Dukati

Nis asfaltimi në bypass-in e Vlorës, transformim epokal për krejt zonën edhe për Shqipërinë turistike

Bypass-i i Vlorës, është një ndër veprat më të rëndësishme të infrastrukturës rrugore në jug të vendit, në të cilin ka nisur dhe asfaltimi i tij .
Kryeministri Edi Rama publikoi sot, pamje nga ky aks rrugor, ku po vijon puna me ritme dhe intensitet të shtuar, për të përmbushur përmbylljen e punime brenda afateve të premtuara.
“Janë 29 kilometra të cilat do t’i bashkëngjiten pjesës tjetër që lidhet me bypass-in e Fierit, tashmë i përfunduar, për të vazhduar më pas me segmentin e ri Orikum-Dukat (nga Marina deri tek ura e Shën Elizës) dhe së shpejti edhe me tunelin e Llogorasë, duke bërë të mundur një transformim epokal për krejt zonën, si edhe për Shqipërinë Turistike 2030”, shprehet Rama.

Ndërkohë që përgjatë gjithë gjatësisë së këtij aksi rrugor janë ndërtuar 15 kryqëzime dhe 5 ura kryesore.

Bypass-i i Vlorës po ndërtohet me standardet më të mira dhe parametrat më të lartë të sigurisë.
Rruga lidh autostradën Levan-Vlorë me rrugën nacionale bregdetare Vlorë-Sarandë, duke ndikuar në lehtësimin e fermerëve, për ndaljen më shpejt në tregje, të prodhimit bujqësor dhe nxitjen e agroturizmit.
Vepra është financim i BERZH, BEI dhe BE-së.
Rruga e re me gjatësi 29 km vlerësohet një ndër segmentet me impaktin më të lartë turistik që do të ndikojë ndjeshëm në lehtësimin e trafikut në qytetin e Vlorës. Ajo nis nga Rrethrrotullimi, në fund te autostradës Levan-Vlore.
Në çdo 1.5 kilometër të kësaj rruge është parashikuar vendpushimi për automjetet.
Me përfundimin e disa projekteve të rëndësishme infrastrukturore, e gjithë zona do të kthehet në një superdestinacion turistik, me infrastrukturë të nivelit europian./atsh

Nis asfaltimi në bypass-in e Vlorës, transformim epokal për krejt zonën edhe për Shqipërinë turistike Read More »

Mjek dhe prind në kohën e COVID-19/ Rrëfimi i çiftit Altin Kola dhe Zhuljeta Ceni për betejën në spitalet italiane

-“Tashmë është ora pesë, duhet të nxitoj për në punë, puth fëmijët dhe vendos maskën”.

Kështu nis dita për Zhuljeta Ceni, një mjeke shqiptare në Itali, e cila së bashku me bashkëshortin e saj Altin Kola kanë qenë në vijën e parë të luftës kundër koronavirusit COVID-19 në vendin fqinj.

Prej 20 vitesh ata kanë emigruar në Itali, menjëherë pas përfundimit të studimeve në Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Tiranës.

Ata u vendosën në Nettuno, një qytet në provincën e Romës, ku më pas me kalimin e viteve krijuan familje me dy fëmijët e tyre Martina (15) dhe Andrea (10).

Në Itali patën mundësi të zhvillonin karrierën e tyre profesionale, Altini si mjek pranë spitalit I.C.O.T në Latina, qendër hyperbarike, dhe Zhuljeta si mjeke laboratori pranë spitalit S. Maria di Loreto Nuovo në Napoli.

Ata rrëfejnë në një intervistë për Agjencinë Telegrafike Shqiptare se në spitalet ku punojnë u përballën drejtpërdrejt me situatën e krijuar nga pandemia e koronavirusit.

“Sa mbaruam Universitetin në 1998 nisëm një sfidë të re, emigracionin, me ide të qarta për të krijuar një të ardhme ndryshe nga ajo që kishim jetuar deri në 1998. Kështu në fund të 1999 erdhëm në Itali, ku brenda pak kohe, me vullnetin e dëshirën që karakterizonte çdo shqiptar në atë kohë arritëm të ushtrojmë profesionin tonë si mjek”, tregon Zhuljeta.

