Aurora

Vlorë, mbërrin anija flamurtare e grupit të gatshëm të NATO-s

Në Portin e Vlorës ka mbërritur anija flamurtare e grupit të gatshëm minaheqës të NATO-s. Anija do të qëndrojë në port për tre ditë deri në datën 20 gusht.

Sipas zyrtarëve të portit të Vlorës, anija flamurtare e grupit të gatshëm minaheqëse të NATO-s “FGS RHEIN” SNMCMG-2, ka mbërritur në portin e Vlorës ku do të zhvillojë një vizitë portuale tre ditore ndërmjet datave 17-20 gusht.

SNMCMG2 vepron si një njësi integrale e NATO-s dhe merr pjesë në stërvitje të përbashkëta ose kryen misione dhe  operacione në gjithë botën. Është kryesisht e angazhuar në rajonin e Mesdheut, por kjo njësi është në dispozicion kudo ku NATO e kërkon atë për t’u dislokuar ose për të kryer operacione. SNMCMG2 normalisht përbëhet nga tetë dragamina (minaheqëse, minakërkuese) dhe një anije mbështetëse (ndihmuese) nga vendet anëtare të NATO-s si Belgjika, Gjermania, Greqia, Italia, Spanja, Turqia, Britania e Madhe dhe Shtetet e Bashkuara. /atsh

Vlorë, mbërrin anija flamurtare e grupit të gatshëm të NATO-s Read More »

Turistë të huaj edhe në Malin me Gropa e në Bizë të Martaneshit

Mali me Gropa dhe Biza e Martaneshit janë edhe një destinacion turistik i preferuar për turistë vendas dhe kryesisht të huaj.

Një nga pasuritë natyrore, Mali me Gropa dhe Biza e Martaneshit, janë një kurorë e rrallë e peizazhit natyror të Shqipërisë, të rralla nga bukuria, diversiteti dhe burimet natyrore.

Peizazhi i Malit me Gropa-Bizë-Martanesh ka sipërfaqe prej rreth 252.7 km2, ku përfshihen 182.9 km2 pyje, ripyllëzime, pyje të rrallë ose tokë me bimësi pyjore, 14.5 km2 sipërfaqe bujqësore dhe pemëtore, rreth 54.7 km2 kullota, livadhe me bimësi të rrallë dhe 0.4 km2 troje urbane, e përzier me tokë bujqësore, pemishte e pyje.

Zona qendrore përfshin habitatet pyjore natyrore të Brozh-Bardhetit, Snoit të Madh e të Vogël, Bizës, Ballenjës, Martaneshit, Panjetit dhe pjesë të pyjeve të Kostenjës; këto konsiderohen me vlera të larta natyrore dhe biologjike dhe ruhen të pashqetësuara dhe në përputhje me kriteret e administrimit të zonave të mbrojtura në nivel kombëtar.

Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura ka marrë masa për ruajtjen e zonave të mbrojtura në qarkun e Dibrës.

“Gjatë monitorimit në Peizazhin e Mbrojtur Mali me Gropa, Bizë-Martanesh vihet re një shtim i turistëve të huaj që duan të shijojnë bukuritë natyrore të këtij peizazhi”, shprehet Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura, Dibër. /atsh

Turistë të huaj edhe në Malin me Gropa e në Bizë të Martaneshit Read More »

Viti i ri shkollor, MAS: 90 shkolla të reja dhe libra falas nga klasa I deri në të IV

Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë prej disa muajsh po vijon me përgatitjet për nisjen e vitit të ri shkollor. Në këtë shtator për nxënësit do të ketë mbi 90 shkolla të reja dhe të rikonstruktuara me terrene sportive, ku shumë prej tyre do të hapin dyert për të pritur fëmijët më 17 shtator.

Në një njoftim për shtyp, Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë thekson se “këtë vit për herë të parë fëmijët e klasave të para deri tek e katërta do të kenë librat falas, të cilat do të mund t’i marrin në shkollë nga mësuesit e tyre”.

“Mbi 125 mijë familje shqiptare me këtë vendimmarrje të qeverisë shqiptare do t’u ulen shpenzimet mesatarisht 4 500 lekë në vit për çdo fëmijë që ndjek arsimin bazë”, nënvizohet në njoftim.

Sipas MASR, kjo nismë që këtë vit pilotohet për herë të parë pritet të zgjerohet edhe me klasa të tjera në vitet pasuese.

