Aurora

Të përfshirë në një skemë kriminale të tjetërsimit të 13 mijë e 300 metra katror tokë, 2.6 vite burg dy ish-zyrtarëve të Krujës (Emrat)

Ish-sekretari i komunës Thumanë, Muharrem Roli rrezikon të dënohet me 18 muaj burgim për “Shpërdorim detyre” dhe “Falsifikim dokumentash”, pasi gjatë fazës së gjykimit ka rezultuar sipas akuzës se ai, është përfshirë në një skemë kriminale të tjetërsimit të 13 mijë e 300 metra katror.

Së bashku me Kurtin, i pandehur në këtë çështje penale është dhe ish-drejtori i Hipotekës në Krujë, Fatmir Shani, për të cilin prokurorja Mirela Kapo, i ka kërkuar gjykatës së Krujës dënimin me 1 vit burgim për akuzën e “Shpërdorimit të detyrës”.

Në pretencën e saj, lexuar në gjykatë prokurorja e çështjes evidentoi shkeljet e dy ish-funksionarëve shtetërorë, të cilët me veprimet e tyre të kundraligjshme i kanë hequr të drejtën e pronësisë shtetasit Asllan Loci, duke e rregjistruar sipërfaqen e tokës prej 13 mijë e 300 metra katror në emër të një personi tjetër të quajtur Asllan Laci.

Pavarësisht se këta dy persona kanë thuajse gjeneralitete të njëjta, ku vetëm shkronja “a” në mbiemër bën diferencën, ata janë dy shtetas të ndryshëm, thotë prokuroria. Sipërfaqja e tokës që është tjetërsuar ndodhen në fshatin Derven, por pas rregjistrimit në hipotekë në emër të Asllan Laçit, kjo pronë mësohet se është shitur në 20 tetor 2011 dhe kaluar në emër të kompanisë “Milis Brisk”, një shoqëri aksionere që vepron në fushën e duraluminit.

Veç dënimit të dy zyrtarëve shtetërorë, prokurorja Mirela Kapo ka kërkuar dhe konfiskimin e sipërfaqes tokësore 10 430 m2, ndodhur në zonën e quajtur “derven –Krujë” në emër të shoqërisë “Milis Brick sha”.

Vërtetimi i falsifikuar
Nisur nga hetimet, prokuroria thotë se shtetasi Asllan Laci në vitin 2011, mbi bazën e një vërtetimi të falsifikuar, të lëshuar përtej kompetencave ligjore nga ana e sekretarit të komunës Thumanë, shtetasit Muharrem Roli ka rregjistruar pronën që është në përkatësi të shtetasit Asllan Loci. Ky rregjistrim është bërë në zyrën vendore te rregjistrimit të pasurive të paluajtshme Krujë në kundërshtim me ligjin nga ana e rregjistruesit, shtetasit Fatmir Shani.

Pretendimet e kallëzuesit
Në bazë të veprimeve hetimore të Prokurorisë së Krujës, ka rezultuar se: “Shtetasi Asllan Loci është banor i qytetit të Fushë –Krujës dhe për periudhën kohore 1 shkurt 1987 deri më 15 korrik 1992 ka punuar në ndërmarrjen NB.Krujë dhe F.Krujë pranë sektorit Derven”. “Në kallëzim e tij ky shtetas parashtron faktin se është furnizuar me tokë në bazë të ligjit nr.7501 datë 19 korrik 1991.

Është furnizuar me këtë sipërfaqe toke duke qenë se ka punuar në ndërmarrjen NB-Derven, dhe në këtë mënyrë është pajisur me aktin e marrjes së tokës në pronësi me nr.208, fshati Derven, muaji mars i vitit 1999, në emrin e shtetasit Asllan S.Loci, por vërtetimin në origjinal të aktit të marrjes në pronësi nuk e ka tërhequr asnjëherë si edhe nuk ka firmosur kurrë në të, pasi e ka lënë në bashkinë e Thomanës.

