Irina

Dita Universale e të Drejtave të Fëmijëve/ “Një botë ngjyrash, një botë të drejtash”

Në Ditën Universale të të Drejtave të Fëmijëve, partnerët ndërkombëtarë të zhvillimit kërkojnë nga institucionet shqiptare të reflektojnë mbi arritjet dhe sfidat për të siguruar që çdo fëmijë të gëzojë të drejtën e fëmijërisë në Shqipëri.

Shqipëria ka një kornizë të mirë legjislative, por qeverive vendore duhet t’u shkojë më shumë mbështetje, veçanërisht në zonat e thella, në mënyrë që të sigurohen shërbimet e duhura të integruara të kujdesit shoqëror për fëmijët dhe familjet e cënueshme.

Veprimtaria mbështetet nga Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri, UNICEF, Save the Children, Terre des hommes, World Vision, Partnerë për Fëmijë, Fshatrat e Fëmijëve SOS në Shqipëri dhe Nisma ARSIS.

Këtë vit, Dita Universale e të Drejtave të Fëmijëve është gjithashtu 30-vjetori i Konventës së OKB-së për të Drejtat e Fëmijëve.

Në Shqipëri u festua me aktivitete të drejtuara nga fëmijë dhe të rinj në Korçë, ku fëmijë dhe të rinj të Shqipërisë folën për të drejtat e tyre.

Nën temën “Një botë ngjyrash, një botë të drejtash”, fëmijët ngritën zërin që të drejtat e tyre të respektohen dhe realizohen për çdo fëmijë, me fokus te bashkëmoshatarët më të pafavorizuar dhe më të cenueshëm, duke kërkuar adresimin e nevojave të tyre themelore.

Pa fjalime nga të rriturit, veprimtaria u mbajt si një seancë dëgjimore për të gjitha pyetjet dhe çështjet shqetësuese të ngritura nga fëmijët dhe të rinjtë, përmes shfaqjeve të tyre, për sfidat ekzistuese për të drejtat e arsimit, mbrojtjes, pjesëmarrjes dhe shëndetit.

Veprimtaria mblodhi së bashku fëmijë dhe të rinj nga Burreli, Durrësi, Elbasani, Korça, Shkodra, Tirana dhe Vlora, me shfaqje teatrale ndërvepruese, histori personale në formën e bisedave TEDx, këngë beatbox, lojëra për të drejtat e fëmijëve, shfaqje me video, shkëmbime me influencues të famshëm , ekspozita, etj.

Fëmijët u përshëndetën nga disa prej figurave të njohura publike në Shqipëri dhe mbështetës të të drejtave të fëmijëve – Roland Hysi, Luiza Gega dhe Vitmar Basha, të cilët treguan historitë e tyre personale dhe u dërguan mesazhe frymëzuese fëmijëve.

Të pranishëm në këtë veprimtari ishin përfaqësues nga qeveria shqiptare, autoritetet vendore, si dhe nga organizatat ndërkombëtare dhe të shoqërisë civile, duke përfshirë Ambasadorin e BE-së Luigi Soreca, Dr. Roberto De Bernardi – Përfaqësues i UNICEF-it në Shqipëri, Artina Morava – Drejtore e Programit World Vision, Alketa Lasku – Drejtore Vendore e Terre des hommes, Anila Meço, Drejtore Vendore e Save the Children, Teuta Shkenza, Drejtore Kombëtare e Fshatrave të fëmijëve SOS në Shqipëri, Julinda Vokopola Zëvendësdrejtore e e Nismës ARSIS dhe Ingrid Jones – Drejtore Ekzekutive e Partnerë për Fëmijë.

Të gjithë ata dëgjuan çështjet që kanë rëndësi për fëmijët shqiptarë dhe kërkesat e tyre për një shoqëri që ofron një të ardhme të mirë për të gjithë fëmijët.

