Irina

BE mbështet raportin e OSBE-së për Shqipërinë: Themelimi i institucioneve të reja të Drejtësisë, moment historik

Bashkimi Europian në përgjigje të raportit të shefit të Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, ambasadorit Bernd Borchardt paraqitur në Vjenë, tha se e mirëpret ngrohtësisht ngrohtësisht ambasadorin Bernd Borchardt, dhe e falënderon për paraqitjen e raportit përpara Këshillit të Përhershëm.

Në deklaratën përshëndetëse, thuhet se gjatë dy dekadave të fundit, Prania e OSBE-së ka kontribuar në zhvillimin pozitiv të Shqipërisë në partneritet me institucionet e vendit.

“Ne e vlerësojmë shumë angazhimin e Shqipërisë për të bashkëpunuar me Prezencën e OSBE-së dhe inkurajojmë qeverinë që të vazhdojë këtë punë në të tre dimensionet. Ne e vlerësojmë faktin që Prezenca kontribuoi për të mbështetur vazhdimin e reformave në drejtësi, administratë dhe zgjedhje, në përputhje me kërkesat specifike të parashtruara nga bashkëbiseduesit përkatës dhe nevojat institucionale të identifikuara”, thuhet në deklaratën e BE-së.

“BE njeh rolin e rëndësishëm të Prezencës së OSBE-së në Shqipëri në të gjitha fushat kryesore të reformave, përfshirë reformën në gjyqësor, luftën kundër korrupsionit, luftën kundër krimit dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Ne e vlerësojmë kontributin e Prezencës në përmirësimin e praktikës demokratike në Shqipëri duke vazhduar mbështetjen e saj për dekada të tëra për Kuvendin, si ndihma në forcimin e kapaciteteve institucionale dhe administrative dhe në organizimin e konsultave publike, promovimin e barazisë gjinore dhe përmirësimin e komunikimit dhe transparencës”, vijon deklarata.

“Ne e vlerësojmë ndihmën e vazhdueshme të Prezencës në luftën kundër korrupsionit, veçanërisht mbështetjen që i është dhënë Koordinatorit Kombëtar kundër Korrupsionit (NCAC) në kryerjen e një vlerësimi të jashtëm afatmesëm të Strategjisë Ndërsektoriale kundër Korrupsionit”, thuhet në raport.

“Bashkimi Europian vlerëson vëmendjen e vazhdueshme të Prezencës në zbatimin e një reforme gjithëpërfshirëse në drejtësinë shqiptare. Ne gjithashtu vlerësojmë asistencën e vazhdueshme legjislative ofruar organeve vendimmarrëse për të siguruar një proces të ligjshëm, transparent, gjithëpërfshirës dhe të mirë-koordinuar në Shqipëri”, vijon raporti.

“Ne mirëpresim mbështetjen e vazhdueshme të ofruar nga Prezenca për Zyrën Rajonale të Bashkëpunimit Rinor, selia e së cilës ndodhet në Tiranë. Ne e lavdërojmë OSBE-në dhe RYCO-n për bashkimin e forcave për të promovuar frymën e pajtimit dhe bashkëpunimit midis të rinjve në rajon dhe presim me padurim të shohim bashkëpunimin e vazhdueshëm. Ne mirëpresim punën intensive të bërë në Komisionin Ad-Hoc për Reformën Zgjedhore dhe i bëjmë thirrje opozitës jashtë parlamentare të kontribuojë me propozime në këtë përpjekje vendimtare për reformën”, theksohet në raport.

“Për më tepër, ne inkurajojmë Prezencën të vazhdojë të punojë për një zgjidhje konsensuale që ka nevojë për pjesëmarrjen aktive të të gjitha palëve të përfshira. Ne mirëpresim përpjekjet e Prezencës për të mbështetur Shqipërinë për të vazhduar partneritetet e saj me palët e interesuara ndërkombëtare në fushën e menaxhimit të kufijve dhe luftën kundër kërcënimeve ndërkufitare”, thuhet në raport.

“BE inkurajon Shqipërinë që të angazhohet plotësisht në luftën kundër të gjitha formave të trafikimit të qenieve njerëzore dhe mirëpret Planin Kombëtar të Veprimit, procedurat ligjore për të identifikuar fëmijët e përfshirë në shfrytëzim ekonomik dhe udhëzimet për inspektorët e punës për të zbuluar punën e fëmijëve, të gjitha të hartuara me mbështetjen teknike të Prezencës.

