Prezenca e OSBE-së në Shqipëri organizoi në fundjavë një takim të delegacioneve të Policive të Kufirit të Shqipërisë dhe Greqisë.
Gjatë takimit u diskutuan çështje me interes të përbashkët e veçanërisht sa i përket menaxhimit të fluksit veror të lëvizjeve me synim ofrimin e shërbimit sa më cilësor ndaj qytetarëve.
Takimi u pasua prej vizitave në pikat e kalimit kufitar për të parë nga afër punën e personelit policor të të dyja vendeve, gjatë të cilave të dyja delegacionet theksuan nevojën për rritjen e mëtejshme të bashkëpunimit./atsh
Në këto ditë të nxehta gushti, pothuaj të gjithë janë zhvendosur në jug aty ku freskia, uji, natyra, mali dhe deti bëhen një dhe të pazëvendësueshëm me asgjë tjetër në botë.
Megjithatë, nuk janë të vetmet gjëra që mund të të kënaqin gjatë këtyre ditëve të nxehta. Për të gjithë ata që nuk preferojnë të rrinë gjatë gjithë ditës në diell, por preferojnë të vizitojnë vende që promovojnë kulturën, traditën dhe historinë tonë, ka gjithmonë hapësira.
Më 11 gusht, në Lunxhëri dhe në rrethinat e saj, do të zhvillohen një sërë aktivitetesh kulturore, jo vetëm që do t’ua mbushin ditën, por edhe do të ju ushqejnë me informacione për traditat e lashta të kësaj zone, ashtu si edhe me recetat tradicionale që nuk duan t’ia dinë nëse bota ecën me shpejtësinë e dritës ato shijojnë edhe më shumë, sepse u janë besnike duarve të gjysheve.
Në Dhoskat, një prej fshatrave më të vizituara të zonës, do të organizohen një sërë aktivitetesh që promovojnë agroturizmin e këtyre rrethinave.
Banorët e zonës, njohësit më të mirë të produkteve organike të prodhuara në këtë vend, do t’ju ofrojnë të shijoni gjithçka të përgatitur nga duart e tyre. Duke nisur që nga trahanaja, te mjalti i luleve e gjithçka tjetër kjo zonë ofron, këtu do t’i gjeni të rralla e të pakrahasueshme me asnjë shije tjetër./atsh
Reforma e Deregulimit po jep efektet e saj pozitive.
Tashmë, asnjë certifikatë nuk merret nga Zyrat e Gjendjes Civile, pasi ato ofrohen nga institucionet shtetërore në formë elektronike, duke eliminuar radhët dhe vuajtjet për qytetarët dhe duke i dhuruar qytetarëve kohë të vyer.
Zv.ministrja e Brendshme Rovena Voda dhe Drejtori i Përgjithshëm i Gjendjes Civile Bledar Doracaj, në kuadër të procesit të deregulimit, zhvilluan një takim me përgjegjësit e Zyrave të Gjendjes Civile në Prefektura dhe Nënprefektura.
Voda dhe Drejtori Doracaj kanë përcjellë porosinë e prerë që zyrat e gjendjes civile të mos lëshojnë asnjë certifikatë personale apo familjare, pasi institucionet shtetërore kanë detyrimin t’i lëshojnë vetë këto dokumente.
Me iniciativën e Qeverisë shqiptare, veprimtaria e Drejtorisë së Përgjithshme e Gjendjes Civile, si dhe institucioneve të tjera shtetërore që ofrojnë shërbime është orientuar drejt shërbimit elektronik, nëpërmjet portalit unik E-albania, përfitues të të cilit janë institucionet shtetërore dhe vetë individët, personat fizikë të regjistruar si përdorues të këtij sistemi. /atsh
Një valle që ngre në qiell burrat e burrneshat në Kosovë është edhe vallja e mrekullueshme e Shotës. Kjo valle është njëra ndër vallet e cila luhet, por edhe këndohet jo vetëm në Kosovë, por edhe në Shqipëri, Bosnjë, Serbi, Kroaci, Maqedoni, Turqi, Bullgari e madje edhe në Greqi, jo vetëm te arvanitasit.
Mund të themi me gojën plot se kjo është e vetmja valle që ka depërtuar edhe në muzikën serbe, ndërsa në muzikën boshnjake është po aq e mbase edhe më e përhapur se te ne.
Nuk e saktësojmë dot kohën kur është luajtur për herë të parë në Shqipëri, por e dimë me siguri se në Kosovë është luajtur edhe para Luftës së Dytë Botërore.
