Irina

Tërmeti i 26 nëntorit/ Certifikata mirënjohjeje për 70 inxhinierët vullnetarë të Kosovës

Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Besa Shahini, priti sot në një takim mbi 70 inxhinierë vullnetarë të Kosovës, të cilët dhanë një kontribut të pakursyer në konstatimin e dëmeve të shkaktuara nga tërmeti i 26 nëntorit në shkolla.

Gjatë takimit Shahini i falënderoi për profesionalizmin, shpejtësinë dhe organizimin në kohë rekord për ndihmën e dhënë në evidentimin e dëmeve në shkolla.

Ministrja Shahini u shpërndau 70 inxhinierëve certifikata mirënjohjeje për mbështetjen e tyre të jashtëzakonshme./atsh

Tërmeti i 26 nëntorit/ Certifikata mirënjohjeje për 70 inxhinierët vullnetarë të Kosovës Read More »

Media amerikane: 21 arsyet pse duhet të vizitoni Shqipërinë përpara se të bëhet shumë e frekuentuar

Shqipëria është një nga ato vendet që shumë turistë e harrojnë se ekziston. E vendosur në Europën Jugore, përtej detit nga Italia është në jug të Kroacisë dhe në veri të Greqisë. Është vërtet vendi më i mirë që mund të shkonit ndonjëherë me pushime.

Kështu shkruan në një artikull siti amerikan “Buzzfeed.com”, i cili ka renditur 21 arsye përse duhet vizituar Shqipëria përpara se të bëhet shumë e frekuentuar

1-Para së gjithash, është relativisht e qetë

Gjatë një vere europiane, ndihet pothuajse e pamundur të shpëtosh nga turmat – veçanërisht në bregdet. Kroacia, Italia, ishujt Grekë … kudo është plotë me njerëz. Epo jo Shqipëria. Në krahasim me fqinjët e saj mesdhetarë, është relativisht e pashfrytëzuar në botën e turizmit.

2-Por nuk do të zgjasë për shumë kohë

Shqipëria aktualisht është në proces të përpjekjes për t’u anëtarësuar në BE dhe po investon gjithnjë e më shumë para në turizëm. Kështu që ju vizitojeni më mirë përpara se të bëhet shumë e modës dhe e mbushur me njerëz.

3- Plazhet janë të magjishme

Plazhet me rërë të bardhë në pjesën jugore të vijës bregdetare të vendit janë një parajsë e vërtetë. Uji është i ngrohtë, i kripur dhe tepër blu.

4- Malet janë po aq të mira

Nëse jeni alpinist, do të duhet të shkoni në veri të vendit. Pamjet malore këtu rivalizojnë Alpet, me panorama mahnitëse dhe fshatra të lezetshëm. Rruga nga Thethi në Valbonë është një nga ngjitjet më të njohura ditore, me bujtina të vogla në të cilat mund të qëndroni.

5-Ushqimi është mahnitës

Shumë nga ushqimet që do të gjeni në restorante janë bërë nga përbërës lokalë, shpesh organikë. Do të vini re shumë ngjashmëri me ushqimin grek, megjithëse ka disa pjata tipike shqiptare që duhet ti provoni patjetër, si qoftet, salçiçet, fërgesë (vegjetariane dhe djathë), byrek dhe trileçe (një tortë me qumësht dhe karamel).

6- Mos u largoni pa provuar ushqimet e detit

Qytetet bregdetare të gjitha kanë ushqime deti tepër të freskëta, të cilat zakonisht kapen në mëngjes të freskëta. Një nga vaktet më të zakonshme në restorante këtu është peshku i pjekur në skarë me perime dhe patate, ose kallamar i pjekur në skarë me limon.

7- Populli është jashtëzakonisht miqësor

Nuk ka as fjalë për të përshkruar se sa janë mikpritës shqiptarët. Ecja nëpër dyqane do të përfundojë në mënyrë të pashmangshme në një bisedë 10-minutëshe me shitësen në dyqan, kamerierët dhe banakierët do të ulen me ju dhe do të flasin tërë natën. Çdo lokal dëshiron të sigurohet që udhëtarët janë duke kaluar një kohë të mirë në vendin e tyre dhe do t’ju ndihmojnë.

