Dukati

Ministria e Shëndetësisë: 90 raste të reja, 3 humbje jete, 33 të shëruar në 24 orët e fundit

Gjatë 24 orëve të fundit janë kryer 362 testime për të dyshuar të prekur me COVID-19, nga të cilat janë konfirmuar 90 raste pozitive.

Dr. Eugena Tomini nga Instituti i Shëndetit Publik tha sot në komunikimin e drejtpërdrejtë se “shpërndarja gjeografike e rasteve është si vijon: 35 raste në Tiranë, 12 në Krujë, 10 në Kurbin, 8 në Vlorë, 6 në Shkodër, 4 në Përmet, 3 në Pogradec, nga 2 raste në Kukës, Lezhë, Kavajë, Lushnje, nga 1 rast në Kolonjë, Vau i Dejës, Kamëz, Durrës”.

“Situata në spitalin infektiv vijon të paraqitet me raste të shtuara ku aktualisht po trajtohen 80 pacientë, 8 prej tyre janë në terapi intensive, ndërsa 1 është i intubuar. Ndërsa po merr trajtim spitalor edhe një fëmijë dy muajsh, i prekur nga COVID-19 nën kujdes nga stafi i pediatrisë infektive, në gjendje të stabilizuar bashkë me nënën”, – theksoi Tomini.

Ajo bëri të ditur se “fatkeqësisht 3 qytetarë kanë humbur betejën me COVID-19 gjatë 24 orëve të fundit. Një 57 vjeçar nga Shkodra, një 65 vjeçar nga Tirana dhe një 76 vjeçar nga Durrësi, me disa sëmundje bashkëshoqëruese kanë humbur jetën në spitalin infektiv, pavarësisht përpjekjeve të stafit mjekësor. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale u shpreh ngushëllimet familjarëve të të ndjerëve”.

Lajmi i mirë është se në 24 orët e fundit janë shëruar 33 qytetarë, duke e çuar në 1592 numrin e të shëruarve që nga fillimi i epidemisë.

“Në vendin tonë aktualisht janë 1088 persona aktivë me COVID-19, kryesisht në Tiranë, Shkodër, Durrës”, – tha Tomini.

COVID-19 – Statistika (3 Korrik 2020)
Testime totale 28033
Raste pozitive 2752
Raste të shëruara 1592
Raste Aktive 1088
Humbje jete 72 (Qarku Tiranë 39, Durrës 12, Fier 5, Vlorë 2, Shkodër 11, Kukës 1, Elbasan 2)
Shpërndarja gjeografike e rasteve aktive sipas qarqeve:
Tiranë 409
Durrës 209
Shkodër 158
Vlorë 117
Fier 46
Lezhë 57
Korçë 32
Kukës 21
Elbasan 13
Gjirokastër 10
Berat 8
Dibër 8/atsh

Ministria e Shëndetësisë: 90 raste të reja, 3 humbje jete, 33 të shëruar në 24 orët e fundit Read More »

Rolando, një nga 10 mijë e 548 qytetarët të cilët kanë përfituar nga Paketat e Qeverisë në Vlorë

Rreth 169 mijë e 757 qytetarë dhe 46 754 biznese kanë përfituar deri tani nga Paketa e Zgjeruar prej 40 mijë lekë e akorduar nga qeveria shqiptare si ndihmë financiare për të gjithë ata qytetarë që u prekën në punën e tyre, për shkak të masave në kuadër të parandalimit të përhapjes së infeksionit COVID-19.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj publikoi rastin e një prej punonjësve që është përfitues i ndihmës financiare të qeverisë prej 40 mijë lekësh.

Ai është Rolando, punonjës në kompaninë Stamplast. Rolando është një nga 10 mijë e 548 qytetarët të cilët kanë përfituar nga Paketat e Qeverisë Shqiptare në qarkun Vlorë.

