Pas interpelancës së kërkuar për Sandër Lleshajn, në lidhje me situatën e rendit në vend dhe rritjen e trafikut të drogës, deputeti i opozitës parlamentare, Korab Lita ka marrë sërish fjalën dhe e cilësoi ministrin e Brendshëm si “më të dështuarin” në krye të këtij institucioni qeveritar.
“Kur inskenoni ndonjë operacion, arrestoni kryeplakun e fshatit që paguhet me 10 mijë lekë në muaj. Apo ndonjë fshatar me 10 rrënjë kanabis. Pika që s’ju bie! Çfarë është bërë me ngjarjet e rënda në vend, vrasjet e grabitjet? Në Tv jepen me autorë, ngjarje të zbuluara, por më pas përfundojnë pa autorë, të pezulluar, – tha Lita. – Gjergj Cukalin e arrestuat me bujë, por në fund e liruat për mungesë prove. Kush mban përgjegjësi për arrestimet e gabuara. Çfarë u bë me vrasjen e dyfishtë në Malësinë e Madhe? Ti je ministri më i dështuar që ka pasur ministria e Brendshme ndonjëherë, nëse do të kishe pak nder morali dhe ushtarak kurrë nuk do të përdorje figurën e policit në formë fyerje. Ty në ministri nuk të bindet askush. Ti e urren figurën e policit“.
Në replikë, Lleshaj tha se qëllimi i deputetëve të opozitës është të thotë parrulla politike.
“I gjithë qëllimi i interpelancës urgjente është për të marrë foltoren dhe për të thënë nja 2 -3 parulla politike, të cilat nuk di se kush do i dëgjojë dhe çfarë dobie do iu sjellin, uroj që t’ju sjellin, por të jeni të bindur që nuk do ju sjellin gjë”. /noa.al/
Eksperti i shëndetit public, Erion Dasho ka reaguar pas bashkëbisedimit të sotëm të Ministres së Shëndetësisë Ogerta Manastirliu, ku foli për situatën kaotike në vend për shkak të përhapjes së Covid-19.
Përmes një statusi të titulluar “Një aktore e keqe në një interpretim patetik”, Dasho ka akuzuar Manastirliun si një person të paaftë për atë pozicion, teksa e ka këshilluar të japë dorëheqjen dhe t’i lë vendin një eksperti.
Reagimi i plotë i Erion Dashos:
Një aktore e keqe në një interpretim patetik
Më erdhi çudi kur një mesazh i një miku më sugjeroi të shikoja një fjalim prej më shumë se një orë të ministres së shëndetësisë për gazetarët.
Sigurisht, duke mos e patur kohën të tepërt dhe duke shfrytëzuar mundësinë që të jep teknologjia shpenzova rreth 5 minuta për të kuptuar se fjalimi ishte demagogji e pastër e stilit rilindas, pa asnjë përmbajtje, të cilin ministrja si aktore mediokre e interpretonte me gjestikulacione dhe një tonalitet zëri thellësisht patetik.
Tema kryesore ishte “do të”, pra nami që do të bëjë ministrja në të ardhmen (ndoshta kur COVID të ketë ikur) dhe çuditërisht lajmi se do të vijnë (përsëri “do të” vijnë) 200 mijë teste për COVID.
Kjo pavarësisht se shefi i vet, kryeministri, dje tha se testet kërkojnë ti bëjnë ata që kanë interesa të lidhura me kompanitë farmaceutike dhe se testet nuk kanë vlerë.
Megjithëse bëra edhe një status të shpejtë me këtë temë, miku virtual nuk u kënaq dhe sërish më pyeti “Po për fundin e intervistës çfarë mendon?” Me insistimin e tij se në atë fund interviste ministrja bënte një debat në distancë me ato që kam shkruar e folur unë gjatë muajve të fundit, i pashë edhe 10 minutat e famshme.
