Aurora

Një bisedë e panjohur me Dritëroin: Për Kosovën, Çamërinë, politikën dhe letërsinë

Nga Mihal Gjergji*

Takohem me Agollin, si gjithmonë, përzemërsisht. Ai s’mbetet kurrë pa vizitorë. Ata janë pothuajse të përditshëm dhe ndryshojnë shumë nga njëri-tjetri: politikanë, deputetë, artistë, shkrimtarë, poetë, diplomatë, gazetarë, etj. Mirëpo, të mirëpriturit e veçantë të shkrimtarit të madh, janë edhe njerëzit e thjeshtë, ata që mbajnë në shpinë barrën e halleve.

Ai ta lexon menjëherë mendimin që të tundon, mirësinë apo ligësinë që mban brenda shpirtit, të shikon në dritë të syrit, dhe sipas kokës të pret edhe “festen”. Mosha s’e pengon për të qënë vëzhgues i kujdesshëm, për të sunduar tavolinën e bashkëbisedimit, për të gjetur e peshuar mirë fjalët, për të bërë pak humor, i cili është mishëruar brenda natyrës së tij. Një sjellje çuditërisht e ngjashme me atë të Lasgush Poradecit. Poetët e mëdhenj, mbase kanë shumë gjëra të përbashkëta. Po të ndjekësh me vëmendje gjestet, fjalët, tonin e zërit, lëvizjet, bindesh që Agolli vazhdon të vigjilojë në karakollin e kohës, duke përballuar të papriturat e saj, ndërsa brenda qenies së tij, është i gjallë mendimi që ka shprehur në vargjet e veta:

“Ndodh të kem pak gjumë e të gremisem /Mbi një shkëmb si cub e si kaçak /Por si presh i zier nuk zvarrisem /Vdes diku si një Shahin Matrak“. Mbasi kemi kthyer gotat e para, që shoqërojnë kafen e mirëseardhjes, i flet Sadies t’i mbush përsëri. Atëherë , ti e kupton që je në udhë të mbarë dhe ndjek fillin e bisedës. Për moshën s’duhet të qahemi-e thyen heshtjen Agolli-duke ndezur cigaren. Në pleqëri, njeriu asnjëherë s’mund të kënaqet, por kjo s’do të thotë që të humbasim durimin. Vjen kjo e shkretë pa të pyetur, por duke të paralajmëruar pak e nga pak. Natyrshëm, biseda fillon me hallet njerëzore, pastaj kalojmë te letërsia, objekt i së cilës është edhe kjo intervistë, mirëpo, atë që s’donim ta trajtonim, zhvillimet politike, jo vetëm që bën vend si e paftuar në tryezën tonë, por zë edhe “qoshenë”. Sa më shumë t’i shmangesh politikës, ajo e gjen një mënyrë për të qëndruar përballë e për t’u futur në ritmet e ditës.

Agolli, si e mendoni të nesërmen e Kosovës? Unifikimi i ritmeve të zhvillimit mes dy vendeve të banuara nga i njëjti popull, por të ndarë nga një kufi politik, çfarë ndryshimesh mund të sjellë?

Faza në të cilën ndodhet Kosova, është e parafundit. Them e parafundit, sepse në mënyrë të natyrshme do të vijë edhe bashkimi i saj me Shqipërinë, që do të shënojë edhe fazën përfundimtare. Pjesa më e përparuar do ndihmojë tjetrën dhe në një kohë të shkurtër, do bëhet edhe unifikimi i ritmeve të zhvillimit. Kur të ndodhë bashkimi, Shqipëria do jetë një faktor akoma më i rëndësishëm stabiliteti në Ballkan.

Po për Çamërinë, çfarë mendoni. A duhet të shpresojnë çamët për trojet e tyre?

Ka një ndryshim rrënjësor mes Kosovës dhe Çamërisë. Atë që serbi s’mundi ta realizonte dot në Kosovë, fatkeqësisht e realizoi greku në Çamëri. Kosova është e banuar nga shqiptarët, ndërsa Çamëria është zbrazur prej tyre, me mënyrat që tashmë dihen nga të gjithë. Në këto kushte, është koha ajo që do bëjë edhe zgjidhjen e duhur, në përputhje me zhvillimet rajonale.

Meqenëse e filluam me Kosovën, cili është gjykimi juaj për krijimtarinë e Rexhep Qoses dhe vendin që zë ajo në letërsinë shqipe?

Rexhep Qosja meriton një nderim e vlerësim të veçantë, së pari si njeri dhe mandej si krijues. Ai është një atdhetar i madh që vazhdon ende të kontribuojë për popullin të cilit i përket. E veçanta është se ai shikon edhe përtej Kosovës, te shqiptarët e Maqedonisë, të Malit të zi, të Shqipërisë, edhe përtej kufirit jugor, në Çamëri, pra, është në mbrojtje të interesave kombëtare. Ai ka guxuar të mbrojë interesat e Kosovës në një kohë të vështirë, ka ndihmuar e mbështetur inteligjencën e saj. Si krijues, Rexhep Qosja është një mal i lartë në letërsinë shqiptare. Ai ka një gjykim të kthjellët, një vëzhgim të mprehtë dhe një mendim vizionar. Kontributet e tij në letërsinë shqipe janë të veçanta. Analizat e tij, kritikat, esetë apo krijimet që na ka dhënë, janë të një niveli shumë të lartë. Doja të theksoja gjithashtu, analizën e veçantë që, ky studiues i ka bërë krijimtarisë së poetit tonë kombëtar, Naim Frashërit. E ka realizuar me shumë pasion, dashuri dhe profesionalizëm. Njohja e mirë e krijimtarisë popullore dhe mandej e poezisë së kultivuar, njohja e letërsisë ballkanike dhe asaj evropiane, mënyra e krahasimit dhe analizat e bëra, tregojnë formimin e shëndoshë kulturor të këtij akademiku të shquar.

Cilën do veçonit nga veprat e Qoses?

Ato qëndrojnë denjësisht krahë njëra-tjetrës, por do të veçoja “Popull i ndaluar”. Brenda kësaj vepre, është Kosova, me djepet dhe varret e saj, ndihet frymëmarrja njërëzore, dhimbja e saj për plagët që kullojnë gjak, vikama e fëmijëve të mbetur pa prindër, psherëtimat e nënave të mbetura pa fëmijë, zëri i një populli që duan ta lënë pa të ardhme. Brenda saj, pasqyrohet përballja e madhe e popullit të Kosovës me dhunën dhe represionin serb, qëndrimi i përfaqësuesve të politikës së atjeshme shqiptare dhe inteligjencës qytetare, mënçuria dhe guximi i vetë autorit të librit, etj.

A duhet kritikuar Rexhep Qosja?

Edhe Homeri fle, është një shprehje e popullit.

Që do të thotë?…

…Që do të thotë se edhe ai mund të gabojë. Por, kritika dashakeqe, nisur nga interesa të ngushta egoizmi, smire apo paternalizmi, kurrsesi s’duhen bërë, jo vetëm ndaj tij, por ndaj çdo personaliteti të atij niveli. Për shembull, unë s’do ta mbështetja mendimin e shprehur nga Qosja, se letërsia shqipe s’ka vlera europiane, por kjo s’do të thotë që unë të filloj nga sharjet. Besoj se e ka thënë në një moment zemërimi, edhe ai është prej mishi e gjaku, si gjithë të tjerët, prandaj duhet mirëkuptuar. Ballkani është një provincë krahasuar me botën e madhe, aq më keq popuj të veçantë brenda gadishullit, por ka krijuar vlera të mëdha. Greqia p.sh, mes personaliteteve të shquara, që i ka të shumtë, ka nxjerrë edhe pesë nobelistë: Elitis, Seferis, Kazanzaqis (kandidat) etj.

