Aurora

Moti i keq në Orikum, çadrat e plazhit dalin në rrugë (Video)

Reshjet e dendura të shiut kanë shkaktuar dëme të mëdha në bregdetin e Orikumit.

Siç shihet nga pamjet, çadrat e plazhit kanë dalë në rrugë, ndërkohë që shezlongët janë dëmtuar.

Prishja e motit ishte lajmëruar nga sinoptikanët dhe pritet që reshjet të vazhdojnë edhe të martën pothuajse në të gjithë territorin e vendit./tch

Moti i keq në Orikum, çadrat e plazhit dalin në rrugë (Video) Read More »

Letra, drejtuar së shoqes, “Amaneti i Mitrush Kutelit” që ka hyrë në historinë shqiptare

Ne u bashkuam, rrojtmë, dhe bëmë fëmijë në vjete stuhie: burg, urbanizëm, hotel. Po atëhere kisha shëndet dhe i kapërxeva të gjitha. Tani, ti e di… I di ditët e netet e mija. Sëmundjet dhe brengat më brehnë, më hëngërn. Unë e shoh tani vdekjen si një lirim nga dhembjet. Nuk e dua, po nuk e largoj dot.

E dashur Efterpi,

Këtë letrë, që është, ndofta, e fundit, desha të ta shkruaj me dorë, po nuk mund. Sot nuk e kam dorën të sigurtë, më dridhet. Ti s’je këtu. Ke shkuar me Pandin në Rrushkull për të parë Poliksenin dhe Atalantën. Të nxita më shumë unë. Nga brenga, nga malli. Jam vetëm në shtëpi. Doruntina ka shkuar të lozë me vajzat e Bajramit.

Mendjen e kam të turbullt nga pagjumësia, nga ëndrrat e këqia. Sikur më ndiqnin gjermanët, që të më varnin. Iknja me vrap, hynja në gropa e puse, dilnja prapë. Ata më ndiqnin. Ment më kapnin. Iknja përsëri. Në një çast u gjende edhe ti pranë meje. Dhe iknim. Pastaj u ndamë. Fundja u gjenda i ndjekur nga njerëzit tanë. Prapë gropa, puse, gremina. Sikur isha në Berat, nën Kala. Në një sterrë të Kalasë, pranë Kishës. Më tej, në Fier. Kisha shpëtuar nga ndjekjet dhe kërkonja ndonjë shtëpi për t’u fshehur.

Isha i zbathur, i zveshur. Dikush më thirri: “Qëndro, Dhimitri! Të zumë”. Më rrethuan, më zunë dhe po më shpinin të më vrisnin. Unë qeshnja. Kisha qef të më vrisnin… Dhe ja, u gjenda në burg. Shumë njerëz. Midis tyre Sofo Çomorra, që ka vdekur. Më shikonte me dhembje. “Si u bë kështu, o Pasko? Ç’ke bërë?” –“S’di”. –“Shiko këtu”. Dhe më dha ca shkresa të shkruara bukur: një akt akuzë dhe ca lidhje të tjera. Më quanin bejtexhi. Më thoshin se kisha bërë një vjershë për glyrën me rima italiane. Pashë Andrean. I ardhi keq. U vendos të më vrasin.

Prapë u gëzova. –“Fundja, do vdes, thashë. Do të shpëtoj. Do çlodhem. Jeta ime ka qenë shumë e turbullt, e ngatërruar, e mirë dhe e keqe. Sa mirë që mbaroi”. Kur u ngrita, ti po bëheshe gati për në Rrushkull. Kokën e kisha, dhe e kam, të rëndë. Ti shkove më 7 e gjysmë. Pas 5 minutash ardhi Ilua i Sterjos e më solli lajmin: vdiq Thanas Cikuli… Sipas mendjes sime, shpëtoi. E kam zili.

Vdekja është prehje e madhe, shkëputje nga dhembjet. Vërtet, edhe nga gazet, por në një kohë, kur njeriu është shumë i sëmurë, i mërzitur, vdekja është shpëtim: nga dhembjet fizike e shpirtërore. Që të dyja janë të rënda. Ti e di sa dhembje të tilla kam pasur në kohën e fundit. Njëra, që ti ma di, është se si pasojë e tyre nuk jam i zoti të punoj, të krioj, të paguaj bukën që më jep shteti për vete e për fëmijët. Unë s’kam qënë e s’dua të jem kurrë parazit. Po ç’të bëj, grua? S’mund. Kokën e kam të turbullt…..

Letrën e nisa për tjetër gjë: të të përsërit porositë e mija të fundit. Më fal se të mërzit. Unë t’i kam thënë kaq herë. Të kam helmuar jetën, sepse edhe mua ma kanë helmuar të tjerët. Dhe s’kam qënë i zoti ta mbaj helmin për vete, siç më takon. Ky qoftë i fundit që po të sjell.

Ne u bashkuam, rrojtmë, dhe bëmë fëmijë në vjete stuhie: burg, urbanizëm, hotel. Po atëhere kisha shëndet dhe i kapërxeva të gjitha. Tani, ti e di… I di ditët e netet e mija. Sëmundjet dhe brengat më brehnë, më hëngërn. Unë e shoh tani vdekjen si një lirim nga dhembjet. Nuk e dua, po nuk e largoj dot. E shoh se afrohet, më çik.

