Aurora

Projekti “Lungomare”, modeli i ri për zhvillimin e turizmit

Hapet procedura e tenderimit me vlerë mbi 199 milionë lekë, për vijimin e segmentit jugor nga Fusha e Sportit deri te Tuneli

TIRANË, 29 qershor /ATSH/-Fondi Shqiptar i Zhvillimit ka hapur procedurat e tenderimit për vazhdimin e shëtitores së Vlorës, e njohur ndryshe edhe si ‘Lungomare’.

Projekti i Lungomares ka krijuar një model të ri të zhvillimit të turizmit jo vetëm për Vlorën, por për të gjithë vijën bregdetare. Ky është një ndër investimet më të mëdha në Shqipëri i mbështetur nga Bashkimi Europian.

Procedura e tenderimit për vijimin e këtij projekti do të përfshijë segmentin jugor nga Fusha e Sportit deri te Tuneli.

Fondi limit i projektit kap vlerën e mbi 199 milionë lekë, i cili do të ndahet në dy pjesë. Fondi i akorduar për vitin 2018 është 40.4 milionë lekë, ndërkohë pjesa e mbetur është parashikuar të investohet për vitin 2019.

Operatorët ekonomikë do të kenë mundësi të dorëzojnë ofertat e tyre deri më datë 30 korrik 2018. Ndërsa, sa i takon kohëzgjatjes së kontratës, ajo parashikon një kohëzgjatje prej 180 ditësh që nga nënshkrimi i saj, njofton FZHSH.

Projekti “Lungomare”, modeli i ri për zhvillimin e turizmit Read More »

MSHMS siguron strehë për të moshuarit e braktisur në Korçë

TIRANË, 29 qershor/ATSH/-Pas bërjes publike në media të rastit të çiftit të të moshuarve L.M dhe F.M nga Korça, të cilët u nxorrën jashtë shtëpisë nga fëmijët dhe mbetën në rrugë të pastrehë, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka sistemuar brenda ditës, me procedurë të përshpejtuar të moshuarit e braktisur në qendrën Polivalente në Poliçan.

Duke e konsideruar si emergjencë, nëpërmjet strukturave të shërbimit social shtetëror, u bë e mundur sistemimi I çiftit të të moshuarve në Poliçan.

Ndërkohë po kryhen procedurat për plotësimin e dokumentacionit për vendosjen përfundimtare në institucionet publike rezidenciale të dy të moshuarve. Ministrja Manastirliu shprehu angazhimin për përfundimin sa më të shpejtë të procedurave, ndërkohë që të moshuarit janë strehuar menjëherë në qendrën publike të Poliçanit.

MSHMS siguron strehë për të moshuarit e braktisur në Korçë Read More »

Mogherini-Hahn: Shqipëria, në rrugë të pakthyeshme drejt BE-së

TIRANË, 29 qershor/ATSH/ – Përfaqësuesja e Lartë për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Federica Mogherini dhe Komisioneri për Politikat Europiane të Fqinjësisë dhe Negociatat e Zgjerimit, Johannes Hahn në një artikull të publikuar sot në të përditshmen “Panorama” theksojnë se Shqipëria është në një rrugë të pakthyeshme drejt Bashkimit Europian.

“Këtë javë, vizioni ynë për një Europë vërtet të bashkuar vjen një hap më pranë. Shtetet anëtare të BE-së përcaktuan një udhë të qartë drejt hapjes së negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë në qershor 2019. Kjo është në sajë të përparimit mbresëlënës që Shqipëria arriti gjatë vitit të kaluar, jo vetëm në rrugën e saj drejt Bashkimit Europian, por edhe për të përmirësuar jetën e përditshme të popullit të saj”, shkruajnë dy zyrtarët e lartë europianë.

“Ne dëshirojmë të përgëzojmë popullin shqiptar dhe institucionet shqiptare për rezultatet e arritura. Një kapitull i ri i punës sonë të përbashkët fillon sot: Komisioni Europian nisi menjëherë përgatitjet dhe ne kemi besim se ju do të ruani gjithashtu të njëjtën vendosmëri mbresëlënëse dhe punë të madhe.

Progresi në fushën e Reformës në Drejtësi është i dukshëm dhe tashmë ka bërë një ndryshim të prekshëm dhe pozitiv. Sistemi i Vetingut, i cili është në thelb të Reformës në Drejtësi dhe përfshin rivlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, po prodhon rezultatet e para. Kjo kërkonte guxim politik dhe unitet në vend. Ndryshimet kushtetuese u miratuan njëzëri për të mundësuar një paketë reformash gjyqësore në vitin 2016.