Shumica e brezit të vjetër, sidomos në Drenicë, kanë ditur ta luajnë vallen dhe e kanë luajtur e kënduar nëpër dasma. Shumë femra në Kosovë mbajnë këtë emër, në radhë të parë për kujtim të Shote Galicës.
Te hungarezët është e njohur vallja “Çardash”, vallja Çyçek te turqit, te serbët si vallja e Uzhicës, e Moravës, e Çaçakut, apo kryesisht valle me emra të qyteteve, sikur rëndom janë të përhapura vallet, kudo në Ballkan.
Te serbët është kompozuar edhe një valle dyshe, e cila quhet vallja e Shotës dhe e Uzhicës. Te turqit është e njohur vallja e quajtur rumeli Shota, te bullgarët arnauatsko oro, e kështu me radhë.
Pa dyshim se kjo valle lidhet me Shote Galicën, luftëtaren popullore, Qerime Halil Radisheva, bashkëshortja e Azem Galicës. Nuk kemi të dhëna që flasin se kjo valle është luajtur dhe është kënduar në kohën e sundimit turk.
Shota është një valle karakteristike e luajtur nga valltarët, me tërë energjinë dhe me ritëm të shpejtë, e cila zakonisht luhet nga dy valltarë, mashkull e femër, (apo edhe në më shumë çifte), është valle që përshkohet me një ritëm impresionues që zgjon peshë emocionet si nga lëvizjet e shpejta ritmike, që nuk është mjaft karakteristikë e valleve shqiptare, por në këtë valle kemi karakteristika të cilat mendojmë se kanë disa veçori, që paksa dallojnë nga vendi në vend.
Vallja e Shotës ka qenë edhe në repertorin e Orkestrës Filharmonike të Beogradit, versioni i përpunuar nga kompozitori i njohur kroat, Josip Sllavenski, pastaj Rexho Mulliqi e të tjerë.
Ekzekutimi në shumë variante i kësaj valleje në Serbi ka shkaktuar tronditje te nacionalistët dhe shovinistët serbë, të cilët përbuzin e fyejnë bashkëkombësit e tyre, në forumet e internetit, por edhe në komente e shkrime, sepse e luajnë këtë valle shqiptare, e cila sipas shumicës së tyre i kushtohet Qerime Galicës, për të cilën serbët thonë se gjoja ajo vetë kishte vrarë, madje edhe kishte djegur fëmijë serbë.
Natyrisht se kjo histori histerike është krejt e shpifur, por gënjeshtra në Serbi ka gjetur dhe gjen vegjetacion të jashtëzakonshëm për të mbijetuar. Këtë e ka pranuar botërisht shkrimtari më i madh dhe më i lexuari në Serbi, Dobrica Qosiç,
Duke parë se kjo valle është futur aq thellë në popull dhe duke qenë se nuk ka grup folkloristik që nuk e kishte pasur, dhe nuk e ka në mesin e këngëve e valleve për interpretim, publiku serb, duke mos pasur rrugë tjetër, ka filluar ta përvetësojë si valle të moçme të serbëve të Kosovës, duke u mbështetur në emrin e valles, e cila, sipas tyre, i përket gjuhës serbe.
Po të mbështetemi në gjurmimet folklorike shqiptare në Kosovë, nuk duket se është hulumtuar gjeneza e kësaj valleje, e cila për çudi ka mbijetuar si asnjë valle tjetër, jo vetëm në vendin tonë por në mbarë Ballkanin.
Shota njihet edhe si valle e kënduar, në Bosnjë, Serbi, Sanxhak e në shumë vende, madje edhe në gjuhën shqipe me vargjet.
Katër vargjet karakteristike të kësaj kënge janë të pranishme kudo në potpuritë popullore
Hajde shoto mashallah,
Me burrin përkrah!
Luaj Shoto Luaj Shoto luaj
Hakun ta paguaj.
Kjo strofë e këngës është e përhapur kudo, ndërkohë që kësaj potpurie këngëtari popullor i ka ndajshtuar edhe vargjet specifike, të cilat madhërojnë jetën dhe luftën e saj për çlirimin e vendit nga robëria serbe.
Shota e Azemit
Mbesa e Skënderit,
Shotë moj heroinë,
Nderove Shqipninë,
Shota n’ borë e n shi
Luftoi për Shqipni,
Shota n shi e borë
Luftoi për Kosovë.