Po nga Shqipëria, kë do veçonit?

Shqipëria ka nxjerrë personalitete të tjera të shquara si : Naimi, Fishta (i propozuar për Çmimin Nobel) Mjeda, Migjeni, Fan Noli etj. La Martíni do të thoshte për De Radën e madh se: vjen andej nga lindi poezia. Ne duhet të krenohemi me gjuhëtarët e pakrahasueshëm : Kostallari, Konda, Çabej etj, historianët që i kanë zili vendet evropiane, si Buda, Zamputi, Xoxi, Frashëri, Xhufi etj, studiuesit e talentuar, kritikët dhe përkthyesit shumë cilësor, etj. Unë i çmoj Esat Mekulin, Azem Shkrelin, Ali Podrimën, Agim Vincën, Ali Aliun, e të tjerë krijues të nivelit të tyre, sigurisht, për aq kontribut sa kanë dhënë. Duhen vlerësuar veprat e Ismail Kadaresë, përkthyer në shumë gjuhë dhe të njohura jo vetëm në Evropë, Fatos Kongoli për romanet e tij të fundit, Moikom Zeqo për krijimtarinë e bollshme e të arrirë, mendimin e fuqishëm poetik të Lasgush Poradecit, Fatos Arapit e Xhevahir Spahiut, lirikët e mrekullueshëm e të mirënjohur: Agim Shehu, Koçí Petriti, Jorgo Bllaci, Arben Duka etj, E megjithatë, Rexhep Qosja, duke mbrojtur çështjen kombëtare, ka mbrojtur edhe interesat e krijuesve shqiptarë, që kontribuojnë me veprat e tyre, edhe pse jo të gjithë kanë mundësi ekonomike për t’i promovuar ato në gjuhë të tjera. Kjo s’mund të bëhet veçse me ndihmën e shtetit, të institucioneve të veçanta të tij. Ndoshta, në një të ardhme mund të realizohet një gjë e tillë, për veprat më të arrira të autorëve tanë.

Ku do ta kërkonit analizën e thellë dhe forcën e arsyes: në mendimet kritike të Nolit apo Konicës?

Ka shumë gjëra që i ndajnë Nolin dhe Konicën, megjithëse i ka bashkuar çështja shqiptare. I pari është një njeri me formim të shëndoshë kulturor, i brumosur me një qytetari të spikatur. Si shqiptar, e ka provuar përkushtimin e tij shpirtëror e moral, ndaj interesave të këtij vendi. Ky burrë i madh, meriton të quhet tribun i përparimit. Si krijues, Noli është i pakrahasueshëm, si poet dhe si prozator. Këtë e kanë deklaruar edhe personalitete të kulturës botërore, bashkëkohës të tij. Si përkthyes, kryesisht i greqishtes së vjetër, anglishtes, persishtes etj, Noli ishte etalon i përsosmërisë. Në sajë të mjeshtërisë së tij, lexuesi shqiptar është njohur me Ibanjezin, Serevantesin, Khajamin, Shekspirin, Llongfelloun etj. Ai themeloi kishën autoqefale shqiptare, duke u bërë kështu, misionar shpirtëror në çështjen e bashkimit kombëtar. Ndërsa për Konicën, nuk di që të ketë filluar një punë dhe ta ketë shpurë deri në fund. Megjithëse me një formim të plotë, të zgjedhur dhe të pandërprerë, beu i ri i Konicës, s’mundi të zhvishej dot nga fodullëku i oxhakut të cilit i përkiste. Brilant me prozën e tij të shkurtër, mirëpo shumë i kursyer. Kishte një informacion të shumtë për Shqipërinë dhe shqiptarët, falë gjuhëve të shumta që zotëronte, përsëri s’i hodhi në letër. S’e përfundoi librin e tij “Shqipëria-kopshti shkëmbor i Evropës Juglindore”, parathënien e së cilës e ka shkruar Fan Noli. Kishte ide interesante dhe mjaft të përparuara për gjuhën shqipe, për të gjetur një zgjedhje të vlerave më të mira mes toskërishtes dhe gegërishtes, e prapë s’e vazhdoi më tutje. Kishte meritën e botimit të revistave “Albania” dhe “Drita” që propagandonin idetë për pavarësinë e Shqipërisë, meritën e zbulimit të flamurit të Skënderbeut etj, mirëpo ishte një njeri plot kontradikta. Mbështet Esat Toptanin dhe s’përkrah Ismail Qemalin, lufton për pavarësinë e Shqipërisë dhe shpreson te mbështetja e Italisë, edhe pse e di që është pushtuese, shan vëllezërit Frashëri dhe pastaj kthehet t’i lavdërojë. Ja, ky është Konica. Mungesa e familjes, ka krijuar tek ai një zbrazëti e klimë të ftohtë, e cila mund të ketë ndikuar pastaj edhe në polemikat e tij të ndryshme.

Gjuha e ashpër e politikës ka zbritur deri tek njerëzit e thjeshtë. A do arrijë inteligjenca shqiptare të bëhet imponuese dhe të frenojë arbitraritetin e saj?

Edhe polítika është inteligjencë, madje më e kualifikuar. Teoria e dijetarëve të lashtë grekë, si Platóni etj, se: duhet të udhëheqin filozofët, e ka humbur vërtetësinë, d.m.th, ka rënë poshtë. Shkencëtarët dhe filozofët kanë shumë hamendje dhe ngrejnë dyshime pa fund, për çdo hap të hedhur, që do të thotë se mbeten në vend. Prandaj, është detyrë e politikanëve të reformojnë vendin dhe të reformohen në përputhje me kushtet dhe situatat e krijuara, d.m.th, vazhdimisht të ndryshojnë diçka brenda vetes. De Goli, pas dorëheqjes u ringrit përsëri në pushtet, mirëpo meqënse drejtoi si në kohën e luftës dhe s’mundi të ndryshonte, dështoi, Çurçilli po kështu, etj. Raste të tilla ka pa fund. Komunizmi në Shqipëri dështoi, sepse krizat e krijuara s’mund të zgjidheshin me të njëjtat mënyra dhe prona kolektive s’mundi të plotësonte nevojat e konsumit. Drejtuesit e asaj kohe s’pranonin ndryshimin brënda vetes dhe në platformat e tyre, u detyruan kështu të dështojnë. Sikur betejat luftarake t’i drejtonin politikanët dhe jo strategët, bota do vazhdonte ende të mbytej nga gjaku. Shkencëtari duhet të punojë në laboratorin e tij, akademiku në studio, kirurgu në sallën e operacionit, ushtaraku në krye të formacioneve luftarake, ndërsa shtetin duhet ta drejtojnë politikanët e shkolluar për artin e drejtimit. Inteligjenca shqiptare që është jashtë lojës politike, s’mund të ndikojë fare në uljen e tensioneve për të cilat po flasim.

Në këto kushte, ç’farë sugjeroni?