Nuk e di dhe as jam i interesuar ta di në se debati ka qënë me mua apo kolegë të tjerë të mi, por ato 10 minuta më lanë një shije shumë të keqe.
Së pari, ministrja duke harruar se nuk jeton as në Bjellorusinë e Lukashenkos dhe as në Korenë e Kim Jong-unit i jepte porosi gazetarëve se kë ekspert duhet të intervistojnë dhe kë jo.
Së dyti, me një falsitet revoltues promovonte mjekët e familjes dhe ata të spitaleve COVID duke theksuar se ata po luftojnë çdo ditë me “armikun e padukshëm” dhe po përballohen me privacione të përshkruara sërish me stil patetik. Këtyre mjekëve ministrja bën mirë t’u dërgojë protokollet dhe t’i trajnojë si t’i përdorin pasi deri tani i ka dërguar në luftë me pushkë me gjalm. Mjekët të ç’orientuar kanë bërë shpesh (shumë herë jo për faj të tyre) gafa duke shkaktuar më shumë dëm se sa dobi
Së treti, midis kolegëve ka mantelbardhë heronj, sikundër ka edhe pazarexhinj që po marrin përqindje nga farmacitë dhe çarterat e Turqisë apo që i kanë kthyer klinikat private në çerdhe spekulimi. Ministrja bën mirë të ndajë miellin nga krundet që gazetarët të mos t’i shërbejnë spekulantëve në vend të engjëjve.
Zonja ministre,
Sot duke ju parë në konferencën për shtyp më kujtuat ata nxënësit e dobët që kur shkruanin ndonjë hartim mediokër, e lexonin me intonacion me qëllim që të preknin zemrën e mësuesit për ndonjë notë më tepër.
Më erdhi keq për orët që kam harxhuar me ju në vitin 2013, kur erdhët si drejtore e QSUT-së dhe mbaje me vete një libër menaxhimi. Mundohesha të sqaroja parimet e menaxhimit shëndetësor dhe rolin e teknologjisë, por më kot se vetmja gjë që kërkove nga qendra e telemjeksisë ishte një faqe interneti. Kaq ishte dhe kaq ngeli “vizioni” juaj në QSUT!
Më shumë keq më erdhi për orët e kaluara në mars 2020 në zyrën tuaj kur mundohesha të mbushja mendjen tuaj dhe të komitetit se nevojitej përfshirja e mjekëve të familjes në dhënie këshillash telefonike për qytetarët e kthyer nga Italia, për të vendosur një sistem survejance dixhitale, për të filluar trajnimin e mjekëve në spitalet rajonale dhe për të forcuar sistemet e logjistikës. Këto masa, ju dhe komisioni juaj i “heronjve” nuk i keni marrë as sot dhjetë muaj më pas!
Prandaj, zonja ministre, më lejoni t’ju jap një këshillë të tretë dhe qoftë e vërteta.
Ikni dhe lërini vendin dikujt që di të hartojë politika shëndetësore dhe strategji, dikujt që ka aftësi organizative, dikujt që dëshiron t’u shërbejë qytetarëve dhe jo oligarkëve.
Do të bëni mirë t’i kurseni qytetarëve patetizmat dhe t’i lini të jetojnë.
Kanë kaluar më pak se 2 muaj, kur zëvendës Presidentja e “Fundjavë Ndryshe”, Emina Çunmulaj dha lajmin se do të merrte përsipër realizmin shtëpisë për familjen Poçi në Librazhd. Prej atëherë është punuar me ritme të shpjeta me qëllim që familja të mos e kalojë më dimrin në çadër.
Sot, teksa punimet janë drejt përfundimit, për familjen do të nis një jetë e re. Arben Poçi jeton në fshatin Hotolisht, në Librazhd, së bashku me bashkëshorten dhe 4 fëmijët. Prej kushteve shumë të rënda ekonomike, ata jetonin në çadër.