8- Gjithçka është shumë miqësore me portofolin

Në krahasim me Italinë, Greqinë dhe madje edhe Kroacinë, Shqipëria është e lirë si HELL. Një vakt i tërë në një restorant të bukur është nën 10 dollarë, dhe në shumicën e bareve, pijet bien rreth 1 ose 2 dollarë.

9- Ka qytete të bukura të vjetra

Gjirokastra është një qytet i mbrojtur nga UNESCO i vendosur në kodra. Ju mund të endeni nëpër rrugët me kalldrëm deri në kështjellën në majë të kodrës, e cila ofron pamje befasuese mbi luginat që gjenden poshtë saj.

10-Kryeqyteti, Tirana, është një qytet modern, i freskët

Kur kaloni shumë kohë në qytetet e vogla rurale dhe bregdetare të Shqipërisë, Tirana mund të vijë si një tronditje. Një qytet me zë të lartë dhe i përhapur me një përzierje të lezetshme të ndërtesave të vjetra dhe të reja, padyshim që ia vlen disa ditë. Sigurohuni që të merrni teleferikun deri në malin e Dajtit me pamje nga qyteti.

11-Gjithçka është pak aventurë

Ta quajmë kaotik sistemin e transportit publik të Shqipërisë është një nënvlerësim. Në “autobusët” që marrin udhëtarët midis qyteteve mos u çuditni nëse dikush përfundon i ulur në dysheme, ose duhet të ulen katër pasagjerë në një vend me dy persona. Është e vështirë të gjesh oraret në internet, kështu që thjesht duhet të paraqitesh në stacionin e autobusëve dhe të shpresosh për më të mirët. Por të gjithë janë aq miqësorë sa nuk është kurrë një përvojë shumë stresuese.

12- Kudo ku shkoni, njerëzit do t’ju ofrojnë pije

Shumë njerëz në Ballkan krijojnë alkoolin e tyre të bazuar në rrush, dhe Shqipëria nuk bën përjashtim. Quhet “raki”, është një pije e fuqishme që vendasit e pinë si ujë. Është zakon të keni një gotë të ofruar kudo që shkoni, nga hotelet në restorante.

13- Shqipëria është e vendosur në mënyrë të përsosur për kudo që doni të udhëtoni më pas për në Europë

Nga Shqipëria mund të merrni një traget për në Itali, ose një autobus të shpejtë për në Greqi, Kroaci, Kosovë, apo Serbi. Nëse jeni duke planifikuar një udhëtim të gjatë në Europë, Shqipëria duhet të jetë në atë itinerar.

14- Megjithëse ka mjaft gjëra për të parë ju mund të kaloni tre javë këtu dhe ende nuk del koha për të bërë gjithçka

Shumë njerëz kanë tendencë të kalojnë nja dy ditë në Sarandë, më pas një ose dy ditë në Tiranë përpara se të lëvizin. Bëni vetes një favor dhe kaloni më shumë ditë për të eksploruar këtë vend.

15-Ka vende për të gjithë, pa marrë parasysh stilin tuaj të udhëtimit. Ju mund të festoni në qytete si Sarandë …

Qyteti bregdetar i Sarandës është një Mekë për pushuesit italianë që kërkojnë një vend të lirë për të pushuar. Ka shumë bare dhe klube bregdetare që janë të hapura gjatë gjithë natës dhe plazhe të bukura për t’u çlodhur gjatë ditës .

16- Ose qetësohuni në qytetin malor të Thethit

Nëse ju pëlqen t’i merrni gjërat pak më të ngadalta, vizitoni qytetet e vogla në male. Këtu do të gjeni bujtina komode të vendosura në mënyrë të përsosur pranë shtigjeve, shëtitje dhe ujëvara.