MASR bën të ditur se “pas një rrugëtimi të gjatë me reformën kurrikulare, jemi të lumtur që kemi arritur të mbyllim ciklin e prodhimit të teksteve të reja dhe cilësore shkollore të mbështetura në kurrikulën e re. Çdo vit, nga viti 2015 kemi aprovuar tekste të reja për klasa të caktuara, duke i pilotuar dhe më pas aprovuar përfundimisht. Kjo reformë filloi nga klasa e parë dhe e gjashtë vitin e parë, duke e mbyllur gjithë ciklin me vitin shkollor 2019-2020. Sivjet kemi aprovuar tekstet e klasës së katër, nëntë dhe dymbëdhjetë duke mbetur për vitin pasues vetëm tekstet e klasës së pestë”.

Lidhur me kurrikulën e re që synon ndërtimin e kompetencave të komunikimit, logjikës, qytetarisë etj, MASR sqaron se kishte nevojë për tekste të reja që ndihmonin mësuesit dhe nxënësit për të arritur ato kompetenca.

“Ndaj morëm tekste nga shtëpitë botuese prestigjioze si “Oxford”, “Cambridge” dhe “Pearson”, sidomos për lëndët e shkencave. Me cilësinë dhe standardizimin që po realizojmë në arsimin parauniversitar, duke bërë të mundur që fëmijët shqiptarë të mësojnë me tekste si fëmijët në Europë, teksti i ri i ndërtuar mbi një kurrikul të re dhe i marrë nga “Oxford”, “Cambridge” apo “Pearson”, që ka çmim të ndryshëm nga teksti i vjetër i realizuar në Shqipëri por i pakrahasueshëm në cilësi. Çmimi qëndron i pandryshuar në vitet në vijim dhe ndryshon vetëm sipas indeksimit të normës së inflacionit”, thuhet në njoftimin e MASR.

MASR bën të ditur disa nga kategoritë e nxënësve që marrin tekste falas:

  • Fëmijët/nxënësit që ndjekin arsimin fillor nga klasa e parë deri në të katërt.
  • Fëmijët/nxënësit që janë i treti e më lart në radhën e shkollimit të fëmijëve të së njëjtës familje.
  • Fëmijët/nxënësit që janë pjesë e familjeve që trajtohen me ndihmë ekonomike dhe pagesë papunësie nga njësitë e vetëqeverisjes vendore.
  • Fëmijët/nxënësit që janë viktima të trafikimit e marrin ndihmë dhe asistencë nga Qendra Kombëtare e Pritjes së Viktimave të Trafikimit, Qendra Kombëtare e Viktimave të Dhunës në Familje dhe Qendra Kombëtare Tranzitore e Emergjencës.
  • Fëmijët/nxënësit që janë përfitues në institucionet e përkujdesit social rezidencial në Qendrën Kombëtare të Pritjes së Viktimave të Trafikimit.
  • Fëmijët romë dhe egjiptianë.
  • Fëmijët jetim etj.

MASR thekson se “së bashku me nxënësit e ciklit të ulët, libra falas në Republikën e Shqipërisë do të përfitojnë mbi 2/3 e të gjithë nxënësve që janë pjesë e arsimit të detyrueshëm”.

“Përpjekja jonë për qasje të barabartë në shkollim nuk merr fund këtu. Kemi shumë punë për të bërë. Por, në të njëjtën kohë, jemi të lumtur që kemi arritur të lehtësojmë buxhetin familjar për nevoja shkollimi për rreth 200 mijë familje”, përfundon njoftimi i MASR. /atsh

Viti i ri shkollor, MAS: 90 shkolla të reja dhe libra falas nga klasa I deri në të IV Read More »

BIOLOGJI – Tumoret përdorin “dronë” biologjikë kundër sistemit imunitar

Qelizat tumoriale lëshojnë dronë të vërtetë biologjikë për të luftuar në distancë sistemin imunitar. Janë fshikëza të vogla (që quhen esozome) të cilat hyjnë në qarkullimin e gjakut duke mbartur me vete një armë shumë të fuqishme, proteinën PD-L1, që shkatërron “rojat” e sistemit imunitar para se ato t’i afrohen tumorit.

“Këto esozome, janë të pranishme edhe në tumorin e mushkërive dhe të gjirit. Në të ardhmen mund të përdoren për të parashikuar dhe monitoruar përgjigjen në pacientët që janë duke zhvilluar terapi”, shpjegojnë studiuesit e Universitetit të Pensilvanisë në një studim të publikuar në revistën “Nature”.

