Dukati

Sokol Balla i zë vendin?/ Rudina Xhunga tregon të vërtetën

Një ndër të ftuarat në “Shiko Kush LUAN” në Top Channel, ishte gazetarja Rudina Xhunga. Në sfidën përballë Anita Haradinajt, Xhungës iu drejtua edhe një pyetje lidhur me faktin se në çdo televizion që është ajo, shkon dhe e “zëvendëson” Sokol Balla. Kështu që gazetarja tregoi si qëndron e vërteta e kësaj “përndjekjeje”.

“Rudina, si është e mundur që në çdo televizion ku ti ke punuar më parë ka ardhur më pas Sokol Balla dhe ty të është dashur të largohesh. Sot në “Shiko Kush Luan” duam të dimë nëse ka qenë kjo zgjedhje e juaja apo ka patur arsye të tjera?! Ndaje me ne ose d igju…” ishte kjo pyetja që i drejtoi Anita.

“Nuk di gjem unë për Kol Ballën. Nuk ka qenë zgjedhja ime, nuk ikën njeri nga qejfi, por herën e fundit e kam pyetur burrin: Në “Dritare”, po erdhi Koli, çfarë bën ti? Im shoq tha: Me ty përjetë, me Kolin jo, unë nuk ndahem. Kështu që unë deri në fund me Dritaren. Se me fr ikë është kjo punë”, u shpreh Rudina Xhunga në sfidën “Ndaje ose di gju”.

Sokol Balla i zë vendin?/ Rudina Xhunga tregon të vërtetën Read More »

Duket se demokratët janë përgatitur për humbjen më 25 prill/ Opinion nga Mustafa Nano

OPINION nga Mustafa Nano

Duket se demokratët janë përgatitur për humbjen më 25 prill. Dhe nëse ka mes tyre që ende janë të papërgatitur, do të duhet ta shfrytëzojnë kohën që ka mbetur deri në ditën e zgjedhjeve pikërisht për këtë qëllim: duhet ta përgatisin veten. Ndryshe, do t’iu bjerë në kokë apansëz. Por nuk ka pse. Nuk iu falet. Gjërat janë kaq të qarta. O e dinë ata këtë gjë, o nuk e di njeri tjetër. Nëse nuk e dinë, atëherë po bëj unë një përpjekje për t’i ftilluar.

Ata nuk kanë qenë asnjëherë shumicë në këtë vend. Mund të ishin fare mirë shumicë, por i dhanë partisë një frymë e orientim pakice. Erdhën në pushtet në vitin 1992 me ndihmën e votave të mijëra njerëzve të së majtës, të cilët ishte e qartë se nuk u tërhoqën prej PD-së. Ishte vetëdija se ndryshimin nuk mund ta ndalnin (edhe po të mos e donin), ishte edhe dëshira e vullneti për të qenë në anën e duhur të historisë, që i shtrënguan të bënin një zgjedhje të panatyrshme e të fortë: ia dhanë votën partisë së Sali Berishës e të Azem Hajdarit. Por u mor vesh që në krye të herës se atyre do t’u duhej shumë pak, një zhgënjim fare i vogël, për t’u kthyer në origjinë. Dhe zhgënjimet jo vetëm ishin të shumta e të mëdha, por erdhën sa hap e mbyll sytë.

Një parti, edhe sikur t’ia vinte për qëllim programor vetes të provokonte antipati e animozitet në shoqëri, nuk do mundte ta bënte aq shpejt sa e bëri PD-ja. Tre muaj iu deshën. Në mars të vitit 1992 erdhi në pushtet, e në qershor humbi bujshëm zgjedhjet lokale. Ujërat elektoralë të PD-së zunë sakaq shtratin e vet. Votat “renegate” u kthyen në lumin e të majtës. Zunë të ripërvijohen shtretërit e ujërave elektoralë. Ishte viti 1997, sidoqoftë, që u dha formë një herë e mirë këtyre shtretërve. Më pas, asgjë nuk ka ndryshuar: përballë përroit elektoral të PD-së (të vrullshëm, por gjithsesi përrua) ka qenë lumi elektoral i PS-së (i qetë, por gjithsesi lumë).

