Aurora

Gazeta më e madhe gjermane: Komandantët shqiptarë që sot luftojnë për ndarjen e Kosovës!

Prej disa ditësh është folur për mundësinë e shkëmbimit të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë, duke aluduar se një gjë e tillë po mbështet nga Donald Trump. Por për këtë çështje, gazeta më e madhe në Gjermani dhe Europë, “BILD”,  ka dalë sot me titullin e madh: “Komandantët luftojnë për ndarjen e Kosovës”, Foton e artikullit shfaqet presidenti, Hashim Thacci dhe kryeministri, Ramush Haradinaj.

Në shkrimin e “BILD” trajtohet absurdi, se si ish komandantë të rëndësishëm të UÇK të cilët luftuan kundër ushtrisë së Slobodan Milosheviçit, sot që janë në pushtet kërkojnë që betejën dhe gjakun që u derdh për këtë Kosovë që është sot edhe me investimin ushtarak dhe politik të SHBA, BE dhe NATO, ta kthejnë sërish në pikën zero!

Gazeta më e madhe gjermane: Komandantët shqiptarë që sot luftojnë për ndarjen e Kosovës! Read More »

“Abi Bank” i Linda Ramës, bashkëshortes së kryeministrit bllokon lejen për zgjerim të UET të Çilit që kontrollohet nga banka rivale

Edi Rama përmes bashkëshortes së tij Linda Rama ka futur “duart” dhe në sistemin bankar, përmes “Abi Bank” që është pronë e familjes së tij. Dhe kjo bankë e nivelit të dytë, jo vetëm që po përpiqet të shkatërrojë tregun bankar në favorin e saj, por dhe po shtrin dominimin dhe në pushtetin qëndror dhe atë vendor.

Nuk po përmendim akuzat e Berishës për pastrim parash. Rasti më konkret është bashkia e Tiranës, ku pavarësisht mungesës së dëshirës ndoshta,

Erion Veliaj është i detyruar të mos lëvizë nga linja në shërbim të kryeministrit dhe familjes së tij. Fundja nga Edi Rama e ka pasur gjithnjë mbështetjen për karrierën politike, pasi e mbështeti tek “Mjaft” dhe më pas nga G99 e katapultoi në kryesinë e PS, në qeveri dhe tashmë në krye të bashkisë së Tiranës.

Veprim ky që jo pak ka ngjallur xhelozi dhe mëri tek garda e vjetër e PS por dhe tek “delfinët” e rinj të kësaj partie, që e shohin veten në fund të preferencave të kryetarit.

Dhe për të mbërritur tek fakti konkret, kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, ka firmosur kundër një kërkese të kompanisë ‘Empire Investment Solutions’, që zotëron truallin ku ndodhet Universiteti Europian i Tiranës, për një godinë shtesë për institucionin arsimor në pronësi të Henri Çilit.

Mësohet se leja e zhvillimit nga firma kërkohet për ‘rikonstruksion të godinës D, ambientet e Laborantëve të Universitetit dhe shtesë kati”. Ambienti ndodhet pas UET të Çilit dhe është një ndërtesë e vjetër që përdoret rëndom si magazinë.

Marrja e kësaj leje nga ana e firmës dhe rikonstruksioni i  godinës do t’i mundësonte UET zgjerimin me një godinë të tretë për të zhvilluar aktivitetet universitare. Pasi mësohet se drejtuesit e Universitetit kanë vendosur të zgjerojnë aktivitetin akademik dhe me disa fakultete të tjera.

Por arsyetimi i kryetarit të Bashkisë në përgjigjen negative të kthyer për drejtuesit e UET është se nuk mundet të jepet leja pa u hartuar PDV-ja ose Plani i Detajuar Vendor.

Rrëzimi i kërkesës për rikonstruksionin e godinës që do të shërbente më pas dhe si ambient për zgjerimin e UET nuk ka ardhur thjeshtë dhe vetëm si pasojë e një acarimi të marrëdhënieve mes Henri Çilit dhe Erion Veliajt.

Në vigjilje të përzgjedhjes së kandidaturave për krerët e bashkive dhe në rastin konkret dhe për Tiranën mediat e Çilit por dhe vetë ai kanë lënë për të kuptuar se një zgjedhje tjetër për kryeqytetin nga Rama do të ishte më efikase.

Por përplasja është akoma më e thellë, dhe nuk ka treguar asgjë me atë çfarë ka dalë në sipërfaqe.

Më konkretisht, UET është në vështirësi të thellë financiare dhe është një bankë e nivelit të dytë ajo që zotëron “kartonin” e tij. Banka Credins është ajo që kontrollon universitetin UET të Çilit pas vështirësive financiare dhe lëkundjeve të forta financiare që ka disa vite që ka shfaqur. Vështirësi që kanë ardhur dhe për shkak të disa investimeve të pagoditura dhe jodobiprurëse, por që kanë shkundur financat e UET.

