Aurora

Gjirokastër/ Zhvillohet takimi i Komitetit Rajonal të luftës kundër trafikimit të personave

Masat dhe angazhimi i institucioneve në luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore në qarkun e Gjirokastrës ishte në fokus të takimit të Komitetit Rajonal të zhvilluar në këtë qark.

Takimi është zhvilluar në institucionin e Prefektit të Gjirokastrës, ku për herë të parë kanë marrë pjesë edhe drejtues të institucioneve joqeveritare pjesë e Unionit “Stop krimit”.

Gjatë një interviste për Agjencinë Telegrafike Shqiptare, prefekti i Gjirokastrës Astrit Aliaj theksoi se bashkëpunimi me organizatat joqeveritare dhe organeve kompetente i jep shtysë më të madhe luftës ndaj trafikimit të qenieve njerëzore, pasi këto të fundit janë të shtrira aty ku ka komunitete shqiptare.

“Për herë të parë mori pjesë edhe shoqata joqeveritare “Stop krimit”. Kjo shoqatë që është shtrirë jo vetëm në Shqipëri, por këta janë shtrirë edhe në Athinë, në Itali, Zvicër, ku ka komunitete shqiptare.

Kjo ishte një risi në luftën kundër trafikimit që arritëm të bashkojmë dhe të bashkëpunojmë në mënyrë direkte me institucionet ligjzbatuese siç është Policia dhe Shërbimet Informative.

Këto organizata joqeveritare kanë linjat e tyre dhe kanë kontribuar mjaft në këtë fushë, sidomos në gjetjen e personave të trafikuar”, –  theksoi prefekti Aliaj.

Në fjalën e tij Prefekti vlerësoi rezultatet e arritura në këtë drejtim si dhe vuri theksin në intensifikimin e punës së të gjitha institucioneve shtetërore. /atsh

Gjirokastër/ Zhvillohet takimi i Komitetit Rajonal të luftës kundër trafikimit të personave Read More »

Turistë gjermanë marrin pjesë në “Festën e Bjeshkëve” në Tropojë

Tropoja është një destinacion i ri turistik. Përveç Luginës së Valbonës, një mrekulli e natyrës, Tropoja ofron atraksione të reja për turizmin malor.

Në njësinë administrative Margegaj të bashkisë Tropojë u promovua “Festa e Bjeshkës” në “Trokuz” ku pati lojëra popullore, këngë e valle të trevës.

“’Festa e Bjeshkëve’ që është kthyer në traditë këto katër vitet e fundit, falë dhe punës së bërë nga Bashkia dhe institucionet lokale atje, ka tërhequr vëmendjen e mjaft turistëve. Mbi 200 persona, pavarësisht se kushtet meteorologjike nuk ishin të përshtatshme rendën në ‘Festën e Bjeshkëve’”, – tha për Agjencinë Telegrafike Shqiptare, Granit Kurmekaj, N/Prefekt i Qarkut të Kukësit, pjesë e të cilit është bashkia e Tropojës.

“Ishte pjesëmarrje mjaft e kënaqshme, duke parë dhe kushtet atmosferike jo të mira. Pati lojëra popullore të zonës, veshjet tradicionale të zonës së Tropojës, konkurs bukurie, ku zgjodhëm zonjushën më të bukur. Pati opinione mjaft të mira nga pjesëmarrësit, veçanërisht ata me moshën të lartë, të ftuarit mbetën të kënaqur, si deputeti i zonës etj. Nga Kosova pati shumë të ftuar. Patëm vizitorë dhe nga Gjermania. Shkëmbyem mendime dhe ata treguan se ishin mjaft të mahnitur nga Bjeshkët e Tropojës. Ishin tejet të kënaqur me mikpritjen, me ushqimin, shërbimin në tërësi të ofruara nga bujtinat. Atyre i pëlqente mjaft fakti që shtëpia ishin ende me stil tradicional, që zonat kishte ruajtur çdo gjë si shumë vite me parë”, – rrëfeu Granit Kurmekaj.

