Dukati

Shqipëria një prej alternativave më të mira për turizëm

Ndërsa udhëtimet drejt disa prej destinacioneve më të preferuara në juglindje të detit Mesdhe nuk janë më të sigurta, njerëzit kërkojnë një alternativë më të mirë dhe shumica vendosin të vizitojnë Shqipërinë dhe ne e mbështesim shumë këtë ide, shkruan faqja e njohur polake e udhëtimeve turistike, www.mywanderlust.pl.

Bregdeti shqiptar është i mrekullueshëm dhe plazhi i Kasmili është tashmë një thesar i njohur në botë, por ky vend ka shumë më shumë për të ofruar. Aty ndodhen disa nga vendet më të bukura të Ballkanit.

Qytete të bukura prej guri, peizazhe të mrekullueshme natyrore, male fantastike dhe një kryeqytet të këndshëm. Nëse vizitoni Shqipërinë, mund t’i shihni të gjitha këto.

Tirana

Kryeqyteti, Tirana është jashtëzakonisht i lezetshëm dhe i këndshëm.

Tirana nuk është qyteti më i bukur dhe nuk do të gjeni shumë monumente historike. Por, atmosfera që ka, është një nga më të mirat,.

Pika kryesore turistike e Tiranës është një piramidë e madhe betoni, një strukturë mjaft intriguese që tashmë shërben si qendër transmetuese e stacionit televiziv vendas dhe vendi ku rinia del më së shumti.

Dhe kështu është Tirana, e çuditshme, por magjepsëse. Edhe shumëngjyrëshe.

Edhe pse boja zbehet dalëngadalë nga ndërtesat dhe ngjyrat veniten, përshtypja e përgjithshme është ende e shkëlqyer.

Tirana dhe veçanërisht Blloku, është shtëpia e një prej kulturave më të mira të kafeneve dhe kjo është një arsye e mirë për të kaluar ca kohë atje.

Berati

Nuk mund të kërkosh prezantim më të mirë sesa Berati, pasi ai është në listën e UNESCO-s.

Qyteti shpesh quhet “qyteti i një mbi një dritareve” dhe e ka këtë titull për një arsye.

Shtëpi të shumta, të bukura me grumbull dritaresh të mëdha mbi njëra-tjetrën, duke formuar një pamje të veçantë.

Është veçanërisht i bukur kur shihet nga shëtitorja ose nga përtej lumit.

Gjithashtu, ia vlen të ngjiteni në kështjellë pasi pamjet e Beratit dhe rrethinave janë vërtet spektakolare dhe vetë kjo zonë është shumë e bukur.

Gjirokastra

Ndërsa Berati quhet qyteti i një mbi një dritareve, Gjirokastra ka titullin e qytetit të 1 000 shkallëve.

Shëtitja përreth mund të jetë pak e lodhshme, pasi rrugët bëhen mjaft të pjerrëta, por pamjet nga kështjella dhe avioni i braktisur, që duket aq i rastësishëm, janë shpërblimi i shkëlqyeshëm për përpjekjen.

Vetë Gjirokastra është një qytet i bukur me gurë, që duket se koha ka ndaluar.

Ashtu si edhe Berati, Gjirokastra është pjesë e Listës së Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s.

Ksamili

Një thesar i vërtetë në bregdetin shqiptar. Ksamili konsiderohet te jetë një nga plazhet më të bukura në Shqipëri. Uji i kaltër, plazhet me rërë dhe ishujt përreth, e bëjnë Ksamilin të duket si parajsë.

Butrinti

Vetëm pesë kilometra larg nga Ksamili, gjendet Butrinti, një tjetër vend i mbrojtur nga UNESCO.

Ky vend antik, që daton në shekullin e VIII para Krishtit, është magjepsës dhe me kaq shumë objekte nga e kaluara, saqë për disa orë do ju mbajë të zënë.

Mund të popullohet me turistë nga Korfuzi, por nuk është e vështirë të shpëtosh nga turmat.

Nëse ju pëlqen historia, do e dashuroni këtë vend.

Saranda

Fillimisht duket si një rezort turistik jo tërheqës, me asgjë përveç ndërtimeve, por Saranda është shumë më interesante nga çfarë duket.

Nëse jeni në kërkim të një destinacioni me shumë gjallëri, kjo është pergjigjja për ju.

Por, qyteti është shumë më tepër sesa thjesht një vend në të cilin mund të kalosh bukur. Në Sarandë ndodhen disa monumente, duke përfshirë dhe rrënoja antike që gjenden në mes të qytetit.

