Irina

Shpëtoi jetë njerëzish nga rrënojat e tërmetit/ Meta i akordon titullin “Për merita të Veçanta” mjekut Grej Malo

Presidenti i Republikës, Ilir Meta çmoi sot mjekun stomatolog dhe koordinatorin e Qendrës Vullnetare të Emergjencave Civile, Grej Malo, i cili kontribuoi në operacionit të shpëtimit të të riut Klajdi Qato nga rrënojat e ish-hotelit “Vila Palma” në Durrës pas tërmetit të 26 nëntorit.

Presidenti i Republikës i dorëzoi zotit Grei Malo titullin e lartë “Në vlerësim të kontributit humanitar si mjeku i parë, që zbriti në terren dhe hyri në rrënojat e shkaktuara nga tërmeti i 26 nëntorit 2019, duke shpëtuar jetë njerëzish në të gjitha zonat e dëmtuara, si anëtar i Qendrës Vullnetare të Emergjencave Civile”.

“Kush shpëton një jetë shpëton një botë të tërë!” ka thënë Shenjtorja shqiptare, Nënë Tereza”, tha Presidenti Meta në fjalën e tij.

“Unë sot jam i privilegjuar që t’i akordoj Titullin ‘Për Merita të Veçanta Civile’ zotit Grej Malo, mjekut hero, i cili jo vetëm zbriti menjëherë në terren pas goditjes së tërmetit të rëndë të 26 nëntorit, por dhe rrezikoi jetën e tij për orë të tëra nën rrënoja për të shpëtuar jetë njerëzish në zonat e dëmtuara, si anëtar i Qendrës Vullnetare të Emergjencave Civile”, u shpreh Meta.

Meta theksoi se, “Malo ishte ai i cili u dha ndihmën të izoluarve në rrënoja duke punuar në mënyrë të palodhur së bashku me ekipin e specializuar të zjarrfikësve të Kavajës, por dhe me ekipin që erdhi më pas nga Greqia ku në mënyrë të veçantë u evidentua roli dhe kontributi e tij në shpëtimin e të riut Klajdi Qato i mbetur nën rrënoja tek godina e Hotel “Palma” në Durrës”.

Për fat të mirë, nënvizoi Meta, “Klajdi gjendet sot me ne në këtë ceremoni falë këtij akti të lartë civil, i cili e bën zotin Grej Malo një njeri mjaft modest, një hero të vërtetë, pasi nuk ka heroizëm më të madhe se sa të rrezikosh jetën tënde për të shpëtuar jetën e tjetrit”.

“Ndaj, Grej na bën të gjithëve krenarë për një nivel të lartë profesionalizmi dhe përgatitjeje, për të mbrojtur jetën njerëzore nën rrënoja, të cilat dëshmojnë për një nivel të lartë profesionalizmi dhe përgatitjeje”, tha Meta.

“Për 23 orë pa ndalim, Grei, me një shembull të pashoq përkushtimi, sakrifice, profesionalizmi, ka asistuar në mbajtjen në jetë të personave në rrënoja deri në nxjerrjen nga ekipet e specializuara të kërkim shpëtimit shqiptare si edhe ata në ndihmë nga nga vendet e rajonit dhe Europës. Më pas ai ka vazhduar duke dhënë kontributin e tij edhe në godina të tjera në ndihmë të njerëzve të shumtë”, u shpreh presidenti Meta.

Meta tha se, “Grei është diplomuar si Mjek Stomatolog dhe është trajnuar edhe në fushën e Emergjencave Civile dhe Urgjencat Mjekësore, në vende si Mali i Zi, Maqedoni, Kosovë, Itali dhe Greqi, Japoni dhe Kore e Jugut. Si anëtar i Qendrës Vullnetare të Emergjencave Civile ai ka vënë në zbatim të gjithë dijet e marra dhe ka ushtruar me sukses të gjitha teknikat e shpëtimit për të shpëtuar jetën njerëzore nën rrënoja, të cilat dëshmojnë për një nivel të lartë profesionalizmi dhe përgatitje”.

Presidenti Meta falënderoi dhe shprehu mirënjohjen e tij të thellë edhe për gjithsecilin prej anëtarëve të Qendrës Vullnetare të Emergjencave Civile.

