Aurora

Përfitimet psikologjike prej të mësuarit të një gjuhe të dytë

Mësimi i shumë gjuhëvë, përveç se pasuron njohuritë e njeriut, është është edhe mundësi praktikë për komunikimin e tij jashtë vendit ku jeton, ndërkohë që njohja e së paku një gjuhe të huaj, është bërë gati një domosdoshmëri.

Këto përfitime kalojnë përtej zotësisë për të porositur një kafe në bar apo të pyeturit se ku ndodhet stacioni i trenit.

10 avantazhet psikologjike të njohjes së një gjuhe të dytë:

Fuqizon rritjen cerebrale– Gjatë të mësuarit të gjuhëve, qendrat e gjuhës në tru zhvillohen. Sa më shumë të mësojmë një gjuhë të re, aq më shumë këto zona vitale të trurit zhvillohen.

Vonon shpërthimin e Demencës – Bilinguizmi vonon sëmundjen e Alzheimer në 5 vjet më vonë në personat që kanë një predispozitë. Është e çuditshme, por studimet gjithmonë e më shumë insistojnë në këto rezultate. Ajo që është dhe më surprizuese është fakti se një gjuhë e dytë rezulton të ketë një efekt më të fuqishëm se çfarëdolloj mjekimi.

Bën që tingujt t’i perceptojmë më lehtë– të mësuarit e një gjuhe rrit shumë aftësinë e të dëgjuarit, ndërkohë që trurit i duhet të punojë më shumë për të dalluar tinguj të ndryshëm që vijnë nga gjuhë të ndryshme.

Të bën më të ndjeshëm ndaj gjuhëve të ndryshme –Fëmijët që rriten në familje bilinguale mund të dallojnë ndryshimin mes gjuhëve që nuk i kanë dëgjuar kurrë më parë.

Fuqizon kujtesën– Fëmijët e rritur në një ambient bilingual kanë një memorie shumë më të zhvilluar në krahasim më ata që dëgjojnë vetëm një gjuhë. Kjo do të thotë që të mësuarit sa më herët të një gjuhe të dytë, rrit aftësitë në përllogaritjet mendore, në të lexuar dhe aftësi të tjera në jetë.

Përmirëson aftësinë e multi-tasking (kryerjen e disa detyrave në të njëjtën kohë). Personat bilingual mund të kalojnë nga një detyrë në tjetrën me më shumë shpejtësi. Ata tregojnë një fleksibilitet më të rritur konjiktiv dhe adaptohen shumë më lehtë me rrethanat e papritura.

Fuqizon aftësitë e vëmendjes– Personat bilingualë kanë një kontroll më të mirë të vëmendjes dhe kapacitet për të limituar shpërqendrimin.

Dyfishon aktivitetin cerebral– Subjektet bilingual mund të përfitojnë një rritje të funksioneve konjitivë (si aftësi të mira të vëmendjes dhe multi –tasking); duke qenë se duhet të aktivizojnë më shumë se një gjuhë në të njëjtën kohë, duhet të monitorojnë vazhdimisht se çfarë termash dhe fjalësh duhet të përdorin. Ky kalim i vazhdueshëm nga një gjuhë në tjetrën sjell avantazh për mendjen.

Jep një vizion të ri mbi botën– Të mësosh një gjuhë të re mund të ndryshojë tërësisht kuptimin mbi botën. Të mësuarit e japonishtes psh, gjuhë në të cilën ka terma të ndryshëm për ngjyrën blu të errët dhe blu të lehtë, bën të mundur që truri ta perceptojë ngjyrën në mënyra të ndryshme.

Përmirëson gjuhën amtare. Që nga moment kur mësimi i një gjuhe të dytë rrit përqendrimin mbi rregullat abstrakte dhe strukturën e gjuhës edhe gjuha mëmë arrin të ketë përfitime. Në këtë pikë ashtu si thotë dhe Geoffrey Willans: “Nuk mund të kuptohet një gjuhë tërësisht nëse nuk njohim të paktën dy gjuhë të tjera”. /atsh

Përfitimet psikologjike prej të mësuarit të një gjuhe të dytë Read More »

Macron i jep Mimi Kodhelit titullin “Legjionare e Nderit Francez”

Ish-Ministrja e Mbrojtjes, njëherësh kryetarja e Komisionit të Jashtëm Parlamentar dhe kryetare e delegacionit të Shqipërisë në Asamblenë Parlamentare të NATO-s, Mimi Kodheli është nderuar nga presidenti francez Macron me titullin “Legjionare e Nderit Francez”.