PD-ja erdhi në pushtet edhe një herë tjetër. Së pari duke dhënë përshtypjen se kishte nxjerrë mësime nga historia. Berisha aktroi shkëlqyeshëm atë mot, duke i bërë shumë njerëz të besojnë se ai ishte bërë tjetër njeri, se kishte kryer kushedi se ç’seanca egzorcizmi dhe ishte bërë më në fund njeri normal. Ai hapi derën për të larguarit e të dëbuarit dhe afroi fytyra të tjera të reja, siç ishte edhe fytyra e Lulzim Bashës. (Sot Lulzim Basha është një mërzí e gjallë, por në vitin 2003 ndillte kërshëri e interes.) Por prapëseprapë, nuk pati ndonjë vërshim kushedi se çfarë ujërash elektoralë në shtratin e PD-së, edhe pse Fatos Nano qeverisi për tetë vjet në mënyrën më të keqe të mundshme, duke treguar se nuk ishte për atë punë.

Besonte verbërisht se çfarëdo që të ndodhte e sido që të qeveriste, nuk kish se si të humbte përballë Berishës. Për këtë arsye, nuk i dha rëndësinë e duhur çarjes të së majtës. Ai e lejoi dhe e provokoi këtë çarje. Dhe kështu, PD-ja erdhi sërish në pushtet në vitin 2003. Në vitin 2008 mori mandatin e dytë, ngaqë puqi telat me LSI-në. Pas rënies në vitin 2013, ajo nuk e ka marrë më veten. Pse? Sepse përroi elektoral i Berishës është tharë prej Bashës. Por edhe sepse përballë nuk është më Fatos Nano, përtac e moskokëçarës. Është Edi Rama, që është – për ta thënë me fjalët e tij – një kafshë politike e nivelit të Enver Hoxhës.

Ka vetëm një rrugë që Partia Demokratike të bëhet kompetitive. Ajo duhet të fitojë vëmendjen e atyre shqiptarëve, që nuk kanë qenë asnjë herë tifozë të saj. Mirëpo, nuk e ka bërë këtë. Ka ecur në një rrugë tjetër, të kollajtë, e shumë familjare e të njohur për demokratët. Është përpjekur ta mbajë mirë me bazën e partisë, edhe pse e di se ajo nuk i mjafton. E prandaj ka mbetur ende e njëjta parti, s’ka gjë se e drejton Basha. Këtij të fundit iu dha një shans i madh. I erdhi në dorë një parti e rëndësishme, anëtarët e së cilës janë mësuar të ndjekin nga pas prijësin e tyre.

E kishte në dorë pra, ta orientonte atë parti në një mënyrë tjetër, me synimin për ta bërë një parti shumice. Dhe gjëja e parë që duhej bërë ishte deberishizimi i saj. Mund ta arrinte këtë gjë edhe pa e shpallur si objektiv. Madje, edhe duke e ruajtur Berishën si mumie të historisë. Por Basha as që e pati në mendje. Përkundrazi, u duk se të vetmin merak kishte t’u dëshmonte shqiptarëve se partia ishte e Berishës në trup e në shpirt. Edhe e Azemit. Basha nuk harroi kurrë të shkonte një herë në vit te përmendorja e “heroit të demokracisë”. Shumica e shqiptarëve nuk donin më shumë se kaq për të mos e votuar.

Por Basha u dha më shumë. Ai ndërtoi opozitën më të dobët të Shqipërisë postkomuniste, një opozitë që do t’u rrinte mirë viteve ‘990. Provë e kësaj që sapo thashë janë – përveç shumë të tjerash – inkursionet në Europë për të denoncuar mafien e Tiranës, apo diskursi politik që ka adoptuar në Tiranë, të mbushur me shprehje të llojit: “mbi trupin tim do kalojë”, “Ramën do ta tërheqim zvarrë”, “kush guxon të prekë votën, luan me kokën”. Kjo i ka bërë shqiptarët ta shohin Bashën si një palo imitues të një shembulli të keq. Shqiptarët e rrëzuan Berishën (dhe Bashën me të), ngaqë i panë si të korruptuar e të dhunshëm, deri edhe vrasës.