Prej muajit maj bizneset i janë rikthyer aktivitetit të tyre, ndërsa mbetet prioritet zbatimi i protokollit të masave të sigurisë që parandalojnë përhapjen e infeksionit COVID-19./atsh

Rolando, një nga 10 mijë e 548 qytetarët të cilët kanë përfituar nga Paketat e Qeverisë në Vlorë Read More »

Shqipëria zgjidhet në postin e zv/presidentit të sesionit të 75-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB

Shqipëria zgjidhet në postin e Zëvendëspresidentit për Sesionin e 75-të të Asamblesë së Përgjithshme në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.

Lajmin e bëri të ditur Ambasadorja e Shqipërisë në OKB, Besiana Kadare e cila u shpreh “krenare të njoftojmë se Shqipëria është zgjedhur Zëvendës Presidente e seancës së 75-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara”.

“Është një nder i veçantë të shërbejë si Zv/Presidente e këtij sesioni historik dhe mezi pres të punoj me Ambasadorin Volkan Bozkir, Presidentin e sapozgjedhur të Asamblesë së Përgjithshme nga Turqia”, tha Kadare.

“Është një privilegj i madh dhe një përgjegjësi e jashtëzakonshme për t’i shërbyer vendit tim në këtë post të rëndësishëm, me një shikueshmëri të madhe në arenën ndërkombëtare”, u shpreh ajo.

“Secili grup rajonal në Kombet e Bashkuara përfaqësohet me një Zëvendës President në Asamblenë e Përgjithshme. Shqipëria do të përfaqësojë Grupin e Europës Lindore (ku përfshihet Ballkani, Europa Lindore, Rusia, Ukraina, Bjellorusia, Azerbajxhani, Armenia etj.)

Meta: Mundësi shumë e mirë për përfaqësimin dinjitoz të vendit tonë

Presidenti Ilir Meta e ka vlerësuar caktimin e Shqipërisë për të mbajtur postin e Zëvendëspresidentit për Sesionin e 75-të të Asamblesë së Përgjithshme në Organizatën e Kombeve të Bashkuara si “një mundësi shumë e mirë për përfaqësimin dinjitoz të vendit tonë në këtë institucion tepër të rëndësishëm botëror”.

Ai i ka uruar “shumë suksese Ambasadores Besiana Kadare në ushtrimin e kësaj detyre dhe përgjegjësie të lartë”.

Ruçi: Zgjedhja e Kadaresë, një sukses kombëtar dhe politik

Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, uroi sot Përfaqësuesen e Përhershme të Shqipërisë në OKB, Besiana Kadare, për zgjedhjen Zëvendëspresidente e Sesionit të 75-të të Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

“Zgjedhja juaj si Përfaqësuese e Përhershme e Shqipërisë, në detyrën e lartë të Zëvendëspresidentes së Sesionit të 75-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së është një sukses kombëtar dhe politik. Uroj ta kryeni me sukses këtë mision dhe ta përdorni maksimalisht këtë mundësi për të lartësuar emrin, dinjitetin dhe kontributin e atdheut tonë në arenën ndërkombëtare”, shprehet Ruçi./atsh

Shqipëria zgjidhet në postin e zv/presidentit të sesionit të 75-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB Read More »

Rruga Milot-Fier me standarde europiane, pjesërisht e aksesueshme në 3 vite

“Rruga Milot-Fier, pjesë e Korridorit Blu do të jetë pjesërisht e aksesueshme brenda 3 vitesh dhe do të përfundojë plotësisht brenda 5 viteve duke garantuar standarde europiane në qarkullim”.

Kështu u shpreh sot Kryeministri Edi Rama në prezantimin e projektit për segmentin Milot-Fier, pjesë e Korridorit Adriatiko-Jonian.

