Aurora

Qytetari lavdëron drejtorin e Hipotekave, Rama: S’kam motër as vajzë, ta merrja për dhëndër

Kryeministri Edi Rama është përplasur sërish me qytetarët në Dropull. Ku herë me batuta dhe herë më seriozitet Rama ka replikuar me banorët e zonës, në kuadër të një dëgjese publike me pakicat kombëtare.

Debati

Qytetari: Ke thënë që Shqipëria është një nuse e veshur keq.

Rama: Ore ku i dëgjoni këto ju kush ua thotë këto gjëra se nuk u  marrë vesh.

Qytetari: Ministri ka thënë

Rama: Ore s’u marrë vesh ca korrieri u  sjell këto që them unë

Qytetari: E kam thënë 100 herë, kam vetëm një përgjigje, shqipëriaqëduam.al

Rama: Të ka dërguar djali mesazh

Qytetari: Ik kam kthyer përgjigje djalit, i kam thënë tek shqipëriaqëduam.al. Ku e ke djalin ti apo po bën qejf ai dhe ka dërguar babain këtu.

Qytetari 2: Unë kam vetëm një gjë, dua të falënderoj drejtori ne Hipotekës se e kemi shumë të mirë.

Rama: Po as ai nuk kishte gjë me drejtorin, e kishte me institucionit. Këtu kemi ardhur për punë nuk kemi ardhur  për krushqi. Nuk kemi motër t’ia japim për grua.

Qytetari lavdëron drejtorin e Hipotekave, Rama: S’kam motër as vajzë, ta merrja për dhëndër Read More »

”Është marrë me drogë, burgaxhi dhe kumarxhi”. Qytetarët vlonjatë flasin si e njohin ‘Babalen’ (Video)

“Dëshmitari X”, apo Albert Veliu personazhi i përgjimit të publikuar nga PD është një personazh i njohur në qytetin e Vlorës. Ata e tregojnë “Babalen” si një person të përfshirë në trafiqe, problematik në qytetin e Vlorës dhe të zhytur në borxhe në shumë biznese në qytetin bregdetar.

Përgjimi i publikuar nga PD, ku pretendohet se është Agron Xhafaj, është kthyer në temën kryesore të diskutimeve edhe tek qytetarët vlonjatë, të cilët i njohin edhe personazhet e përfshira në këtë debat.

Ata nuk shprehen të habitur për këtë situatë, por e cilësojnë gjithçka të inskenuar politiksht duke përdorur personazhe të dënuar për trafik droge për të sulmuar ministrin e Brendshëm Fatmir Xhafaj. Disa prej të intervistuarve, e njohin nga afër “Dëshmitarin X”, Albert Veliu.

Teksa e cilësojnë si llumin e shoqërisë vlonjate, ka edhe nga ata që shprehen se Veliu u ka borxhe në bizneset e tyre dhe se ai njihet në qytetin e Vlorës si kontigjent kriminal.

Ai në ato linja ka qenë, ka qenë me kohë. Vetë është marrë me atë punë, ka bërë burg. Është dënuar në 2002, është dënuar në 2005.

Qytetar vlonjat

Është një njeri që është marrë me drogë, ka vjedhur, ka rënë në burg kaq herë. E provokova njëherë, thotë, këto janë fjalë rrugaçësh.

Qytetar  vlonjat

Këtë e ka bërë PD-ja, e ka futur në kurth. E njohim, si nuk e njohim.

Qytetar vlonjat

“Është kumarxhi”, thotë një tjetër qytetar vlonjat.

E njoh që kalama. Njeri i rëndomtë, në të gjitha lokalet e Vlorës ka borxhe. Ashtu ka qenë, ashtu do mbetet dhe ashtu do vdesë ai.

Qytetar vlonjat

Këto nuk janë opinionet e vetme. Ka pasur edhe nga ata qytetarë që nuk e njohin nga afër “Dëshmitarin X”, por në opinionin e tyre e cilësojnë të gjithë ngjarjen si të inskenuar për kredo politike./Shqiptarja.com

”Është marrë me drogë, burgaxhi dhe kumarxhi”. Qytetarët vlonjatë flasin si e njohin ‘Babalen’ (Video) Read More »

“Kus Baba” në Vlorë, do të quhet “Kus Babale”. Basha po këmbëngul, Rama do ia bëjë këtë “lëshim”. I dha 13.3 milionë euro, jo më këtë

Vlorës si gjithnjë i gjendet ana dhe mënyra për ta kthyer në qendër të debatit, ne qendër të goditjes sa herë që tentohet apo ka përplasje të fortë politike.