E prandaj, atyre u vijnë zorrët te goja prej betejave të Bashës për votën e lirë, kundër korrupsionit, kundër gazit lotsjellës në protestat e opozitës etj. Këto janë beteja që Basha nuk mund t’i bënte pa kërkuar një ndjesë të thellë publike të tipit: “Të dashur qytetarë, ju kërkoj falje! PD-ja është përgjegjëse, pasi ka kontribuar në ndërtimin e një sistemi të korruptuar qeverisës. Ajo është përgjegjëse, pasi futi vjedhjen e grabitjen në praktikën elektorale shqiptare. Ajo është përgjegjëse, pasi është sjellë me opozitën ashtu si asnjë parti tjetër në pushtet në tridhjetë vitet e fundit; katër vrasjet në bulevard janë një njollë e zezë e pashlyeshme në historinë e vendit tonë; etj., etj.”

Në vend që ta pastronte biografinë 30-vjeçare të PD-së me një ndjesë të tillë publike, ai e nxiu edhe më atë biografi, duke marrë dy vendime fatalisht të gabuara. Urdhëroi djegien en bloc të mandateve të deputetëve të vet, dhe pas kësaj, e ndaloi PD-në të merrte pjesë në zgjedhjet lokale. Këto dy vendime janë etiketuar në publik në mënyra të ndryshme (sapo i quajta “fatalisht të gabuara”), por në fakt ato kanë qenë më shumë sesa kaq. Ato kanë qenë të rrezikshme, të çmendura, të ndyra, sepse synonin ta linin vendin përballë dy e vetëm dy alternativash: ose rrëzimin e qeverisë, ose luftën civile.

E dyta u ndalua falë ndërhyrjes të të huajve. Por edhe falë Sandër Lleshajt që, në vend që të vriste njerëz në bulevard (precedenti ishte), zgjodhi t’i “helmonte” me gaz lotsjellës. Por dështimi nuk duhet të na heqë nga mendja faktin që djegia e mandateve dhe bojkotimi i zgjedhjeve lokale janë gabimet më të pafalshme të ndërmarra nga politika shqiptare pas vitit 1997. Përsëris: ishin vendime që synuan luftën civile, e cila u shmang ngaqë Basha nuk mundi, e jo ngaqë Basha nuk donte. Shqiptarët e dinë kaq gjë. E nuk ia falin. E prandaj, s’do ta kenë për gjë t’ia japin votën të majtëve, sido që mund të mendojnë që këta e kanë bërë baltë.

Tani është radha e një gjëje tjetër që duhet ta dinë demokratët. Ka edhe një faktor shtesë që e ndihmon fitoren e së majtës. Kjo gjë e ka emrin “kodi zgjedhor”. Një parti e madhe do duhet të rritet/zvogëlohet me mijëra vota në një qark, në mënyrë që të fitojë/humbë një deputet në Kuvend. PD-së, për të shpresuar, do t’i duhet të marrë në çdo qark 20-30 mijë vota më tepër sesa në zgjedhjet e shkuara. Mirëpo, kjo nuk ka gjasa që të ndodhë. Sepse aritmetika elektorale është një puzzle i njohur tanimë. Edhe sikur qielli e toka të kthehen përmbys, PS-ja nuk mund të marrë më pak se 3 deputetë në Shkodër, 3 në Lezhë, 18 në Tiranë, 10 në Fier, 6 në Korçë, 4 në Berat, 7 në Elbasan, 2 në Gjirokastër, 8 në Vlorë, 1 në Dibër, 1 në Kukës, 7 në Durrës etj. Këto janë shifra, poshtë të cilave PS-ja e ka të pamundur të zbresë, edhe sikur të dojë. Dhe kështu, në versionin më të keq, PS-ja nuk zbret dot nën 70 deputetë.

Është lumi i saj i qëndrueshëm elektoral (që nuk ka të bëjë fare me mënyrën se si ajo ka qeverisur) dhe kodi zgjedhor që e gatuajnë këtë situatë, e cila mund të përmbyset veç nga një proçkë kolosale e Edi Ramës (fjala vjen, nëse zbulohet se ai ka porositur që vaksinat kundër COVID-it të kenë cianur në përmbajtjen e tyre). Ose mund të përmbyset nga një erë e fortë ndryshimi. Por këtë erë ndryshimi nuk mund ta krijojë partia e Sali Berishës dhe Azem Hajdarit, që drejtohet prej Lulzim Bashës. Prandaj, më 25 prill 2021 demokratët nuk ka kuptim të presin që të vijë Lulzim Basha në pushtet. Çdo gjë e çuditshme mund të ndodhë atë ditë (ndoshta mund të zhduken edhe Trump-istët nga faqja e dheut), por jo ndërrimi i pushtetit në Shqipëri.