Burime të “Pamfleti” saktësojnë se dhe për shkak rivaliteti bankar, kreu i Bashkisë së Tiranës po mbështet në këtë rast bankën “Abi Bank” të Linda Ramës, bashkëshortes së kryeministrit Rama.

Me sa duket Erion Veliaj kërkon të mos ketë asnjë mëdyshje dhe pengesë në përzgjedhjen e tij si kandidat për një mandat të dytë në bashkinë e Tiranës por dhe për karrierën politike përtej bashkisë. Për këtë arësye zgjedh të dëmtojë rivalin bankar të bashkëshortes së kryeministrit./Pamfleti

“Abi Bank” i Linda Ramës, bashkëshortes së kryeministrit bllokon lejen për zgjerim të UET të Çilit që kontrollohet nga banka rivale Read More »

Tre gjyqtarët e Kushtetueses që ‘u dogjën’ nga Vettingu, ”qokën” e fundit e vulosën për Ardian Fullanin, 300.000 ‎€ dëmshpërblim

Para shpërbërjes totale të saj si pasojë e Vettingut, Gjykata Kushtetuese ”vulosi dëmshpërblimin e ish-guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, me rreth 330 mijë euro, pas shkarkimit nga Kuvendi në shtator të 2014 dhe marrjes së pafajësisë pas akuzave të Prokurorisë si pjesë e përgjegjësisë për vjedhjen e 7 milionë USD në Bankën e Shqipërisë.

Kolegji i Gjykatës Kushtetuese, i përbërë nga Altina Xhoxhaj, Fatmir Hoxha dhe Fatos Lulo, që të tre të shkarkuar nga Vetingu për shkak të mosjustifikimit të pasurisë kanë vendosur moskalimin e çështjes për shqyrtim në seancë plenare. Vendimi u mor më datë 30.01.2018.

Siç raporton ”Shqiptarja.com”, treshja e gjyqtarëve pretendoi se Banka e Shqipërisë e kishte paraqitur kërkesën në Kushtetuese jashtë afatit 4-mujor nga data e marrjes së vendimit të fundit nga Gjykata e Lartë për dëmshpërblimin e Ardian Fullanit.

“Bazuar në aktet bashkëlidhur kërkesës rezulton se vendimi më i fundit në kohë, i kundërshtuar nga kërkuesja, është ai i Kolegjit Administrativ të Gjykatës së Lartë i datës 12.07.2017, kurse kërkesa është paraqitur në Gjykatë në datën 05.12.2017, pra jashtë afatit ligjor 4-mujor”, thuhet në vendim.

Argumenti i Bankës së Shqipërisë

Banka e Shqipërisë pretendon se kërkesën për rrëzimin e të gjitha vendimeve që i japin Ardian Fullanit rreth 330 mijë euro e ka paraqitur brenda afatit të parashikuar në ligj. Banka e Shqipërisë thotë se është vënë në dijeni për vendimin e Gjykatës së Lartë në datën 16.10.2017 nëpërmjet shkresës së përmbaruesit.

Por, trupi i gjykues nuk e ka marrë parasysh këtë fakt, duke pretenduar se Banka duhej të interesohej për vendimin dhe të mos priste ardhjen e përmbarimit.

“Nga materialet bashkëlidhur kërkesës rezulton se kërkuesja është një nga palët që ka vënë në lëvizje Gjykatën e Lartë për kundërshtimin e vendimit të Gjykatës Administrative të Apelit. Në jurisprudencën kushtetuese është theksuar se personi që ushtron ankim/rekurs duhet të interesohet të ndjekë fatin e ankimit/rekursit të tij. Në këtë kuptim, në rastin konkret nuk rezulton që kërkuesja të ketë pasur ndonjë pengesë për tu informuar në lidhje me vendimmarrjen e Gjykatës së Lartë apo për tu njohur me vendimin e kundërshtuar të asaj gjykate. Për sa më sipër, Kolegji vlerëson se kërkuesja, Banka e Shqipërisë, nuk legjitimohet ratione temporis për t`iu drejtuar Gjykatës Kushtetuese, për rrjedhojë kërkesa nuk mund të pranohet për shqyrtim në seancë plenare”, thuhet në vendimin e tre anëtarëve të Kushtetues.
Si i fitoi Adrian Fullani 54 paga

– Mbi bazën e propozimit të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, me vendimin nr. 64, datë 18.09.2014, Kuvendi i Shqipërisë ka vendosur shkarkimin e Ardian Fullanit si guvernator i BSH pasi u arrestua.

– Me vendimin nr. 2777 (80-2016-2776), datë 02.06.2016, Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Tiranë ka vendosur: “Pranimin e pjesshëm të kërkesëpadisë së Fullanit, duke detyruar BSH t’i paguante 12 paga mujore.

