Irina

Perimet më të mira për pastrimin e enëve të gjakut

Konsumi i rregullt i perimeve njihet si gur themeli i një regjimi të shëndetshëm ushqimor. Perimet janë të pasura me vitamina dhe minerale të cilat janë thelbësore për shëndetin.

Ato përmbajnë gjithashtu shumë antioksidantë, të cilët mbrojnë qelizat nga dëmet e shkaktuara prej radikaleve të lira. Një studim, konfirmon se konsumi i perimeve ka lidhje të fortë me shëndetin e enëve të gjakut në zonën e qafës.

Këto enë gjaku luajnë një rol thelbësor në furnizimin e trurit me gjak. Nëse këto enë ngushtohen dhe bllokohen, atëherë truri bëhet shënjestër më e lehtë e ishemisë.

Panxhari

Panxhari i kuq ka shumë vlera shëndetësore, duke qenë se është i pasur me vitamina, minerale dhe përbërës organikë si karotenoidi, vitamina C, magnezi, hekuri, bakri dhe fosfori, duke qenë në të njëjtën kohë dhe një burim i shkëlqyer me antioksidues. Ata kanë shumë pak kalori, nuk përmbajnë kolesterol.

Lakra

Lakra është një perime e shëndetshme për zemrën. Ajo është shumë e pasur me ushqyes të dobishëm për shëndetin e enëve të gjakut.

Lakra përmban shumë vitaminë C që lufton inflamacionin dhe përmirëson tretjen.

Përveç shëndetit të zemrës, lakra ndihmon në uljen e tensionit të gjakut dhe të kolesterolit, dy faktorë kyç në shfaqjen e sëmundjeve të zemrës dhe ishemisë.

Lulelakra

Një racion me lulelakër ofron 12 për qind të dozës ditore të fibrës. Lulelakra është një burim i mirë i vitaminës C dhe K.

Vitamina K është e domosdoshme për një zemër të shëndetshme dhe kocka të forta. Folati dhe vitamina B6 që gjenden tek lulelakra janë gjithashtu të rëndësishme për një metabolizëm dhe gjak të shëndetshëm.

Brokoli

Një racion me brokoli ofron 20% e dozës së rekomanduar të fibrës dhe plotëson nevojat ditore për vitaminë C, K dhe A. Brokoli është i pasur me vitaminë B6, kalcium, hekur dhe vitaminë E.

Vitamina E luan një rol thelbësor për një lëkurë të shëndetshme, por ajo gjithashtu është e mirë dhe për zemrën, shikimin dhe trurin. /atsh

Perimet më të mira për pastrimin e enëve të gjakut Read More »

Rënia e qerpikëve paralajmëron probleme shëndetësore

Shpeshherë shohim që na bien qerpikët ose kemi një rrallim të tyre, dhe nuk u kushtojmë vëmendje pasi mendojmë se është diçka normale. Por kjo gjë mund të paralajmërojë probleme shëndetësore.

Arsyet më poshtë tregojnë se diçka nuk shkon mirë me shëndetin tuaj apo me kujdesin e fytyrës:

Alopecia. Rënia e qerpikëve mund të vijë nga alopecia ose një tjetër sëmundje autoimune. Kjo gjendje pengon rritjen e flokëve në trupin, kokën ose fytyrën tuaj. Mjekët besojnë se kjo sëmundje bën që trupi të sulmojë folikulat e qimeve.

Sëmundjet kronike inflamatore. Të ngjashme me alopecinë, sëmundjet kronike inflamatore janë rastet kur trupi “sulmon” veten.

Problemet me tiroiden. Tiroidja kontrollon prodhimin e hormoneve të trupit, por ndonjëherë niveli më i lartë apo i ulët i tyre shkakton jo pak probleme. Si hipotiroidizmi ashtu edhe hipertiroidizmi shkaktojnë këtë problem.

Inflamacion i gjendrës së lotit. Bllokimi i gjendrave të lotit çon në një inflamacion kronik të folikulave të qerpikëve, duke bërë që këto të fundit të bien. Në rastin e parë që vëreni skuqje, lëngëzim të syve, ndjeni djegie apo kruarje, trajtojeni problemin në kohë para se të bëhet shkak për shqetësime të tjera.

Zakonet e këqija të bukurisë. Kur pastroni grimin nga sytë mos ushtroni forcë kur përdorni pambukun, sepse kjo gjë dëmton rrënjët e qerpikëve duke nxitur rënien e tyre. /atsh

Rënia e qerpikëve paralajmëron probleme shëndetësore Read More »

Shëndeti i mëlçisë nis nga mëngjesi

Mëngjesi i bollshëm dhe i shëndetshëm ka aftësinë të parandalojë dhjamosjen e mëlçisë dhe të riparojë dëmet e shkaktuara në këtë organ.

Dhjamosja e mëlçisë është një sëmundje e cila po transformohet dalëngadalë në një nga kërcënimet më të mëdha të shëndetit të njeriut.