“Në fund të festës u shtrua një drekë me gatime tradicionale të Tropojës. Festa u organizua nga bashkia e Tropojës. Ka katër vite që organizohet, qëllimi është që të promovojmë Bjeshkët e Tropojës dhe është festë njëditore dhe ka synim për t’u zgjatur në kohë. Është një festë kryesisht që kërkon të demonstrojë se Tropoja meriton të promovohet për bukuritë që ofron, si nga kulinaria, si nga natyra, si nga vlerat kulturore, si një destinacion i ri për turizmin malor në vendin tonë”, – tha N/Prefekti Kurmekaj. /atsh

Turistë gjermanë marrin pjesë në “Festën e Bjeshkëve” në Tropojë Read More »

Unë biri yt Kosovë, po të tradhtoj!

Nga Fahri Xharra

Unë biri yt, Kosovë, t’i njoh dëshirat e heshtura,
t’i njoh ëndrrat, erërat e fjetura me shekuj,
t’i njoh vuajtjet, gëzimet, vdekjet,
t’i njoh lindjet e bardha, caqet e tua të kallura;….

Jo, nuk t`i paskan ditur as dëshirat e heshtura, as ëndrrat e fjetura me shekuj sepse… “Arrestimi i tre të dyshuarve për terrorizëm në rrethin e Kaçanikut, ka rikthyer në mediat botërore lajmet e këqija që vijnë nga Kosova dhe për shqiptarët e Kosovës në këtë fillim të verës dhe në valën e vapës tropikale të ndeshjeve të Kampionatit Botëror të Futbollit në Brazil.

Rrjeti televiziv amerikan ABC citonte agjencinë amerikane të lajmeve Associated Press nga burime të policisë së Kosovës dhe thoshte se tre të ndaluarit shqiptarë etnik dyshohen për rekrutim dhe formim të një grupi terrorist. Sipas lajmit, gjatë bastisjes tek ata ishin gjetur uniforma ushtarake dhe materiale propagandistike ndërsa dyshoheshin për komplot për të kryer sulme sipas frymëzimeve nga mësimet radikale islamike.

Lidhjet e të dyshuarve, që citojnë burime kosovare të zbulimit, çonin tek radikalët në Siri, ku të paktën njëri prej tyre thuhet se kishte luftuar përkrah kryengritësve sunitë atje”.

Unë biri yt, Kosovë,
t’i njoh vuajtjet, gëzimet, vdekjet,
’i njoh lindjet e bardha, caqet e tua të kallura;
ta di gjakun që të vlon në gji,…
Unë ta mohova Idriz Seferin, unë ta mohova Grykën e Kaçanikut, unë të mohova të tërën. Mendoja që ta di gjakun që të vlon në gji; por jo më duket që ishte një gurrë uji.

….“Operacioni i policisë së Kosovës kundër tre të dyshuarve ishte koduar me emrin “Hit”, ndërsa duke cituar burime të medias në Kosovë, theksonte se të dyshuarit ishin pjesë e një grupi prej 150 shqiptarësh nga Kosova të luftës civile siriane kundër forcave të presidentit Bashar al-Assad.” Mos bre!

Unë biri yt, Kosovë,
ta di gjakun që të vlon në gji,
dallgën kur të rrahë netëve të pagjumta,
e të shpërthejë do si vullkan, …
Dhe ai vullkan ishim ne, disa të birtë të shekullit të ri që … “Duke dhënë një pasqyrë kulturore të Kosovës, ABC thoshte më tej se më shumë se 90 për qind e popullsisë etnike shqiptare janë të përkatësisë myslimane që praktikojnë një Islam të moderuar dhe kanë lidhje të forta politike e kulturore me botën perëndimore”.

Unë biri yt , Kosovë
më mirë se kushdo tjetër të njoh, Kosovë,

Unë, biri yt…. …Por jo, paskemi qenë gabim sepse…. “ata qe kanë vendosur te bëhen vegël qorre ne sherbim te terrorizmit, ja kanë falur shpirtin dhe kombin djallit! Gjersa te arrijnë ne theqafje, ketyre trushpërlarve nuk ka kush i kthen ne rrugë te mbarë! Te kujdesemi për rininë që ende ka mundësi te mos u lehet ne duar kriminelëve terroristë, pavarësisht cilit religjion i takojnë! Mbi te gjitha eshte kombi shqiptar”.