– Me vendimin nr. 843 (86-2017-829), datë 01.03.2017, Gjykata Administrative e Apelit Tiranë ka vendosur: “Ndryshimin e vendimit nr. 2777, datë 02.06.2016 të Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë. Shfuqizimin e vendimit nr.64, datë 18.09.2014 të Kuvendit të Shqipërisë. Detyrimin e BSH t`i paguajë Fullanit pagat që do të përfitonte në detyrën e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, si dhe të Anëtarit të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë nga data e ndërprerjes së marrëdhënieve financiare deri në datën që ky mandat do të përfundonte sipas ligjit.

– Me vendimin nr. 00-2017-1866 (768), datë 12.07.2017, Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë ka vendosur: “Lënien në fuqi të vendimit nr. 843 (86-2017-829), datë 01.03.2017 të Gjykatës Administrative të Apelit Tiranë.

-Në datë 30.01.2018, Gjykata Kushtetuese rrëzon kërkesën e Bankës së Shqipërisë për të rrëzuar këto vendime.

Pretendimet e Bankës së Shqipërisë për vendimet pro Ardian Fullanit

  1. Është cenuar standardi i arsyetimit të vendimit gjyqësor lidhur me të drejtën për t`u dëgjuar dhe parimin e kontradiktoritetit në gjykim. Gjykata Administrative e Apelit ka kryer shkelje procedurale, nuk ka kryer një hetim të plotë të çështjes dhe nuk u ka dhënë përgjigje pretendimeve të ngritura nga kërkuesja. Në vendimin e saj nuk ka asnjë analizë, argument apo referencë lidhur me problemet ligjore të ngritura në kundërankim.

  2. Është cenuar parimi i gjykatës së caktuar me ligj. Gjykatës Administrative të Apelit dhe Kolegjit Administrativ të Gjykatës së Lartë u mungon kompetenca lëndore lidhur me kërkimin për pavlefshmërinë dhe shfuqizimin e vendimit të Kuvendit të Shqipërisë, pasi shkarkimi i një funksionari të lartë nuk mund të jetë objekt i shqyrtimit nga gjykatat e juridiksionit të zakonshëm. Po ashtu, Kolegji Administrativ duhet të kishte vendosur shqyrtimin e çështjes në seancë gjyqësore me praninë e palëve.

  3. Është cenuar parimi i gjykimit nga një gjykatë e paanshme. Kjo çështje është gjykuar me procedurë të përshpejtuar dhe më pas gjyqtarët që kanë votuar pro tij kanë dhënë dorëheqjen, duke deklaruar mbarimin e mandatit në Gjykatën e Lartë.

  4. Është cenuar parimi i sigurisë juridike. Gjykata e shkallës së parë dhe ajo e apelit kanë ndryshuar objektin e padisë duke e transformuar në një padi për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve të punës, si dhe duke shtuar bazën ligjore. Pala paditëse në proces ka ngritur pretendime në kuadër të padisë për shkaktim dëmi dhe nuk ka pasur ekuivok nga ana e saj në lidhje me objektin e padisë apo me shkakun ligjor./korrieri

Tre gjyqtarët e Kushtetueses që ‘u dogjën’ nga Vettingu, ”qokën” e fundit e vulosën për Ardian Fullanin, 300.000 ‎€ dëmshpërblim Read More »

Bylisi, një nga qendrat më të rëndësishme arkeologjike të Shqipërisë

Renditur për vlerat monumentale, krahas Apolonisë dhe Butrintit, vazhdon të mbetet një atraksion turistik me një numër në rritje të vizitorëve. Për periudhën janar-korrik 2018 shënohet numri 3132 i vizitorëve në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2017 ku numri i vizitoreve shënonte 2636.

Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro inspektoi Parkun Arkeologjik Kombëtar Bylis , i cili shumë shpejt do t’i nënshtrohet projektit madhor të konservim-restaurimit. Ministria e Kulturës sapo ka hartuar projektin madhor të këtij parku, i cili parashikon konservim dhe restaurim të monumenteve, përmirësim të infrastrukturës, vendosjen e sinjalistikës, etj. Nëse Apolonia tërheq vizitorin me butësinë e saj, Butrinti me natyrën ekzotike, Bylisi me pozitën zotëruese mbi kodrat e Mallakastrës dhe mbi hapësirën e luginës së Vjosës që ofron një pamje krejt të veçantë në krahasim me qytetet e Antikitetit Klasik, transmeton atsh.

Vizitorët që shkojnë në Bylis, mrekullohen jo vetëm nga pamja, panorama por edhe nga monumentet dhe mënyra e restaurimit. Bylisi zotëron një hapësirë të madhe. Nga aty mund të shohësh gjysmën e territorit të Shqipërisë. Nga aty, syri ta kap Janinën, Tomorrin, Detin Adriatik dhe Fushën e Myzeqesë.

