Dukati

Sarandë/ Syri i Kaltër, një nga pasuritë më të vizituara, tani me një plan menaxhimi

Komiteti i Menaxhimit të Zonave të Mbrojtura në Qarkun Vlorë, në drejtimin e kryetarit Flamur Mamaj, njëherësh edhe prefekt i këtij Qarku, miratoi në mbledhjen e fundit që u zhvillua Sarandë, Planin e Menaxhimit për Zonën e Mbrojtur të Parkut Natyror “Syri i Kaltër “.

Ky plan u diskutua gjerësisht nga anëtarët e këtij komiteti, ekspertë të mjedisit dhe specialistë nga rajoni i këtij Qarku.

Flamur Mamaj, prefekt i qarkut Vlorë, me cilësinë e kryetarit të Komiteti të Menaxhimit të Zonave të Mbrojtura të këtij qarku, vuri në dukje se ”Prezantimi i draftit të Planit të menaxhimit “Syrit te Kalter” përbën një event të rëndësishëm jo vetëm se realizohet për herë të parë një produkt i tillë me një vizion bashkëkohor dhe një standard të ri të shërbimeve por edhe se adreson objektiva të qarta të menaxhimit të qëndrueshëm.“

Nexhip Husolakoj, drejtor i Administrates se Zonave të Mbrojtura të qarkut Vlorë tha për ATSH-në se “anëtarët e Komitetit me diskutimet, vërejtjet dhe adresimet konkrete, sollën një pasurim të dobishëm të draftit për menaxhimin e Zonës së mbrojtur “Syri i Kaltër”, një nga pasuritë më të vizituara gjeonatyrore të vendit, nga mijëra shtetas vendas e të huaj. Husolakoj, vuri në dukje se në këtë park është planifikuar funksionimi i biletarisë elektronike si në Butrint dhe përmirësime të disa shërbimeve sot me mangësi si nyje hidrosanitare, tualete, pika informacioni, shtigje me sinjalistikë në natyre, etj.

Parku natyror i Syrit të Kaltër përfshihet në territorin administrativ të Bashkisë Finiq në qarkun Vlorë. Ky park mori statusin Zonë e Mbrojtur në vitin 2002.

Brenda zonës së mbrojtur përfshihen sipërfaqe ujore, sipërfaqe pyjore, livadhe dhe toka bujqësore. Nga pikëpamja mjedisore e shkencore, me harmonizimin midis pyllit të dendur dhe gjelbërimit gjithëvjetor, burimeve ujore të Syrit të Kaltër me ujërat e kthjellta dhe të ftohta, ky park nga pikëpamje turistike dhe ekologjike paraqet rëndësi të veçantë kombëtare./atsh

Sarandë/ Syri i Kaltër, një nga pasuritë më të vizituara, tani me një plan menaxhimi Read More »

Koronavirusi/ Rama: Mbrohuni nga infodemia, në Shqipëri asnjë i prekur deri tani

Kryeministri Edi Rama shprehu sot domosdoshmërinë që qytetarët të mos i referohen burimeve jozyrtare lidhur me koronavirusin dhe të mbrohen në radhë të parë nga infodemia, e cila siç e nënvizon OBSH, përbën një kërcënim serioz në gjithë përpjekjen për të përballuar epideminë.

“Prej epidemisë së lajmeve të rreme, e të dhënave të falsifikuara apo fabrikuara e klikimeve marramendëse në burime të infektuara të informimit, qytetarët duhet të ruhen dhe mbrohen vetë me vetëdijen se të gjitha këto burime të infodemisë, shkaktojnë ankth, pasiguri alarme krejtësisht të pakëshillueshme në kushtet kur duhet përballuar epidemia”, tha Rama nga foltorja e Kuvendit.

