për t’u integruar në komunitetin e motrave dhe vëllezërve me donatorë.

Nëna e saj së bashku me Julian takojnë Darren donatorin e spermës nga i cili Julia dhe 19 motrat dhe vëllezërit e saj erdhën në jetë.

Takon babin për herë të parë në jetë,ka 19 motra dhe vëllezër Read More »

“PaStε”: Shqipëria vend nderi si destinacion turistik

Ndërkohë që Ballkani është bërë tashmë një destinacion turistik i njohur, që rivalizon destinacionet tradicionale turistike evropiane, kishte ardhur koha e duhur që edhe Shqipëria të zinte vendin e saj të nderit midis simotrave ballkanike, me bregdetin e saj të mahnitshëm dhe një kulturë sa të bukur, po aq edhe të pasur, shkruan Molly Harris, në revistën e njohur ”PaStε”.

Riviera e Shqipërisë

“Nga prodhimet e freskëta të detit, në plazhet mbresëlënëse që zhyten në detin Jon. Qytete të tilla si Saranda, Dhërmiu dhe Ksamili janë mes qyteteve me plazhet më të frekuentuara nga turistët. Turistët mund ta kalojnë ditën edhe duke vizituar vende me peshë kulturore, në jug të Shqipërisë, siç është Parku Kombëtar i Butrintit.

Duke hyrë më në brendësi të Shqipëri gjejmë Gjirokastrën, qyteti që është tashmë pjesë e trashëgimisë kulturore të UNESCO-s. E njohur për ruajtjen e një arkitekture të stilit otoman, të vizitosh këtë qytet dhe kështjellën e tij është njëlloj sikur të udhëtosh pas në kohë.

Peizazhi i mahnitshëm

Megjithëse një vend i vogël, Shqipëria paraqet një reliev mjaft të larmishëm dhe bimësi po aq të larmishme. Duke nisur nga Bjeshkët e Namuna në veri, ose Alpet Shqiptare, relievi të jep përshtypjen se rrokulliset drejt detit. Shqipëria Qendrore përbëhet kryesisht nga fusha rrëzë malesh më të ulëta, kurse luginat lartësohen e më pas bien në detin blu të Jonit. Përveç peizazhit skenik, turistët kanë mundësi të përjetojnë kulturën shqiptare nga një fshat në tjetrin. Falë relievit të larmishëm, nëpër vend krijohen mikroklima që bëjnë të mundur rritjen e kulturave ushqimore të ndryshme nga njëra zonë në tjetrën, prandaj edhe turistët do të kenë mundësi të provojnë gatime tradicionale të shumëllojshme anembanë vendit.

Kultura e larmishme

Gjatë viteve 1809-1810, poeti anglez, Lord Bajroni, bëri një udhëtim dyvjeçar nëpër Europë, gjatë të cilit përshkoi luginat jugore të Shqipërisë dhe mbeti i mahnitur nga kultura e pasur dhe kostumet popullore, që gjithashtu variojnë nga krahina në krahinë. Kultura tradicionale ruhet edhe sot e kësaj dite, megjithatë Shqipëria ia vlen të vizitohet edhe për historinë dhe kulturën e saj moderne. Ky shtet ballkanik mbeti nën hijen e komunizmit deri në vitin 1985, kur vdiq Enver Hoxha. Paranoja dhe presioni i ushtruar nga rivali i tij i ish-Jugosllavisë, Tito, e shtynë Hoxhën të ndërtonte më shumë se 170 000 bunkerë bërthamorë anembanë Shqipërisë. Në ditët e sotme, këta bunkerë po kthehen dalëngadalë në dyqane, kafene, madje edhe dhoma hotelesh, si edhe në muze, sidomos në kryeqytetin e vendit. Ndërsa vendi ka përparuar nga periudha komuniste, kultura moderne po përqafon të tashmen pa harruar edhe të kaluarën. Për shembull, rikonstruktimi i Kalasë së Toptanëve është një përzierje e traditës së vjetër dhe asaj të re. Rrënojat e kalasë së ndërtuar në fund të shekullit XVIII janë kthyer kohët e fundit në një qendër të hapur mbushur me dyqane që shesin produkte shqiptare dhe restorante që përdorin përbërës të vendit.

Aventurë autentike

Udhëtimet ndërkombëtare janë shtuar kohët e fundit dhe bashkë me to edhe turizmi. Duke udhëtuar në zona më pak të shkelura, por mjaft të sigurta, udhëtarët mund të përjetojnë aventurën e vërtetë. Të përshtatura për alpinizëm në veri dhe për turistë të pasionuar pas kulturës në jug, bujtinat paraqesin një prej përvojave më autentike, që mund të kenë udhëtarët në Shqipëri. Turistët mund të qëndrojnë në dhoma private apo shtëpi të veçuara, të mësojnë si të gatuajnë pjata tradicionale, të luajnë lojëra tradicionale dhe të dëgjojnë muzikë popullore vendase. Vaktet ushqimore janë gosti të vërteta me fruta e perime, prodhime bulmeti, që më së shumti vijnë nga fermat vendase. Djathërat dhe reçelrat e bërë vetë, ashtu sikurse edhe gatimet tradicionale si byreku, japraku me gjethe rrushi e bakllavaja, janë veçse fillimi. Turistët nuk duhet të ngurrojnë të provojnë edhe pijen tipike veriore me lëng trëndafili.

Pavarësisht se kemi paraqitur veç katër, arsyet pse një turist duhet të vizitojë Shqipërinë janë të shumta”, përfundon Molly Harris./atsh

“PaStε”: Shqipëria vend nderi si destinacion turistik Read More »