Bylisi, një nga qendrat më të rëndësishme arkeologjike të Shqipërisë Read More »

Janullatos në Vlorë, i kërkon autoriteteve vendore ndërtimin e një katedraleje

Fortlumturia e tij Kryepeshkopi i Tiranës Durrësit dhe gjithë Shqipërisë prof.dr. Anastasi dhe Ignatis Trantis, Mitropoliti i Beratit, Vlorës dhe Kaninës, kanë vizituar Vlorën ku së pari janë ndalur në Institucionin e prefektit të Qarkut.

Klerikët e lartë janë pritur nga prefekti Flamur Mamaj dhe stafi i prefekturës. Kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë Anastasi është ndalur në historinë e lashtë të Vlorës, duke e quajtur atë një thesar historik e kulturor, ndërsa ktheu në vëmendje domosdoshmërinë e ndërtimit të një katedraleje në Vlorë.

“Shpresoj që brenda planeve dhe projekteve të bukura që keni edhe pse jeni vonuar shumë, edhe tani jemi në kohë të bëjmë këtë lulen e madhe”, – ka thënë Anastasi.

Ndalesa e dytë e kryepeshkopit Anastas ka qenë takimi me kryetarin e bashkisë së Vlorës, Dritan leli.

Ndërkohë mbrëmjen e së martës në Manastirin e Zvërnecit është zhvilluar një meshë për besimtarët e krishterë, ku i pranishëm ishte dhe kryepeshkopi Anastas, ndërsa bashkia ka organizuar një koncert në Manastirin e Zvërnecit.

Janullatos në Vlorë, i kërkon autoriteteve vendore ndërtimin e një katedraleje Read More »

Masakra e Vlorës; Banorët e fshatit tregojnë konflikt mes familjeve

Ritvan Zykaj masakroi pjesëtarët e fisit të tij, duke lene 8 te vrarë në Resulaj të Selenicës, Vlorë. Në polici ka deklaruar se shkak kane qene pulat e detit, per te cilat, njera prej viktimave e akuzonte për vjedhje. Por banorë të fshatit Resulaj theksojnë se mes dy familjeve kishte pasur konflikte të herëpashershme për çështje pronash. Sipas tyre, familja e tetë viktimave kishte jetuar më parë lart në kodrine, shkruan “Panorama”.

Pas viteve 2000, ata kishin zbritur në fshat ku ndërtuan banesat në tokat e tyre. Por kjo nuk është mirëpritur nga familja e autorit të krimit. Madje, kanë pasur mosmarrëveshje për një pjesë të kësaj prone.

Nënkryetari i Bashkisë së Selenicës, Neim Veshaj, pranoi se ishte në dijeni të këtij konflikti. Sipas tij, dy familjet nuk ishin ankuar asnjëherë zyrtarisht në bashki për mosmarrëveshje për çështje pronash. Por, ai theksoi se e kishte mësuar një gjë të tillë nëpërmjet banorëve të fshatit.

Pikërisht ky shkak dyshohet të ketë ndikuar që të tetë familjarët e vrarë të mos varroseshin në varrezat e fshatit, por në pronën e tyre. Një veprim i tillë nga ana e të mbijetuarve dhe familjarëve të tjerë të viktimave, dyshohet të jetë kryer edhe si një formë për t’i treguar familjes tjetër, djali i së cilës kreu këtë masakër, se kjo pronë do të jetë tashmë e tyre.

“E kam dëgjuar nga banorët këtë konflikt, por zyrtarisht asnjëherë nuk ka ardhur një ankesë prej tyre. Ne si bashki ende nuk kemi vendosur nëse do t’u akordohet një fond ndihmese të mbijetuarve. Mbledhja që organizuam për shpenzimet e varrimit ishte në kushte emergjente. Tashmë, ne do të vendosim sesi do të procedojmë më tej me të mbijetuarit e për t’i ndihmuar ata”, u shpreh Veshaj.

Masakra e Vlorës; Banorët e fshatit tregojnë konflikt mes familjeve Read More »

Rrëfimi i ish-ministrit: Grabitja e kamionit me fletë votimi, batutat me Nanon dhe Metën

Ish-ministri i qeverisë së stabilitetit, Ylli Çabiri rrëfen në një libër ndodhitë e padëgjuara në politikën shqiptare si dhe çuditë në zgjedhjet e para parlamentare demokratike, që u mbajtën në vitin 1992.

Le të themi të vërtetën, gjithnjë të vërtetën! Të përpiqemi t’i fryjmë popullit tonë pak jetë e pak guxim”. Me këtë thënie të Faik Konicës, dr. Ylli Çabiri i jep jetë veprës së tij voluminoze, me një titull optimist, shpresëdhënës: “Shqipëria mund të bëhet”, hedhur këto ditë në qarkullim nga shtëpia botuese “Onufri”.

Që në faqet e para, autori kërkon ta “qetësojë”, por edhe ta ftojë lexuesin të lexojë një libër, që nuk është studim apo raport, por fryt i një eksperience të gjatë pune, të një njeriu që ka qenë pjesë e qeverisjes së vendit dhe ka parë nga afër se ku çalon makineria e rëndë e pushtetit.