“Jemi krenarë për ju, për punën, shembullin dhe kontributin tuaj të jashtëzakonshëm human dhe profesional. Vendi ynë ka shumë nevojë për njerëz si ju. Ka nevojë për njerëz të specializuar në emergjencat civile dhe të përkushtuar ndaj detyrës dhe përgjegjësisë qytetare. Të gjithë ju jeni heronj dhe një shembull i lartë i përgjegjësisë civile dhe njerëzore, së bashku me të gjithë ata mjekë, ushtarakë, punonjës së policisë së shtetit, të emergjencave civile, të kërkim-shpëtim minierave, dhe gjithë ekipeve të tjera të kërkimi shpëtimit nga vendi, por dhe ata të ardhur nga rajoni dhe Europa të cilët iu gjendën në ndihmë njerëzve të shumtë në ato momente të vështira. Një falënderim të gjithëve nga zemra dhe shpresojmë që të kemi sa më shumë si Greji që do të thotë të investojmë më shumë në formimin profesional, në përgatitjen e tyre në mënyrë që t’i përballojmë në kohën e duhur dhe me profesionalizmin e duhur të gjitha vështirësitë që do të ndeshim”, tha Meta./atsh

Shpëtoi jetë njerëzish nga rrënojat e tërmetit/ Meta i akordon titullin “Për merita të Veçanta” mjekut Grej Malo Read More »

Nderohen nënoficerët më të mirë të vitit, Xhaçka: Vlerësojmë përkushtimin sidomos gjatë emergjencave civile

Ministria e Mbrojtjes nderoi sot nënoficerët më të mirë të vitit në një ceremoni të veçantë që vjen si traditë e këtij dikasteri në festat e fundvitit.

Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka u shpreh sot se se “viti 2019 ishte një vit i spikatur për të gjithë ushtarët, nënoficerët dhe oficerët e Forcave të Armatosura”.

“Për të respektuar traditën, përzgjodhëm nënoficerët më të mirë të vitit. Angazhimi dhe përkushtimi i çdo nënoficeri, sidomos gjatë emergjencave civile, na e bëri më të vështirë përzgjedhjen, por pas një procesi transparent, konkurrimi dhe vlerësimi, jam e bindur se kemi zgjedhur më të mirët”, tha Xhaçka.

Ministria e Mbrojtjes nderoi rreshter Egnat Kulli, Forca Tokësore; nëntetar Ardian Seitaj, Komanda Mbështetëse; rreshter Julian Shaban, Komanda e Doktrinës dhe Stërvitjes.

“Suksese gjithë vajzave, grave, djemve e burrave në uniformë”, tha Xhaçka./atsh

Nderohen nënoficerët më të mirë të vitit, Xhaçka: Vlerësojmë përkushtimin sidomos gjatë emergjencave civile Read More »

Vlorë/ Ujësjellës-Kanalizimet shërbime të përditshme në impiantin e trajtimit të ujërave

Ndërmarrja e Ujësjellës Kanalizimeve Vlorë gjithnjë e më shumë po i kushton rëndësi pastrimit të Impiantit të Trajtimit të Ujërave të Ndotura.

I cilësuar një vepër infrastrukturore e rëndësishme për mjedisin e turizmin, në këtë impiant çdo ditë kryhen një sërë shërbimesh për funksionimin sa më mirë të tij.

“Disa nga shërbimet e realizuara sot në Impiantin e Trajtimit të Ujërave të Ndotura në Vlorë janë kontrolli vizual dhe mekanik i portave të emergjencës, kontrolli i paneleve elektrike LCP, kontrolli i elektromotorrit të krehërit të mbeturinave dhe realizimi i analizave laboratorike”, bën të ditur UK Vlorë.

Impianti i Trajtimit të Ujërave të Ndotura në Vlorë konsiderohet si një investim strategjik me rëndësi të madhe për qytetin, që disiplinon rrjetin e ujërave të zeza, si dhe shërben për një standard të ri të Vlorës turistike me bregdet të pastër./atsh

Vlorë/ Ujësjellës-Kanalizimet shërbime të përditshme në impiantin e trajtimit të ujërave Read More »

Ndjeshmëri e lartë ndaj popullit të Thumanës pas tërmetit/ Dekorata “Nënë Tereza” për zv.kryeministrin e Kosovës Behgjet Pacolli

Presidenti i Republikës, Ilir Meta vlerësoi sot me dekoratën e lartë “Nënë Tereza” zëvendëskryeministrin e parë dhe Ministrin e Punëve të Jashtme në detyrë të Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli.

Presidenti i Republikës i dorëzoi zotit Pacolli dekoratën e lartë “Nënë Tereza” me motivacionin: “Për angazhimin dhe ndjeshmërinë e lartë personale dhe familjare, treguar ndaj popullit të Thumanës dhe mbarë Shqipërisë, si gjithë populli dhe shteti i Kosovës, duke nxitur një zinxhir solidariteti kombëtar të pashembullt pas tërmetit të 26 nëntorit 2019. Për kontributin e tij të vazhdueshëm humanitar në rrafsh kombëtar dhe ndërkombëtar”.