Kështu janë gjërat, të dashur demokratë.
/NOA.al

Duket se demokratët janë përgatitur për humbjen më 25 prill/ Opinion nga Mustafa Nano Read More »

Dimër në Orikum!/ Poezi nga Laureta Petoshati

Dimër në Orikum
Poezi nga Laureta Petoshati
Është dimër në Orikum. I ftohtë janari.
Trëndafili i erërave shpalos retë
mbi det, gadishull e çdo qafë mali,
legjendat kanë ngrirë me erën që të pret.
Buzë rrugës ca trëndafila të bardhë,
ikur aroma, me shkëlqim si pas xhamash
fustane nusesh varur një kohë të gjatë,
presin e presin në ëndrra vajzash.
Në Orikum trëndafilat s’presin askënd
as t’i ujisë, as t’i këpusë, as për buqetë,
i shpalosin diellit largimin që u dhëmb,
me tokën, me rrënjët janë lidhur përjetë.
Fryn era dhe deti vjell kripë e dallgë
trëndafilat e bardhë janë egërsuar
me dinjitet kalorësiak durojnë çdo plagë
që u hapet dhe i vdes sa bora të ketë shtruar.
Rruzull i shumëfishtë trëndafilash Orikumi,
vjen vargmal në det lumi duke zbritur,
rrjepur brinjët era, dergjet Karaburuni,
Joni ngadhënjimtar në këmbë krejt i ngritur.
© Vlorë 16 janar 2016

Dimër në Orikum!/ Poezi nga Laureta Petoshati Read More »

Aktori i njohur i humorit Julian Deda: Kujdes, ‘Tirja’ e vërtetë është në krye të qeverisë

Aktori i njohur i humorit Julian Deda ka reaguar lidhur me arr estimin e një sanitareje në spitalin Covid 2, pasi është akuzuar se merrte lekë për të sëmurët.

Madje në denoncimin e një vajze, e cila humbi të ëmën, sanitarja e kishte mashtruar duke u hequr si infermiere dhe i kishte marrë plot 8 milion lekë për rreth një muaj.

Julian Deda, i cili është propozuar kandidat për deputet nga PD, tha se “Rama që falënderon Stop-in dhe quan dele të zezë sanitaren që u hoq si infermiere, duke u distancuar nga ajo sikur të mos ketë gisht në këtë punë, do sillej krejt ndryshe nëse kjo ngjarje nuk do të merrej vesh”.

Julian Deda ironizoi qeverinë, se po të mos ishte bërë publik ngjarja, sanitarja do të merrte dekoratë.

Postimi i plotë nga Julian Deda:

Ky Rama që falënderon Stop-in dhe quan dele të zezë sanitaren që u hoq si infermiere, duke u distancuar nga ajo sikur të mos ketë gisht në këtë punë, do sillej krejt ndryshe nëse kjo ngjarje nuk do të merrej vesh.

Imagjononi per pak sikur pacientja (ndjese paste) te mos kishte nderruar jete. As nuk do ta merrnim vesh egzistencen e Tires. Kush e di me sa paciente eshte sjelle ne te njejten menyre, une besoj me shume te tille, sepse nuk besoj se rasti i fundit ishte i pari per te.

Pra Tirja ka kaluar neper duar shume paciente, te cilet me sa duke i kane shpetuar virusit dhe sot jane gjalle (shyqyr Zotit).

Nese nuk do kishte nderruar jete pacientja e saj e fundit, sot Tirja do vazhdonte me te njejten procedure me paciente te tjere.

Nese pacientja e fundit nuk do kishte nd erruar jete dhe Tirja do vazhdonte punen e saj sanitaro-infermierike, do ta kishin pikasur dhe do ta kishin raportuar ne zyrat e propagandes se rilindjes si model suksesi.

Pra nese nuk do ndodhte tragjedia, propaganda e Edi Rames do ta dekoronte Tiren me titullin “Bleta e Arte” me motivacionin, “Punoi me vetmohim, duke u perballur dhemb per dhemb me pandemine dhe duke rezikuar veten, per te sheruar shqiptaret.”