Asllan S.Loci është emri i tij pasi më parë është njohur me emrin Islam” thotë Prokuroria. Së fundmi kallëzuesi është vënë në dijeni rastësisht se zyra vendore e pasurive të paluajtshme Krujë, ka rregjistruar pasurinë me nr.250/30 vol.5, fq.150 në emër të shtetasit Asllan Laci, pasuri e cila ka qenë më parë e rregjistruar në emër të shtetasit Asllan Loci.

Lidhur me pasurinë që kallëzuesi pretendon se është e tij disponon aktin e marjes së tokës në pronësi (në fotokopje) si edhe një kopje të librit të ngastrave. Pra toka është përfituar si punonjës i ish-ndërmarrjes bujqësore Derven dhe është furnizuar për shtatë frymë pasi kjo ka qenë përmbërja familjare e kohës referuar edhe çertifikatës familjare./Shqiptarja.com

Të përfshirë në një skemë kriminale të tjetërsimit të 13 mijë e 300 metra katror tokë, 2.6 vite burg dy ish-zyrtarëve të Krujës (Emrat) Read More »

26-vjeçari e shikon jetën nga karrigia me rrota, apeli prekës i prindërve të tij

Redis Sabaj është i riu nga qyteti i Mallakastrës, jeta e të cilit është e kyçur në një karrige me rrota.

Ai është vetëm 26 vjeç, ka mbaruar studimet për financë dhe i duhet ta shikojë të ardhmen e tij nga një perspektive ndryshe krahasuar me miqtë e moshatarët e tij.

Dy vite më parë, i riu kishte ndjerë një mpirje në këmbë, por nuk i kishte kushtuar rëndësi pasi mendonte se ishte pasojë e lodhjes së tepërt.

Fatkeqësisht dyshimi i tij nuk rezultoi i tillë…

Redisi vuan nga skleroza multiple, një lloj sëmundje shumë e rrallë që e ka lënë të paralizuar.

Jeta kishte rezervuar këtë surprizë të hidhur për Redisin i cili kërkon ndihmë për mjekim të specializuar në mënyrë që edhe ai të mund të jetë i aftë për veten e për prindërit e tij.

26-vjeçari rrëfen se prej 1 viti, ai ka përdorur një kurë me gjilpëra, por në vend që ta përmirësojnë gjendjen e tij e kanë përkeqësuar.

Së bashku me familjen, i riu është zhvendosur në spitalin e neurokirurgjisë në kryeqytet ku edhe po merr një mjekim të ri.

Gjithçka që ai kërkon është ndihma e shtetit për një mjekim të specializuar jashtë vendit.

Redisi tregon që prej 1 viti e gjysmë ka përdoruar një kurë me gjilpëra por që nuk e kanë përmirësuar gjendjen e tij, madje e kanë përkeqësuar. Ndaj dhe ai së bashku me familjen është detyruar që të vijë në spitalin e neurokirurgjisë në Tiranë, ku ka marrë një mjekim të ri.

Babai i tij i bën apel kryeministrit Rama dhe ministres së  Shëndetësisë Ogerta Manastirliu për ndihmë, në mënyrë që djali të udhëtojë jashtë e të ketë një mundësi për ta jetuar jetën, pasi familja e ka të pamundur t’ia mundësojë diçka të tillë.

Si një ish-polic që i ka shërbyer vendit për 22 vite, ai kërkon ndihmën e shtetit në këtë moment të vështirë që po kalon familja e tij.

I trishtë është fakti që Redisi nuk ka as karrocë me rrota që të mund të lëvizë.

Ai zbriti nga spitali i neurokirurgjisë ku qëndroi i shtruar për 8 ditë, falë karrocës së një tjetër pacienti.

Mamaja e djalit me lot në sy kërkon vetëm kthimin e të birit në gjendjen e mëparshme pasi dhimbja po i shkatërron dita-ditës kur e shohin në atë gjendje.

Rasti është bërë publik nga gazetari Bledian Koka në rrjetet sociale.

