Dashamir Hysen Kovaçi rikthehet në Shqipëri pas 27 vitesh. Pas më pak se tre dekadash takohemi sërish.
Takimi ynë i parë ishte pak ditë pas lirimit të tij nga burgu në vitin 1991. Isha 9 vjeçe. Ai hyri në familjen tonë, i buzëqeshur, i pashëm, me plot mall e krenari.
Dashi, në saj të afërsisë së gjakut me nënën time, gjeti ngrohtësinë e munguar të njerëzve me të cilët u rrit e thuri ëndrra, por që regjimi komunist ua shoi si dritën e diellit pas eklipsit, me persekutimin, burgosjen dhe varfërinë.
Dashamiri është djali i poetit Bajram Hysen Kovaçit, antikomunist nga Dibra i dënuar nga regjimi me 25 vjet heqje lirie, për agjitacion e propagandë.
Djali i Ifete Kovaçit dhe vëlla i Teuta dhe Arben Kovaçit të cilët u internuan në fshatin e thellë dhe të izoluar të Tiranës, Vrap.
Një familje e shkatërruar psikologjikisht, fizikisht dhe moralisht për shkak të bindjeve kundër regjimit. Dashi ishte talent në pikturë, ëndërr e cila nuk u realizuar kurrë.
Talent i shkëlyqer në pikturë, më i miri, por që sot për të mbetet vetëm kujtim i një të shkuare të trishtë.
Plani për vrasjen e Enver Hoxhës
Dashi, siç e quajmë ne në familje, vuajti 16 vite në burgun e Spaçit, i dënuar pak vite më vonë, pas arrestimit dhe burgosjes së të atit Bajram Kovaçi, poet dhe personalitet i respektuar.
Dashi, djali i madh i familjes Kovaçi, kuptoi në vegjëlinë e tij se sistemi komunist po vriste me vetëdije familjen, ekonominë dhe të ardhmen e tij.
Ndaj më rrëfen sot pas 27 vitesh, arsyen e arrestimit.
Planifikoi të vriste Enver Hoxhën, në 29 Nëntor të vitit 1973. U përgatit fizikisht, ka ushtruar për rreth tre vjet rresht duke menduar gjithçka, me të vetmin synim, eleminimin e diktatorit.
Planin nuk e ndau me askënd, pasi si një familje e persekutuar me babanë të dënuar nga regjimi, ishte i rrethuar nga informatorë të regjimit.
Do të vendoste dinamit në blloqet e betonit ku do të qëndronte dikatori gjatë paradave. Madje edhe një plan B. Do të tentonte të vetëvritej bashkë me diktatorin. Por fatkeqësisht plani i tij dështoi në çastet e fundit nga agjentët e sigurimit.
Në 22 Shkurt të vitit 1974, Dashi u arrestua me akuzën e tentimit të vrasjes së Enver Hoxhës.
Vuajti 16 vite me rradhë, dhunën fizike, rrahjet, tërturat në ngrica e temperatura të larta, tentim-vrasjet në galeritë e minierave, kurthet e “miqve” spiunë brenda burgut, mohimin me detyrim të familjes, arsimimit dhe përbuzjes së rrethit të njerëzve.
Torturat
“Një prej torturave ishte prehja e një shkopi të cilën na e vendosnin në fyt”-tregon Dashi, “e prehnin aq fort sa me të mund të vdisje në vend. E vendosnin në kraharor dhe e lidhnin shtrënguar me majën drejtuar drejt fytit, sa nuk kishe mundësi të ulje kokën, pasi vdekjen e kishe të sigurt.
Na drejtonin kokën nga dielli përvëlues i verës. Shumë tortura. Një tjetër rast, më kërkonin që të arratisesha. Shoku im i burgut e kërkonte me ngulm. Unë i thoja, nuk arratisem, sepse kam nënën, motrën, vëllain në internim. Çfarë do të ndodhë me ta?? Nuk mund të largohesha. Më pas nuk e di si më bindi, dhe përballë meje kisha një kodrinë.
Mendova se zona ishte e pastër. Nuk shihja njeri. Pasi eca pak drejt kodrinës, pash një shkëlqim helmete dhe aty kuptova se ishte kurth për të më vrarë. Shkëlqimi i diellit mbi helmetë më shpëtoi jetën për të disatën herë brenda burgut”, më rrëfen me qetësi.
“Kam vizituar Shtëpinë e Gjetheve, më thotë. Kam parë emrin tim dhe të babait tim në shumë emra të përnjekurve politikë. Kam vënë re edhe një Piramidë e cila ilustronte qeverinë e asaj kohe.
Vura re se piramida në majë të saj kishte Enver Hoxhën, si drejtues i shtetit në atë kohë. Enver Hoxha nuk duhej të ilustrohet edhe sot në majë të asaj piramide, atje në Shtëpinë e Gjetheve, Piramida e tij duhet të jetë e përmbysur”, rrëfen i indinjuar.
Kujtimet në vegjëli me Dashin
Mbaj mend takimin tonë të parë. Isha 9 vjeç dhe ende nuk kisha kuptuar se ç’po ndodhte me sistemin komunist. Në familjen tonë nuk u mbajt kurrë busti i bardhë prej gëlqere e diktatorit, asnjë foto e tij, asnjë libër me kopertinë të kuqe, asnjë shenjë që identifikonte politikën e kohës, përveç orendive shtëpiake të cilat ngjasonin në çdo familje, me kurime modeste nga duart e arta të babait tim.
Kjo derë ishte e hapur për njeriun i cili simbolizoi në sytë e mi, si fëmi, sakrificën, durimin, vuajtjen, dhe mënçurinë.
Dashi doli nga ajo derë e burgut që i mori jetën, rininë, familjen dhe të ardhmen, me njohuri të shkëlyqera në 9 gjuhë të huaja.
U rikthye i buzëqeshur, madje edhe sot buzëqeshja e tij nuk ka humbur.
E habitshme, por e vërteta është kjo. Sot Dashi është rikthyer në Shqipëri, pas një qëndrimi të gjatë mbi dy dekada në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Me dëshirën për të jetuar dhe kontribuuar në atdhe më rrefeu një tjetër pasion të fshehur të tij, natyrën. Dhe mbi këtë rrëfim unë e përlotur pata kënaqësi të bisedonim gjatë…
Kryeministri përjashton institucionet dhe ndërton shtetin paralel, tërësisht të tijin. Firma fituese e tenderit ka të drejtën e propozimeve të ndryshimeve ligjore në sistemin tatimor e të bëjë PR-në.
