Aurora

Vlorë, një ciklon i fuqishëm goditi qytetin

Një ciklon i fuqishëm goditi rajonin e Vlorës vetëm disa minuta më parë ku era kapi shpejtësinë rreth 180 km në orë, duke sjellë shtërngata shiu dhe duke thyer dhe shkulur pemë, shpartalluar cadra dhe shezlonge në plazhe.

Një pemë rrreth 20 m e lartë u thye dhe u shemb mbi murin rrethues jugor të Stadiumit “Flamurtari”, por fatmirësisht pa dëme rreth e rrotull.

Vrulli i ciklonit u shua shpejtë, por shiu vazhdon dhe mund të krijoi edhe probleme.

Ndërkohë, në qytetin e Shkodrës, sipas burimeve të pavarura, ka pasur përmbytje dhe breshër.

Vlorë, një ciklon i fuqishëm goditi qytetin Read More »

Rama: Arkitekti i Teatrit po realizon projektin e shekullit në New York

New York-u ka zgjedhur arkitektin danez Bjarke Ingels për projektin më të madh të shekullit 21, atë të transformimit të të gjitha parqeve urbane në formë digash, për të parandaluar përmbytjet.

Pikërisht, arkitekti danez ka projektuar godinën e Teatrit të ri Kombëtar në Tiranë.

Lidhur me këtë ka reaguar Kryeministri Edi Rama në një postim në “Instagram” duke iu përgjigjur edhe akuzave të pak ditëve më parë të kreut të PD, Lulzim Basha i cili është shprehur se “arkitekti danez po kthehet në një bashkëpunëtor i vjedhjes së tokës së teatrit në Tiranë”.

“Arkitekti i Teatrit të Ri Kombëtar, Bjarke Ingels, po realizon projektin e shekullit në New York, transformimin e vijës ujore të kryeqytetit të botës në një digë të gjelbër për mbrojtjen nga dallgët e larta… ndërsa në Shqipëri Lulzim Basha betohet ta shpallë persona Non Grata”, deklaron Rama./atsh

Rama: Arkitekti i Teatrit po realizon projektin e shekullit në New York Read More »

Fluks në rritje i turistëve, 1.9 milionë të huaj në 6 muaj

Shqipëria është një destinacion gjithnjë e më i preferuar i turistëve nga Europa dhe veçanërisht nga Polonia. Sipas Institutit Kombëtar të Statistikave (INSTAT) në 6 muajt e parë të vitit 2018 janë regjistruar në pikat hyrëse të kufirit shtetëror rreth 1 919 504 shtetas të huaj.

Drejtoresha e INSTAT, Delina Ibrahimaj, gjatë një prononcimi për ATSH, bëri me dije se, “numri i shtetasve të huaj të hyrë në vendin tonë gjatë gjashtë muajve të parë është 1 919 504, duke u rritur me 9.1% më shumë se një vit më parë. Në qershor janë regjistruar 500 mijë turistë të huaj më shumë se një vit më parë. Duhet theksuar, se rritje të madhe kanë pasur turistët nga Polonia, ku në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë në Shqipëri kanë hyrë 7 mijë polakë më shumë. Pra në shifra rezulton se gjatë këtij gjashtëmujori kanë hyrë 34,775 polakë, ndërsa një vit më parë, në 2017-ën kanë hyrë në vendin tonë 27,508. Në qershor 2018, hyrjet e shtetasve të huaj në vendin tonë janë rreth 5 mijë dhe është rritur 13,3 % krahasuar me qershorin 2017. Kjo rritje ka ardhur kryesisht nga hyrjet e shtetasve maqedonas me 58,3,% , polakë me 16,9 %, italianë me 5,6 % krahasuar me qershorin e 2017”, – tha Ibrahimaj.