“Për këtë projekt që sot vihet në garë ndërkombëtare, ne kemi angazhuar një kompani globale konsulence që ka punuar me ne, duke na sjellë të gjithë eksperiencën dhe dijen e paçmuar që nuk e kemi në institucionet e këtij vendi, ku u bë modë të bëheshin projekte rrugëve dhe të ndërtoheshin rrugë që liheshin rrugëve. Praktikisht, sot ne jemi shumë krenarë që kushdo nga kompanitë e mëdha që janë të interesuara të investojnë në Ballkan ka një ofertë-kërkesë nga Shqipëria që nderon shtetin shqiptar dhe nuk ka një paçavure sikur është e shkruar nga analfabetë, si ato të cilat u financuan me taksat e shqiptarëve për vite të tëra”, tha Rama.

Rama shtoi se “jemi shumë besimplotë se shumë shpejt do të jemi në gjendje ta nisim këtë punë dhe kjo rrugë do të jetë në pjesën kryesore e aksesueshme në 3 vjet dhe përfundimisht e përfunduar në 5 vjet”.

“Nuk do të duhet më të hyhet fshehtas në Rinas, se jemi i vetmi vend në Europë ku shkohet fshehtas në Aeroportin Ndërkombëtar. Edhe atë rrugë fshati të paktën e kemi bërë rrugë të mirë fshati me ndriçim e gjelbërim se ishte shteg fshati. Pastaj për të shkuar në Shkodër futesh nëpër ca shegë apo hurma dhe del në gjoja rrugën kryesore që edhe atë e përmirësuam shumë duke e rishtruar me programin e mirëmbajtjes por që pastaj aty, secili për vete dhe Zoti për të gjithë. Një rrugë kryesore e vendit ku makina, lopa, qeni dhe qytetari që del nga zona e banuar janë në të njëjtën hapësirë të përbashkët sikur është rrugë fshati. Kjo është trashëgimia”, tha Rama.

Ai tha se “pas 3 vjetësh aty do të kemi standardin europian, ku do të hysh në rrugë dhe nuk ke frikë as majtas dhe as djathtas se të del makinë apo lopë e dele, por do të mbërrish në destinacion pa asnjë pengesë dhe në normalitet”.

“Shkuarja pastaj në Fier e Vlorë do të ketë bypass-in e Vlorës. Nëse do të kthehesh të hysh thellë në rrugën turistike të lumit të Vlorës, do të jetë tuneli në Llogara dhe kështu koha e lidhjes së të gjithë atyre që nisen nga Prishtina apo Tirana për të shijuar Jonin do të shkurtohet në mënyrë të konsiderueshme. Siguria do të jetë e plotë dhe nuk do të jetë rrugë garash shpejtësie në shkelje të ligjit”, tha Rama.

Ai shprehu bindjen se “kjo do të jetë një tjetër histori e madhe suksesi të përbashkët”. Po ashtu, Rama tha se “brenda pak kohësh nisim ndërtimin e Shëngjin-Velipojë”. /atsh

Rruga Milot-Fier me standarde europiane, pjesërisht e aksesueshme në 3 vite Read More »

Basha: PD do të jetë gjithmonë në krah të Kosovës

“Pavarësia, sovraniteti dhe tërësia territoriale e Kosovës janë të pacenueshme”, – tha kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, gjatë një takimi të zhvilluar në Tiranë të martën, me ish-nënkryetarin e Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti dhe ish-zv.kryeministrin e ministrin e Jashtëm, Enver Hoxhaj.

Sipas Bashës, Partia Demokratike e Shqipërisë është e do të jetë gjithmonë në krah të Kosovës dhe popullit të saj.

“Pata kënaqësinë të mirëpres sot ish-nënkryetarin e Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti dhe ish-zv.kryeministrin e ministrin e Jashtëm, Enver Hoxhaj. Kosova ka ditur gjithmonë të tregojë maturi përballë sfidave jo të pakta që ka kaluar para dhe pas pavarësisë së saj. Pavarësia, sovraniteti dhe tërësia territoriale e Kosovës janë të pacenueshme”, – nënvizon Basha.