“Kam thënë, dhe prapë them, se e di mirë se çfarë kërkonte Serbia,por nuk e kam ditur se pas asaj që pësuam nga serbët,do të vendosim vet për fatin tonë,natyrisht jo kështu me terrorizëm të disa shqiptarëve, në Amerikë,në Frankfurt të Gjermanisë,në Irak,Siri,dhe tash,terroristët kapën edhe në Kosovë, duke u përgatitur për akte terroriste brenda saj,apo edhe gjetke,pikërisht ashtu si i marrin direktivat nga kolegët e tyre pjesëmarrës në luftimet në Siri – (D.M)”.

Unë biri yt, Kosovë, nuk e kam ditur që…. “Familja e kamikazit kosovar, Blerim Heta, i cili javës që shkoi vrau në një sulm vetëvrasës në Bagdad mbi 50 persona, thotë se atë e mashtruan. Ata thonë se atij ia shpëlanë trurin me ligjërata. Blerimi, konfirmojnë ata, ishte dëgjues i rregullt i ligjëratave të Shefqet Krasniqit, por edhe i ligjëratave të Bekir Halimit e Omer Bajramit nga Maqedonia”.

“Më 24 mars,2014 familja Heta nga Varoshi i Ferizajt mori një telefonatë nga djali i tyre, Blerim Heta, për të cilin e dinin se po mësonte për fe në Siri. “Nesër do të takohem me All-llahun”, ishte lajmi që ai ua kumtoi atyre.Të nesërmen, më 25 mars, kosovari Blerim Heta kreu një sulm vetëvrasës në Bagdad të Irakut, ku la mbi 50 të vrarë.

Forumet e xhihadit në internet e shpallën menjëherë shehid (dëshmor).Familja e Blerim Hetës thonë se djalin e humbën për asgjë”.
Dëgjon zanin q’i thotë feja. Plagos qiellën, e shpon tokën,
i shkyn horizontet e bardhë, zhvesh natyrën, ia heq kotllën.
Kult’ i tij kult i zhveshun! Nuk ia bren ma trutë enigmie varros, mbi varr ia vë një shej përbuzje o nderimi…
“Merret vesh se të arrestuarit në operacionin e sotëm policor kundër terrorizmit janë Ë. Berisha, Sadat Topojani e Jetmir Kyçyku. Berisha e Kyçyku janë nga Kaçaniku dhe i takojnë organizatës joqeveritare të paregjistruar në shtet- “Rinia Islame-Kaçanik”, derisa Sedat Topojani është ish-xhihadist i krahut të Shtetit Islam të Irakut dhe Shamit (ISIS) nga Hani i Elezit. Gazetat patën raportuar kohë më parë për xhihadistët shqiptarë nga Kaçaniku dhe për strukturën e OJQ-së “Rinia Islame-Kaçanik”. Mos bre! Unë jam biri yt, Kosovë!

Mbi kështjellat mijvjeçare qëndrojnë sorrat e smueme,
krahët i kanë varë pa shpresë simbojt e shpresave të humbune
me klithma të dëshprueme bajnë fjalë mbi jetë të pëmdueme,
kur kështjellat mijvjeçare si xhixha shkëlqejshin të lumtuna. ….“Ngjarja e 2 marsit (2011) në Frankfurt, ku 21-vjeçari nga Kosova qëlloi për vdekje ushtarë amerikanë, dëshmoi se as një shoqëri s’është imune nga ndikimet e dyshuara islamistë radikale.

Lind pyetja si mund të parandalohen raste të tilla? Arid Uka veproi në mënyrë individuale dhe sipas hetimeve të deritanishme urrejtjen ndaj amerikanëve ai e mori në internet brenda një kohe shumë të shkurtër. Ai nuk ishte i riu i parë mysliman i radikalizuar, por ishte i pari, që realizoi atentatin terrorist në territorin gjerman.