Ne e vlerësojmë trajnimin e 60 gjyqtarëve dhe prokurorëve për legjislacionin e ri antitrafik, dhe gjithashtu hartimin e procedurave të reja nga Prezenca dhe UNHCR për trajtimin e emigrantëve të paligjshëm. Ne mbështesim plotësisht luftën e Shqipërisë kundër krimit mjedisor, vlerësojmë ndryshimet e bëra në Kodin Penal për kriminalizimin e veprimeve të paligjshme kundër shëndetit të njeriut dhe mjedisit, dhe përpjekjet për hartimin e ligjit mjedisor.

Bashkimi Europian vlerëson qasjen e përforcuar të Shqipërisë në adresimin e kërcënimit të terrorizmit ndërkombëtar dhe kundërpërgjigjen ndaj ekstremizmit dhe radikalizmit të dhunshëm. Takimet në terren që synojnë krijimin e mekanizmave të referimit për të ndihmuar individët që janë më prekshëm nga radikalizimi, të mbajtura nga Qendra Kombëtare e Koordinimit për Luftën kundër Ekstremizmit të Dhunshëm me mbështetjen e Prezencës, janë mirëpritur ngrohtësisht nga BE.

Ne mirëpresim udhëheqjen dhe partneritetin e OSBE-së për lirinë e mediave dhe vlerësojmë kontribution e Prezencës në hartimin e dy projektligjeve për median dhe kundër shpifjes, si dhe bashkëpunimin e ngushtë me Zyrën e Përfaqësuesit të OSBE-së për Lirinë e Medias.

Kjo mbështetje për të përafruar legjislacionin e mediave me standardet ndërkombëtare është për t’u vlerësuar. Një legjislacioni i mirë për median mund të bëhet një model për të gjithë rajonin dhe më gjerë – dhe një sukses për Kryesinë që Shipëria pritet t’a marrë së shpejti. Reforma e sistemit të drejtësisë shqiptare mbetet thelbësore si pjesë e përpjekjeve të qeverisë për të përmbushur angazhimet e saj ndaj OSBE-së dhe gjithashtu për të përafruar vendin me standardet europiane. Rezultatet që kemi parë këtë vit në procesin e vettingut janë inkurajuese. Themelimi i institucioneve të reja të qeverisjes së drejtësisë në fund të vitit 2018 është një moment historik.

Kjo mund të kontribuojë në rifillimin e punës së Gjykatës Kushtetuese e cila mbetet pa kuorumin e nevojshëm, si dhe në funksionimin e Gjykatës së Lartë e cila ende duhet të mbushet me një numër të caktuar të gjyqtarësh të cilët kanë kaluar vetingun.

Ne jemi të bindur që reforma në sistemin e drejtësisë do të jetë transformuese edhe për fushat e tjera, përfshirë antikorrupsionin dhe luftën kundër kontrabandës dhe kultivimit të drogës, duke rritur besimin e shoqërisë në demokraci dhe praktikën demokratike. Ne e vlerësojmë kontributin e Prezencës së OSBE-së në procesin e një reforme thelbësore të sektorit të drejtësisë dhe do të mirëpresim emërimin e shpejtë të gjyqtarëve të rinj.

BE inkurajon Shqipërinë të vazhdojë bashkëpunimin e saj të mirë me Operacionin Ndërkombëtar të Monitorimit dhe të mbështesë përparimin e arritur deri tani.

BE mirëpret përpjekjet për krijimin e një bilanci të qëndrueshëm të hetimeve pro-aktive, ndjekjeve penale dhe dënimeve të formës së prerë në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, duke marrë parasysh se çmontimi i grupeve të krimit të organizuar mbetet një sfidë e rëndësishme dhe një objektiv thelbësor afatgjatë.

Theksojmë rëndësinë e angazhimit actual dhe pozitiv të Shqipërisë në luftën kundër kultivimit dhe trafikimit të drogave, me qëllim sigurimin e rezultateve të prekshme në këtë fushë specifike.