“Imunoterapia shpëton jetën në shumë raste të melanomës metastatike, por rreth 70% e pacientëve nuk i bëjnë dot kurat”, shpjegon biologu Wei Guo.

“Këto trajtime janë të kushtueshme dhe mund të kenë efekte anësore serioze, për këtë arsye, do të ishte shumë e dobishme që të dihej paraprakisht se cilët pacientë mund të përfitojnë”, shton ai.

“Të identifikuarit të një shënuesi biologjik në gjak mund të na ndihmojë që të bëjmë këto parashikime dhe, për pasojë, të monitorojmë efektshërinë e kurave. Ky është një tjetër hap në drejtim të mjeksësisë së personalizuar dhe të saktë”, përfundon Guo. /atsh

BIOLOGJI – Tumoret përdorin “dronë” biologjikë kundër sistemit imunitar Read More »

Shqipëria me çmimin më të lirë të mishit

Mishi është një prej produkteve të shportës bazë të ushqimeve. Niveli i çmimit për këtë produkt dhe konsumi e rendisin Shqipërinë në vendin më të lirë dhe ndër vendet me konsumin më të ulët të tij.
Eurostat ka publikuar statistikat mbi indeksin e çmimit të mishit në 2017-n për të gjithë vendet anëtare të Bashkimit Europian, vendeve kandidate dhe kandidatëve potencialë. Shqipëria renditet e fundit për sa i përket nivelit të çmimeve, ku mishi kushton rreth 45% se mesatarja e vendeve Europiane (EU=100).

Krahasuar edhe me vendet e Ballkanit Perëndimor, niveli i çmimeve të mishit është më i lirë. Pas Shqipërisë, për çmime të lira renditet Maqedonia, ku mishi kushton rreth 42% më lirë se në vendet e Bashkimit Europian. Ndërsa më shtrenjtë mishi kushton në Kosovë, ku çmimi është rreth 13% më shtrenjtë se në Shqipëri. Në vend të dytë për nivel të shtrenjtë çmimesh në Ballkanin Perëndimor është Mali i Zi dhe Bosnja, ku çmimi i mishit është rreth 12% më shtrenjtë se në Shqipëri. Me pas renditet Serbia, ku mishi është rreth 9% më shtrenjtë se në Shqipëri.

Zvicra më e shtrenjta
Mishi kushton më shtrenjtë në Zvicër, ku niveli i çmimeve është 2.4 herë më i shtrenjtë se në pjesën tjetër të Europës. Sipas të dhënave të Eurostat, niveli i çmimeve është kryesisht më i shtrenjtë në vendet e Europës Veriore si Islanda, Norvegjia dhe Luksemburgu.

Në 2017-n. Luksemburgu kishin çmimet më të larta të mishin në Europë ndër vendet anëtare të BE-së, apo rreth 41% më shtrenjtë se mesatarja e Bashkimit Europian. Në vend të dytë për nivelin më të shtrenjtë të çmimeve është Austria, ku çmimet janë 39% më të larta se mesatarja europiane.

Më lirë në Europën Qendrore dhe në Ballkan
Polonia ishte vendi me çmimet më të lira të mishit, rreth 43% më të lira se mesatarja e Bashkimit Europian, pasuar nga Bulgaria me rreth 42% më lirë. /Monitor

Shqipëria me çmimin më të lirë të mishit Read More »

Shpëtoi dy vajzat binjake nga mbytja në lumë, bashkia e Fierit i afron vend pune të riut

Teksa u cilësua nga të gjithë si ‘hero’, pasi u hodh në lumë për të shpëtuar dy vajzat binjake që po tentoheshin të mbyteshin nga nëna e tyre, Rudina Kishta, një lajm i mirë vjen nga Ardimir Murati.

I riu nga Fieri, takoi kryetarin e Bashkisë, Armando Subashi dhe ky i fundit i dha Muratit një certifikatë mirënjohje për aktin human dhe vlerat qytetare. Por jo vetëm kaq, për të riun e papunë, Bashkia e Fierit ka menduar që t’i ofrojë atij një vend pune në këtë institucion.

