Dukati

Rritja ditore e rasteve, Brataj: Pritej me lehtësimin e masave, e menaxhueshme në këtë moment

Drejtori i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj deklaroi se pritej shtimi i rasteve të të prekurve me COVID-19 pas lehtësimit të masave të lëvizjes për qytetarët.

Brataj tha se kjo vjen edhe si pasojë e uljes së vigjilencës së qytetarëve dhe mosrespektimit të masave.

Në një intervistë për mediet, Brataj u bëri thirrje qytetarëve të zbatojnë masat anti-COVID pasi virusi është ende këtu. Sipas tij, distancimi fizik dhe maskat mbrojtëse janë ende të nevojshme.

Këto shifra, sipas Bratajt, janë të kontrollueshme, por kjo nuk duhet të ulë përgjegjshmërinë qytetare për të mbrojtur veten dhe të tjerët.

“I prisnim këto shifra dhe e kemi thënë disa herë edhe para hapjes. Për fatin e mirë janë të kontrollueshme dhe të menaxhueshme në këtë moment pasi janë vatra. Pozitiv është edhe fakti që virulenca e virusit është shumë më e ulët se në fillim”, u shpreh Brataj.

Për shkak të uljes së virulencës, Brataj shprehet se infektimi mund të kalohet edhe më lehtë.

“Sot nga studimet që janë bërë është vlerësuar se pasi virusi të fillojë të japë dëmtimet i duhen 6 ditë, nga tre që ishte në muajin shkurt dhe dëmtimet nuk janë aq të rënda, sa atëherë. Po ashtu, një verifikim tjetër është bërë nga ana e radiologëve që pacientët nuk paraqesin më probleme pulmonare që tregon se agresiviteti është më i ulët”, tha Brataj.

Problemi ynë, u shpreh Brataj, është të mos ketë rritje të pakontrollueshme që të na detyrojë të marrim masa për mbylljen sërish dhe kjo mund të shmanget vetëm nga respektimi i rregullave nga qytetarët, si ruajtja e distancës sociale dhe higjienës.

“Ne me virusin duhet të bashkëjetojmë pasi mjafton një i infektuar dhe do të na infektojë. Ky është momenti më delikat, por nëse nuk do të respektojmë masat, detyrimisht do të ketë rritje të të prekurve dhe do të çojë në shtrëngimin e masave sërish”, u shpreh Brataj./atsh

Rritja ditore e rasteve, Brataj: Pritej me lehtësimin e masave, e menaxhueshme në këtë moment Read More »

Meta: Pres përmbylljen me konsensus të Reformës Zgjedhore, do ta firmos menjëherë

Presidenti i Republikës, Ilir Meta deklaroi sot se pret mbylljen e marrëveshjes për reformën zgjedhore brenda 31 majit.

“Për çështjen e Kodit Zgjedhor, edhe unë jam i kënaqur që ndjek në media pasqyrimin e deklaratave të aktorëve politikë dhe diplomatikë, që ka përparime. Mezi pres që palët të mbajnë fjalën dhe në datën 31 maj 2020 të përmbyllen me konsensus në këtë tryezë të Këshillit Politik të gjitha ndryshimet që kërkohen me aq ngulm prej kohësh nga Bashkimi Europian, por dhe nga partnerët e tjerë. Menjëherë do t’i firmos këto ndryshime sapo të vijnë, në mënyrë që të japim një lajm të mirë nga Tirana edhe për qytetarët, por sidomos për partnerët ndërkombëtarë, pavarësisht se do të jetë një lajm i pamjaftueshëm për atë që pritet sepse serioziteti i këtyre ndryshimeve do verifikohet nga zgjedhjet në terren”, tha Meta.

“Jam shumë i entuziazmuar nga lajmet e fundit, nga të gjithë llojet e cicërimave që ka një progres për çështjen e Këshillit Politik. Mezi po pres të duartrokas si të gjithë ju këtë konsensus dhe kudo që të jem në Shqipëri do të kthehem këtu që ta firmos menjëherë dhe të lajmërojmë të gjithë botën që kjo është një arritje shumë e madhe”, u shpreh Meta.