“Pacolli është një personalitet i shquar, që gjithçka e ka arritur vetë në jetën e tij falë përpjekjeve, studimeve dhe sfidave të panumërta me të cilat ai është ndeshur dhe jo vetëm ka arritur të dallojë dhe shkëlqejë në fushat e biznesit, të ekonomisë, të sipërmarrjes, por gjithashtu ajo që e bën atë të veçantë dhe mbi të gjitha, që e bën edhe të dashur për njerëzit, është pikërisht angazhimi i tij i pareshtur për dekada në aktivitetin humanitar, në shërbim të paqes, po kështu për krijimin e një imazhi të dalluar dhe pozitiv të shqiptarit në botë, jo vetëm si një sipërmarrës i suksesshëm, por edhe si një njeri i jashtëzakonshëm dhe me zemër të madhe”, u shpreh Meta.

Si një ambasador i paqes, si një sipërmarrës i suksesshëm i përmasave ndërkombëtare, si promovues i realiteteve ekonomike kombëtare, nëpërmjet nxitjes së formave komplementare, politikan dhe shtetar i përgjegjshëm, me dashuri të madhe për Kosovën dhe shqiptarët, -vijoi Meta,- ai është një dëshmi e veçantë dhe e pashembullt, jo vetëm e suksesit, por edhe e humanizmit.

“Si një njeri i tillë mjaft bujar, Pacolli ka një veprimtari tejet frymëzuese humanitare. Kujtojmë këtu krijimin e fondacioneve për jetimët, refugjatët, në ndihmë të studentëve, në asistencën ndaj njerëzve në nevojë, ndërtimin e shtëpive për të varfrit, sponsorizimet në fushën e artit, kulturës dhe të sportit, dërgimi i dhjetëra pacientëve të Kosovës jashtë vendit për trajtim mjekësor e kështu me radhë”, – shtoi më tej Presidenti Meta.

Presidenti veçoi edhe ndërmjetësimet e tij për lirimin e disa pengjeve dhe të një gazetari italian në vende në konflikt si Afganistani, të cilat dëshmojnë për titujt e akorduar ndaj tij, më se të merituar, si kalorës global i paqes.

“Së fundmi, pas pasojave të rënda të shkaktuara nga tërmeti i tmerrshëm i 26 nëntorit, Pacolli shpalosi menjëherë një ndjeshmëri të lartë, personale dhe familjare, përveçse edhe institucionale si pjesë e të gjithë popullit dhe shtetit të Kosovës, ndaj popullit shqiptar e në veçanti ndaj popullatës më të goditur rëndë, asaj të Thumanës, duke dhënë kontributin e tij të menjëhershëm në interes të rindërtimit të zonave të prekura nga tërmet dhe duke i dhënë në këtë mënyrë një nxitje të mëtejshme gjithë atij solidariteti mbarëshqiptar”, – u shpreh Presidenti Meta./atsh

Ndjeshmëri e lartë ndaj popullit të Thumanës pas tërmetit/ Dekorata “Nënë Tereza” për zv.kryeministrin e Kosovës Behgjet Pacolli Read More »

Festat e fundvitit/ Autoriteti i Ushqimit, kontrolle në restorante dhe operatorët fast-food

Në prag të festave të fundvitit, që karakterizohet nga një fluks në rritje i konsumit të ushqimeve, Autoriteti Kontrollit Ushqimor ka intensifikuar dhe zgjeruar sektorët e inspektimit për të garantuar sigurinë e shëndetit të konsumatorëve.

Krahas tregjeve dhe merkatove, restorantet dhe fast food-et, janë në fokus të kontrollit ushqimor, si sektorët e ushqimit të shpejtë që janë mjaft të frekuentuar nga konsumatorët.

AKU bën të ditur se, inspektorët e ushqimit po kryejnë kontrolle në këto subjekte me rigorozitet për kushtet higjeno – sanitare, verifikimin e produkteve dhe të dokumentacionit.

Për periudhën janar-tetor 2019 Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka mbyllur 9 subjekte fast– food, 5 prej të cilave në Tiranë. 26 subjekte janë gjobitur me vlerën totale prej 7,000,000 lekësh, ndërsa 7 subjekteve të tjera i janë bllokuar 0.07 ton produkte të pasigurta për konsum.