Madje dhe kur nuk ka, sajohet diçka, ndonjë skenar dhe fusha e veprimit ndoshta dhe në mënyrë të sforcuar zhvendoset menjëherë në Vlorë.

Më shumë këtë e kërkon PD dhe opozita, e cila e ka obsesion Vlorën pasi i duket sikur pushteti merret dhe lihet vetëm kur do dhe mendon Vlora.

Dhe duke qënë se PD identifikohet me Sali Berishën në tërë këto vite si lider historik i saj, tashmë me afrimin e 26 majit, përvjetorit të 22 të ngritjes së institucionit të vjedhjes së votës nga Berisha dhe datës së “rrethimit” të të pritshëm të kryeministrisë në protestë nga Lulzim Basha e trimat e tij, sërish gjithçka “luhet” në Vlorë.

Fjala është për një “inkursion” ndoshta dhe të pamenduar të selisë blu të udhëhequr nga Basha dhe jo “ustai” Berisha, ku dërguan Ervin Salianjin, Gazmend Bardhin e ndonjë tjetër dhe “peshkuan” një demokrat të flakët, por që fatkeqësisht është trafikant droge pa lekë në xhep, dhe i thanë të fuste në “kurth” vëllain e ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj.

Pa hyrë shumë në autencitetin e atij video-përgjimit të famshëm Albert Veliu të mbituajturit “Babale”, një protestues profesionist, trafikant, që pretendon se ka bërë një bisedë me Agron Xhafajn, ai këmbëngul se nuk e di kush e ka përgjuar bisedën.

Nga ana tjetër “Babalja”, kështu quhet me përkëdheli trafikanti, ka ngatërruar dynjanë sa tashmë askush nuk e merr përsipër përgjimin, madje as gazetari militant Jetmir Olldashi.

Njëherësh problem është se ku i gjeti lekët ky “Babalja” që bleu mbi 20 kilogramn drogë, ku e gjeti drogën, kush ia dha, pasi e bleu ku e çoi.

Dhe të gjithë këta njerëz do të shkojnë te prokuroria e Krimeve të Rënda për të dhënë ca shpjegime, pasi dhe organi i akuzës i ka disa prova.

Por ajo që mbetet është fakti se në Vlorë tashmë kanë nisur të tallen të gjithë, dhe me atë humorin e egër vlonjat, ndonëse me dhimbje thonë: Tani pika turistike “Kus Baba” në Vlorë do të quhet këtej e tutje “Kus Babale”.

Argumenti ironik i dhënë me këtë rast është se “po na njohin për fat të keq më shumë me këtë “Babalen”, duke na e lëshuar bojën në tokë”.

Pavarësisht se “Babalja” është heroi i opozitës.

Ku jo pa ironi sërish vlonjatët thonë se Rama s’ka për t’ia prishur Bashës, i dha 13.3 milionë euro të pallatit të vjehrrit që u shemb në Vlorë, i dha dhe 7 ministra, 7 drejtorë të përgjithshëm, dhe ndryshimi i emrit nga “Kus Baba” në “Kus Babala” s’është asgjë për kryeministrin./Pamfleti

“Kus Baba” në Vlorë, do të quhet “Kus Babale”. Basha po këmbëngul, Rama do ia bëjë këtë “lëshim”. I dha 13.3 milionë euro, jo më këtë Read More »

Çfarë efekti mund të ketë te votat dueli mediatik, “Babale-Rama”? Kë duhet të besojnë shqiptarët

Parë nga një këndvështrim më afatgjatë, betejat mediatike mes pakicës dhe shumicës (në shtete ku ekzistojnë të dyja), bëhen për votat. Kështu që, lind natyrshëm pyetja: Çfarë efekti mund të ketë te votat, dueli mediatik, “Babale-Rama”?
Shkruan Eduard Zaloshnja

Java e shkuar, filloi me publikimin nga PD-ja, të një përgjimi audio, përmes të cilit pretendohej se, një ish-skafist kishte biseduar me vëllanë e ministrit të Brendshëm, për dërgimin e një sasie kanabisi drejt Italisë. Më pas, ish-skafisti i përgjimit (Albert Veliu, i njohur në Vlorë me nofkën “Babale”), deklaroi se, biseda e publikuar (mes tij dhe vëllait të ministrit të Brendshëm), ishte autentike.