“Ta zëmë se palët nuk ranë dakord apo jo. Unë nuk e di se për çfarë arsye por nuk e dëshiroj kurrë këtë gjë. Unë do të shikoj nëse miratohet në mënyrë të njëanshme është ose jo në përputhje me Kushtetutën me ligjet, me rekomandimet. Mundësia ime është ta rikthej vetëm një herë për reflektim për çdo rast dhe kaq. Pastaj sesi veprojnë është në varësi të aktorëve të tjerë nuk është në varësinë time. Por në çdo rast me konsensus që këtë po e presim të gjithë edhe dy ditë kohë kanë ngelur. Por edhe në mënyrë të njëanshme, që nuk do të habiteshim sepse këtu ka zhvillime të paparashikueshme dhe të befasishme, përsëri si President i Republikës do të bëj të qartë që në hapësirën kohore që Kodi do më lejojë me konsensus apo jo në ditën më të parë të mundshme, në momëntin që do kem hapësirën ligjore, do të shpall ditën e ardhshme të zgjedhjeve të përgjithshme në Shqipëri dhe nuk do të bëj asnjë konsultim formal me asnjë forcë politike”, u shpreh Meta.

“Kjo, sepse jam i sigurt që të gjithë mezi presin një parlament të ri, plotësisht legjitim. Pra që do të thotë kur palët kanë vullnetin për zgjedhje të lira, të ndershme që ato të mos jenë më një bllokim për integrimin europian të Shqiëprisë, por edhe sadopak më legjitim le të jetë sesa ky që është. Kjo do të thotë që nëse Kodi nuk miratohet me konsensus, zero, jua kam thënë dhe vjet, zero, po s’u bënë zgjedhje lokale gjithëpërfshirëse, hapen negociatat në tetr për tetorin e kalaur. Mbajeni të regjistruar edhe këtë zero çelje negociatash të Shqipërisë me BE, jo deri në zgjedhjet që vijnë por edhe pas zgjedhjeve që vijnë, pra nja 5 vjet të paktën i keni të humbura. Përgjegjësia do të jetë e atyre aktorëve që bëjnë këto gjëra. Apeli im është ju lutem ecni në ëktë rrugë konsensusi dhe unë i inkurajoj të gjithë fuqimisht në këtë drejtim. Mos harroni se kemi dhe kryesinë e radhës së OSBE dhe do ishte turp i madh që Shqipëria të mos përmbushë rekomandimet e OSBE/ODIHR. Do ishte rast i paprecedentë në historinë e OSBE. Megjithatë Presidenti është shumë i qartë. Firmoset dekreti, nuk kthehet më mbrapa. Kush të dojë të hyjë në zgjedhje, kush të dojë të iki nga zgjedhjet”, tha Meta.

“Natyrisht kjo nuk do të mjaftojë. Presidenti do të bëjë punën e tij. Presidenti do t’i drejtohet të gjithë botës demokratike, organizatave ndërkombëtare, mediave të huaja, do të marrë masat e tij për monitorimin e zgjedhjeve të ardhshme dhe kushdo që do të hyjë për të marrë pjesë në zgjedhje ka inkurajimin e Presidentit që të marrë pjesë dhe të luftojë për të përfaqësuar të gjithë shqiptarët që janë në opozitë dhe që sot kanë ngelur në rrugë sepse nuk përfaqësohen në asnjë institucion”, tha Meta.

Meta tha gjithashtu se, “Institucioni i Presidentit ka vijuar komunikimin me Këshillin e Lartë Gjyqësor, duke kërkuar ndjekjen me përparësi të procedurave për plotësimin e të gjitha vakancave në Gjykatën e Lartë, sipas Kushtetutës dhe ligjeve në fuqi”.

“Kam zhvilluar një bashkëbisedim, nëpërmjet një videokonference, me përfaqësuesit e “Europa Nostra”, të cilët i falënderova për angazhimin e tyre për promovimin dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore dhe historike të vendit tonë. U ra dakord për domosdoshmërinë e nisjes së një hetimi ndërkombëtar për çështjen e shembjes së paligjshme dhe arbitrare të Teatrit Kombëtar, çka tronditi të gjithë opinionin publik vendas dhe ndërkombëtar. Po kështu u ra dakord për të vijuar bashkëpunimin edhe për shumë çështje të tjera në vendin tonë që kanë të bëjnë me ruajtjen dhe mbrojtjen e trashëgimisë sonë kulturore, edhe si pjesë e trashëgimisë europiane të kulturës”, theksoi Meta.