17- Mundësitë janë të pafundme. Ju mund të notoni në ujëvara …

Vizitoni Syrin e Kaltër pranë Sarandës, ose soditni ujëvarat e akullta afër Beratit.

18- Ose ngjituni në kështjellat e vjetra për të fiksuar pamje të mahnitshme

Cilido qytet që vizitoni do të ketë një lloj kështjelle lart në një kodër që pret të ngjitesh dhe të eksplorohet.

19- Bëni një nga udhëtimet më të bukura të trageteve në botë …

Udhëtimi me dy orë në traget në Liqenin e Komanit është magjik. Ju kaloni nëpër kanale të ngushta të rrethuara nga kodra dhe shkëmbinj të gjelbër dhe përfundoni në një fshat të bukur, të izoluar.

20- … ose kaloni kohë në burime natyrale të nxehta të vendosura në vargmalet e thella malore

Burimet e nxehta të Benjës afër Përmetit janë një sfidë për të arritur, por ia vlen vërtet. Sidomos kur i merrni ato vetë.

21- Është e mahnitshme edhe në dimër

Sigurisht, plazhet dhe moti i ngrohtë janë të shkëlqyera. Por në malet shqiptare që zbardhen nga dëbora gjatë dimrit, ju mund të bëni ski dhe ecje ose thjesht të uleni pranë zjarrit dhe të shijoni pamjet./atsh

Media amerikane: 21 arsyet pse duhet të vizitoni Shqipërinë përpara se të bëhet shumë e frekuentuar Read More »

Rama përcjell fjalët e shenjta të Profetit Muhamet: Kush janë të diturit? Ata që e vënë në jetë atë që dinë

Kryeministri Edi Rama përcolli sot fjalët e shenjta të Profetit Muhamet nga Kurani si një tjetër mesazh për t’u solidarizuar me të prekurit nga tërmeti i fortë i 26 nëntorit dhe lehtësimin e pasojave që ky tërmet la pas.

“Kush janë të diturit? Ata që e vënë në jetë atë që dinë”, është shprehur Profeti Muhamet.

Që pas rënies së tërmetit Kryeministri Rama ka zgjedhur që të publikojë thënie nga njerëz të urtë, apo nga librat e shenjtë siç janë Kurani apo Bibla në rubrikën ‘Fjalët e shenjta’. /atsh

Rama përcjell fjalët e shenjta të Profetit Muhamet: Kush janë të diturit? Ata që e vënë në jetë atë që dinë Read More »

Betohet Ministri i Shtetit për Rindërtimin, Arben Ahmetaj

Ministri i Shtetit për Rindërtimin, Arben Ahmetaj u betua sot në Institucionin e Presidentit të Republikës.

Pas ekzekutimit të himnit kombëtar dhe leximit të dekretit përkatës, Ministri i Shtetit për Rindërtimin, duke vendosur dorën mbi Kushtetutën e Shqipërisë, u betua duke thënë se: “Betohem në nderin tim, se do të zbatoj me përpikmëri Kushtetutën dhe ligjet, si dhe do të kryej me përgjegjësi detyrën shumë të rëndësishme që më është besuar, të anëtarit të Këshillit të Ministrave!”

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, duke i dorëzuar dekretin, i uroi Ministrit Ahmetaj suksese në këtë detyrë shumë të rëndësishme./atsh

Betohet Ministri i Shtetit për Rindërtimin, Arben Ahmetaj Read More »

Kërkim nafte në bllokun Dumrea nga gjiganti italian, ndikim të jashtëzakonshëm në ekonomi

Kryeministri Edi Rama e cilësoi sot si “një moment shumë të rëndësishëm për vendin tonë, për sektorin e hidrokarbureve dhe për të ardhmen e ekonomisë së vendit tonë, nënshkrimin e marrëveshjes me kompaninë e mirënjohur italiane ENI”.