Sipas Drejtoreshës së INSTAT hyrja e polakëve në vendin tonë vjen për shkak dhe të zhvillimit dhe rritjes së ofertave gjithëvjetore. “Turizmi gjithëvjetor po merr hov çdo vit e më shumë. Tashmë prej dy vitesh numri i turistëve polakë rezulton në rritje dhe kjo nuk është vetëm përgjatë sezonit veror, por përgjatë gjithë vitin, pasi ata veç turizmit bregdetar, kërkojnë dhe turizmin malor dhe format e tjera të turizmit”, – tha Ibrahimaj gjatë prononcimit për ATSH. /atsh

Fluks në rritje i turistëve, 1.9 milionë të huaj në 6 muaj Read More »

Kuvendi miraton një sërë ligjesh të rëndësishme

Sot u zhvillua seanca e fundit parlamentare për Sesionin e II të Legjislaturës së IX të Kuvendit të Shqipërisë, ku u miratuan katër ligje, pesë marrëveshje, dy projektvendime dhe një projektrezolutë.

Në hapje të seancës, fjalën e mori zëvendëskryetari i LSI-së, Luan Rama, i cili deklaroi  se LSI nuk do të votojë ligjin për Magjistratët, pasi bie në kundërshtimin me Kushtetutën e re që Kuvendi votoi dy vite më parë. “Reforma në Drejtësi duhej bërë dhe duhet bërë në frymën e bazës që ne sanksionuam me frymën e ndryshimeve Kushtetuese. Pas dy vitesh Shqipëria është i vetmi vend pa Gjykatë Kushtetuese, pa Gjykatë të Lartë. Kjo tregon se projeksioni që u ndërtua Reforma në Drejtësi ka qenë më e pakta me defekte që vijnë dhe na shfaqen deri në këtë gjendje që ne jemi sot. Përgjegjësia bie mbi të gjithë klasën politike”, – u shpreh Rama. Gjithashtu, Rama i kërkoi Kuvendit që të mos marrë pushimet, por të zgjidhë çështjen e Gjykatës Kushtetuese.

Kryetari i Kuvendit, Ruçi në qëndrimin e tij ndaj kërkesës së LSI për dialogun për projektligjet, miratimi i të cilave kërkon shumicë të cilësuar, u shpreh se: “Unë, siç e kam deklaruar edhe herë të tjera, inkurajoj dhe mbështes dialogun për të kapërcyer mbi luftën politike të ditës dhe axhendës normale politike të partive politike. Sigurisht, që kemi gjëra që na ndajnë, por kemi plot gjëra që na bashkojnë, siç është reforma në Drejtësi dhe unë e përgëzoj grupin parlamentar të LSI-së, që është i gatshëm për dialog. Sigurisht, unë e kam inkurajuar dhe përsëri jam në dispozicion të funksionimit të dialogut. Prandaj kërkoj që shërbimet e Kuvendit, mundësisht të komunikojnë edhe me kryetarin e Grupit Parlamentar të PD-së dhe në një moment, gjatë zhvillimit të seancës, të ulemi për të diskutuar të dy projektligjet e përfshira në rendin e ditës që kërkojnë shumicë të cilësuar. Do të mbështes gjithashtu edhe propozimin tjetër, pavarësisht nga vakanca e drejtë e lejes në muajin gusht, nëse do të duhet për t’u thirrur Kuvendi për t’i hapur rrugë votimit të kandidatëve që vijnë nga institucionet e tjera si Presidenti apo Kuvendi, për Gjykatën Kushtetuese dhe për Gjykatën e Lartë. Besoj se shpreh edhe vullnetin e të gjithë deputetëve, për thirrjen, në çdo kohë, të Kuvendit për këtë çështje.”

Më tej, seanca vijoi me diskutime rreth projektligjit “Për kontrollin shtetëror të transferimeve ndërkombëtare të mallrave ushtarake dhe të artikujve e teknologjive me përdorim të dyfishtë”. Në emër të Grupit Parlamentar të PS-së, Vullnet Sinaj tha se ligji për të cilin po diskutojmë sot, synon përcaktimin e dispozitave të reja për kontrollin shtetëror të importit dhe eksportit të mallrave ushtarake dhe mallrave e teknologjive me përdorim të dyfishtë, në përputhje me rregulloret e BE-së dhe me marrëveshjet dhe traktatet në të cilat Shqipëria është palë.