Ai shkruan:
Nje Shqiperi si kjo e jona…
Redis Sabaj eshte 26 vjeç nga Mallakastra, prej 2 vitesh vuan nga sëmundja e sklerozes multiple dhe e ka të pamundur të lëviz. Redisi kërkon nga shteti që ta ndihmojnë për të marrë një kurim më të specializuar jashtë vendit, ndersa nuk familja e tij nuk mund ti lejoje vetes as te bleje nje karrove invalidi per te birin. Babai i Redisit, Seit Sabaj ka punuar 22 vjet polic dhe eshte liruar nga detyra ne vitin 2014 ndersa sot punon si polic privat. Nuk fajesoj askend, dhe nuk duhet ti lutemi askujt!…

p.s…nje histori sa 26 vite politika sociale qe ka prodhuar ky shtet, dhe sot jemi ketu.”Faxweb

https://www.facebook.com/bledian.koka.3/videos/10156375033596952/?t=0

26-vjeçari e shikon jetën nga karrigia me rrota, apeli prekës i prindërve të tij Read More »

Arra dhe rozmarinë për kujtesë të fortë

Të dy këto përbërës natyralë janë fantastike për shëndetin e trurit, zemrën por dhe probleme të tjera shëndetsore.
Arrat dhe rozmarina përbëjnë recetën ideale të vlerave për një zemër të shëndetshme, kocka të forta, shëndet prej shkencëtari por mbi të gjitha kujtesë të fortë.

Arrat dhe Rozmarina janë të pasura me ushqyes. Ato janë një burim i jashtëzakonshëm antioksidantësh, vitamine E dhe mineralesh. Të dy këto përbërës natyralë janë fantastike për shëndetin e trurit.

Arrat përbëjnë një zgjedhje të mençur ushqimore sepse kanë një përqendrim të lartë të acideve yndyrore omega-3 që parandalojnë sëmundjet degjeneruese të trurit siç janë sëmundja e Alzheimer, skleroza dhe sëmundja e Parkinsonit.

Arrat dhe Rozmarina parandalojnë sëmundjet koronare dhe janë një burim i shkëlqyer i acideve yndyrore mono-të-pangopura siç është acidi oleik.
Vlerat Kurative Për Shëndetin
Shumë studime kanë treguar se këta ushqyes janë të dobishëm për parandalimin e sëmundjeve të zemrës.

Gama e ushqyesve të rëndësishëm të arrave shtrihet edhe tek kockat. Acidet yndyrore i bëjnë arrat të jashtëzakonshme në rritjen e nivelit të përthithjes së kalciumit nga kockat.

Rozmarina ofron një spektër shumë të gjërë përfitimesh. Kjo barishte është e pasur me hekur, kalcium dhe fibër dietike. Ajo përmban gjithashtu shumë antioksidantë.

Disa prej përfitimeve shëndetsore të rozmarinës përfshijnë aftësinë e saj për të forcuar kujtesën, përmirësuar humorin, pakësuar inflamacionin, zbutur dhimbjen, mbrojtur sistemin imunitar, stimuluar qarkullimin e gjakut, pastruar organizmin, luftuar bakteret dhe infeksionet, parandaluar plakjen e parakohshme dhe shëruar lëkurën.

Receta që ekspertët e AgroWeb.org rekomandojnë përmban arra, rozmarinë dhe vaj ulliri, tre super fuqitë e shëndetit të mirë.

Përgatitja Krejt Lehtë në Shtëpi

Përbërësit

2 filxhanë me arra të grira trashë

2 lugë gjelle me vaj ulliri

1 lugë gjelle me rozmarinë

Çerek luge çaji me kripë
Përgatitja
Ngroheni furrën paraprakisht në 180° C.  Hidhni arrat në një tepsi mbi të cilën keni shtruar një letër pjekjeje. Spërkatini me rozmarinë, kripë dhe vaj ulliri. Piqini deri sa arrat të marrin një ngjyrë kafe të artë për rreth 10-15 minuta.