Arbeni e kishte shumë të vështirë të kujdesej për familjen e vetë, pasi ishte i pamundur për të punuar. Një incident në moshën 2-vjeçare i solli dëmtimin e njërës dorë. Pavarësisht kësaj çdo ditë ai dilte të mblidhte bimë medicinale, por paratë e mbledhura nga shitja e tyre nuk mjaftonin për të ushqyer fëmijët, e aq më pak të siguronin të ardhurat për të realizuar ndërtimin e shtëpisë.
Emina Çunmulaj sapo u njoh me rastin, premtoi që në bashkëpunim me “Fundjavë Ndryshe” do e ndërtonte ajo shtëpinë e re për këtë familje dhe tashmë dy muaj më pas, familja e Arben Poçit po shikon se si po ndërtohet streha e tyre e re.
‘Maskat’ është një nga rubrikat e shumta të emisionit “E Diell” në Top Channel. Kjo rubrikë, drejtohet nga moderatorja Megi Pojani, e cila për arsye se ka rezultuar pozitive me COVID-19, nuk është e pranishme në studio, e në moderim këto javë të izolimit atë e ka ndihmuar Edi Manushi.
Një nga të ftuarit e “Maskave” ishte deputeti konservator Kujtim Gjuzi.
I veshur me kostum tradicional të trevës së Tiranës dhe me një “kobure” në dorë, Gjuzi suprizoi jurinë e përbërë nga Olti Curri, Zajmina Vajsari dhe Eranda Libohova, me këngën “Tirona Kampion”.
Edhe pse Zajmina u “frikësua” nga gjuajtjet në ajër të “kobures” që Gjuzi mbante në dorë, deputeti theksoi se princeshave dhe zonjave të bukura nuk i gjuhet, prandaj, atë nuk duhet ta kenë frikë.
Politika në Shqipëri prej muajsh është përfshirë në debat në lidhje me situatën e koronavirus në vend.
Partia Demokratike ka publikuar një plan me pesë pika, me pretendimin se ndihmon në përballimin e kësaj situate.
Dhe në sinkron me këtë, opozita akuzon Qeverinë se ka dështuar në menaxhimin e epidemisë.
Kreu i PD-së, Lulzim Basha, ka shkruar në rrjetet sociale se Shqipëria ka nevojë për shpresë të re.
“Shumë pak, shumë vonë. Ka mbi 6 muaj që kemi propozuar plan masash për të përballuar pandeminë. Fatkeqësisht Rama nuk e ka zbatuar. Sot e kësaj dite, Shqipëria është e fundit në çdo fushë. Ndihma ekonomike për është më e ulëta. Shëndetësia është në kolaps. Ekonomia në krizë.
Shqipëria ka nevojë për shpresë të re. Vendi ka nevojë për një qeveri që kujdeset për qytetarët e tij dhe fuqizon ekonominë. Ne jemi të vetmit që mund ta bëjmë këtë! Është koha që Shqipëria të ketë një qeveri që punon për njerëzit”, shkruan Basha. /noa.al/
Sekretari i përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi reagoi pas deklaratave të Ramës në Fier në aktivitetin “Deputeti që duam”.
Bardhi u shpreh se në një orë fjalim Rama përsëriti të njëjtat gënjeshtra, duke u shfaqur edhe njëherë si një Kryeministër pa ide dhe pa bilanc.
“Mjafton të dëgjosh Edi Ramën për të kuptuar se në 8 vite pushtet si Kryeministër dhe 23 vjet në politikë nuk i ofroi asgjë shqiptarëve, asnjë ide, asnjë premtim i mbajtur, asnjë zhvillim”, theksoi Bardhi.
“Socialistët e ndershëm e duan Shqipërinë dhe zhvillimin e vendit, prandaj më 25 prill do ta refuzojnë masivisht”, theksoi Bardhi. /atsh
Teksa po fliste për situatën politike në Shqipëri e Kosovë, ku disa nga ish-eksponentët më të lartë të UÇK-së, kanë dalë para Dhomave të Specializuara të Gjykatës së Hagës, analisti, Artur Zheji komentoi raportin e shqiptarëve në tërësi me pushtuesit.