“Qëllimi i këtij projektligji është vendosja e kontrollit shtetëror mbi transferimin ndërkombëtar të mallrave të ushtarake, artikujve dhe teknologjive me përdorim të dyfishtë, për të siguruar mbrojtjen e interesave kombëtare të Republikës së Shqipërisë, sigurinë dhe politikën e jashtme, kredibilitetin ndërkombëtar të saj dhe garantimin e respektimit të angazhimeve ndërkombëtare të Republikës së Shqipërisë në këtë fushë”, – tha Sinaj. Ky projektligj u miratua me 75 vota pro.

Në fjalën e saj për projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 9669, datë 18.12.2006, “Për masa ndaj dhunës në marrëdhëniet familjare”, të ndryshuar”, nënkryetarja e Kuvendit, Vasilika Hysi, u shpreh se: “Shumë ndryshime janë bërë në lidhje me mbrojtjen e grave dhe pjesëtarëve të tjerë të familjes nga dhuna në familje, me ligj, por në praktikë të gjithë jemi dëshmitarë se edhe ky ligj, të cilit i janë bërë përmirësime të vazhdueshme dhe përbën dhe një nga risitë në praktikën shqiptare, has në vështirësi në zbatimin në praktikë. Konkretisht, nisma që ka sjellë Këshilli i Ministrave synon në radhë të parë të garantojë mbrojtjen reale të grave në periudhën paraprake, në momentin sapo ato të denoncojnë apo raportojnë dhunën në polici, sepse në këtë periudhë ka një vakuum ligjor. E dyta, edhe urdhrat e mbrojtjes dhe urdhrat e menjëhershëm të mbrojtjes, për të cilët të gjithë qytetarët kanë dëgjuar, jo gjithnjë kanë qenë efektivë. Nuk janë të pakta rastet kur personave në urdhër mbrojtje u është marrë edhe jeta. Gjithashtu, pak kohë më parë ne kaluam një ligj të rëndësishëm në kuadër të Reformës në Drejtësi, Ligjin e Ndihmës Ligjore të garantuar nga Shteti”. Ky projektligj u miratua me 75 vota pro.

Lidhur me projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 69/2012, “Për sistemin arsimor parauniversitar në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar”, Adelina Rista vuri theksin mbi faktin se qeveria shqiptare u përball me një sërë problematikash të mbartura në të gjitha drejtimet, gjatë vënies në zbatim të reformës në arsim. Sipas saj, megjithatë, qeveria e kishte parë arsimin si sfidë dhe përgjegjësi dhe dita-ditës reforma është duke dhënë rezultate konkrete pozitive. Deputetja e Partisë Socialiste u shpreh se ky projektligj synon që nëpërmjet 24 neneve të fuqizojë e përmirësojë reformën në Arsim.

“Projektligji shënon një qasje të re të funksionimit dhe organizimit të institucioneve përgjegjëse të sistemit arsimor parauniversitar. Në kuadër të funksionimit të reformës së re territoriale, ku komunat nuk janë më njësi të qeverisjes vendore, projektligji rregullon përbërjen e Këshillit Kombëtar të Arsimit Parauniversitar. Për herë të parë zbatohet aplikimi i konceptit të vlerësimit të jashtëm të arritjeve shkollore në arsimin fillor, si edhe nëpërmjet këtij projektligji mundësohet krijimi i bazës ligjore për një kulturë të re të prindërve në nivel kombëtar, atë të Këshillit Kombëtar të prindërve”, – u shpreh Rista. Ky projektligj u miratua me 75 vota pro.