Fenomeni dhe tipologjia muzikore artistike e ritmike e kësaj valleje, e cila me lehtësi i ka përballuar kohës, duke u radhitur si valle emblemë, në mesin e valleve si “vallja e shqipeve”, “Vallja e burrave” “Vallja e shpatave” dhe valle të tjera karakteristike, ka veçantitë dhe veçoritë e veta në kohë dhe hapësirë, në sinkroni dhe diakroni.
Fakti se kjo valle luhet dhe këndohet te të gjithë popujt e Ballkanit e më gjerë, jep për të kuptuar se kemi të bëjmë me një fenomen që nuk është vetëm muzikor, aq më pak i rastit, por sipas mendimit tim lidhet me traditën historike, me një apo disa personalitete të caktuara të historisë së rezistencës shqiptare, e cila i akordon traditës të pashkëputur të historisë sonë kombëtare, e njohur për kontributin madhor që ka thënë femra në jetën shoqërore, dokesore, në historinë e shtetit, të rezistencës dhe të luftërave çlirimtare. Në të gjitha luftërat tona çlirimtare prej kohës së Skënderbeut e deri te lufta e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, femra ka luajtur rolin e vet historik, të pamohueshëm.
Vallja e “Shotës” pasuri muzikore publike e popujve të Ballkanit, një valle shqiptare që kishte depërtuar përtej perdeve të zeza të urrejtjes shekullore sllave kundër shqiptarëve.
Vallja e “Shotës” pa dyshim mbërthen me vete një histori të gjatë kohore prej periudhës së parë të vallëzimit apo këndimit.
Një histori që ka mbijetuar nëpër kohë dhe e cila mund të ketë një origjinë shumë të lashtë. Ajo, në rrethana të caktuara shoqërore e historike, mund të jetë konvertuar nga shekulli në shekull, duke iu përshtatur kohës dhe rrethanave historike, për të arritur si personifikim tradicional muzikor deri në kohën tonë.
Në gjendjen e tanishme të zgjerimit dhe këndimit, vallja e Shotës paraqitet si vlerë muzikore e krejt popujve të Ballkanit, meqë ka mbijetuar si krijim i veçantë muzikor, në radhë të parë me melodinë magjepsëse, ritmin e shpejtë, djaloshar, sepse është valle tipike, që i përket rinisë dhe që luhet e këndohet vetëm nga të rinjtë.
Këtë valle nuk e luajnë dot të moshuarit, meqë ka ritmikë të shpejtë dhe kërcim të veçantë, gjithnjë në lëvizje, herë këmbë herë duke u gërmuqur, por gjithnjë në lëvizje, madje marramendëse.
Prania e kësaj valleje ne repertorin muzikor të popujve të Ballkanit vazhdimisht ka nxitur polemika rreth prejardhjes. Përderisa në Jugosllavinë socialiste ajo ishte konsideruar si valle 100 për qind me prejardhje shqiptare, me rastin e shkatërrimit të Jugosllavisë, filluan dhe aktualisht po vazhdojnë polemikat lidhur me origjinën dhe përkatësinë e saj.
Duke u bazuar në faqe të internetit dhe në forume të ndryshme në Serbi, veçmas në shkrimet e shkurtra, në “YouTube”, konkludojmë se shumica e shfletuesve serbë, boshnjakë e të tjerë vlerëson se vallja e “Shotës” ka origjinë shqiptare.
Nacionalistët serbë janë të ndarë në këtë drejtim; Disa mendojnë se vallja është tipike shqiptare, e cila i është kushtuar Shote Galicës, që sipas mendjes së tyre të retarduar paska pas vallëzuar duke djegur fëmijët serbë në zjarr.
Ata kërkojnë që kjo valle të ndalohet, meqë sipas tyre është valle morbide, madje “antinjerëzore”. Këtij konstatimi të egër dhe krejtësisht antihistorik i kundërvihen edhe shumë serbë, të cilët mendojnë se kjo valle është valle tipike kosovare, e kënduar nga shqiptarët edhe nga serbët.
Një pjesë e opinionistëve konsideron se vallja është valle tipike shqiptare, e rikthyer në estradat populiste në kohën e Jugosllavisë së Bashkim vëllazërimit dhe e përhapur nga politika muzikore e kulturore e kohës.
Realisht ky konstatim ka një bazë, meqë në kohën e ish- Jugosllavisë socialiste shqiptarët nga aspekti i njohjes muzikore janë identifikuar me këtë valle. Në të gjitha republikat e Jugosllavisë ka qenë e përhapur kjo valle.