Gjithashtu Saranda shërben si bazë perfekte për të vizituar zonën, ku përfshihet Ksamili, Butrinti, Gjirokastra dhe Syri i Kaltër.

Pogradec

Liqeni i Ohrit është një nga vendet më të bukura në Ballkan.

Ndërsa shumë turistë shkojnë në qytetin e Ohrit në Maqedoni, Pogradeci në anën shqiptare të kufirit është gjithashtu një vend i mrekullueshëm për t’u vizituar.

Me male madhështore në sfond, liqeni këtu duket shumë bukur. Restorantet janë një mundësi e shkëlqyer për drekë me pamje mahnitëse.

Nëse dilni për shëtitje përgjatë plazhit, që është një nga aktivitetet kryesore në Pogradec, sigurisht që do të ecni nëpër disa bunkerë që gjenden përreth.

Liqeni i Komanit

Disa e quajnë si më të bukurin në botë dhe duke qenë se jemi pak skeptike për tituj të tillë, ky vend me të vërtetë duket i mahnitshëm në foto.

Me gjithë shkëmbinjtë dhe ujëvarat duket i ngjashëm me fiordet norvegjeze.

Valbona dhe Thethi

Këto janë dy nga fshatrat malorë më të rëndësishëm dhe më të bukur në Shqipëri, të gjendura në të dy anët e Alpeve Shqiptare.

Kruja

Kruja është e përsosur për udhëtim njëditor nga Tirana.

Kështjella atje, ndodhet në një vend vërtet mbresëlënës, e rrethuar nga male, por arsyeja kryesore pse mund të dëshironi të vizitoni Krujën është pazari.

Konsiderohet të jetë më i miri në Shqipëri për suvenire.

Kruja është gjithashtu vendlindja e heroit kombëtar, Skënderbeut./atsh

Shqipëria një prej alternativave më të mira për turizëm Read More »

Provimet e maturës/Shahini-nxënësve: Do të jeni plotësisht të informuar, tri javë për përgatitje

Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Besa Shahini ka deklaruar se nxënësit që duan të vijojnë konsultat online pas 18-majit dhe nuk duan të vijojnë në klasë, do të mund të vijojnë nga shtëpia.

Përmes një videomesazhi, Shahini ka sqaruar se nga data 4 maj do të jetë Rozana Vrapi, Drejtore e Qendrës së Shërbimeve Arsimore që do informojë mbi detajet e provimeve të maturës.

“Nga data 4 maj Rozana Vrapi, Drejtore e Qendrës së Shërbimeve arsimore çdo ditë do ju informoj mbi detaje të ndryshme për provimet e maturës, jo vetëm për përmbajtjen e testit, por dhe për elementë të administrimit, që do të jeni plotësisht të informuar përpara se të bëni provimin. Paralelisht Akademi.al ka xhiruar pyetje dhe zgjidhje të detyrave për provimet kryesore në matematikë dhe shkenca, do transmetohen në RTSH. Sivjet do jeni më të përgatitur si kurrë më parë për provimet e maturës”,- tha Shahini.

“Kthimi në shkollë nuk është i detyrueshëm, por dyert janë të hapura për maturantët që duan të kenë konsultim në klasë. Nëse mendoni dhe keni besim se ia dilni edhe pa konsultat mund të vijoni nga shtëpia gjatë kësaj kohe e të punoni individualisht dhe duhet të lajmëroni Drejtorinë e shkollës para datës 11 maj me qëllim që të planifikojnë uljen e nxënësve nëpër klasa dhe distancimin social”,- thekson Shahini.

Lidhur me nxënësit që ndodhen jashtë vendit, Shahini tha se “më datë 11 maj është e mundur të merret një vendim për hapjen ose jo të kufijve, nëse s’kemi një vendim deri atëherë do merremi me ju individualisht, nëse hapen kufijtë s’do keni problem të vini. Për çfarë do arsye nuk do të ktheheni përpara 18 majit, do vijojmë punën përmes mësimit online dhe në qershor do jeni gati për të dhënë provimet e maturës”,- tha Shahini.

“Jo nuk do ketë nevojë të punohet të shtunë e të diel. Do jenë tri javë për përgatitje për maturën shtetërore dhe do të mjaftojë koha e paracaktuar. Fatkeqësisht sivjet s’do ketë mbrëmje mature, pasi nuk mundësojnë distancimin social. Do gjenden forma të tjera për të festuar”,- tha ministrja Shahini. /atsh

Provimet e maturës/Shahini-nxënësve: Do të jeni plotësisht të informuar, tri javë për përgatitje Read More »

Arrestimi i autorëve të grabitjes në Zall-Herr/ Lleshaj: Policia, mesazh të mirë angazhimi në shërbim të qytetarëve

Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, deklaroi se “edhe sot krimi mori një përgjigje të shpejtë nga Policia e Tiranës, drejtuesit dhe oficerët e të cilës meritojnë përgëzime të veçanta”.

