Aurora

100 arkeologë nxjerrin në dritë rrënjët e trashëgimisë tonë kulturore

Gërmimet arkeologjike që po kryehen në gjurmën e gazsjellësit TAP po nxjerrin në dritë rrënjët e trashëgimisë kulturore shqiptare rreth 6000 vjet para Krishtit.

Në sitin më të madh arkeologjik,, ku janë zbuluar vendbanime të periudhës prehistorike e deri në mesjetën e vonë, si dhe shumë objekte ,janë angazhuar 100 arkeologë.
Kryeministri Edi Rama në një postim në Facebook uron mirëmengjes me pamjet e gërmimeve arkeologjike që po kryhen në gjurmët e gazsjellësit TAP.

”Mirëmëngjes me këto pamje tejet të veçanta nga gërmimet arkeologjike që kryhen në gjurmët e gazsjellësit TAP, ku janë angazhuar 100 arkeologë që po nxjerrin në dritë rrënjët e trashëgimisë tonë kulturore rreth 6000 vjet para Krishtit,ju uroj një ditë të mbarë”, shkruan Rama.

Nga gërmimi arkeologjik i shpëtimit deri tani janë zbuluar rreth 600 varre, rreth  11 site arkeologjike, të cilët datojnë nga periudha Helenistike,  periudha prehistorike (bronzi i vonë),  e deri në periudhën Otomane.  Këto materiale janë në proces studimi.

Me shumë interes arkeologjik në këtë gërmim është zbulimi i një vendbanimi të periudhës neolitike.
Ndër rajonet ku janë zbuluar më tepër site arkeologjike janë Korça, Berati dhe Skrapari.

Përmes këtij projekti është krijuar mundësia të zbulohen site arkeologjike dhe vendbanime të rëndësishme për njohjen, hulumtimin dhe ekspozimin e trashëgimisë sonë arkeologjike.

Realizimi i gërmimeve arkeologjike, zbulimi i siteve të reja arkeologjike po mundësohet vetëm falë projektit TAP, përgjatë zbatimit të të cilit janë zbatuar kriteret dhe standardet më të larta të zbatimit të ligjit në fushën e trashëgimisë kulturore./atsh

https://www.facebook.com/edirama.al/videos/10156003551076523/?t=0

100 arkeologë nxjerrin në dritë rrënjët e trashëgimisë tonë kulturore Read More »

Fëmijët në Orikum, me godinë të re kopshti

Fëmijët e Orikumit, në Vlorë do të kenë gati për fillimin e vitit të ri shkollor godinën e rikonstruktuar të kopshtit.

E ndërtuar rreth viteve ’80 për herë të parë kjo godinë i është nënshtruar rikonstruksionit total.

Kryetari i bashkisë së Vlorës, Dritan Leli, i shoqëruar nga këshilltarë bashkiakë, administratorja Selamaj dhe drejtoresha e kopshtit inspektuan punimet në këtë godinë.

Leli u shpreh se “kujdesi ndaj të vegjëlve është prioritet për bashkinë e Vlorës”.

Rikonstruksioni këtij kopshti është një bashkëfinancim i agjencisë “Tika” dhe bashkisë Vlorë.

Kopshti i fëmijëve në Orikum do të jetë gati për fillimin e vitit të ri shkollor 2018 -2019, ndërkohë që aktualisht puna do të vijojë dhe në ambientet e jashtme për të krijuar një mjedis të gjelbëruar dhe argëtues për 106 parashkollorët e qytezës së Orikumit./atsh

Fëmijët në Orikum, me godinë të re kopshti Read More »

Shqiptarët e diasporës kontribut për ruajtjen e traditave në vendlindje

Shqiptarët e Diasporës japin kontributin e tyre për ruajtjen e traditave në vendlindje, por edhe mbështetje për të gjithë shqiptarët që të jetojnë dhe ta shohin të ardhmen e tyre në trojet e të parëve.

Presidenti i Republikës, Ilir Meta ndodhet së bashku me Bruno Selimaj dhe vëllanë e tij, Aleksin në Krojet e Ali Pashë Gucisë, Ujvara Gërla dhe Syri i Kaltër.