Për të katërtin vit me radhë veprimtaria u organizua, u moderua dhe u prezantua nga fëmijë dhe të rinj, në partneritet me Delegacionin e Bashkimit Evropian në Shqipëri, UNICEF, Terre des hommes, Save the Children, World Vision, Partnerë për Fëmijë, Fshatrat e Fëmijëve SOS dhe Nisma ARSIS. Ky aktivitet u mbështet edhe nga bashkia e Korçës./atsh

Dita Universale e të Drejtave të Fëmijëve/ “Një botë ngjyrash, një botë të drejtash” Read More »

Haki Çako emërohet drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile

Këshilli i Ministrave emëroi sot Haki Çakon, drejtor të Përgjithshëm të Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, institucion i cili u formua pas ndryshimeve strukturore qe iu bë Emergjencave Civile.

Në mbledhjen e sotme të qeverisë, me propozimin e Ministrit të Mbrojtjes, u vendos që Çako të jetë në krye të Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile.

Drejtoria e Përgjithshme e Emergjencave Civile i është nënshtruar ndryshimeve në strukturë, në kuadër të projektligjit të ri për Mbrojtjen Civile. Ajo tashmë është transformuar në Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile.

Sipas Këshillit të Ministrave, ky vendim hyn në fuqi menjëherë./atsh

Haki Çako emërohet drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile Read More »

Shpronësimet për interes publik në segmentin Skelë-Ujë i Ftohtë, miratohet vlera shtesë

Në mbështetje të Kushtetutës, të ligjit “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, të ndryshuar, të ligjit “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të ligjit “Për buxhetin e vitit 2019”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave vendosi sot që:

Në tabelën me emërtimin “Lista e pasurive të paluajtshme, pronë private, që do të shpronësohen për interes publik, të cilat preken nga ndërtimi i segmentit rrugor “Skelë – Ujë i Ftohtë, Bashkia Vlorë (Zona I, Skelë – Shkolla e Marinës)”, që i bashkëlidhet vendimit nr. 661, datë 8.10.2014, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, të dhënat për numrin rendor 56 ndryshohen.

Vlera shtesë, prej 5 403 681 (pesë milionë e katërqind e tre mijë e gjashtëqind e tetëdhjetë e një) lekësh, e kësaj pasurie, i shtohet vlerës së përgjithshme të vendimit nr.661 dhe do të përballohet nga buxheti i vitit 2019, miratuar për Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, në programin “Planifikimi urban”.

Shpenzimet procedurale, në vlerën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, do të përballohen nga buxheti i miratuar për Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë.

Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës Vlorë dhe Bashkia Vlorë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren Zyrtare”. /atsh

Shpronësimet për interes publik në segmentin Skelë-Ujë i Ftohtë, miratohet vlera shtesë Read More »

Buxheti 2020 për Shëndetësinë, 2.98 miliardë lekë më shumë se këtë vit

Buxheti për sektorët e shëndetësisë dhe mbrojtjes sociale për vitin 2020 është 2.98 miliardë lekë më shumë se në 2019.

Lajmi u bë i ditur nga Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes, Sociale, Ogerta Manastirliu.

“Buxheti 2020 konsolidon programet e shëndetësisë dhe mbrojtjes sociale dhe financon politika të reja, si: transplanti i palcës së kockave, hapja e kardiokirurgjisë në spitalin “Shefqet Ndroqi” dhe programi kombëtar të depistimit të kancerit të gjirit. 2.98 miliardë lekë më shumë se buxheti 2019”, theksoi Manastirliu.

Buxheti për sektorët e shëndetësisë dhe mbrojtjes sociale për vitin 2020 parashikohet të jetë 77 miliardë e 735 milionë e 940 mijë lekë.

“Buxheti për sektorët e shëndetësisë dhe mbrojtjes sociale për vitin 2020 ka një rritje me 4%, krahasuar me 2019. Vetëm për sektorin e shëndetësisë rritja e buxhetit, krahasuar me buxhetin e vitit 2013 është 48% më shumë. Gjatë vitit 2020 financojmë 26 milionë dollarë vetëm për investimet në shëndetësi”, tha dy ditë më parë Manastirliu në paraqitjen e prioriteteve të buxhetit për vitin 2020 në Komisionin për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë ./atsh

Buxheti 2020 për Shëndetësinë, 2.98 miliardë lekë më shumë se këtë vit Read More »

Ushqimet që mbrojnë lëkurën nga i ftohti

Me ardhjen e të ftohtit lëkura shfaqet më e thatë dhe e irrituar, por disa ushqime mund t’i sigurojnë lëkurës vitaminat, mineralet dhe lëndët ushqyese që i nevojiten për t’u rigjeneruar.