Vetëm pjesa e emancipuar e inteligjencës, pjesëmarrëse në politikë, deputetë, ministra, etj, që janë të lidhur shpirtërisht me fatet e këtij vendi, pra që janë atdhetarë, vetëm ata kanë mundësi të ndihmojnë në uljen e tensioneve dhe zbutjen e klimës politike, ndryshe, ata që s’pranojnë ndryshimin në përputhje me kushtet që krijohen, janë të destinuar të humbasin vetë, por edhe fatet e popullit të tyre. Në këto kushte, inteligjenca e pushtetshme dhe e përgjegjshme, duhet t’i kujtojë politikës se: i përjetshëm është vetëm populli, prandaj, interesat e tij duhet të dalin në plan të parë

Poezia juaj ka brenda satirën dhe vargun pamfletik, fuqinë e kompozimit, simbolikën dhe figura mjaft të realizuara e tepër intensive, karakteristika këto të përbashkëta me poezinë e Viktor Hygoit (kryesisht vargjet shumërrokësh). Si shpjegohet kjo ngjashmëri, ndërkohë që poezia juaj mund të ishte ndikuar nga ajo ruse, lirikët e mëdhenj të së cilës, jo vetëm i njihni shumë mirë, por edhe i keni përkthyer në gjuhën shqipe?

Sigurisht që kjo është një rastësi. Unë e njoh mirë dhe e çmoj shumë poezinë e fuqishme të Hygoit. Ai është ndër poetët më të mëdhenj të Francës, mirëpo, kjo ngjashmëri, e cila ndodh edhe mes autorësh të tjerë, mbase ka një gjë të përbashkët: njeriun e punës, atë që rropatet për të siguruar mbijetesën. Zhan Valzhani i tij është i pakrahasueshëm, është model i njeriut të paepur. Edhe unë kam rendur pas këtij njeriu; pas luftëtarit të pushkës në rreshtat partizane, pas njeriut të halleve në jetën e vështirë, në krahë të njeriut të penës, në fushën e dijes. Me këta personazhe kam ndërtuar romanet e mia, kam ushqyer poezinë, kam frymëzuar prozën. Pastaj, Hygoi ka qenë edhe i internuar, sepse perandori Lui Bonoparti nuk e donte. Në përgjithësi, diktatorët nuk i përkrahin krijuesit që guxojnë, ata që s’mund të jenë veçse të lirë. Veçanërisht poetët s’mund të jetojnë dot të pushtuar.

Përse të ndodhin këto?

Sepse inteligjenca bëhet pengesë për ozurpatorët. Ka dy lloj pushtuesish: të jashtëm, kur vendin tënd e pushtojnë të huajt dhe ti detyrohesh të luftosh me armë në dorë, dhe të brendshëm, kur diktaturën e instalojnë njerëzit e tu, të popullit tënd. Kjo është më e rrezikshmja dhe më e rënda peshë që mund të durojë njeriu, aq më tepër krijuesit. Shumica e krijuesve provojnë pushtimin e brendshëm, por ka edhe fatkeq që, sa rrëzojnë barrikadën e parë, atëherë kur presin të gëzojnë frytet e punës së tyre, përballen me atë që s’e presin, me pushtimin e dytë.

Franca ka njohur një qytetërim të hershëm krahasuar me vendet e tjera evropiane, apo jo?

Sigurisht. Fenomene të tilla, s’mund të quhen të tejkaluara as në vende të tjera me nivele të larta zhvillimi, pavarësisht nga madhësia e tyre. Kur klasa politike e një vendi i tradhton interesat e popullit, i cili e ka vendosur në krye, atëherë diktatura ka lindur. Kur ndarja mes politikës dhe popullit vazhdon të thellohet pa ndërprerje, diktatura është ligjëruar. Kur popullit i ka vajtur thika në kockë dhe zëri i tij s’dëgjohet, atëherë diktatura është kurorëzuar. Këto gjendje të ndera, mjerisht, i kanë provuar shumë vende, kryesisht ato të varfra dhe të tjera në zhvillim. Evropa dhe Ballkani, ende luftojnë për t’i shëruar të tilla sëmundje të rrezikshme.

Humor i hollë i Dritëroit ka lënë gjurmë në shumë tavolina bashkëbisedimi. Brenda këtyre bisedave është mençuria popullore, e denjë për të qëndruar në krah të artit modern. Cila do të jetë e ardhmja e tyre, do marrin jetë brenda kujtimeve të ardhshme apo…?

Ende s’kam marrë vendimin përfundimtar. Në një farë mënyre s’dua që të “lëndoj” ndonjë bashkëbisedues të asaj kohe, por edhe ndonjë fëmijë, nip apo mbesë të tyre që do ti lexojnë në kohën e botimit. Sidoqoftë do ta gjej një zgjidhje në varësi të kohës.

Edhe në botimet tuaja, humori është ai që shkëndion zjarrin. Si keni mundur që të ruani masën, në raport me tërësinë e veprës?

Periferitë, ose zonat urbane siç quhen sot, kanë mënyrën e tyre të jetesës, kanë edhe kulturën e tyre. Është urtësia popullore te fjala e bujkut apo bariut, është përvoja e gjatë që e mënçuron fshatarin dhe mundet kështu të përballojë e zgjidhë hallet e jetës. Unë kam jetuar në fshat deri në moshën 17-18 vjeçare, mes atij ambienti e atyre njerëzve të mrekullueshëm. Humori është pjesë e jetës së tyre. Fatmirësisht unë mora ‘pjesën time’ dhe e përdora me nikoqirllëk. Mirëpo ka një dukuri, veçanërisht humori, duhet të jetë me masë, le të themi si kripa e gjellës. Brënda këtij humori duhet ta ndjejë veten edhe autori i shkrimit, d.m.th. krijuesi. Poezia në mënyrë të veçantë, është shumë sqimatare, e kërkon humorin atëherë dhe aq sa duhet. Do të thosha se edhe veprat më serioze kanë nevojë për një dozë humori, për një rreze drite…

Po për botimet biografike, cili është mendimi juaj?

Para shumë vitesh, një kolegu im–shkrimtar, më kërkoi mendim. Donte të shkruante një roman jetëshkrimor ose monografi, për një personalitet të shquar të kohës. I thashë që të mos lodhej, mirëpo e mori si mosvlerësim ndaj personit të tij dhe u revoltua. Më tha se shoku filan është ashtu e kështu…Dakort i thashë, por a di gjë ti, se cila është jeta e tij e panjohur nga publiku, lidhjet e fshehta dashururore të kohës së rinisë, apo të sotshmet, preferencat e hershme dhe hobit e tanishme, etj. Kolegu heshti. I tregova pastaj për jetëshkrimin e Abraham Linkolnit që e kisha lexuar, sesi shkoi me tren për të marrë detyrën e re në presidencë, lidhjet e tij me punëtorët e thjeshtë, nga të cilët e shkëputi fati etj. Pikërisht, gjërat intime, të pathëna e të panjohura, e bëjnë veprën intriguese për lexuesin. Pastaj, po ta shikosh kalanë nga afër, duket vetëm porta e hyrjes, ndërsa nga larg, duken edhe kullat e vrojtimit, frëngjitë, lartësia e mureve etj. Faktori kohë është shumë i rëndësishëm, kryesisht për krijuesin, sepse piqen mendimet dhe vepra merr vlera.

Mos duhet ta konsideroj këtë si përgjigje ndaj propozimit tim, për të shkruar një monografi tuajën të ardhshme?