BE rithekson nevojën për masa efektive legjislative dhe politike për të forcuar mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe politikave antidiskriminuese, përfshirë trajtimin e barabartë të të gjitha pakicave dhe mundësinë e përdorimit të të drejtave për personat që u përkasin atyre në të gjithë Shqipërinë, dhe për të siguruar zbatimin e vazhdueshëm të ligji kornizë duke adresuar me akte nënligjore të gjitha çështjet e pazgjidhura, përfshirë të drejtën e vetëidentifikimit të lirë, si dhe nevojën për zbatim efikas të të drejtave pronësore.

BE vlerëson përafrimin e plotë të Shqipërisë me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të BE-së. BE mirëpret angazhimin e vazhdueshëm të Shqipërisë në bashkëpunimin rajonal, ndërsa vëren se dialogu i intensifikuar me vendet fqinje për të adresuar çështje të rëndësishme dypalëshe dhe për të siguruar marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë mbetet thelbësor. Si përfundim, dëshirojmë të falënderojmë Ambasadorin Borchardt dhe stafin e tij për punën e tyre me cilësi të lartë dhe bashkëpunimin e tyre aktiv politik dhe operacional dhe u urojmë suksese në aktivitetet e tyre”, thuhet në deklaratën e BE-së, në përgjigje të raportit të paraqitur nga ambasadori Borchardt përpara Këshillit të Përhershëm. /atsh

BE mbështet raportin e OSBE-së për Shqipërinë: Themelimi i institucioneve të reja të Drejtësisë, moment historik Read More »

Balla: Meta të mos ndërmarrë asnjë veprim tjetër në shkelje flagrante të Kushtetutës

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla në emër të Kuvendit i ka bërë sërish thirrje presidentit për reflektim duke kthyer institucionin që ai drejton në kufijtë e kompetencave të njohura nga Kushtetuta dhe duke mos ndërmarrë asnjë veprim tjetër në shkelje flagrante të Kushtetutës.

“Prioriteti i Shqipërisë për vitin 2020 mbetet fillimi i bisedimeve për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Kuvendi vijon normalisht diskutimin e buxhetit 2020, i cili mbështet fuqimisht reformat e ndërmarra që promovojnë rritjen ekonomike, punësimin, përmirësimin e cilësisë së shërbimeve për qytetarët dhe procesin e integrimit në Bashkimin Europian. Buxheti 2020 garanton vazhdimin e mbështetjes financiare për thellimin e reformave të nisura në sektorë kyç të ekonomisë. Reforma në drejtësi, e cila do të vijojë të marrë një mbështetje të konsiderueshme buxhetore, së bashku me reformën në administratën publike dhe reformën e menaxhimit të financave publike do të jenë instrumente të rëndësishëm të realizimit të prioriteteve të programit të Qeverisë në përputhje me interesat e qytetarëve për përmirësimin e nivelit të jetesës së tyre.

Në Buxhetin 2020 është parashikuar edhe kostoja shtesë për mbështetjen e institucioneve të krijuara në zbatim të reformës në drejtësi. Në planifikimin e investimeve publike për vitin 2020 janë mbajtur gjithashtu në konsideratë prioritetet e integrimit europian”, -thuhet në reagimin e Ballës.

Më tej, Balla thotë se “në Rezolutën e miratuar 7 ditë më parë “Kuvendi i Shqipërisë i bën thirrje Presidentit të Republikës të heqë dorë nga tentativat dhe aktet që bllokojnë zbatimin e Reformës në Drejtësi dhe funksionimin normal të organeve kushtetuese ku një prej më të rëndësishmeve është Gjykata Kushtetuese. Kuvendi i Shqipërisë në mënyrë të përsëritur i bën thirrje Presidentit të Republikës të reflektojë duke kthyer institucionin e Presidentit në kufijtë e kompetencave të njohura nga Kushtetuta dhe të mos ndërmarrë asnjë veprim tjetër në shkelje flagrante të Kushtetutës”. /atsh

Balla: Meta të mos ndërmarrë asnjë veprim tjetër në shkelje flagrante të Kushtetutës Read More »

Nxënësit e Dukatit të Ri pastrojnë rrugën kombëtare dhe shtigjet në Parkun e Llogorasë

“Ta Pastrojmë Shqipërinë” është aksioni që nisi sot në të gjithë Shqipërinë, për pastrimin e mjedisit nga mbeturinat urbane.

Këtij aksioni janë bashkuar në mënyrë vullnetare nxënësit e Dukatit të Ri të cilët së bashku me stafin e zonave të mbrojtura Orikum bënë pastrimin e rrugës kombëtare dhe shtigjeve në Parkun e Llogorasë.