Një titull i lartë që jepet nga presidenti francez për figura e shquara dhe kontribute të vyera për ecurinë e përbashkët të familjes europiane, me të cilin është nderuar Kodheli.

“Franca di se kë nderon ….! Me Legjionaren e Nderit Francez, kolegen tonë Mimi Kodheli! Nderi që Presidenti Francez i bëri Mimit na bën krenar edhe ne që e kemi kolege dhe shoqe shumë të mirë. Urime Mimit për titullin e merituar që mori sot!”, ka komentuar kreu i Komisionit Parlamentar të Ligjeve Ulsi Manja në rrjetin social.

Ndërkohë që kryetarja e komisionit parlamentar të Sigurisë Ermonela Felaj është shprehur se, “Kodheli është një kolege që na nderon të gjithëve me titullin e Legjionares së Nderit të akorduar nga Presidenti francez!”. /atsh

Macron i jep Mimi Kodhelit titullin “Legjionare e Nderit Francez” Read More »

“Unë jam si ti!”, instalacion kundër fenomenit të trafikimit të personave

Ministria e Punëve të Brendshme vijon fushatën e saj kundër trafikimit të qënieve njerëzore. Kështu në kuadër të Ditës Botërore të Trafikimit të Qënieve Njerëzore, 30-Korrikut, Ministria e Brendshme organzioi një aktivitet sensibilizues në Tiranë.

Zv.ministrja e Brendshme Rovena Voda ka përuruar një instalacion ndërgjegjësues në kuadër të luftës nga këtij fenomeni. Aktiviteti u zhvillua në Parkun “Rinia” në Tiranë në bashkëpunim me organizatën “Të ndryshëm & Të Barabartë”.

Instalacioni ndërgjegjësues “UNË JAM SI TI!” është realizuar nga një grup vajzash që i kanë mbijetuar trafikimit dhe është i vendosur në ambjentet e Parkut “Rinia”, ku do të qëndrojë deri ditën e premte për këdo që do ta vizitojë.

Një nismë e tillë nga viktima të trafikimit, realizohet për herë të parë në Shqipëri ndërsa grupi i vajzave që i kanë mbijetuar trafikimit kanë realizuar me shumë përkushtim dhe dashuri fushatën ndërgjegjësuese “UNE JAM SI TI! UNË JA DOLA MBANË! EDHE TI MUNDESH!”.

Ky inaugurim kulmon një sërë aktivitetesh që kanë marrë jetë nga kjo fushatë duke përcjellë shumë mesazhe shprese dhe vetëdijësimi. Zv.ministrja e Brendshme njëkohësisht edhe Koordinatorja Kombëtare për Luftën kundër trafikimit të Personave, Rovena Voda e ka përkrahur këtë fushatë që në fillimet e saj.
Aktivitetet ndërgjegjësuese do të vijojnë në qytete të tjera, ndërsa etapa më e afërt është Vlora. /atsh

“Unë jam si ti!”, instalacion kundër fenomenit të trafikimit të personave Read More »

Raporti i DASH, reagon Basha: Po plaçkitet ekonomia e vendit

“Ekonomia shqiptare po vdes përditë si pasojë e plaçkitjes dhe shkatërrimit nga Edi Rama dhe një grusht oligarkësh me të cilët ai ndan qindra miliona”, thotë Basha në një reagim ndaj raportit të fundit të Bankës Botërore. Sipas tij, “është e qartë se i vetmi qëllim dhe i vetmi motivim i Edi Ramës për pushtet është pasurimi përrallor. Prandaj e vetmja politikë ekonomike që Rama ka ndjekur këto pesë vjet ka qenë plaçkitja”.

Sipas kreut të opozitës, politika ekonomike e ndjekur nga qeveria në këto pesë vjet është vjedhja e taksave të qytetarëve duke ja u dhënë klientëve në koncesione dhe kontrata abuzive, vVjedhja e pasurive të vendit nga nafta dhe mineralet tek tokat në bregdet e deri tek tokat në mes të Tiranës; dhe grabitja e investitorëve të huaj për t’i përzënë apo mbajtur larg nga Shqipëria që të mos u bëjnë konkurencë oligarkëve.

Basha thotë se qeveria amerikane është institucioni më i fundit që po konfirmon politikën korruptive dhe kriminale të Edi Ramës.