Më vjen keq se do t’i le fëmijët të vegjël, pa krah, mbase në vobekësi të madhe, në pamundësi për t’u arritur synimeve. Pensioni im nuk do të mjaftojë. S’kam “vjete shërbimi”. Domosdo, 22 vjet jashtë. Edhe atje kam punuar sa jam shuar, por këtavjete pune nuk peshojnë për efekt pensioni. Fati im i keq, fati i tyre i keq. Ndofta, pas vdekjes, kur të pushojnë pasionet dhe urrejtjet, shteti ynë mund t’ju ndihmojë për hir të punës sime së kaluar: në gazetari dhe letërsi, që në moshë të njomë, dhe sidomos në fushën ekonomike.

Një pjesë të shkrimeve të mija-shqip dhe rumanisht- janë aty, në Bibliotekën Kombëtare. Disa njerëz i dinë përpjekjet e mija kundër kapitalit italian, kundër grabitjeve gjermane. Kam punuar pa interes vetiak, bile kundër interesit vetiak. Nuk kam ndjekur kurrë pasurimin tim, sepse ky pasurim mund të bëhej vetëm me dy mjete: me vjedhje (ka njëmijë e një mënyra vjedhjeje dhe unë s’kam përdorur asnjërën) dhe me trathëti, duke u shërbyer të huajve për të grabitur vendin dhe duke marrë para për këtë shërbim.

Zgjodha rrugën e kundërt: luftën kundër atyre që donin të grabisnin, atyre që grabisnin. Nuk i ndala dot të tëra, jo se s’desha, jo se kisha interes, po se s’munda. Kaq munda, kaq bëra. Kundër grabitjeve italiane, kundër grabitjeve gjermane, kundër grabitjeve jugosllave. Nuk zgjodha kurrë udhën e rehatit vetiak, udhën e “urtë e butë e lugën plot”. Kam punuar shumë, kam dashur shumë, kam gabuar shumë.

Tani jeta shkoi, nuk kthehet dot, nuk ndreqet dot. Të kam treguar se gjermanët do të më varnin përpara bashkisë, kur muarr vesh se kisha sabotuar nxjerrjen e monedhës së re që donin të bënin. Më shpëtoi fati. Nuk do të skuqem kurrë nga turpi as me veprimin tim në ditët e para të çlirimit. Punova si i marrë, luftova kundër grabitjeve jugosllave. Aq më fort nuk mund të skuqem nga turpi për veprimtarinë time praktike-në fushën ekonomike-në Rumani. Edhe atje kundër gjermanëve. Unë kam pasur gjithnjë, si bir i një populli të vogël, një urrejtje të madhe kundër idesë së zezë “popuj mbi popuj” ose “të mëdhenj mbi të vegjël”, por “popuj përkrah popujsh”.

Ky parim ka ushqyer në mënyrë të vetëdijshme dhe të pavetëdijshme, automatikisht, veprimtarinë time. Kam qënë kundër rusëve sepse ata mbajnë nënvete dhe shkombëtarizojnë popuj të tjerë; kundër gjermanëve sepse kanë shfrytëzuar dhe zhdukur popuj të tjerë, kundër anglezëve për të njëjtën arësye. Biri i një populli të vogël nuk mund të bënte ndryshe. Në Rumani kam luftuar, aq sa mund të luftojë një njeri i vogël, kundër shfrytëzimit të kapitalit vëndas dhe të huaj. Këtë qëndrim kam pasur edhe kur isha drejtor banke.

Një nga pasojat e para ka qënë një “skedë e zezë” në aparatin gjerman të Vjenës, më 1940-41. Për këtë “skedë të zezë” ardhi e më foli dikush në bankë: “Ç’po bën kështu? Nuk e di ç‘të pret? Pse kundërshton që vëndin e kapitalit çifut ta zerë kapitali mik gjerman?” Unë di një gjë: kapitali s’mund të jetë kurrë mik, po vetëm kapital. Ay ushqehet me fitime, mbahet me fitime, rron për fitime. Dhe fitimet s’kanë kurrë të mbaruar. Njëja kërkon të bëhet dy, dyja katër, katra tetë, mija dhjetë mijë, milioni qindmilion e kështu me radhë. Në dëm të njerëzve, të popujve. Si ish drejtor tri bankash (gjithnjë i varfër) di se fitimi i vjetër nuk ngopet me fitim të ri, siç nuk ngopet deti me ujë.

Do të më njohë dhe do të më kuptojë dikush, të paktën pas vdekjes? Nuk di. Desha të më kuptonte dhe njihte jo për nder e lavdi, po që fëmijët e mij-të cilëve u le trashëgim punën dhe ëndrat e mijatë mos vuajnë për bukë sa janë të vegjël, të ndjekin studimet dhe të gjejnë udhën e tyre në jetë.

Jam i sigurtë se po të vlerësohej në këtë drejtim puna dhe përpjekjet e mija në të kaluarën, fëmijët nuk do të vuanin.