“Nxënës nga Dukati i Ri, janë vullnetarët që iu bashkuan stafit të zonave të mbrojtura dhe administratës së Orikumit për pastrimin e rrugës kombëtare dhe shtigjeve në Parkun e Llogorasë, në kuadër të aksionit të pastrimit në të gjithë vendin”, shprehet ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi.

Aksioni ka në fokus pastrimin nga mbeturinat urbane, sensibilizimin e popullatës dhe institucioneve për problematikën e mbetjeve në vend dhe promovimin e një mjedisi të pastër dhe turizmi të qëndrueshëm dhe synon angazhimin e mbi 150.000 vullnetarëve në të gjithë Shqipërinë. /atsh

Nxënësit e Dukatit të Ri pastrojnë rrugën kombëtare dhe shtigjet në Parkun e Llogorasë Read More »

Ujësjellës Kanalizime Vlorë përmirësim të furnizimit me ujë për njësitë administrative

Ndërmarrja e Ujësjellës Kanalizimeve Vlorë po vijon me rimte të larta punën për përmirësimin e furnizimit me ujë të banorëve të qytetit bregdetar dhe njësive administrative të tij.

UK Vlorë bën të ditur se ditët e fundit zëvendësuam linjën e ujësjellësit në fshatin Panaja të njësisë Qendër, me qëllim furnizimin sa më cilësor me ujë të pijshëm.

Sipas UK, një vëmendje e veçantë i është kushtuar edhe realizimit të lidhjes me tubacionin e ujësjellësit “FI 200”, të banorëve nga zona e Pyjores deri pranë hekurudhës.

Po ashtu, në fokus të punës së kësaj ndërmarrje është edhe zbatimi me ritme i reformës së ujit, ku punonjësit e UK Vlorë kanë kryer kontrolle tek abonentët, për identifikimin dhe marrjen e masave për debitorët në zona të ndryshme të qytetit dhe në njësitë administrative, si dhe për vendosjen e matësave.

Punonjësit e UK Vlorë po punojnë edhe për riparimin e defekteve, ku është ndërhyrë në rrjetin e furnizimit me ujë, duke rehabilituar një defekt në rrugën “Pelivan Leskaj”./atsh

Ujësjellës Kanalizime Vlorë përmirësim të furnizimit me ujë për njësitë administrative Read More »

AKU paralajmëron tolerancë zero për bizneset që shkelin sigurinë ushqimore gjatë festave

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit paralajmëron tolerancë zero për të gjitha bizneset që shkelin sigurinë ushqimore, veçanërisht gjatë festave të fundvitit, periudhë në të cilën abuzimet rriten ndjeshëm.

Kreu i këtij institucioni, Robert Lili tha se AKU ka marrë masa për të garantuar sigurinë ushqimore të konsumatorëve.

“Kjo fushatë do të shtrihet në të gjithë vendin, tek të gjithë operatorët e biznesit ushqimor, kryesisht atyre me shumicë dhe stabilimentet e përpunimit dhe prodhimit të produkteve ushqimore. Sektorët më problematikë janë importuesit e mëdhenj të ushqimeve dhe stabilimentet e përpunimit dhe prodhimit të produkteve bujqësore”, – deklaroi Lili.

Sa i përket shqetësimit të ngritur për përdorimin e vajit të palmës, kreu i AKU-së tha se produkti nuk është i ndaluar, por bizneset që e përdorin duhet ta bëjnë të ditur prezencën e tij në etiketë.

“Ajo qe ne kemi kërkuar është se të gjitha subjektet që e përdorin dhe e tregtojnë në industrinë përpunuese ushqimore duhet të bëjnë prezent përmbajtjen e tij në etiketat e prodhimit”, – vijoi Lili.

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka kryer rreth 82 mijë inspektime nga janari deri në tetor të këtij viti./atsh

AKU paralajmëron tolerancë zero për bizneset që shkelin sigurinë ushqimore gjatë festave Read More »

Meta: Zëdhënësi Blushi është shantazhuar, kam kërkuar hetim

Presidenti Ilir Meta deklaroi sot së zëdhënësi i tij, Tedi Blushi është shantazhuar në emër të një ambasade të huaj.