Nga ana tjetër, në një fjalim para grupit parlamentar socialist, Edi Rama deklaroi se e kishte dërguar regjistrimin e bisedës së sipërcituar, në një agjenci të specializuar jashtë Shqipërisë dhe, nga përgjigjja e asaj agjencie, ishte bindur se regjistrimi nuk ishte autentik.

Ditët e javës u mbushën me deklarata e kundërdeklarata nga politikanë dhe gazetarë, të cilët mbështesnin, ose versionin e “Babales”, ose të Ramës. Por këto dy versione janë diametralisht të kundërta – nuk ka vend për një të vërtetë të mesme midis tyre. Ose ish-skafisti “Babale” po tregon të vërtetën, ose Rama…

Në një rast të tillë, në një vend me shtet të konsoliduar ligjor, i lihet drejtësisë të thotë fjalën e fundit. Por, në Shqipëri, ne kemi patur raste të ngjashme, kur ekspertët e huaj kanë deklaruar se, një regjistrim privat video/audio ka qenë autentik, ndërkohë që ekspertët vendas kanë deklaruar të kundërtën.

Ose më keq akoma, kemi patur një rast kur, FBI-ja amerikane ka deklaruar se ka patur qitje të drejtpërdrejtë nga arma e oficerit të Gardës së Republikës, drejt protestuesit të vrarë me duar në xhepa në bulevard, ndërkohë që, ekspertët shqiptarë kanë dalë në përfundimin se ka patur një rikoshet plumbi te… halat e pishës.

Nisur nga kjo përvojë shqiptare, nuk mund të pritet që i gjithë opinioni publik të bindet nga verdikti që do të japë eventualisht, drejtësia në këtë rast (nëse ish-skafisti “Babale” apo Rama ka thënë të vërtetën). Në qoftë se, drejtësia konkludon se i pari ka thënë të vërtetën, përkrahësit e PS-së do të thonë se drejtësia ende kontrollohet nga Berisha, në kohën e të cilit janë emëruar prokurorët dhe gjykatësit aktualë. Në të kundërtën, përkrahësit e PD-së do të thonë se, Rama e ka shtënë tashmë në dorë drejtësinë.

Me pak fjalë, opinioni publik do të jetë i ndarë mes ish-skafistit “Babale” dhe Ramës. Por, a kemi ndonjë të dhënë se, në ç’proporcione ndahet aktualisht opinioni shqiptar në duelin “Babale-Rama”?

Në një sondazh online të një prej faqeve shqiptare më të ndjekura në internet, pyeteshin vizitorët: “A i besoni dëshmisë së Albert Veliut, që solli Partia Demokratike?” Dhe 2/3 e pjesëmarrësve në sondazh, i ishin përgjigjur “Jo” kësaj pyetje. Ndërkohë, vetëm 1/3 e besonin dëshminë e ish-skafistit “Babale”.

Ky sondazh online ka dy probleme statistikore. Së pari, kampioni i tij përfaqëson vetëm vizitorët e faqes konkrete të internetit. Së dyti, përgjigjja e pyetjes kishte vetëm dy mundësi; ose jo, ose po. Normalisht, për pyetje të tilla, jepet edhe një mundësi e tretë; “S’e di”. Me këtë opsion, u jepet mundësia të shprehen edhe ata që nuk janë të sigurt, nëse diçka është e vërtetë apo jo.

Për arsyet e mësipërme, nuk mund të thuhet se, statistikisht, 2/3 e shqiptarëve besojnë Ramën dhe 1/3 ish-skafistin “Babale”. Sidoqoftë, fakti që faqja e sipërcituar e internetit i takon një televizioni kryesor kombëtar, i cili ka disa muaj që ka qenë shumë kritik ndaj qeverisë, si dhe fakti që numri i pjesëmarrësve në votimin online ka qenë i madh (nënkupto shumëngjyrësh), të lejon të mendosh se ndjeshëm, më shumë shqiptarë i besojnë Ramës, krahasimisht me ish-skafistin “Babale”.