Duhet të ketë 16 ekspertë që të kenë punuar 10 vjet në Ministrinë e Financave ose Administratën Tatimore të një shteti anëtar i BE. Me cilën kompani të huaj ka bërë pazar kreu i qeverisë?!
Edi Rama nuk rresht së habituri shqiptarët dhe më gjërë me atë që po i bën shtetit, ligjit dhe Kushtetutës së vendit, teksa i shkel çdo ditë në çdo gërmë të saj.
Dhe nuk po bën gjëra të rëndomta apo nga ato karikaturat që zhgarravit herë pas here gjatë mbledhjevetë qeverisë, takimeve me zyrtarë vendas apo të huaj, por po kalon dora dorës tërë frenat e shtetit në dorë të oligarkëve që janë klientelë e tij.
Këtë radhë e ka filluar me sistemin tatimor, pikërisht aty ku rrjedhin paratë që mbajnë në këmbë një shtet normal. Megjithëse Shqipëria nuk është një shtet normal, pasi ka kohë që është jo në gjunjë por shtrirë dhe në grahmat e fundit.
Dhe pikërisht për të bërë një sistem të ri tatimor apo modul të ri sikurse precizohet, kërkohet që të përjashtohet nja ligj-bërja. Parlamenti shqiptar dhe deputetët e Kuvendit dhe atë ta marrin në dorë kompanitë dhe oligarkët e Ramës.
Dhe ndërtimin e “shtetit paralel”, jashtë sistemit të Kushtetutës dhe ligjeve shqiptare, Rama e ka nisur ta bëjë përmes një institucioni që varet tërësisht prej tij.
Më konkretisht, AKSHI ose ndryshe Autoriteti i Shoqërisë Kombëtare të Informacionit, ka hapur një tender me vlerën e çmendur prej 1.87 miliard lekësh të reja.
Ky tender është hapur dhe do të funksionojë vetëm për përmirësimin e një moduli të sistemeve tatimore shqiptare, pavarësisht se po të lexohen letrat e tenderit, tashmë publik në APP, nuk kuptohet se cilit model (ekzistues apo jo) i referohet.
Do të japim detaje në ditët në vijim për këtë tender që mbart shumë problematika, por le ta nisim nga dy çështje tepër sensitive dhe që tregojnë që eleminimi i shtetit dhe ligjit ka nisur që në krye të herës.
Së pari, ky tender do t’i japë të drejtën firmës që e fiton (ofertuesi në letrat e tenderit) që të propozojë ndryshime ligjore në tërë sektorin tatimor!
Pra ajo çka është një e drejtë kushtetuese (neni 81) vetëm për deputetët e Kuvendit të Shqipërisë dhe e 20 mijë qytetarëve, do t’i jepet një subjekti privat të vetëm, cili fiton këtë tender, me sa duket të paracaktuar nga Edi Rama dhe që pret ta realizojë përmes AKSHI-t.
Jo vetëm kaq, por kjo qeveri që aq shumë e vuan PR-in kërkon që fituesi i kontratës të garantojë dhe tërë procedurat e PR-it.
Konkretisht në termat e tenderit thuhet ndër të tjera se fituesi duhet të “Përgatisë përgjigje për gazetarët dhe publikun e interesuar, duke përfshirë edhe kohën gjatë fushatës afirmative të zbatimit të sistemit të ri” apo “Mbështetje në lidhje me prezantimin publik të kuadrit të ri ligjor”.
Jemi mësuar me Ramën, por kjo është risi dhe për standardet e kësaj qeverie, ku tashmë gjithë menaxhimin e imazhit për këtë përmirësim ligjor të modulit të sistemit tatimor do ta ketë kompania fituese e paracaktuar nga Rama.
Pika tjetër janë kushtet që u kërkohen ofertuesve. Konkretisht, ofertuesi duhet të ketë 21 ekspertë kryesorë, prej të cilëve 16 duhet të kenë “Të paktën dhjetë (10) vjet përvojë pune në Ministrinë e Financave ose AdministratënTatimore të një shteti anëtar i Bashkimit Evropian”!
Pra, ofertuesi laj-thaj duhet të jetë një firmë e huaj, me njëfarë lidhje me një shtet (ballkanas me shumë gjasa) që punon me ministrinë e një shteti të Bashkimit Evropian.
Duke përjashtuar në mënyrë taksative të gjitha kompanitë shqiptare, të cilave dhe po t’ua mbledhësh gjithsej të gjithë ekspertët, nuk i bëjnë 21 të tillë e jo më të kenë 16 prej tyre që të kenë punuar madje as te Ministria shqiptare e Financave dhe në Tatime. Jo më të kenë qënë pjesë e administratës së Ministrisë së Financave apo tatimeve të një vendi të BE.
Teksa merr në analizë të gjithë këto elementë që parashikon tenderi i hedhur në “treg” nga AKSHI, vetëvetiu shtrohet pyetja: kujt të huaji ia ka garantuar këtë tender Rama? Pjesë e cilit pazar me ndërkombëtarët është ky tender?
Dhe për më tepër, është koshient AKSHI për shkeljen e ligjit dhe Kushtetutës që po bën, duke hedhur mbi 18 miliardë lekë për një tender që do të zhbëjë shtetin shqiptar dhe ligjet e tij për sa i përket sistemit të Tatimeve? Se fundja AKSHI e ka “firmën” në tender!/Pamfleti/
Një raport i Institutit të Studimeve Politike hedh dritë mbi qasjen e anëtarëve të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit ndaj subjekteve duke u bazuar në numrin e vendimeve për shkarkim apo konfirmim të dhënë prej tyre.
Një analizë statistikore e Institutit të Studimeve Politike (ISP) e bazuar mbi vendimet e deritanishme të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, zbulon se si trupa vlerësuese është ndarë tashmë në komisionerë të “ashpër” dhe “të butë”.