“Jam i bindur se së bashku me partnerët euroatlantikë, institucionet dhe forcat politike në Kosovë do të tejkalojnë çdo sfidë dhe do t’ia dalin të ndërtojnë një të ardhme më të mirë për qytetarët e saj. PD e Shqipërisë është e do të jetë gjithmonë në krah të Kosovës dhe popullit të saj”, – përfundoi Basha. /atsh

Basha: PD do të jetë gjithmonë në krah të Kosovës Read More »

Ndahet nga jeta mjeku Arjan Pushi, i prekur nga COVID-19, mesazhe ngushëllimi

Ministria e Shëndetësisë njofton me hidhërim të thellë ndarjen nga jeta të profesorit të Fakultetit të Mjekësisë, Arjan Pushi, i cili, referuar shërbimit Infektiv, ndërroi jetë pak momente më parë në spitalin Infektiv, i prekur nga COVID-19, pavarësisht përpjekjes maksimale të stafit mjekësor.

Prof. Arjan Pushi ka patur një karrierë të spikatur në fushën e hematologjisë dhe ka përgatitur shumë breza studentësh të Mjekësisë.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu i shpreh ngushëllime familjarëve dhe miqve të profesor Arjan Pushit.

“Ndarja nga jeta e Profesor Arjan Pushit është një dhimbje e madhe për familjen, për miqtë e tij, për kolegët, pedagogët e Universitetit të Mjekësisë ku ka shërbyer për shumë vite.
Kontributi i çmuar i Profesor Arjan Pushit për mjekësinë shqiptare, do të mbetet i pashlyeshëm ndër breza. Megjithë përpjekjet e kolegëve, të cilët bënë të pamundurën për ta mbajtur në jetë në spitalin infektiv, prof. Arjani nuk ia doli dot, në betejën me virusin e rrezikshëm. U prehsh në paqe Profesor Pushi”, shprehet Manastirliu.

Meta: Humbja e parë e jetës nga mantelbardhët tanë

Presidenti Ilir Meta shprehu ngushëllimet më të ndjera familjes Pushi, të afërmve dhe kolegëve të Profesorit, për këtë humbje të madhe të pazëvendësueshme.

“Tepër e dhimbshme dhe shokuese humbja e jetës së Profesorit të nderuar të Universitetit të Mjekësisë, doktor Arjan Pushi, hematologut të shquar me një kontribut të spikatur në dekada në sistemin tonë shëndetësor. Kjo është humbja e parë e jetës nga mantelbardhët tanë, të cilët prej disa muajsh po ndeshen në vijën e parë me këtë pandemi, që tregon se jo vetëm rreziku nuk ka kaluar, por çdo nënvlerësim do të jetë me pasoja tepër serioze për shëndetin, jetën dhe ekonominë”, shprehet Meta.

“Ndaj apeloj nevojën për të forcuar përqendrimin e të gjithë institucioneve për respektimin me rigorozitet nga të gjithë të protokolleve shëndetësore, si dhe përsëris thirrjen drejtuar Qeverisë për të garantuar me përgjegjësi dhe transparencë të gjitha masat mbrojtëse për mjekët, infermierët dhe personelin e tyre mbështetës, të cilët rrezikojnë shëndetin e tyre për të mbrojtur shëndetin e të gjithëve ne”, deklaron ai.

Ruçi: Sinjal alarmi për të gjithë se koronavirusi nuk ka ikur

Edhe Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi ka shprehur ngushëllime për ndarjen nga jeta të profesorit Arjan Pushi.

“Doktor Arjani, i cili ua kushtoi jetën dhe karrierën e tij qytetarëve dhe pacientëve, humbi betejën për jetën e vet, në luftë me koronavirusin Covid-19. Ai u shërbeu të sëmurëve deri sa kishte frymë dhe energji, duke mos e marrë në sy rrezikun. I shpreh ngushëllimet familjes, e cila humbi njeriun e vet më të dashur. Mjekësia shqiptare humbi një model të spikatur përkushtimi, shërbimi e vetëmohimi”, shprehet Ruçi.