Duke folur në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes me kompaninë italiane ENI, për kërkim hidrokarburesh të lëngshme në bllokun Dumrea, Rama tha se, “ky është vazhdimi i një historie të nisur shumë kohë më pare, sepse që në vitin 1903, kur ne ishim ende pjesë e Perandorisë Otomane, ishin inxhinierët italianë ata që erdhën të parët për të filluar të krijonin një opinion lidhur me nëntokën tonë”.

“Eksplorimet vazhduan më pas në vitin 1918 me shpimin e parë të një pusi në Drashovicë të Vlorës dhe ishte po meritë e miqve tanë italianë në atë kohë e një kompanie italiane, AIPA, që për herë të parë u krijua si kompani e mirëfilltë dhe e strukturuar për të nxjerrë dhe përpunuar naftë”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se, “nga viti 1928 kur u realizuan shpimet e para në Kuçovë deri në fund të vitit 1944 kur italianët u larguan përfundimisht nga vendi ynë, AIPA kreu me mijëra shpime dhe prodhimi ynë i naftës arriti 950 mijë tonë”.

Rama tha se, “raporti ynë me naftën është disi i komplikuar edhe për shkaqe në radhë të parë historike dhe politike. Thuhet se kur Viktor Emanueli në 39-ën u prezantua me idenë e pushtimit të Shqipërisë ngriti pyetjen se çfarë dreqin i duhet mbretërisë italiane 28 mijë kilometra katrorë shkëmb matanë detit dhe përgjigja e Kontit Ciano ishte se ata shkëmbinj mund të plotësonin 100 % të nevojës italiane për krom, 30% të nevojës për naftë dhe me pak investime mund të mbulonin të gjithë nevojën italiane për hekur”.

“Historia më pas dihet si vijoi mes një kontradikte që pengoi zhvillimin normal të sektorit që vijoi me rritje të burimeve njerëzore brenda vendit, ku u krijuan burime njerëzore shumë të lartë dhe mbylljes totale të vendit në raport me botën, çka kufizoi maksimalisht kapacitetet zhvilluese dhe teknologjike të vendit”, u shpreh Rama.

Megjithatë, shtoi Rama, “në momentin e parë pas rënies së diktaturës ka një shkrim në gazetën Republika në shtator të 91-it që titullohet “ENI birëson Shqipërinë”. Në atë shkrim flitet për një eksplorim në vijë me një perimetër prej 30 mijë kilometrash katrorë në detin shqiptar. Po në fakt u deshën 30 vjet që ne sot të kemi, jo vetëm një kontratë me ENIN, që nga pikëpamja e vlerës ekonomike për shtetin dhe qytetarë shqiptarë është më e mira dhe e favorshme që është shkruar. Për këtë dua të falënderoj me gjithë zemër miqtë italianë që vërtetë janë treguar shumë të hapur dhe konstruktivë ndaj kërkesës tonë për të pasur një kontratë që të ketë një përfitim të drejtpërdrejtë më të madh sesa kontratat e mëparshme për shtetin dhe një përfitim shumë më të mirë strukturuar në aspektet kohore”.

“Por përtej kësaj për të pasur edhe një partner që jo thjesht do të eksplorojë dhe zbulojë naftë, por dhe do ndihmojë në rritjen e cilësisë së burimeve tona njerëzore. Dhe çka kemi biseduar ka qenë përfshirja e ENI-t në kuadrin e kornizës së Paktit për Universitetin në një marrëdhënie të drejtpërdrejtë me Fakultetin e Gjeologjisë dhe Minierave për të ndihmuar në rritjen e kapaciteteve për të hapur mundësi për trajnime, mastera e me radhë”, tha Rama.

“Më vjen shumë mirë që sot ne firmosim këtë kontratë dhe pse përkoi me një moment shumë të vështirë, por ishte një këmbëngulje e madhe nga ana e ministres dhe skuadrës për ti sjellë miqtë italianë para Vitit të Ri sepse ky ishte objektivi që brenda vitit të mbyllnim këtë kontratë dhe pastaj të vazhdonte puna me eksplorimet”, nënvizoi Rama.