Bazuar në vendimet e marra në 51 çështje të shqyrtura nga marsi deri në fillim të gushtit, ISP pas monitorimit të procesit i ka renditur gjykatësit mbi bazë të numrit të çështjeve që kanë shqyrtuar dhe qëndrimit që kanë mbajtur.
Sipas të dhënave të publikuara nga 12 anëtarë, 5 anëtare të KPK-së kanë dhënë më shumë vendime shkarkimi se sa konfirmimi. Po ashtu analiza e ISP zbulon se nga të dhënat e deritanishme, prokuroret dhe gjyqtaret femra janë konfirmuar në detyrë gati dy herë më shumë se kolegët e tyre meshkuj.
Raporti i ISP, i publikuar të enjten po ashtu thekson se pavarësisht pritshmërive “problemi më i madh me të cilin po ndeshet reforma nuk është rezistenca politike apo kritikat nga brenda e jashtë sistemit, por boshllëku i krijuar në fazën e tranzicionit midis procesit të vetingut dhe krijimit të institucioneve të reja, si dhe vonesat e shumta në ecurinë e jetësimit të reformës dhe të institucioneve të reja”.
Megjithatë sipas raportit në fund të fazës së parë të vetingut “mund të bëhet një vlerësim paraprak për produktin e KPK dhe ecurinë e procesit të vendimmarrjes së tij” dhe po ashtu përmes një databaze mund të krahason edhe qëndrimet brenda komisionit, për të parë “komisionerët më të “ashpër” dhe ata që konsiderohen më “liberalë”.
Brunilda Bekteshi, Etleda Çiftja, Xhensila Pine dhe Valbona Sanxhaktari, janë anëtaret e KPK-së që sipas ISP-së kanë dhënë më shumë vendime shkarkimi. Lista fillon me Bekteshin që ka votuar për shkarkim në 60 për qind të çështjeve, Çiftja ka vendosur për shkarkimin në 57 për qind të rasteve, ndërsa Pine dhe Sanxhaktari – të cilat kanë numrin më të madh të çështjeve të shqyrtuara, janë shprehur pro shkarkimit në 53 për qind të rasteve.
Në këtë listë është po ashtu edhe Alma Faskaj, e cila ka mbajtur qëndrim për shkakrimin e gjykatësve apo prokurorëve në 60 për qind të çështjeve ku ka marrë pjesë, por Faskaj ka qenë pjesë e trupave gjykuese në vetëm 5 çështje.
Në krahun e “të butëve” është Firdes Shuli e cila në 82 për qind të vendimeve ka qenë pro konfirmimit të gjykatësit apo prokurorit të shqyrtuar. Pas saj me 79 për qind vendime pozitive është Roland Ilia, Suela Zhegu me 67 për qind dhe Pamela Qirko me 62 për qind. Me më shumë konfirmime se shkarkime janë edhe Genta Tafa (Bungo) drejtues e KPK-së, Lulzim Hamitaj dhe Olsi Komiçi.
Nga të dhënat e publikuara nga ISP rezulton se ka ndërkohë një ndarje të qartë gjinore mes atyre që shkarkohen dhe atyre që konfirmohen. Përqindja e gjykatësve dhe prokurorëve burra që ia dalin të kalojnë me sukes procesin e rivlerësimit është shumë më e ulët se ajo e kolegeve të tyre gra.
Sipas ISP vetëm 39 për qind e meshkujve gjykatës dhe prokurorë të përfshirë në proces rivlerësimi janë konfirmuar. Përkundër kësaj 69 për qind e femrave gjykatëse dhe prokurore kanë kaluar me sukses procesin e vetingut.
Ndërkohë sipas ISP megjithëse vendimarrjet e KPK dhe të strukturave të tjera të rivlerësimit janë të pavarura, “në disa raste ka pasur debate dhe kritika publike nëse vendimmarrjet bazoheshin në standard të njëtrajtshme për subjekte të ndryshme të rivlerësimit dhe nëse ka pasur ndërhyrje nga jashtë në vendimmarrje”.
Raporti thekson se në të paktën katër raste Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit dhe Komisioneri Publik kanë apeluar vendimet e KPK-së, ndërsa në pesë raste vetë komisioni ka qenë i ndarë duke marrë vendime me shumicë votash.
Raporti po ashtu vlerëson ndikimin e krijuara nga zbatimi i reformës në Gjykatën Kushtetuese, Gjykatën e Lartë dhe mosngritjen e institucioneve të reja. Duke përllogaritur kohën e marrë për rivlerësim deri tani ISP thotë se emërimet në këto institucione mund të fillojnë në vjeshtë të këtij viti. /Birn
Në Shqipëri u bë 20 e kusur vite që flitet për varfërinë, me politikanë që akuzojnë njëri tjetrin, që çirren, e bëhen idhtarë të të pamundurve vetëm kur zbresin nga pushteti. Pikërisht këtu qëndron thelbi. Askush nuk kujtohet për njerëzit e thjeshtë sa herë fundshpinën e ka ngrohtë në poltronë, por vetëm kur ata i duhen për vota e për t’u rikthyer në pushtet. Shikoni me kujdes kush janë më të zellshmit në çështje të tilla, ata që janë nginjur, që kanë mundësi ekonomike për të ndihmuar, por kurrë s’ndihmojnë. Janë ata që nuk kanë bërë kurrë njëherë këpucët me baltë, e që palltot, xhaketat e takat e larta u kushtojnë sa të ardhurat pesë vjeçare të familjeve normale shqiptare.
E sigurisht shumica e tyre nuk janë pasuruar nga puna e ndershme kjo ndoshta është pjesa më e lehtë për tu kuptuar dhe më e dhimbshmja për t’u pranuar. Më e lehta sepse pavarësisht historive të ndryshme, në një pikë të gjithë bashkohen, paratë apo pasuritë e patundshme u kanë mbirë nga hiçi dikujt përmes dhuratave, dikujt përmes konsulencave e zyrave juridike, e dikujt prej “aftësive” në organizmat ndërkombëtare apo në biznes. Thuajse të gjithë pasanikët e parlamentin kanë patur një fat të tillë.