“Po zëdhënësi im, Tedi Blushi është shantazhuar në emër të një ambasade të huaj në Tiranë, që të tërheqë një postim të bërë sot paradite për shkak të detyrës brenda 30 minutash”, shprehet Meta.

Presidenti Meta kërkoi hetim të menjëhershëm, ndërsa paralajmëroi diplomatët e huaj për kërcënimin.

“Kam kërkuar hetim të menjëhershëm. Shpresoj të jetë lojë e Rilindjes, por mjerë ata diplomatë që mund të kenë kërcënuar zëdhënësin e Presidentit të Republikës”, thekson ai. /atsh

Meta: Zëdhënësi Blushi është shantazhuar, kam kërkuar hetim Read More »

Kushtetuesja, Bardhi: Komisioni i Venecias nuk jep vendime, Shqipëria nuk mund të mbetet peng

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, ka reaguar në emër të kësaj të fundit lidhur me çështjen e Gjykatës Kushtetuese.

Bardhi rikonfirmon edhe njëherë qëndrimin e PD se Edi Rama po tenton të kapë e kontrollojë politikisht Gjykatën Kushtetuese. Kjo sipas tij, “cenon besimin e qytetarëve tek Reforma në Drejtësi. Kjo është në kundërshtim me qëllimin madhor që kishte dhe duhet të ketë Reforma në Drejtësi, që të shkëpuste drejtësinë nga politika. Kjo bie ndesh me kërkesën e partnerëve tanë ndërkombëtarë për drejtësi të pavarur”.

Sekretari i PD thotë se mbështesin plotësisht qëndrimin institucional dhe kushtetues të Presidentit të Republikës për emërimet në Gjykatën Kushtetuese.

“Lidhur me dërgimin e çështjes në Komisionin e Venecias, Partia Demokratike shpreh bindjen se për Shqipërinë dhe qytetarët e saj është me rëndësi themelore vënia në funksionim sa më parë e Gjykatës Kushtetuese. Duke pasur në konsideratë se Komisioni i Venecias nuk jep vendime, por opinione, e vetmja pasojë do të ishte vonesa e bërjes funksionale të Gjykatës Kushtetuese dhe hapja e një debati tjetër mbi lexime të kundërta të çfarëdo opinioni të Komisionit të Venecias nga palët. Shqipëria nuk mund të vazhdojë të mbetet peng i këtyre debateve. Shqiptarët nuk meritojnë të mbeten për muaj të tjerë pa Gjykatë Kushtetuese”, – shprehet Bardhi.

Ky debat, sipas reagimit të sekretarit të PD, vetëm sa shtyn bërjen funksionale të Gjykatës Kushtetuese, e zvarrit atë dhe pamundëson që Shqipëria të ketë Gjykatën Kushtetuese funksionale deri në fund të vitit.

Sakaq lidhur me çështjen e Besnik Muçit pas vendimit të KPA-së, Bardhi thotë se “Partia Demokratike nuk ka komentuar dhe nuk do të komentojë asnjë vendim të Vetingut për përjashtim nga sistemi i drejtësisë, me të drejtë, ose me të padrejtë. Ka një numër vendimesh për përjashtim të cilat, në pamje të parë, të japin perceptimin e një padrejtësie, por detyra jonë nuk është t’i komentojmë ato”.atsh

Kushtetuesja, Bardhi: Komisioni i Venecias nuk jep vendime, Shqipëria nuk mund të mbetet peng Read More »

Firmoset marrëveshja, bashkëpunim në shëndetësinë ushtarake me Italinë

Në Romë është firmosur protokolli i bashkëpunimit mjekësor ushtarak mes Spitalit Universitar të Traumës dhe Spitalit Ushtarak “Celio”.

Lajmin e bëri të ditur ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka e cila e konsideroi këtë marrëveshje një hap tjetër në forcimin e marrëdhënies së shkëlqyer mes Forcave të Armatosura shqiptare dhe atyre italiane.

“Pas modernizimit, misioneve ndërkombëtare dhe stërvitjeve, tashmë do të kemi një bashkëpunim edhe në fushën e shëndetësisë ushtarake, çka do të ndikojë në përmirësimin e procedurave mjekësore për parandalimin, diagnostikimin dhe trajtimin e efektivëve brenda vendit, si dhe në operacionet ndërkombëtare”, u shpreh Xhaçka. /atsh

Firmoset marrëveshja, bashkëpunim në shëndetësinë ushtarake me Italinë Read More »