“Me entuziazmin e një mjeku të ri dhe oportunitetet që ofroheshin u futëm në një ritëm jete me shpejtësi të jashtëzakonshme. Për shumë persona të jesh mjek është privilegj edhe ne për shumë kohë jemi munduar ta bindim veten që është privilegj e duke shtuar mbrapa që është detyrë, pasion, përkushtim, rrezik, stres, por është dhe kënaqësi pa fund që të kuptosh e të veprosh për të shpëtuar jetë”, vijoi ajo.

Zhuljeta, si mjeke laboratori në spitalin S. Maria di Loreto Nuovo në Napoli ishte personi ku bëheshin analizat e pacientëve të shtruar në spital me COVID-19.

Ajo shprehet se ditët e para ishin mjaft të vështira pasi pak njihej nga virusi COVID-19 dhe ende nuk dihej shkalla e madhe e përhapjes. Por rrefën ajo me kalimin e ditëve përveç të panjohurës u shtua shumë edhe numri i pacienteve me koronavirus të shtruar në spitalin ku punonte.

“COVID-19 na hoqi kënaqësinë e të qenurit mjek që me vdekjet e para, hoqi besimin në vetvete, hoqi sigurinë, shtoi stresin, rrezikun, shtoi fajin për pafuqinë për të mundur virusin, kur të gjithë shihnin mjekët si heronj, ne shihnim veten si të paaftë për të luftuar me një armik të panjohur, por të vendosur për të qenë në front të luftës”, shprehet Zhuljeta.

“Fillimi i marsit ishte periudha më e vështirë për ne. Me mbylljen e shkollave për prindër që punojnë si mjekë, stresi nuk vinte nga frika ndaj virusit, por si do të arrinim të ishim prind e mjek në të njëjtën kohë, larg nga familjet e të afërmit si do të organizohemi për turnet e natës që të mos mbeteshin vetëm fëmijët”, theksoi ajo.

“Si mund t’i mbronim ata nga rreziku që ne ekspozoheshim çdo ditë, duke qenë që spitali ku punoja në mars u kthye vetëm COVID. 24 orë në ditë nuk mjaftonin, mësues matematike dhe gramatike paradite, mama dhe baba në drekë, shok e shoqe loje pasdite e natën në punë. Po të arrinim të ishim të gjithë bashkë një ditë të tërë në javë ishte luks. Mbase ritmi i shpejtë e pa pushim që u detyruam të aplikojmë nuk na linte kohë që të mendonim e reflektonim për situatën që po jetonim”, rrëfen ajo për ATSH-në.

Nga ana tjetër në spitalin ku punon doktor Altini si mjek hyperbarik, edhe pse nuk ishte spital COVID, puna vazhdoi njëlloj si më parë duke marrë gjithë masat e sigurisë ndaj COVID në mënyrë që të mos ndërprisnin vazhdueshmërinë terapeutike të pacientëve në trajtim duke qenë e vetmja qendër funksionante në të gjithë prefekturën e Lacios.

Ai shprehet se ka qenë e vështirë fillimisht të përballej me këtë sëmundje e cila ishte e panjohur dhe ende ka disa aspekte që akoma nuk njihen tamam.

Ai thekson se në spitalin ku punon u morën të gjitha masat mbrojtëse. “Në spital vinin pacientë të cilët kërkonin përkujdesje”, tregon ai.

Aktualisht, situata duket më e qetë, por të gjithë i druhen një rikthimi apo një vale të dytë, e cila sigurisht do të sillte sërish vështirësi në sistemin shëndetësor.

I pyetur sesi e vlerëson situatën që kaloi edhe vendi ynë në këtë pandemi, doktor Altini u shpreh se Shqipëria arriti ta përballojë shumë mirë valën e parë të pandemisë, duke pasur një numër të vogël të prekurish.

“Ndryshimi i Shqipërisë me Italinë është sepse popullsia në Shqipëri është ndryshe, vendbanimet janë ndryshe. Në fakt përhapja në Shqipëri ishte më e madhe aty ku kishte njerëz që vinin nga jashtë sidomos me Italinë dhe ku dendësia e popullsisë është e lartë për shembull Durrësi, Tirana, Shkodra, Kruja, kurse pjesa lindore e Shqipërisë ku dendësia e popullsisë është e ulët ka një përhapje më të paktë të virusit”, thotë ai.