Deputeti i Partisë Socialiste, Rakip Suli, lidhur me projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes së grantit ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, për financimin e projektit “Hekurudhat shqiptare – rehabilitimi i linjës hekurudhore Tiranë – Durrës dhe ndërtimi i linjës hekurudhore për në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës”, në kuadër të grantit të investimit nga Fondi i Përbashkët Europian i Ballkanit Perëndimor”, bëri me dije që kostoja totale e projektit kap vlerën 90.6 milionë euro dhe e detajoi sipas zërave mënyrën e financimit. “Me miratimin e këtij granti përmbyllet fatura financiare për realizimin e këtij projekti strategjik dhe ekonomik për vendin. Në vlerën e siguruar prej 90.6 mln euro është i mundur realizimi i projektit për rehabilitimin e linjës ekzistuese Tiranë-Durrës, me gjatësi 34.2 km si edhe ndërtimi i linjës së re hekurudhore që lidh linjën kryesore me aeroportin e Rinasit, me gjatësi 4.7 km, duke përfshirë edhe degëzimet shtesë në Tiranë dhe Durrës, me gjatësi 980 metra dhe 800 metra respektivisht, për të lidhur linjën e re me terminalin publik. Projekti parashikohet të fillojë në janar 2019 dhe të përfundojë më 31.12.2020, pas sigurimit të fondeve nga qeveria shqiptare”. Deputeti Suli në fjalën e tij listoi përfitimet e këtij projekti: kohën e lëvizjes, zvogëlimin e trafikut rrugor, komoditetin në lëvizje, reduktimin e ndotjes dhe zhvillimin e ekonomisë dhe punësimit. Kjo marrëveshje u miratua me 75 vota pro.

Seanca miratoi me 75 vota pro projektligjin “Për denoncimin e marrëveshjes ndërkombëtare, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë, për bashkëpunimin financiar 2010, për projektin “Rifinancimi i ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme në zonat urbane dhe rurale, faza e dytë”, ratifikuar me ligjin nr. 86/2015”;  projektligjin “Për denoncimin e marrëveshjes ndërkombëtare, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë, për bashkëpunimin financiar 2010, për projektin “Eficienca energjetike përmes sektorit bankar” ratifikuar me ligjin nr. 89/2015”; projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes financiare, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, të përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, dhe Cassa Depositi e Prestiti S.p.A., për programin e arsimit dhe formimit profesional nëpërmjet inovacionit”.

Ndërsa projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes së huas, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim, për shtesën e financimit për projektin e modernizimit të asistencës sociale” dhe projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes së huasë, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim, për projektin e konektivitetit të rrugëve rajonale dhe lokale”, u miratuan me 76 vota pro.

Më tej, seanca votoi me 76 vota pro dy projektvendime “Për miratimin e strukturës, organikës dhe kategorizimit të pozicioneve të punës të Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi” dhe projektvendimin “Për zgjatjen e afatit të veprimtarisë së komisionit të posaçëm të reformës zgjedhore”.

Gjithashtu dhe projektrezoluta “Për reformën e politikës shtetërore për diasporën” dhe projektligji “Për profesionin e avokatit në Republikën e Shqipërisë”, u votuan me 76 vota pro.

Në përfundim të seancës plenare, Ruçi bëri me dije se: “Përsa u përket propozimeve të bëra nga ana e Lëvizjes Socialiste për Integrim për dy projektligjet që kemi sot në seancë plenare, inkurajoj plotësisht dialogun ndërmjet grupeve parlamentare, me qëllimin e mirë për të mundësuar votimin e dy projektligjeve që kërkojnë shumicë të cilësuar, si për zgjidhjen përfundimisht të ngërçit për Shkollën e Magjistraturës, ashtu edhe për votimin e nismës së deputetit Ndreu për Kodin Rrugor, për t’u ardhur në ndihmë emigrantëve. Siç e dini, ndërpreva drejtimin e seancës për të negociuar me tre grupet parlamentare.  Komunikova me tre kryetarët e grupeve, por kjo tryezë nuk u mundësua, sepse disponibël për të negociuar ishte vetëm Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste z. Balla. Z. Spaho, pas negociatave, refuzoi pjesëmarrjen me argumentin se nuk marrim pjesë në tryezë pa u anuluar ligji për Teatrin. Z. Rama, i cili ishte propozuesi, pasi negocioi me grupimin më të madh opozitar, Partinë Demokratike, nuk mundësoi prezencën e tij në tryezë. Kështu që të dy projektligjet, pavarësisht nga diskutimi, shtyhen deri në arritjen e një vullneti politik për t’i votuar ato me shumicë të cilësuar”. Seanca plenare i mbylli punimet e saj rreth orës 15:00. /atsh