Nuk gjendej asnjë shoqëri kulturore muzikore e kohës (Kulturno Umetnicko Drustvo -KUD) në tërë Jugosllavinë ku të mos jetë ekzekutuar një variant i Shotës, kësaj valleje shqiptare që kishte depërtuar përtej perdeve të zeza të urrejtjes shekullore sllave kundër shqiptarëve. Asnjë valle tjetër në Jugosllavinë e kohës nuk ka pasur shtrirjen e saj.
Edhe sot e kësaj dite kjo valle ekzekutohet nga serbët, boshnjakët, kroatët, malazezët, sllavomaqedonët, bullgarët e të tjerë. Kjo mund të vërtetohet fare lehtë në “Youtube”, ku gjenden edhe komente ndër më të ndryshmet, prej atyre afirmative deri te ato pezhorative.
Studiuesi Florent Hasani ka thënë se në vitin 1833 Principata serbe kishte fituar një Autonomi nga Perandoria Osmane, dhe po në këtë vit kufiri u tërheq nga Pashallaku i Beogradit dhe erdhi deri mu këtu në fshatin “Katun” të komunës së Aleksicit.Dhe pikërisht këtu brenda karakollit osman në altar ishte një trup molle e cila gjatë gjithë verës lulëzonte dhe bënte molla të kuqe. Andaj edhe kështu supozohet që nga kjo mollë ka mbetur edhe emri tek Molla e kuqe.
Megjithatë Ismet Azizi studiues thotë se dëshmitë e reja dhe prezenca jonë këtu dhe amaneti i Muhaxhireve që na kanë lanë neve, kështu tingëllon dhe kështu thuhet, që së paku ti vizatojmë këto vende, ti dimë prej nga janë gjithë ajo popullatë e shpërngulur me rrafsh 700 fshatra të banuara me shqiptar dhe të mos i harrojmë. Kështu që ne sot po e kryejmë edhe një amanet të Muhaxhirëvë por edhe një rikujtesë të gjeneratave të reja, sepse dikush duhet të vij këtu.
“Shiko këtu ka shumë mikro toponime të cilat në nuk po mundemi ti hulumtojmë sepse duhet kohë por këtu gjithçka flet se dikur ka qenë e banuar me shqiptarë”, ka thënë studiuesi Azizi.
Diku 30 kilometra nga Prokople shtrihet edhe Kurshumlia një tjetër qytezë që autori Mita Rakiq, në veprën e tij “ Udhëtim në Serbinë e Re” e konsideron një “ Çerdhe shqiptarësh”. Ai u caktua nga vet gjenerali Kosta Protic që të hulumtonte gjendjen në teren, pas aksioneve brutale të ndërmarra nga ushtria.
Por duket se Mita Rakic u trondit nga pamja ndaj edhe shkroi një të vërtetë të madhe, se në qytezën e Kurshumlisë pas sulmit dhe veç ushtareve serb nuk kishte qoftë edhe një banorë të vetëm.
Ashtu si kudo edhe në Kurshumli nuk ka më shqiptar. Edhe pse dikur kanë qenë mese 90 për qind. Sigurisht edhe këtu nga ajo që ka pësuar ndryshimeve është qartësi shqiptarë si për të treguar se pavarësisht presioneve jo gjithçka mund të shuhet.
E vështirë të mendosh se dikush mund të vë në dyshim identitetin e dikurshëm të banorëve të fshatit Kastrat.
Emri flet qartë, ashtu si fakti se banoret janë detyruar të largohen me përdhunë. Dhe pavarësisht se gjithçka ka ndodhur shumë kohë më parë, këtu vazhdon të mos jetë e lehtë të jesh shqiptar, madje edhe kalimthi , çka dallohet lehtësisht nga një pllakatë me mbishkrim “ Fuck Albania”. Ndjenja e një nacionalizmi ekstrem është kultivuar si mënyrë për të mbuluar gjithçka që lidhet me të shkuarën.
Atëherë vallë si mund të zhduket një popullsi që përbën mëse 90 për qind të numrit të përgjishëm të banorëve.
Të thuash e frikshme është pak : Visoka, Bojniku, Bregovina, Vujanova, Brestovci, Xhaka, ( fshati i origjinës së dy vëllezërve futbollistë Xhaka) e po ashtu Konjuvca janë të gjithë të lidhur me njëri-tjetrën.