Më pas mund t’i ruani në një enë të mbyllur hermetikisht dhe të ruajtur në temperaturë ambienti.

Arra dhe rozmarinë për kujtesë të fortë Read More »

Mëngjesi i duhur kundër dhimbjeve të kyçeve

Mëngjesi është vakti më i rëndësishëm i ditës.

I njëjti parim vlen edhe për pacientët që vuajnë nga artriti.

Një studim i kohëve të fundit të cilit i referohet AgroWeb.org, thotë se ngrënia e një racioni me drithëra, siç është tërshëra, arrorët dhe farat, çdo mëngjes, i mban kockat më të forta.

Një ushqim i tillë ditor ka gjasa të parandalojë disa lloje të artritit kronik që mund të shfaqen në një fazë të mëvonshme të jetës.

Sipas ekspertëve një regjim ushqimor i pasur me fibër mund të ketë një ndikim shumë pozitiv kundër sëmundjeve që prekin gjymtyrët dhe indet.

Kjo ndodh sepse fibra përmirëson florën bakteriale, e cila ndihmon metabolizmin dhe përmirëson të gjithë sistemin imunitar.

Një imunitet i shëndoshë, ul gjasat e shfaqjes së sëmundjeve autoimunitare siç është artriti.

Drithërat, farat dhe arrorët janë alternativa të shëndetshme dhe duhen ngrënë çdo mëngjes.

Ato konsiderohen si shumë miqësore ndaj mikro organizmave në stomak, për imunitetin dhe dendësinë e kockave.

Shumë prej baktereve që gjenden në stomak, përmirësojnë tretjen, japin më shumë energji dhe kanë efekt qetësues ndaj reagimeve inflamatore.

Acidet yndyrore të ngopura që prodhohen në stomak, gjenden edhe brenda lëngjeve që përshkruajnë gjymtyrët.

Por drithërat, nuk janë ushqimet e vetme që zbusin simptomat e artritit.
Ushqimet Më Të Mira Kundër Artritit
Ushqimet në këtë listë të AgroWeb.org janë të grupuara në gjashtë kategori: frutat, drithërat, bishtajoret,  erëzat, barishtet dhe vajrat.

Frutat e rekomanduara kundër artritit janë kumbullat, qitro, rrushi, boronicat, banania, shega, mango, pjeshka dhe molla.

Drithërat e rekomanduar janë tërshëra, buka me grurë të plotë, orizi i papërpunuar, elbi, misri e të tjerë.

Bishtajoret janë shumë të rekomanduara kundër artritit.

Barishtet dhe erëzat si xhenxhefili apo shafrani i Indisë, së bashku me vajin e ullirit, vajin e peshkut, kosin, çajin jeshil dhe atë të borzilokut duhen konsumuar rregullisht.
Kujdes
Lexuesit duhet të kenë parasysh që ndonëse shumë njerëz ndajnë të njëjtën sëmundje, reagimi i tyre ndaj ushqimeve specifike nuk është i njëjtë.

Disa njerëz mund të vuajnë nga artriti por edhe të kenë ndjeshmëri të lartë ndaj glutenit dhe drithërave.

Pacientë të tjerë mund të jenë alergjikë ndaj peshkut, arrorëve apo agrumeve.

Një regjim i mirë ushqimor për personat alergjikë përcaktohet vetëm me ndihmën e një eksperti ose mjeku.

Mëngjesi i duhur kundër dhimbjeve të kyçeve Read More »

Lëngu i dëllinjës, përdorimet magjike në mjekësinë popullore

Dëllinja është një nga pemët me shtat mesatar më të rritura në Evropë dhe veçanërisht në Shqipëri.
Varieteti më i përhapur i pemës së dëllinjës është Juniperus communis.

Kokrrat e dëllinjës janë ndër më të përdorurat në mjekësinë popullore, kryesisht për të trajtuar problemet me stomakun, urthin, fryrjet, mungesën e oreksit, infeksionet e aparatit tretës, veshkave dhe gurët në tëmth. Ajo përdoret kundër diabetit dhe radikaleve të lira.

