Aurora

Shtator i nxehtë politik, të rinjtë e LSI me marsh ushtarak nga Jala, humor i zi në rrjete sociale (VIDEO)

Ndërsa është paralajmëruar një shtator i nxehtë politike nga opozita, një mesazh u kërkua të jepej nga të rinjtë e LSI teksa mbyllën kampin e përvitshëm veror në Jalë. Me këngë dhe marsh ushtarak si një nisje për në luftë, video u bë virale brenda pak orësh, e eklipsoi duke ngjallur jo vetëm humor të zi në rrjet, por edhe kritika për fanatizmin me të cilin të rinjtë e këndojnë tekstin, që i ngjan më tepër një poezie të dobët.

Përveç ngjashmërisë me parakalimet e fëmijëve gjatë kohës së komunizmit para udhëheqjes, shqetësimi i mijëra komentuesve në rrjete sociale është ajo që e shohin si shpëlarje e truve të rinisë në një strukturë që i ngjan më tepër sektit se partisë. Ndër të paktët që e ka marrë seriozisht, ishte ish kreu i PD-së Sali Berisha, që e postoi me fjalët se “rinia do të përmbysë narkoshtetin”, por duke nxitur menjëherë një valë komentesh kritikuese që i krahasonin të rinjtë herë me debatikas, dhe herë me pasuesit e Hitlerit.

Vala e komenteve përfshin postimet në profile analistësh e qytetarësh, e deri te faqja humoristike Lolita, e cila shqetësimin për militantin që poshtërohet deri në patetizëm, e mbyll me mesazhin: mos e harro këtë video herën tjetër që të lypin votën. Nga ana tjetër nga postimet ironike në rrjetet sociale, gjykohet se mazhoranca vetëm e trembur nuk është, por nuk dihet nëse kryeministri e ka pritur marshin e Jalës me të njëjtën buzëqeshje si çizmen e “burrneshës” në parlament.

Shtator i nxehtë politik, të rinjtë e LSI me marsh ushtarak nga Jala, humor i zi në rrjete sociale (VIDEO) Read More »

Faktet/ Fondi grant që akordohet nga shteti për sportin përfundon në xhepat e “ustallarëve” të partisë, presidentët dhe sekretarët bëjnë “biznesin e vizave”

Peshëngritja ka qenë për vite me radhë nën “hyqmin” e Ilir Metës dhe fondi i kësaj federate ka shkuar kryesisht në xhepat e “të pangopurve” të LSI-së. Madje njerëzit e Metës në sport janë një rrjet i gjerë e mjaft i shtrirë, që nis nga federatat e përfundon në KOKSH, e deri në gjirin e klubeve.

Shqipëria është vendi i fundit i rajonit në investimet që bën për sportin, gjë që shprehet në rënien e cilësisë sportive në të gjitha disiplinat sportive, në pakësimin e numrit të sportistëve, dëmtimin e infrastrukturës dhe natyrisht mungesën e një ligji të denjë e zhvillimor për sportin në tërësi.

Shteti akordon për federatat sportive një shumë më pak se 1 mln euro. Padyshim, kjo është një shumë qesharake që nuk i mbulon nevojat që kanë federatat për të organizuar veprimtaritë sportive vjetore, por si të mos mjaftonte kjo, shumica e parave përfundojnë në xhepat e ushtarëve të partisë. Këta “ushtarë”, njëkohësisht “ustallarë”, janë presidentët e federatave dhe sekretarët.

Vetëm në Shqipëri ndodh që rroga vjetore e një sekretari federate që emërohet nga partia (përgjithësisht), të ketë rrogë vjetore më të madhe se fondi grant për federatën përkatëse. Skandale të tilla dhe paradokse të tilla e bëjnë sportin shqiptar qesharak dhe aspak me të ardhme.

Shikoni kush janë presidentët e federatave! Njerëz që janë të lidhur me politikën, majtas apo djathas qofshin. Fundja, hajdutët nuk kanë ngjyrë, ata i gjen në cdo parti. Futbollin e drejton Armand Duka, që përpos se biznesmen, ka vëllain e tij kryetar të një partie politike dhe investon për fushatën elektorale të tij, sic bëri në zgjedhjet lokale në Kolonjë.