“Raporti i fundit i Departamentit të Shtetit për klimën e biznesit në botë, thekson së Shqipëria nuk është vend i përshtatshëm për bizneset amerikane për shkak të korrupsionit, mungesës së shtetit ligjor, korrupsionit në PPP DHE prokurime publike dhe mumgesës së konkurrencës”, thotë Basha.

Sipas tij, raporti ka nota negative për çdo aspekt të klimës së biznesit dhe qeverisjes, por fakti më i rëndë që dëshmon nivelin kriminal të qeverisë Rama në ekonomi është pohimi se investitorëve të huaj bëhet shantazh të bashkëpunojnë me klientët e tij ose përndryshe nuk kanë shans të investojnë. “Duket se plaçkitja e Shqipërisë dhe shqiptarëve nuk i ka mjaftuar Edi Ramës, ndaj kërkon të grabisë edhe amerikanët, europianët dhe këdo që kërkon të bëjë biznes në Shqipëri”, thotë Basha.

“Kombinimi krim i fortë + ekonomi e dobët është minë me sahat për çdo shoqëri. Kjo minë duhet çaktivizuar sa më parë, ndryshe do të shkretojë gjithçka. Është koha që të gjithë të bashkohemi për të ndalur rënien e vendit në humnerë, duke ndalur Edi Ramën dhe çmontuar bandën e tij të oligarkëve dhe kriminelëve”, përfundon kreu i opozitës reagimin e tij. /atsh

Raporti i DASH, reagon Basha: Po plaçkitet ekonomia e vendit Read More »

Sezoni turistik, fushatë sensibilizuese në pikat e kalimit kufitar

Në vijim të fushatës, në kuadër të mbarëvajtjes së sezonit turistik 2018, në përputhje me prioritetet e Ministrisë së Brendshme, për t’u garantuar qytetarëve një shërbim policor në përputhje me standardet e kërkuara, specialistë të Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat (SHÇBA) kanë ndërmarrë një fushatë sensibilizuese në Pikat Kufitare.

Specialistët ishin pikën e kalimit kufitar në Muriqan për të folur me qytetarë e pushues dhe për t’i njohur me shërbimin, si dhe shpërndanë kartëvizita me numrin pa pagesë 0800 90 90 ku çdokush mund të denoncojë shkeljet e punonjësit të Policisë së Shtetit. /atsh

Sezoni turistik, fushatë sensibilizuese në pikat e kalimit kufitar Read More »

Bushati: Angazhimi i SHBA-së në Ballkan është jetik

Ministri i Jashtëm shqiptar Ditmir Bushati thotë se angazhimi i SHBA-ve në Ballkan është jetik për të siguruar që mos të ketë asnjë pengesë në përpjekjet e Greqisë dhe ish Republikës Jugosllave të Maqedonisë (FYROM) për të normalizuar marrëdhëniet mes tyre, të cilat në vijim do t’i hapin rrugën kësaj të fundit për t’iu bashkuar NATO-s.

“Tani që të dyja vendet [Greqia dhe Maqedonia] po bëjnë hapin e fundit [drejt normalizimit], vëmendja e Shteteve të Bashkuara në këtë çështje është tepër i rëndësishëm. Veçanërisht duke pasur parasysh faktin se ka edhe aktorë të tretë që nuk e mbështesin marrëveshjen e arritur midis Athinës dhe Shkupit,” tha Bushati në një intervistë me Zëvendëspresidentin Ekzekutiv të Këshillit Atlantik, Damon Wilson.

Më 12 qershor, kryeministri maqedonas Zoran Zaev dhe kryeministri grek Alexis Tsipras ranë dakord mbi një marrëveshje për t’i dhënë fund mosmarrëveshjes 27 vjeçare të emrit. Sipas marrëveshjes, Maqedonia do të quhet SevernaMakedonija (“Republika e Maqedonisë Veriore”). Maqedonia do të mbajë një referendum mbi marrëveshjen në vjeshtë. Marrëveshja hap rrugën që Maqedonia të bashkohet me Bashkimin Evropian (BE) dhe NATO-n. Më 11 korrik, Maqedonia u ftua t’i bashkohet NATO-s, në pritje të miratimit përfundimtar të marrëveshjes.
Marrëveshja ka krijuar tension midis Rusisë dhe Greqisë. Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov thuhet se anuloi një udhëtim në Athinë më herët në korrik, pasi Greqia dëboi dy diplomatë rusë për dyshimin se po përpiqej të rriste kundërshtimin për marrëveshjen për emrin.