Ky nuk është thjesht një transformim ligjor, por edhe shoqëror. Ju keni mjete të reja për ta bërë udhëheqjen tuaj të përgjegjshme në fushën e drejtësisë, por edhe në fusha të tjera. Sa më shumë që Shqipëria të bëjë për nevojat e kërkesat e popullit të saj, aq më shumë do të përparojë drejt anëtarësimit në BE.

Ju keni bërë një zgjedhje të ndërgjegjshme: më shumë se 80 përqind e shqiptarëve e mbështesin projektin evropian. Dhe ne kemi vërtet nevojë për entuziazmin dhe përkushtimin tuaj ndaj projektit europian. Tani është koha që Shqipëria të mbështetet në progresin e bërë dhe të vazhdojë të punojë me të njëjtën vendosmëri, veçanërisht për reformën gjyqësore dhe luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Puna gjatë vitit që vjen është një investim në integrimin tuaj në BE.

Çdo hap ka rëndësi. Ecja në këtë rrugë jo vetëm që ju lejon të hapni negociatat, por edhe ta bëni këtë në mënyrën më efektive të mundshme. Në çastin kur negociatat të hapen zyrtarisht, ju do të jeni tashmë duke vrapuar. Ky do të jetë një vit pune për BE-në gjithashtu. Komisioni tashmë ka filluar punën e nevojshme përgatitore drejt qershorit 2019, duke përfshirë, ndër të tjera, kuadrin e ardhshëm negociues. Gjithkush ka një rol për të luajtur në këtë proces historik.

Të gjitha grupet politike dhe partitë, autoritetet vendore dhe shoqëria civile duhet të punojnë së bashku më shumë se kurrë për t’u përgatitur për hapjen e negociatave të anëtarësimit dhe për të marrë përgjegjësinë e plotë të këtij procesi. Dyert e Bashkimit tonë janë të hapura. Rruga juaj drejt Bashkimit Europian është bërë e pakthyeshme.

Tani varet nga ju që të ecni përpara në këtë rrugë drejt një të ardhmeje të prosperitetit dhe sigurisë së përbashkët. Është vendimi i lirë dhe sovran i popullit tuaj, i askujt tjetër. Ëndrra jonë e përbashkët për një kontinent europian të bashkuar është në duart tuaja”, theksojnë në shkrimin e tyre Përfaqësuesja e Lartë për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Federica Mogherini dhe Komisioneri për Politikat Europiane të Fqinjësisë dhe Negociatat e Zgjerimit, Johannes Hahn./atsh

Mogherini-Hahn: Shqipëria, në rrugë të pakthyeshme drejt BE-së Read More »

Si është e mundur, që dhe me bosët e trafikut të eurove, paskan pozuar “rastisësisht duke qeshur” Luli dhe Likja?!

Në çdo aferë, shfaqen surretërit dhe emrat e tyre
Shumë i lodhur nga fjalimi “programatik për luftën kundër korrupsionit”, që mbajti në parlament, Lulzim Basha nuk iu përgjigj deputetit Balla në seancë, lidhur me fotografinë ku kishte pozaur me një nga bosët e 3.4 milionë eurove të kapura në Durrës, por shkoi u konsultua me Saliun dhe pas 24 orësh, bëri sqarimin publik të kësaj “rastësie”, duke thënë se… “nuk e njihte, nuk dinte gjë, nuk mbante mënd asgjë, mbasi ai takon përditë mijëra njerëz, me të cilët qan hallet e varfërisë dhe integrimit të Shqipërisë”.

Fotografia që nuk ishte bërë në malet e Dibrës, por me “regji pozimi” brenda në zyrën e Lulit në SHQUP, nuk është rastësi, por tregues i lidhjes së Lulit dhe shefit të Lulit, me individë e grupe të tillë, që ofrohen dhe pranohen si “të fortë e të pasur që mbledhin vota” nëpër zona.

Rastësi e quajti edhe Ilir Meta, fotografinë e publikuar nga “Pamfleti”, ku Presidenti i Republikës në atë kohë kryetar i LSI, kishte pozuar duke “zbardhur dhëmbët”, me bosin tjetër të 3.4 milionë eurove, militantin dhe financuesin e LSI Alban Mollaymeri, dalë në datën 25 qershor 2017 në profilin e bosit, ditën e zgjedhjeve parlamentare, por që Likja e mohoi, siç mohoi edhe lidhjen me ish-sekretarin e tij, trafikantin Almir Rrapi, kur ishte ministër i Jashtëm!