Atletikën e drejton presidenti Gjergj Ruli, i njohur për mbështetjen që merr nga socialistët. I futur me bekimin e Fatos Nanos në krye të federatës së atletikës, sot Ruli është një ithtar i Rilindjes së Edi Ramës. Me siguri që nesër do të jetë mbështetës i flaktë i Lulit të PD-së. Federatën e shahut e drejton presidenti Eduard Shalsi, njeri kryekëput politik. Basketbollin e drejton Avni Ponari, pronari i SIGAL-it, i njohur për lidhjet e tij me krerët e politikës.

Peshëngritja ka qenë për vite me radhë nën “hyqmin” e Ilir Metës dhe fondi i kësaj federate ka shkuar kryesisht në xhepat e “të pangopurve” të LSI-së. Madje njerëzit e Metës në sport janë një rrjet i gjerë e mjaft i shtrirë, që nis nga federatat e përfundon në KOKSH, e deri në gjirin e klubeve. Krejtësisht për interesat e xhepit të tyre dhe të partisë së Ilir Metës, pasi për sportin as e vret njeri mendjen.

Paradoksi qëndron në faktin se shumica e presidentëve të federatave zgjidhen nga bota e biznesit me idenë për të ndihmuar financiarisht në zhvillimin e aktiviteteve sportive, por presidentët, duke qenë se kanë vënë pasuri përrallore në rrugë të dyshimta, i shfrytëzojnë lekët e fondit për interesat e tyre, ndryshe nuk mund të shpjegohet kjo rënie katastrofale e sportit shqiptar në të gjitha disiplinat.

Federatat marrin një fond nga 20-100 milion lekë të vjetra vetëm për organizimin e veprimtarive, por mbi 50% shkon në xhepat e presidentëve dhe sekretarëve. Skandali tjetër për të cilin “Pamfleti” ka informacion të besueshëm është se presidentët në bashkëpunim me sekretarët regjistrojnë si sportistë njerëz që i trafikojnë jashtë vendit.

Bëhet gjoja për t’i cuar në aktivitete të ndryshme, por janë njerëz të zakonshëm që shkojnë në vendet si SHBA, Angli, Kanada etj, duke iu zhvatur para. Ky skandal i madh ende nuk është hetuar në Shqipëri dhe përfshihet në atë që quhet skandali i vizave, që sjell fitime të mëdha.

Rrjeti është shumë i shtrirë, sepse nis me federatat, me KOKSH-in dhe me zyrtarët e ministrisë. Duhet firma e gjithsecilit që paratë të përfundojnë në xhepat e hajdutëve, ndërsa për sportin shkojnë disa kacidhe që nuk e ndihmojnë të zhvillohet e të futet në rrugën e duhur./Pamfleti

Faktet/ Fondi grant që akordohet nga shteti për sportin përfundon në xhepat e “ustallarëve” të partisë, presidentët dhe sekretarët bëjnë “biznesin e vizave” Read More »

Ngjela flet me emra/ Ja politikanët e korruptuar që do kapë Reforma në Drejtësi

“Ka gjashtë vjet që amerikanët dhe gjermanët kërkojnë interlekutorë politikë në Shqipëri, dhe shqiptarët i nxjerrin ose Sali Berishën me injorantet e tij, që duan shkatërrimin e Shqipërisë, ose Edi Ramën me një tufë kalamajsh që vetëm vjedhin”

Avokati Spartak Ngjela shprehet se ka ardhur fundi i politikanëve të korruptuar në vendin tonë, duke përmendur këtu dy udhëheqësit suprem të politikës, Sali Berisha i PD dhe Edi Rama i PS. Ngjela shkruan në ‘Facebook’ se të dy këta politikan, me injorantët që i ndjekin nga pas, i kanë sjellë shumë dëm Shqipërisë dhe shqiptarëve, por tani ka ardhur koha që ata të largohen dhe kjo nuk do të ndodhë me revolucion, por me reformën në Drejtësi.

Sipas tij, politika amerikane po kërkon prej vitesh shqiptarë patriotë për të bërë politikë dhe gjën hajdutë antishqiptarë, që punojnë për fqinjët pushtues të territoreve shqiptare. Më tej, avokati shton se shqiptarët nuk mund t’ua vënë drunë këtyre politikanëve, pasi janë drejtuar gjithmonë nga njerëz të korruptuar që kanë shitur Shqipërinë e shqiptarët, duke lënë të kuptuar se pastrimin e politikës nga të korruptuarit do ta bëjnë vetëm amerikanët dhe gjermanët.

“Ka gjashtë vjet që amerikanët dhe gjermanët kërkojnë interlekutorë politikë në Shqipëri, dhe shqiptarët i nxjerrin ose Sali Berishën me injorantet e tij, që duan shkatërrimin e Shqipërisë, ose Edi Ramën me një tufë kalamajsh që vetëm vjedhin.