Aspak. Unë i lexoj me kënaqësi shkrimet e tua dhe i çmoj ato. Megjithatë, s’do të hiqja dorë nga sugjerimi që i bëra kolegut për të cilin folëm më lartë. Çdo gjë në kohën e duhur.

Mendoni se njeriu ka kohë për t’u turpëruar edhe në moshë madhore?

Jo vetëm kaq, por të shkruash për bashkëkohësit ka edhe vështirësi të tjera, të cilat përsëri i mënjanon koha.

Së fundmi, flitet për një regjistrim të mundshëm të popullsisë sipas përkatësisë fetare. A mund të quhet normale?

Deri në vitet ‘48 apo ‘50, ka ekzistuar një ligj i tillë, pastaj u hoq. Më kujtohet që kam mbushur dy herë formularin e aplikimit dhe kam shkruar: i pafe, megjithëse prindërit e mi ishin bektashinj.

Atëherë numri i ortodoksëve mund të shtohet dhe shqiptarët të dalin në minorancë?

Janë rreth një milionë shqiptarë që punojnë dhe banojnë familjarisht në Greqi, të vajtur pas viteve ‘90. Shumica e tyre, gjersa kanë ndërruar emrat, mund të ndërrojnë dhe përkatësinë fetare. Pastaj, të mos harrojmë se atdheu i të papunit është puna. Shteti shqiptar s’ka forcë t’u thotë: kthehuni këtu, se do t’iu bëj më të pasur nga ç’jeni. Si fjalë, “ortodoks” me sa di unë, do të thotë, dogmatik, i drejtë, i palëkundur, megjithëse sikush çmon vlerat e besimit të tij. Megjithatë, unë shpresoj se ortodoksët shqiptarë do ti ruajnë dhe shpien më tej, vlerat e krijuara nga paraardhësit e tyre të nderuar, pionierë të rilindjes, si Jani Vreto, Koto Hoxhi, Pandeli Sotiri, Papa Kristo Negovani etj, të cilët punuan e luftuan aq shumë për lartësimin e kombit. Në qoftë se edukata e shoqëron njeriun si roje, besimi fetar e drejton andej nga beson ai, se merr edhe bekimin e Perëndisë. Përpjekje dashakeqe do ketë, padyshim. Raqi Qirinxhiut i thanë në Greqi: ti je ortodoks dhe si i tillë, je grek. Mirë u tha Raqi, po Pjetri i madh i Rusisë, grek është edhe ai? Greqia ka meritën e themelimit të bazave të filozofisë, matematikës, fizikës, materializmit, letërsisë, por jo të ortodoksisë. Ortodoksë ka e gjithë bota. Greqia ka shumë gjak shqiptar brenda gjirit të saj, janë më shumë se dy milionë arvanitas. Po ti referohesh folklorit, një këngë e hershme thotë: Selanik e tatëpjetë/ shqiptare do të jetë… Ja që shumë zona dhe qytete të rëndësishme që ishin shqiptare dhe banoheshin prej tyre, sot s’i administrojmë ne. Koha s’mund të kthehet prapa. Në parlamentin grek, deri vonë flitej shqip, sepse shumica e deputetëve ishin me orgjinë shqiptare dhe shqipen e kishin gjuhën e nënës, madje, edhe në votimin e vitit 1931, përsëri fitoi gjuha shqipe. Mirëpo, meqenëse s’kishte alfabetin e saj dhe ishte një gjuhë që s’shkruhej, u përdor gjuha greke në vend të saj. E përsëri, kryetari i parlamentit grek, u drejtohej deputetëve me fjalën shqipe ‘pushoni’ dhe jo me fjalën greke ’skaste’. Në Groelandë, për shembull, banorët kryesorë të saj janë eskimezët dhe një pjesë mongolë. U pushtua nga anglezët, më vonë nga norvegjezët dhe në shekullin e 18-të nga danezët, por gjaku i atyre banorëve, pavarësisht nga ndryshimet e sundimeve, mbetet gjak eskimez dhe mongol.

Si i keni shpëtuar ndikimit të prindërve për besimin te Zoti?

Në fshat, kur isha i vogël, shumë i vogël, mbaja një manar, i cili më ndiqte nga mbrapa kudo që shkoja. Mirëpo një dite prej ditësh, im atë, më tha se e kishim caktuar si kurban për babain e Teqesë. S’kisha forcé të kundërshtoja, isha fëmijë, kështu që ndoqa nga pas tim atë, derisa babai i Teqesë e mori shelegun dhe i futi thikën në grykë si një katil. Mbase ky ishte momenti që brenda meje u projektua urrejtja për këta “shërbëtorë” të Perëndisë. Megjithatë, bektashinjtë, janë shumë tolerantë nga natyra e besimit, një këmbë e mbajnë në hyrje të teqesë dhe tjetrën te dera e pijetores. Baba Reshati s’mërzitet, sepse këndon edhe vetë këngë dashurie, në pritjet që u bën miqve të tij dashamirës. Naim Frashëri i ka dhënë një pamje shqiptare, bektashizmit. Po të lexosh me kujdes “Qerbelanë”, do shikosh përpjekjet e frashërlliut të mençur, se si përshkruan në mënyrë metaforike Abaz Aliun, fisnikërimin e shpirtit të njeriut, nën ndikimin e besimit te zoti, etj.

*Intervista e botuar nga Dita është shkëputur nga libri i Mihal Gjergjit me kritika letrare “Ngjyrat e Mendimit”

Një bisedë e panjohur me Dritëroin: Për Kosovën, Çamërinë, politikën dhe letërsinë Read More »

Shqiptarët janë pro amerikanë por nuk e duan Donald Trump, ja lideri i preferuar i tyre

Shqiptarët njihen si populli më pro amerikan në botë, por një sondazh i Gallup tregon të kundërtën sa i takon pëlqimit të presidentit amerikan, Donald Trump, pasi shqiptarë duket se kanë një tjetër lider të preferuar.

Gallup International ka realizuar anketën e vitit 2018 në lidhje me mendimet që kanë qytetarët e 55 shteteve për udhëheqësit botërorë. Të anketuarit janë pyetur nëse kanë mendim negativ apo pozitiv për presidentin amerikan Donald Trump, presidentin rus Vladimir Putin, presidentin turk Recep Erdogan, kancelaren gjermane Angela Merkel, si dhe liderë të tjerë.

Kosova dhe Shqipëria që të dyja kanë nxjerrë kancelaren gjermane Angela Merkel si lideren e preferuar. Në Kosovë 77% e qytetarëve kanë mendim pozitiv për Merkel, kurse në Shqipëri kjo shifër shkon në 82%.

57% te kosovarë kanë mendim pozitiv për Erdogan, kurse 47% e tyre e shohin pozitivisht presidentin amerikan Trump. 10 % të kosovarëve kanë mendim pozitiv për Putinin, kurse 59 për qind kanë mendim negativ për të.

Shqiptarët janë pro amerikanë por nuk e duan Donald Trump, ja lideri i preferuar i tyre Read More »

Ish-ministri zbulon detajin pse Rama ka braktisur Sarandë, miku i tij i dikurshërm…

Ish-ministri i qeverisë “Rama” shprehet se kryeministri ka braktisur qytetin e Sarandës për shkak të marrëdhënieve me kryetaren e bashkisë, që në fakt është një e përzgjedhur nga Koco Kokëdhima. Ylli Manjani duke reaguar për gjobën ndaj Bashkisë Sarandë thotë se e gjitha është një sjellje populiste.