Në një reagim lidhur me rastin e arrestimit të tre personave lidhur me grabitjen në Zall-Herr, ministri Lleshaj tha se “me angazhim intensiv dhe profesionalizëm ata i dhanë qytetarëve një lajm lehtësues, pas tronditjes që shkaktoi grabitja e shëmtuar dhe e ulët e një nate më parë”.

“Goditja e fenomeneve të tilla, ku pabesisht dhe paturpësisht kryhen akte kriminale edhe brenda rretheve familjare, përveç reagimit policor, kërkon edhe reagim shoqëror”, – nënvizoi Lleshaj.

Sipas tij, këta persona duhet të paguajnë jo vetëm detyrimin përballë ligjit, por edhe atë përballë familjes dhe shoqërisë në tërësi.

“Policia e Tiranës dha sot një mesazh të mirë angazhimi në shërbim të qytetarëve”, – tha Lleshaj./atsh

Arrestimi i autorëve të grabitjes në Zall-Herr/ Lleshaj: Policia, mesazh të mirë angazhimi në shërbim të qytetarëve Read More »

Presidenti Thaçi dekreton Avdullah Hotin për kryeministër

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka mandatuar Avdullah Hotin nga Lidhja Demokratike të Kosovës për të formuar Qeverinë e Kosovës.

Sipas dekretit të nënshkruar nga presidenti Thaçi, Avdullah Hoti i propozohet Kuvendit të Kosovës kandidat për kryeministër për të formuar Qeverinë e re, pas shkarkimit të Qeverisë Kurti me mocion të mosbesimit të iniciuar nga LDK-ja.

Thaçi tha se kandidati nga pika 1 e këtij Dekreti, jo më vonë se 15 ditë pas emërimit, i paraqet Qeverisë para Kuvendit të Kosovës dhe kërkon miratimin e Kuvendit./KosovaPress/

Presidenti Thaçi dekreton Avdullah Hotin për kryeministër Read More »

DASH shtyn në 6 qershor përgjigjet për Lotarinë Amerikane

Departamenti Amerikan i Shtetit ka shtyrë nga 5 maji për në 6 qershor datën për përgjigjet e Lotarisë Amerikane.

Me anë të një njoftimi për mediat, thuhet se për shkak të pandemisë së koronavirusit, përgjigjet për fituesit e Lotarisë Amerikane do të shtyhen për një muaj, deri në qershor.

Shpallja e fituesve të Lotarisë Green Card DV-2021 ishte planifikuar fillimisht për të Martën, 5 maj, 2020. Mirëpo, Departamenti i Shtetit në SHBA ka thënë se data do të shtyhet e përgjigjet zyrtare për fituesit do të jepen më datë 6 qershor 2020. Vendimi bazohet nisur nga pandemia aktuale e Covid-19.

Pasojat e shtyrjes së rezultateve të përgjigjeve. Nëse keni marrë pjesë në Lotarinë Amerikane për vitin 2021, për momentin nuk duhet që të bëni asgjë. E vetmja gjë që duhet bërë është që të kryqëzohen duart e të shpresosh se je ndër fituesit, thuhet në njoftim.

Ndërkohë, KCC (Kentucky Consult Center) do të përdorë kapacitetet e saj dhe do të vazhdojë të punojë për fituesit e vitit të kaluar.

Në rast se ju fitoni në Lotarinë Amerikane të këtij viti, atëherë gjithçka do të jetë normale si më parë, thjesht përgjigja është marrë me vonesë. Nëse jeni fitues, intervistat me ju nisin në gusht të vitit 2020. Intervistat do të bëhen, ashtu siç janë parashikuar brenda periudhës 1 tetor 2020 deri në fund të shtatorit 2021./atsh

DASH shtyn në 6 qershor përgjigjet për Lotarinë Amerikane Read More »

“Kemi skenar pozitiv, duam të mbyllim vitin shkollor”, Rama tregon kur merret vendimi final për shkollat

Kryeministri Rama ka thënë mbrëmjen e sotme se nesër do të merret vendimi final për hapjen e shkollave.