Sipas të dhënave, ajo mund të përbëjë pikënisjen e shumë sëmundjeve të tjera më të rrezikshme.

Akumulimi i yndyrnave në qelizat e mëlçisë shkakton inflamacion dhe një dëmtim të pariparueshëm në këtë organ të rëndësishëm.

Në fillimet e saj, kjo sëmundje manifestohet me plogështi dhe dhimbje të mprehtë në anën e sipërme dhe të djathtë të barkut.

Nëse sëmundja kapet herët, dëmet e saj mund të riparohen. Nëse sëmundja diagnostikohet në fazë më të avancuar, pasojat mund të jenë vërtetë të rënda.

Përzgjedhja e ushqimeve të duhura e të shëndetshme është e një rëndësie të madhe për shëndetin e mëlçisë.

Mëngjesi konsiderohet si vakti më i rëndësishëm i ditës dhe sipas ekspertëve ai ofron përfitime të larmishme në organizëm.

Një mëngjes i mirë dhe i bollshëm arrin të:

– Rrisë nivelet e energjisë,

– Përmirësojë metabolizmin,

– Zvogëlojë masën trupore,

– Përmirësojë aftësitë e të nxënit,

– Stabilizojë nivelet e sheqerit në gjak,

– Ulë ndjeshmërinë ndaj insulinës,

– Zvogëlojë sasitë e depozitave dhjamore në mëlçi.

Ushqimet e duhura për një mëlçi të shëndetshme

Ekspertët thonë se njerëzit duhet të hanë shumë ushqime me nivel të ulët glicemie. Kjo nënkupton hequr dorë nga buka e bardhë dhe duhet zgjedhur bukë me drithëra të plota.

Tërshëra është një nga shembujt më të mirë të ushqimeve me nivel të ulët glicemie, sepse tretet ngadalë dhe nuk rrit nivelin e sheqerit në gjak.

Frutat si: qershia, qitro, kumbulla, portokalli, rrushi, pjeshka, dardha dhe molla janë të rekomanduara çdo mëngjes.

Kosi është një tjetër ushqim që nuk duhet të mungojë në tryezën tuaj, sepse është i shëndetshëm jo vetëm për stomakun, por sidomos për mëlçinë. /atsh

Shëndeti i mëlçisë nis nga mëngjesi Read More »

Vlorë, rreth 46 mijë udhëtarë me tragete në janar-gusht të këtij viti

Në portin e Vlorës, i dyti më i madh në vend, në periudhën janar-gusht të këtij viti ka pasur një fluks të lartë udhëtarësh.

Drejtori i portit të Vlorës, Admir Malaj, tha për ATSH-në se “që prej 1 janarit deri në 31 gusht në portin e Vlorës kanë ardhur 45.600 udhëtarë me tragetet e linjës Vlorë-Brindizi-Vlorë”.

Ndërsa 46 mijë udhëtarë janë janë nisur nga Vlora drejt Italisë.

Sipas tij, numri i pasagjerëve që preferojnë portin e Vlorës ka ardhur gjithnjë në rritje, sidomos pas vënies në punë të terminalit të ri.

Drejtori Malaj shprehet se “aktualisht edhe pse jemi në stinën e vjeshtës fluksi i udhëtarëve në portin e Vlorës vijon të jetë i lartë. Krahasuar me një vit më parë janë regjistruar 4500 pasagjerë më shumë”.

Autoritetet portuale kanë punuar me intensitet të lartë për përpunimin e udhëtarëve dhe automjeteve, ndërsa kanë marrë të gjitha masat për ti shërbyer sa më mirë fluksit të pasagjerëve sidomos gjatë sezonit turistik.

Qyteti i Vlorës gjithnjë e më shumë gjatë këtij sezoni turistik është kthyer në një nga destinacionet më të preferuara për vizitorët vendas dhe të huaj. Në portin e Vlorës gjatë muajve të verës operojnë edhe anije turistike, të cilat nisen çdo ditë drejt ishullit të Sazanit dhe gadishullit të Karaburunit. Vetëm në muajt maj deri në gusht Sazanin dhe Karaburunin e kanë vizituar 37 mijë turistë vendas e të huaj./atsh

Vlorë, rreth 46 mijë udhëtarë me tragete në janar-gusht të këtij viti Read More »

Gjermania pro hapjes së negociatave, Hahn: Njohja e progresit, shtysë për reformat

Johaness Hahn, Komisioneri për Zgjerimin në Bashkimin Europian ka regaguar pas votimit në Bundestagun gjerman pro hapjes së negociatave të pranimit në BE për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Hahn e mirëpret votimin e Bundestagut në favor të hapjes së negociatave për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë në tetor.

“Njohja e progresit konkret është thelbësore dhe një shtysë për reformat në Balkanin Perëndimor si dhe për besueshmërinë e Bashkimit Europian”, – thotë komisioneri Hahn.