Por per fatin e saj te keq, Tires i ndodhi fatkeqesia dhe sigurisht ajo duhet te marre denimin e merituar, jo vetem per ate qe ka bere por per te parandaluar Tiret e tjera qe sillen spitaleve te shtetit.

Ky eshte rasti ideal per te kuptuar se Tiret, jane thjesht ajo qe shohim dhe se e padukshmja eshte thelbi. Nese sitemi do funksiononte, Tirja do bente verem punen e saj.

Kujdes, “Tirja” e vertete eshte ne krye te qeverise./noa

Aktori i njohur i humorit Julian Deda: Kujdes, ‘Tirja’ e vërtetë është në krye të qeverisë Read More »

Cfarë tha në p olici sanitarja mashtruese

“Aktualisht nuk jam mirë psikologjikisht, do jap sqarime në një fazë tjetër të hetimit..” Kjo ka qenë fjalia e vetme që sanitarja Tire Alldervishi, e spitalit Covid-2, “Shefqet Ndroqi” në Tiranë, ka dhënë përpara oficerit të çështjes që ka ndjekur procedurën e hetimi ndaj saj.

Alldervishi, nuk ka qenë në gjendje të mbrohet para oficerit, i cili në prani të avokatit të saj, Enea Cenko, i ka komunikuar Tires akuzën e “Mashtrimit të kryer më shumë se një herë”.

Në dokumentacionin policor, sipas ‘Ora news’, thuhet se “kallëzuesja Eltjana Sinanaj, pretendon se ju i keni marrë paratë për t’ia dhënë sanitareve, infermierëve dhe doktorëve të spitalit “Shefqet Ndroqi”. Si jeni njohur me shtetasen e mësipërme dhe çfarë keni për të thënë rreth kësaj çështje?

Ndërkohë sanitarja Tire Alldervishi, përgjigjet duke pohuar se “…në këtë fazë të hetimit do përfaqësohem nga avokati Enea Cenko. Aktualisht nuk jam mirë psikologjikisht dhe sqarime do jap në faza të tjera të hetimit…”.

Momentalisht Tire Alldervishi, po mbahet e izoluar në ambjentet e ko misariatit të Tiranës, ndërkohë në ditët në vijim do dalë para gjykatës së kryeqytetit për t’u njohur me masën e sigurisë “arr est në bu rg” që do kërkojë përfaqësuesi i akuzës.

Sanitarja, e spitalit “Shefqet Ndroqi”, duke u shtirur si infermiere, akuzohet se i ka marrë 8 milionë lekë të vjetra shtetases Eltjana Sinanaj, duke i premtuar kësaj të fundit se do i shpëtonte nënën e sëmurë nga COVID-19, e cila nuk mundi të fitonte betejën me sëmundjen.

Komunikimet nëpërmjet WhatsApp-it të vajzës dhe nënës së saj të publikuara në emisionin investigativ ‘Stop’, faktuan se edhe shërbimi, edhe përkujdesja ndaj të ndjerës, nuk kanë qenë ato që pretendohen. /noa.al/

Cfarë tha në p olici sanitarja mashtruese Read More »

Kryemadhi: LSI do të ketë kandidatët e vet në të gjitha qarqet e vendit

Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi tha se LSI do të ketë kandidatët e vet në të gjitha qarqet e vendit.

“Një nga arsyet që e po bëjmë jo vetëm shpërndarjen e kandidatëve të LSI-së, jo vetëm në të gjithë Tiranën, por në të gjithë Shqipërinë, nuk ka të bëjë thjesht me mesazhin apo flamurin e partive politike, por është krijimi i hapësirave dhe mundësive shqiptarëve për të votuar, jo vetëm një emër, por disa emra, për të treguar pushtetin e secilës votë, që ata mendojnë se duan që ta drejtojnë dhe ta çojnë punën e tyre përpara dhe për të qenë pjesë e vendimmarrjes”, theksoi Kryemadhi.

Sipas saj, qeveria synon që të krijojë amulli për të penguar votuesit të votojnë për opozitën.