Nisa të të shkruaj një letrë të shkurtër lamtumire, dhe u nxeva-ndonse më buçasin veshët e më dhemb koka prapa dhe shiko se ku arrita.

Dëgjo!

Shenjat nuk i kam të mira. Tensioni ngrihet e ulet, zemra ngec. Nisem për në zyrë a për shëtitje dhe më priten këmbët, më mbahet fryma. Ndalem e helmohem me ilaçe. Netet i kam skëterrë, siç e di vetë. Këto të gjitha thonë se nuk e kam të gjatë. Pra, mos u hidhëro se po të porosit edhe një herë.

Kur të vdes mos bëni lajmërime nga ato që ngjiten nëpër muret.

Vdekja është një ngjarje që i takon atij që vdes dhe shtëpisë së tij. Pse ta dijë bota? S’dua!

Nuk do të lajmëroni, para varrimit, asnjeri, me përjashtim të pesë a gjashtë njerëzve më të afërmë për të bërë formalitet e varrimit dhe varrimin. Kaq!

S’kam qef të mërzit njeri. Sikush ka hallet e veta.

Dikur kisha dashur të varrosesha në Pogrdec, pranë babajt e nënës ose lart në gështenjat, në Shën e Djelë. Tani e kam ndryshuar mendjen. Varrimi është një ngatërresë. Varrosmëni këtu, në Tiranë. Gjith Shqipëri është! Nuk dua asnjë shkrim mbi varr. Vetëm një kryq, si babaj, gjyshi, stërgjyshi.

Fëmijët i porosit ta duan vendin dhe gjuhën tonë gjer në vuajtje.

Të mos u shqasë zemra kundër Shqipërisë as kur do të vuajnë pa faj. Atdheu është atdhe, bile atëhere kur të vret. Këtu kanë lindur, këtu të rrojnë me mish e shpirt, qoftë edhe me dhembje. Atalanta dhe Pandeli kanë prirje për letërsi. Le të mbarojnë studimet në ndonjë degë praktike-ajo fizikë; ay, mjekësi ose ndonjë fakultet tjetër, fjala vjen, për arësimtar, -dhe le të merren edhe me letërsi. Por jo si profesjon kryesor. Profesionismi në letërsi, në vëndin tonë, është, hë për hë, një rrugë vuajtjesh, buka e tij është e hidhur. E hidhur, them, për atë që s’di marifete dhe hipokrizira. Tereni i letërsisë është një tokë tek gëlojnë gjerprinjtë.

Të vrasin shokët, se ju bën hije. Dhe kur nuk u bën hije do të thotë se nuk je i zoti për letërsi. Dorëshkrimet ja u le atyre të dyve, sidomos Pandeliut. Të mos i prekë askush! Ay do të rritet, do të lexojë shënimet e parealizuara, do t’i përpunojë. Për këtë duhet të grumbullojë më parë shumë kulturë. Talenti, prirja nuk vlejnë asgjë pa punë, pa kulturë.

Askush të mos më prekë dorëshkrimet para se të më rritet djali! I vini në arkë, i mbyllni!

Polikseni dhe Atalantë! Pandeli dhe Doruntinë! Të doni njëri tjetrin, të ndihmoni njëri tjetrin, të duroni njëri tjetrin! Mos vini re vogëlsirat, mos u grindni për vogëlsira, për asgjë. Hithni tutje inatin, se ay është burim i shumë të këqijave. Përpiqi të mos ju rritet mëndja. Inati dhe mendjemadhësia na kanë bërë dëme të mëdha. Na prishnë. Zemra juaj të mos njohë urrejtjen, grindjen, mërinë. Urtësi, butësi, zemërgjërësi! Hapni sytë për çdo hap që bëni në jetë.

Jeta mund të prishet nga një hap i gabuar, vetëm nga një hap. Pastaj vinë greminat. Kur t’ju vijë koha, martohuni. Të dëgjoni zërin e zemrës, po edhe të arësyes. Shpesh, zemra të shpje në udhë të gabuar, në qoftë se nuk e drejton arësyeja. Mos i kërkoni shumë jetës, sepse jeta është koprace në mirësi. Mos ëndëroni ato që nuk realizohen dot. Mos u matni me hijen e mëngjezit, që sjell mëndjemadhësinë. Do t’i kërkoni jetës aq sa mund t’ju japë.

Ta doni dhe nderoni mamanë, se ka qënë trime në jetë, ka vojtur shumë. Të dy kemi vojtur. Embëlsojani pak pleqërinë pas kaq tufanesh. Ajo ka grumbulluar shumë përvoje nga jeta e hidhur, dhe kjo përvoje mund të jetë e dobishme për ju, që të mos vuani.

Doruntina është më e vogla. Ajo ka nevojë për mjaft vjet ndihme dhe drejtimi. Mos i kurseni ndihmën tuaj, që të mund të prehem i qetë në dhe.

 

Mos më qani! Mbahuni! Unë e rrojta jetën, mbarova qerthullin tim. Nuk dua t’ju shohin të tjerët kur qani. Më dëgjoni? Lotët janë të kotë. Kush vdes nuk ngjallet. Unë asqë dua të ngjallem, asqë dua ta filloj jetën përsëri. Mjaft! Këtë porosi mos e shkelni.