Libri nuk është ndërtuar mbi kapituj, por rekomandime. Janë 125 syresh mbi mënyrën e qeverisjes, për ministritë, këshilltarët, raportet me jashtë, zgjedhjet etj. Çdo këshillë apo rekomandim del prej eksperiencës së punës dhe herë pas here, Çabiri rrëfen edhe episode ngjarjesh, copëza historish të jetuara, që në kthejnë pas në kohë, që hedhin dritë për momente të caktuara, por edhe bëhen mësim për të ardhmen.

Ylli Çabiri
Ylli Çabiri

Kështu, autori na tregon për kohërat kur qeveria nuk kishte para as për të siguruar fletët e votimit për zgjedhjet; për mënyrën sesi drejtonte partinë Fatos Nano apo për kaosin e qeverisjes gjatë qeverisë “Meta 2”; batutat me Metën e Nanon. “Shqipëria mund të bëhet” është një libër që ia vlen ta lexosh jo vetëm për këshillat e vlefshme, por edhe për mënyrën e të shkruarit, ku serioziteti i inxhinierit, ish-ministrit të Bashkëpunimit Ekonomik me Jashtë, ndërthuret me rrëfime me nota humori e ironie.

YLLI ÇABIRI

PJESË NGA LIBRI “SHQIPËRIA MUND TË BËHET”

Qeveria teknike me Kryeministër Vilson Amhetin qëndroi në punë aq sa kishte mandatin e miratuar, por ajo kishte funksione shumë të kufizuara, të mandatuara nga Kuvendi i Shqipërisë, të fokusuara kryesisht në përgatitjen e zgjedhjeve të lira e të ndershme dhe në sigurimin e ndihmave ushqimore. Kjo qeveri qeverisi pa autoritetin e duhur reformues, gjë që çoi në humbje kohe për proceset e tranzicionit dhe për ato të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Mendoj se qeveri të tilla nuk i bëjnë mirë Shqipërisë, jo vetëm prej mandatit shumë të kufizuar, por edhe sepse qeveri të tilla kanë frikë ose nuk janë të lejuara të marrin vendime për çështje thelbësore të zhvillimit. Këto lloj qeverish janë ndalim kohe. Ato krijohen vetëm për të plotësuar tekat apo interesat e politikës dhe jo për të mirën e vendit. Pse? A nuk i dha Kuvendi Qeverisë Teknike mandatin për të përgatitur zgjedhjet e parakohshme me justifikimin se vetëm një qeveri teknike mund të përgatisë zgjedhje të lira e të ndershme?

Kjo ishte në fakt skema që u paraqit nga Z. Berisha: bie qeveria e stabilitetit dhe zgjedhjet e parakohshme përgatiten nga një qeveri teknike. Por ç’ndodhi në realitet me këtë funksion? Qeveria s’kishte para të shtypte fletë votimi të sekretuara. E si mund të kishte, kur ministrat shkonin me shërbim jashtë shtetit dhe nuk u jepej asnjë dollar në xhep. Vilsoni më thirri dhe më kërkoi të gjeja një zgjidhje me ndonjë të huaj kundrejt ndonjë ‘favori’. E gjeta zgjidhjen me një tregtar nga Bari.

Ky telefonoi një darkë vonë dhe më tha se ka nisur me traget dy kamionë të ngarkuar me fletë votimi të sekretuara dhe me numër sa dyfishi i kërkesës. Me tri elemente sigurie, e fotokopjuar bodrumeve të Bankës së Shqipërisë, në fletë me tre elemente të tilla. Goxha avancim për kohën. Vilsoni urdhëroi gardën e Republikës t’i priste makinat në Portin e Durrësit dhe t’i shoqëronte. U vendos që kamionët të shkarkoheshin në oborrin e brendshëm të Kryeministrisë dhe fletët të ruheshin në tunelin e saj. Se bëhej fjalë për zgjedhje të lira e të ndershme dhe kjo ishte detyra kryesore e kësaj qeverie! Unë dhe kryeministri, atë mëngjes qëndruam në këmbë në oborr për të ndjekur kurorëzimin e kësaj shpikjeje operacionale.

Prisnim me padurim të shikonim ‘veprën’ tonë. Por erdhi vetëm një kamion. I dyti jo! Komandanti i Gardës raportoi që makina e dytë u mor nga zoti…, i partisë opozitare. Kaos total! Si u mor, përse u mor, ku shkoi, kush e dha urdhrin etj., etj., ishin pyetjet që bëmë për gjysmën e sasisë së fletëve të votimit, që nuk u dihej fati. Më kot! Çdo gjë u zhduk pa lënë asnjë gjurmë, përfshirë kamionin. Zgjedhjet e lira e të ndershme u realizuan. S’kishte më të lira e më të ndershme. Shembull i lirisë dhe i ndershmërisë! Nuk mbeti raport e organizëm ndërkombëtar pa i përmendur si zgjedhje model apo si zgjedhje referente.