Edhe pse emrat e një pjesë janë ndryshuar shekuj më parë, këto vendbanime kanë qenë brez pas brezi, të jetuara nga shqiptaret.
Jo më kot, disa prej tyre para se të largoheshin, kanë mundur të marrin edhe tapitë e pronave si dëshmi edhe ligjore e asaj se cfarë ka ndoshur.
Hysen Azemi Dr. i Arkivës ndër komunalë e Kosovës, duke shfletuar tapi të ndryshme ka treguar që atë të cilët kanë marrë tapitë me vete dhe kanë lënë dëshmi dhe gjurmë.
“ Ky është fondi i familjareve të Tapive të Hysen Azemit, d.m. th. si pronar jam unë tapi e tokës Azemi i biri i Ahmetit, kardaja i Kurshumlisë ashtu është quajtur atëherë sanxhaku i Nishit fshati Bllainë është viti 1873 ku atëkohë pasuria, apo toka është mat me Dnn, dhe sasia është prej 4 Dnn. Dhe për veç këtyre hipotekave ne duam të tregojmë se popullsia e Sanxhakut të Nishit ka qenë kryesisht i banuar me shqiptar dhe ata janë shpërngulur me dhunë.
Kurse Kurshumlia sipas viteve apo të dhënave statistikore në vitin 1873 ishte 87 për qind e banuar me shqiptar dhe shlirë munk ta quajmë se ishte kryeqendra e shqiptare.
E njëjta situatë është edhe në Leskoc e Vranjë ku ka pasur rreth 70 për qind të popullsisë shqiptare e kudo në Jabllanicë. Fjalët janë te tepërta e nuk mund të të përshkruajnë realistin e sotëm me atë të dikurshëm..
Po ku ka qenë kufiri i dikurshëm me Serbinë, apo ajo që në popull njihet si molla e kuqe. Cila është historia e këtij vendi e cila lidhet me atë të shqiptareve. A ka mbetur diçka pas, e prekshme e dukshme apo gjithçka është zhdukur me mollën.
Është folur dhe është shkruar shumë për Katundin tek molla e kuqe , për doganën e dikurshme nga ku fillonin në atë kohë trojet shqiptare.
Fotografitë apo gravurat e vjetra tregojnë ekzistencën e këtij vendi sa legjendar aq edhe real. zona ndodhet shkuar 25 kilometra nga qyteti i Nishit. Orientimi është i vështirë por jo edhe i pamundshëm.
Duket e habitshme por fshati quhet ende “Katun” një tjetër piketë e këtij vendi nuk është shkulur.
Autoritetet me sa duket kane ndjerë sigurinë e pushtetit dhe mes shumë ndryshimeve kanë harruar edhe këtë të fundit, një ndër më thelbësoret që klith gjurmët e historisë.
Studiuesi Florent Hasani ka thënë se në vitin 1833 Principata serbe kishte fituar një Autonomi nga Perandoria Osmane, dhe po në këtë vit kufiri u tërheq nga Pashallaku i Beogradit dhe erdhi deri mu këtu në fshatin “Katun” të komunës së Aleksicit. Në këtë vend trupat Osmane ndërtuan ‘Gjumrikanen” që ishte pikë doganore vend kalimin kufitar. Dhe pikërisht këtu brenda karakollit osman në altar ishte një trup molle e cila gjatë gjithë verës lulëzonte dhe bënte molla të kuqe. Andaj edhe kështu supozohet që nga kjo mollë ka mbetur edhe emri tek Molla e kuqe.
Kurse pas kësaj kodre fillonte Kufiri i Principatës serbe, do të thotë ky kufi ishte nga viti 1833 deri në vitin 1878 kur Serbia pra bëri mësyrje drejt tokave shqiptare të Sanxhakut të Nishit dhe i spastroj etnikisht më shumë se 740 fshatrat shqiptare.
Godina e kufirit sigurisht se është zhdukur me kohën, ndoshta rrënojat e vogla ndodheshin diku, mbuluar nga pyjet e bimësia e hathtisur.
Gjithçka flet, veç historisë së Muhaxhirëve dhe kujtimeve të tyre, e hartat e vjetra që tregojnë u ndodhej dikur ky vend.