Kuvendi miraton një sërë ligjesh të rëndësishme Read More »

Vlorë/ Zonat e mbrojtura, një mundësi për zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm

Zonat e Mbrojtura në Shqipëri vlerësohen si një mundësi efektive për zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm. Ato përfaqësojnë në vetvete, resurse të jashtëzakonshme dhe bukuri natyrore, që tërheqin në vazhdimësi turistë vendas dhe nga vende të tjera të botës. Prandaj dhe po punohet fort që këto zona të mbrojtura të promovohen për vlerat e jashtëzakonshme të biodiversitetit që ato mbartin, por edhe si destinacione të rëndësishme turistike në nivel kombëtar dhe më gjerë.

Në vijim të realizimit të standardeve për t’u bërë pjesë e rrjetit “Natyra 2000”, në kuadrin e procesit të integrimit në BE, qeveria shqiptare ka krijuar një sistem Zonash të Mbrojtura që mbulon 20% të territorit kombëtar, dhe që është i organizuar në 15 Parqe Kombëtarë, rezervate natyrore dhe peizazhe gjithashtu të mbrojtura.

Nisur nga ky fakt, ACAP (Aksioni Komunitar për Ruajtjen e Zonave të Mbrojtura) është një nismë që ka për qëllim vlerësimin, fuqizimin dhe mbrojtjen e zonave të mbrojtura në Shqipëri, të burimeve të tyre natyrore dhe të trashëgimisë së tyre kulturore e historike.

ACAP, një projekt që financohet nga BE-ja, promovon përfshirjen e komuniteteve lokale dhe aktivitetet e tyre në jetën e parqeve respektive dhe mbështet shkollat në programe sensibilizimi aktiv, me synimin për ta shndërruar këtë në një mision të qëndrueshëm dhe transmetimin tek brezat që vijnë të vetëdijes dhe respektin për mjedisin dhe trashëgiminë natyrore.

Nga ana tjetër, ACAP është një nismë, ku janë përfshirë partnerë të ndryshëm, që zotërojnë kapacitetet e nevojshme për ta pasuruar atë me teknologji dhe mbështetje të natyrave të ndryshme.

Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura (AKZM) dhe INCA (Instituti për Ruajtjen e Natyrës në Shqipëri), janë dy aktorët kombëtarë që asistohen nga partnerë të huaj, që investojnë në projekt, mes të cilave, COSV (Koordinimi i Organizatave për Shërbimin Civil), IUCN (Bashkimi Ndërkombëtar për Ruajtjen e Natyrës), ECARO (Parku Rajonal Fusha e Luleve PCF), bashkia e Milanos (Itali), Inxhinierë pa Kufij (ISF), “Carbonsink” s.r.l. e Kallipolis.

Në kuadrin e procesit të hyrjes së Shqipërisë drejt Rrjetit europian “Natyra 2000”, synimi është të përmirësohen standardet e ruajtjes së Zonave të Mbrojtura dhe në një periudhë 3-vjeçare të forcohen masat për menaxhimin dhe konservimin e parqeve, mes të cilave, Parku Kombëtar Llogora, Peizazhi i Mbrojtur Vjosë-Nartë, Parku Kombëtar Mali i Tomorrit, Parku Kombëtar Bredhi i Hotovës-Dangëlli dhe zona limitrofe, në përputhje me përcaktimet e Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura (AKZM), si pjesë e Programit Strategjik Afatshkurtër e Afatmesëm 2015-2020.

Projekti, që do të shtrihet në një afat kohor prej 36 muajsh, do të konkretizohet përmes veprimeve në formën e përfshirjes së komuniteteve dhe autoriteteve vendore në qeverisjen e Zonave të Mbrojtura, realizimin e aksioneve të komuniteteve lokale në përputhje me Planin e Menaxhimit të Zonave të Mbrojtura, mbështjetjen e Agjencive Rajonale për Zonat e Mbrojtura për funksionimin e strukturave-park dhe ruajtjen e habitateve, identifikimin dhe kryerjen e atyre që cilësohen aktivitete gjeneruese të të ardhurave (income generating activities IGA) për Zonat e Mbrojtura.