‘Së bashku me shqiptarin e jashtëzakonshëm, patriot e zemërgjerë, i cili kontribuon për të ruajtur traditat shqiptare të Plavës e Gucisë, z.Bruno Selimaj dhe vëllanë e tij, Aleksin, ju uroj mirëmëngjes dhe një ditë të mbarë nga bukuritë natyrore të pakrahasueshme të kësaj treve, Krojet e Ali Pashë Gucisë, Ujvara Gërla dhe Syri i Kaltër. Mirënjohje Brunos dhe të gjithë shqiptarëve të Diasporës për kontributin që japin për ruajtjen e traditave në vendlindje por dhe për mbështetjen ndaj të gjithë shqiptarëve që të jetojnë dhe ta shohin të ardhmen e tyre në trojet e të parëve”, shkruan Meta në një postim në Facebook./atsh

Shqiptarët e diasporës kontribut për ruajtjen e traditave në vendlindje Read More »

Të moshuarit që u braktisën nga fëmijët, MSH siguron jo vetëm strehë por edhe vizita dhe syze falas

Të moshuarit e institucioneve rezidenciale publike në të gjithë vendin po përfitojnë për herë të parë shërbimin e plotë okulistik dhe syze falas.

Programi i Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale filloi në Shtëpinë e të Moshuarve në Tiranë, ku 50 të moshuar kryen vizitat e specializuara dhe u pajisën me syze falas, sipas nevojës.

Më pas, nisma vijoi në të gjithë institucionet rezidenciale për të moshuarit, në Kavajë, Fier, Gjirokastër, Shkodër, për t’u përmbyllur në Poliçan. 251 të moshuar që banojnë në këto institucione përfituan pa pagesë këtë shërbim kaq të nevojshëm për moshën e tretë.

Ministria e Shëndetësisë ka sjellë në vëmendje historinë e trishtë të braktisjes së çiftit të të moshuarve nga Korça, të cilët jo vetëm që u strehuan në kohë rekord por edhe përfituan nga përkujdesja dhe programi për vizita dhe syze falas.

“Me shëndet syzet e reja nënë Lume dhe gjysh Fadili. Ju kujtohet historia e trishtë e braktisjes së çiftit të të moshuarve nga Korça? Jo vetëm u strehuan në kohë rekord nga MShMS dhe Shërbimi Social por përkujdesja e stafit tonë në qendrën polivalente Poliçan është maksimale”, deklaron ministrja Manastirliu. /atsh

Të moshuarit që u braktisën nga fëmijët, MSH siguron jo vetëm strehë por edhe vizita dhe syze falas Read More »

Kosovë- 18 mijë vizitorë në Parkun Arkeologjik “Ulpiana”

Parku arkeologjik “Ulpiana”, në Kosovë, gjatë vitit 2018 është vizituar nga 18 mijë vizitorë.

Këtë e bëri të ditur ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi gjatë vizitës në këtë park arkeologjik së bashku me ministrin e Kulturës së Maqedonisë, Asaf Ademi.

Ministri Gashi tha se “Ulpiana tani po merr pamje jashtëzakonisht të bukur, një monument shumë i rëndësishëm i trashëgimisë kulturore dhe tani po shtohet edhe si pikë turistike, ku gjatë vitit 2018 kemi mbi 18 mijë vizitorë dhe kjo tregon se sa kanë qenë të rëndësishme investimet e MRKS-së në këtë park”.

Ministri Gashi tha se “Ministria e Kulturës do të vazhdojë dhe më tutje të mbështesë punimet dhe gërmimet në parkun arkeologjik, pasi është një trashëgimi e rëndësishme kulturore për vendin tonë. Pamë nga afër procesin e gërmimeve, që po ndodhë prej një kohe të gjatë këtu, i cili do të vazhdojë edhe me tej”.

Ndërsa ministri i kulturës së Maqedonisë, Asaf Ademi, u shpreh se “gjatë takimit me ministrin Gashi biseduam rreth bashkëpunimit mes dy vendeve në aspektin e kulturës”.

“Pata kënaqësinë që bashkë me ministrin dhe stafin e parkut Ulpiana të jem dëshmitar, i një pune cilësore të realizuar këtu dhe të shpreh habinë time qe edhe sa shumë punë ka për t’u bërë duke marrë parasysh që vetëm 2% e punëve janë bërë, ndërsa gjithçka që është bërë është mahnitëse dhe dëshmon për një trashëgimi kulturore”, tha Ademi./atsh

  

Kosovë- 18 mijë vizitorë në Parkun Arkeologjik “Ulpiana” Read More »

Së shpejti, flotës së autoambulancave i shtohen 32 autoambulanca moderne

Së shpejti, flotës së autoambulancave i shtohen 32 autoambulanca moderne, të pajisura me mjetet jetë-shpëtuese -defribilator, bombula oksigjeni, aspirator,  që do të sjellin një cilësi të re shërbimi për qytetarët.