“E vetmja gjë që sot i ka ngelur Rilindjes për të krijuar një amulli, turbullim apo çorientim të opinionit publik, është për të krijuar kleçka dhe klauzola për të çorientuar njerëzit. Nuk ka rëndësi se çfarë ndodh në taktikat elektorale, e rëndësishme është që në të gjithë të shkojmë drejt kutisë së votimit”, tha Kryemadhi.

Kryetarja e LSI i lëshoi këto deklarata gjatë një takimi në njësinë 4 në Tiranë.

“Fokusi ynë është punësimi, një punë e mirëpaguar, një punë e cila krijon hapësira për të rinjtë dhe të rejat, për të konkurruar në tregun e punës, për të pasur një pagë të mirë, për të pasur mundësi të mirë”, theksoi Monika Kryemadhi. /NOA.al

Kryemadhi: LSI do të ketë kandidatët e vet në të gjitha qarqet e vendit Read More »

Rama inspekton Novoselën: Urën e Mifolit ta shndërrojmë në atraksion turistik

Kryeministri Edi Rama ka qenë sot në Novoselë, në Vlorë për të parë nga afër situatën pas reshjeve dhe prurjeve të Vjosës.

Rama shkruan se aty ku ka qenë historikisht vatra e përmbytjeve katastrofike, që këtë herë po reziston më së miri falë investimeve e punës me zhbllokimin e kanaleve kryesore pas dekadash taposjeje nga plehrat.
Sipas tij, investimet po vazhdojnë dhe do të vazhdojnë, ndërkohë Urën e Mifolit me segmentet e rrugës në hyrje e dalje të saj, do t’i kthejmë në shëtitore e njëkohësisht pikë turistike së shpejti.

“Është monument historie. Të bëhet një projekt modest. Duke qenë se kjo është urë këmbësore, ta shtrojmë bukur,

ta heqim këtë shtresën asfaltike, me ndriçim që të duket qartësisht që kjo këtu nuk është se mund të riparohej, të rehabilitohej por lihet kështu dhe pjesa poshtë mund të bëhet një super dysheme, një material dhe bëhet një sipër shëtitore.

Vendosen parmakë të bukur që të jenë qartësisht të kohës tjetër, të distancuar në kohë. Edhe këtu bëhet një konservim i kësaj.

Edhe këtu shtrohet dhe del një kryevepër. Kjo bëhet si një bulevard për Novoselën por edhe për turistët. Bëhet atraksion turistik.

Belinda me institutin e ndërtimit, ti me bashkinë, brenda shkurtit dua projektin. projektin do e sjellës ti. Me Belindën do kesh mbështetje nga Instituti i Ndërtimit”, tha Rama.

Rama inspekton Novoselën: Urën e Mifolit ta shndërrojmë në atraksion turistik Read More »