Po ashtu, një vend të veçantë në implementim do të zerë edhe bashkëpunimi shkencor ndërmjet AKZM, Carbonsink dhe ISF, për gjetjen dhe aplikimin e zgjidhjeve të caktuara për energjinë e rinovueshme në mbështetje të komuniteteve lokale, promovimi i teknologjive më të përparuara, siç janë ato të quajtura RES, për qëndrueshmërinë mjedisore, në bashkëpunim me SME-të e pranishme në Zonat e Mbrojtura, zhvillimit të fushatave sensibilizuese etj.

Përmes projektit, ACAP, synohet përmirësimi i menaxhimit dhe administrimit të 4 zonave të mbrojtura, rritja e kapaciteteve infrastrukturore dhe teknike, ndërkohë që përfitues të drejtpërdrejtë do të jenë 30 punonjës nga 3 agjenci rajonale të zonave të mbrojtura, 6 bashki dhe 4 këshilla qarqesh, 6 organizata të shoqërisë civile, 50 ndërmarrje aktive në zonat e mbrojtura dhe përreth tyre etj.

Detajet e këtij projekti, që mbështetet nga BE-ja, u diskutuan në një takim të zhvilluar në mjediset e Konsullatës së Përgjithshme të Italisë në Vlorë, organizuar nga Qendra e Misionit të Shtetit Italian (CELIM), me praninë e përfaqësuesve dhe drejtuesve të qeverisjes vendore në Vlorë, nga AKZM, Agjencia e Mbështetjes së Shoqërisë Civile, AMSHC, organizatave nga Italia e Shqipëria.

Konsullja e Përgjithshme e Italisë në Vlorë, Luana Alita Micheli, theksoi se, ky projekt përveçse rëndësisë që ka për rivlerësimin e Zonave të Mbrojtura, është një dëshmi e marrëdhënieve dhe bashkëpunimit në rritje mes dy vendeve.

Nga ana e tij, Drejtori i Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura, zoti Zamir Dedej, u ndal mes të tjerash në risitë që ka krijuar miratimi i Ligjit “Për Zonat e Mbrojtura në Republikën e Shqipërisë”, i miratuar në vitin 2017, që, sipas tij, është bashkëkohor, çka i ka hapur rrugë përgatitjes së paketës së akteve nënligjore, për të bërë atë efektiv. Ai theksoi se, përmes këtij projekti do të realizohen gjëra të prekshme dhe të matshme, që do të reflektojnë në përmirësimin e hapësirsë në zonat respektive, në funksion të një turizmi të qëndrueshëm.

Po ashtu, folën edhe specialistë e drejtues të tjerë, mes të cilëve, Boris Erg nga IUCN, Nihat Dragoti nga INCA, Erion Banushi nga AMSHC, Giuseppe Anania, Gerta Mehmeti që prezantoi kalendarin e veprimeve të projektit etj.

Gjatë 3 viteve parashikohet të zhvillohen 24 takime me aktorë lokalë, do të hartohen dhe arrihen marrëveshje me të gjitha bashkitë e përfshira në territor për mirëmbajtjen e hapësirave të gjelbra dhe dialogun me shoqërinë civile, do të zhvillohet një vizitë përvoje në parkun “Campo dei Fiori”, Itali, takime informuese në shkolla të ndryshme etj.

Në Shqipëri, zonat e mbrojtura zenë 20 për qind të territorit, ose e shprehur ndryshe, 1 në çdo 6 metra katrorë është zonë e mbrojtur.

“Natyra 2000”, është rrjeti më i madh i zonave të mbrojtura në të gjithë botën dhe përfshin zona kryesore për shumimin dhe jetesën e llojeve të rralla dhe të kërcënuara dhe disa tipe habitatesh të rralla natyrore. Ai shtrihet në 18 për qind të sipërfaqes së tokës të BE-së dhe rreth 6 për qind të hapësirës detare.