Sipas tij, “e dhëna e fundit zyrtare lidhur me vdekshmërinë e personave të prekur nga koronavirusi ka rënë nga 3% në 2.3%”. “E gjithë pjesa tjetër 97.7% e ka përballuar dhe e përballon pa pasoja për jetën këtë epidemi. Kjo është shumë e rëndësishme për ta mbajtur mirë parasysh sepse nëse shohim efektet e infodemisë, fjala ‘vdekje’ dhe lajmet për të vdekurit janë më shumë se lajmet për të shëruarit, por realiteti është krejt ndryshe nga çfarë mund të perceptohet, nëse hyn në kanalet e informimit pa maskën e vetëdijes”, shtoi Rama.

Duke folur për maskat, Kryeministri tha se “thirrja e OBSH-së është mos rendni për të blerë maska dhe mos harxhoni lekë për maska, pasi ato nuk mbrojnë personat nga prekja”.

“Maskat janë të dobishme për personelin mjekësor, vetë të prekurit dhe për ata që u shërbejnë personave të prekur. Për të tjerët nuk kanë asnjë dobi dhe nuk mbrojnë asnjë gjë. E gjithë histeria që ka përfshirë gjithë botën, është thjesht dhe vetëm harxhim i kotë i parave dhe mbushje e arkave për ata që shesin maska”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se “Ministria e Shëndetësisë ka 1 milionë dollarë plus për të adresuar të gjitha problematikat dhe sot numëron 1.2 milionë maska të shpërndara apo marra nga qytetarët”.

Për sa i përket trajtimit të përditshëm dhe përminutshëm të kësaj problematike, Rama tha se nga Ministria e Shëndetësisë dhe gjithë sistemi i vënë në dispozicion për të përballuar këtë kërcënim janë kryer 31 testime te personat me simptoma të dyshimta që rezultuan negative”.

“Asnjë i prekur deri tani. Në numrin 127 të Urgjencës Kombëtare ka në dispozicion mjekë dhe infermierë që përgjigjen. Urgjenca trajton 1400 thirrje në ditë, kryen verifikime për të gjitha ato raste kur shpjegimet e telefonuesve shkaktojnë dyshim dhe nga 400 verifikime të kryera asnjë rast nuk rezulton i prekur nga koronavirusi. 16 mijë kontrolle janë kryer në pikat kufitare dhe i gjithë sistemi është i angazhuar në funksion të parandalimit të përhapjes, duke pasur gatishmërinë për të bërë identifikimin e rastit të parë që ende nuk është shfaqur”, tha Rama.

Ai u kërkoi të gjithë qytetarëve që të mos alarmohen nga infodemia dhe të qëndrojnë larg lajmeve dhe informacioneve jozyrtare”. “Vendosni maskë në vetëdije për të përballuar rezultatet e klikimeve kuturu në portale që flasin vetëm për vdekje dhe fundin e botës. Fundi i botës nuk po afron dhe koronavirusi nuk kërcënon të sjellë fundin e botës. Statistikat e deritanishme mbi personat që për fat të keq kanë humbur jetën, thonë se prek më të moshuarit fare në mënyrë shumë kërcënuese për jetën dhe të sëmurët. Deri tani është kapërcyer me sukses të plotë nga fëmijët dhe personat e shëndetshëm”, tha Rama.%atsh

Koronavirusi/ Rama: Mbrohuni nga infodemia, në Shqipëri asnjë i prekur deri tani Read More »

Shqipëria, në 5 vendet e para të botës për barazinë gjinore në qeverisje

“Ne nuk jemi në fillim, por as në fund të një projekti politik për një rilindje shqiptare ndaj krahas atyre që kemi arritur kemi operacione jo të vogla për të kryer qoftë për të shëruar plagët e vendit, qoftë për të pastruar organizmin tonë politik, është një pastrim i vazhdueshëm që duhet të shkojë më thellë dhe detyra jonë është ti bëjmë të dyja pa ngurrim dhe papushim”.