Parë nga një këndvështrim më afatgjatë, betejat mediatike mes pakicës dhe shumicës (në shtete ku ekzistojnë të dyja), bëhen për votat. Kështu që, lind natyrshëm pyetja: Çfarë efekti mund të ketë te votat, dueli mediatik, “Babale-Rama”?

Nga një sondazh që zhvillova një ditë para se ky duel të fillonte, më rezultoi se, PS-ja kishte rreth 80 mijë votues të vendosur më pak, se sa në qershor 2017, ndërkohë që PD-ja kishte rreth 75 mijë më shumë, se sa niveli tejet i ulët i atij qershori (shihni grafikun shoqërues). Sidoqoftë, PS-ja kishte ende një epërsi prej 155 mijë votash ndaj PD-së.

Kur të zhvilloj në qershor sondazhin e radhës, do të kem mundësinë të testoj se, ç’efekt mund të ketë te votat, dueli mediatik “Babale-Rama”?

Çfarë efekti mund të ketë te votat dueli mediatik, “Babale-Rama”? Kë duhet të besojnë shqiptarët Read More »

Tjetër dështim për Monika Kryemadhin, gjykata: Edi Rama i pafajshëm

Gjykata e Beratit ka rrëzuar kërkesën e LSI-së për vazhdimin e hetimeve nga prokuroria ndaj kryeministrit Edi Rama. Pasi prokuroria mbylli hetimet, gjykata e Tiranës kishte shpallur moskompetencën pasi deklaratat e Edi Ramës ishin bërë në një vend tjetër.

Rama vitin e kaluar në fushatën zgjedhore kërkoi për angazhimin e efektivëve të Policisë së Shtetit në fushatën e PS, jashtë orarit të punës. Për LSI kjo ishte një thirrje antikushtetuese dhe paditën kreun e qeverisë në Gjykatë. Por Gjykata e Beratit ka rrëzuar LSI-në ditën e sotme.

Më herët ka qenë Prokuroria e Tiranës që nuk ka pranuar kërkesën e LSI-së. Kjo çështje u ankimua nga LSI në Gjykatën e Beratit dhe është kjo Gjykatë e cila rrëzon padinë, duke mos gjetur shkelje ndaj kryeministrit Edi Rama.

Pas këtij vendimi ka reaguar Ylli Manjani.

‘Drejtësia kokëulur para kryeministrit. Ky kryeministër përbën rrezik për zgjedhjet e lira dhe të ndershme në Shqipëri’, është shprehur Manjani pas vendimit të gjykatës.

Tjetër dështim për Monika Kryemadhin, gjykata: Edi Rama i pafajshëm Read More »

Gazetaren e quanin të çmendur, ajo çfarë zbuloi doktori nga një vizatim i saj i ndryshoi jetën komplet

Susannah Cahalan, një vajzë 24-vjeçare është protagonistja e kësaj historie.

Jeta e saj ishte krejtësisht normale, punonte si gazetare dhe jetonte një jetë të lumtur dhe të shëndetshme. Derisa një ditë ajo e kuptoi se diçka nuk ishte në rregull.

Së pari mendonte se trupi i saj ishte plot me insekte të vogla, por pas disa analizave mjekët nuk gjetën asgjë. Ditët kalonin dhe Susannah vazhdoi të kishte të njëjtën ndjesi, u bë letargjike dhe vendosi të largohej nga puna.

Koha kalonte dhe vajza kishte gjithnjë e më shumë paranojë, derisa ajo kishte hallucinacione të shpeshta. E pasi kishte pasur një seri konvulsionesh, mjekët vendosën ta shtronin në spital.

Në spital nuk u përmirësua, por u bë edhe më keq. Ajo u bë shumë agresive me infermieret dhe u përpoq të ikte disa herë nga klinika.

Për këtë arsye, mjekët filluan të dyshonin se vajza mund të vuante nga kriza nervore, një krizë me të cilën ata lehtë mund ta kishin mbyllur atë në një spital psikiatrik.

Megjithatë, dhe për fat të mirë për Susannah, Dr. Souhel Najjar e dinte se çfarë po ndodhte me të dhe vendosi të vepronte menjëherë.

Kur Dr.Najjar u bë i vetëdijshëm për rastin, ai zgjodhi të mos kryejë analiza tipike për të cilat zakonisht i nënshtrohen pacientët, por vendosi që ishte më mirë me vajzën të provonte një eksperiment të vogël. Ai i kërkoi të vizantonte një orë.