Qëllimi i këtij rrjeti është të garantojë mbijetesën afatgjatë të llojeve dhe habitateve më të çmuara dhe më të rrezikuara të Europës, të listuara në Direktivën e Shpendëve dhe Direktivën e Habitateve.

Çdo vend anëtar i BE-së, duhet të përcaktojë një listë të zonave që përmbajnë habitate dhe lloje të listuara në këto dy direktiva. /atsh

Vlorë/ Zonat e mbrojtura, një mundësi për zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm Read More »

Stuhia në qytetin e Vlorës shkakton probleme në rrjetin elektrik, institucionet në gatishmëri

Reshjet e dendura lokale të shiut, të cilat kanë shkaktuar një sërë dëmesh në qarkun e Vlorës, kanë vendosur në gatishmëri institucionet.

Prefekti i Vlorës, Flamur Mamaj gjatë një interviste për Agjencinë Telegrafike Shqiptare (ATSH) thekson se reshjet e dendura të shiut të shoqëruara me erë të fortë, kanë shkaktuar disa dëme në rrjetin elektrik të zonës, duke përcaktuar si prioritet rikthimin e energjisë në hidrovorin e Vlorës.

“Për momentin jemi angazhuar në 2 drejtime, në risjelljen e energjisë elektrike në hidrovorin e qytetit të Vlorës dhe zonës së Radhimës, për shkak të erërave të forta që kanë rrëzuar pemë mbi telat e tensionit të lartë dhe gjendjes së katamaranëve që kanë dalë në zonën e Karaburunit që po menaxhohet nga kapitaneria e portit të Vlorës”, – theksoi prefekti Mamaj.

Duke u ndalur tek angazhimi i forcave për përballimin e kësaj situate, prefekti theksoi se për momentin ndërhyrja e Forcave të Armatosura nuk është e nevojshme, por institucioni i Prefekturës së bashku me bashkinë e Vlorës, OSHEE-në dhe kapitenerinë e këtij qyteti, janë në ndjekje të situatës.

“Jemi të angazhuar me bashkinë e Vlorës kryesisht, me OSHEE-në dhe me kapitenerinë e portit, në këto tre drejtime dhe jemi në kontakte të vazhdueshme. Deri tani nuk kemi patur probleme serioze, por po kërkojmë që të risjellim energjinë në hidrovorin e qytetit dhe në spitalin rajonal, të cilët për shkak të erërave të forta janë pa drita dhe për riparimin e këtij defekti janë angazhuar grupe nga OSHEE e Fierit dhe e Vlorës”, – përfundoi ai.

Nga stuhia e fortë që përfshiu Vlorën janë shkaktuar një sërë dëmesh në strukturat e lehta metalike. /atsh

Stuhia në qytetin e Vlorës shkakton probleme në rrjetin elektrik, institucionet në gatishmëri Read More »

Miratohet projekti për restaurimin e altarit në parkun arkeologjik të Orikut

Këshilli Kombëtar i Restaurimeve ka miratuar projektin për restaurimin e altarit në parkun arkeologjik të Orikut, Vlorë.

Instituti i Monumenteve të Kulturës  bën me dije se projekti i hartuar nga Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare Vlorë parashikon ndërhyrje restauruese në altar, të cilat konsistojnë në rikompozimin me anë të anastilozës të elementëve përbërës të altarit.

Qyteti antik i Orikut pozicionohet në jug të gjirit të Vlorës, mbi një kodër të ulët gëlqerore të quajtur Paleokastër.

Mendimi i studiuesve shqiptarë është se Oriku figuron i themeluar nga korinthasit në vitin 558 p.e.s, pothuajse në të njëjtën kohë me Apolloninë. Duke filluar nga shek. II p.e.s. Oriku figuron në të gjitha konfliktet midis Maqedonisë dhe Romës, kurse gjatë periudhës otomane është quajtur Pasha Liman.