Efterpi, më fal për këtë mërzitje të fundit! Mbahu dhe jepu zemër fëmijëve. Bëj siç të porosita. Mos ndrysho asgjë. Nuk dua njerëz në varrimin tim. Më të shumtit vinë për sehir, për formë. Unë i kam urryer ngahera varrimet e bujëshme, me kallaballëk. Edhe disa fjalë: kuptohet se nuk do të lajmërosh as njerëzit e tu, këtu ose në Korçë, me përjashtim të Foqit dhe Nestit.

Të përqafoj, të lutem të më falësh dhe lamtumirë.
Yti
Dhimitraq.

Letra, drejtuar së shoqes, “Amaneti i Mitrush Kutelit” që ka hyrë në historinë shqiptare Read More »

Ja çfarë kuptimi kanë simbolet te kartëmonedhat vendase

Historia e monedhës kombëtare shqiptare nis në një kohë me krijimin e Bankës Kombëtare të Shqipërisë, e themeluar më 2 shtator të vitit 1925. Banka u krijua me nënshkrimin e konventës përkatëse midis grupit financiar italian të kryesuar nga Mario Alberti dhe Qeverisë së Ahmet Zogut. Konventa përcaktonte ndër funksionet e këtij institucioni, përveç kreditimit, emetimin e kartëmonedhave me kurs ligjor për pagesat në Shqipëri si dhe emetimin e monedhave të arit dhe të metaleve të tjera, me të drejtë ekskluzive.

Ky mund të quhet institucioni i parë emetues kombëtar i parasë, por historia e popullit tonë dëshmon prerjen e monedhave të para që në shekullin IV p.e.s., nga Dyrrahu (Durrësi) dhe Apollonia (Pojan pranë Fierit), qytete të Ilirisë.

Për herë të parë, Shqipëria pati një institucion të bankës qendrore në vitin 1913, si rezultat i marrëveshjes së Qeverisë së Ismail Qemalit, me Karol Pitner e Oskar Pollak, përfaqësues të grupit bankar austro-hungarez të Wienner Bank Verein, si dhe me Pietro Fenolio e Guido Ansbaher përfaqësues të grupit bankar italian të Banca Commerciale Italiana. Ky institucion nuk jetoi gjatë, për vetë kushtet politike të kohës dhe për shkak të fillimit të Luftës së Parë Botërore.

Në vitin 1925 kur u krijua banka, në Shqipëri qarkullonin një mori monedhash të vendeve të ndryshme, ndaj Banka Kombëtare e Shqipërisë mori masa për t’i zëvendësuar këto me monedhën e vetme shqiptare. Si njësi monetare zyrtare u caktua Frangu ar, me nënfishat e tij (leku dhe qindarka, ku 1 frang ar ishte baras me 5 lekë dhe 100 qindarka) dhe shumëfishat e tij 5, 20 dhe 100 franga ari.

Kartëmonedha e parë e emetuar ishte ajo me prerje 5 lekë/ 1 frang ar. Ajo rezultoi jetëshkurtër për shkak të kundërshtimeve të shprehura nga qeveria shqiptare e kohës mbi shqiponjën e paraqitur në të, e cila në dallim nga shqiponja dykrenare, simbolv i kombit tonë, paraqiste shqiponjën me një kokë sipas stilit romak.

Përgjatë vitit 1926, Banka Kombëtare e Shqipërisë emetoi dhe hodhi në qarkullim:

  • kartëmonedhat me prerje 5 franga ari, 20 franga ari dhe 100 franga ari;
  • monedhat ar 20 franga ari dhe 100 franga ari, monedhat argjend 2 franga ari dhe 5 franga ari, dhe monedhat e tjera 5 qindar leku, 10 qindar leku, ¼ leku, ½ leku dhe 1 lek.

Me fundin e Luftës së Dytë Botërore, të gjitha funksionet dhe detyrimet e Bankës Kombëtare të Shqipërisë pushuan së ekzistuari. Vetë banka u shtetëzua dhe në vitin 1945 u krijua Banka e Shtetit Shqiptar.

Viti 1947 shënon një moment të rëndësishëm për monedhën tonë kombëtare. Me dekretligjin e datës 7 korrik 1947, si njësi monetare caktohet Leku, i cili zëvendësoi Frangun, ndërsa ky i fundit tërhiqet përfundimisht nga qarkullimi. Që nga ky moment, kartëmonedha lekë ndryshon herë pas here simbolikën dhe përmasat. Moment tjetër i rëndësishëm në historinë e monedhës tonë kombëtare është viti 1965, vit në të cilin ndryshoi raporti midis prerjes lek të përdorur që nga viti 1947 me atë të emetuar në këtë vit në raportin 10 lekë (vitet 1947,1957) = 1 lek (viti 1964 e në vazhdim). Gjithashtu, për herë të parë shtypen dhe hidhen në qarkullim nënfisha të lekut, qindarkat.

Ardhja e vitit 1991 do të sillte ndryshime edhe në elementet e sigurisë të kartëmonedhave, ku për herë të parë vendoset filli i sigurisë në kartëmonedhën 100 lekë.