Në Uashington, Bushati mori pjesë në Ministerialin e parë të Departamentit amerikan të Shtetit për “Lirinë Fetare”.

Vizita e tij vjen në një kohë të rëndësishme për Shqipërinë, pasi vendi duket se do të fillojë negociatat zyrtare me BE-në për anëtarësimin e mundshëm dhe synon të përmirësojë marrëdhëniet me fqinjët e saj në Ballkan.

Në intervistën e tij me Wilson, Bushati diskutoi për rrugëtimin e Shqipërisë për anëtarësimin në BE, gjendjen aktuale të marrëdhënieve me fqinjët dhe rolin që Shtetet e Bashkuara mund të luajnë në rajon në tërësi.

Më poshtë pjesë nga intervista:

Wilson: Ministri Bushati, ju jeni këtu në Uashington për të marrë pjesë në samitin e Departamentit amerikan të Shtetit për Lirinë Fetare. Na tregoni pak për mënyrën se si shkoi kjo dhe pse kjo është e rëndësishme për vendin tuaj.

Bushati: Ishte një rast i mirë për t’u takuar me kolegët dhe ndarë punën që po bëjnë vendet e ndryshme për të siguruar harmoninë fetare, si dhe sfidat me të cilat po përballen vendet e ndryshme në lidhje me ekstremizmin, radikalizimin dhe fenomenet e tjera të dhunshme. Ky ishte ministriali i parë mekëtë temë, i cili mblodhi së bashku më shumë se tetëdhjetë vende. Kjo është një platformë e mirë.

Wilson: Ju përmendët sfidat e radikalizimit. Kjo ka qenë një shqetësim në të gjithë Evropën, posaçërisht për çështjen e luftëtarëve që lëvizin dhe kthehen nga lufta në Siri. Cila ka qenë përvoja e Shqipërisë?

Bushati: Në Shqipëri, kemi qenë shumë të fokusuar tek arsimi. Ne kemi parë në të kaluarën se sidomos në zonat rurale, gjithmonë ka terren pjellor që forcat ekstremiste të zënë vend. Ne jemi një shoqëri me shumë bashkësi fetare, me pesë fe. Po punojmë shumë me agjencitë e OKB-së për të futur kurrikula mësimore të reja për fetë e ndryshme në sistemin tonë arsimor dhe po punojnë ngushtë me udhëheqësit fetarë dhe të komuniteteve. Së dyti, kjo është një pyetje që ka të bëjë me strukturën ligjore dhe institucionale. Ne kemi forcuar masat ligjore dhe institucionale në luftën kundër radikalizmit, veçanërisht për luftëtarët e mundshëm të huaj. Në dy apo tre vitet e fundit, Shqipëria nuk ka pasur asnjë problem me luftëtarët që shkojnë apo kthehen nga Siria. Nga ana tjetër, afërsia jonë në Ballkan me Mesdheun dhe Lindjen e Mesme gjithmonë do të paraqesë probleme. Por ne jemi një shoqëri me shumë bashkësi fetare, siç e përmenda. Dhe në këtë drejtim futja e kurrikulave mësimore të reja do të vazhdojë të ushqejë dialog konstruktiv ndër-fetar në shoqërinë tonë.

Wilson: Ju jeni një shoqëri me shumë bashkësi fetare por jeni gjithashtu një vend me shumicë myslimane. A po ndikon kjo në rrugën tuaj drejt Bashkimit Evropian?

Bushati: Ne jemi një shoqëri laike. Jemi evropiane, dhe në këtë drejtim ka një vendosmëri të fortë si në spektrin politik dhe atë shoqëror për t’u bashkuar me BE-në. Ky është objektivi i dytë më i lartë kombëtar pas bashkimit dhe mbështetjes së NATO-s. Procesi i reformave po shkon shumë mirë. Sigurisht, ka edhe disa stereotipe negative [në Evropë] që përpiqen të na lidhin me islamin por që janë të pabaza pasi mënyra se si zhvillohet jeta publike [në Shqipëri] është në një mënyrë evropiane.