Dhe ajo, çka i shokoi shqiptarët, ishte jo vetëm fakti që ai ishte shqiptar, por edhe që urrejtja e tij ishte drejtuar ndaj amerikanëve. “Ky konstelacion është befasues”, thotë Konrad Clewing, ballkanolog nga Instituti i Evropës Juglindore në Regensburg. Por ai thekson se fakti që atentatori ishte rritur në Gjermani dëshmon se kjo ngjarje është në radhë të parë një shenjë alarmuese për Gjermaninë, se sa për Kosovën, apo shoqërinë shqiptare në përgjithësi”.
Unë biri yt, Kosovë, t’i njoh dëshirat e heshtura,
t’i njoh ëndrrat, erërat e fjetura me shekuj,
t’i njoh vuajtjet, gëzimet, vdekjet,
t’i njoh lindjet e bardha, caqet e tua të kallura;… “Por opinioni kombëtar shqiptar është shumë i ndjeshëm, kur bëhet fjala për ndikimin e fesë islame dhe parapëlqen heshtjen, konstaton Robert Pichler. “Feja, e sidomos ajo islame, është një nga temat më të tabuizuara tek elitat shqiptare”, thotë studiuesi austriak.

Sipas tij kjo ka të bëjë me doktrinën kombëtare të trashëguar nga koha e rilindjes. Për Pichlerin “Feja e shqiptarit është shqiptaria” është një nga mitet më të mëdha të shqiptarëve. “Problemi është se sa e hap këtë temë tek elitat shqiptare, menjëherë ato mundohen ta banalizojnë”, thotë ai.

Të rinj në udhëkryq. Robert Pichler është marrë dhjetë vjet me radhë me ndikimin e fesë tek shqiptarët, sidomos ata të Maqedonisë. Docenti i Universitetit të Gracit është duke punuar aktualisht në një libër, që trajton pikërisht problemet e përkufizimit të identitetit të rinjve shqiptarë, që jetojnë në Austri.

Shkëlqen shejtnia mbi zhguna dhe ndër mjekra të të të pa feve
O, sa engjuj të bukur përpara derës së ferrit!… “Çuditeshim, madje reagonim ashpër, kur serbet shqiptarët /NEVE/ i/na quanin irredentistë, separatistë dhe terroristë. Thoshin, pra serbët, para se të bëhej luftë dhe Kosova të shpallte pavarësinë, se Kosova paraqet rrezik për paqen dhe sigurinë në Ballkan.

Kjo që disa vite po ndodh me Kosovën,nën ndikimin e papenguar të shteteve islamike, është një pasqyrë, vërtet trishtuese, por njëkohësisht edhe shpirtkënaqje për serbët, të cilët edhe ata, në forma, me gjithfarë mjetesh dhe financa të mëdha, kanë stimuluar dhe nxitur interesimin dhe shtuar ndikim më të madh të islamit tek shqiptarët,me qëllim,që sa më parë të shkaktohet një destabilizim,jo vetëm në Kosovë,por edhe vende të tjera kudo ku jetojnë shqiptarët.

Po shihet se uji “terrorist” po shkon në mullirin e Serbisë, dhe keqësimi i situatës në Kosovë, sidomos,asaj i shkon për shtat,dhe ëndërrohet se është një shans për rikthim të saj në Kosovë (Dedë Mirdita).
Unë biri ty Kosovë nuk e kam ditur që “Çdo vit duhet të dërgohen fëmijët tanë në shkollat në Turqi. Por, nuk mund të marrim mbështetje nga buxheti i shtetit. Prandaj është e barrë e rëndë ti edukojmë fëmijët tanë. Në këtë aspekt ndihma e Turqisë është shumë e rëndësishme”,( tha Tërnava ).

Pse oj Kosovë! E di ti Kosovë që në vitet 1998-1999 bota vajtonte per ty? E di ti Kosovë që na ka humbur krenaria ? E di ti Kosovë që për pak para po të shesin? E di ti Kosovë?… …I di ti, te gjitha por nuk flet, sepse ta kanë shterrur zërin!

Fahri Xharra (2014) 14.10.17
Gjakovë

Unë biri yt Kosovë, po të tradhtoj! Read More »

‘Ata s’do luteshin kurrë për ne’, Bes Kallaku jep mesazhin e fortë për të gjithë

Zjarri që shkrumboi një zonë të të rë në Greqinë fqinjë ka lënë shumë viktima.