Banka e Shqipërisë krijohet në vitin 1992 si banka qendrore e vendit. Ndër funksionet e saj kryesore, theksohet edhe roli i saj si emetuese e vetme e kartëmonedhës dhe monedhës kombëtare që ka kurs ligjor brenda territorit të Republikës së Shqipërisë.

Që në vitin e parë të krijimit të saj, Banka e Shqipërisë nën ndikimin e ndryshimeve të mëdha socio-politike në vend, përballet me domosdoshmërinë e rritjes së sasisë së monedhës në qarkullim si dhe ndryshimin e strukturës së prerjeve të saj. Si rrjedhojë, emetimet e këtij viti kanë ndryshime në tematikën e çdo prerjeje, kjo për shkak të jodiktimeve nga sistemi politik. Gjithashtu, për herë të parë në emetimet e pasluftës, vendosen në kartëmonedha firmat e Guvernatorit dhe të Drejtorit të Departamentit të Emisionit dhe Administrimit të Parasë.

Vitet në vijim, shënojnë një rritje të vazhdueshme të kërkesës së ekonomisë për para. E shtyrë nga përgjegjësia për t’iu përgjigjur më së miri kësaj kërkese me një strukturë të përshtatshme prerjesh, Banka e Shqipërisë, gjatë vitit 1995, kreu studime për një emision të ri të monedhës dhe kartëmonedhës. Ky emision u projektua tërësisht i ri në tematikë, me një seri monedhash metalike të përbërë nga 6 prerje: 1, 5, 10, 20, 50 dhe 100 lekë. Ndërsa, seria e kartëmonedhave përbëhet nga 5 prerje: 100, 200, 500, 1000, 5000 lekë, të cilat janë rishtypur në vite të ndryshme duke përmirësuar elemente sigurie të cilat rritën ndjeshëm besueshmërinë ndaj parasë dhe e bënë atë më të fortë ndaj falsifikimit. Në rishtypjen e kartëmonedhave është ruajtur pamja (vizatimet e tyre), por veç elementeve të sigurisë kanë ndryshuar edhe firmat në kartëmonedha.

Sot, në qarkullim gjejmë po të njëjtat seri të përbëra nga 6 prerje monedhash dhe 5 prerje kartëmonedhash, por kartëmonedha me vlerë 100 lekë është tërhequr nga qarkullimi, duke e lënë si vlerë monetare të prezantuar vetëm nga monedha. Gjithashtu serisë i është shtuar kartëmonedha me vlerë 2000 lekë.

Tematika e zgjedhur nga Banka e Shqipërisë për kartëmonedhat që gjejmë sot në qarkullim ndjek konceptin e pasqyrimit të epokave historike nëpërmjet paraqitjes së portreteve të personaliteteve simbol të tyre. seria aktuale e kartëmonedhave përfshin këto periudha:

-Kartëmonedha 2000 lekë përfaqëson epokën ilire (portreti i Mbretit Ilir Gent);

-Kartëmonedha 5000 lekë përfaqëson periudhën e Skënderbeut (portreti i tij);

-Kartëmonedha 1000 lekë përfaqëson Mesjetën (portreti i Pjetër Bogdanit);

-Kartëmonedha 200 lekë përfaqëson Rilindjen (portreti i Naim Frashërit);

-Kartëmonedha 500 lekë përfaqëson Pavarësinë (portreti i Ismail Qemalit).

 Kartëmonedha 200 lekë

Në projektin e Bankës së Shqipërisë për të pasqyruar në kartëmonedhat e emetuara prej saj, epoka historike të rëndësishme për popullin shqiptar, duke i karakterizuar ato me personalitetet më përfaqësuese të këtyre epokave, nuk mund të lihej mënjanë figura e poetit dhe atdhetarit Naim Frashëri. Ai prezantohet në kartëmonedhën 200 lekë, emetim i vitit 1996, rishtypur në vitin 2001 dhe së fundmi në vitin 2007.

Portreti i shkrimtarit të shquar Naim Frashëri, simbol i periudhës së Rilindjes Kombëtare, në këtë kartëmonedhë shoqërohet me elementë të tjerë grafikë që, në të njëjtën kohë, përmbajnë dhe përcjellin simbolikën letrare.

Kjo simbolikë, në të dyja anët e kartëmonedhës, na sjell ndërmend rëndësinë e veprës së Naim Frashërit dhe dashurinë e shprehur nëpërmjet veprimtarisë së tij letrare ndaj atdheut.

Kështu, në anën e përparme të kartëmonedhës gjejmë në plan të parë portretin e shkrimtarit dhe në sfond një libër të hapur. Ndërsa, në anën e prapme është vendosur pamja e shtëpisë ku ka lindur Naim Frashëri dhe një fletë ku janë shkruar vargjet e tij: “Ti Shqipëri më jep nder, më jep emrin Shqipëtar” dhe pena e tij.

Kartëmonedha 500 lekë

Emetimi i parë i kartëmonedhës 500 lekë me tematikën që ka sot, daton në vitin 1996. Ajo është rishtypur në vitet 2001 dhe 2007, me të njëjtën pamje dhe përmasë. Emetimet e reja synojnë shtimin dhe përmirësimin e elementeve që kanë të bëjnë me sigurinë dhe qëndrueshmërinë ndaj dëmtimeve. Në emetimin e vitit 2007 ndryshojnë edhe firma e Guvernatorit dhe ajo e Drejtorit të Departamentit të Emisionit.