E më pas pjesa më e vështirë për t’u pranuar është se ky takëm nuk do t’ja dijë për asgjë, e në të njëjtën kohë të shet broçkulla e teatro sikur po mbrojnë kauza që lidhen me ekonominë e shqiptarëve. Sa turp, sa e pështirë dhe e ndyrë , kur në opozitë përdoret një maskë, ndërsa në pushtet fytyra e vërtetë. Këtë dyfytyrsi nuk është e vështirë ta dallosh, sepse ata janë gjithmonë të parët ne rreshtin e të prekurve, e atyre që qajnë e mërmërijnë për problemet sociale, por që vetë jetojnë në luksin e parave të grabitura, e fondeve të përvetësuara.
Në fund asgjë nuk ndryshon. Këta rizgjidhen të emëruar nga kryetarët, ndërsa shqiptarët shohin qeverinë e dikurshme t’u thotë sesi do t’i shpëtojë e ndërtojë një të ardhme më të mirë. Ironike apo jo, ky është realiteti, kjo është Shqipëria, këta janë të fryrët që na drejtojnë, e këta jemi ne që vazhdojmë e vazhdojmë e vazhdojmë t’u besojmë, pa i zënë kurrë me kërbaç siç në fakt do të duhej.
Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit ka kërkuar shkarkimin e prokurorit të Krimeve të Rënda Gentian Osmani, i cili njihet si prokurori që kërkoi arrestimin e ish-ministrit Saimir Tahiri. Kërkesa për shkarkimin e tij vjen pasi Osmani u konfirmua në detyrë nga KPK pak javë më parë.
Rekomandimin për ta ankimuar në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për konfirmimin në detyrë të z. Gentian Osmani, ONM-ja ia ka paraqitur sot Komisionerëve Publikë. Komisioneri Publik do ta shqyrtojë rekomandimin e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit pasi t’u jetë njoftuar vendimi me shkrim i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.
Bazuar në pikën 7, të nenit 55, të ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka 30 ditë afat për t’ia njoftuar vendimin me shkrim Komisionerëve Publik.
Bazuar në pikën 1, të nenit 63, të ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, Komisionerët Publikë, brenda 15 ditëve nga data e njoftimit të vendimit nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, kanë të drejtë të paraqesin ankim pranë Kolegjit të Posaçëm të Apelimit.
Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”. Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.
Sipas raporteve të KPK-së, Osmani nuk kishte probleme me pasurinë, duke u konfirmuar edhe nga DSIK për pastërtinë e figurës dhe përshtatshmërinë për të qënë prokuror. Osmani është i njohur si prokurori që kërkoi arrestimin e ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri.
Një sasi prej 27 ton miell gruri më origjinë greke për shkak se nuk kishte fletë analizë që konfirmon sigurinë e produktit është bllokuar nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit.
“Konkretisht, trupa inspektuese e DRAKU, Gjirokastër gjatë kontrollit të ushtruar në Pikën Doganore Kakavijë konstatoi se një subjekt i cili pretendonte të fuste në Shqipëri produktin “ miell gruri” kishte pa rregullsi në vërtetësinë e dokumentacionit që shoqëronte ngarkesën. Saktësisht, fleta e analizës e paraqitur nga subjekti nuk korrespondonte me të dhënat e stampuara në thasët e miellit të grurit. Pra, nuk vërtetohej se kjo fletë analize i përkiste këtij produkti si dhe nuk garanton sigurinë dhe cilësinë e miellit që do të hynte në tregun tonë. Për më tepër subjekti nuk dispononte në gjuhën shqipe certifikatat e sigurisë ushqimore bazuar legjislacionit në fuqi”, thuhet në njoftimin e AKU.
AKU thotë se do të ndjek procedurat doganore për kthimin në origjinë.
Më tej në njoftim thuhet se Autoriteti Kombëtar i Ushqimit me qëllim garantimin e sigurisë ushqimore, i bën sërish thirrje edhe operatorëve të biznesit ushqimor që të jenë të kujdesshëm në blerjen e lëndëve të para – produkte shtazore dhe jo shtazore duke kërkuar e marrë nga furnitorët vetëm produkte me etiketë dhe të shoqëruara dokumentacion të plotë veterinar e fiskal – pasi është një detyrim ligjor i tyre përveçse përbën një masë tepër të rëndësishme për sigurinë ushqimore të klientëve të tyre.
Gazeta franceze, “Journal des débats politiques”, ka botuar, të mërkurën e 7 majit 1913, në faqen n°2, një shkrim në lidhje me intervistën e patriotit shqiptar, Isa Boletini, dhënë në Londër për prestigjiozen “Daily Telegraph”.
Si e përshkruanin perëndimorët atdhetarin shqiptar? Çfarë ka shprehur ai për median britanike? Në vijim, do të gjeni tekstin e plotë, të sjellë në shqip nga Aurenc Bebja – Blogu “Dars (Klos), Mat – Albania”:
Isa Boletini dhe problemi shqiptar
Isa Boletini, patrioti shqiptar, armiku i betuar i serbëve dhe grekëve, dhe nesër, nëse është e nevojshme, kundërshtari i pamëshirshëm i një ndërhyrje austro-italiane në vendin e tij, ndodhet në këtë moment në Londër.
Një gazetar i Daily Telegraph ka bërë me të një intervistë interesante; Isa Boletini vë në dukje meritat e ish-regjimit turk. Abdul Hamidi i vlerësonte shqiptarët.
Në vitin 1902, ai e thirri Isa Boletinin në Kostandinopojë dhe e vendosi atë në krye të gardës së tij duke i vënë titullin Bej.
Isa Boletini qëndroi në Kostandinopojë për katër vjet dhe pastaj u kthye në Shqipëri. Ai jetonte që prej tre vitesh në afërsi të Mitrovicës, kur filloi Revolucioni Xhonturk.
Shqiptarët në 1908 kërkuan “Kushtetutën”, por Isa Boletini, që nga ai moment, u tregua i shqetësuar. Xhonturqit, të vetëdijshëm për ndjenjat e atij lideri, kërkuan ta shtypnin atë. Xhavit Pasha e sulmoi atë papritur me trupat që kishte në dispozicionin e tij.
Por Isa Boletini mundi të shpëtojë, megjithëse me një dëmtim të rëndë në shpatull. I larguar nga Mitrovica, Isa Boletini u tërhoq në Pejë, dhe më pas u strehua pranë Malësorëve të Gjakovës.