Ja postimi i plotë i Ylli Manjanit në Facebook:

Gjoba.Inspektoriati mjesisor ka gjobitur Kryetaren e Bashkisë Sarandë për mos pastrim të qytetit.Lajmi ka marrë dhenë!Realiteti.Fakt është që Saranda, në çdo cm2 hapësirë publike, gjendet në Emergjencë Mjedisore!Gjoba populiste ndaj Kryetares së Bashkisë nuk e pastron mjedisin nga plehrat. Përkundrazi, shton dhe një letër më shumë në malin e plehrave të pa mbledhura.Qeveria nuk mund të braktisë qytetin, për shkak se nuk i pëlqen më Kryetarja!Braktisja dhe shoë politik për të fshehur realitetin, është dëmi më i madh i mundshëm që mund ti bëhet Sarandës dhe Turizmit!

Denoncimet.Desha të zgjedh një foto shoqëruese për ta ilustruar këtë mesazh, por është e pa mundur të ilustrohet me një foto të vetme!Është gjithashtu e vështirë të përshkruhet me fjalë tmerri i malit me plehra, lëngu i të cilave qelbi qytetin!!!Sarandaëeb, bën çdo ditë denoncime të tilla.Qytetarët ulëtasin, jo thjesht denoncojnë!Zgjidhja e problemit. Iku edhe kjo verë, me plehra! Më duket se u mësuam…Pa zgjidhje, pa shpresë…

Ish-ministri zbulon detajin pse Rama ka braktisur Sarandë, miku i tij i dikurshërm… Read More »

Ja pse Monika Kryemadhi kërcënon Arta Markun që të ketë kujdes

Lëvizja Socialiste për Integrim është një nga partitë më të akuzuara për korrupsion, kjo edhe për faktin se ka qeverisur për 8 vite rreshta me dy parti të ndryshme në koalicion. Ndaj saj ka pasur akuza se, ka lobuar me para të padeklaruara, por deri tani prokurori nuk ka ndërmarrë asnjë hetim.

Banda e hajdutëve të Metës dhe Monikës hodhën paratë e korrupsionit për fushatë, por nuk i deklaruan në ILDKPKI nga frika e burgut, vetë Monika dhe Meta u kapën nga KQZ duke lobuar me para korrupsioni, prokuroria hesht, deri tani asnjë i arrestuar, ja pse Monika kërcënon Arta Markun që të ketë kujdes

Lëvizja Socialiste për Integrim, banda më e madhe dhe e organizuar e korrupsionit në Evropë, është përfshirë vitin e kaluar në një operacion masiv, duke pastruar paratë e pista, të përfituara përmes korrupsionit me tendera, ryshfetit, lejeve, licencave dhe plaçkitjes së pasurive publike, gjatë qeverisjes 8-vjeçare, katër vite me Sali Berishën dhe katër të tjera me Edi Ramën. Në krye të pastrimit të parave qëndrojnë si gjithnjë dy pronarët e LSI, Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi, të certifikuar nga Perëndimi si dy kokat më të mëdha të krimit dhe korrupsionit në Ballkan, ndërsa janë përfshirë anëtarët kryesorë të bandës, si ish-ministra, ish-drejtorë, deputetë, këshilltarë, kryebashkiakë dhe sekserë të LSI.

Anëtarët e bandës së Ilir Metës dhe Monikës kanë hedhur një pjesë të parave të korrupsionit për fushatën në zgjedhjet parlamentare të 2017, me qëllim për të siguruar një numër sa më të madh mandatesh, për të qëndruar sërish në pushtet, për të vijuar vjedhjen. Një pjesë të parave i kanë deklaruar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, por nuk i kanë deklaruar pranë Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, për shkak se paratë janë të paligjshme, produkt i aferave korruptive. Me këtë veprim kanë konsumuar disa vepra penale, që nga mashtrimi me deklarimin e pasurisë, deklarim i rremë, pastrim parash etj.

Pjesën më të madhe të parave të pista, të planifikuara për fushatë, anëtarët e bandës, pra ish-ministra, ish-drejtorë dhe deputetë, ia kanë dorëzuar Monikës. Kjo e fundit, bashkë me Ilir Metën, kanë kaluar nëpër duar thasë me parë korrupsioni, për të blerë vota, organizuar mitingje, për lobime, etj. Kjo është vërtetuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, përmes raportit të shpenzimeve të parive për zgjedhjet parlamentare të 2017. Sipas KQZ, pjesa më e madhe e shpenzimeve të LSI janë bërë me para të paligjshme. Dhe këtu bëhet fjalë vetëm për shpenzimet e deklaruara, pasi paratë e hedhur për blerjen e votave, sigurisht që nuk deklarohen.

Krahas veprimit të bandës, duke blerë vota me para korrupsioni, vetë Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi janë kapur nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve duke lobuar jashtë vendit me para korrupsioni. Raporti është zyrtar, por prokuroria nuk vepron, pasi prokuroria nuk zbaton Kushtetutën dhe nuk mbron interesin e shqiptarëve, pasi është një vegël qorre e politikës. Nëse do të kishim një prokurori të pavarur, me raportin që ka përgatitur KQZ, Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi do të ishin arrestuar menjëherë. Në raport, KQZ e thotë qartë se “LSI ka deklaruar në raportin financiar shërbime konsulte me kompaninë MCKEON GROUP, në vlerën 1 9942 500, për të cilën nuk e justifikon me dokumentacion financiar sipas legjislacionit tatimor”.

Kjo është një tjetër arsye se pse Monika Kryemadhi hoqi çizmen në parlament kur u shkarkua derdimeni i Ilir Metës në krye të Prokurorisë së Përgjithshme, Adriatik Llalla, për t’u zëvendësuar me Arta Markun. Kjo është një tjetër arsye se pse Monika Kryemadhi e kërcënon herë pas here Arta Markun që të ketë kujdes, mos t’i hapë letrat e saj të korrupsionit. Dhe nuk duhet harruar se pastrimi i parave të korrupsionit në fushatë është vetëm një pikë në oqeanin e korrupsionit të Monika Kryemadhit dhe Ilir Metës./Pamfleti

Ja pse Monika Kryemadhi kërcënon Arta Markun që të ketë kujdes Read More »

Pse do e mbroja monstrën e Selenicës, nëse do isha avokat

Nga Edmond Bejtjaj

E megjithatë, nëse do isha avokat, do ta merrja përsipër me dëshirë mbrojtjen e atij të mjerit që vrau gjysmën e fisit të tij. Sepse shoh që dalin mbi ujë ca detaje, të cilat e heqin nga shpina e tij një pjesë të peshës së gjëmës që shkaktoi: -Imagjinoni jetën e një individi në një humbëtirë si ajo atje, mes fisit, deleve e ndonjë parcele hashash, pa shkollë, libra, shoqëri, qytetërim, e ku rrjeti social është dalja e vetme nga humbëtira.

Ai djalë paska tentuar të vrasë veten ca kohë më parë, gjë që më bën të mendoj se nuk ishte krejt pa tru e pa shpirt, e megjithatë kjo nuk u tha asgjë atyre të mjerëve të tjerë që e rrethonin, përfshirë atë plakun e familjes që tani thotë “ma sillni ta vras me dorën time”.