Ai thekson se është shumë e rëndësishme që qytetarët të ndërgjegjësohen që virusi ende nuk është larguar dhe se duhen zbatuar dhe ndjekur me përpikmëri të gjithë këshillat e mjekëve si dhe duhet patur kujdes me higjienën personale./atsh

Mjek dhe prind në kohën e COVID-19/ Rrëfimi i çiftit Altin Kola dhe Zhuljeta Ceni për betejën në spitalet italiane Read More »

Basha: Plani ynë ekonomik është taksa e sheshtë 9%

Kryetari i PD-së, Lulzim Basha tha sot se “plani ynë ekonomik është taksa e sheshtë 9%.

Basha shprehet se strategjia e Fondi Monetarë Ndërkombëtarë është taksa e sheshtë.

“Taksa e sheshtë 9% dhe plani ynë ekonomik do të inkurajojë investimet e brendshme dhe të huaja, do të nxisë punësimin dhe do të rrisë fuqinë blerëse. Shqipëria në punë, mirëqenia për shumicën dhe jo një pakicë, do të jetë realitet i prekshëm për të gjithë”, tha Basha.

Po ashtu, Basha shton se taksimi i qeverisë zbrazi xhepat e shqiptarëve, rriti çmimet, uli fuqinë blerëse, falimentoi bizneset dhe solli shkatërrimin e ekonomisë në çdo hallkë të saj.

“Raporti i FMN mbështet atë që PD do bëjë realitet: taksimin e thjeshtë dhe transparent”, deklaron ai. /atsh

Basha: Plani ynë ekonomik është taksa e sheshtë 9% Read More »

Shqiptarët dhe turistët do të arrijnë më shpejt Rivierën/ Soreca: BE është krenare që mbështet ndërtimin e bypass-it të Vlorës

Bypass-i i Vlorës po merr çdo ditë e më shumë formë, duke u kthyer në një realitet, i cili shumë shpejt do jetë i prekshëm për të gjithë.

Në kilometrat e parë të kësaj vepre ka nisur hedhja e shtresave të asfaltit dhe deri në fund të muajit korrik 11,5 kilometra të këtij aksi do të jenë të asfaltuara.

Paralelisht po vijon puna me ritme të larta edhe në pjesën tjetër të këtij segmenti, përfshi edhe ndërtimin e veprave të artit.

Ambasadori i Bashkimit Europian, në Tiranë, Luigi Soreca deklaroi sot se BE është krenare që mbështet ndërtimin e bypass-it të Vlorës.

“Bashkimi Europian është krenar që mbështet ndërtimin e bypass-it të Vlorës me një grant prej 20 milionë eurosh dhe nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe Banka Europiane për Investim prej 18 milionë eurosh kredi secila. Shqiptarët dhe turistët do të arrijnë më shpejt Rivierën, dhe cilësia e jetës në Vlorë do të përmirësohet më tej”, deklaroi ambasadori Soreca. /atsh

Shqiptarët dhe turistët do të arrijnë më shpejt Rivierën/ Soreca: BE është krenare që mbështet ndërtimin e bypass-it të Vlorës Read More »

Rimëkëmbja e turizmit nga goditjet prej pandemisë/ BERZH, mbështetje Shqipërisë

Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (EBRD) dhe Organizata Botërore e Turizmit e Kombeve të Bashkuara (UNWTO) do të mbështesin Shqipërinë për rimëkëmbjen e sektorit të turizmit, që është goditur nga situata e COVID-19.

“Përhapja e shpejtë e koronavirusit ka pasur një ndikim masiv në shumë sektorë të ekonomisë globale, me turizmin duke qenë ndër më të goditurit. Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (EBRD) dhe Organizata Botërore e Turizmit e Kombeve të Bashkuara (UNWTO) po bashkojnë forcat për të rritur rimëkëmbjen e sektorit të turizmit në 38 ekonomitë ku Banka investon”, shprehet BERZH në një njoftim për shtyp.