Ndërsa unë vazhdoja të kisha pikëpyetjen e kamionit të zhdukur. Jo për shumë kohë. Dy inxhinierë të sistemit të ngrohjes u thirrën në godinën e Komitetit Ekzekutiv të Elbasanit për të vënë në punë kaldajën e ngrohjes dhe aty gjetën pirgje me fletë votimi të plotësuara, të hedhura andej këndej. Më në fund e zgjidha në mendjen time enigmën e kamionit të humbur. Po Ndërkombëtarët, si ka mundësi që i përdorën si model këto zgjedhje, duke i përmendur e referuar si etalon i zgjedhjeve të lira e të ndershme: ju mund t’i bëni si i keni bërë një herë në vitin 1992 me qeverinë teknike!

Elozhet ndërkombëtare vazhduan vite me radhë dhe në çdo raport, shqiptarëve u jepej kurajë për zgjedhje të lira e të ndershme, sepse ata i paskëshin realizuar zgjedhjet brenda standardeve ndërkombëtare që në vitin 1992. Disa forca politike që kishin fituar bindshëm zgjedhjet e vitit 1992 e pomponin më tej këtë rast ‘pozitiv’ që solli demokracinë, aq sa filloi të besohej nga të gjithë se demokracia në Shqipëri kishte ardhur në vitin 1992 me këto zgjedhje e jo më parë.

Zgjedhje të lira e të ndershme! Më dukej një tallje, butafori e frikshme e gjithë kjo. Përkundrazi, sipas meje, këto lloj zgjedhjesh instaluan përfundimisht mendësinë se ne për shumë vite nuk do të mund të bënim zgjedhje të lira e të ndershme, se gjithçka ishte një lojë dhe se fitorja mund të sigurohej pa asnjë diskutim në tavolinë dhe për këtë mjaftonin disa ‘marifete të vockla’, që ndryshonin dhe perfeksionoheshin nga një proces zgjedhor në tjetrin, përfshirë ‘hilet’ me ndërkombëtarët. Qeveria teknike si erdhi iku, pa e përmbushur siç duhet objektivin për të cilin u krijua.

Nuk mund ta përmbushte faktikisht! Nuk kishte forcë! Zgjedhjet ishin bërë si ishin bërë dhe s’mund të bëheshin më keq nga ndonjë qeveri jo teknike. Përvoja e demokracive të përparuara është: nuk ka qeveri teknike për zgjedhje të lira e të ndershme. Duhet krijuar një sistem i qëndrueshëm zgjedhjesh, i pavarur nga politika, i cili nuk mund të varet nga qeveritë, qofshin këto (edhe) teknike. Aq më tepër që ne e dimë mirë sesa ‘teknike’ dhe ‘jopolitike’ do të jetë te ne një qeveri teknike. Ndihmat ushqimore vazhduan, por asnjë marrëveshje e re nuk u lidh gjatë mandatit të kësaj qeverie.

Koha ndaloi alarmshëm dhe ne u morëm vetëm me zbatimin e marrëveshjeve të lidhura nga qeveria e mëparshme joteknike. Askush nuk vinte për vizitë në Tiranë gjatë kësaj periudhe, askush nuk na priste në vendet partnere gjatë kësaj periudhe. Vetmi, si në “Dimri i vetmisë së madhe”.

Zgjedhjet e lira e të ndershme ishin fshirë përfundimisht nga faqja e dheut. Të lira, por të ndershme… Një kandidat për zgjedhjet lokale, rreth dy muaj para zgjedhjeve më tha:

– Bëra një pagesë 20 milionë.

-Ç’pagesë?,- e pyeta i shqetësuar. Nuk duhen para për të qenë në listë, vë dorën në zjarr për këtë.

I pagova andej matanë ,- më tha-, që të më vinin një kandidat të dobët, të lehtë fare, aq të lehtë saqë as të vetët s’e duan. U shokova me këtë stil të ri. Ndërsa çuditërisht raportet e partnerëve ndërkombëtare vlerësojnë se sa herë organizojmë zgjedhje, ne bëjmë një hap me rëndësi përpara. E çfarë standardi është ky, zotërinj?! Një hap para në krahasim me çfarë?

Pse nuk thoni hapur: Zgjedhje jo të ndershme! Të lira janë, të lira kanë qenë gjithnjë, por të ndershme…? …Ish-kryeministri Z. S. Berisha, pavarësisht dijeve dhe aftësive të tij menaxhuese, ia ka dalë të kryejë mandate të plota qeverisëse. Demokracia në Shqipëri mbërriti në vitin 1991. Ish-lideri demokrat i qeverisë pluraliste u largua në vitin 1997 dhe u kthye më vonë në vitin 2005. Në prag të ikjes së tij të parandjerë në vitin 2013, “u kujdes” seriozisht për pasardhësin e tij, të cilit i besoi idetë, strategjitë dhe taktikat e tij jo gjithmonë të qarta, por sfiduese përkundrejt partnerëve ndërkombëtarë. Kryeministri Nano duket se nuk e ka patur “luksin” me të pabindurit e tij në Partinë Socialiste.