Madje këtij plakut nuk i thanë asgjë as akuzat që viktimat e tjera të familjes së tij i bënin rregullisht të mjerit që u kthye në monstër, duke i kërkuar pulat që mungonin në qymeze, derisa e bënë të shfrynte: Boll se do ju bëj hatanë! Kështu që unë do ta mbroja këtë vrasësin, pa ditur se kë të akuzoja më parë për gjakun që u derdh, ngaqë mendoj se aty ka shumë fajtore, po shumë fare.

Pse do e mbroja monstrën e Selenicës, nëse do isha avokat Read More »

Shqipëria e të mjerëve, Shqipëria-Çiflig e të pasurve dhe KM-ja xhingla bërës…

Nga Artur ZHEJI

Gjithmonë e më tepër nëpër mediat shqiptare, shfaqen kërpudhat e lluksit të të pasurve shqiptarë, konkurentë me më të pasurit e Europës, ndonëse vijnë nga vendi më i varfër i kontinentit.
Një pasuri dhe lluks ulëritës nga njera anë dhe një varfëri gulçonjëse nga ana tjetër, një përplasje e pafytyrë imazhesh të panevojshme, porse pasanikët shqiptarë kanë tashmë nevojë ta ulërasin pasurinë e tyre!
Duke ndjellë si pasojë ulërimën e varfërisë që është shpërthyese në të gjitha drejtimet e mundëshme, grabitje me armë, vjedhje “legjitime” shtëpish, makinash, diamantesh… sepse nevoja për ekuilibër, është një nevojë kozmike, e aq më tepër njerëzore e toksore.

Kapitalizmi primitiv shqiptar, prodhon “parvenu”me shumicë, ose si e shpegon fjalori francez që përdor këtë shprehje, parvenu-njerëz të pagdhendur dhe jofisnikë së brendshmi, që bërtasin me të madhe pasurinë e tyre, në telenovela kotësie dhe madje qesharake.
Por i njejti kapitalizëm primitiv shqiptar, prodhon përpjestueshmërisht turma varfanjakësh dhe skllevërish modern, që do të mbyllnin shpenzimet e muajit, vetëm me vlerën e make-up-it, të njerës prej buçeve të ngrehura e të zbukuruara si putana, në majëplehun e korrupsionit shqiptar.
Dhe kjo kontradiktë prodhon thelbin e agresivitetit të shoqërisë shqiptare, ku shqiptarët ndeshen çdo ditë e më shumë me padrejtësi acaruese dhe psikologjikisht të papërballueshme.
Në mungesën e shpresës, humbin arësyen, dhe dufin e nxjerrin verbërisht te dhuna, rrahjet, vrasjet e marrëzitë e tjera si këto.

Por kemi sot një KM, që nuk është tjetër veçse një kujdestar polic, që shërben si një kryeroje e kastës shqiptare, që vjedh taksat, shkel ligjet, blen gjykatat, blen ministra e liçenca, në këmbim të ortakërisë me ta.
I keni parë pikturat e këtyre viteve të KM-së?
Ngjajnë si xhuxha cirku, si majmunka kalamanjsh, krijesa të depersonalizuara e si xhinde, pa formë e pa kahje, që s’kanë asnjë raport me hapësirën, asnjë raport me dritën, që s’kanë as lart e as poshtë, as majtas e as djathtas, as flasin e as shohin, as dëgjohen e as mbahen mend, të copëzuara e n’thelb të trishtuara, t’lindura si dështime jetëshkurtëra, me vetëdijen e palumtur të autorit, që kërkon më kot shpëtimin pa shpëtim, te vesi i dikurshëm i pikturës…
Sepse nga xhuxhi e xhindi, duhet të nënshkruajë shkresa e turpe, që janë nënshtrime e marrëveshje t’ulta n’favor të kastës, dhe kurrënjëherë rrebelim dinjitoz dhe shtetbërës ndaj tyre.

Të asaj kaste që do ti kthejë e para krahët dhe që e përqesh sa mundet restoranteve, e bisedave “serioze”, si t’paaftë për të qeverisur, si një administrator, apo si një guzhinjer i përkohshëm i menysë së interesave të tyre.
Andaj dhe prodhon artistikisht xhingla, ca maska zbukuruese e karnavaleske, për festat e vdekatarëve të famshëm, të kastës së cilës i shërben me përkushtim, devotshmëri e përulje mjerane…

Ndërkohë që populli ende gënjehet nga vetulla e ngritur hark para kamerave, demek një vetull shtetformuese.
Por kasta ja zvesh iluzionin me orgjitë e bërtitura dhe shpërdoruese që ka gjith’e më shumë pasion.
Sa gjynah!

 

Shqipëria e të mjerëve, Shqipëria-Çiflig e të pasurve dhe KM-ja xhingla bërës… Read More »

“Si mund ta kërcënojnë ekonomikisht pogradecarët Korçën, Himarën, Vlorën e Durrësin!”

Artan Fuga

Mëngjesi ka çelur. Nga ana e gjolit vjen një aromë e mirë barishtesh të tretura në ujëra të ëmbla. Në Pogradec, të nisesh nga Tushemishti, ekzaktësisht nga hotel “Pogradeci 2”, një hotel që futur në kontekstin e vet gjeografik do ta kishin zili me qindra qytete europiane, për të vajtur deri te ngrehina “Kapri” në qendër të qytetit, është një shëtitje mrekullie. Një pasqyrë uji gjigante në anën tënde të djathtë, kurse majtas fusha me të mbjella; atje jeshilja duket sikur shpërthen. Thith ajrin e pastër, përthith me sy e lëkurë diellin që të bën bronz, por nuk të djeg aspak, kënaqesh me atë peizazh gjysmë liqenor, gjysmë rural. Kthen kokën djathtas, je në liqen, e kthen majtas, je në një fushë plot gjelbërim. Gjithçka të duket si një parajsë e paqtë, e qartë, plot ndriçim, që nuk do kurrsesi ta braktisësh. Në mënyrë kokëforte dëshiron ta zmbrapsësh një mendim që të vjen nga poshtë e nga thellë vetes dhe të thotë cinikisht në vesh: “Sa të mjerë janë ata që nuk kanë arritur ta shijojnë një mëngjes si ky, krejt pogradecar, kur e gjithë sipërfaqja e liqenit kthehet në ar e flori!”.

Ik, mendim egoist!

Ka pak njerëz, megjithatë, që shëtisin mëngjeseve në pjesën nga restoranti gërmadhë “Dashnorja e fundit” deri te lulishtja “1 Maji”. Rruga buzë liqenit pothuajse është bosh. Disa gra ecin duke bërë muhabet vëndshe me njëra-tjetrën. Diçka tregojnë për vjehrrat e tyre. Burrat, më të vetmuar, ecin si me hap ushtarak. Heq bluzën dhe e lë diellin të më përfshijë trupin. Ndonjë veturë e rrallë kalon në drejtimin Pogradec– Tushemisht sepse në anën tjetër është ndalimkalimi. Dy grupe të rinjsh, ndarë në dy vetura, bëjnë garë me njeri-tjetrin krejt sikur të ishin të çmendur. Hidhem në hendek për t’u mbrojtur. Eh, rini, thuaj!

Përpara meje, burrat që shëtisin me hap të vendosur dhe me ritëm herë pas here zhduken sikur i përpijnë gropat e xhadesë plot me bëlldunga. Pas një copë here që ecja fjetur me sy hapur, konstatova që nuk po i shihja dot më kurrizet që pak më parë i kisha pasur disa hapa përpara meje. Vendos të jem i vëmendshëm këtej e tutje për ta zgjidhur enigmën.