Numërohen deri më tani 79 viktima, 189 të lënduar dhe persona të zhdukur.

Kjo tragjerdi që preku Athinën ka prekur të gjithë. Rrjetet sociale të shqiptarëve u pushtuan na mesazhe sensibilizimi dhe force.

Por në mesin e tyre kishte dhe persona të bindur se nëse diçka e tillë do ndodhte në vendin tonë asnjë grek nuk do të lutej për ne. Nga ana tjetër aktori Bes Kallaku ka një mesazh të fortë për të gjithë ata që mendojnë kështu.

Krah postimit të tij në Instagram kanë vërshuar komentet.

“Nuk besoj që ata do ishin lutur për ne, 1000% ta garantoj. Gjithsesi më vjen keq për ta.”

Komentit të fansit Besi i është përgjigjur me një mesazh sensibilizues për të gjithë:

“Po pse ne nuk duhet të tregojmë se kush jemi, ka të mirë ndër të këqinj, e ka të këqinj ndër të mirë.”- ka shkruar Besi.

‘Ata s’do luteshin kurrë për ne’, Bes Kallaku jep mesazhin e fortë për të gjithë Read More »

Ministrat parelinj e qeflinj, pastrueset e shtëpisë i duan mbi 40 vjeç, sekretaret deri… 25 vjeç, ja 2 njoftimet

Në 95% të institucioneve, sekretaret përzgjidhen nga shefat, me “Vetting seksual”
Në kryeministri, kuvend, parlament, nëpër ministri, drejtori qendrore e rajonale, inspektoriate, bashki, qarqe, prefektura, arsim, shëndetësi, gjykata, reparte ushtarake, në OSHEE, KESH, OST, Ujësjellësa e kudo në zyrat e shtetit, je i detyruar të trokasësh në një derë, me mbishkrimin: “Sekretari i… kryeministrit, ministrit, drejtorit, kryetarit”.

Mbrapa këtyre dyerve ka vetëm sekretare… femra të moshës 22-27 vjeç, të cilat sillen sikur janë ato kryeministri, ministri, deputeti, drejtori, kryetari i bashkisë, drejtori policisë dhe prefekti, duke u sjell me tangërllëk e përdredhje b…sh, duke folur me poza, menefregizëm, ironi e përbuzje.

Këto sekretare nuk punësohen me “konkurse meritokracie” e të hapura, siç thuhet nga qeveria, por përzgjidhen me “Vetting seksual” nga vetë shefat e zyrave të shtetit, për cilësitë si “top-modele” dhe këtë po e argumentojë me 2 “Njoftime punësimi”, të bëra nga i njëjti drejtues shtetëror (ministër), për sekretare zyre dhe për punonjëse shtëpie:

NJOFTIMI PARË: – “Kërkojmë sekretare drejtori në institucion shtetëror…., të jetë deri në moshën 25 vjeç, me paraqitje të mirë fizike dhe e bindur në zbatimin e detyrës! Të mos ketë angazhime familjare dhe kufizime kohore për kryerjen detyrës, për shërbime pune brenda dhe jashtë Tiranës e Shqipërisë.

Telefoni fix: 04 2233………., Telefoni celular: 0684020.…. NJOFTIMI I DYTË: – “Kërkoj të punësoj një punonjëse shtëpie, për shërbime pastrimi me kohë të shkëputur, paradite: Ora 9.00-14.00, ndërsa mbasdite 17.00-20.00. Të interesuarat, të jenë në moshën 40-45 vjeç, pagesa është shumë e mirë.