E ka ushqyer vetë frymën liberale. Prej nga ka rrjedhur edhe stabiliteti i qeverisjes së tij. Ai vendosi rregulla të përparuara perëndimore në partinë e tij. Iku kur duhej të ikte. Pa arritur të përzgjidhte dhe të caktonte pasardhësin. Ja një shembull i thjeshtë: Atë vit, mbledhja e radhës e Komitetit Drejtues të Partisë Socialiste u bë në sallën lartë të ish-Komitetit Qendror. Unë isha ministër socialist dhe duhej të merrja pjesë në mbledhje, por nuk i kisha shumë për zemër punët e partisë.

Fola me Fatosin në telefon. -E rregullojmë,- më tha,- por hajde vetëm pesë minutat e fillimit. Shkova. Ishte dominuese zymtësia e sallës që shihnim në televizor para vitit 1990, kur kronikat jepnin mbledhjet “me shumë rëndësi” të Komitetit Qendror të Partisë së Punës. Një sallë me kolona dhe me shandanë të mëdhenj, që me siguri ishin rusë. Një sallë minigjeorgjevskaja. Vetëm se në krye të vendit (në mes të presidiumit të mbledhjes) nuk ishte më i pashpirti Enver, por liberali Fatos. Filloi mbledhja dhe Fatosi mori fjalën i pari.

– T’i japim leje shokut Ylli (atëherë vazhdonte ndarja e kujdesshme-shoku dhe zoti) se niset në Athinë në një mision me rëndësi,- tha ai. Unë dola nga salla me habinë e njeriut që nuk do të ikte gjëkundi. I tillë ishte Fatosi për partinë. Madje, të gjithë thoshin me shpoti se Ramizi i kishte ngatërruar emrat dhe gabimisht ngarkoi Saliun që të krijojë PDnë dhe Fatosin të krijojë PS-në. Kur i kishin sugjeruar të kundërtën. Historia…

***

…Numri i ministrive dhe numri i anëtarëve të qeverive ka ndryshuar vetëm në varësi të konjikturave politike, pa asnjë rregull, pa menduar fare për interesin e vendit, pa e vrarë mendjen se ç’mund të thoshte Europa. I njëjti kryeministër (Meksi) e fillon punën me 18 ministri, aq sa trashëgoi nga qeveria e mëparshme teknike. Më pas u ngjit në 19 ministri, për të zbritur në 14 dhe për t’u larguar me 15 ministri, ndërkohë që në fillim kishte një qeveri me 21 anëtarë, zbriti në 18 dhe përfundoi me 26 anëtarë. Ç’është kjo logjikë? S’ka logjikë profesionale këtu, ka vetëm logjikë rastësore.

Logjika se ndryshimet janë bërë për përmirësimin e qeverisjes nuk mund të jetë racionale, sepse ndryshimet duken se janë bërë kuturu. Nuk mund të gjendet formula e përdorur. A e dinit se Qeveria Meksi 4 me 26 anëtarë, është qeveria më e madhe në 26 vjet të tranzicionit shqiptar? Thuhet se ish-Kryeministri s’ka pasur gisht në kompozimin e qeverisë, mbase ngaqë ai nuk ishte ish-komunist. Amatorizmi ka vazhduar më tej. Njëlloj kanë vepruar  edhe kryeministrat e krahut tjetër politik.

Meta 2 ka drejtuar një qeveri me 22 anëtarë nga 17 që kishte Meta 1. Një parregullsi tronditëse, pa arsyetime teknike, pa mendim. Rastësisht jam njohur me punën e 22 ministrave të kësaj qeverie. Të paktën 4 prej tyre rrinin kot, boshësisht kot, vrisnin kohën në kuptimin e plotë të fjalës dhe nuk dinin ç’të bënin. Hipnin e zbrisnin shkallëve të Kryeministrisë, duke detyruar rojat e përgjumur dhe të dembelosur të ngriheshin dhe t’i nderonin sa herë hapnin dhe mbyllnin derën. Vetëm ndonjëri merrej me punët e tij apo të partisë së tij, të tjerët s’kishin as punët e tyre.