“Njëkohësisht dua t’ju sqaroj se pas furtunës në gotë që u ngrit javën e kaluar, kam bërë disa prononcime publike për t’i bërë plotësisht të qartë dhe transparente opinionit publik përpjekjet e mia të sinqerta për të ndërtuar konsensus mbi axhendën e integrimit europian të Shqipërisë.

Brenda disa javësh do të propozohet edhe kuadri negociator për Shqipërinë nga Komisioni Europian. Por për fat të keq, edhe kësaj here përpjekjet e mia që ky moment ta gjente vendin më të bashkuar, më të përgatitur dhe më të angazhuar në axhendën e reformave, u minua. Tashmë secili aktor le të marrë barrën e përgjegjësive të veta përballë qytetarëve dhe partnerëve europianë. Siç e bëra publike gjatë kësaj jave, unë do të kaloj tani më pak kohë me Tiranën politike, dhe do t’u përkushtohem më shumë Shqipërisë së qytetarëve”, tha Meta.

Lidhur me zhvillimet e fundit në Kosovë, Meta nënvizoi se “si President i Republikës së Shqipërisë gjithmonë kam respektuar Kushtetutën dhe institucionet e Republikës së Kosovës, dhe këtë do ta bëj gjithmonë. Është shumë e rëndësishme që në Kosovë të mbizotërojë sjellja europiane ndaj institucioneve”./atsh

Meta: Pres përmbylljen me konsensus të Reformës Zgjedhore, do ta firmos menjëherë Read More »

Monitorim ishujve lagunorë të Karavastasë për folezimin e shpendëve të ujit

“Shpendët e Shqipërisë” së bashku me Administratën e Zonave të Mbrojtura Fier realizuan monitorimin e plotë të ishujve lagunorë të Karvastasë për folezimin e shpendëve të ujit.

“Qëllimi i këtij aktiviteti kërkimor është për të realizuar hartëzimin e plotë të folezimit në zonat ishullore të lagunës me qëllim përshtatjen dhe përmirësimin e veprimeve menaxhuese në funksion të ruajtes afatshkurtër dhe afatgjatë të popullatave të shpendëve folezues”, thekson “Shpendët e Shqipërisë”.

Më tej, ky studim ka për qëllim vlerësimin dhe krahasimin e parametrave fizikë të zonave ishullore apo sopeve sikurse njihen në gjuhën vendase, për të evidentuar faktorët që favorizojnë folezimin e këtyre llojeve, pjesa dërrmuese e të cilëve mbart një status kërcënimi sipas listës së kuqe të faunës së Shqipërisë, si dhe janë lloje me interes të lartë ruajtje në nivel Europian dhe më gjerë.

Po ashtu ky studim ka për qëllim krijimin e një momenti apo baze të dhënash reference për monitorimin afatgjatë të shpendëve folezues si dhe ndryshimit të parametrave fizikë të vendfolezimeve të tyre.

“Rezultatet e fazës së parë të monitorimit janë tejet interesante. Të gjitha zonat ishullore u vrojtuan dhe aktivitet folezues u has në vetëm 7 prej tyre. Në 4 zona ishullore aktiviteti folezues ishte në fazat fillestare: kolonitë ishin pothuajse të stabilizuara plotësisht dhe procesi i inkubimit kishte filluar në shumicën e foleve. Në një prej ishujve aktiviteti folezues tashmë ishte në fazën përfundimtare ku të gjithë zogjtë kishin lënë foletë e tyre. Ndërsa në 2 ishuj të tjerë u vrojtuan përpjekje të qarta folezimi”, bëri të ditur “Shpendët e Shqipërisë”.