Atje, ai organizoi një rezistencë serioze. U zhvilluan luftime ku turqit u rrahën.
Ngjarjet e pranverës së vitit 1909 detyruan kthimin e trupave turke në Kostandinopojë, por vitin e ardhshëm një ushtri turke u kthye në Shqipëri për të dënuar rebelët. Isa Boletini, i mundur në Kaçanik, në vend se të dorëzohej, u strehua në Mal të Zi.
Një vit më pas, në krye të trupave të tij, Isa Boletini hyri në Pejë, Gjakovë, Prishtinë dhe Shkup : “Kështu, unë kisha arritur qëllimin e përpjekjeve të mia, ekzistencën e Shqipërisë, e kërcënuar nga xhonturqit. Ne ishim duke përfunduar një marrëveshje me Ahmet Muhtar Pashën kur shpërtheu lufta aleatëve.”
Isa Boletini gjendet aktualisht në Londër për të mbrojtur çështjen e pavarësisë së Shqipërisë pranë Fuqive të Mëdha.
Isa Boletini nuk i pranon kufijtë e vendosur për Shqipërinë nga Konferenca e Londrës.
Shqiptarët kurrë nuk do të pranojnë sundimin serb. Ata nuk e pranojnë parimin e hekurudhës komerciale (tregtare) që i është dhënë Serbisë: “Gjithë jetën time, deri në çlirim apo në vdekje, unë do të luftoj serbët, grekët, malazezët, italianët, austriakët.”
Duke thënë këtë, shefi patriot shqiptar shfaqte një agjitacion dhe ekzaltim ekstrem.
Lufta e Dytë Botërore, ndryshe nga luftrat e mëparshme, në një mënyrë ose në tjetrën e përfshiu të gjithë popullin shqiptar.
Ajo shërbeu si një katalizator i madh social, ku klasat dhe shtresat e ndryshme të shoqërisë shqiptare u diferencuan qartë përballë detyrës imperative të momentit, që ishte lufta kundër pushtuesit nazifashist, për çlirimin dhe rivendosjen e pavarësisë së shtetit shqiptar.
Qysh në orët e në ditët e para të pushtimit, në krah të pushtuesit italian u evidentua qartëgrupimi i kuislingëve dhe i kolaboracionistëve.
Nuk qe një rastësi, që ky grupim përfaqësohej nga pinjollë të bejlerëve, krerëve e bajraktarëve të mëdhenj të jugut e të veriut të Shqipërisë, të asaj klase, që kishte qenë mbështetja kryesore e pushtetit osman dhe më vonë, shkaktare e destabilitetit dhe e dobësisë së shtetit shqiptar në dekadat e para të shek. XX.
Shefqet Vërlaci, Eqrem Libohova, Eqrem bej Vlora, Kadri Cakrani, Qemal Vrioni, Kol Bib Mirakaj, Isa Toska, Preng Previzi, Vizhdan Risilia, Fiqiri Dine, Marka Gjoni, Muharrem Bajraktari, Xhafer Deva, Selim Kaloshi, Halil Alia, Hysni Dema janë disa nga emrat që i gjejmë në top-listën e kolaboracionistëve shqiptarë gjatë Luftës II Botërore.
Këtyre iu bashkuan edhe përfaqësues të veçantë të inteligjencës liberal-konservatore, si Mit’hat Frashëri, Abaz Ermenji, Skënder Muço, Ali Bej Këlcyra, Safet Butka, Bahri Omari, Mustafa Kruja, Koço Kota, Mehdi Frashëri, Lef Nosi, Rexhep Mitrovica, Hasan Dosti, Kolë Tromara, Vasil Andoni.
Disa prej tyre ishin veteranë të Lëvizjes Kombëtare ku kishin përfaqësuar krahun konservator të saj, që pavarësimin e Shqipërisë dhe themelimin e shtetit shqiptar, e kishin parë jo aq shumë si rezultat i mobilizimeve të mëdha popullore, se sa si rezultat i konjukturave e traktativave politike.
Pozicionimin e tyre në krah të pushtuesit, përfaqësuesit e këtij grupimi heterogjen u munduan ta përligjin ideologjikisht me antikomunizmin dhe nacionalizmin e tyre.
Në këtë kuptim, do ia vlente një analizë e sjelljeve dhe e qëndrimeve të elitës së vjetër shqiptare në vitet e Luftës II Botërore, për të parë se ç’qëndron e ç’nuk qëndron në këtë “antikomunizëm” e “nacionalizëm” të pretenduar të tyre.
Nuk mendojmë se duhen përfshirë në këtë analizë ata krerë e bajraktarë krahinash, analfabetë e injorantë, tek të cilët antikomunizmi nuk ishte aspak një qasje ideologjike, por ishte thjesht një qasje pragmatike, që përcaktohej nga bindja se krijimi i një shteti kombëtar modern, do të thoshte fund i pushteteve dhe autoriteteve të trashëguara, fund i strukturave të vjetra politiko-juridike, që bazoheshin kryekëput në izolimin krahinor, në klientelizmin, në mercenarizmin, në analfabetizmin dhe në një folklorizëm primitiv, që akoma në shek. XX e përfaqësonte Shqipërinë me gjakmarrjen dhe kanunin.
Në këtë kuptim, krerët tradicionalë nuk mund të pajtoheshin me ndërtimin e një shteti modern, pak rëndësi kishte nëse bëhej fjalë për një shtet republikan, monarkik apo komunist.
Në fund të fundit, ata patën të njëjtin konflikt si me qeverinë e Ismail Qemalit, ashtu edhe me atë të Princ Vidit, të Ahmet Zogut e të Enver Hoxhës. Ekzistenca e tyre ishte pengesa e fundit për realizimin e shtetit kombëtar, ashtu siç e kishin projektuar Shqipërinë ideologët e nacionalizmit shqiptar, si shtet unitar, si shtet ligjor e si shtet evropian.
Në fakt, një nga arritjet e Luftës Antifashiste ishte zhdukja e pushtetit anakronik e ilegjitim të këtyre krerëve, që u bënë njësh me pushtuesin.