Kush i përpin këta njerëz? Ndjek kurrizin e një mesoburri dhe nuk ia ndaj sytë asnjë çast prej tij. Fillimgushti është, por ai ka veshur një xhaketë, ndonëse gjithë rrudha. Pas nja pesëqind metrash ndalet dhe nis të hyjë në arën e mbjellë majtas nesh. Ecën si somnambul në atë orë mëngjesi, çan përpara gjithë nxitim në mes domatesh. Fillimisht pyes veten: Ku shkon ky? Pastaj diçka kuptoj. Pres veprimin e tij, që do të vërtetonte hamendjen time. Ai çon dorën në “dyqanin” e pantallonave dhe zbërthen me të shpejtë kopsat e tij. Njërën këmbë nuk e di se përse e tund si me padurim. Pastaj, një ujëvarë lëngu del nga trupi i tij, aty sipër mes-shalëve dhe e shoh që pasi shkëlqen disa çaste në diell lëshohet drejt tokës! Me shëndet!

Nuk ka wc në këtë rrugë plazhi! Në të vërtetë është një rrugë që le shumë për të dëshiruar. Ibret! Mund të jetë një nga segmentet rrugore më panoramiket në Shqipëri. Jam i bindur se mund të krahasohet me ato më me famë në Europë. Kurse, po qe se investohet atje, me siguri do të ishte një mrekulli turistike. Por, këtu, bukuroshen, rrugën, e trajtojnë sikurse bënte me Hirushen, njerka e saj. Nuk ka mënyrë më të mirë për t’i përzënë turistët nga një zonë sesa braktisja e mjedisit, sidomos turistët më histerikë, që jo rastësisht janë edhe ata që kanë më shumë parà për të harxhuar.

Anash rrugës kanë mbetur të gremisur pjerrtas bunkerë ushtarakë të kohës të Luftës së Ftohtë. Pritej sulm nga Maqedonia. Ndofta, pse jo? Nuk di ta them. Por, këta bunkerë këtu tanimë nuk kanë më asnjë funksion sepse kanë dalë jashtë përdorimit. Vetëm të kallin datën dhe të sjellin neveri e panik përballë këtij liqeni, që me valët e veta të qeta përshëndet gjithkënd me miqësi si valëvitje duarsh plot me shamiçka të argjendta, dallgët.

Anash rrugës, hendeqet me barishte të rralluara si qime qensh me zgjebe! Vende-vende të rrjepura. Buzët e rrugës të bëra si gëzhdalla të ngrëna nga ujq që presin të kafshojnë natën qengjat e braktisur nga bariu dhe qeni i vet. Kur ecën me këmbë, nuk i ndien shumë gropat e rrugës. Por, udhëtimi me veturë është tepër i vështirë atje. Vetura valëzon sikurse të ishte një motobarkë në një liqen të zemëruar në dimër. Dallgëzon rruga. Veturat përballë teje më tutje rrezikojnë të përplasen me tënden sepse duke evituar gropat, kalojnë në anën e kundërt sikur duan të grinden me ty. Natën, gjendja është fare katastrofike.

Hirushja ima, rruga buzë liqenit, si të kanë lënë ashtu që nga Tushemishti deri te lulishte “1 Maji”?! Ti që je si një vajzë jetime mes motrash prej gjasme, të përdala, që kërkojnë burrë me pagesë e që i quajnë autostrada? Ti, miqësorja, e buta, e mira, e arta! E kanë lënë anash me plehra, shishe plastike, qese, mbeturina ushqimesh. Si është e mundur që nuk sheh askënd të pastrojë e të mirëmbajë këtë pjesë të qytetit? Pa dyshim, një nga rrugët më panoramike të kontinentit. Nuk e lë njerka ta shohë princi i kaltër! Kërkoj në media ndonjë reklamë turistike për Pogradecin. Asnjë për be, ndërkohë që ka televizione që janë non stop duke transmetuar lloj-lloj vanitetesh nga jugu i vendit, një tjetër perlë turistike jona, por jo më e vlefshme sesa Pogradeci, Hirushja e përbuzur.

Shoh ministrin e Turizmit, që, me pantallona të shkurtra, jep intervistë në një televizion kombëtar nga një fshat turistik andej nga jugu, Jala, a Vunoi, a ku e di unë se çfarë zgëqi tjetër. “Zoti ministër, je duke bërë reklamë të padrejtë, favorizuese për disa operatorë dhe denigruese për të tjerët! Po të kishte një institucion si duhet për monitorimin e mediave, do të kishit marrë një gjobë për reklamë të fshehur! Nuk ka nevojë të jesh specialist i komunikimit masiv për ta kuptuar atë. Ju jeni, sipas meje, një njeri i mirë, pranojeni gabimin dhe mos e përsërisni më se do t’ju hedhin në gjyq për favorizim! Aq më shumë me pantallona të shkurtra.

Pantallonat tuaja bërtasin: ‘Unë, ministri, i kaloj në Jug pushimet!’ Po, po, edhe pantallonat tuaja flasin më sinqerisht sesa ju!” Qen të shtrirë e të pisët në rrugët e Pogradecit. Ndriçon me shkëlqimin e vet vetëm një rrugë, nga lulishte “1 Maji” e deri te hotel “Turizmi i vjetër”, aty te kryqëzimi ku duhet të jesh shumë i sjellshëm në atë kaos veturash që krijohet për të mos u fërkuar me vetura të tjera. Rrumpallë qarkullimi i veturave në qytet. Më me rregull lëvizin larvat e peshqve në bregun e cekët të liqenit. A mund të mbahet një qytet turistik me një segment të vetëm rrugor jo më shumë se 500 metra?

Është e vërtetë se po shkon drejt përfundimit rruga paralele që fillon në hyrje të qytetit dhe ngrihet një kuotë më lart sesa rruga hyrëse ekzistuese. Shumë e mirë duket. E çliron disi qarkullimin e veturave në atë segmentin qendrorm që është jo më shumë se 500 metra buzë gjolit. Te sheshi ku mbaron rruga “Rinia”, e cila ngrihet perpendikularisht nga liqeni drejt kodrave jugore të qytetit, po përfundon riparimi i një rruge. Më parë, ajo rrugë ishte si në një qytet të bombarduar nga marsianët në filmat aksion. E bëja dikur zhgrap-zhgrap me veturë për të shkuar te fizioterapistja, besoj nga më të aftat që kam njohur në Europë, Nexhi, që qyteti nuk diti ta mbante!

Iku në Amerikë. Po lëre, hesap tjetër ky! Nuk e di qyteti se çfarë ka humbur me ikjen në emigrim të Nexhit dhe të familjes të saj. Ne edhe qengjat i eksportojmë dhe marrim si shkëmbim lopë të plakura që duhet t’i ziesh mirë e mirë përpara se t’i pjekësh! E mira na ikën, e keqja na vjen! Rrugët e tjera, veç asaj në qendër, buzë gjolit, 500 metra e shumta, janë për ibret.