Ai thekson se “kjo humbje duhet të jetë një sinjal alarmi për të gjithë, se koronavirusi nuk ka ikur, rreziku prej tij është i madh për të gjithë qytetarët. Të gjithë duhet të mbrojmë jetën tonë, por të bëjmë kujdes edhe për jetët e njerëzve që na rrethojnë. Institucionet duhet të zbatojnë rreptësisht të gjitha protokollet e mbrojtjes, ndërsa qytetarët të ndërgjegjësohen se mbrojtja më e mirë nga Covid-19 është kujdesi individual dhe respektimi rigoroz i rregullave mbrojtëse. Mbrojtja e jetëve është sot një detyrë individuale, njerëzore e kombëtare, e institucioneve, por edhe e qytetarëve”.

Basha: Arjan Pushi ka përjetë mirënjohjen e thellë të gjithë shoqërisë për një jetë në shërbim të njerëzve

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha e ka cilësuar tronditës lajmin për ndarjen nga jeta të profesor doktor Arjan Pushit, i cili ishte i prekur nga COVID-19

“Jam i tronditur nga lajmi për ndarjen nga jeta të prof. dr. Arjan Pushit, një misionari të bluzave të bardha që përmes përkushtimit dhe angazhimit të palodhur i dha ndihmë te paçmuar qindra pacientëve të tij”, shkruan Basha.

“Gjatë muajve të fundit kam ruajtur një komunikim të rregullt me prof. Arjanin mbi krizën e COVID-19 dhe gjendjen e kujdesit spitalor në tërësi. Kam mbresa të pashlyeshme nga përkushtimi profesional dhe atdhetar dhe dhembshuria njerëzore e tij”, shprehet Basha.

“Asnjë ngushëllim nuk e lehtëson dot dhimbjen e thellë të të afërmve dhe kolegëve të tij. Prof. dr. Arjan Pushi ka përjetë mirënjohjen e thellë të gjithë shoqërisë për një jetë në shërbim të njerëzve. Lutjet dhe mendimet e mia janë për familjarët dhe miqtë e tij. Respekti im maksimal është për mjekët që luftuan deri në fund për ta mbajtur në jetë mikun dhe kolegun e tyre dhe që punojnë me të njëjtin përkushtim për çdo pacient. U prehtë në paqe!” – përfundon Basha.

Ambasadorja Kim: Do të kujtohet si hero

Edhe ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim shprehu trishtimin për ndarjen nga jeta të mjekut Arjan Pushi, i cili ishte prekur nga COVID-19.

“Jemi thellësisht të trishtuar nga humbja e parakohshme e Dr. Arjan Pushit. Ai e dha jetën, ndërsa ishte në shërbim të të tjerëve dhe do të kujtohet si hero!”, u shpreh ambasadorja Kim./atsh

Ndahet nga jeta mjeku Arjan Pushi, i prekur nga COVID-19, mesazhe ngushëllimi Read More »

“Legjenda e një shisheje vere”/ Rrëfimi i Ersol Cacos për traditën familjare në kultivimin dhe përpunimin e rrushit në Grabovicë të Pogradecit

“Legjenda e një shisheje vere” mund të titullohet rrëfimi i Ersol Cacos për traditën familjare në kultivimin dhe përpunimin e rrushit në fshatin Grabovicë të Pogradecit, aty ku sot është ngritur një prej kantinave më të mira në vend të prodhimit të verës.

Ministri i Bujqësisë, Bledi Çuçi përcolli historinë e Ersolit, duke thënë se bëhet fjalë për një histori frymëzuese për këdo që kërkon të investojë në fshat.