Studimet e kohëve moderne për dëllinjën tregojnë se kjo bimë rrit aftësitë filtruese të veshkave dhe pastron traktin urinar.

Dëllinja është përdorur në mjekësinë popullore edhe kundër bronshitit, kollës dhe infeksioneve në rrugët e frymëmarrjes. Zieni 10-15 kokrra të dëllinjës dhe merrni frymë mbi avullin e lëshuar prej tyre për të zgjidhur këto probleme.

Sipas të dhënave të AgroWeb.org, autoritetet gjermane e kanë renditur dëllinjën në listën e produkteve bimore më të përdorura për problemet me stomakun dhe problemet me tretjen.

Dëllinja përdoret edhe në trajtimet e plagëve, dhimbjeve muskulare dhe tërheqjeve muskulare si edhe kundër akneve dhe llojeve të tjera të problemeve me lëkurën. Në të shkuarën, ajo është përdorur për stimulimin e muskujve të uterusit.

Përbërësit e dëllinjës luftojnë virozat dhe parandalojnë rritjen e viruseve të rrezikshme siç janë herpesi dhe gripi. Përbërësit e dëllinjës, siç është podofillotoksina, parandalojnë edhe rritjen e qelizave të dëmshme.
Përdorimet mjekësore:
Me kokrrat e dëllinjës ju mund të përgatisni çaj të shijshëm dhe mirëbërës.

Vajrat esencialë të dëllinjës janë të rekomanduar nëse vuani nga mushkëritë, sepse kjo bimë shumëfishon furnizimin me gjak të mushkërive dhe më pas shkatërron bakteret dhe viruset që kanë zënë vend në këtë organ të rëndësishëm.

Me pak fjalë, dëllinja lufton kollën, por edhe ndihmon veshkat dhe tëmthin të nxjerrin jashtë bakteret dhe viruset.
Si të përgatisni lëngun e dëllinjës:

Kokrrat e dëllinjës, të plota, të shtypura apo të grira përdoren në çaj, ekstrakte alkolike dhe verë.

Nëse dëshironi të përgatisni çaj, zieni një filxhan me ujë dhe merrni një lugë çaji me kokrra dëllinje të thërmuara dhe lërini së bashku për 5 minuta përpara se ta pini. Këtë lëng mund ta pini tre herë në ditë për një muaj.

Dëllinja është e rekomandueshme edhe në banjat me kripë në trajtimet kundër reumatizmës. Shtoni 30-40 kokrra dëllinje në vaskë, ose ziejini për 10 minuta dhe lëngun e tyre hidheni në vaskë. Me këtë lëng mund të përgatisni edhe kompresa.
Kujdes:
Ekspertët e AgroWeb.org theksojnë se përdorimi afatgjatë i kokrrave të dëllinjës mund të shkaktojë irritime dhe dëmtime në veshka, sepse dëllinja praktikisht sforcon veshkën.

Kjo është arsyeja përse dëllinja rekomandohet për 30 ditë çdo 4-5 muaj.

Nëse jeni shtatzënë ose po përpiqeni të krijoni familje, atëherë mos e përdorni dëllinjën.

Shmangeni atë edhe nëse ushqeni fëmijën me gji. Dëllinja arrin të ulë sheqernat në gjak, dhe shkakton shqetësime serioze tek njerëzit me diabet.
Përdorimet në kuzhinë
Shtoni disa kokrra dëllinje ose një tufë bashkë me gjethet, kur gatuani mish ose peshk të pjekur në furrë.

Lëngu i dëllinjës, përdorimet magjike në mjekësinë popullore Read More »

Ndryshimet në pasurinë e krerëve më të lartë të shtetit shqiptar, si u pasuruan gjatë vitit të fundit; Ilir Meta, Edi Rama dhe Lulzim Basha

Shqiptarja.com zbulon ekskluzivisht ndryshimet në pasurinë e krerëve më të lartë të shtetit shqiptar gjatë vitit 2017. Presidenti i Republikës, Ilir Meta, gjatë vitit që lamë pas, së bashku me Monika Kryemadhin, deklaron hapjen e një llogarie me vlerë 140 mijë paund ose 160 mijë euro për shkollimin e fëmijëve.