Për sa i përket llojeve, tha më tej kjo shoqatë, një numër total prej 196 çiftesh folezuese të dallëndyshes së detit të zakonshme (Sterna hirundo) u numërua në të gjithë zonën e studimit, më tej rreth 50 çifte të pulëbardhës këmbëverdhë (Larus michahellis) pothuajse kishin përfunduar tërësisht folezimin.

“Në anën tjetër, për lloje të tjera si dallëndyshja e detit ballëbardhë (Sternula albifrons), kalorësi (Himantopus himantopus), sqepbiza (Recurvirostra avosetta), vrapuesi gushëbardhë (Charadrius alexandrinus) etj, në këtë fazë të parë të monitorimit u vrojtuan vetem sjellje folezuese dhe shpresojmë që në fazën e dytë të monitorimit edhe këta lloje t’i gjejmë në proces të stabilizuar folezimi”, shtoi shoqata.

“Shpendët e Shqipërisë” bën të ditur se është tepër e rëndësishme që në këtë periudhë të shmanget plotësisht shqetësimi (hyrja në ishujt) në zonat e folezimit, si një ndër faktorët thelbësorë që ndikon suksesin e riprodhimit./atsh

Monitorim ishujve lagunorë të Karavastasë për folezimin e shpendëve të ujit Read More »

Ministria e Shëndetësisë: 1 humbje jete, 25 raste të reja në 24 orët e fundit

Mëngjesin e sotëm ka ndërruar jetë në mënyrë të papritur, pavarësisht përpjekjeve të mjekëve një pacient 69-vjeçar nga Tirana, me inicialet S.K., i cili po trajtohej në terapi intensive në spitalin infektiv.

Mirela Cami, drejtore e Operatorit të Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor tha në komunikimin e përditshëm se “Ministria e Shëndetësisë i shpreh ngushëllimet familjes së të ndjerit. Që nga fillimi epidemisë, 33 qytetarë e kanë humbur betejën me COVID-19”.

“Në 24 orët e fundit kemi sërish shtrime të reja në spitalin infektiv, ku aktualisht po trajtohen 17 pacientë, nga të cilët 3 janë në terapi intensive. Në 24 orët e fundit ka rritje të numrit të të prekurve, të lidhura me kontakte të rasteve të mëparshme pozitive, por edhe vatra të reja në Tiranë. Janë testuar 173 qytetarë si të dyshuar të prekur me COVID-19 dhe janë konfirmuar 25 raste pozitive. Më konkretisht janë 24 të prekur në Tiranë dhe 1 në Durrës”, – theksoi Cami.

Sipas saj, ndër rastet e reja janë 15 të prekur në një call-center, kontakte të një rasti pozitiv të identifikuar dy ditë më parë. Po vijon hetimi epidemiologjik edhe për disa raste të reja në Tiranë.

Në vendin tonë aktualisht janë 193 persona aktivë me COVID-19, kryesisht në Tiranë, Durrës Krujë, Shkodër.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale fton qytetarët të tregohen të kujdesshëm, duke respektuar distancimin fizik dhe higjienën vetjake.

“Qytetarët nuk duhet të neglizhojnë shenjat e COVID-19, prandaj telefononi në numrin unik të Urgjencës Kombëtare, 127. Për informacion në lidhje me COVID-19 dhe këshillim psikologjik, ju lutemi, telefononi në linjën e gjelbër 0800 40-40”, – tha Cami.

COVID-19 – Statistika (26 Maj 2020)
Testime totale 14832
Testime molekulare 13506
Testime serologjike 1326
Raste pozitive 1029
Raste të shëruara 803
Raste Aktive 193
Humbje jete 33 (Qarku Tiranë 20, Durrës 6, Fier 3, Vlorë 1, Shkodër 2, Kukës 1)

Shpërndarja gjeografike e rasteve aktive është si vijon:
Tiranë 80
Durrës 54
Krujë 24
Shkodër 12
Berat 10
Kamëz 9
Fier 2
Mirditë 1
Korçë 1/atsh

Ministria e Shëndetësisë: 1 humbje jete, 25 raste të reja në 24 orët e fundit Read More »

Vettingu në Polici, konfirmohet në detyrë Komandanti i Gardës, Gramos Sako

Komisioni i Jashtëm i Vlerësimit ka konfirmuar në detyrë komandantin e Gardës së Republikës, Gramos Sako.