Hahn ka qenë një nga mbështetësit më të fortë dhe kontributorët kryesorë për hapjen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, për ta bërë Ballkanin Perëndimor, më në fund, pjesë të Bashkimit Europian. /atsh

Gjermania pro hapjes së negociatave, Hahn: Njohja e progresit, shtysë për reformat Read More »

Vendimi për hapjen e negociatave të Shqipërisë me BE-në, Balla: Faleminderit Bundestagut

Kryetari i Grupit Parlamentar i Partisë Socialiste përshëndeti mbrëmjen e sotme vendimin e Bundestagut për fillimin e bisedimeve për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.

“Faleminderit. Bundestagu votoi me 395 vota PRO fillimit të bisedimeve për anëtarësim. Gjithashtu, 188 kundër (ndër ta pjesa më e madhe e djathta ekstreme AFD) dhe 16 të pavendosur”, -tha Balla.

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste ndodhet në Berlin kur prej disa ditësh k zhvilluar takime lobuese me deputetë të kaheve të ndryshme politike pro vendimit për hapjen e negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Europian./atsh

Vendimi për hapjen e negociatave të Shqipërisë me BE-në, Balla: Faleminderit Bundestagut Read More »

Agjencia Kombëtare e Barnave: Kujdes me përdorimin e medikamentit “Ranitidinë”

Agjencia Kombëtare e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore njoftoi sot profesionistët e shëndetit dhe pacientët për një shtim efekti anësor të rëndësishëm në barin me lëndë aktive “Ranitidinë” tabletë.

Në faqen zyrtare të Administratës Amerikane për Barna dhe Ushqime (FDA-Food and Drug Administration) si dhe të Agjencisë Europiane të Barnave (EMA- European Medicines Agency) është publikuar njoftimi lidhur me përmbajtjen e lëndës N-Nitrosodimetlamine (NDMA), papastërti e gjendur në barna me lëndë aktive “Ranitidinë” tabletë duke përfshirë këtu edhe barin “Zantac”. “NDMA” është një lëndë që klasifikohet si kancerogjene, bazuar në disa teste laboratorike të kryera.

“Për momentin ka vetëm këshillim dhe jo bllokim apo tërheqje të barit. Agjencia Kombëtare e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore njofton profesionistët e shëndetit si dhe pacientët për këtë efekt anësor të rëndësishëm në barin me lëndë aktive “Ranitidinë” tablete 150 mg dhe 300 mg . Njoftimi është bërë edhe për Urdhrin e Farmacistit të Shqipërisë si dhe Urdhrin e Mjekut në mënyrë që për barin e rekomanduar apo përshkruar të jepet informacion për efektet anësore që mund të shfaqen tek pacienti”, theksohet në njoftimin për shtyp të Agjencisë Kombëtare e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore.

AKBPM këshillohen pacientët që nëse e marrin “Ranitidinë” si bar pa recetë, pra me vetëmjekim, mund të zgjedhin një bar tjetër që jepet pa recetë dhe që përdoret për shqetësimin shëndetësor që ata kanë.

Po ashtu nëse pacientët e marrin “Ranitidinë” me recetë dhe duan ta ndërpresin marrjen e saj, duhet të flasin me mjekun personal në mënyrë që ai t’iu përshkruajë një mjekim tjetër opsional.

“Profesionistët e shëndetit janë të lutur që të përdorin formularin e raportimit në faqen zyrtare të Agjencisë Kombëtare të Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore, për çdo efekt të padëshiruar që ata mësojnë, lidhur me barin në fjalë, ose dhe barna të tjera, dhe ta dërgojnë atë në adresën: [email protected]”, thuhet në njoftimin e AKBPM./atsh

Agjencia Kombëtare e Barnave: Kujdes me përdorimin e medikamentit “Ranitidinë” Read More »

Bundestagu gjerman miraton vendimin për çeljen e negociatave me Shqipërinë

Bungestagu gjerman miratoi vendimin për çeljen negociatave me kushte për Shqipërinë.

Deputeti i SPD-së, Josip Juratovis kërkoi hapjen e negociatave me Shqipërinë.

Ai tha se Shqipëria ka bërë përparim në fushën e drejtësisë, por mbetet ende shumë për të bërë sa i përket luftës kundër krimit të organizuar.

Më herët deputetët e CDU-CSU kanë miratuar më herët qëndrimin e tyre pro vendimit për hapjen e negociatave.

Mes kushteve që i kërkohen vendit tonë, është reforma zgjedhore, ngritja e gjykatës së lartë dhe asaj kushtetuese, arrestimi i peshqve të mëdhenj si dhe zgjidhja e krizës politike përmes dialogut.

Vendimi i Bundestagut do të përcillet në Këshillin Evropian nga Angela Merkel në 17-18 tetor. Ndërsa ende i paqartë ngelet vendimi i Francës, kur presidenti Macron është shprehur më herët kundër zgjerimit të Unionit.

Bundestagu gjerman miraton vendimin për çeljen e negociatave me Shqipërinë Read More »