Wilson: Mendoj se është e rëndësishme të shohim se Shqipëria është e mirëpritur në Evropë. Ju jeni evropian. Sigurisht që brenda BE-së ka pasur një debat në mënyra të ndryshme rrethçështjes së anëtarësimit të një vendi me shumicë myslimane, si për shembull Turqia. Por, deri më tani nuk ka qenë problem për Shqipërinë. Mendoj se shembulli që krijoni ju do të jetë i rëndësishëm.

Bushati: Kjo nuk duhet të jetë një sfidë për Shqipërinë, sepse përndryshe do të krijonte një precedent negativ, jo vetëm për zhvillimet në rajon por edhe për projektin evropian në tërësi. Tani ka më shumë myslimanë në Gjermani ose në Francë sesa në Shqipëri.

Wilson: Ju sapo keni mirëpritur Komisionerin për Zgjerim Johannes Hahn në Shqipëri më 17 korrik. Cilët mendoni se janë hapat e ardhshëm dhe piketat e mëdha në rrugën tuaj drejt BE-së?

Bushati: Procesi i shqyrtimit të paketës ligjore dhe institucionale është nisur zyrtarisht disa ditë më parë. Në shtator, ekspertët nga Komisioni Evropian dhe qeveria shqiptare do të ulen dhe do të arrijnë të kuptojnë më mirë mbi përparimin e Shqipërisë në përmbushjen e kapitujve përkatës të acquiscommunautaire [paketa e ligjeve të BE-së]. Në të njëjtën kohë,ky proces do të na japë mundësinë për të pasur një vlerësim të matur në lidhje me nivelin e përputhshmërisë së legjislacionit dhe institucioneve tona me ato të BE-së. Kjo është ajo që do të ndodhë në një nivel teknik. BE ka vendosur një afat kohor, në rastin e Shqipërisë dhe Maqedonisë, kështu që në qershorin e ardhshëm shpresojmë se do të fillojmë negociatat zyrtare të anëtarësimit. Ne besojmë se ky proces i shqyrtimit do të na ndihmojë. Së pari, do të kursejë kohë dhe së dyti do të na ndihmojë të jemi më të përgatitur për procesin e negociatave të anëtarësimit. Nuk ka asgjë që mund të negociojmë drejtpërsëdrejti me BE-në, është më shumë një proces përshtatshmërie. Ne do ta përdorim këtë periudhë kohore në një mënyrë shumë efikase, me ndihmën e Komisionit Evropian.

Wilson: Duket sikur ka shumë këmbëngulje në nxjerrjen e disa prej çështjeve të vështira që vendit tuaj i është dashur të ballafaqohet, të tilla si sundimi i ligjit dhe çështjet e drejtësisë. Si po ecën?

Bushati: Gjërat po përparojnë mirë, veçanërisht me procesin të ri të vlerësimit të gjyqësorit. Të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët [e Shqipërisë] në nivele të ndryshme po kalojnë nëpër një proces verifikimi. Ky proces i ri po vendos gjithashtu një shembull për vendet e tjera në rajon, veçanërisht pasi BE po fillon një procedim disiplinor kundër shteteve anëtare për shkeljet në sundimin e ligjit dhe të standardeve të të drejtave të njeriut. Po ashtu krijon një precedent për vendet që ashtu si ne janë në rrugën e anëtarësimit. Është një reformë e madhe dhe po shkakton një situatë të vështirë, sepse [largimi] i gjyqtarëve dhe prokurorëve që nuk kalojnë testin e verifikimit [është] duke krijuar një vakum në ato institucione. Në këtë drejtim, duhet të përqendrohemi në forcimin e burimeve njerëzore kur bëhet fjalë për nivelet më të larta të gjyqësorit dhe prokurorisë. Ne besojmë se këto reforma do të kenë një efekt domino edhe në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Wilson: Le të kthehemi në rajon. Evropa Juglindore ka shënuar përparim të konsiderueshëm, siç tregohet edhe nga anëtarësimi juaj në NATO dhe anëtarësimi i mundshëm në Bashkimin Evropian. Cilat janë sfidat e mbetura?

Bushati: Së pari, është e rëndësishme të sigurohet se ka angazhim të SHBA-ve në rajon. Shtetet e Bashkuara janë të rëndësishme për garantimin e sigurisë në Evropën Juglindore. Së dyti, është gjithashtu e rëndësishme të sigurohet një ndarje e punës midis Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian kur është fjala për transformimin e rajonit tonë.

Wilson: Pse angazhimi i qëndrueshëm amerikan është i rëndësishëm për rajonin?