Ka shumë fakte të lidhjes së tyre, me individë të botës së krimit, por që përherë janë mohuar nga Luli, Saliu, Likja e Mona, të cilët betohen dhe përbetohen, se janë “të pastër” si burimet e Skraparit dhe uji bjeshkëve të Valbonës!

Vetiu, lindin disa pyetje, që duhet t’i ketë si referencë drejtësia, për të pastruar politikën nga këta horra që po vjedhin e po mbajnë peng Shqipërinë:

– Si është e mundur, që sa herë dhe kudo ku zbulohen skandale korrupsioni, krimesh e trafiqesh, bashkë me emrat e personave të kapur me krime, dalin emrat Sali, Like, Luli, Mona, Zeni, Gita, aq sa Saliu e mësoi rastësisht pas krimit të Gërdecit, që baxhanaku i tij punonte në atë fabrikë vrasëse?!

– Si është e mundur, që të gjithë këta, gjenden “rastësisht” në fotografi e video, duke u puthur, buzëqeshur, përqafuar, shëtitur dhe pozuar me individë të botës së krimit?!

– Si është e mundur, që edhe me bosët e 3.4 milionë eurove, Luli e Likja “janë takuar dhe kanë pozuar rastësisht, pa e ditur se cilët ishin”?!

I njëjti arsyetim vlen edhe pë palën tjetër./Pamfleti

Si është e mundur, që dhe me bosët e trafikut të eurove, paskan pozuar “rastisësisht duke qeshur” Luli dhe Likja?! Read More »

Eurot e sekuestruara në portin e Durrësit, deputeti i PS: Kush e informoi Bashën, Prokuroria ta marr urgjentisht në pyetje

Spartak Braho, i cili zëvendësoi në Kuvend ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahirin ka folur edhe për dekonspirimin e 3.4 milionë Eurove të sekuestruara pak ditë më parë në portin e Durrësit. Në një prononcim për ‘’Shqiptarja.com’’ ish-kryetari i Komisionit për Sigurinë Kombëtare u shpreh se është Lulzim Basha ai që ka dekonspiruar aksionin e policisë. Ndër të tjera ‘’Baba Taku’’ tha se organi i akuzës duhet ta marrë Bashën urgjentisht në pyetje.

Pa dyshim që jemi para një ngjarjeje shumë të rëndë. Është e domosdoshme që organi i prokurorisë të fillojë menjëherë hetimet dhe veç të tjerave, të thërrasë me urgjencë Lulzim Bashën për të shpjeguar deklaratën e tij. Zvarritja e procedurave hetimore ose mundësia e fshehjes së provave nga autorët rrezikon hetimin. Shpresoj dhe besoj se këto rrethana prokurorët e çështjes do t’i vlerësojnë me objektivitet dhe paanshmëri pa u tërhequr dhe ndikuar nga ndërhyrjet dhe presionet, që jam i bindur se do të ketë mbi ta.

Më tej Spartak Braho thekson se e rëndësishme është se kush e informoi Lulzim Bashën për ngarkesën me euro.

Dekonspirimi i operacionit policor është tashmë evident. Ka një autor që është shfaqur publikisht si i tillë. Dhe ky është Lulzim Basha, i cili me deklaratën e tij në Kuvend ka pohuar dijeninë për ekzistencën e një grupi kriminal që do të transportonin nga Belgjika në Shqipëri disa milionë euro në rrugë të paligjshme, ndërkohë që janë bërë të njohura lidhjet e tij nëpërmjet fotove me të afërm të ngushtë të këtij grupi, të cilët janë shpallur në kërkim si autorët e dyshuar të transportit klandestin të 3.4 milionë eurove.