Kur mjeku e pa atë që kishte vizatuar vajza, ai e dinte me siguri se ajo që ai dyshonte ishte e saktë. “Çmenduria” e Susannah ishte për shkak të një problemi fizik dhe jo mendor.

Vizatimi i të resë përfaqësonte një orë me të gjithë numrat në anën e djathtë, gjë që pasqyronte dëmtimin e trurit. Pas disa testeve dhe hulumtimeve më të detajuara, mjeku ishte në gjendje të diagnostikonte një encefalit për antitrupa kundër receptorit NMDA.

Kjo lloj sëmundje është një çrregullim imunitar gjatë së cilit truri sulmohet nga antitrupa të prodhuara nga i njëjti sistem imun.

Sikur të mos ishte për zbulimin e Dr.Najjar, Susannah sigurisht do të kishte përfunduar në një klinikë psikiatrike dhe ndoshta sëmundja do ta kishte çuar atë në koma apo edhe në vdekje.

Në sajë të diagnozës dhe ilaçeve, Susannah ishte në gjendje të shërohej.

Pas një muaji në spitali ajo u kthye në shtëpi. Kur ajo përpiqet të kujtojë ato ditë, gjithçka duket joreale: “Nuk mbaj mend shumë gjëra të muajit që kam kaluar në spital, më duhej të lija mjekët të shpjegonin se çfarë më është bërë, as nuk i kujtoj bisedat me familjen time apo me të dashurin tim”.

Me këtë histori, Susannah ka shkruar një libër të quajtur “Truri në flakë” dhe së shpejti do të shfaqet në ekranin e madh.

Pa dyshim, historia e saj duket e shkruar për një film horror dhe e reja do të dëshironte të ndahej sa më shumë që të ishte e mundur, në mënyrë që shumë më tepër njerëz të mund të njohin dhe të mposhtin këtë lloj sëmundjeje.

Gazetaren e quanin të çmendur, ajo çfarë zbuloi doktori nga një vizatim i saj i ndryshoi jetën komplet Read More »

Përkujtimore për Spaçin, Romana Vlahutin e qartë: Respekt për të shkuarën dhe e përulur para detyrave për të ardhme më të ndershme

Ambasadorja e Bashkimit Evropian në vendin tonë Romana Vlahutin merrte pjesë në aktivitetin e organizuar me rastin e përkujtimit të 45-vjetorit të revoltës së Spaçit.

Për të folur rreth absurditeteve të komunizmit, ajo kujtoi se të rinjtë mund të dënoheshin vetëm se këndonin këngët e Adriano Çelentanos. Ajo tha se shqiptarët u persekutuan vetëm se donin që vendi i tyre të ishte si gjithë Evropa.

“Është e vështirë, thuajse e pamundur të mendosh që në Evropën e cila ka shkuar në hënë, ka shpikur internetin, ka biometrinë, zemrën artificiale,  4 dekada më parë një djalosh i ri mund të dënohej vetëm sepse i kishte rënë kitarës për të kënduar këngët e Adriano Celentanos.

Shqiptarët u persekutuan sepse donin të ishin poetë, mendimtarë, piktorë dhe studiues, donin të ishin si pjesa tjetër e Europës. Është e vështirë të mendohet që tragjeditë që kanë ndodhur në Spaç apo në mbarë Shqipërinë është një tragjedi që ta tregojmë si histori dhe ta shërojmë.

Jam e përulur para detyrave që kemi për të respektuar të shkuarën dhe e ardhmja të jetë më e ndershme. Për të ruajtur Spaçin si një vend kujtese në mënyrë që fëmijët tanë t’i mësojnë fëmijëve të tyre për atë se çfarë ka ndodhur këtu.

BE ka nisur një projekt që është identifikimi i ADN të personave të vrarë. Kemi  nisur në zonën e Dajtit dhe kjo do të bëhet në mënyrë që që  familjet të fillojnë të identifikojnë të dashurit e tyre sa më shpejt të jetë e mundur.”, tha Vlahutin.