Telefoni fix 04 2233………. , Telefoni celular: 0684020.…. (Provoni të konkuroni për punë sekretare shefash, ose përgjegjëse, drejtore e nëpunëse në institucionet e shtetit dhe do të bindeni)./Pamfleti

Ministrat parelinj e qeflinj, pastrueset e shtëpisë i duan mbi 40 vjeç, sekretaret deri… 25 vjeç, ja 2 njoftimet Read More »

Sekuestrimi i pasurisë së Adriatik Llallës, paralajmëron Gjermania: Do të ketë arrestime në nivele të larta, sytë te kumbarët e ish-Kryeprokurorit

Sekuestrimi i pasurive të Adriatik Llallës ka filluar të përhapë panik në Tiranë. Vendimi i Prokurorisë dhe i Gjykatës së Krimeve të Rënda është cilësuar nga gjermanët si një mesazh i qartë për politikanët e korruptuar në vendin tonë. Rrjeti “Deutsche Welle” i ka kushtuar një vëmendje të veçantë rastit të Llallës, pasi ka bërë një shkrim mjaft të fortë mbi situatën e korrupsionit në Shqipëri. Media gjermane shprehet qartë se po jepen sinjale për arrestime në nivele shumë të larta.
“Ish-Prokurori i Përgjithshëm Adriatik Llalla, nuk i është nënshtruar vetingut të prokurorëve. Para se të fillonte veting-u ai deklaroi largimin vullnetar nga sistemi i drejtësisë. Por kjo nuk e pengoi drejtësinë që të mos e hetojë atë. Sekuestrimi i pasurive të patundshme është një sinjal pozitiv që lufta kundër korrupsionit do të përfshijë edhe të ashtuquajturit “të paprekshëm” apo “peshq të mëdhenj”.
Është paradoks sesi për 5 vjet kreu i akuzës që duhet të drejtonte luftën kundër korrupsionit po hetohet ne bazë faktesh për korrupsion, pastrim parash dhe ka të sekuestruar pasuritë e tij të paluajtshme”, thuhet në artikull. Më tej bëhet e qartë se pas Llallës duhet të vijë radha e politikanëve. “Deutsche Welle” shkruan se në Shqipëri ka çdo ditë akuza për korrupsion, por ato bëhen sipas politikës së ditës dhe asnjëherë nuk ka pasur hetime e prova konkrete.

“Hetimi i tij i paanshëm dhe profesionist është një gur prove për reformën në drejtësi. Llalla do të gjykohet nga gjyqtarë që kanë kaluar në sitën e vetingut. Nëse rasti i tij do të ndiqet edhe nga ish-pushtetarë apo pushtetarë aktualë për të cilët hidhen dhe priten akuza për korrupsion të pavërtetuara, që ndizen dhe fiken sipas politikës së ditës, atëherë Shqipëria do të ketë argumente se Shqipëria po arrin rezultate domethënëse në luftën kundër korrupsionit”, thuhet më tej.
Kumbarët e Llallës
Gjermanët janë autorët e reformës në drejtësi dhe qëndrimet e “Deutsche Welle” deri diku reflektojnë qëndrimin e qeverisë gjermane. Përmes misionit Euralius gjermanët hartuan ligjet, ofruan ekspertizë dhe tani presin frytet e reformës në drejtësi. Por paralajmërimi i djeshëm se hetimet ndaj Llallës janë sinjal për politikën, tregon se ka pushtetarë që mund të shkojnë para drejtësisë. Por kohët e fundit janë dhënë sinjale se më të prekurit nga rënia e ish-kryeprokurorit janë kumbarët e tij.
Llalla ka pasur lidhje shumë të forta politike me njerëz të pushtetshëm dhe u ka shërbyer atyre duke mbyllur dosje hetimore e duke goditur politikanë të caktuar. Pra sinjalet janë se nëse Llalla shkon drejt rënies, ai mund të marrë me vete dhe njerëz të tjerë. “Deutsche Welle” e ka thënë qartë, se tani do ketë arrestime politikanësh dhe të gjithë i kanë sytë te kumbarët e ish-kryeprokurori, të cilin e kanë dërguar jashtë vendit për ta mbajtur sa më larg për çdo situatë të papritur.
Llalla shërbeu për 5 vite si kryeprokuror dhe nuk hetoi asnjë zyrtarë të lartë. Edhe Spiro Ksera që u dënua, ishte KLSH që e zbuloi. Në zyrën e tij ka pasur dosje për ish-ministra e ministra dhe të gjithë sot e bëjnë gjumin e qetë. Ish-kryeprokurori me shërbimet që ka kryer, duket se ka në dorë ata që fshihen pas tij dhe “kumbarët” kanë filluar që të shqetësohen./pamfleti