Të gjithë janë kundër interesit të Shqipërisë. Të gjithë shiten dhe të gjithë vjedhin dhe urrejnë shqiptarët. Këto kanë qenë vitet kur Shqipëtarët do të rifitonin nderin historik. Por u drejtuan nga hajdutë antishqiptarë. Kjo ka qenë fatkeqësi kombëtare

Ka tre vjet politika amerikane që po kërkon shqiptarë patriotë që të bëjë politikë, dhe gjen hajdutë antishqiptarë, që punojnë për fqinjët pushtues të territoreve shqiptare.

Pse nuk ikin hajdutët nga drejtimi i Shqipërisë? Jo, pyetje është kjo tjetra: pse nuk iu vënë këtyre drunë shqiptarët?

Nuk e bëjnë dot, se këtë shqipëtarët e kanë dobësi shekullore: janë drejtuar ngaherë nga shqiptarët e korruptuar që kanë shitur Shqipërinë dhe shqiptarët, dhe këta kanë ardhur në drejtim me radhë, njëri pas tjetrit. Kështu edhe sot. Po sot, a do të ikin?

Sigurisht që po. Por i kanë sjellë shumë dëm Shqipërisë dhe shqiptarëve. Tani ka ardhur koha. Dhe i kap Reforma, kjo është gjë e sigurt. Prandaj këta të korruptuar nuk do largohen me revolucion, por me reformë”, shkruan Ngjela.

Ngjela flet me emra/ Ja politikanët e korruptuar që do kapë Reforma në Drejtësi Read More »

Një natë kushton më pak se një euro, ky është hoteli më i lirë në botë

Nëse dëshironi të shkoni në pushime, por nuk jeni dhe aq mirë me buxhetin ka gjithmonë alternativa për të gjetur një hotel me çmim të arsyeshëm.

Ju mund të shkoni për një kampe ose në një hotel me dy yje, por nëse dëshironi të kurseni akoma më shumë para, duhet të shkoni në hotelin më të lirë në botë.

Hoteli më i lirë në botë quhet Hotel Faridpur dhe ndodhet në Dhaka, kryeqytetin e Bangladeshit. Hoteli super i lirë sigurisht që vjen me standardet e diçkaje super të lirë. Ai është i ndërtuar nga pesë anije dhe ju mund ta gjeni në brigjet e Buriganga.

Nëse dëshironi të kaloni natën, ju do të paguani 34 cent për një natë.

Nëse do rezervoni një dhomë do të duhet të paguani 92 cent. Një dhomë dyshe kushton pak shtesë: do të paguani 1 euro dhe 39 cent për një.

Objektet në hotel janë shumë bazike: ju do të keni ujë dhe tualet, por duhet të ndani gjithçka me të gjithë mysafirët e tjerë.

Përkundër faktit se hoteli është shumë i lënë pas dore, është gjithashtu shumë popullor mes banorëve dhe turistëve, të cilët mund të shoqërohen me vendasit këtu.

Sado e çuditshme mund të duket, nganjëherë turistët qëndrojnë edhe për disa muaj në këtë hotel të bërë nga anijet.

Sipas pronarit, hoteli është kaq i lirë sa njerëzit nga qytetet dhe fshatrat e afërt të vijnë në Daka sidomos të kalojnë natën atje.

Një natë kushton më pak se një euro, ky është hoteli më i lirë në botë Read More »

Donald Lu merr një vit shtesë mandati në Tiranë, Berishës dhe Metës i bëhen nervat “kaqurrel”

Mandati i ambasadorit, Donald Lu në Tiranë mund të zgjatet dhe me një vit tjetër. Kjo për shkak të shtyrjes së dëgjesës për ambasadoren e re dhe mundësia për ta pyetur dhe për përzierjen e rusëve në SHBA, krijon kushtet që Donald Lu të qëndrojë në Tiranë. Një gjë e tillë pritet të sjellë zhvillimet interesante në Tiranë.

Pas publikimit të lajmit se Lu ishte emëruar ambasador në Kirgistan, gjë që ka ndodhur në të vërtetë, por që formalisht të paktën do të dëgjohet në komisionin e jashtëm të Senatit në SHBA pati festë nga PD dhe LSI, festë që u shoqërua dhe me ironinë e zyrtarëve të lartë të të dy partive respektive në opozitë. Ironi e shoqëruar me deklarata kundër Lu, “shërbimin” e tij ndaj Ramës por dhe karikatura të ndryshme me peshq, me kryeministrin apo dhe me ambasadoren në largim të BE Romana Vlahutin.