Po gjatë këtij viti, bashkëshortja e Presidentit, Monika Kryemadhi, kryetare e LSI, ka shitur dy apartamente banimi me sipërfaqe 101 m2 dhe 166 m2, me vlerat përkatëse 55 550 dhe 58 806 euro. Kujtojmë që gjatë vitit 2016, kryetarja e LSI, ka shitur 4 apartamente të tjera, me vlerë 345 mijë euro, 60 958 euro, 85 088 euro dhe 57 885 euro.

Sa i takon të ardhurave për vitin 2017, Ilir Meta deklaron 982 830 lekë pagën si Kryetar Kuvendit dhe më pas 982 830 lekë pagën si President si dhe 2 500 euro të ardhura të tjera nga Presidenca. Ndërkaq, kryetarja e LSI deklaron 1 993 386 lekë pagën si deputete si dhe pakësimin e një llogarie bankare në Credins me 131 mijë euro.

Kryeministri Rama

Gjatë vitit 2017, bashkëshortja e kryeministrit, Linda Rama, deklaron zgjerimin e tokës në Surrel, duke blerë edhe 2 240 m2 sipërfaqe toke ullishte dhe arë, me vlerë 6 930 000 lekë. Zgjerimi është bërë për arsye funksionale në truallin ku është ndërtuar shtëpia. Ndërkaq, kryeministri Rama ka shitur për 50 milionë lekë të vjetra apartamentin e banimit parafabrikat në Tiranë, me sipërfaqe 59 m2.

Gjatë vitit që lamë pas, Rama deklaron 2 015 199 lekë të ardhura nga paga si kryeministër, 51 000 lekë honorare të tjera si dhe 3 894 352 lekë të ardhura nga krijimtaria artistike. Kryeministri vijon të shlyejë një kredi me vlerë 80 mijë euro, me afat 10 vjet, aktivizuar në 2013, ku detyrimi i mbetur është 26 460 euro.

Nga ana tjetër, Linda Rama, gjatë vitit 2017, deklaron të ardhura nga puna si eksperte 1 849 983 lekë, të ardhura nga honoraret 1 241 276 lekë, qira nga apartamentet 2 712 180 lekë dhe interesa bankare 2 394 lekë. Ndërkaq, i biri i kryeministrit Rama, Gregor Rama, rezulton se jeton me qira si dhe se gjatë vitit 2017 ka marrë 400 mijë lekë të vjetra borxh. Nga shitja e vlerave të artit, Gregori, gjatë vitit 2017, ka fituar 28 mijë euro.

Kreu i PD Lulzim Basha

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, gjatë vitit 2017, deklaron vetëm pagën si deputet 436 556 lekë si dhe të ardhura si kryetar opozite në vlerën 923 200 lekë. Ndërkaq, bashkëshortja e kryetarit të opozitës deklaron 19 240 euro të ardhurash si drejtuese programesh.

Para se të hynte në politikë, Lulzim Basha ka deklaruar një shtëpi banimi në Holandë me vlerë 510 000 gulden, apartament në Tiranë në vlerën 205 mijë dollarë, apartament në Durrës në vlerën 33 000 euro si dhe bashkëpronarë në tre pasuri të tjera të paluajtshme.

Gjithashtu, pasa se të bëhej pjesë e politikës, Lulzim Basha ka deklaruar makinë me vlerë 72 mijë euro, depozitë bankare 52 mijë dollarë, depozitë bankare 81 mijë euro, pikturë 6 500 euro, orë dore në vlerën 5 200 euro, orë dore 4 500 euro, unazë diamanti në vlerën 11 500 euro dhe servis porcelani në vlerën 6 800 euro.