Eurot e sekuestruara në portin e Durrësit, deputeti i PS: Kush e informoi Bashën, Prokuroria ta marr urgjentisht në pyetje Read More »

Drashovica “Porta e Labërisë”, në listën e 100 fshatrave

Drashovica, fshati i vendosur në hyrje të zonës kodrinore e malore të luginës së lumit të Shushicës, ku që në kohët më të vjetra degëzoheshin rrugët për të hyrë në brendësi të lumit të Vlorës ka bërë që ndër shekuj të konsiderohet si “Porta e Labërisë”. Ky fshat ka një histori të paktën 585 vjeçare dhe mendohet të jetë themeluar në vitin 1431. Drashovica ka kontribut të spikatur për trashëgiminë kulturore, folklorin, identitetin etno-kulturor dhe polifoninë labe. Fshati i Drashovicës, që mban edhe titullin “Nderi i Kombit”, nuk është i njohur vetëm për luftërat, por edhe për kulturën, gjuhën, zakonet, minierat e strallit, manastirin, kishën, ndërtimet e tipit ‘kullë’ dhe të tjera veçori që nuk i gjen shpesh në fshatra të tjerë.

Drashovica është një ndër tre urat-kufi të Labërisë. Të gjithë e njohin si ura e Drashovicës, si një urë që lidh dy brigje, ashtu si të gjitha urat e tjera. Por në fakt, nuk është një urë si të gjithë të tjerat, por një urë- kufi. Është kufiri i Labërisë, i asaj Labërie që çuditërisht shtrihet brenda tre urave, urës së Drashovicës, urës së Kalasë dhe urës së Vjosës.

Bukurinë fshatit ia shton edhe monumenti i Drashovicës,  i ngritur në rrugën e lumit të Vlorës, pra në udhën automobilistike Vlorë-Kurvelesh. Ai gjendet i pozicionuar rreth 30 m nga ura e famshme e  Drashovicës.

Ura e Drashovicës përmendet në të dy luftërat që zhvilluan lebërit kundër pushtuesve në verën e vitit 1920 dhe në dimrin e vitit 1943. Kjo vepër monumentale e krijuar nga skulptorët shqiptarë përkujton këto dy luftëra dhe u ndërtua e gjitha në bronx, ndërsa sheshi i saj dhe harku që lidh të dy faqet e historisë në një të vetme është ndërtuar me strukturë betoni. Ndërsa në të dy anët e kësaj strukture gjenden figura në basoreliev që tregojnë luftën për secilën kohë.

Qeveria Shqiptare përmes projektit 100 fshatrat turistikë, do ti kthejë lavdinë e dikurshme fshatit me pamje e bukuri magjepsëse, përmes zhvillimit të agroturizmit. Falë kullotave të shumta, tokave pjellore e ujit të bollshëm banorët e këtij fshati ndër shekuj i kanë siguruar të ardhurat për të jetuar me blegtori, bujqësi e peshkim.

Duke u renditur në listën e 100 fshatrave me prioritet ekonomik dhe turistik, Drashovica pret të mbledhë rreth vetes vizitorë të shumtë siç mblidheshin çdo 13 shtator, para viteve ’90, për të kujtuar luftën e Drashovicës.

Drashovica “Porta e Labërisë”, në listën e 100 fshatrave Read More »

Mornicat në trup / Ja arsyet pse ndodhin dhe lidhja direkte me hormonet

Një nga reagimet më të pavullnetshme të njeriut ndaj një emocioni, frikës, nostalgjisë apo të ftohtit është ajo që në shqip e përshkruajmë si mornica.

Na ndodh të gjithëve që mishi bëhet me kokrriza kur dëgjon një këngë të bukur që të kujton një emocion të veçantë.

Por mornicat shfaqen edhe kur kemi ftohtë, frikë dhe ndihemi të shokuar apo të mahnitur.

Ky reagim vjen pas ndryshimeve hormonale të shkaktuara nga ndryshimet në temperaturë apo emocione.

Ekspertët pretendojnë se formimi i kokrrizave në lëkurë është një reagim i pavullnetshëm.

Kjo ndodh për shkak të kontraktimit të muskujve të padukshëm në shtresën e rrënjëve të pushit të trupit dhe që i detyron ato rrënjë të ngrihen përpjetë.

Bëhet fjalë për një reagim të sistemit nervor. Ky reagim, sipas ekspertëve është i lidhur fort me mekanizmin automatik të trupit si kundërpërgjigje të disa situatave të caktuara.

Mekanizmi në fjalë aktivizohet vetëm në situata stresuese ose kur ndeshemi me momente të forta emocionale.

Hormone të caktuara në organizëm që kanë lidhje me emocionet, frikën dhe stresin pësojnë një superprodhim dhe më pas ndodhin ndryshimet fizike që i njohim si mornica.

Por le të kthehemi tek arsyet përse trupi i njeriut formon mornica në situata të caktuara.