(Jepu ndonjë punë atyre,- thoshte me shpoti Kryeministri i kohës, – që të ndihen se vlejnë për diçka!), por ama kishin secili makinat e shtetit, rojet personale, telefonin që ua paguante buxheti i institucionit dhe ishin ministra, uleshin rreth tryezës së qeverisë dhe shëtisnin gjithandej me spaletat e ministrit. Sidoqoftë, nëse doje t’i pyesje për diçka, ata mund t’i takoje të gjithë vetëm në ditën që merrnin pagën. Por as atë nuk e merrnin vetë. Ngjiteshin ata të financës dhe ia çonin me zarf ku shkruhej: Zotit filan, ministër i… Punonjësja e financës për pak u pushua nga puna, sepse nga nxitimi në zarfin e parave kishte shkruar vetëm pjesën e parë: “zotit filan”, pa ofiqet. Zoti filan u ankua i revoltuar te Kryeministri, duke kërkuar që t’i çohej nderi në vend: Është bërë me qëllim! Kjo është fyerje e paskrupullt, që cenon rëndë koalicionin qeverisës! (histori qesharake që mori dhenë). -Urgjent “zjarrfikësi”,- thërriste i alarmuar korridoreve këshilltari i Kryeministrit, Dori: Na duhet një zjarrfikës.

Do bjerë Qeveria dhe do ta humbim këtë të shkretë pagë, që na mban gjallë fëmijët. U caktova unë “zjarrfikës” për ta rregulluar menjëherë këtë punën e nderit. I nxora paratë nga zarfi i zhubravitur, që kishte kaluar dorë më dorë, i futa në një zarf të ri dhe ia zgjata llogaritares. -Shkruaj tani me dorën tënde, Zotit filan, ministër shteti për… -Qyqja, tha ajo tërë habi, pse për kaq paskan dashur të më heqin nga puna? Dhe nxitoi të shkruante ç’i thashë, ia çova vetë Filanit zarfin dhe i dhashë të drejtë, duke i kërkuar të falur në emër të Kryeministrit të kohës. I premtova se një rast si ky nuk do të tolerohej më nga ky koalicion qeverisës. Nuk luhej dot kështu me kryetarët e partive të koalicioneve…

Rrëfimi i ish-ministrit: Grabitja e kamionit me fletë votimi, batutat me Nanon dhe Metën Read More »

Gjiri i Hënës në Zvërnec ose “Karaibet shqiptare”…

Gjiri i Hënës, me një det të pastër dhe i fshehur në ishullin e Zvërnecit, frekuentohet në verë nga pushues të veçantë që preferojnë qetësinë, familjaritetin dhe intimitetin.

Vetë ishulli dhe laguna e tij quhen nga vendasit si “Karaibet shqiptare”, një përcaktim tipik vlonjat, por që i shkon shumë përshtat këtij vendi të bukur. Gjendet pak kilometra larg qytetit të Vlorës, në pjesën veriperëndimore të saj.

Një urë druri rreth 100 metra e ndërtuar rishtas mespërmes kënetës të çon drejt manastirit të vjetër. Në anën tjetër të ishullit gjendet “Kisha e Shën Triadhës”, një objekt kulti bizantin.

I tërë peizazhi krijon një ansambël shumë të bukur natyror, me plot kontraste dhe ku gjenden në harmoni bukuria me qetësinë e këtij vendi. Përveç bukurisë natyrore, interes të veçantë paraqet për vizitorët Manastiri i Shën Mërisë, i cili ndodhet në ishullin e vogël ku çdo ditë ka vizitorë të shumtë. Manastiri është një ndërtim tipik bizantin i ndërtuar në shek. X pas Krishtit.

Murgu i fundit nga manastiri është larguar në vitin 1967, kur në Shqipëri u mbyllën objektet fetare. Për shumë kohë manastiri qëndroi i mbyllur, u plaçkit dhe u dëmtua. Gjatë kohës së komunizmit, ishulli i Zvërnecit shërbeu si vend internimi për kundërshtarët e sistemit dhe manastiri si strehëz e tyre. Pas vitit 1990, manastiri iu rikthye përsëri funksionit të tij fetar.

Sot, ai gjendet i rikonstruktuar dhe shumë interesant për t’u vizituar. Veçanërisht ditën e 15 gushtit, e cila përkon me ditëlindjen e Shën Mërisë. Manastiri dhe gjithë ishulli është i mbushur me vizitorë besimtarë dhe vizitorë turistë të natyrës dhe historisë.

Jo vetëm Zvërneci me ishullin dhe Manastirin e tij, por e gjithë zona me lagunën dhe detin, përbëjnë një ekosistem shumë interesant dhe tërheqës për turistët.

Me një sipërfaqe prej rreth 42 km², laguna e Nartës zë gjithë pjesën veriperëndimore të gjirit të Vlorës dhe ndahet nga deti Adriatik me një rrip të ngushtë toke, i cili përbëhet nga duna ranore dhe plazhe të vegjël.

Plazhet intime të Zvërnecit të kujtojnë ato të Karaibeve dhe janë tepër të frekuentuara. Tashmë jemi në periudhën e verës dhe vizitorët e shumtë preferojnë të shlodhen në brigjet e këtyre plazheve.

Zvërneci është listuar në projektin “100 fshatrat”, ndërsa në qarkun e Vlorës, prezanton një investim në një prej fshatrave më piktoreskë e më të vizitueshëm të kësaj zone./atsh

Gjiri i Hënës në Zvërnec ose “Karaibet shqiptare”… Read More »