Salmoni

Ai përmban omega 3S, e cila vepron në nivelin qelizor, këto acide yndyrore ekuilibrojnë membranën lipide, duke ndihmuar kështu lëkurën të ruajë lagështinë.

Për të mos u nënvlerësuar është edhe kontributi i vitaminës D, vetitë anti-inflamatore të së cilës mbrojnë epidermën në rast të akneve, ekzemave, skuqjes dhe acarimit.

Farat e lulediellit

Sasia e jashtëzakonshme e vitaminës E që gjendet në farat e lulediellit forcon membranat e lëkurës, duke i mbajtur ato me elastike dhe të hidratuara mirë dhe në të njëjtën kohë mbron epidermën nga radikalet e lira dhe dëmtimet e shkaktuara nga rrezet ultravjollcë.

Nuk mjaftojnë, këto farëra të vogla garantojnë gjithashtu sasinë e duhur të acideve yndyrore omega 6, të cilat sigurojnë rinovimin e lëkurës dhe selenin, i cili ndihmon në luftimin e infeksioneve.

Arrat

Acidi alfa-linolik i pranishëm në këtë frut mbron membranat qelizore të lëkurës, duke mos lejuar që kjo e fundit të humbasë hidratimin.

Arrat përmbajnë gjithashtu gati dy herë më shumë antioksidantë sesa frutat e tjerë , gjë që i bën ata shumë të dobishëm në luftën kundër radikalëve të lirë dhe plakjes së lëkurës.

Agrumet

Portokallet, limonët, mandarinat janë të pasura me vitaminë C, një antioksidant i fuqishëm që mund të bëhet një eliksir autentik i jetës për lëkurën.

Siç kemi parë gjatë studimit në American Journal of Clinical Nutrition, vitamina C promovon prodhimin e kolagjenit, mbron fytyrën dhe ndihmon për të minimizuar pikat e errëta të epidermës dhe për të eliminuar dëmet e shkaktuara nga dielli.

Veza

Veza përmban shumë lëndë ushqyese dhe janë një ushqim i vërtetë i plotë për lëkurën.

Në fakt, ato përmbajnë vitaminë A dhe E, të dyja thelbësore për rinovimin e lëkurës, përveç vitaminës B5 ose panthenol, e cila kontribuon në prodhimin e keratinocytes, qelizat që garantojnë një lëkurë të shëndetshme të mbrojtur nga agjentë të jashtëm, deri tek Omega 3, që favorizojnë një çehre të ndritshme, me vitaminë D, e cila lufton inflamacionin dhe squfurin, i cili është i dobishëm për sintezën e kolagjenit.

Lakra kale

Mos u mashtroni nga pamja e rrudhur e kësaj perimeje me gjethe jeshile, në fakt efekti i saj në lëkurë është e kundërta dhe një pjesë është e mjaftueshme për të mbushur çdo ditë me vitaminë A, thelbësore për rinovimin e lëkurës dhe vitaminë C, i cili rrit kolagjenin dhe e bën lëkurën më të fortë.

Një studim i publikuar në American Journal of Clinical Nutrition tregoi se ata që ndjekin një dietë të pasur me vitaminë C kanë më pak lëkurë të rrudhur dhe të thatë.

Patatja e ëmbël

Kjo perime është e përshtatshme për në dimër, pasi përkatësisht vitamina A dhe beta-karoteni e mbrojnë lëkurën e stresuar nga i ftohti.

Vitamina A ndihmon në riparimin e lëkurës së dëmtuar nga agjentët atmosferikë ndërsa beta-karotina forcon pengesën e saj mbrojtëse, duke favorizuar hidratimin.