Kështu deklaroi sot Kryeministri Edi Rama në ditën e dytë të Kongresit të Partisë Socialiste.
“Kush në këtë sallë apo jashtë saj që ka mbështetjen e socialistëve si udhëheqës si ministër, deputet si delegat kryetar partie bashki si kryetar organizate socialiste që nuk e ka kuptuar se çfarë kërkohet dhe nuk ka energji për të bërë më shumë kilometra se çka bërë për të arritur këtu duhet dhe do hapë krahun. Duhet dhe do hapë krahun kush nuk ka kuptuar se PS-ja nuk është pronë ekskluzive e asnjë shefi sado i madh apo i vogël që nga kryetarët e organizatave deri tek shefat në Tiranë”.

“Pse e them këtë, e them për shumë arsye, por një arsye që vazhdon të ma bëjë të pamundur të jem i kënaqur me punën që bëhet në PS nga të gjithë nga i pari tek i fundit është se akoma sot në vitin 2020 ne kemi gardhe dhe mure dhe kanale për të kapërcyer për njerëzit që duan të na bashkohen pa fund. Akoma sot në 2020 ne kemi kryetarë organizatash, deputetë, udhëheqës që jo vetëm nuk arrijnë të shtyjnë më fortë për t’i rrëzuar këto gardhe e këto mure, por përkundrazi i justifikojnë gardhet e muret jo këtë e kemi shok të mirë, kemi që nga koha e luftës, ndërkohë që luftë ka bërë vetëm ai që është 100 vjeç këtu, njeri tjetër këtu luftë s’ka bërë. I humbi këto zgjedhje ky kryetar organizate, por ta mbajmë se shiko si është puna dhe ndërkohë ky tjetri po na prish punë se na solli një nga PD-ja, nga LSI-ja, po si mund ta lëmë ne partinë në dorën e këtyre. Ju erdhi keq juve që e latë partinë në dorën time”, – tha Rama.

Kreu i qeverisë u shpreh se “kulmi i kulmit ne vendosim që në çdo organizatë të ketë një bashkëkryetare grua, ndërkohë që tani që flasim akoma nuk i kemi bashkëkryetaret gra aty ku i kemi organizatat. Dhe këtë thirrje e kam për gratë që janë këtu dhe të gjitha gratë që na dëgjojnë, po e latë këtë në dorë të Kryesisë së PS-së, në dorë të deputetëve, po e latë këtë në dorë të shefave nuk do të bëhet kurrë. Merreni në dorë vetë dhe refuzoni çdo kryetar organizate që nuk hap dyert për gratë dhe që nuk pranon të ketë në krah një grua si bashkëkryetare, refuzojeni, denoncojeni, shkatërroheni fare sepse nëse ka një mundësi reale që nët shtojmë forcën tonë elektorale janë gratë, burrat çfarë kanë pasur për ta bërë e kanë bërë dhe tani janë vetëm çfarë marrin, jo çfarë japin”.

Janë gratë, vijoi Rama, vetëm gratë dhe nëse ka një arsye madhore për të qenë krenarë në këtë PS që nuk do mund dot ta zëvendësonte në këtë pikë është fakti se falë kësaj partie jemi në 5 vendet e para të botës për barazinë gjinore në qeverisje.

Kryeministri Rama tha se “ka shumë profesorë, ideologë, analistë, komentatorë, por ka dhe shumë brenda nesh, brenda rrethit të shefave të mëdhenj që thonë këto gratë në qeveri i kemi me profil të ulët politik, janë pak si teknike ne na duhen politike”.

“Unë po ju them se kjo është thjesht e vetëm mënyra e gabuar për të parë se çfarë janë ministrat dhe çfarë duhet të bëjnë ministrat dhe nga ana tjetër, po ju them që puna e grave e të gjithave në qeveri është një punë që garanton siguri për të gjitha punët që ne duam të bëjmë si qeveri ashtu sikundër ministrja e Drejtësisë mund të jetë dukur teknike, sot e patë këtu dhe të jeni të sigurt siç patë ministren e Drejtësisë mund të shikojmë shumë më tepër gra që të marrin shumë më tepër forcë falë faktit që dinë çfarë thonë dinë pse luftojnë dhe mbi të gjitha janë të vendosura për ti çuar përpara punët e tyre”, – nënvizoi Rama. /atsh