Dhera, gurë, xhade të rrënuara nga koha. Të ardhurit nga Tirana preferojnë të blejnë apartamente të bukura me fytyrë nga liqeni. Dhe bëjnë shumë mirë. Në një apartament në ato ndërtesa të bukura e solide të brezit të parë të rrugës ke qejf të banosh. Nga dritaret dhe ballkonet, syri ikën larg e zhytet në liqen, tutje andej nga Struga e më tej nga Ohri. Një ekran i vërtetë pamjesh ku malet i shërbejnë si kurorë liqenit. Qytet mbret! Të ardhurit që banojnë gjatë verës sikur i kanë kthyer kurrizin pjesës tjetër të qytetit. Duket se mjaftohen me lulishtet e gjera që kanë përpara syve, liqenin, kafenetë e shumta buzë trotuareve dhe kaq.

Nuk e dinë se çfarë humbasin kur dihet si është gjendja e qytetit pas kurrizit të tyre. Fasada pallatesh të shëmtuara dhe të dala boje, njësi tregtimi që nuk mund t’i shohësh veçse në qytete orientale periferike të dorës të fundit. E gjithë bukuria mahnitëse e natyrës fshihet sapo kthehesh me fytyrë nga qyteti. Tërësisht i braktisur. Ku ka turist të huaj që vjen në këto kushte?

Kur përballë ka Strugën, Ohrin, Shën Naumin! I njëjti liqen, përse duhet të vijë turisti në një qytet që të jep fajësi e brejtje ndërgjegjeje? Ti pushon sikur të kishe qenë Josip Brozi dhe pas kurrizit tënd, një popullsi e tërë jeton në kushte urbane nënnjerëzore! Më kujtohet një studim i Engelsit, “Gjendja e klasës punëtore në Angli”, kur autori i ri, thuajse as te 25 vjetët, ende nuk ishte ideologjizuar. Bir fabrikanti, atje ai shpjegon imtësisht sesi urbanizimi dhe higjienizimi i qyteteve u interesonte më shumë të pasurve dhe të fuqishmëve sesa popullsive të varfra.

Të pasurit dëshironin higjienizimin dhe zbukurimin e qyteteve sepse pasojat e varfërisë, papastërtive, i paguanin ata njësoj ose edhe më tepër sesa të varfrit. Edhe në rrugën e privilegjuar të qytetit, ato 500 metrat e shkreta ku është investuar gjithçka, dikush ka shpikur depo grumbullimi plehrash që është nëntokësore, poshtë trotuarit ku shëtisin pushuesit. Një aromë e ndyrë plehrash të kalbëzuara vjen që andej. Uron të kesh një kundërgaz për të shëtitur. Vërtet, përse nuk shpërndan bashkia kundërgaze së paku! Mund të përdoren edhe për zhytje në liqen.

Dikur, pogradecarët lëshonin për dy muaj vere me qira dhoma dhe banesa të tyre. Por, sot kjo duket si e pamundur me gjendjen e qytetit pas rrugës kryesore buzë liqenit. Kush pranon të shkojë në qytetin e mrekullive natyrore dhe njerëzore dhe të banojë në apartamente që ndodhen në banesa pallatesh, që nga pamja dhe cilësia i gjen vetëm në periferitë e varfra të qyteteve të Amerikës Latine, ca si biçim favellash, dhe të shijojë bukuritë natyrore të qytetit në këto kushte?! Imagjinoni një çast, nëse banorët do të hapnin dyert e banesave të tyre për t’i marrë ato masivisht me qira turistët? Sa të ardhura do të gjeneroheshin! Shërbim urban publik me autobusë nuk të zë syri. As stacione autobusësh urbanë.

Nga hyrja e qytetit deri te dogana në lindje të tij nuk qarkullojnë veçse disa mikrobusë privatë që drejtohen nga shoferë të mirësjellë, ata ndalojnë në mes të rrugës kur ua bën me dorë për të qëndruar çdo kalimtar! Të ardhurit thonë se qyteti është prishur ngaqë pogradecarët e vjetër kanë ikur në Amerikë. Janë bërë amerikanë, duke marrë nënshtetësinë e gjyshërve të tyre të emigruar atje një shekull më parë. Kanë qenë punëtorë pogradecarët! Edhe janë. Më kujtohen në vitet ’60, kishin kulturë perëndimore në jetën e tyre të përditshme. Tani thuhet nën zë se kanë ikur pogradecarët dhe kanë zbritur mokrarët! Dakord, si kudo!

Qendrat urbane janë populluar me flukse demografie rurale dhe kjo ka sjellë sigurisht edhe një lloj ruralizmi të qyteteve tona. E pastaj! Pse nuk ndodhi kështu në pasluftën e dytë botërore? Mos u ankoni ju që shumica po t’ju gërvishtin pak, jo fort por nja tre breza, do të dilni me rrënjë fshatare të ngulur thellë në këto troje. Qyteti e edukon atë që vjen atje. Ky ka qenë historikisht roli i qyteteve në histori. Është e vërtetë se shumica e kësaj popullsie nuk njeh me rrënjë zanate urbane.

Dikur, dikush ka qenë minator, dikush bari, dikush bujk, dikush druvar. Aktualisht jetojmë në një epokë transformimesh të shpejta në botën e zanateve. Të kapesh pas zanateve të vjetra, nuk vlen edhe aq. Këto popullsi të ardhura rishtazi në qytete duhen ndihmuar për t’u integruar sa më shpejt, sepse janë popullsi shumë punëtore, me vullnet të hekurt, me tradita, me vlera morale. “Çfarë bëjnë kaq shumë burra nëpër kafene?”, – më pyet një grua e huaj. Përgjigjem si mundem. Mund të bëhen peshkatarë! Po ku ka më në qytet peshkatarë? Mund të bëhen zdrukthëtarë! Po ku ka vajtur industria e famshme e prodhimit të objekteve dhe e mobileve të drurit e Pogradecit?

Si është e mundur që një numër tepër i rritur familjesh, të cilat duhet të përfitojnë ndihmë ekonomike, e marrin paranë e pakët pa punuar, ndërkohë qyteti që ka nevojë për t’u pastruar, ndërkohë qëndron i papastër? Unë nuk di se çfarë projektesh ka për të kryer transformimin profesional të popullsive rurale që kanë ardhur në qytet. Në qytetin e tyre, ku më parë nuk lejoheshin të vinin për të jetuar e punuar, dhe ku sundonte një formë getoizimi. Por, kjo gjendje është një krizë që duhet zgjidhur.

Qyteti ka nevojë për punë që prodhon të ardhura dhe nga ana tjetër popullsi që nuk integrohet në tregun e punës. Pogradecarët e mirë duhet ta zgjidhin këtë kontradiktë nëse dëshirojnë ta lulëzojnë qytetin e tyre, këtë margaritar ndër vatrat e kulturës urbane shqiptare, këtë pikë rivaliteti turistik mes nesh dhe maqedonasve, grekëve, bullgarëve, këtë zonë turistike që mund të krahasohet vetëm me perlat e turizmit shqiptar. Dikur, Pogradeci nuk ka qenë thjesht qytet. Por ka qenë kulturë civilizimi urban. Duket se ai u zbukurua sepse atje vinte për pushime kreu i diktaturës. Në fakt, qyteti pastrohej kur vinte ai. Pemët afër vilave qeveritare, lotuset, mbaheshin mirë, bëhej kujdes për lulet, por qyteti e pagoi shumëfish dashurinë e shtënë në të. Qytetërimi pogradecar pësoi një goditje të rëndë në infrastrukturën e tij, në habitatin e tij. Si?

“Si mund ta kërcënojnë ekonomikisht pogradecarët Korçën, Himarën, Vlorën e Durrësin!” Read More »