Sipas analizës nga UNWTO, të gjitha destinacionet në të gjithë botën futën kufizime në udhëtime në përgjigje të COVID-19 një veprim i paparë. Ndërsa disa destinacione kanë filluar të lehtësojnë kufizimet, kriza nuk ka mbaruar dhe ky bllokim ka çuar në një rënie masive të mbërritjeve turistike ndërkombëtare.

Në dritën e ngjarjeve të tilla të papara, EBRD dhe UNWTO kanë rënë dakord të ndërmarrin veprime të menjëhershme për të lehtësuar rimëkëmbjen e turizmit.

Mbështetja aktualisht është parashikuar për një numër vendesh, përfshirë Shqipërinë, Armeninë, Kroacinë, Egjiptin, Xhorxhinë, Greqinë, Jordaninë, Libanin, Malin e Zi, Marokun, Tunizinë, Turqinë dhe Uzbekistanin.

Përgjigja e menjëhershme u hartua përgjatë tre shtyllave të Pakos së Ndihmës Teknike të Rimëkëmbjes së Turizmit të UNWTO.

Ajo përfshin matjen e ndikimit të COVID-19, planet e rimëkëmbjes me stimuj për të ringjallur sektorin e turizmit, protokollet për të siguruar sigurinë e rritur, higjienën dhe sigurinë e turistëve dhe punonjësve, tregtimin e masave që mund të rritin kërkesën e turizmit, ndërtimin e kapaciteteve për turizmin zyrtarë dhe trajnime për ndërmarrjet e sektorit të turizmit në miratimin e protokolleve të reja. Një element kryesor është ruajtja e kapitalit njerëzor, si dhe përshtatja dhe forcimi i gjithë përfshirjes.

BERZH thekson se, Paketa e Ndihmës Teknike për Rimëkëmbjen e Turizmit e miratuar kohët e fundit, nga UNWTO përfshin tre shtylla përmes të cilave organizata planifikon të ndihmojë sektorin: rimëkëmbjen ekonomike; marketingun dhe promovimin dhe institucionale forcimi dhe ndërtimi i rezistencës.

BERZH është duke e ndërmarrë të gjithë veprimtarinë e saj në vitet 2020-2021 për të ndihmuar rajone të saj të luftojnë ndikimin ekonomik të pandemisë koronavirus, me investime që pritet të arrijnë deri në 21 miliardë euro.

Banka do të synojë të gjithë sektorët e ekonomisë, përfshirë turizmin dhe mikpritjen të cilat janë prekur veçanërisht nga kriza COVID-19./atsh

Rimëkëmbja e turizmit nga goditjet prej pandemisë/ BERZH, mbështetje Shqipërisë Read More »

Ministria e Shëndetësisë: 77 raste të reja dhe 2 humbje jete në 24 orët e fundit, 48 të shëruar

Shefja e Survejancës dhe Shërbimit të Inteligjencës Epidemik në Institutin e Shëndetit Publik, Eugena Tomini deklaroi sot se “gjatë 24 orëve të fundit janë kryer 402 testime për të dyshuar të prekur me COVID-19, nga të cilat janë konfirmuar 77 raste pozitive.

“Situata epidemiologjike në vend po vijon në javën e 16 të epidemisë, por në 3 javët e fundit kemi një intensitet të lartë të hasjes së rasteve pozitive me COVID-19. Kemi gjithashtu dhe një numër të lartë të rasteve që kërkojnë trajtim spitalor dhe terapi intensive. Kjo situatë, lidhet në mënyrë të drejtpërdrejtë me kriterin epidemiologjik, siç është periudha e gjatë e inkubacionit 14 ditor, si dhe mos respektimi i masave të vendosura për ndërprerjen e transmetimit të virusit”, tha Tomini.

Ndaj, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale apelon të gjithë qytetarët, bizneset, institucionet, të respektojnë masat e vendosura dhe protokollet e miratuara të sigurisë, si e vetmja mënyrë për të mbrojtur veten dhe të afërmit tuaj.

Tomini tha se “gjatë 24 orëve të fundit, për fat të keq dy qytetarë nuk e kanë fituar dot betejën me sëmundjen, pavarësisht asistencës së madhe të mjekëve dhe trajtimit mjekësor”.