Në anën e përparme të saj është vendosur portreti i Ismail Qemalit, simboli i shqiponjës dykrenare të flamurit të pavarësisë, së bashku me penën me të cilën u nënshkrua akti i pavarësisë. Ndërsa në anën e prapme, është zgjedhur të vendoset ndërtesa ku u shpall pavarësia, dhoma ku u mor vendimi dhe telegrafi me anë të të cilit u shpërnda lajmi i shpalljes së Pavarësisë.

 

Kartëmonedha 1000 lekë

Kartëmonedha 1000 lekë, emision i vitit 1996, është rishtypur në vitin 2001 dhe në vitin 2007, duke ruajtur pamjen dhe përmasat. Në kartëmonedhën e re të kësaj prerjeje, ashtu si në riprintimet e të gjitha prerjeve, janë shtuar apo përmirësuar elemente që kanë të bëjnë me sigurinë dhe me qëndrueshmërinë ndaj dëmtimeve.

 

 

 

 

Kartëmonedha ka në anën e përparme portretin e Pjetër Bogdanit, shkrimtar, klerik e figurë e shquar e letërsisë së vjetër shqiptare, të marrë nga frontespici i veprës së tij “Çeta e profetëve” (Cuneus prophetarum) dhe një simbol i tij mbi diellin.

Në anën e prapme, në qendër paraqitet një simbol i idesë së Bogdanit me diellin në qendër. Në të djathtë ka një pamje të kishës katolike të Vaut të Dejës, ndërsa djathtas, anash dhe poshtë është vendosur vlera e kartëmonedhës.

                                                                 

 Kartëmonedha 2000 lekë

Kartëmonedha me vlerë 2000 lekë, emetuar për herë të parë si prerje e re në vitin 2007 mban portretin e Mbretit ilir Gent. Ajo paraqet elementin e fundit të mbetur jashtë asaj tabloje vlerash të së shkuarës, që Banka e Shqipërisë ka dashur të prezantojë në përzgjedhjen e personaliteteve përfaqësuese të periudhave historike më domethënëse për vendin tonë.

 

 

 

 

Në anën e pasme të kartëmonedhës paraqitet bima medicinale Gentiana lutea, aftësitë kuruese të së cilës janë zbuluar prej tij, evidentohen elemente të arkitekturës së antikitetit, si dhe një detaj i stilizuar i anijes liburne.

                                                                             

 

 

 

Kartëmonedha 5000 lekë

Kartëmonedha 5000 lekë është emetuar për herë të parë në vitin 1996. Ajo është rishtypur dy herë, në vitet 2001 dhe 2007, me të njëjtën pamje dhe përmasë, por me elementë të përmirësuar sigurie. Në emetimin e vitit 2007 ndryshon dhe firma e Guvernatorit dhe ajo e Drejtorit të Departamentit të Emisionit.

Personaliteti simbol i kësaj kartëmonedhe është zgjedhur Gjergj Kastrioti (Skënderbeu), heroi ynë kombëtar dhe figura më e shquar e historisë së popullit tonë, portreti i të cilit shquhet në pjesën e përparme të kartëmonedhës, së bashku me mburojën dhe shpatën e tij.

Në anën e pasme është vendosur pamja e përgjithshme e Kështjellës së Krujës, përkrenarja dhe monumenti i Skënderbeut mbi kalë, që gjendet në qendër të Tiranës./njekomb

 

 

 

 

Ja çfarë kuptimi kanë simbolet te kartëmonedhat vendase Read More »

Sugjerimi i britanikëve: Në shtator vizitoni ‘Bjeshkët e Namuna’ të Shqipërisë

Në hemisferën veriore, Shtatori është një nga muajt më të mirë për të udhëtuar. Në ato ditë ka më pak turistë, por moti vazhdon të jetë i ngrohtë. Krishtlindjet janë larg, ndërsa sezoni veror dalëngadalë mbaron, që do të thotë se çmimet janë më të lira për fluturime dhe akomodime. Kështu nis një shkrim të përditshmes britanike “Evening Standard” e cila u jep disa këshilla lexuesve të saj, për 10 vendet të cilat duhen vizituar në shtator.

Në vendin e parë, britanikët rendisin Bjeshkët e Namuna në Shqipëri. Media në fjalë shkruan se ato janë bërë një destinacion shumë i frekuentueshëm vitet e fundit dhe kjo vetëm për një arsye: Peizazhi është jashtëzakonisht mahnitës. Shkoni atje në Shtator për motin e ngrohtë dhe udhëtoni për 5 orë mes Valbonës dhe Thethit përpara se t’i drejtoheni Rivierës shqiptare, – sugjeron e përditshmja britanike.