Shega

E pasur me polifenole antioksiduese që mbrojnë kundër dëmtimit të rrezeve ultravjollcë, luftojnë inflamacionin dhe nxisin qarkullimin e gjakut, ky frut i çmuar me cilësi të panumërta të mira përmban dhe një antioksidant të fuqishëm që zvogëlon degradimin e kolagjenit, duke zvogëluar rrudhat. /atsh

Ushqimet që mbrojnë lëkurën nga i ftohti Read More »

Spiropali: Më 30 qershor u dhamë goditje forcave që donin të shkatërronin shtetin

“Në 30 qershor ne nuk u dhamë një goditje të fortë të gjitha forcave që donin të shkatërronin shtetin duke shkatërruar zgjedhjet, por i dhamë dhe një goditje përfundimtare papërgjegjshmërisë totale në qeverisjen vendore të atyre që mendonin se mund t’i përdornin njerëzit si mish për top dhe shembulli më i qartë është Kamza”, tha sot ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin dhe zëdhënëse e Qeverisë, Elisa Spiropali, ndërsa mori pjesë në ceremoninë e 100 ditëve të para të punës të bashkisë Kamëz.

Spiropali tha se ne do ta transformojmë Kamzën në një qytet modern për të gjithë.

“Ajo që pamë këtu në ekran është vetëm fillimi, janë 100 ditë. Është domethënëse se nga buxheti i bashkisë Kamzë janë shpenzuar vetëm 50 mijë euro dhe janë bërë punë sa për pesë vite. Ne kemi një ëndërr dhe një vizion për Kamzën, që asnjë i ri apo e re të mos ndihet si qytetar i dorës së dytë. Dhe kjo do planifikim, do punë, duke nisur me kanalet e ujërave të zeza, rrugë, infrastrukturë, shkolla, kopshte, çerdhe, qendra e qytetit, pallatet, fasadat të gjitha janë pjesë e një vizioni të qytetit të fundit të rilindjes urbane, por jo më pak të rëndësishme Rilindja Urbane do vijë në Kamëz më forcën e kësaj mazhorance dhe kryetarin e bashkisë, Rakip Sulin. Ne do ta transformojmë Kamzën dhe unë jam e sigurt që në katër vite, Kamza do të jetë një qytet krejtësisht tjetër, një hapësirë urbane, një hapësirë për pleqtë, për të rinjtë, për të rejat, për fëmijët, për qytetarët, dhe unë besoj se diferenca e madhe që e ndan Kamzën nga Tirana për shkak të keqqeverisjes do sheshohet dhe çdo qytetar i Kamzës do të ndihet si pjesë e një hapësire më të madhe, hapësirës së përbashkët të Tiranës dhe Kamzës. Ky është vizioni ynë”, – tha ajo.

Më tej, Spiropali tha se është e rëndësishme të kuptojmë nga vijnë të gjitha ato problematika me të ardhurat në buxhet se nuk janë të rastësishme, por janë për shkak të keqmenaxhimit ekstrem ndonjëherë kriminal, banal të pushtetit.

“Ideja që njerëzit i ke ushtarë, se i ke nga një krahinë, apo i ke të një partie, apo mund t’i përdorësh për të ardhur në Tiranë. S’ke nevojë të japësh llogari, s’ke nevojë të kthesh përgjigje, silli aty të protestojnë, e ke bastionin tëndin e me radhë. Kjo mendësi ka lënë vendin pas, si Kamza apo qytete të tjera. Ne këtë mendësi e kemi thyer në 30 qershor dhe do të vazhdojmë të tregojmë se kemi bërë gjënë më të mirë, duke i dhënë mundësi të gjithë qytetarëve të ndihen të barabartë, të përfaqësuar dhe punët e tyre, buxheti i tyre të menaxhohen në mënyrën më të mirë”, tha ajo.

Po ashtu Spiropali tha se ne nuk bëjmë politikë vetëm për të majtët, por për të gjithë shqiptarët.

“Ne nuk bëjmë politikë vetëm për socialistët, apo për të majtët, ne bëjmë politika për shqiptarët dhe kjo na dallon, se ne nuk i ndajmë njerëzit në të kuq dhe blu, por ne shohim të ardhmen e fëmijëve tanë të përbashkët. Kjo na dallon nga kundërshtarët tanë ata ende nuk e kanë kuptuar se asaj politike i ka ardhur fundi”, – tha ajo.

Po ashtu Spiropali e konsideroi takimin Berisha-Meta si pjesë të politikës së vjetër.