Dhe Donald Lu e dha mesazhin e parë të lamtumirës kur deklaroi se kushdo që të vijë në Shqipëri si ambasador i SHBA, reformën në drejtësi, Vettingun dhe arrestimin e “peshqeve të mëdhenj” do ta ketë në qendër të punës së tij, pasi është një investim i SHBA ky.

Teksa kaloi qershori dhe erdhi korriku, Donald Lu dha mesazhin e dytë të lamtumirës, sërish të lidhur me Vettingun, reformën në drejtësi dhe arrestimin e “peshqve të mëdhenj”, kur deklaroi se “të gjithë duhet të ketë frikë nga reforma në drejtësi, dhe politikanët”.

Dhe kur kaloi korriku dhe në “kapërcyell” të gushtit, teksa “vapa ikën dhe me gushtin”, Donald Lu lëshoi mesazhin e tretë të lamtumirës, atë të përsëritjes të vendosmërisë për t’i shkuar deri në fund reformës në drejtësi dhe vettingut, ngritjen e institucioneve SPAK e Byrosë Kombëtare të Hetimit, me qëllimin e vetëm, burgun për “peshqit e mëdhenj”.

Tashmë pritet dhe një lamtumirë e katërt, që ndoshta do të jetë e fundit për të dhe përfundimisht do të largohet nga Shqipëria. Lamtumirë që pritet të jepet nga vera e vitit të ardhshëm me sa duket.

Ka në “themel” kjo që themi, përvojën me ish ambasadorin e SHBA në Tiranë, Alexandër Arvizu, i cili dha katër darka lamtumire me të gjithë politikën dhe mediat shqiptare dhe qëndroi dhe mbi një vit përtej mandatit zyrtar si ambasador i SHBA në Tiranë. Dhe situata ishte terësisht e ndryshme nga ajo që po paraqitet sot me ambasadën e SHBA në Tiranë. Pasi nuk është dhe zv.ambasadori, i cili e ka mbyllur mandatin, ndërkohë që e ngarkuara me këtë detyrë vijon ta kryejë atë, por me sa duket bashkë me Donald Lu.

Themi se situata është pak ndryshe, pasi e nominuara e Donald Trump si ambasadore e SHBA-ve në Tiranë, Kathleen Kavalec, pritej të zhvillonte dëgjesën në senat, por ajo s’është paraqitur. Duke u interesuar për të mësuar arsyet e mungesës së saj mediat shqiptare e pyeti zëdhënësin e senatorit amerikan Bob Corker kreu i komitetit për marrëdhëniet me jashtë që dha këtë përgjigje:

“Vumë re se një numër i anëtarëve të komisionit po kërkojnë informacione shtesë. Ne do të rishohim në një seancë për të nominuarin që do të shërbejë si ambasador në Shqipëri sa më shpejtë të jetë e mundur”. Rreth një muaj më parë, emri i Kathleen Kavalec u nominua nga presidenti Trump si ambasadore e SHBA në Tiranë pas përfundimit të mandatit të Donald Lu.

Megjithatë ditët e fundit mediat amerikane shkruajnë se emri i Kavalec, dikur zëvendës ndihmës sekretare e në Byronë e Çështjeve Evropiane të Departamentit te shtetit, është e përfshirë në dosjen e debatueshme të Trump për zgjedhjet presidenciale.

Madje thuhet se jo vetëm ka dhënë donacione për kandidaten rivale Hillari Klinton, por dhe se ka marrë informacione për përzierjen e rusëve në zgjedhjet e SHBA. Si një njohëse e thellë e çështjeve ruse ajo nuk përjashtohet të pyetet nga ana e kongresit, në kuadër të hetimit që ka filluar për këtë çështje dhe informacionet e saj mund të jenë të vyera.

I thamë këto për të nënvizuar faktin se procesi i emërimit të saj si ambasadore e SHBA në Shqipëri mund të shkojë shumë gjatë, pasi në fillim të vitit mund të fillojë zyrtarisht gjykimi i çështjes së përzierjes së rusëve në zgjedhjeve e SHBA, gjykim që shkon shumë shumë gjatë. Dhe deri atëherë në krye të ambasadës së SHBA në Tiranë pritet të jetë Donald Lu, duke ua ngrirë buzëqeshjen në buzë PD e LSI dhe në veçanti Berishës e Metës dhe duke ua bërë nervat “kaqurrel”.