Më pas renditet Mynihu në Gjermani, duke pasur parasysh festën e birrës që organizohet atje. Të tjera destinacione renditen Maroku për ndërtesat blu dhe Siçilia në Itali për ecje përgjatë bregdetit, Buenos Aires në Argjentinë, ku ndërthuret arkitektura franceze me atë italiane, lokalitetin Vis në Kroaci, liqeni Disrict në Britani, Bora Bora në Polinezinë franceze dhe Santorini në Greqi. Dhjetëshen e vendeve që duhen vizituar në shtator e mbyll Pekini, ku ndryshe, kjo periudhë njihet si “muaji i artë”./KultPlus.com

Sugjerimi i britanikëve: Në shtator vizitoni ‘Bjeshkët e Namuna’ të Shqipërisë Read More »

Kërcimet atraktive nga Ura e Fshejtë edhe këtë vit marrin vëmendjen e medieve ndërkombëtare

Edhe këtë vit janë organizuar kërcimet nga Ura e Fshejtë.

Garues të shumtë nga e gjithë Kosova, kanë qenë pjesëmarrës në edicionin e sivjetmë të kërcimeve atraktive nga Ura e Fshejtë.

Koha e mirë me diell, dhe numri i madh i shikuesve, u ka mundësuar garuesve që të dhurojnë momente të jashtëzakonshme me kërcimet e tyre, të cilat edhe këtë vit morën vëmendjen e medieve të huaja.

Media amerikane ‘Fox News’ ka publikuar një fotografi të kërcimeve nga Ura e Fshejtë, duke e përzgjedhur si fotografinë e ditës.

Kujtojmë se vendin e parë në kërcimin dallëndyshe e ka fituar Florid Gashi./Lajmi.net/

Kërcimet atraktive nga Ura e Fshejtë edhe këtë vit marrin vëmendjen e medieve ndërkombëtare Read More »

Speca të pjekura , shije dhe vlera në një pjatë

Një sallatë tipike e kuzhinës shqiptare që të tundon menjëherë me shijen e saj e të ngacmon oreksin, nepsin dhe dëshirën për ta konsumuar menjëherë.

Specat e kuqe dhe ato jeshile, të pjekura e të marinuara me hudhra, vaj ulliri dhe uthull janë ndër kënaqësitë fantastike që ofron tradita shqiptare.

Dikur, qindra vite më parë, ato piqeshin në prush, më tej në saç, e sot e shndërruar në një traditë të të gjitha amvisave shqiptare edhe në furrë.

Me një shije fantastike, kjo pjatë shndërrohet në shoqëruesen e shkëlyqer të supave e gjellëve të ndryshme teksa mund të shijohen edhe veçmas me pak bukë të thekur e pak djathë.

Më poshtë AgroWeb u sugjeron recetën e përgatitjes së specave të pjekur në furrë.
Speca të Pjekura dhe të Marinuara
Përbërësit
Speca të kuq dhe jeshilë të mëdhenj

Hudhra

Kripë

Piper

Vajj uilliri

Uthull

Majdanoz (Sipas dëshirës)
Përgatitja
Specat pastrohen me ujë dhe më pas përmes një pecete kuzhine fshihen në mënyrë që t’u thahet uji.

Priten në dy pjesë, u hiqen farat e brendshme dhe sipas dëshirës mund të vendosen direkt në zgarën e sobës për t’u pjekur ose në tavë, të cilën keni shtruar më parë letër pjekjeje.

Futen në furrë të piqen në temperaturë maksimale për 40-50 minuta derisa të jenë zbutur plotësisht.

Më pas, nxirren nga furra dhe pasi janë ftohur pak u hiqet lëkura. Për të hequr lëkurën më shpejt mund të përdorni letrën mbështjellëse të bukës, me të cilën mund të mbështillni për disa minuta specat e më pas t’u hiqni lëkurën.

Specat i vendosim me rradhë në një pjatancë. Në një tas të vogël hedhim vaji e ullirit, pak uthull, hudhrat e shtypura dhe pak majdanoz të grirë hollë. I përzjejmë të gjitha bashkë dhe ua hedhim specave duke i përzjerë sa të marinohen mirë.

Sipas preferencës, sipër mund t’u hidhni edhe pak djathë të bardhë./AgroWeb.org

Speca të pjekura , shije dhe vlera në një pjatë Read More »

Zupa të ftohta shtëpie me kakao , receta e freskët, e ëmbël

Zupa shtëpie, një ëmbëlsirë krejt e lehtë, e kombinuar në mënyrë fantastike me arra, reçel dhe biskota për të kënaqur shijen në çdo kohë të ditës.

E shoqëruar me kafe, çaj apo duke e shijuar edhe vetëm, kjo ëmbëlsirë është ndër më tradicionalet, e përgatitur shpesh nga amvisat në shtëpi dhe një nga më të preferuarat në pastiçeritë shqiptare.

Fantastike në servirjen e saj si gosti në mikpritjen e miqve ashtu si edhe në servirjen e saj në fund të drekave e darkave familjare.

Një shije krejt tjetër, kremoze falë qumështit si përbërës kryesor të saj dhe e pasuruar me disa nga përbërësit më të shijshëm të kuzhinës, arrat e biskotat e thërrmuara si dhe reçeli unik shqiptar i qershisë gjithashtu.