Bushati: Është shumë i rëndësishëm për shkak të vendndodhjes gjeografike të Evropës Juglindore në mes të Lindjes së Mesme nga njëra anë dhe BE-së nga ana tjetër. Angazhimet e Shteteve të Bashkuara kanë rezultuar të suksesshme në rajonin tonë në ndalimin e gjakderdhjes dhe të luftës në Jugosllavi dhe për të përfunduar disa nga projektet më të rëndësishme për sigurinë e rajonit tonë, duke përfshirë zgjerimin e NATO-s me anëtarësimin e Kroacisë, Shqipërisë, Malit të Zi dhe me shpresë së shpejti edhe të Shkupit [kryeqyteti i ish Republikës Jugosllave të Maqedonisë]. Ai gjithashtu ka inkurajuar procesin e dialogut midis Serbisë dhe Kosovës. Ne e dimë shumë mirë se procesi Serbi – Kosovë po zhvillohet nga Bashkimi Evropian, por pa mbështetjen e Shteteve të Bashkuara rezultatet e pritura nuk mund të arrihen. Ne kemi parë se roli i Shteteve të Bashkuara, në rastin e Shkupit, ka qenë tradicionalisht shumë pozitiv. Tani që të dyja vendet [Greqia dhe Maqedonia] po bëjnë hapin e fundit [drejt normalizimit], përqendrimi i Shteteve të Bashkuara në këtë çështje është tepër i rëndësishëm. Veçanërisht duke pasur parasysh faktin se ka edhe aktorë të tretë që nuk e mbështesin marrëveshjen e arritur midis Athinës dhe Shkupit. Kemi parë disa zhvillime pozitive në rajon gjatë muajve të fundit. Si fillim me [Traktatin e Fqinjësisë së Mirë] midis Shkupit dhe Bullgarisë, marrëveshjen e emrit midis Athinës dhe Shkupit dhe më pas afrimi dhe hapat thelbësore që [Shqipëria] ndërmori së bashku me Athinën.

Wilson: Çfarë e motivuan këtë? Pse nevojitet të ketë një afrim?

Bushati: Nuk mendoj se ne e transformuam veten nga djaj në engjëj brenda natës. Por kjo është një përpjekje për anëtarësimin në Bashkimin Evropian, objektiv i cili po nxit këto zhvillime pozitive në rajon. Ne kemi nevojë për një BE të bashkuar në mbështetje të kombeve të Ballkanit dhe anëtarësimin e tyre në Bashkimin Evropian, gjë që fatkeqësisht nuk ka qenë gjithmonë kështu, si në rastin e Shqipërisë dhe Maqedonisë.

Wilson: A shihni ndonjë progres përpara duke mirëpritur Maqedoninë si anëtaren e tridhjetë të NATO-s?

Bushati: Ka disa pengesa politike që duhet të adresohen. E para është çështja e referendumit [mbi marrëveshjen e emrit të FYROM-it me Greqinë]. Ne shpresojmë që qytetarët [në FYROM] të votojnë në favor të procesit të paqes që sapo ka filluar, gjë që do të lejojë anëtarët e parlamentit të bëjnë rregullimet e nevojshme kushtetuese. Gjithashtu, Greqia duhet ta kalojë marrëveshjen në parlamentin e tyre. Ne shpresojmë që procesi i ratifikimit të përfundojë shpejt, sepse kjo mund të transformojë Ballkanin Perëndimor në një mënyrë pozitive. Duhet të fillojmë të transformojmë hapësirën e re të sigurisë në rajon në një hapësirë ​​zhvillimi. Kjo është arsyeja pse ne kemi gjithashtu nevojë për praninë e Bashkimit Evropian me më shumë projekte që nxisin ndërlidhjen brenda rajonit tonë, si dhe ndërlidhjen tonë me Bashkimin Evropian në tërësi. Nevojitet që të zbatojmë projekte të reja me rëndësi strategjike, si gazsjellësi Trans-Adriatik dhe gazsjellës të tjerë, për të cilat ne besojmë se kemi nevojë edhe për praninë amerikane. Pastaj ekzistojnë edhe dy pyetjet më të vështira në rajon, në lidhje me dialogun midis Serbisë dhe Kosovës dhe zgjedhjeve të ardhshme në Bosnje-Herzegovinë.

Wilson: Çfarë përparimi mund të bëhet midis Serbisë dhe Kosovës?