Asnjë studiues, historian, e hulumtues deri më sot nuk kanë mundur të japin një sqarim shkencor se persë kjo pjesë quhet Molla e Kuqe
E kur kjo pjesë mungon, gojëdhënat mbesin burimi i vetëm. Legjenda thotë: se në këtë tokë është derdhur shumë gjak, janë bërë shumë beteja të mëdha e të forta, janë masakruar shumë njerëz të pafajshëm , janë përballur banorët shqiptare për të mbrojtur trojet e tyre. Ndaj gjithçka morri ngjyrën e kuqe: toka, lumenjtë gurët.
Dhe Molla e Kuqe, mbeti një simbol ashtu siç është edhe sot i sakrificave i dhimbjes së mijëra- mijërave njerëzve, që nuk kanë ende një vend ku të prehen, e shumë të tjerëve që nuk mundën të qajnë këtu, në këtë vend, nga në Mollë të kuqe e më tej ku kanë lindur e jetuar për breza paraardhësit e tyre.
Këtu janë gjurmët që ende ruhen këto territore, e që mund ti prek çdo kush, mjafton një udhëtim i thjeshtë. Sanxhaku i Nishit flet me gjuhen e fakteve, fakte këto që nuk i bëjmë në por historia” ka thënë gazetari Marin Mema i cili edhe e realizoi këtë storje.
Në fillim të veprës me titull “Une race oubliée; les Pélasges et leurs descendants – Një racë e harruar; Pellazgët dhe pasardhësit e tyre” të Edouard Schneider (Ish-shef inxhinier në Shkodër), botuar në Paris, në vitin 1894, gjejmë një dedikim special të vetë autorit për vajzën e tij, Mathilde. Blogeri Aurenc Bebja, nëpërmjet faqes së tij “Dars (Klos), Mat – Albania”, sjell përmbajtjen e tij për publikun shqiptar :
Dedikim,
Për vajzën time Mathilde
Miq të shumtë të nënës tënde dhe të mitë më kanë thënë njëzet herë që të shkruaj atë që unë dija për Shqipërinë, vend ku kam njohur nënën tënde kur ishte vajzë e re,me të cilën u martova dhe të solli në jetë.
Në damarët e tu rrjedh gjak shqiptar, dhe po të dedikoj këtë libër të vogël, që ti ta kesh gjithmonë pranë teje, dhe kështu të mos harrosh kurrë mëmëdheun dhe gjuhën e nënës, ku në të ardhmen do t’u njihet vlera.
Në këtë moment, ti nuk di ende të lexosh, por ti flet më mirë se unë këtë gjuhë të ashpër, por e ëmbël në gojën tënde, që zgjati vetëm katër pranvera të gëzueshme. Tashmë, ti tregon fabula dhe legjenda, dhe duke më parë gjithmonë të shkruaj, me të folurën tënde fëmijërore, u thua të tjerëve që punoj për ty, për të fituar lekun që do të të sjellë lodra.
Kur të lexosh këtë libër të vogël, kur të bëhesh vajzë e madhe, grua, nënë, dhe të njohësh më mirë botën se tani, do të kuptosh se qëllimi i netëve të mia nuk ishte fitimi i lekut për të blerë lodra, por ringjallja e kujtimit të racës primitive të harruar të Pellazgëve, që sollën në jetë shqiptarët, nënën tënde.
Shekulli në të cilin do të jetosh do t’i përkasë si burrit ashtu dhe gruas; nëse dëshiron që hiri i babait tënd në varr të prehet në paqe, vepro si ai që nuk ishte shqiptar ; puno sa më shumë që të mundesh, për të ringjallur gjuhën e pasur të paraardhësve tanë të përbashkët, sepse unë gjithashtu, si evropian, jam pasardhës i Pellazgëve autoktonë që populluan Evropën, këtë kontinent të madh ishullor, që pa mbi tokë paraardhësit e familjes së madhe dhe inteligjente të hominideve.
Për një vend që shumë njerëz zor se e kanë dëgjuar, kjo masë gjigante uji ka shumë emra.
Në varësi të vendit nga vini, mund të quhet Shkodra, Shkodër apo Scutari, ndërkohë që pjesa më e madhe e vizitorëve e njohin si Liqeni i Shkodrës.
Ky destinacion qëndron nga të dy anët e kufirit mes Malit të Zi dhe Shqipërisë dhe është liqeni më i madh i Europës Juglindore, një hapësirë e pacënuar dhe park kombëtar.
Ai nuk është ndoshta në listën e vendeve më të vizituara për turistët globalë, por ata që marrin mundimin shpërblehen me një mjedis unik dhe një përvojë shumë speciale udhëtimi.