“Dy humbjet e jetës kanë qenë të papritura. Një 76-vjeçar nga Tirana, me disa sëmundje bashkëshoqëruese, pasi ishte përmirësuar pas 15 ditësh trajtim, ka pësuar tromboemboli pulmorare. Dhe një 54-vjeçar në gjendje të rëndë, me insuficencë renale, ka ndërruar jetë në urgjencën e spitalit. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale u shpreh ngushëllimet familjarëve të të ndjerëve”, tha Tomini.

Ajo tha se “situata paraqitet serioze në spitalin Infektiv ku aktualisht po trajtohen 87 pacientë, 15 prej tyre janë në terapi intensive, ndërsa 2 janë të intubuar”.

Lajmi i mirë, sipas Tominit, “është se në 24 orët e fundit janë shëruar 48 qytetarë, duke e çuar në 1298 numrin e të shëruarve që nga fillimi i epidemisë”.

Ndërkohë kanë vijuar testimet në Laboratorin e Virologjisë në ISHP dhe gjatë 24 orëve të fundit janë kryer 402 testime për të dyshuar të prekur me COVID-19, nga të cilat janë konfirmuar 77 raste pozitive.

Shpërndarja gjeografike e rasteve është si vijon: Tirana 28 raste, Shkodra 13 raste, Durrësi dhe Korça me nga 5 raste; nga 4 raste Delvina dhe Berati; nga 3 raste në Fier, Kurbin dhe Pukë; nga 2 raste në Elbasan dhe Kamëz; nga 1 rast përkatësisht në Krujë, Tropojë, Librazhd, Gjirokastër, Sarandë.

Në vendin tonë aktualisht janë 920 persona aktivë me COVID19, kryesisht në Tiranë, Shkodër, Durrës.

Kanë vazhduar testimet serologjike në Laboratorin e Mikrobiologjisë në QSUT. Janë kryer 3380 testime në personel shëndetësor me një pozitivitet të përgjithshëm 6%.

COVID-19 – Statistika (26 Qershor 2020)
Testime totale 25563
Raste pozitive 2269
Raste të shëruara 1298
Raste Aktive 920

Humbje jete 51 (Qarku Tiranë 30, Durrës 9, Fier 4, Vlorë 1, Shkodër 5, Kukës 1, Elbasan 1)

Shpërndarja gjeografike e rasteve aktive sipas qarqeve:

Tiranë 375
Durrës 174
Shkodër 154
Vlorë 84
Fier 44
Lezhë 27
Korçë 25
Kukës 13
Elbasan 12
Gjirokastër 7
Berat 5/atsh

Ministria e Shëndetësisë: 77 raste të reja dhe 2 humbje jete në 24 orët e fundit, 48 të shëruar Read More »

“Rritje e ndjeshme e të shtruarve me COVID-19″/ Mjekja Kolovani: Zbatoni rregullat, deri tani situata e përballueshme

Mjekja infeksioniste Entela Kolovani u bëri thirrje sot qytetarëve që të jenë të kujdesshëm dhe të respektojnë masat kundër COVID-19, ndërsa theksoi se “ky virus nuk është si gripi, ashtu sikurse pretendohet në masë”.

E ftuar në një studio televizive, ajo theksoi se “javët e fundit numri i rasteve është rritur ndjeshëm dhe për pasojë po ashtu është rritur edhe numri i të shtruarve në spitalin Infektiv”.

Kolovani tha se “deri tani situata është e përballueshme në spital, ndërsa kanë në dispozicion 120 shtretër”.

“Deri tani me këtë trend jemi duke e përballuar me numër shtretërish. Në funksion të shërbimit tonë janë vendosur që në fillimi 2 pavione shtesë. Kemi 120 shtretër. Njëri pavion i është kushtuar terapisë intensive. Nëse vazhdojmë me këto shifra e përballojmë. Edhe pse dëshira jonë është sa më pak të sëmurë me koronavirus. Kthimi mbrapa nuk do të ishte i falshëm për ne si qytetarë. Shpresoj shumë që qytetarët të na mirëkuptojmë. Nuk mund t’i kthehemi më karantinës”, tha Kolovani.