Bushati: Së pari, duhet të shohim disa rezultate politike nga procesi i paqes. Tani për tani, fokusi kryesor ka qenë në çështjet teknike në lidhje me lejet e drejtimit dhe lëvizjen e qytetarëve në zonat kufitare. Ka ardhur koha për Serbinë dhe Kosovën që të bëjnë lëshime më të dhimbshme dhe me shpresë të arrijnë një marrëveshje reciprokisht të dobishme, e cila gjithashtu mund të jetë ligjërisht e detyrueshme. Është shumë e qartë se për Serbinë nuk ka pranim në BE pa njohjen e Kosovës. Për Kosovën, nuk ka rrugë drejt BE-së apo NATO-s pa adresuar çështjet që kanë të bëjnë me Serbinë apo pakicën serbe në Kosovë.

Wilson: Cili ka qenë reagimi juaj ndaj mundësisë për shkëmbime territoriale midis dy njerëzve?

Bushati: Mendoj se kjo do të shkonte kundër frymës së të gjitha përpjekjeve të bëra në Ballkan gjatë tre dekadave të fundit. Do të shkonte kundër frymës së Aktit Final të Helsinkit dhe dokumenteve të tjera ndërkombëtare me vlerë ligjore. Duhet të jemi shumë të kujdesshëm që të mos hapim kutinë e Pandorës për raste të tjera në rajon. Shtetet e Bashkuara, BE dhe NATO kanë investuar shumë në promovimin e multietnicitetit të Ballkanit, për të siguruar që shoqëritë të mbeten të hapura. Unë e di shumë mirë se është një sfidë e vështirë për të ndërtuar shoqëri dhe institucione që i shërbejnë këtij qëllimi, por ne duhet të vazhdojmë në këtë rrugë.

Wilson: Ne shohim ato vështirësi që dalin në pah më qartë në Bosnje-Herzegovinë.

Bushati: Është e rëndësishme të shohim se si shkojnë votimet në zgjedhjet e përgjithshme të tetorit 2018 në Bosnje. Dhe sigurisht është gjithashtu e rëndësishme të sigurohet që perspektiva e anëtarësimit në NATO dhe BE për Bosnjën është e vërtetë. Ne themi se Marrëveshja e Dayton-it shpëtoi Bosnjën, por tani duket se nuk ofron një platformë të vërtetë për t’i lejuar Bosnjës të bëjë disa hapa të domosdoshëm për të arritur anëtarësimin në NATO dhe në Bashkimin Evropian.

Damon M. Wilson është Zëvendëspresidenti i Këshillit Atlantik.

http://www.atlanticcouncil.org/blogs/new-atlanticist/us-engagement-in-the-balkans-is-critical-says-albania-s-foreign-minister?utm_source=feedburner&utm_medium=feed&utm_campaign=Feed%3A+new-atlanticist-blog+%28New+Atlanticist%29/atsh

Bushati: Angazhimi i SHBA-së në Ballkan është jetik Read More »

Për pacientët që e kanë të pamundur lëvizjen, mjeku familjes u vjen në ndihmë në shtëpi

Për të gjithë ata pacientë që e kanë të pamundur lëvizjen e tyre për në spital, mjeku i familjes ose infermieri mund të japë shërbimin në shtëpitë e tyre.
Mjeku i familjes mbetet stacioni i parë jo vetëm për të shmangur radhët në spital por edhe për të marrë shërbimin në shtëpinë tuaj.

Lajmi për marrjen e shërbimit në shtëpi e ka bërë të ditur vetë ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu.

Për këtë, Manastirliu ka ndarë shembullin e infermiereve dhe mjekeve të familjes së qëndres nr. 3 në Tiranë. Sipas saj, ky lloj shërbimi duke iu ardhur në ndihmë pacientëve pranë banesave të tyre, është shembull i kujdesit shëndetësor në familje./atsh

 

Për pacientët që e kanë të pamundur lëvizjen, mjeku familjes u vjen në ndihmë në shtëpi Read More »

Homazhe në nderim të ish-ministrit, Luan Hajdaraga/Foto

Në nderim të figurës së ish-deputetit të Kuvendit të Shqipërisë, ish-ministrit të Mbrojtjes Luan Hajdaraga, i cili u nda nga jeta ditën e djeshme, pas një beteje të gjatë me sëmundjen, Kuvendi i Shqipërisë organizoi sot homazhe në sallën e seancave plenare, ku morën pjesë personalitete të njohura të politikës.