Shqipëria, në 5 vendet e para të botës për barazinë gjinore në qeverisje Read More »

Klosi: Ndërtojmë kudo në Shqipëri destinacione turistike me investime të reja

“Në ditën më tragjike të gjeneratës sonë më 26 nëntor kryeministri Edi Rama i bëri thirrje industrisë së turizmit për të sistemuar dhe akomoduar të prekurit nga tërmeti. Ishte një thirrje e përgjegjshme nën përgjegjësinë e detyrës për të akomoduar mijëra qytetarë të cilët u gjendën në tragjedinë e 26 nëntorit”.

Kështu deklaroi sot ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi gjatë fjalës së tij në Kongresin e Partisë Socialiste.

Klosi tha se, “po ashtu ishte njohja e thellë e kryeministrit tonë e mazhorancës tonë për një industri të tërë të krijuar në këto vite, për një fuqi të madhe ekonomike që janë hotelierët shqiptarë, turizmi shqiptarë, administrata e këtyre strukturave të cilët kuptuan në datën 26 nëntor se legjenda i thirri përsëri. Ajo legjendë e madhe shqiptarëve, ajo që është shkruar dhe në Kanun se “shtëpia e shqiptarit i takon mikut dhe Zotit”. Në datën 26 në kufijtë e legjendës, ndodhi mrekullia 6 mijë qytetarë të tmerruar që mbetën pa çati e pa ashtu të trembur nga lëkundjet e tokës gjetën strehim në një industri e cila sot ka gjithë nevojën e nevojshme dhe kërkesën e vazhdueshme për të qenë e mbështetur për të paraqitur në Shqipëri një ekonomi të re e cila prodhon shumë më tepër të ardhura dhe punësim”.

“Kjo politikë nuk është një politikë që ndodhi në muajt e fundit po është një politikë e qartë e ndërtuar që në ditën e parë kur Edi Rama dhe kjo mazhorancë erdhën në pushtet. Në vitin 2013 orientuam qartë një politikë premtuese për të ndërtuar në Shqipëri një ekonomi të re”-, u shpreh Klosi.

“Në 4 vite në mandatin e parë punuam shumë me reforma të mëdha, me reforma territoriale, me reformën e ndryshimit komplet në energji, infrastrukturë, rend për të patur mundësinë që në këtë mandat të dytë çdo ditë të flasim për turizmin. Në këtë mandat të dytë ndërtojmë kudo në Shqipëri një destinacion me hotele të reja, investime të reja. Një destinacion që nuk i shkon vetëm ndërtuesve të hoteleve të mëdha por i shkon mijëra njerëzve të thjeshtë”, përfundoi Klosi./atsh

Klosi: Ndërtojmë kudo në Shqipëri destinacione turistike me investime të reja Read More »

Ja si parashikohet të jetë moti në vijim

Sipas Shërbimit Meteorologjik Ushtarak, moti për ditën e sotme parashikohet me reshje shiu të herëpashershme me intensitet të ulët dhe mesatar në veriperëndim e perëndim në orët e mëngjesit.

Më tej do të përfshijnë të gjithë vendin, lokalisht në formën e shtrëngatave shoqëruar me shkarkesa elektrike.

Në të gjitha zonat malore e deri në lartësitë kodrinore do të ketë reshje dëbore, këto hera herës të dendura në veri e verilindje. Reshjet do të ndërpriten në orët e pasdites.

Era do të mbizotërojë nga veriperëndimi, hera herës e fortë përgjatë vijës bregdetare si dhe zonat luginore të vendit, duke u pasuar nga valëzim i forcës 4 dhe 5 ballë.