Mbi 100 autoambulanca të Urgjencës Mjekësore janë pajisur me mjetet e reja jetë-shpëtuese, duke ngritur në një standard të ri shërbimin e urgjencës në territor. Nga ana tjetër, sipas ministrisë së Shëndetësisë,  riorganizimi i shërbimit të urgjencës ka bërë të mundur përgjigje më të shpejtë në kohë për qytetarët.

Sipas të dhënave zyrtare nga ministria e Shëndetësisë, në 6 muajt e parë të vitit 2018 është rritur me 14% mbulimi i territorit me autoambulanca, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. /atsh

Së shpejti, flotës së autoambulancave i shtohen 32 autoambulanca moderne Read More »

Ndërhyrja e Bankës së Shqipërisë frenoi mbiçmimin e lekut

Pas mbiçmimit të shpejtë të Lekut, në muajt prill-maj të këtij vit, ndërhyrja e Bankës së Shqipërisë arriti të qetësojë funksionimin e tregut të brendshëm valutor dhe të frenojë mbiçmimin e kursit të këmbimit.

Por presionet për mbiçmimin e lekut ngelen të larta dhe Banka e Shqipërisë çmon se ndërhyrja në tregun valutor duhet të vazhdojë.

Sipas Bankës Qendrore, raporti i kërkesës dhe ofertës në tregun valutor mbetet i zhbalancuar, pjesërisht dhe si pasojë e prurjeve të larta sezonale, dhe se mbiçmimi i shpejtë dhe i mëtejshëm i kursit të këmbimit do të dëmtonte kthimin e inflacionit në objektiv në afatin e mesëm. Në këto kushte Banka e Shqipërisë po mbikqyr tregun valutor për të garantuar balancim të këtij tregu. /atsh

Ndërhyrja e Bankës së Shqipërisë frenoi mbiçmimin e lekut Read More »

Kanioni i Holtës, bukuria e kristaltë e Shqipërisë (Foto)

Bukuritë natyrore në Shqipëri janë të shumta, dhe vetëm pak nga to janë para nga syri i njeriut. Të duhet shumë kohë për të parë nga afër të gjitha ato  vende që të lënë pa frymë.

Por disa nga vendet mahnitëse i sjell për të gjithë fotografi i njohur, Nëntor Oseku, i cili njihet si eksplorues dhe person që viziton vende mahnitëse, transmeton Indeksonline.

Ai sonte në profilin e tij në Facebook ka publikuar fotografi të realizuara në Kanionin e Holtës, vend ky me pamje mahnitëse, jo larg Tiranës.

Ky është mbishkrimi i Osekut për këtë kanion:

Në kanioni Holtës, i cili ndodhet në zonën e Gramshit, këto ditë bëmë kamping 2 ditor. Gjatë këtij qëndrimi jemi mahnitur nga lindja e diellit dhe rrezatimi i tij në mes të kanionit, si dhe në mbrëmje, reflektimi i rrezeve të hënës mbi sipërfaqen e lumit.

Kanioni i Holtës, konsiderohet një nga bukuritë mbresëlënëse të Shqipërisë, e mori emrin nga lumi Holta.

Kanioni i Holtës, me gjatësi rreth 3 km. me shpatet e luginës që ngrihen deri në i 100 – 150 m, ndërkaq lumi arrin thellësinë deri në tri metra. Kanioni përpihet ndërmjet fshatrave Bardhaj dhe Kabash.

Të veçantë kanionin e bëjnë burimet e shumta termale, me ngjyrë të kaltër, të kristaltë.

Shpellat e shumta karakteristike nga dy anët e këtyre shpateve mbuluar dhe me zona pyjore me drunj pishe panje e bredhi, me botë të pasur flore dhe faune, e bëjnë akoma më atraktiv këtë kanion.

Kanioni i Holtës paraqet interes për ngjitje malore, për adhurues të kampingut si dhe për grupe kacavarësish nëpër shkëmbinj.

Kanioni i lumit të Holtës është 1.30 min. larg Tiranës.

Vizitojeni SHQIPËRINË!

Kanioni i Holtës, bukuria e kristaltë e Shqipërisë (Foto) Read More »