Kontraktimi i muskujve të vegjël nën shtresën e lëkurës krijon një vakum të mirëfilltë në sipërfaqe dhe formon fryrje të imëta që e bëjnë lëkurën të ngjajë me lëkurën e pulës.
A Ka Një Arsye Përse Mishi Bëhet Me Kokrra?
Formimi i kokrrave në lëkurë nuk ka asnjë funksion mirëbërës për njerëzit.

Shkencëtarët thonë se shtresa e lëkurës që quhet epiderma është më e përhapur tek kafshët.

Ajo ka funksionin e krijimit të një mjedisi më të ngrohtë për trupin. Sa më të dendura rrënjët e pushit, aq më e madhe do të jetë nxehtësia e ruajtur në trup.

E njëjta gjë ndodh edhe kur kafsha percepton një rrezik të mundshëm dhe reagon duke ngritur qimet përpjetë.

Por tek njerëzit, një reagim i tillë është i padobishëm, e megjithatë ai shfaqet rregullisht.

Njerëzit nuk kanë një shtresë të mjaftueshme me qime në trup. Rrjedhimisht ata nuk kanë nevojë për këtë izolim të tillë nga i ftohti apo për t’u mbrojtur nga kafshët e tjera./AgroWeb.org

Mornicat në trup / Ja arsyet pse ndodhin dhe lidhja direkte me hormonet Read More »

Kajmaçina , ëmbëlsi magjepsëse nga tradita Prizrenase

Shumë e ngatërrojnë me krem karamelin, e disa të tjerë me qumështorin, por kur e provon, kupton se bëhet fjalë për një ëmbëlsirë krejt unike që të përfshin tërësisht me shijen e saj.

Tradita shqiptare është padyshim e shijshme.

Receta të ëmbla apo të kripura, të gatuara prej shekujsh me radhë, të trashëguara brez pas brezi e kanë shndërruar kuzhinën shqiptare në një nga më të veçantat e kulinarisë botërore në përgjithësi.

Receta që AgroWeb.org ju sugjeron më poshtë është Kajmaçina, një ëmbëlsirë fantastike kremoze me përbërës të thjeshtë dhe me një shije unike, traditë e amvisave të Prizrenit.

Kajmaçina është një nga ëmbëlsirat më të shijshme të kuzhinës shqiptare.

I lehtë plot shije dhe fantastik, ndër të preferuarit në raste festash, Kajmaçina ka mahnitur me shijen e tij këdo që e ka provuar.
Përgatitja e Kajmaçinës në Shtëpi
Përbërësit
8 kokrra vezë

8 lugë gjelle me sheqer

1 l qumësht

4 lugë gjelle niseshte
Sherbeti
300 gramë sheqer

200 ml ujë

Përgatitja

Si fillim, në një tas të gjerë, AgroWeb.org ju udhëzon që të rrihni vezët bashkë me sheqerin dhe niseshten.

Më pas, vijojmë duke shtuar qumështin pak nga pak duke i përzier vazhdimisht dhe pandërprerje derisa të krijohet një masë homogjene.

Këtë masë e shtrojmë në një tepsi të nxehtë, të lyer me pak vaj.

Kajmakçina piqet në temperaturë maksimale për 30-40 min derisa sipërfaqja e saj të bëhet e kuqërremtë.

Përgatisni ndërkohë sherbetin duke hedhur në një tenxhere sheqerin dhe ujin dhe duke i lënë të vlojnë derisa masa të bëhet të formën e sherbetit.

Pasi piqet nxirret nga furra dhe menjëherë i hidhet sipër sherbetin i cili duhet të jetë i ngrohtë gjithashtu.

Kjo ëmbëlsirë shërbehet e ftohtë.
Kombinimet
Kajmaçina mund të kombinohet me arra dhe biskota të thërrmuara, të cilat mund t’i hidhen në sipërfaqe por edhe në fund të pjatës para se të vendosni ëmbëlsirën në të.

Gjithashtu, kajmaçina kombinohet në mënyrë të mrekullueshme edhe me fruta të ndryshme. Mund të prisni disa luleshtrudhe dhe banane në kubikë të vegjël dhe t’i vendosni në sipërfaqen e saj.

Tjetër kombinim i shijshëm është edhe vendosja e lëkurave të grira të limonëve ose portokalleve si dhe frutave të thata në sipërfaqe të kajmaçinës.

Kajmaçina , ëmbëlsi magjepsëse nga tradita Prizrenase Read More »