“Kemi parë shumë vende që kanë vendosur të mos i hapin, Italia e fundit. Sot kemi pasur një diskutim me ministren, besoj nesër do kemi një vendim përfundimtar. Ideja është të mbrojmë vitin shkollor, Maturën Shtetërore dhe nxënësit të mos humbin vitin shkollor. Si do të bëhet kjo pa hapur shkollën? Nesër do detajohet”, u shpreh Rama në emisionin Real Story.

Më tej, kryeministri tha se në Tiranë dhe Durrës ka dhe një problematikë tjetër veç koronavirusit, shumë shkolla u dëmtuan nga tërmeti duke e shtuar numrin e nxënësve në shkollat e padëmtuara.

“Kujtoj që në zonën më të populluar të Shqipërisë Tiranë-Durrës ne në nëntor morëm goditje edhe nga tërmeti gjë që ka bërë të rritet shumë numri i nxënësve në shkollat e padëmtuara, ku hapja e procesit mësimor është faktikisht e pamundur, nga ana tjetër ne nuk duam të humbim vitin shkollor. Ne kemi hartuar një proces disi tjetër nga vendet e tjera. Besoj që do bëjmë dicka në këtë drejtim. Kemi skenar pozitiv qoftë për të mbrojtur shëndetin, qoftë për të mbrojtur nxënësit dhe qoftë për të mbrojtur vitin”, përmbylli kryeministri Edi Rama

“Kemi skenar pozitiv, duam të mbyllim vitin shkollor”, Rama tregon kur merret vendimi final për shkollat Read More »

A do bëjmë pushime këtë vit apo jo? Mjeku Pëllumb Pipero jep lajmin që e prisnin të gjithë

Mjeku infeksionit Pëllumb Pipero në një intervistë për “Mbrëmje në ABC”, shprehet se piku i koronavirusit në vend ka kaluar dhe sipas mjekut këtë verë shqiptarët do të kenë mundësinë të bëjnë pushime.

Pipero tha se do të ketë turizëm të brendshëm, por mund të bëhet një marrëveshje edhe me vendet e rajonit.

“Unë besoj se do të kemi sezon turistik, natyrisht të brendshëm. Por mendoj se janë të gjitha gjasat që me një mirëkuptim me vendet e rajonit, ku kemi pak a shumë të njëjtën mënyrë jetese, unë mendoj se mund të arrihet që jo vetëm ne të mund të shkojmë por edhe ata të vinë te ne.

Do të inkurajoja edhe një marrëveshje të mundshme”, tha Pipero.

A do bëjmë pushime këtë vit apo jo? Mjeku Pëllumb Pipero jep lajmin që e prisnin të gjithë Read More »

Mjeku Pipero: Epidemia e mirëkontrolluar, hyn në fazën e dytë

Mjeku infeksionist, Prof. Pëllumb Pipero, që prej më shumë se 45 ditësh është në vijën e parë të “zjarrit”, në Spitalin Infektiv të Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë, thotë për DW, se treguesit kryesorë të kësaj faze shfaqen në dy aspekte, në aspektin epidemiologjik dhe atë klinik.

Në aspektin e parë vlerësohen – koha që ka kaluar nga rasti i parë që u prek me COVID – 19, ecuria e epidemisë në bazë të numrit të rasteve të reja të konfirmuara dhe piku i saj, që për viruset respiratore përkon nga java e katërt deri në javën e gjashtë. Në aspektin klinik tregues është numri i shtrimeve në spital që tregon për ecurinë e butë të epidemoisë, uljen e kurbës së rasteve të shtruara dhe rritjen e rasteve të shëruara. Ndërkohë që rastet e rënda me rrezik jete, kanë filluar të ulen” thotë për DW, Prof. Pëllumb Pipero.

Ai thekson se në fazën e dyte, që është më e gjatë se e para, barrën më të rëndë e ka shërbimi epidemiologjik, “që duhet të hetojë në mënyrë inteligjente për të parandaluar shpërthimin e vatrave të reja. Shërbimi spitalor pritet të jetë më i lehtësuar, nëse qytetarët vazhdojnë të respektojnë si deri më tani rregullat, që edhe pse disi të lehtësuara nuk duhet të ulin vigjilencën dhe kujdesin. “Rastet e reja janë asimptomatike (pa simptoma), kontakte të kontakteve me të infektuarit zbulohen nga shtimi i testimeve. Kemi më shumë raste pozitive, por më pak të sëmurë. Ky është një trend normal dhe i qëndrueshëm i epidemisë, që mendoj se është menaxhuar më mirë sesa në vende të tjera të rajonit” sqaron Dr. Pipero për DW./atsh

Mjeku Pipero: Epidemia e mirëkontrolluar, hyn në fazën e dytë Read More »