“E patë sot besoj? U mblodhën aty në Presidencë, lideri historik i Partisë Demokratike dhe Presidenti pretendent për kryetar opozite dhe vazhduan me historinë e vjetër të sharjes, të përbaltjes, duan të mbajnë peng një sistem të tërë. 30 vjet kanë mbajtur në këmbë një sistem drejtësie dhe një mendësi në politike, e cila do të shkatërrojë kundërshtarin të përçajë njerëzit, t’u thotë se ju jeni tanët, ata janë të atyre, hajde përballemi në mënyrë që të vazhdojnë ata të bëjnë punët e tyre të pandëshkuar në kontroll absolut jo vetëm pushtetin, por dhe drejtësinë”, – tha ajo.

Spiropali theksoi se “kjo kohë ka marrë fund, është në qeverisjen qendrore edhe në shtet, edhe këtu në pushtetin lokal siç po e shihni në bashkinë Kamëz. Bashkia nuk është pronare e jetës së njerëzve, pro shërbëtore e tyre dhe besoj se këtë vizion e mishëron Rakip Suli, ekipi i tij në bashkisë dhe jam e sigurt së bashku me energjinë e njerëzve që nuk i ndan ngjyra politike, por i bashkon dëshira për të jetuar në një vend më të mirë dhe për të bërë punë për të gjithë fëmijët e këtij vendi. Jam e sigurt që kur të vijmë pas një viti do shohim më shumë punë dhe kur të vijmë pas katër vitesh, do krenohemi me qytetin e Kamzës dhe në gjitha rrethinat e saj. Mbështetja që qeveria do t’i japë Kamzës sigurisht do jetë një mbështetje të posaçme edhe për shkak të kësaj diference keqmenaxhimi të burimeve. Qendra e Kamzës e meriton një projekt të financuar nga Fondi Shqiptar i Zhvillimi dhe ne do bëjmë të pamundur ta ketë, ashtu siç e meriton, dhe projekte të tjera i mirëpresim nga bashkia”, – tha ajo./atsh

Spiropali: Më 30 qershor u dhamë goditje forcave që donin të shkatërronin shtetin Read More »

Kujdes me antibiotikët, mjekët apel për përdorimin e tyre

Rezistenca ndaj antibiotikëve paraqet sot një nga kërcënimet më të mëdha për shëndetin dhe zhvillimin global, ndërkohë që kërcënimi është në rritje.

Ekspertët e Institutit të Shëndetit Publik thonë se “vitet e fundit është vënë re se është rritur rezistenca ndaj antibiotikëve. Marrja e antibiotikëve kur nuk janë të nevojshëm e bëjmë në pak efikas kur ato janë të domosdoshëm. Bota ka nevoje për antibiotikë të efektshëm, Shqipëria gjithashtu. Problemi i rezistencës së antibiotikëve kërkon edhe kontributin tonë”.

Në kuadër të javës botërore për ndërgjegjësimin ndaj Antibiotikëve, ekspertët thonë ”
Antibiotikët nuk janë karamele. Përdorini ato me kujdes”.

Disa këshilla që duhen pasur parasysh gjatë përdorimit të antibiotikëve:

Konsultohuni gjithmonë me mjekun dhe farmacistin para se ti përdorni.
2. Përfundoni mjekimin që ju jep mjeku dhe zbatojeni atë me përpikmëri.

3. Në farmaci, antibiotikun duhet ta kërkoni duke paraqitur recetën e mjekut.

4. Mos këmbëngulni të merrni antibiotikë nëse mjeku nuk e rekomandon.

5. Kurrë mos përdorni antibiotikë që ju kanë mbetur nga mjekimi i kaluar, ose t’ia jepni dikujt tjetër. /atsh

Kujdes me antibiotikët, mjekët apel për përdorimin e tyre Read More »

Kleanthi Zeka në sitën e Vetingut

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit zhvilloi sot një seancë dëgjimore për subjektin e rivlerësimit Kleanthi Zeka, prokuror pranë prokurorisë së Apelit Vlorë.

Trupa gjykuese për subjektin e rivlerësimit përbëhej nga Etleda Çiftja, Roland Ilia dhe Firdes Shuli.

Subjekti Kleanthi Zeka do të përballet me procesin e Vetingut për tre kriteret e vlerësimit: ligjshmërinë e pasurisë, kriterin etik dhe atë profesional. /atsh

Kleanthi Zeka në sitën e Vetingut Read More »