Sipas të gjithave studimeve, theksoi Kryeministri, “blloku i Dumresë ku do të fillojë eksplorimi ka një rezervë të pritshme të konsiderueshme. Ashtu sikundër zbulimi i bërë në Shpirag është një nxitje më shumë për të vijuar me eksplorimet”.

Rama theksoi se, “bëhet fjalë për një tjetër investim të rëndësishëm të huaj direkt në Shqipëri të një kompanie gjigante, me të ardhura më të mëdha se gjithë PBB e Shqipërisë, e cila vendos një flamur me shumë peshë në hartën e investimeve të huaja në Shqipëri. Dhe përtej vlerës monetare dhe ekonomike do të sjellë në vendin tonë vlerën e madhe të dijes dhe vlerën e madhe të një bashkëpunimi që do të rrisë cilësisht të gjithë hapësirën që mbulon ky sektor”.

Rama tha se, “nga ana e kompanisë kemi marrë një përgëzim për shpejtësinë dhe efikasitetin në procesin e përpunimit dhe të firmosjes së kontratës. Më vjen shumë mirë që kemi dhënë një tjetër shembull konkret të dallimit të madh mes atij që është perceptimi kur flitet për të bërë investime të huaja dhe për të firmosur kontrata në Shqipëri dhe atij që është realiteti. Dhe në një proces të filluar në gjysmën e dytë të vitit ne jemi sot këtu për të konkluduar me një kontratë, që në këndvështrimin tonë është një kontratë jashtëzakonisht solide dhe me një përfitim të rëndësishëm të pritshëm për shtetin, për shoqërinë, për ekonominë tonë”.

“Zbulimet e bëra deri tani dhe zbulimi pritshëm nga ana e kompanisë italiane sigurisht do të kenë ndikim të jashtëzakonshëm në ekonominë e vendit në vitet në vijim. Pra ajo që është e rëndësishme është të fillojmë nga puna menjëherë pas nënshkrimit të kontratës . Falënderoj miqtë italianë për të gjithë impenjimin dhe gatishmërinë për të nënshkruar një kontratë kaq të favorshme për ne. Jam i sigurt që përderisa kanë qenë kaq bujar në raport me kërkesat tona janë të sigurt që do gjejnë shumë naftë dhe përfitimi do jetë plotësisht i merituar edhe për ta”, u shpreh Kryeministri Rama. /atsh

https://www.facebook.com/edirama.al/videos/712946722448147/?t=0

Kërkim nafte në bllokun Dumrea nga gjiganti italian, ndikim të jashtëzakonshëm në ekonomi Read More »

Descalzi: Shqipëria nyje energjetike nga Lindja në Perëndim

Drejtori Ekzekutiv i kompanisë italiane ENI, Claudio Descalzi deklaroi sot në Tiranë se Shqipëria ka një rol të rëndësishëm, jo vetëm për burimet hidrokarbure, por është një nyje energjetike midis Italisë, Europës, vendeve ballkanike dhe gjithë gazit që vjen nga Lindja.

“Është një lojë që nëse do të shfrytëzohet mirë do t’i japë avantazhe të mëdha”, – deklaroi Claudio Descalzi.

Në këtë pikë, kreu i kompanisë ENI theksoi se Shqipëria duhet të jetë e përgatitur sa i takon dijeve, njohurive, kompetencave, gjeopolitikës dhe vizionit.

Mesdheu,- tha ai,- po zhvillohet shumë dhe ne kemi përvojë të madhe për sa i përket llojeve të naftës e strukturave në Shqipëri, pasi ne jemi duke zhvilluar një shore italian .

Sa i takon kostos së kërkimit, – Descalzi u shpreh se,- kompania ka kostot më të ulëta në botë.