Në një intervistë për ‘News24’ Muratajt tregoi se ishte i papunë, pavarësisht se kishte mbaruar shkollën për elektricist. Ai tha se atë ditë kur ndodhi ngjarja kishte shkuar në lumë për të peshkuar, ndërsa ishte hasur me skenën horror, ku 42-vjeçarja po tentonte të mbyste dy vajzat 6-vjeçare, pasi i kishte vënë flakën banesës së bashkëjetuesit.

Shpëtoi dy vajzat binjake nga mbytja në lumë, bashkia e Fierit i afron vend pune të riut Read More »

Ja çfarë ndodh në familjen e viktimave, Albit i kanë mbetur vetëm muret …

Gjashtë ditë pas masakrës që ndodhi në Resulaj të Selenicës, të afërmit e familjes Zykaj që iu vranë 8 anëtarë, tregojnë sesi po e përjetojnë ngjarjen 4 djemtë që i mbijetuan sulmit. Një nga kushërinjtë shprehet se djali i Demir Zykajt, vëllai të gjyshit të Ritvanit, si dhe tre nipat e tij, djemtë e Besimit dhe Azemit, janë mbledhur te shtëpia e këtij të fundit.

Ndërsa aty është i pranishëm gjatë gjithë kohës Kujtimi, gjyshi i Ritvanit, bashkë me dy djemtë e tij. Të vetmit që nuk kanë shkuar aty për ngushëllim dhe askush nuk e di se ku ndodhen, janë prindërit dhe vëllai i autorit të krimit të rëndë. I afërmi i familjes tregon se djali i Besimit është ai që po e përjeton më keq ngjarjen. Pasi iu vranë babai, nëna, motra e vëllai 8-vjeçar, tashmë ai ka mbetur i vetëm e nuk flet me asnjë.

Si është gjendja në shtëpitë ku ndodhi ngjarja?

Ata janë të tronditur. Ishte gjithë ajo hata e madhe. Në shtëpi janë të katërt djemtë.

Çfarë thonë djemtë për atë që ka ndodhur?

Ne shkojmë çdo ditë atje në shtëpi, por muhabet nuk bëjmë. Nuk kemi çfarë t’u themi. As ata nuk flasin fare.

Kush ndodhet tani në shtëpi?

Tani në shtëpi janë katër ata që i mbijetuan masakrës. Është Krenari, djali shurdhmemec i Demirit, dy djemtë e Azemit, Falkao dhe Arieli, dhe djali i Besimit, Albi, që iu shua e gjithë familja. Albi është ai që po e përjeton më keq nga të gjithë. Shkon te shtëpia, po aty vetëm muret i kanë mbetur.

Me çfarë merret djali i Besimit, Albi, apo është në shkollë?

Albi nuk e di nëse e ka mbaruar shkollën apo ka edhe një vit se ishte në shkollë profesionale në Vlorë.

Po dy djemtë e Azemit?

Arieli kishte 10 ditë që kishte ikur në Greqi, e kishte marrë xhaxhai atje. Ndërsa djali tjetër i tij, Falkao, punon roje te miniera e bitumit në Selenicë.

Ka ndonjë fëmijë tjetër Demiri?

Përveç dy djemve që iu vranë dhe djalit tjetër që i mbijetoi ngjarjes, Krenarit, që ishte në gjumë atë ditë dhe nuk i dëgjoi të shtënat, Demiri ka edhe një djalë tjetër dhe një vajzë. Djali, Resmiu, jeton prej vitesh me familjen e tij në Greqi. Atje ka qenë Arieli ditën e ngjarjes. Ndërsa vajza e Demirit jeton në Itali, me familjen edhe ajo.

A janë ata tani në Resulaj?

Të dy kanë ardhur që atë ditë. Tani janë këtu të gjithë ata që kanë mbetur.

Ku po qëndrojnë, ku bëhen pritjet, sepse ata jetonin në tri shtëpi?

Tani janë mbledhur të gjithë dhe po qëndrojnë te shtëpia e Azemit, aty bëhen pritjet. Në shtëpinë e Demirit dhe të Besimit nuk ka mbetur më askush. Siç ju thashë vetëm Albi, që tashmë po rri me dy kushërinjtë e tij, djemtë e Azemit.

Keni dijeni nëse ka dhënë ndonjë fond Bashkia e Selenicës, përveç atij të varrimit?

Nga Bashkia nuk e di nëse kanë marrë ndonjë ndihmë apo jo. Ne nuk i pyesim dot për asgjë. Dje (pardje) kishin të pestat, i bënë në një lokal këtu në Selenicë.