Pasuria e Presidentit Ilir Meta viti 2017

Pakësim në Credins, 538 824 lekë.
Llogari në Credins, shtuar 1 702 lekë.
Paga si Kryetar Kuvendi, 982 830 lekë.
Paga si President, 982 830 lekë.
Të ardhura të tjera nga Presidenca, 2 500 euro.
Overdraft, 106 954 lekë.

Monika Kryemadhi

Shitje apartament banimi, 101 m2, 55 550 euro.
Shitje apartament banimi, 166 m2, 58 806 euro.
Llogari në Credins, shtuar 8 037 lekë.
Llogari në Credins, pakësuar 131 053 euro.
Llogari në Credins 140 mijë paund pagesë për shkollimin e fëmijëve ose 160 mijë euro.
Paga si deputete e Kuvendit, 1 993 386 lekë.
Overdraft 264 239 lekë.
Llogari në emër të …. Metaj, 71 euro.
Overdraft, 210 208 lekë.

Pasuria e kryeministrit Edi Rama viti 2017

Llogaria bankare pakësuar me 319 183 lekë.
Shitje apartament banimi parafabrikat, me sipërfaqe 59 m2, me vlerë 5 000 000 lekë.
Të ardhura nga paga për 2017, 2 015 199 lekë.
Të ardhura nga krijimtaria artistike, 3 894 352 lekë.
Honorare të tjera, 51 000 lekë.
Detyrim kredie në Intesa SanPaolo, 80 mijë euro, me afat 10 vjet, aktivizuar në 2013, detyrimi i mbetur 26 460 euro.

Linda Rama
Të ardhura personale, plus 5 092 665 lekë.
Gjendja cash, – 50 000 lekë.
Blerje tokë ullishte dhe arë në Surrel me sipërfaqe 2 240 m2, me vlerë 6 930 000 lekë.
Të ardhura nga puna si eksperte, 1 849 983 lekë.
Të ardhura nga honoraret, 1 241 276 lekë.
Qira apartamentet, 2 712 180 lekë.
Interesa bankare, 2 394 lekë.

Gregor Rama

llogari bankare në Tirana Bank, – 9 000 lekë.
Llogari bankare në Tirana Bank, + 3 131 euro.
Të ardhura nga shitje e veprave të arrtit, 28 mijë euro.
Kontratë qiraje me afat 2-vjeçar, 432 000 lekë.
Marrë hua, 400 000 lekë.

Pasuria e kryetarit të Partisë Demokratike Lulzim Basha viti 2017

Të ardhura si deputet, 436 556 lekë.
Rimbursime për telefon dhe karburant, 128 511 lekë.
Paga si kryetar i PD, 923 200 lekë.
Paga e bashkëshortes si drejtuese programesh, 19 240 euro.
Pasuri të mëparshme të Lulzim Bashës
Shtëpi banimi në Holandë 510 000 gulden.
Apartament në Tiranë në vlerën 205 000 dollarë.
Apartament në Durrës në vlerën 33 000 euro.
1/3 të një apartamenti në Tiranë në vlerën 17 500 lekë.
1/4 të një apartamenti në Tiranë në vlerën 62 000 dollar.
1/4 pjesë të një trualli 22 100 m2 në Tepelenë, rikthim prone në vitin 2004.
Depozitë bankare në vlerën 52 000 dollarë.
Depozitë bankare në vlerën 81 000 euro.
Mercedes Benz në vlerën 72 000 euro.
Pikturë në vlerën 6 500 euro.
Orë dore në vlerën 5 200 euro.
Orë dore në vlerën 4 500 euro.
Unazë diamanti në vlerën 11 500 euro.
Servis porcelani në vlerën 6 800 euro.
Të ardhura të bashkëshortes nga shitja e apartamentit në Tiranë 10 450 000 lekë, pjesa 25%.