Përkujtimore për Spaçin, Romana Vlahutin e qartë: Respekt për të shkuarën dhe e përulur para detyrave për të ardhme më të ndershme Read More »

Babolet, amerikanët dhe uji

“Na, more gazetar! Ndalu pak! Nuk po të shoh të shkruash më, apo ta mblodhi ai Babolja i amerikanëve?” – kështu m’u drejtua dje në mëngjes Sula, i ati i Dyl Dyshekut.

Shkruan Ilir Mborja

Do muhabet edhe ky tani – thashë me vete e bëra ta anashkaloj me një buzëqeshje të shtirur plakun e ngeshëm që më kishte prerë rrugën. Kishte edhe qesëndisje tek ato që thoshte. Patjetër që kishte dëgjuar për ngjarjen time që kishte marrë dhenë këtu e dy muaj më parë dhe e lidhte me Babalen e Vlorës.

Pra, ngjarja me audiopërgjimin e tij, në vend se ta sfumonte, e kishte risjellë edhe një herë në memorjen e njerëzve historinë time të para dy muajve. S’kam pse ta fsheh. U bëra gazi i botës se, mora mend e Dylit dhe e publikova në gazetë momentin kur një jevg më ndaloi në rrugë dhe më tregoi nga celulari i tij foto e video që më paraqitnin mua. Pashë veten time krah një burri të panjohur me kapele në sportelin e arkëtares së një Western Union-i.

Pra, pronari i saj, Amareto Çaploku, që m’u paraqit tamam si sherif amerikan, interesohej për identitetin e burrit me kapele dhe kur i thashë se nuk e njihja, m’u kërcënua: “Po nuk tregove emrin e tij brenda javës, ne të zhdukim nga faqja e dheut.”. Kaq tha jevgu dhe i hipi një veture e iku. Meqë vinte nga Western Union-i, me fjalën “ne” unë nënkuptova atë dhe ca amerikanë nga ata që të zhdukin. Nuk e di pse në çast m’u kujtua Kenedi. U tmerrova. M’u errësuan sytë. Gjersa nuk kishin përtuar të më përgjonin, të më fotografonin e filmonin, patjetër edhe mund të më zhduknin.

Kush do ta çante menderen për një copë jevg si unë? Pastaj m’u kujtua Onasio. Zhaklina për ca kohë vejushë. Dikush do ta merrte për grua patjetër edhe ezmeren time. Normalisht, jevgu nuk e ka frikë jevgun, por mua më kallte datën pjesa amerikane e tij. Si të mos trembesha? Vinte nga Western Union-i, kompania më e madhe e transfertave të parave në botë. Ashtu, me brekë të mbushura nga tmerri, shkova drejt e në Polici.

Aty, meqenëse bija erë, për të më përzënë sa më parë, inspektori i Policisë nuk priti ta sqaroja gjatë. Për të hyrë menjëherë në temë, i ra shkurt dhe mori në celular vetë jevgun nga numri që i dhashë unë. Në fillim Amareto nuk iu përgjigj thirrjes së tij se inspektori i telefononte me numër të fshehtë. Pastaj, kur i ra me numrin e Policisë, ai ia hapi. Më mirë mos e kishte hapur thuaj. Amareto Çaploku u bezdis aq shumë nga ajo telefonatë, sa iu gërmush inspektorit aq fort, sa mua më erdhi keq për të. ““I am sheriff Amareto.” Parrulla: “Jam në Rinas me shefin e madh.”” – dëgjova jevgun që bërtiste dhe pashë fytyrën e inspektorit që në çast u bë dyll e verdhë. Pastaj dëgjova telefonin që kërciti, por nuk e kuptova: i ra nga dora, apo inspektori e përplasi vetë në dysheme?..

Për këtë ndodhi më ngacmonte Sula, plaku i ngeshëm i Dyl Dyshekut dhe prandaj ndalova, por sa fillova t’ia tregoj, më ndërpreu: “Këto i di nga Dyli unë se i ka lexuar në gazetë, por më thuaj pak: Ç’u bë më tej? Ç’pati me ty jevgu i amerikanëve? Ç’thonë prokurorët?”.