Ai i krahasoi shqiptarët me kameleonët, të cilët, për t’iu përshtatur egërsisë së xhunglës ndryshojnë ngjyrën e lëkurës.
Shqiptarët sipas Zhejit, të ndikuar dhe nga pushimet qindra vjeçare kanë ndryshuar “ngjyrën e lëkurës” për t’u përshtatur me pushtuesit dhe gjeopolitikën në tërësi.
Zheji foli sot në studion e emisionit “Top Talk”, në TCH.
“Kemi krizë të fortë indetitare, pra ne jemi një popull akoma kameleontik. Marrim ngjyrën e atij që na p ushton, por mbeteni nën këtë petk po ashtu shqiptar, kjo ka qenë ndoshta e vetmja formë për të mbijetuar”.
“Historia jonë është histori pushtimesh, të paktën këto 1 mijë vitet e fundit, nga Bizanti tek Perandoria Osmane e të tjera. Pra ne jemi një popull shumë kameleontik, pra kemi pasion si ajo kafsha që ndryshon ngjyrën për t’iu përshtatur xhunglës dhe ne xhunglës gjeopolitike që na ka rrethuar jemi përshtatur duke marrë ngjyrat e pushtuesit, kur pushtuesi ikën heqim atë lëkurë dhe dalim prapë shqiptar”.
“Këto instinkte kanë mbetur shumë të forta tek shqiptarët. Sigurisht jemi shumë tradhtarë të vetes tonë dhe të atyre që na rrethojnë”, tha Zheji.
/NOA.al
Është arritur një marrëveshje mes qeverisë dhe naftëtarëve grevistë, ku parashikohet një pagë prej 40 mijë lekësh për 12 muaj.
Nga kjo marrëveshje pritet të përfitojnë 870 naftëtarë. Ndërkohë 15 mijë lekë të tjera për çdo punonjës për një vit rresht do të paguhen sigurimet shëndetësore.
Në total për çdo muaj, për një vit rresht, naftëtarët do të marrin nga 58 mijë lekë, çka është pranuar prej tyre.
Marrëveshje mes qeverisë dhe naftëtarëve erdhi pas ndërprerjes së grevës që naftëtarët kishin nisur prej ditësh, ku kërkonin pagat e prapambetura dhe rikthimin në punë.
Fillimisht grevistët nuk pranonin të uleshin për të biseduar me qeverinë.
Por pas thirrjeve të kryeministrit Rama për të ndërprerë grevën, u arrit një marrëveshje.
Pas këtij takimi, Rama teksa edhe u mbyll greva, tha se “ajo që ne kemi vënë në dispozicion për 870 naftëtarë dhe punonjës të rafinerisë është pritur me shumë pozitivitet nga ana e tyre”.
“Natyrisht në këtë kohë kaq të vështirë, ku duhet të kalkulojmë si asnjë herë më parë në eksperiencës time. Nuk është e lehtë, por jemi të bindur se bëmë të duhurën. 40 mijë lek neto në mënyrë që të kenë garancinë e një page mjaftë të arsyeshme duke marrë parasysh edhe situatën që kanë kaluar”, u shpreh kreu i qeverisë.
“Kemi qarë hallin si një familje. Askush nuk do të jetë vetëm. Do bëhet për këdo që është në nevojë. Ne nuk i kemi të pakufizuara mundësit. Por ky grup i meriton. Është një rafineri që kërkon investim të konsiderueshëm. Vazhdojmë intesivisht procesin, në momentin që do jetë investitori ata nuk do kenë nevojë për mbështetjen që janë paga të konsiderueshme. Ne jemi në kontakt me tre kompani janë të mëdha dhe të rëndësishme por koha është problem”, theksoi kryeministri pas takimit të mbrëmjes së sotme./NOA.al