Po ashtu, ai premtoi se kompania do të jape kontributin e saj në formimin profesional por do të sjellë edhe eksperiencën e saj edhe për sa i përket shpimeve, pasi puset që ato do të zhvillojnë janë shumë të thellë.
“Angazhimi im është bashkë ndarja nga momenti operativ në momentin teknik. Është një pike themelore e rëndësishme që të rritemi së bashku”, – theksoi ai.

Duke folur për situatën në të cilën ndodhet vendi ynë pas tërmetit të fortë të 26 nëntorit që la pas përveçse 51 të vdekur gati 1 mijë të plagosur edhe shumë dëme materiale, CEO i kompanisë ENI vlerësoi angazhimin e qeverisë për përballimin e emergjencës.

Ai përgëzoi qeverinë edhe për faktin që në kushte të një situate të tillë arriti të përfundojë negociata që janë komplekse.

“Në kushte të vështira qeveria ka arritur të përfundojë këto negociata që janë gjithmonë komplekse, pasi përcaktohen kosto, fitime dhe kohët janë të ngushta. Është një punë e vështirë dhe ne kemi një vlerësim të madh që ju shprehim. Kjo na bën të kuptojmë sa të motivuar e fokusuar jeni t’ja dilni mbanë”,- tha Descalzi./atsh

Descalzi: Shqipëria nyje energjetike nga Lindja në Perëndim Read More »

Vetingu/ Shkarkohet nga KPK prokurori i Apelit të Tiranës, Edmond Hyka

Prokurori i Apelit të Tiranës, Edmond Hyka u shkarkua sot nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, pas një seance dëgjimore ku u vunë në dukje probleme të pasurisë.

Hyka nuk ishte i pranishëm, por u përfaqësua në seancë nga avokati Jordan Daci. Ky i fundit pati kërkuar gjatë seancës dëgjimore shtyrjen e procesit për shkak të situatës së krijuar nga tërmeti, duke pretenduar se klienti i tij nuk mund të shkonte në shtëpi për të siguruar dokumentacionin.

Gjatë seancës dëgjimore të enjten më 19 dhjetor, KPK relatoi se kishte gjetur nga analiza financiare se Hykës i mungonin 18.2 milionë lekë për të justifikuar pasurinë. Nga relatimi rezultoi mungesë dokumentesh për 2.6 milionë lekë dhe 35 mijë euro të trashëguara nga babai.

Trupa gjykuese e KPK-së, e përbërë nga Xhensila Pine kryesuese, Olsi Komici relator dhe Brunilda Bekteshi anëtare dëgjoi më pas avokatin mbrojtës, Jordan Daci, i cili parashtroi se për shkak të situatës nga tërmeti Hyka nuk kishte mundur të shkonte në apartamentet në Durrës për të siguruar dokumentacion shtesë të kërkuar nga KPK. Ai po ashtu kërkoi shtyrje të seancës, kërkesë që u rrëzua nga Komisioni.

Edmond Hyka ka punuar si avokat nga viti 1998 deri në vitin 2005; kohë kur u emërua prokuror në Prokurorinë e Apelit të Durrësit. Në vitin 2006, Hyka u transferua në Prokurorinë e Apelit të Tiranës dhe vazhdon ta ushtrojë funksionin aty për 13 vjet./atsh

Vetingu/ Shkarkohet nga KPK prokurori i Apelit të Tiranës, Edmond Hyka Read More »

Policia Ushtarake niset në misionin Resolute Support në Heart

Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka bën të ditur se një togë e Policisë Ushtarake është nisur në misionin Resolute Support në Heart.

Xhaxka thekson se ku do të shërbejnë nën komandën e Forca të Armatosura italiane.

“Fundi i vitit është periudhë ndërrimi kontingjentesh në Forcat e Armatosura. Pas nisjes së trupave në Kabul dhe Letoni, përcollëm edhe togën e Policisë Ushtarake në misionin Resolute Support në Herat ku do të shërbejnë nën komandën e FA italiane”, shprehet Xhaçka./atsh

Policia Ushtarake niset në misionin Resolute Support në Heart Read More »