Sako iu nënshtrua ditën e sotme procesit të Vetingut, ku rezultoi i pastër në tri shtyllat, pasurinë, pastërtinë e figurës dhe aftësitë profesionale.

Gramos Sako është në krye të Institucionit të Gardës së Republikës që prej tetorit të vitit 2013. Eksperienca e tij nisi si Komandant Toge në Gardën e Republikës së Shqipërisë e duke vijuar më pas në pozicione të tjera si: Zv. Komandant Kompanie, Komandant grupi i shoqërimit të Ministrit të Rendit Publik dhe Kryetarit të Parlamentit, Shef Seksioni në Drejtorinë e Ruajtjes së Personaliteteve të Larta Shtetërore, Specialist në Drejtorinë e Kufijve dhe të Migracionit. Që prej 2016 mban gradën madhore Gjeneral i Gardës së Republikës./atsh

Vettingu në Polici, konfirmohet në detyrë Komandanti i Gardës, Gramos Sako Read More »

Ndërprerje e pjesshme e energjisë në disa qytete të vendit

Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike njoftoi abonentët e energjisë elektrike në Vlorë se do të ketë ndërprerje të pjesshme të energjisë në disa zona.

OSHEE shprehet se ndërprerja e energjisë vjen për shkak të remontit në linjën 35 Kv.

“Për shkak të remontit të planifikuar në linjën 35kV L30 – 31/2 Uji i Ftohtë – Radhimë-Orikum, në datën 26 maj gjatë intervalit kohor 07:00-08:00 dhe 16:00-18;00 do të stakohet energjia në disa zona në Vlorë”, shprehet OSHEE.

Ndërprerjet do jenë në Radhime, Tragjas, Dukat, Fshat Dukat, Llogara, Jonufer, Orikum, Shën Thanas.

Gjithashtu, edhe abonentët e Sarandës do të kenë ndërprerje të energjisë më 26 dhe 28-29 maj.

Me kërkesë të OST e cila do të punojë për shtrimin e fibrës optike në linjën 154kV Bistrice – Mourtos, në datat 26 dhe 28-29 Maj do të stakohet energjia gjate intervalit kohor 08:00-16:00 në këto zona në Sarandë: Dober, Mancet, Shales, Dishat, Verve, Çiflik, Vagalat, Shkalle, Konispol.

OSHEE njoftoi abonentët se do ketë stakime të energjisë edhe në disa zona të Tiranës.

“Për shkak të remontit të planifikuar në NST Qafë Mollë, në datat 26-27 Maj do të stakohet energjia në këto zona në intervalin kohor 09:00-14:00: Shkallë, Darshe, Qafe Molle, Shenmeri, Dom, Fag, Derje”, shprehet OSHEE

OSHEE njoftoi për ndërprerje të energjisë edhe në Shkodër: Për shkak të punimeve në NST Shkodra 2, në datën 26 Maj gjatë intervalit kohor 08:00-16:30 do të stakohet energjia në këto zona në Shkodër.

OSHEE njoftoi po ashtu për ndërprerje të energjisë edhe në Bulqizë: “Për shkak të remontit të parashikuar në NST Shupenzë, në datën 26 Maj gjatë intervalit kohor 09:00-16:30, do të stakohet energjia në disa zona në Bulqizë. /atsh

Ndërprerje e pjesshme e energjisë në disa qytete të vendit Read More »

Parku Shebenik-Jabllanicë, ndër destinacionet natyrore më të bukura shqiptare

Kryetari i grupit parlamentar të PS-së dhe deputeti i qarkut të Elbasanit, Taulant Balla solli sot në vëmendje bukuritë natyrore të Parkut të Mbrojtur Kombëtar, Shebenik-Jabllanicë.

Balla ftoi qytetarët të vizitojnë bukuritë e natyrës së parkut Shebenik-Jabllanicë.

“Ejani dhe shijoni bukuritë e Parkut të Mbrojtur Kombëtar të ekosistemit natyror Shebenik-Jabllanicë. Një nga perlat dhe destinacionet më të bukura shqiptare, që mund të frekuentohet në çdo stinë”, shprehet ai.