Temperaturat parashikohen:

QYTETET Temperaturat në °C Sigla
Shkodër 3/10 re shi
Kukës 0/7 re borë
Lezhë 4/13 re shi
Dibër -2/5 re borë
Durrës 6/13 re shi
Tiranë 3/12 re shi
Elbasan 1/11 re shi
Berat 0/12 re shi
Vlorë 6/13 re shi
Korçë -2/7 re borë
Gjirokastër -1/10 re shi borë
Sarandë 6/14 re shi
/atsh

Ja si parashikohet të jetë moti në vijim Read More »

Fluksi i turistëve në rivierën shqiptare/ ARRSH: Rehabilitim i aksit Llogora-Sarandë

Turistët që do të vizitojnë rivierën e Shqipërisë verën e ardhshme do të gjejnë një rrugë të rehabilituar nga Llogoraja në Sarandë.

Autoriteti Rrugor Shqiptar njofton se po vazhdon puna për rehabilitimin e aksit Llogora-Sarandë.

“Aktualisht në zonën Palasë-Borsh po bëhet riparimi i shtresave të dëmtuara asfaltike”, thekson ARRSH

Më pas, shton ARRSH, “do të vijohet me sinjalistikën vertikale dhe horizontale, sidomos në zonat e banuara, me qëllim rritjen e sigurisë rrugore në këtë aks”.

Ky aks rrugor lehtëson qarkullimin rrugor në rivierën shqiptare, e cila ka një fluks të madh udhëtarësh për gjatë gjithë sezonit veror pasi kalon në plazhet më të bukura të Shqipërisë dhe më të preferuara nga turistët vendas dhe të huaj./atsh

Fluksi i turistëve në rivierën shqiptare/ ARRSH: Rehabilitim i aksit Llogora-Sarandë Read More »

Kafeja zvogëlon rrezikun e tumoreve te disa organe

Pirja e kafesë mund të zvogëlojë rrezikun e tumorit në aparatin tretës dhe mëlçinë, sipas studimit të botuar në revistën shkencore ”Food Research International” dhe realizuar nga Universiteti Shtetëror i Sao Paolos në Brazil dhe Universiteti i Granadës.

Në këtë studim u theksuan faktorët pozitivë, të përfshirë në një filxhan kafe, që shoqërojnë format e tumoreve që ndikojnë në mëlçi, ezofag dhe stomak.

Sipas studiuesve brazilianë dhe spanjollë, te kafeja ekzistojnë disa molekula (të tilla si alkaloide kafeine dhe të trigonelinës, esterit polifenolik, acid klorogjenik) që janë ndër komponimet bioaktive më të rëndësishme dhe të përfshira drejtpërdrejt në karakteristikat kryesore të zhvillimit të kancerit.

Për shkencëtarët, ky studim mund të jetë i dobishëm për të provuar se si të luftoni metastazat dhe recidivat e tumoreve që janë më agresivë dhe që rezistojnë ndaj terapive konvencionale siç janë radio dhe kimioterapia./atsh

Kafeja zvogëlon rrezikun e tumoreve te disa organe Read More »

560 viktima nga koronavirusi

Kina po shton përpjekjet e saj për të zgjidhur problemin alarmues të mungesës së shtretërve nëpër spitale, në epiqendrën e pneumonisë virale, ku bilanci ka kapërcyer sot 560 viktimat, ndërkohë që në vende të tjera të Azisë po përforcohen masat drastike të karantinës.

Fatkeqësisht, 28 000 persona janë prekur nga koronavirusi i ri në mbarë Kinën, kurse jashtë vendit, 20 shtete kanë konfirmuar raste të infektimit me koronavirus.

Dy javë pas vënies në karantinë të qytetit Wuhan dhe më pas të një pjese të madhe të provincës së tij, Hubei, sistemi shëndetësor vendas vazhdon të jetë i mbingarkuar nga fluksi i pacientëve.

Spitali i ndërtuar në kohë rekord, brenda 10 ditësh dhe me kapacitet prej 1 000 shtretërish, priti të martën pacientët e tij të parë, ndërkohë që një i dytë, i të njëjtit lloj, me një kapacitet prej 1 600 shtretërish, pritet të nisë sot nga funksionimi. /atsh

560 viktima nga koronavirusi Read More »

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com