Ersoli tregon se, përveçse vreshtaria është një profesion shumë i bukur, është edhe i vështirë, pasi kërkon angazhim për të përfituar rezultate konkurruese.

28-vjeçari thotë se ndonëse u shkëput me familjen për të jetuar në Pogradec, lidhja me fshatin vijon të jetë shumë e fortë e kjo falë investimit në vreshtari.

Ersoli ka studjuar Kimi Ushqimore me qëllim që t’i shërbejë rritjes së produktivitetit në vreshtari dhe prodhimit të verës në kantinën e ngritur pranë fermës së tij.

Tradita e vreshtarisë në Grabovicë është e hershme. Ersoli, thotë se vreshtaria në tokën e familjes së tij është zhvilluar në katër breza, por falë investimeve në teknologji prodhimi i verës nga kantina “Caco”, është kthyer në një markë mjaft të kërkuar nga tregu vendas.

“Pjesa e kantinës ka arritur kualitetet më të mira. Metodat tradicionale konsistojnë në fermentimin e rrushit, por teknologjia e përparuar i ka shtuar vlerë verës nga kantina jonë”, – shprehet Ersoli.

Shembulli i tij është dëshmi e punës së përkushtuar për prodhim cilësor dhe për të rritur vlerat e zonës.

Ndërsa rritja e sipërfaqeve me vreshta falë subvencioneve po rrit prodhimin për treg, edhe lehtësitë fiskale për industrinë e verës po përcaktojnë ecurinë pozitive të sektorit.

Zhvillimi i këtij sektori po rrit punësimin dhe përmirëson të ardhurat ekonomike.

“Sot në fermën me vreshta janë të punësuar mbi 20 familje të zonës dhe janë rritur të ardhurat e ekonomisë fermere. Ndërsa aplikimi në programin IPARD do të na mundësojë zbatimin e teknologjive bashkëkohore që bën diferencën në cilësi”, – thotë Ersoli.

“Vëmendja ndaj fshatit është mundësi e padiskutueshme në zhvillimin ekonomik të vendit”, shprehet ai. /atsh

“Legjenda e një shisheje vere”/ Rrëfimi i Ersol Cacos për traditën familjare në kultivimin dhe përpunimin e rrushit në Grabovicë të Pogradecit Read More »

Kufijtë e jashtëm të BE-së ende të mbyllur për shumicën e të huajve

Qeveritë europiane kanë kohë deri të martën në mesditë të vendosin nëse do të hapin apo jo kufijtë e BE-së nga 1 korriku për udhëtarët nga rreth 14 vende të treta, situata epidemiologjike e të cilëve vlerësohet e kënaqshme, por që përjashton në veçanti Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Vendet e BE-së duhet të votojnë me shumicë të kualifikuar në këtë listë, të hartuar nga ambasadorët të premten në mbrëmje, u mësua sot nga burime diplomatike.

Bashkimi Europian do të vazhdojë të ndalojë udhëtarët nga Shtetet e Bashkuara të Aermikës dhe shumica e vendeve të tjera përtej 1 korrikut, sipas diplomatëve të BE-së.

Vetëm 14 vende janë në listën e shteteve që do të lejohen në Bllok, duke përfshirë Australinë, Kanadanë dhe Tajlandën.

Në parim do të lejohen edhe qytetarët kinezë, por vetëm pasi Kina të heqë ndalimin e saj për qytetarët e BE-së.

“Këshilli Europian ka nisur procedurën e shkruar zyrtare për miratimin e marrëveshjes”, deklaruan diplomatët e BE-së.

Marrëveshja vjen tre muaj pasi BE, Zvicra, Norvegjia, Islanda dhe Lihtenshtajni mbyllën kufijtë e jashtëm për të gjithë udhëtimet jothelbësore për shkak të pandemisë së koronavirusit të ri./atsh

Kufijtë e jashtëm të BE-së ende të mbyllur për shumicën e të huajve Read More »

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com