Liqeni është i paprekur nga zhvillimi apo komercializimi – të paktën tani për tani. Megjithatë, ekziston shqetësimi se Projekti i Portit të Liqenit të Shkodrës, një resort i ri ekologjik në liqen, mund të kërcënojë ekosistemin dhe speciet e rralla, përfshirë shumë që janë endemike.
Ndërkohë, të tjerë përgjigjen se projekti do të jetë i ndjeshëm ndaj mjedisit dhe do të kontribuojë në krijimin e vendeve aq të kërkuara të punës, infrastrukturës dhe rritjes ekonomike.
Ndërsa debati vazhdon, këtu ka disa arsye se pse porti dhe ligatina me rëndësi ndërkombëtare, që mbulojnë një sipërfaqe mbi 200 miljesh katrore, i bëjnë ato një destinacion kaq imponues.
Kur vizitoni Shkodrën, ju duhet ta ulni një marsh, pasi për adhuruesit e udhëtimeve të ngadalta, ka pak destinacione më të mira.
Stili lokal i jetesës duket se reflekton një pamundësi për t’u ngutur, ndërkohë që deri tani rruga më e mirë për të vizituar pjesën më të madhe të liqenit është nëpërmjet udhëtimit me varkë, fillimisht nga qyteti i fjetur malazez i Virpazarit.
Një grusht varkash druri peshkatarësh kanë streha të bëra me kallam bambuje dhe kanë të gjitha emra individualë, kështu që ju mund ta gjeni veten mbi një varkë me emrin Milica apo Bretkosa e Artë.
Me zërin e heshtjes dhe bukurinë mahnitëse të natyrës rreth teje, gjithçka që keni nevojë të bëni është të uleni dhe të ecni ngadalë pa ndonjë qëllim.
Liqeni është shtëpia e një diversiteti të dukshëm të jetës së egër. Pesëdhjetë lloje peshqish jetojnë në këto ujëra, 18 prej të cilëve nuk gjenden diku tjetër në Tokë, çka konfirmon statusin e një ligatine me rëndësi ndërkombëtare. Ka ngjala dhe levrek, bli dhe më i përhapuri është krapi.
Ka më shumë se 50 lloje speciesh kërminjsh ujërash të freskëta, ku të paktën një e treta janë endemikë, duke e bërë një nga zonat më të rëndësishme të Europës.
Nëse do të ishit me shumë fat, atëhere ju mund të kapni një pamje momentale të një vidre të rrezikuar, ndërkohë që gjarpërinjtë e ujit rrëshqasin pranë jush.
Kandila të vegjël blu të mrekullueshëm, së bashku me pilivesa të kuqe, portokalli dhe jeshile janë shoqërues të përhershëm.
Jeta e shpendëve
Një grup prej 270 speciesh e bëjnë Liqenin e Shkodrës një nga rezervatet më të mëdha të shpendëve të Europës dhe një destinacion popullor për ornitologët.
Kjo për shkak se ata mund të dallojnë aty disa nga pelikanët e fundit dalmatë të Europës, karabullakët e detit që thajnë krahët e tyre dhe habitatet e çafkave të rralla e të verdha.
Rreth 90% e tyre janë zogj migrues, që do të thotë gatat sqeplugë, rosat dhe çafkat e bardha janë vizitorë të tjerë të rregullt.
Ndonjëherë në varkë ndjeheni sikur jeni në një ekspeditë gjuetie zogjsh, me diversitet të pabesueshëm në çdo hap.
Flora
Të gjitha kafshët e egra kanë nevojë për bimësi dhe në mesin e shumëllojshmërisë së tyre gjenden më shumë se 25 specie të konsideruara të rralla dhe të rrezikuara, duke përfshirë një varietet të gështenjës ujore, krokëllit dalmat dhe orkide të shumta të mbrojtura.
Bambuja është shpesh e dukshme në bregun e liqenit, ndërkohë që disa prej luleve më fotozhenike duhet të jenë zambakët e bardhë dhe të verdhë që dalin nga ligatina.
Mund të mos jenë aq të bukura, por ka qindra lloje algash, shumë prej të cilave përsëri janë të rralla ose unike. Pyjet gjithashtu mbulojnë pjesën më të madhe të peizazhit përreth, duke përfshirë shelgun e bardhë dhe lisin.
Histori
Pavarësisht nga qetësia dhe natyra kryesisht e paprekur e liqenit, ai ka qenë dëshmitar i një historie shpesh të trazuar.
Rreth liqenit qëndrojnë mbetjet e 18 manastireve, fortesave, monumenteve dhe kishave.