“Çdo person ka të drejtë të informohet. Kanë dëgjuar që thuhet është grip, por ky virus e ka treguar se nuk mund të jetë shumë i parashikueshëm. Nuk ngjan me gripin. Nëse shohim prekjet pulmonare të personave që kalojnë koronavirusin janë krejt ndryshe nga ato të gripit. Nëse do të shohim çfarë ndodhi në fillim në mars dhe prill me botën, vërtet u mendua se janë moshat e treta ato më vulnerabël, por kjo u lidh me sëmundjet bashkëshoqërues. Më pas u tregua se sëmundja nuk zgjedh mosha”, tha ajo.

Lidhur me infektimin e personelit shëndetësor, ajo tha se “është e pashmangshme kur mendon se edhe në botë ka pasur personel shëndetësor të infektuar”.

“Edhe tek ne nuk kishte si të ndodhte ndryshe. Mjekët i kanë pajisjet e mbrojtjes thjeshtë duhet ta kenë në vëmendje që nuk mund të futen te pacientët pa i mbajtur ato. Epidemiologët u përpoqën që të ndërprisnin këtë zinxhir infektimi në QSUT. Realisht kanë qenë disa mjekë dhe infermierë të hospitalizuar dhe tashmë kanë dalë të shëruar”, u shpreh ajo. /atsh

“Rritje e ndjeshme e të shtruarve me COVID-19″/ Mjekja Kolovani: Zbatoni rregullat, deri tani situata e përballueshme Read More »

Presidenti nderon dy këngëtarët e shquar të polifonisë

Presidenti i Republikës, Ilir Meta vizitoi sot Skraparin, ku vlerësoi me dekoratën e lartë “Nderi i Kombit” këngëtarin e shquar Demir Zyko (pas vdekjes), me motivacionin: “Për vlerat e spikatura si këngëtar me zë të artë i polifonisë me iso të Toskërisë. Me mirënjohje ndaj bartësit të shquar të vlerave të trashëgimisë muzikore dhe shpirtërore shqiptare, i cili ishte dhe mbeti një model i rrallë për ruajtjen dhe përcjelljen e tyre ndër breza”.

Meta çmoi gjithashtu edhe Dule Caushaj (Malindi) me titullin “Mjeshtër i Madh”, me motivacionin “Për kontributet e tij të shquara në përfaqësimin dinjitoz të polifonisë me iso të Toskërisë. Me mirënjohje për interpretimet e rralla si këngëtar me vlera të veçanta në shpalosjen e kësaj trashëgimie të vyer, brenda dhe jashtë vendit tonë”.

“Malet dhe këngët e kanë shpëtuar kombin tonë! Malet, sepse gjithmonë kanë qenë fortesat e lirisë dhe të qëndresës, dhe këngët sepse përmes tyre u ruajt gjuha dhe u trashëgua brez pas brezi krenaria dhe identiteti kombëtar”, tha Presidenti Meta.

Ndaj, shtoi ai, “ishte kënaqësi e veçantë të vlerësoja sot në Skrapar me dekoratën e lartë “Nderi i Kombit”, një personalitet të shquar të artit e këngës popullore shqiptare, përfaqësues të denjë të polifonisë me iso të Toskërisë, Demir Zykon”.

“”Xha Demiri”, së bashku me bashkëpunëtorët e tij Medin Kushe, Shahit Gjinari, Neshat Ebibasi, Agim Cakrani, e shumë të tjerë u këndoi si askush tjetër halleve, vuajtjeve, kurbetit, sakrificave të shqiptarëve, por si rrallëkush i këndoi lirisë dhe maleve tona”, u shpreh Meta.

“Një vijues i çmuar i traditës më të mirë të isopolifonisë të Toskërisë i zonës së Skraparit është edhe Dule Malindi, i cili ka mbajtur gjallë këngët e Skraparit dhe ato kombëtare”, tha Meta.

“I lindur në fshatin Malind të poetit tonë të madh, Xhevahir Spahiu, edhe Dule Malindi është një këngëtar me vlera të veçanta në përçimin e kësaj trashëgimie të pasur brenda dhe jashtë vendit, të cilit sot kisha kënaqësinë ta vlerësoja me Titullin ‘Mjeshtër i Madh’, u shpreh Meta./atsh

Presidenti nderon dy këngëtarët e shquar të polifonisë Read More »

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com