Sipas një plani vjetor subjektet fast food inspektohen 2 herë në vit./atsh

Festat e fundvitit/ Autoriteti i Ushqimit, kontrolle në restorante dhe operatorët fast-food Read More »

Fustanet velur të duhurat për t’u dukur “mbretëresha e mbrëmjes”

Të butë, të mëndafshtë, të këndshëm. Le t’u japim mirëseardhjen veshjeve më të dashura të këtij dimri: fustanet velur.

Pavarësisht nëse do të ishte i gjatë apo i shkurtër, apo në gjatësi të mesme, me një fustan të tillë do të jeni ‘mbretëresha e mbrëmjes’.

Një fustan velur i zi është gjithmonë i bukur dhe me të s’do të gaboni kurrë. E njëjta gjë vlen edhe për ngjyrat e tjera të vjeshtës: kafe, jeshile e errët, gri dhe bordo.
Për ato më romantiket edhe ngjyra rozë pudër dhe e kaltër dhurojnë një pamje të paharrueshme.

Në këtë prag festash ku fustan është zgjidhja e duhur si për një drekë ku mund të zgjidhni një model komod po ashtu dhe për darkë ku mund të zgjidhni një model më ekstravagant dhe me ngjyrë të ndezur.

Shfletoni galerinë me disa modele nga fustanet velur më të bukur për këtë vit për tu frymëzuar për natën e ndërrimit të viteve./atsh

Fustanet velur të duhurat për t’u dukur “mbretëresha e mbrëmjes” Read More »

Prokurorët Dritan Prençi dhe Vladimir Mara bëhen pjesë e SPAK

Dy prokurorët Dritan Prençi dhe Vladimir Mara, janë bërë pjesë e Prokurorisë Speciale (SPAK), që do të hetojë krimin dhe korrupsionin në nivele të larta politike.

Këshilli i lartë i Prokurorisë votoi sot me 9 vota pro dhe një kundër (Nurihan Seiti), kërkesën e drejtuesit të SPAK, Arben Kraja për transferimin e Përkohshëm të prokurorëve Mara dhe Prençi në SPAK.

Ndërsa është ndërprerë caktimi i përkohshëm i prokurorit Dritan Prençi me Prokurorinë e Shkallës së Parë Tiranë në momentin e transferimit të përkohshëm në SPAK.

Dritan Prençi dhe Vladimir Mara njihen si dy prokurorë që kanë drejtuar disa nga dosjet më të rëndësishme të zyrtarëve dhe të luftës kundër krimit të organizuar./atsh

Prokurorët Dritan Prençi dhe Vladimir Mara bëhen pjesë e SPAK Read More »

Certifikatë mirënjohjeje 2 punonjësve të burgjeve që dalin në pension, Gjonaj: Shembull pozitiv për të rekrutuarit e rinj

Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj ka marrë pjesë në ceremoninë e organizuar sot me punonjësit e Policisë së Burgjeve për t’u shpërndarë certifikatën e mirënjohjes dy punonjësve që kanë mbushur moshën e pensionit.

“Pjesë e 85 punonjësve të policisë të cilëve iu dorëzua certifikata e mirënjohjes ishin edhe Kiço Ferra dhe Fran Ruçi të cilët sapo kanë mbushur moshën e pensionit pas një jete të tërë pune në sistemin e burgjeve. Jam e bindur që të gjithë këta burra dhe gra do të jenë një shembull tejet pozitiv edhe për të rekrutuarit e rinj”, tha Gjonaj.

Po ashtu, Gjonaj shton se “punonjësit e policisë me eksperiencën më të gjatë në burgje, e meritojnë plotësisht certifikimin e mirënjohjes sonë për vitet e sakrificës, përkushtimit, profesionalizmit dhe vigjilencës me të cilën ata kanë ushtruar profesionin e tyre duke nderuar uniformën e dinjitetit që mbajnë veshur”.

“Në kuadër të reformës që kemi ndërmarrë në të gjithë sistemin penitenciar, kam pasur dhe vijoj të kem në vëmendje punën që bëjnë punonjësit e burgjeve të cilët meritojnë respekt, siguri dhe paga dinjitoze. Edhe pse kemi pasur një rritje të ndjeshme të rrogave, mjeteve logjistike dhe infrastrukturës, ende na ngelen shumë objektiva për t’u përmbushur në raport me kontributin e tyre”, u shpreh ajo. /atsh

Certifikatë mirënjohjeje 2 punonjësve të burgjeve që dalin në pension, Gjonaj: Shembull pozitiv për të rekrutuarit e rinj Read More »