Alfabeti fonetik egjiptian dhe gjuha shqipe!/ Nga Clirim Hoxha

Alfabeti fonetik egjiptian dhe gjuha shqipe.
Thot-i, ngulmon Katapano, është themeluesi i besimit të DRITËS dhe shkencës kulte të mistereve, është gjithashtu botërisht i njohur si shpikës i shkrimit.
Pikërisht, duke studiuar me shumë kujdes këtë autorësi të fundit, Profesor Katapano zbuloi se Thoti Fliste Shqip dhe se, në hartimin e hieroglifëve të alfabetit fonetik egjiptian, ai u mbështet gjithherët nga fjalët e kësaj gjuhe. Ndërkohë, vargu i ideogramave që e përbëjnë, në këtë rast, kanë një vlerë të vetme fonetike: përfaqësojnë vetëm tingullin nistor – zanor apo bashkëtingëllor – të fjalës shqipe, të cilës i referohet.
Ja disa shembuj nga “Thoti fliste shqip” të zhvilluara pak më tej përmes gjuhës shqipe:
Gërma A përfaqësohet nga shqiponja, pasi pellazgët, ilirët dhe arbërit shqiponjën e kanë quajtur AIN. Shqiponja si simbol përfaqëson parimin e dritës, parimin jetësor mashkullor, frymëdhënës i lëndës. Më kujtohet kur isha fëmijë, shkonim shpesh në fshat te gjyshja me prindërit, të cilët në disa raste më kishin lenë atje një ose më shumë muaj. Dëgjoja gjyshen e ndjerë se si dilte shpesh nga shtëpia dhe shkonte të shikonte pulat që kullosnin prapa shtëpisë në kopshtin aty pranë. Ngrinte kokën nga qielli për të parë dhe kur konstatonte se lart aty rrotull fluturonin shqiponja apo skifterë, ajo thërriste duke tundur dorën: Ain, Ain, Ain, me qëllim që t’i trembte ato nga frika se mos i rrëmbenin pulat e shkujdesura, ose u tërhiqte vëmendjen pulave që të fshiheshin. Kujdes se mbi kokat tuaja po sillen rrotull shqiponjat=AIN, skifterët, shpendët grabitqarë. Thirrja Ain, Ain, nuk ishte e re dhe një shpikje e gjyshes sime, por e trashëguar brez pas brezi. Edhe Thot-i kur krijoi alfabetin fonetik egjiptian 12 mijë vjet më parë, jo pa qëllim simbolit të shqiponjës i vendosi shkronjën A (a).
AIN=Shqiponjë=A në alfabetin fonetik egjiptian.
Gërma B përfaqësohet nga një këmbë deri në pjesën poshtë gjurit. Ç’lidhje ka këmba me gërmën B, do të pyesni me të drejtë ju. BROF (në këmbë) shpreh gjendjen karakteristike të njeriut, të qenies që mendon, në pozicionin drejt, me kryet lartë, duke vështruar pareshtur qiellin. Brof në këmbë, është një fjalë apo një shprehje tejet kuptimplote në gjuhën shqipe, ardhur nga ilirishtja dhe kjo nga pellazgjishtja. Brof=Ngrehu në këmbë, çohu në këmbë. Brof=Ec në këmbë. Brof=Qendro në këmbë dhe vështro yjet, kundro diellin, lufto për të mbrojtur Atdheun tënd, mprehi qetë dhe lëro tokën, vrapo për të përcjellë lajmin e parë të fitores.
B=Brof=Ngrehu, Qëndro, Ec, Vrapo në Këmbë.
Gërma D përfaqësohet nga një dorë e shtrirë, pasi vetëm tek pellazgët-ilirët-shqiptarët dorës i thuhet DORË. Përfaqëson punën e dorës së njeriut; të gjithë ndërhyrjet e njeriut për zotërim, me qëllim që gjërat të bëhen pasuri, të mira të dobishme në funksion të jetës së njeriut. Dora i shtrihet mikut, Dora shkruan historinë, Dora ndëshkon armikun, Dora përkëdhel, Dora qep, Dora mbjell, Dora korr, Dora tregon Universin, Dora drejton anijet…
Dora=D në alfabetin fonetik egjiptian.
Gërma G = GATH = mbërthej, rrethoj, (gardh) vend i rrethuar, për ata që konsideroheshin jo të përshtatshëm shpirtërisht dhe fizikisht, ose për pronën, tokën, kopshtin. Gardhi lindi kur pellazgo-ilirët kaluan nga bashkësia primitive në familje të veçanta patriakale, të cilat nisën të kufizonin pronën e tyre, kasollet, tokën, vathën, duke i kufizuar nga pronat e fqinjëve. Lindja e gardhit ishte procesi i parë i ndarjes nga prona kolektive në bashkësinë primitive të pellazgëve të lashtë, e cila u bë më e qartë në kohën e ilirëve. Por fjala Gath që ka lindur gërmën e parë të tingullit nistor G, ka edhe kuptimin e vathit që rrethonte dhëntë në kohët e vjetra, por edhe në ditët tona. Pra, një vend ku strehoheshin bagëtia pasi ktheheshin nga kullota, ose gjatë stinës së dimrit, rrethohej me shkurre dhe thupra shkurresh dhe quhej Garth, ose…