I pranishëm në ceremoninë e homazheve që u zhvillua në sallën e seancave plenare në Kuvendin e Shqipërisë ishte edhe Kryeministri Edi Rama, i cili ka takuar familjarët dhe u ka shprehur ngushëllimet, si dhe ka nderuar figurën e Hajdaragës.

Më herët edhe Presidenti lir Meta zhvilloi homazhe në sallën e seancave plenare të Kuvendit të Shqipërisë në nderim të jetës dhe veprës së ish-ministrit dhe ish-deputetit Luan Hajdaraga.

Presidenti Meta, pasi u përkul me respekt para trupit të pajetë të të ndjerit duke vendosur një kurorë me lule, i përcolli famijes Hajdaraga ngushëllimet më të ndjera e të sinqerta për këtë humbje të parakohshme të njeriut të tyre të dashur.

Në prani të mediave Presidenti i Republikës u shpreh për bashkëpunëtorin e tij të vjetër duke theksuar se, “Duket si një moment që nuk i takon botës reale për arsye sepse kujtimet me të janë kaq të shumta dhe kaq të jashtëzakonshme. Ai ishte kaq mendjehapur dhe po kështu me një sens të lartë humori saqë vërtet për mua do të mbetet gjithmonë i gjallë, i këndshëm dhe një njeri i përkushtuar për të përmbushur përgjegjësitë e tij dhe gjithmonë mjaft miqësor me të gjithë”.

Në ceremoni kanë marrë pjesë edhe ministra të kabinetit qeveritar si dhe deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, të cilët i shprehën ngushëllimet familjarëve të ish-ministrit të Mbrojtjes duke e cilësuar si një humbje të një eksponenti më të madh në Partinë Socialiste që në fillimet e saj.

Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka e pranishme në homazhet per ish – ministrin Luan Hajdaraga, u shpreh mjaft e hidhëruar për ndarjen nga jeta të tij.

“Nuk e mendoja kurrë që do e përcillnim kaq shpejt mikun dhe kolegun tonë. Hajdaraga kontribuoi dhe drejtoi me aftësi të rralla institucione të arsimit dhe të shkencës shqiptare. Hajdaraga drejtoi Ministrinë e Mbrojtjes në ato vite të vështira ku luhej fati i shqiptarëve, fati i Kosovës”, tha Xhaçka.

“Luan Hajdaraga është një rast i rrallë ku bashkohen në një të vetëm profesori, shkencëtari, politikani, legjislatori, dhe shtetari. Do ta kujtojmë si bashkëthemelues dhe nënkryetar i PS në kohët më të vështira”, theksoi ministrja Xhaçka.

Edhe Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi ka shprehur ngushëllime për ndarjen nga jeta të ish-deputetit duke u shprehur se “Hajdaraga nuk ndaloi kurrë së e motivuari, dhe pse rrugët në politikë u ndanë”.

“Nuk ka lamtumirë për ty miku im Luan! Një njeri dhe qytetar i mirë si ty mbetet gjithmonë në zemrat e të gjithë atyre që e njohën. Ne ishim miq dhe bashkëpunëtorë të mirë. Edhe pse rrugët tona politike u ndanë, ti asnjëherë nuk ndalove duke më motivuar.

Sa herë takoheshim i dëgjoja me ëndje këshillat e tua, mbrujtur në mirësi. Kurrë se kam kuptuar nga të buronte gjithë ajo mirësi, por sot që nuk je fizikisht pranë nesh e kam të qartë që është nga gjërat që do të na mungojë më shumë.

Nuk do të të harroj Luan Hajdaraga, edhe sepse duam apo s’duam ti ndikove në ndryshimin e Partisë Socialiste në atë kohë kur ajo kishte frikë të ndryshonte. Ti përkrahe të rinj e të reja në ato vite që sot kanë bërë emrin e tyre. I përkrahe duke iu treguar që të jesh vetvetja është më e suksesshme se të jesh servil.

Të duam LAKE e do na mungosh prof. Luan Hajdaraga”, shkruan Kryemadhi.

Si deputet në Kuvendin e Shqipërisë dhe si ministër i Mbrojtjes, Luan Hajdaraga njihet si një nga personalitetet, i cili dha një kontribut të paçmueshëm në Partinë Socialiste./atsh

Homazhe në nderim të ish-ministrit, Luan Hajdaraga/Foto Read More »