Parku i Mbrojtur Kombëtar Shebenik-Jabllanicë ndodhet vetëm 50 km nga Elbasani dhe vetëm 20 km nga qyteti i Librazhdit. “Mos e humb rastin të eksplorosh një destinacion të ri të pazbuluar më parë”, shprehet Balla./atsh

Parku Shebenik-Jabllanicë, ndër destinacionet natyrore më të bukura shqiptare Read More »

Braçe publikon faqen e parë të “New York Times”: Masat në Shqipëri shpëtuan jetë

Zëvendëskryeministri Erion Braçe deklaroi sot se “masat e qeverisë, por edhe bashkëpunimi dhe korrektësia e shumicës dërrmuese të popullit, kanë shpëtuar shumë jetë, duke këputur e penguar zinxhirin e përhapjes së koronavirusit në popullsi”.

Braçe publikoi artikullin e sotëm të New York Times, i cili njofton se shtetasit amerikanë që kanë humbur jetën nga koronavirusi në SHBA po arrijnë në 100 mijë.

“Ne, Shqipëria nuk pësuam kështu! Nuk ka mbaruar akoma, por jemi gjallë, me shëndet dhe jo në një listë gazete! Nuk është gazetë e vjetër. Është New York Times i sotmi! Njofton se shtetasit amerikanë që kanë humbur jetën nga koronavirusi në SHBA po arrijnë në 100 mijë. Emrat e një pjese të tyre janë në këtë listë, në faqen e parë historike të New York Times si homazh! Lutem, lutemi që shpirti i tyre të prehet në paqe. Familjet e tyre të gjejnë ngushëllim e solidaritet tek lutjet e gjithkujt për të afërmit e tyre, beteja e tyre por edhe miliona punëtorëve të shëndetësisë për jetën e secilit ndër ta”, tha Braçe.

Ai theksoi se “në SHBA vijojnë betejën për çdo jetë kur humbjet janë të pashembullta”.

“Pas numrit të pafund të të infektuarve e numrit të frikshëm të jetëve të humbura, më vjen të pyes çdo politikan palaço e çdo sharlatan publik: A ju duket shaka, ekzagjerim,
konspiracion kundër lirisë? Shiheni këtë faqe gazete, është më e fortë se një gotë alkool, është e vërteta. Tani kthehuni tek Shqipëria”, tha Braçe.

Sipas tij, “Shqipëria është e vogël, por ka bërë aq shumë, po bën akoma dhe do të vijoj të bëj për të kuruar, shpëtuar çdo jetë”.

“Masat e qeverisë, bashkëpunimi dhe korrektësia e shumicës dërrmuese të popullit, sakrifica e pamatë e mijëra mjekëve të familjes e në spitale, infermierëve, epidemiologëve, sanitarëve, solidariteti i BE, SHBA e partnerëve të tjerë, kanë shpëtuar shumë jetë;
në spitale duke kuruar por edhe jashtë tyre, në çdo bllok, lagje fshati, qyteti, duke këputur e penguar zinxhirin e përhapjes së koronavirusit në popullsi”, tha Braçe.

“Është pak kjo? Është shumë! Shëndeti i pari pa plaçka bëhet. Jam tallur sa herë kam patur hajdutë përpara në Kuvend, tamam SaLul-at. Por shëndeti, jeta janë të parat! E di që masat e marra dhe të zbatuara në mënyrë shembullore kanë kufizuar liri, kanë ndryshuar mënyrën e jetesës, kanë prishur planet e terezinë e gjithkujt, fëmijë, të rinj që donin shkollat, auditorët, burra e gra që donin punën, të moshuar që kane jetike ajrin e diellin.
Përulësisht ju kërkoj ndjesë! Por na besoni, e gjitha ishte jetike të bëhej kështu për të shpëtuar jetë! Jeni në jetë e vetëm jeta vlen! Thuajani këtë çdo politikani palaço që ju do të vdekur për politikën e tij”, përfundoi Braçe ./atsh

Braçe publikon faqen e parë të “New York Times”: Masat në Shqipëri shpëtuan jetë Read More »