Pëllumb Xhufi
Mbi antikomunistët dhe anglezët
Antikomunistët e vërtetë, pra, duhen kërkuar gjetkë, tek njerëz të mendjes e të penës, si Mustafa Kruja, Patër Anton Arapi, Mithat Frashëri, Skënder Muço, Ali bej Këlcyra me shokë.
Por antikomunizmin e tyre këta nuk arritën ta kolaudonin me atë që ishte prova e zjarrit e momentit historik, duke u angazhuar në luftën antifashiste, siç bënë forcat demokrate e republikane në Itali, Francë e gjetkë në Evropë, të cilat dolën nga lufta me kredenciale po aq të forta sa komunistët falë pjesëmarrjes së tyre në rezistencën antifashiste.
Antikomunistët shqiptarë, të grumbulluar rreth organizatave të “Ballit Kombëtar” e “Legalitetit”, në rastin më të mirë qëndruan në pritje, dhe në rastin më të keq bashkëpunuan me pushtuesin.
Sigurisht, rasti i Mustafa Krujës është një rast ekstrem. Kruja pretendonte se pranoi ta marrë përsipër drejtimin e qeverisë kuislinge në kushtet kur “organizatat komuniste ishin gjallëruar” dhe kur ai e ndjeu si detyrën e vet “shkuljen e komunizmit”.
Por, a thua vërtet të ketë qenë “antikomunizmi” ai që e shtyu Mustafa Krujën të bëhej kryeministër i një prej qeverive kuislinge më të urryera të historisë së Shqipërisë? Ka pak të ngjarë, përderisa në dhjetorin e vitit 1941, kur ai u emërua nga Musolini, komunizmi ishte shumë larg së pushtuari mendjet dhe zëmrat e shqiptarëve, të cilët atë kohë vuanin një të keqe konkrete e të përditshme, që ishte pushtimi fashist.
Pikërisht këtu qëndron thelbi i problemit: Mustafa Kruja ishte një fashist i bindur, dhe për fatin e keq të tij, antikomunizmi i një fashisti ishte krejtësisht jashtë kohe dhe i pavlerë në një kohë kur demokracitë e mëdha, SHBA e Britania e Madhe ishin bashkuar pikërisht me bastionin e komunizmit, BRSS, për të mposhtur fuqitë e boshtit nazifashist.
Diçka më shumë se Mustafa Kruja mund ta luanin kartën e antikomunizmit personalitete si Ali Këlcyra, Abaz Ermenji, Skënder Muço apo edhe vetë Abaz Kupi.
Të bindur, dhe me të drejtë, se aleatët anglo-amerikanë nuk e dëshironin një qeveri komuniste pas luftës, këta e justifikonin inaktivitetin, apo edhe bashkëpunimin e tyre me pushtuesin, me nevojën për të ruajtur të paprekura forcat e tyre, të cilat do t’i përdornin pas largimit të gjermanëve për të mënjanuar ardhjen në pushtet të Frontit Nacional Çlirimtar të drejtuar nga komunistët.
Në 15 shkurt 1944, përfaqësuesi i Ballit Kombëtar, Skënder Muço, i përgjigjej me këto fjalë akuzave të majorit amerikan Kuejl (Quayle) lidhur me bashkëpunimin e BK me gjermanët: “Po, ne jemi vënë në krah të gjermanëve për të mundur komunistët dhe ndikimin e FNÇl: një ditë gjermanët do largohen nga Shqipëria, por kush do t’i largojë komunistët”?
Një arsyetim identik përdorte edhe Abaz Kupi ndaj ushtarakëve të misionit britanik të atashuar pranë tij, kur këta e nxisnin të kryente ndonjë aksion kundër gjermanëve.
Nuk mund të mohohet, se justifikimi i inaktivitetit apo i kolaboracionizmit me nevojën për të luftuar komunizmin, ngjiti sidomos tek disa oficerë të misioneve ushtarake angleze, si J. Amery, D. Smiley, Billy McLean dhe tek ndonjë shef i tyre në Londër e në Kajro.
Këta, siç pohon një tjetër oficer anglez, J. Naar, përveç detyrës për të nxitur sulmet kundër gjermanëve, “punonin edhe për të zbatuar një axhendë anti-partizane e anti-komuniste”.
Në pranverën e vitit 1944, majori britanik, Philip Leak, insistonte se, pavarësisht qëndrimit pritës apo bashkëpunimit të hapur me gjermanët, BK e zogistët duhet të mbështeteshin nga aleatët në vështrim të “një kryengritjeje të përgjithshme në fund të luftës”.
Me nota miratuese, në 19 prill 1944 majori Seymour i raportonte Londrës se Kupi “është duke u përgatitur për luftë civile pas largimit të gjermanëve” (is preparing for Civil War after the Germans leave).
Jo të gjithë oficerët britanikë që vepronin në Shqipëri ishin dakord me politikën e mbështetjes së ballistëve e zogistëve, aq më shumë që tashmë ishte e qartë se ishte shuar çdo shpresë për t’i përfshirë ata në luftime kundër gjermanëve.
Në 7 qershor 1944, majori Watrous e paralajmëronte eprorin e tij në Kajro, Boxshall, se “çdo mbështetje e mëtejshme për Abaz Kupin, me gjasa do t’i shërbente vetëm shpërthimit të luftës civile dhe do t’u krijonte shqetësime operacioneve të partizanëve kundër gjermanëve”. Duhet thënë, se misioni ushtarak amerikan OSS nuk u përfshi në këtë lojë të dyfishtë.
Pasi krijuan bindjen se kush luftonte e kush bashkëpunonte, amerikanët vendosën t’i atashonin misionet e tyre vetëm pranë Shtabit të UNÇl.
Abaz Kupi e Mitat Frashëri, Londër 1949
Kalimi në veri
Gjithsesi, kur Divizioni I kaloi në veri dhe sidomos kur ai u angazhua në luftime të gjata e të përgjakshme për çlirimin e Peshkopisë, Dibrës, Krujës etj., vetë britanikët e atashuar tek Abaz Kupi e krerët e Dibrës, patën rastin të konstatojnë nga afër epërsinë dërrmuese të forcave partizane ndaj atyre “nacionaliste”, tek të cilat më kot shpresuan se “do hidhnin ndonjë pushkë” kundër gjermanëve, e sidomos se do ndalnin ardhjen e komunistëve në pushtet pas luftës.