Sekuestrimi i pasurisë së Adriatik Llallës, paralajmëron Gjermania: Do të ketë arrestime në nivele të larta, sytë te kumbarët e ish-Kryeprokurorit Read More »

Vlorë / Policia i kthen fëmijën e humbur familjes

Patrulla e plazhit në bashkëpunim me forcat Shqiponja, në zonën e plazhit të vjetër kanë bërë të mundur gjetjen e një fëmije 4 vjeçar, i cili kishte humbur pranë kësaj zone.

Punonjësit e Policisë ua dorëzuan fëmijën familjarëve shëndoshë e mirë.

Policia në shërbim të komunitetit, për çdo problem telefononi 112, sigurojmë reagim të menjëhershëm.

DVPV

 

Vlorë / Policia i kthen fëmijën e humbur familjes Read More »

Familja Vlora dhe rëndësia e saj në historinë e Shqipërisë dhe veçanërisht të Labërisë dhe të Vlorës

AMILJA VLORA është nga ato të rrallat fare, do të thoshte Prof.Dr.Isuf Luzaj; edhe unë jam i predispozuar të mbështetem në fjalën e Professorit, i cili i ka njohur plotësishtë shumicën e Familjeve të Mëdha Shqiptare…

Eqerem bej Vlora, e ka quajtur Ismail Qemalin“yll i fisit të Vlorajve”. Familja Vlora, me origjinë nga Kanina e Vlorës, për shekuj me radhë, ka luajtur një rol të rëndësishëm në historinë e Shqipërisë dhe veçanërisht të Labërisë dhe të Vlorës. Kjo familje ka mbajtur ofiqin më të lartë të Sanxhakbeut të Vlorës, mëkëmbësit të Sulltanit, për afro 350 vjet, që nga viti 1481 deri në vitin 1828, jo vetëm “de jure”, por edhe “de facto”.

Edhe pas vitit 1828, kjo familje vazhdoi të ushtrojë ndikim të madh në historinë e Shqipërisë, veçanërisht në krahinën e Labërisë. Më 28 nëntor 1912, është po kjo familje që i dha historisë Ismail Qemal Vlorën, Atin e Kombit tonë, njeriun që krijoi Shtetin e Pavarur Shqiptar, pas 500 vjet robërie. Si themelues i kësaj familje, njihet Sinan Pashë Vlora, (1455 – 1505).Më 1481, ai ishte admiral i Madh dhe Kapedan i deteve, ish-Vezir i Madh i Perandorisë Osmane.

Sipas Ismail Qemalit “Familja jonë, falë prejardhjes së lashtë dhe karakterit të veçantë gjeografik të vendit ku kishte influencë e pushtet, ka ushtruar në të gjitha kohërat një ndikim shumë të madh në punët dhe fatin e Shqipërisë. Për mëse katër shekuj familja jonë ka gëzuar respekt të lartë nga Perandoria Osmane, ndonëse herë pas here edhe ka vuajtur së tepërmi nga mbrapshtitë, tirania dhe tekat e sundimtarëve absolut osmanë”.

Rrallë ndodh në histori që kur shkruhet për ndonjë figurë historike të përmendet pak ose aspak familja e tij. Përkundrazi, historianët «gërmojnë» edhe në skutat më të thella për të hedhur dritë mbi paraardhësit dhe pasardhësit e një figure historike. Me Ismail Qemalin historiografia jonë veproi ndryshe.

BREZAT E FUNDIT TË FAMILJES VLORA MUSTAFA PASHË VLORA (1824-1885), vali i Bullgarisë Veriore dhe i Kretës. Një figurë e shquar e familjes Vlora, gjyshi Eqerem bej Vlorës, një nga eksponentët kryesorë të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, anëtar i Komitetit të Fshehtë të Janinës dhe i Komitetit Qendror për Mbrojtjen e të Drejtave të Kombësisë Shqiptare, i njohur me emrin “Komiteti i Stambolli”. Ka qenë po ashtu anëtar i delegacionit që do të paraqiste dhe mbronte përpara Portës së Lartë rezolutën e nënshkruar nga Kuvendi i Dibrës, 1 nëntor 1878, e cila përmbante po ato kërkesa që shtroheshin në programin e Komitetit të Stambollit.