I banuar nga ilirët e lashtë, grekët dhe romakët, Shkodra dikur ishte pjesë e Perandorisë Bizantine dhe u pushtua nga Perandoria Osmane për pesë shekuj, siç tregohet nga rrënojat përfshirë fortesën e Besakut në Virpazar.
Pas rënies së perandorisë në shekullin XIX, Mali i Zi më pas u bë një principatë e pavarur para se Virpazari të bënte histori si vendi i kryengritjes së parë partizane të Malit të Zi në kohën e Luftës së Dytë Botërore.
Alcatrazi i Malit të Zi
Sundimi i Perandorisë Osmane nxori gjithashtu një nga legjendat më famëkeqe të liqenit. Kështjella e Gërmozurit u ndërtua në 1843 në një ishull me gurë, përpara se të shndërrohej në versionin malazez të Alcatrazit nën mbretin Nikolla I.
Thuhej se as të burgosurit dhe as rojet e burgut, të cilët ishin në gjendje të notonin, e kishin teorikisht të pamundur arratisjen.
Por, dy të burgosur, me sa duket, ia dolën të ikin, duke përdorur një derë si trap.
Për rojet e pafat që i vëzhgonin, dënimi ishte të vuanin të njëjtin dënim si të burgosurit e shpëtuar.
Ushqimi
Ndërsa liqeni është një strehë e mbrojtur e kafshëve të egra, peshkimi me leje është i mundur në disa zona, që do të thotë se peshku nuk mund të jetë më i freskët sesa kur vjen në tryezën tuaj.
E njëjta gjë vlen edhe për produkte të tjera, duke përfshirë djathrat e shkëlqyer të bërë në shtëpi, bimë të tilla si rozmarinë dhe sherbela si dhe pirgje me fruta dhe shegë të kudogjendura, fiq, qershi dhe arra.
Një numër i vogël opsionesh për të ngrënë janë të dallueshme përgjatë liqenit. Në një prej tyre, me pamje nga rrënojat e shtëpive të lashta dhe shtretërve të kallameve, ushqimi është i thjeshtë, por i shijshëm.
Një çift i moshuar mbikëqyr gjërat, në karrige plastike kopshti dhe tavolina pikniku që ofrojnë sfond të përsosur për festë.
Mund të fillojë me proshutën, domate të shkëlqyera lokale të bëra sallatë, përpara se krapi të skuqet dhe të shërbehet me bukë të bërë në shtëpi.
Dollitë me një pije alkoolike ”të zjarrtë” të quajtur raki të sigurojnë një udhëtim të butë me varkë gjatë të cilit mund të jeni edhe të përgjumur.
Manastiret
Një numër manastiresh historike janë të shpërndara në dhe përreth liqenit, në heshtjen, paqen dhe bukurinë natyrore që i rrethon.
Manastiri i Vraninës, më i njohur si Shën Nikolla, është një manastir ortodoks serb dhe gjithashtu një nga më antiket e zonës, që daton në shekullin XIII. Ai ndodhet lart në një kodër në një ishull me të njëjtin emër duke patur një pamje të pabesueshme.
Megjithëse është sulmuar dhe pothuajse është shkatërruar gjatë historisë së saj, kisha u restaurua rreth 20 vjet më parë, ndërsa përpjekjet vazhdojnë për rinovimin e gërmadhave të tjera në vend.
Sot atje jeton vetëm një murg, i cili kujdeset për kishën dhe gjithashtu punon si bletar duke prodhuar mjalt mesa duket me përfitime mjekësore.
Udhëtimi në det ka dhe surprizat e saj ku një prej tyre është dhe ndeshja me delfinë.
Kjo surprizë i ka ndodhur dhe turistëve që udhëtonin me anijen Julka Unique.
Çifti i delfinëve ka shoqëruar për rreth 20 minuta lundrimin në rrugën e kthimit të anijes . Turistët kanë rendur menjëherë për të fotografuar dhe filmuar momentin e veçantë, i cili është tepër i rrallë.
Afërsia me anijen shumicën e kohës në rreth 1-2 metra bëri që ky spektakël të shijohet nga të gjithë turistët. Kjo për shkak se brenda gjirit të Vlorës prania e delfinëve është shumë e rrallë në krahasim me detin e hapur.
Turistët kanë komentuar ndodhinë e veçantë si një prej ndodhive me të bukura të udhëtimit nga Vlora ne Karaburun./news24