Luftimet e ashpra mëse dy-mujore të angazhuara prej Divizionit I për çlirimin e Peshkopisë dhe të Dibrës, që ishte lufta e parë frontale që UNÇl përballonte me forcat gjermane, e bindën Londrën përfundimisht se Ushtria Nacional Çlirimtare ishte një forcë e jashtëzakonshme goditëse, se kalimi i Divizionit I në veri nuk kishte qëllim eliminimin e Abaz Kupit dhe nuk bëhej për qëllime të luftës civile, por për çlirimin e qendrave kryesore; jo më kot, pas marrjes së Peshkopisë, anglezët rifilluan furnizimet nga ajri, me armë e pajisje, për forcat partizane.
Dhe së fundi, dalja e Divizionit I në veri, e shoqëruar nga një galvanizim i popullsive të atyre viseve dhe me bashkimin e tyre me formacionet partizane, i bindi përfundimisht anglezët, se Abaz Kupi përbënte një faktor të papërfillshëm dhe se kishte qenë kohë dhe energji e humbur investimi i bërë prej tyre në favor të të ashtuquajturve nacionalistë.
Kishin kaluar plot 10 muaj nga koha kur, në 17 dhjetor 1943, nga Orenja gjenerali Edmund Davies i kishte rekomanduar qendrës për t’u dërguar një paralajmërim të fundit ballistëve e zogistëve, që tashmë bashkëpunonin hapur me pushtuesit gjermanë: “Mendoj se qëndrimi i aleatëve duhet të bëhet publik menjëherë, duke deklaruar fort, se kuislingët, tradhtarët dhe ata që nuk luftojnë kundër gjermanëve do të marrin ndëshkimin që u takon dhe në kohën e duhur nga aleatët.
Shqiptarët e kanë bërë këtë lojë kuislingësh në vazhdimësi me turqit, italianët dhe tani edhe me gjermanët. Ata besojnë se do të bëjnë të njëjtën gjë edhe me aleatët. Prandaj rekomandoj të bëhet një deklaratë e hapur në favor të Frontit Nacional Çlirimtar”.
Kalimi i Divizionit I në Veri dhe përmbysja e madhe që ai solli në frontin e luftës dhe në rikonfigurimin e raportit të forcave, i dha fund shpresës së britanikëve për ta faktorizuar Abaz Kupin dhe krerët e tjerë zogistë si një alternativë serioze ndaj FNÇl. Kështu, në shtator 1944, McLean, Smiley e Amery, oficerët anglezë që mbështetën deri në fund Kupin, shpeshherë edhe duke dizinformuar Londrën për forcën e tij reale, u udhëruan ta braktisin atë dhe të kthehen në atdhe.
Balli, Legaliteti dhe teoria e jug-veriut
Në raportet e misionarëve anglo-amerikanë, organizatat e “Ballit Kombëtar” e të “Legalitetit” emërtohen zakonisht si organizata nacionaliste. Në fakt, Kosova dhe Shqipëria etnike zinin vendin kryesor në propagandën e përditshme të këtyre dy forcave politike.
Mbi të gjitha, këto ishin dy tema, që ata mendonin se u siguronin epërsi në ballafaqimin me kundërshtarin e tyre kryesor, Frontin Antifashist dhe me PK dhe që shpëtonin disi imazhin e tyre të kompromentuar nga bashkëpunimi me gjermanët e me qeverinë kuislinge. Megjithatë, dy oficerë anglezë, Ridell e Hibbert, e vinin seriozisht në pikëpyetje ndershmërinë e tyre, kur raportonin se ballistët e zogistët “vërtet flasin gjithë ditën për nacionalizmin, por vështirë të gjesh në sjelljet e veprimet e tyre edhe shenjën më të vogël të nacionalizmit”.
Nga ana e tij, Julian Amery e ilustron fare mirë se cili ishte koncepti i Abaz Kupit mbi atdheun, mbi patriotizmin dhe mbi vetë historinë e Shqipërisë, kur riprodhon një pohim që Abaz Kupi ia kishte bërë atij në një moment sinqeriteti: “Për njëmijë vjet ne Gegët kemi sunduar mbi Toskët dhe tani, me sa duket, ka ardhur radha e tyre të sundojnë mbi ne”.
Mustafa Kruja
Ky koncept antirilindas dhe antishqiptar, që ekzaltonte armiqësinë mes Veriut e Jugut në një moment kur vendi ishte i pushtuar nga gjermanët, kishte qenë artikuluar qysh herët në nivelin e një platforme ideologjike nga kuislingu Mustafa Kruja. Sejfi Vllamasi, në vitet 1920, e akuzonte Mustafa Krujën si “teoricienin e flaktë të filozofisë idiote të luftës mes Gegëve e Toskëve”.
Për të njëjtën arsye, në 1925, edhe Faik Konica e godiste hidhur ish- dishepullin e Esad Pashës, Mustafa Krujën pra, “një bandit pa skrupull… e spiun i mbaruar…që vazhdon akoma propagandën e tij të vjetër kundër Toskëve. Mustafa Kruja e di se udha më e lehtë për të dobësuar Shqipërinë e për të prishur shtetin është të kallet mosbesim mes Toskëve e Gegëve. Le të shpresojmë se shqiptari s’do bëhet vegël e këtij vagabondi”.
Si për të vërtetuar se ishte vërtet i tillë, në 18 korrik 1944 Mustafa Kruja u drejtoi një thirrje bashkëqytetarëve të tij krutanë për t’u përgatitur për luftë kundër Jugut “komunist” që, sipas tij ishte lëshuar të pushtonte Veriun.“Ne s’kemi shkuar për t’i kërkuar këto bisha në strofkull të vet, atje larg në Toskëri, por sot na kanë ardhë ata te shtëpitë tona… Mos t’i lemë të shkelin vatrat tona e të bëjnë qejf me gratë e vajzat tona”.
Kjo ideologji e përçarjes gjarpëronte, ku më shumë e ku më pak, tek të gjitha rrethet kuislinge të veriut dhe e dha grahmën e fundit të saj, në janar 1945, gjatë kryengritjes së Koplikut kundër qeverisë së Tiranës, të cilën dikush vazhdon ta pagëzojë si kryengritjen e parë antikomuniste në Evropë.