Mustafa Pashë Vlora ka vepruar për Lidhjen e Prizrenit edhe si kryetar i degës saj në Vlorë. Pas shtypjes se Lidhjes u arrestua dhe u internua ne Çarmakala, ku u mbajt në një kështjellë për tre vjet i mbyllur. Mustafa Pashë Vlora pati tre djem: Ferit Pashë Vlora ( 1852 – 1914), vali i famshëm i Konjës. Ministër i brendshëm i Perandorisë Osmane. Nga viti 1903 deri 1908, ish kryeministër pranë Sulltan Abdyl Hamitit, 16 vjet anëtar i Zyrës Diktimit. Më 23 korrik 1908 u pushua nga posti i kryeministrit, po Sulltani e mbrojti duke e emëruar kryetar të Senatit.

Ferit Pashë Vlora pati dy djem: – Nuredin bej Vlorën ish Kryetar i Bashkisë Vlorë, edhe – Riaz bej Vlorën. Vlorajt, pa përjashtim mbajtën një qëndrim të prerë kundër regjimit totalitar. Përveç burgjeve që ata provuan, siç tregojmë më poshtë, midis Vlorajve kemi edhe një martir, dhe ky është Riaz bej Vlora, i cili vdiq nga torturat, gjatë hetuesisë, në gusht të vitit 1948.

Pra familja Vlora, megjithëse zë një vend shumë të rëndësishëm për prezencën e saj në historinë e Shqipërisë, për shekuj me radhë në shërbim të interesave të atdheut, ajo u persekutua egërsisht prej regjimit komunist. Neshet Pashë Vlora, ishte kryembikqyrës i pasurive të kurorës dhe në Stamboll ishte këshilltar shtetëror. Kryesonte pleqësitë e fshatrave të Mesaplikut për mosmarrëveshjet e ndryshme që kishin. Në vitin 1930, ai rindërtoi një xhami në lagjen Muradie të Vlorës, që është edhe sot, atje varrosi gruan dhe djalin e tij të vetëm Servetin që vdiq në moshën 19 vjeçare dhe në fund u varros edhe vetë në këtë xhami. Nesheti ishte martuar me Zehranë, motrën e Esat pashë Toptanit. Motrën tjetër të Esatit e kishte marrë për grua Syrja bej Vlora vëllai i Neshtetit, pra dy vëllezërit kishin marrë për gra dy motra.

Syrja bej Vlora (1860 – 1940), drejtor i doganave osmane, deputet i parlamentit turk, pas vitit 1908, ambasador i Shqipërisë në Vjenë në vitin 1914.Bashkëshortja e tij ishte motra e Esat Pashë Toptanit, me të cilin nuk pati asnjëherë marrëdhënie normale. Eqeremi thotë për të atin: “Ishte një gjeni i vërtetë në fushën ekonomike dhe administrimit të pronave të familjes”.

Syrjaji pati dy djem dhe tre vajza: — Eqerem bej Vlora (1885 – 1964). Me vendim të qeverisë shqiptare më 31 mars 2014, eshtrat e Eqerem bej Vlorës u sollën nga Vjena në Shqipëri dhe sipas amanetit të tij u varrosën në Kaninë. Pati reagime në shtyp duke thënë se nuk mund të rehabilitohen kolaboracionistët. — Safa bej Vlora (1900 – ? ) — Vajzat: Nexhati, Fezileti dhe Suadi. Kjo e fundit ishte martuar me gjeneralin turk Fuad Suad pashën. ISMAIL BEJ VLORA Ismail bej Vlora, Është gjyshi i Ismail Qemalit. Ai pati tre djem: Mahmut bej Vlora, babai i Ismail Qemalit, Selim Pashë Vlorën dhe Beqir bej Vlorën.

Familja Vlora dhe rëndësia e saj në historinë e Shqipërisë dhe veçanërisht të Labërisë dhe të Vlorës Read More »