Aktualisht, është zbuluar vetëm një përqindje e vogël e qytetit antik,vazhdojnë gërmimet arkeologjike dhe është i vizitueshëm lehtësisht me anë të rrugës automobilistike Vlorë-Orikum. Në vitet 1958-60 u zbulua altari me përmasa 3 x 3. 45 metra me formë kuadratike. Monumenti qendror i Orikut është shatërvani monumental i tij, e cila daton në periudhën helenistike dhe braktiset rreth shek I p.e.s.

Përbërësit arkitektonik janë shkallarja në formë gjysmërrethi, e cila ka një podium me kornizë me dentikula që arrin në 1.57 metra lartësi. Është i përbërë nga dy ambientet anësore me formë drejtkëndore me përmasa 5 x 12.60 metra ai jugor dhe 3.7 x 17.4 ai verior. Po në këtë park ndodhet dhe kisha e Marmiroit.

Kisha ndodhet mbi një çukë të vogël në afërsi të Orikut dhe në këmbët e gadishullit të  Karaburunit. Me emrin kisha e Marmiroit ajo përmendet fillimisht në dokumente historike në vitin 1307. Mbështetur në arkitekturën e monumentit dhe në krahasimin me kishat e vendeve fqinjë, studiuesit kanë arritur në konkluzionin se kisha e Marmiroit mendohet të jetë ndërtuar midis shekulli X-XIII.

Hartimi i projektit për altarin në Orik vjen në vijim të projekteve që po publikon IMK, por që për specialistët e fushës së trashëgimisë kulturore ka ende shumë për të bërë./atsh

Miratohet projekti për restaurimin e altarit në parkun arkeologjik të Orikut Read More »

Hysi: Mekanizmat për raportimin e dhunës në familje, jo funksionalë në disa bashki

Deputetja e PS-së, Vasilika Hysi theksoi gjatë seancës plenare se ndryshimet e propozuara në ligjin e dhunës përfshijnë rekomandimet nga BE-ja dhe Kombet e Bashkuara.

“Më konkretisht, nisma që ka sjellë Këshilli i Ministrave synon të garantojë që në momentin e denoncimit, periudhë kjo që ka qenë vakuum ligjor”, tha Hysi. Gjatë fjalës së saj, deputetja tha se mekanizmat e raportimit të dhunës janë ngritur në disa bashki, por ka probleme në zbatimin e tyre.

“Në disa bashki janë ngritur mekanizmat për raportimin e dhunës, në disa të tjera nuk ka mekanizma të tilla,  por edhe në disa bashki ku janë ngritur këto të fundit nuk funksionojnë. Ne do të kemi detyrë që të sigurojmë ngritjen e këtyre sistemeve dhe funksionimin e tyre”, tha deputetja e PS-së.

Hysi i bëri thirrje kryetarëve të bashkive për të treguar përgjegjshmëri lidhur me punonjësit që do të jenë pjesë e sistemit të referimit të dhunës. “Do të doja të bëja apel të 61 kryetarëve të bashkive, të mendojmë më mirë për ngritjen e këtyre mekanizmave mbrojtjes, të punësimit të punonjësve të përgatitur”.

Ndërkaq, ajo ka thënë se komentet dhe rekomandimet e marra janë përfshirë në ndryshimet ligjore e ligjit kundër dhunës. “Komentet dhe rekomandimet janë analizuar një për një me ekspertë dhe janë marrë në konsiderate në pjesën më të madhe të tyre. Ka pasur edhe konsultim dhe me organizatat e shoqërisë civile”.

“Risia e këtij ligji është përmbushja e pjesës më të madhe të rekomandimeve, ku me një projektligj kemi  bashkërendimin e shumicës së rekomandimeve nga Këshilli i Europës dhe Kombeve të Bashkuara”.

Po kështu, ajo i kërkoi ministrit të Financave lidhur me arsimin profesional, për gratë dhe vajzat e dhunuara apo që kanë probleme ekonomike, për t’i ardhur në ndihmë.

“Një apel tjetër, për të planifikuar buxhete të nevojshme për zbatimin e ligjit të strehimit social dhe si zbatim edhe i ligjit të dhunës në familje”, përfundoi ajo./atsh

Hysi: Mekanizmat për raportimin e dhunës në familje, jo funksionalë në disa bashki Read More »