Bashkëshortja Aurela Basha

Të ardhura nga shitja e apartamentit në Durrës në vlerën 45 000 euro.
blerje e një apartamenti në Kavajë
Shitja e banesës në Hollandë në vlerën 257 500 euro
Bashkëshortja Aurela Basha pagë në vlerën 51 391 euro.
Bashkëshortja Aurela Basha të ardhura nga shitja e veturës në vlerën 45 000 euro.
Bashkëshortja Aurela Isufi të ardhura nga shitja e apartamentit në Tiranë në vlerën 100 000 euro, bashkëpronare me 33%.

Ndryshimet në pasurinë e krerëve më të lartë të shtetit shqiptar, si u pasuruan gjatë vitit të fundit; Ilir Meta, Edi Rama dhe Lulzim Basha Read More »

Deklarata e fortë e Arjan Çanit: Nuk ka pse të largohet, Xhafaj është ministri që do …

Një nga çështjet e shumë përfolura të momentit është ajo e akuzave të opozitës për vëllain e Ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj, për të cilin thuhet se është i dënuar për trafikim të lëndëve narkotike.

I ftuar në News24, gazetari dhe moderatori i njohur Arjan Çani është shprehur se ai nuk ka pse largohet nga posti i ministrit. Atë e do amerika dhe pse me probleme në figurë, ka thënë Çani.
“Unë mendoj që nëse do ndodhte kjo gjë në vendet europiane, ministri i Brendshëm do ikte vetë nuk do priste që ta shkarkonte kryeministri. Në një vend normal dhe me demokraci, çdo njeri do kishte dhënë dorëheqjen, sepse i prish punë imazhit të qeveerisë tij. Unë e shoh më shumë morale, se politikisht nuk ka pse ikën ministri Xhafaj.
Për katundin tonë, Xhafaj s’ka pse ikën. Unë mendoj që Xhafa s’ka pse të ikë fare nga ministër, sepse mesa kemi kuptuar amerikanët ku ta gjejnë të kenë një ministër ose kryeministër me një cen në figurë. Historikisht këtë lojë kanë luajtur amerikanët. Xhafaj sot në kontekstin shqiptar është më i fortë pas këtyre akuzave. Në kontekstin shqiptar, ku bëhet muti mullar dhe askush nuk do me ditë, unë nuk shoh arsye pse të ikë Xhafa“, është shprehur gazetari.

Deklarata e fortë e Arjan Çanit: Nuk ka pse të largohet, Xhafaj është ministri që do … Read More »

Spartak Braho merr vendimin, ç’do bëjë me mandatin që la Tahiri

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ditën e premte, më datë 11.05.2018, ora 13:00, do të shqyrtojë projekt-vendimit, “për dhënien e mandatit të deputetit të Kuvendit të Shqipërisë kandidatit të listës shumemërore të Partisë Socialiste, Qarku Tiranë, për plotësimin e vakancës së njoftuar nga Kuvendi i Shqipërisë, pas heqjes dorë nga mandati i deputetit z. Saimir Tahiri”.

Tre ditë më parë u firmos procedura nga Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit për të zëvendësuar Saimir Tahirin, me pasuesin në listë, Spartak Brahon.

Ndërkohe burime për News 24 kanë bërë me dije se Spartak Braho e ka pranuar mandatin.

Ky i fundit, aktualisht është këshilltari i Kryeministrit për marrëdhëniet me Parlamentin dhe renditet i 19-ti në listën e kandidatëve të Partisë Socialiste në Qarkun e Tiranës. Kodi Zgjedhor, neni 164 thekson se:

“Në rastin se deputeti deklaron në mënyrë publike përpara komisionit përkatës të Kuvendit refuzimin, për të bërë betimin ose heqjen dorë nga mandati. Në këtë rast, Kuvendi, jo më vonë se 30 ditë, njofton KQZ-në për krijimin e vakancës”, thekson Kodi Zgjedhor.

“Mandati i ndërprerë i deputetit ose i anëtarit të Këshillit të Bashkisë i kalon kandidatit vijues të listës së të njëjtës parti politike, në zonën zgjedhore përkatëse”, thekson Kodi.

Spartak Braho merr vendimin, ç’do bëjë me mandatin që la Tahiri Read More »