AgroWeb.org u sugjeron më poshtë recetën fantastike të përgatitjes së zupave. Kjo është një ëmbëlsirë që përgatitjen krejt lehtë dhe shpejt për të ëmbëlsuar familjen dhe më të dashurit gjithashtu.
Përgatitja e Zupave në Shtëpi
Përbërësit
1.5 litra qumësht

2 të verdha veze

10 lugë sheqer

7 lugë niseshte

1 lugë kafeje vanilje

1 pako biskota të thjeshta të thërrmuara

3-4 lugë gjelle me majë me kakao

Një grusht arra të thërrmuara

Reçel qershie

Kanellë
Përgatitja
Si fillim në fundin e tasave të zupave hedhim një shtresë me biskota të thërmuara.

Hedhim qumështin në tenxhere dhe e vendosim në zjarr të ngadaltë, shtojmë dy të vërdhat e rrahura të vezëve me sheqerin, kakaon dhe niseshten.

Gjithë masën e përzjejmë pa ndërprerje derisa masa të trashet dhe të bëhet kremoze.

Kur masa bëhet kremoze shtojmë vaniljen dhe vijojmë të përzjejmë për pak sekonda.

E heqim tenxheren nga zjarri dhe nisim mbushjen e kupave.

I mbushim të gjitha me krem deri në gjysmë e më pas hedhim një shtresë me biskota të thërmuara dhe pak reçel qershie.

Më pas hedhim pjesën tjetër të kremit duke mbushur gjysmën e kupave. Në fund shtojmë sërish një shtresë me biskota të thërmuara, arra dhe nga një lugë të vogël me reçel qershie.

Zupat, pasi janë ftohur futen në frigorifer dhe konsumohen të ftohta./AgroWeb.org

Zupa të ftohta shtëpie me kakao , receta e freskët, e ëmbël Read More »

Perimet në mëngjes – Pse duhen patjetër për shëndetin

Mëngjesi i mirë është gjysma e punës, ndaj edhe perimet duhen ngrënë në mëngjes.

Të dhënat shkencore provojnë që nëse shtoni perimet në mëngjes, do të keni plotësuar shumicën e rekomandimeve për një shëndet më të mirë.

A do të donit ta nisnit ditën plot ankth dhe stres? Me siguri jo!

Po të marrim në konsideratë faktin që një përqindje mjaft e ulët e shqiptarëve hanë shumë pak perime, atëherë duhet të gjejmë motivimin e duhur që të shtojmë dozat e ushqimeve të shëndetshme.
Vlerat e perimeve për mëngjes
Ngrënia e perimeve në mëngjes është mjaft e thjeshtë, e lehtë dhe e shijshme.

Vende të ndryshme të botës i kanë perimet pjesë të pandarë të mëngjesit.

Francezët për shembull hanë rregullisht kastravecë, domate dhe ullinj në mëngjes.

Në Spanjë, hanë sallatë perimesh në mëngjes.

AgroWeb.org rekomandon fort përvetësimin e kësaj tradite edhe në regjimin ushqimor të shqiptarëve.
Më poshtë do të gjeni disa receta të cilat do t’ju vijnë në ndihmë për të ngrënë sa më shumë perime në mëngjes
Brokoli me vezë të skuqur

Në fillim zjejmë për 10 minuta brokolit e ndara në lule të vogla.

Më pas në tigan hedhim dy lugë gjelle me vaj ulliri, e lëmë pak të nxehet dhe më pas hedhim vezët sy.

U hedhim pak kripë dhe i lëmë të skuqen pak apo shumë sipas preferencës.

Krepa me miell misri me spinaq dhe djathë të bardhë

Brumin e krepave e përgatisni me miell misri në vend të miellit të grurit.

Për mbushjen e nje krepe, në një tigan hidhni një grusht me spinaq.

Lëreni në zjarr sa të avullojë uji, hidhini pak kripë, vaj ulliri dhe thërrime djathi dhe mbushni krepën.

Omletë me spinaq dhe avokado

Grini një grusht me spinaq, gjysmë avokado të prerë në kubikë.

Hidhni në një tas dy vezë, pak kripë dhe rrihini fortë. Më pas shtoni spinaqin dhe avokadon dhe përzjejini bashkë.

Vendosni një tigan në zjarr. Hidhni pak vaj ulliri dhe shtroni omletën në tigan. Lëreni të skuqet mirë nga njëra anë dhe më pas kthejeni nga ana tjetër.

Vezë dhe spinaq

Grini një grusht me spinaq.

Vendosni një tigan në zjarr. Hidhni spinaqin e grirë hollë dhe lëreni sa të avullojë uji, hidhini më pas pak vaj ulliri, kripë dhe hidhni vezët sy që të skuqen.

Lulelakër të skuqur me vezë

Në fillim zjejmë për 10 minuta lulelakrat e ndara në lule të vogla.

Më pas në tigan hedhim dy lugë gjelle me vaj ulliri, e lëmë pak të nxehet dhe më pas hedhim lulelakrat dhe vezët sy.

U hedhim pak kripë dhe i lëmë të skuqen pak apo shumë sipas preferencës.

Ju mund të përzieni të gjithë perimet që ju pëlqejnë dhe të angazhoheni në krijime të reja në kuzhinë./AgroWeb.org

Perimet në mëngjes – Pse duhen patjetër për shëndetin Read More »