Po gjyshi i Ritvanit, vëllai i Demirit, a ka ardhur aty te shtëpia ku bëhen pritjet?

Gjyshi i Ritvanit aty është, te shtëpia e Azemit, bashkë me dy djemtë. Pra, me dy xhaxhallarët e autorit, Bujarin dhe Resulin.

Po prindërit e Ritvanit?

Jo, vetëm gjyshi dhe dy djemtë e tij të tjerë rrinë aty, prindërit e Ritvanit nuk kanë ardhur. Nuk e di se ku janë. Disa thonë janë brenda, disa janë jashtë. Di që edhe halla e Ritvanit ka qenë aty te shtëpia, po më pas nuk e di. Ka disa njerëz të afërm të Ritvanit që janë aty te shtëpia e Azemit, vetëm të atin e të ëmën nuk kam parë.

Ritvani ka dhe një vëlla, ai ka ardhur aty?

Jo, ai nuk është dukur fare. Nuk e dimë se ku është. Nuk di as unë se çfarë t’ju them më shumë, sepse askush nga ne nuk e merr dot guximin të flasë me ata që janë aty. Ne vetëm rrimë dhe shikojmë njëri-tjetrin. /Panorama.

Ja çfarë ndodh në familjen e viktimave, Albit i kanë mbetur vetëm muret … Read More »

Deputeti i PS replikë të fortë me dhëndrin e Berishës: O bo….e po ti hanë kumbullat të tjerët. Kujdes se po të rreh vjehrri

Një përgjigje të ashpër i ka dhënë deputeti i PS Pjerin Ndreu dhëndrit të ish kryeministrit Sali Berisha, Jamarbër Malltezit. Reagimi i tij erdhi pasi ish kryeministri publikoi një foto nga Porti i Durrësit, ku dukej një shtëngullë e madhe tymi, e cila u bë mollë sherri midis dhëndrit të tij Jamarbër Malltezi dhe deputetit të PS-së, Pjerin Ndreu. “Shiko cfare behet ne portin e durrsit z.berisha kemi ardh per pushime jo te thithim aromen e plerave”, shkruante Berisha në postimin e publikuar më herët.

Menjëherë pas tij reagoi edhe dhëndrri i tij, Jamarbër Malltezi, i cili është edhe Drejtuesi i Departamentit të Mjedisit në PD, ku u shpreh se kapitenerinë e portit po e përlan vellai i deputetit të PS Ndreu nga Mirdita. “Durres, 17 Gusht 2018. Falimenton felliqesira qe na e quajne shtet!!! Ku eshte inspektoriati shteteror i mjedisit? Ku eshte agjensia e bregdetit? Ku eshte kapiteneria e portit? Ku jane emergjencat civile? Ku agjensia turizmit?

Klosi u be dy here deputet ne Durres, por cilin qytetar Durrsak promovoi? Asnje. Vec ish kreut te ps Durres Konomi qe ishte shef dogane per 3 muaj dhe e hoqen se kish dore te rende. Ky e fiton konkursin si profesionist! Kapitenerine e portit e perlan vellai i deputetit te ps Ndreu nga Mirdita. Ky e fitoi konkursin? Nuk kishte asnje profesionist detar nga Durresi? Nuk kishte asnje profesionist tjeter pervec atij qe ka vellain deputet? Ketu eshte kalbur kripa”, shkruante Malltezi.

Pas këtij reagimi, është përgjigjur deputeti socialist Pjerin Ndreu: “O dhenderrushi budalla i Saliut qe ti hane kumbullat te tjeret e ty te mpihen dhembet ! Kapiteneria nuk merret me zjarret ne toke o bo….e ! Pastaj drejtori qe thu ti nuk e ka uzurpu postin se nuk e ka pase vjehrrin kryeminister, por ka mbaru Akademine e Marines ne Vlore o dhenderrush i vobekte ! Pastaj ku e ke te shkruar ti qe te jesh nga Mirdita, Puka apo Tropoja nuk duhet te jesh drejtor ?! Kujdes se po te rrah vjehrri me keto budalleqe qe thu ! Te fala tyt eti se eshte burre, po ty duket se ti ka helmu trute doktori e nuk di ca thu”!/korrieri

Deputeti i PS replikë të fortë me dhëndrin e Berishës: O bo….e po ti hanë kumbullat të tjerët. Kujdes se po të rreh vjehrri Read More »