Prokurorët thonë se nuk mund të hapin dosje tjetër për këtë çështje pasi nuk i lejojnë amerikanët. Kohë më parë, ata të Western Union-it kanë nisur vetë një hetim për pastrim parash që kanë bërë ca VIP-a. Unë, si njëri prej tyre, jam pjesë e hetimit. Amareto nuk mund të pyetet se punon për amerikanët. Edhe arkëtarja e tij, një vajzë yll e bukur nga katundi Mirakë qenkësh si biçim “Mata Harri”, edhe e LSI-së edhe e amerikanëve. Kështu pra, dmth prishen provat po të gërmohet më tej…

“E kuptova. E kuptova.” – më ndërpreu plaku i Dylit dhe vazhdoi: “ Kot je trembur, se Amareto nuk ta ka pasur me të keq. Ç’VIP je ti? Ka dashur vetëm të të rekrutojë që të qepësh gojën a të përgjosh me çimkë vëllanë e ndonjë ministri të Rilindjes. Me që je jevg, jevgun ta sollën se kujtuan që do të merreshit vesh, por ti u trembe dhe vrapove në polici. Mbeti Amerika për Amareton?! Shumë, shumë, nga Monika e ke peshqesh jevgun. Kjo është e gjitha e mos e zër më në gojë këtë muhabet me njeri se të qeshin.

Mos merr mend e tim biri! Mos u bëj si ata analistët që dalin përnatë në televizor se, sos që jeni budallenj vetë, por, me Babolet tuaja, po budallallepsni edhe miletin. Edhe prokurorët i luajtët menç. Prova këtu e prova atje. Çimka këtu e Çim Peka atje. Njerëzit tallen me ju kur dilni e analizoni pordhët që lëshojnë Luli, Salianji e Babolet e SHQUP-it. I quani dhe prova pale?! Meqë ra fjala tek prova, dëgjo edhe këtë historinë time e ta kuptosh ti e gjithë shokët e tu gazetarë se njerëzit nuk janë bole si ju: “Ishte viti ‘80 dhe kryesia e kooperativës, meqenëse isha shumë i dobët fizikisht e nuk e përballoja dot punën në arë, më vendosën në baxho. Duhet të merrja në dorëzim qumështin. Atë punë më lanë, por më porositën, që, më parë, duhej t’i bëja provën çdo bidoni se barinjtë i hidhnin ujë. I hidhnin shumë madje.

Për këtë, në një cep të baxhos, kishim ca gypa qelqi të shënuara me viza e me numra. Epruveta u thonin. Me to bëhej prova. Kishin mbetur që nga koha kur kishim pasur miqësi me kinezët, por unë nuk i përdora asnjëherë sa punova atje. Nuk merrja vesh hiç nga analizat apo provat me epruveta, siç nuk marr vesh edhe sot asnjëherë atë Alibeajn kur del e flet për procedurat e ligjet, por punën e kryeja mirë ama. Kur më dorëzonin qumështin, i hiqja kapakun bidonit dhe me një thupër të hollë thane mënjanoja ajkën dhe e zhytja dhe e përzieja në thellësi. Barinjtë hileqarë tërboheshin e më thonin: “Ç’shikon more Sul? Ku ke parë qumësht me sy ti?!”… E! – u përgjigjesha unë. – Ashtu është. Vërtet qumësht ka vite që nuk kam parë, por ujin, ëë, ujin e njoh mirë ama.

Ujë kam pirë gjithë jetën dhe me ujë s’ma hedh dot njeri. Se ujin që thua ti more gazetar, është kollaj e mund ta futësh kudo, por është shumë e vështirë t’i ndërhyet dhe të mos kuptohet. Të paktë janë tregtarët që nuk përtojnë e i shtinë ujë verës, qumështit, madje, edhe naftës. Po provoje njëherë e hidhi një pikë naftë pusit me ujë! Pihet më ai ujë? Kështu edhe muhabeti i Baboleve, gjithë ujë është. Edhe analizat tuaja për të, ujë janë. Ujë i qelbur që nuk jua pi njeri.

Na, more gazetar, se përpak më doli nga mendja porosia e Dylit për ty: Mos harro! Kur t’i shkruash Amerikës për hallin tënd, mos i thuaj për vete që je jevg, se Trampi nuk ju ka shumë për zemër. Fundja, thuaj vetëm për Amareton, por mos ia hidh në sy atë punën e agjentëve të Western Union-it, se të qeshin! Sa kanë parë amerikanët si Babolja i SHQUP-it e jevgu yt i LSI-së, aq të mira qofshin! Mblidhe mendjen, o gazetar! Nuk ta pi njeri atë ujë!”/Pamfleti

Babolet, amerikanët dhe uji Read More »