Gath=G në alfabetin fonetik egjiptian.
Germa H përfaqësohet nga një gërshet, pasi në shqip (arbërisht) gërsheta quhej HJETË, gërshetë=hjetë, kordon, thurje, kryqëzim të tufave të flokëve, të litarëve prej liri. Në jetën ezoterike, pra kur një njeri nga dera princërore vdiste, bëhej balsamosja e trupit të tij. Zakonisht përdoreshin fasha të lyera me esenca dhe dyllë, të cilat kryqëzoheshin apo thureshin si gërsheta për të krijuar një izolim më të sigurt dhe të tendosur mirë që t’i rezistonte kohës. Gërma H ezoterikisht përfaqëson tre planet e jetës: fizike, hyjnore, shpirtërore, na mëson Katapano.
H=Hjetë=Gërshetë.
Gërma K = KUFË përfaqësohej nga enë ujë mbajtëse, kupë, tas, pasi shqiptarët e lashtë enën që mbante ujë ose qumësht e quanin KUFË=enë mbajtëse e ujit. KUFË=enë prej balte të pjekur, enë balte me një vesh për të mbushur ujë në një guvë të fshehur, duke e hedhur në një enë më të madhe si shtamba, ose diçka e ngjashme, ose enë vere. Kjo enë gjatë procesit të zënies së djathit përdoret shumë në baxho për të hedhur apo hequr qumështin, hirën, apo në punishtet e verës etj. Mund të përdoret edhe si Kallëp për derdhje metalesh të çmueshme si ari apo argjendi.
KUFË=K, në alfabetin fonetik egjiptian.
Gërma F përfaqësonte një nepërkë të rrezikshme dy-brirëshe, pasi në dialektin gegë në Malësi, nepërka quhej FJERË. Zvarranikët, sipas shkencës moderne, janë qeniet e gjalla që u shfaqën të parat mbi Tokë, pasi planetin ta kishte mbuluar bimësia, sipas Katapanos.
Fjerë (zvarranik) që del nga bimësia ku ka qëndruar e fshehur dhe zvarriten në tokë. Fjerë=nepërkë e rrezikshme që qëndron fshehur poshtë barit, gurëve apo shkurreve dhe që fishkëllen sapo i afrohet ndonjë rrezik, apo kërcënon dikë që kalon pranë saj, gjuan insekte apo brejtës toke. (Ç.H)
FJERË=F, në alfabetin fonetik egjiptian.
Gërma L përfaqësonte një LUAN, pasi pellazgët, ilirët, etruskët ishin të parët që e quajtën këtë kafshë me emrin LUAN. Të parët banorë të Mesdheut nga Europa kontinentale e deri në kufijtë shkretëtiror të Afrikës pellazgët, ishin të parët që e quajtën mbretin e kafshëve me emrin LUAN. Ata panë së pari një luaneshë që po luante me këlyshët e saj dhe e quajtën Luan. Pra, një kafshë që luante, lozte, që vraponte dhe që gjuan familjarisht. Mashkulli me kreshtën e tij të fuqishme dhe madhështore prinë grupin në shtegtimet ushqimkërkuese dhe që luan, vrapon, sulet mbi prenë e vet për të kapur, rrëzuar dhe vrarë. Më pas vrapojnë pjesëtarët e tjerë të familjes për të ndarë gjahun. (Ç.H)
Pra, Luan=L, në alfabetin fonetik egjiptian, e kështu me radhë deri në shkronjën e fundit të këtij alfabeti shpikur nga Thot-i, duke u mbështetur te gjuha pellazgo-iliro-shqipe.
Përfundimet e studimeve të Xhuzepe Katapanos të kryera në të gjitha drejtimet për 40 vjet, na dëshmojnë se në tokat e Nilit dhe jo vetëm atje, flitej shqip 12.000 vjet më parë. Kjo do të thotë se gjuha pellazge, ILIRISHTJA është shumë më e vjetër se sa besohet zakonisht. Kultura e sjellë në Egjipt nga pellazgët, të cilët konsideroheshin popull i lirë, ose Populli i Lirisë, është shumë e lashtë së paku më shumë se 12.000 vjet, duke kapërcyer edhe shumë parashikime të kumtuara si hipoteza pune në libra apo revista të ndryshme shkencore botërore.
Të nderuar ndjekës shqiptar dhe bijë shqiptarësh, për më shumë ju ftoi të lexoni librin, “Traktati i origjinës së shqiptarëve”. Aty do të gjeni fakte dhe vetëm fakte të vërteta dhe shkencore mbi origjinën tonë pellazgo-ilire dhe gjuhën e shkruar shqipe, të cilat na janë fshehur dhe manipuluar prej shekujsh.

Alfabeti fonetik egjiptian dhe gjuha shqipe!/ Nga Clirim Hoxha Read More »