Në traktin e shpërndarë prej organizatorëve të saj, ndër të cilët edhe mjaft ish-funksionarë e milicë fashistë, qeveria e Tiranës nuk sulmohej si qeveri komuniste, por si një qeveri “që ishte thjesht e toskëve dhe prej së cilës gegët nuk do fitonin asgjë”.
Mendjelehtësia e baballarëve dhe disa pakte skandaloze
Është pikërisht kjo urrejtje ndërshqiptare, e ushqyer tinëzisht nga pushtuesit e huaj dhe nga bajraktarë e, ndonjëherë, edhe klerikë të caktuar, që shpjegon brutalitetin me të cilin u sollën bandat e Xhafer Devës, Halil Alisë, Hysni Demës, Selim e Dan Kaloshit ndaj popullsisë civile në Tiranë, Vlorë apo Berat. Masakrat e kryera prej tyre nuk shpjegohen me kinse “nacionalizmin” e “antikomunizmin” e tyre. Për këta kuislingë mendjengushtë, që makar flisnin ditë e natë për Shqipërinë e Madhe, atdheu fillonte e mbaronte tek kufijtë e katundit e të krahinës së vet. Individë të tillë nuk kishin të bënin fare me nacionalizmin e mishëruar në programin e Rilindjes Kombëtare për një Shqipëri të bashkuar në një shtet unitar.
Por, nuk ishte më i mirë as “nacionalizmi” i shprehur nga ideologët dhe krerët e Ballit Kombëtar e të lëvizjes zogiste. Këta, duke u implikuar direkt ose indirekt në regjimin e pushtimit, morën pjesë në zhbërjen e pavarësisë, në humbjen e sovranitetit dhe në rrezikimin e kufijve të njohur në 1913.
Të ashtuquajturit “baballarë të nacionalizmit shqiptar” nuk kishin një projekt të tyre për Shqipërinë, por u zvarritën pas projekteve të hartuara në ofiçinat e huaja.
E pranuan “Shqipërinë e Madhe” të bërë dhuratë nga nazifashistët, pa e menduar gjatë se pas lufte ajo mund të tërhiqte në greminë edhe Shqipërinë e vogël të 1913-s. Njëherësh, si organizata e Ballit, ashtu edhe legalistët e Zogut përqafuan projektin e një federate ballkanike greko-jugosllavo-shqiptare, sapo morën vesh se për të po punohej në MPJ të Britanisë së Madhe.
Kuptohet, projekti i një federate të tillë i skicuar nga anglezët, nuk i jepte Shqipërisë as Kosovën e as Çamërinë.
Muharrem Bajraktari, Greqi 1948
Në frymën e projekteve të tilla, si ballistët ashtu edhe zogistët kryen bisedime të fshehta me serbët dhe me grekët. Në vitin 1941, Muharrem Bajraktari dhe përfaqësues të Zogut në Stamboll filluan bisedime me përfaqësues të Drazha Mihajlloviçit, eksponent serb monarkist e antishqiptar, për të ripërtërirë marrëveshjet e fshehta të bëra me Pashiçin nga Esad Pasha në 1914, dhe nga Ahmet Zogu, në 1924. Bisedimet synonin krijimin e një federate jugosllavo-shqiptare, me kusht që Jugosllavia të ndihmonte “rilindjen zogiste”, d.m.th. rikthimin e Zogut në pushtet me ndihmën e bajonetave sllave, si në vitin 1924.
Kur e pa se Mihajlloviçi nuk kishte gjë në vijë dhe në Jugosllavi po triumfonin komunistët e Titos, Muharrem Bajraktari iu përkëdhel grekëve, duke paraqitur projektin e një federate “pellazgjike” greko-shqiptare.
Ndonjë muaj më vonë, Kryetari i Ballit Kombëtar, Mit’hat Frashëri në emër të BK dhe Koço Kota në emër të zogistëve, hynë në bisedime me grekët për krijimin e një federate greko-shqiptare. Projekti i paraqitur nga ballisto-zogistët e linte Kosovën e Çamërinë jashtë kufijve administrativë të Shqipërisë dhe e vinte ushtrinë shqiptare nën urdhrat e Komandës greke.
Nëse për këtë marrëveshje nuk u ra dakord, kjo erdhi pasi Gjenerali Athanas Chryssoidou, që përfaqësonte palën greke, kërkoi shumë më tepër nga ç’ofronte Mit’hat Beu.
Kërkonte që Shqipëria të kthehej thjesht në një provincë të varur nga Athina (ekartima), ku shqiptarët do mund të zgjidhnin vetëm kryetarët e bashkive e të komunave, ndërkohë që guvernatori do emërohej nga Athina. Shqipëria nuk do kishte ushtri, do kishte vetëm një xhandarmëri dhe nuk do të kishte shërbim të jashtëm, që do të mbulohej nga Athina.
Parë nga distanca kohore, qëndrimet e të ashtuquajturve nacionalistë, të grupuar rreth “Ballit Kombëtar” e “Legalitetit”, nuk lenë vend për shumë fjalë.
Qëndrimi i tyre gjatë luftës e kompromentoi seriozisht pozicionin e Shqipërisë në Konferencën e Paqes, ku asaj u tentua t’i mohohej statusi i vendit aleat dhe ku ndaj saj u paraqitën përsëri pretendime territoriale.
Qëndrimi i tyre mbeti antikombëtar edhe pas vitit 1944, kur vazhduan të ushqejnë ëndrrën për t’u kthyer në pushtet sa me ndihmën e anglo-amerikanëve, aq edhe me atë të qarqeve shoviniste greke.
Madje, pas prishjes së regjimit të Tiranës me Jugosllavinë, në 1948, mjaft prej tyre, mes sosh edhe vetë Ahmet Zogu, i mbështetën shpresat tek “komunisti” Tito, të cilit i premtuan miqësi të pakushtëzuar, në rast se ai i ndihmonte të vinin në pushtet.
Në kushte të tilla, mund të merret me mend, se cila do të kishte qenë fati i Shqipërisë, në rast se çlirimi do ta kishte gjetur atë të drejtuar nga kjo shpurë kuislingësh e kolaboracionistësh./njekomb