Ndërkohë që mesazhi i Donald Lu se do kërkojë fort ngritjen e SPAK-ut dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit, është një paralajmërim serioz se “peshqit e mëdhenj” Meta dhe Berisha kanë nisur realisht të shohin ëndrra me burg dhe qeli. SHBA është e vendosur për t’i futur në burg “peshqit e mëdhenj” të politikës shqiptare, dhe Donald Lu me një vit shtesë mandati në Shqipëri, me sa duket është zgjidhja e duhur për këtë./Pamfleti

Donald Lu merr një vit shtesë mandati në Tiranë, Berishës dhe Metës i bëhen nervat “kaqurrel” Read More »

“HESHTJA“, vdekje ma e randë se atentati

Nga mjeshtri i pikturës Pjerin Sheldija

Pyes: Sa herë vdiqe Gurakuq?

Me siguri që ti do të thuesh: të lutem, më len në qetësi, këtu, ku jam. A s’të mjaftoi gjithë jeta e veprimtaria ime, e trazueme dhe e flijueme per Shqipni? Të lutem, tash së paku, më len pa më trazue!

Mendoj: drejt o Gurakuq: Ti i pastri, i drejti, i nderëshmi, ti shembulli I atdhetarisë, ti motorri i pamvarësisë, luftove u perpoqe për liri e qetësi, e tash, këto i ke të shtrejta e lypë, me të drejtë , që mos ti trazojë kush.

  • Më fal! Por, kaluen sa pervjetorë të lindjes sate, po ashtu edhe të vdekjes e askush s’u kujtue: asnji organ shtetnor apo shtypi. Heshtje vorri e këtë rasë, për keq, mbas sa dekadash të vdekjes sate.

Vdiqe!? Jo mor burrë por të vranë. Të vrau mbreti, të cilit, si duket, për meritë të vrasjes sate, të B. Currit, H. Prishtinës, A. Rrustemit etj. i u ngrit monumenti (interesant…, prej nji artistit që ka ba edhe E. Hoxhen!!!) dhe mendohei për mauzoleumin e dinastisë “ZOGU”.

I lumtë Demokracisë së gadi tridhetë vjetëve! Veçse nuk thohet drejtë për drejtë: Baltion Stamolla “të lumtë pushka” (e pabesë).

Kjo kje vedkja e parë e jote, vdekja fizike.

Erdhi përbindshi i kuq. Këtu jo se s’tu përmend emni e s’pat ndonji botim (monografia e P. Takos) e ndonji artikull, por përsa je përmend, peshove tepër lehtë. Universiteti i Shkoders mban emnin tand dhe u ba monumenti i yt, në qendër të qytetit tand. I lumtë Shkodres qi kujtohet për birin e vet, por aty, ku ti e kishe vendin, t’u mohue: NË MONUMENTIN MADHËSHTOR TË PAMVARSISË në Vlonë, nuk t’u dha asnji centimetër vend. E pra, pesha e jote, në 1912-ten ishte aq e madhe, sa s’ka kandar që ta peshojë.

Mos të mendojnë kush, se ka faj Vlona. Ajo të ka pasë e të ka në zemër, deri në të sosun të shekujve.

Atëherë kush: Grupi i skulptorëve apo shteti komunist?!

E din Partia, që po s’a pati diktue, do  t’ia kishte “zhgulë veshin” artistëve, për këtë mungesë absurde por, e justifikoi realizmi socialist: …mbasi Gurakuqi, si shkodran, do të ketë kleçka, sado pak, si prej klerit ashtu edhe prej figurave tjera antikomuniste.

Ka shumë kohë, në nji letër që Gurakuqi i drejton nji mikut të vet, të botueme në nji revistë të herëshme, pat shkrue: “…na kanë fye randë, na kanë quejtë komunista…”, e këtë natyrisht, që komunistët s’mund t’ia falshin.

Megjithë atë, shtëpia e Gurakuqit u shpall “Muze”. Mjaft me kaq, mos tepër bile! Këtë ato s’e kanë thanë me gojë por, me zemër sigurisht që po!

Hëm…, “Shtëpia Muze” ! Vetëm nji pllakë, në krah të nji dere të madhe, që nuk ruen karakterin shkodran, thotë se: “Këtu ka lindë Gurakuqi”, ….e se, …”mbrohet nga shteti”. Kush?! Shtëpia?!…AJO NUK EGZISTON. Pra, ke mbron shteti? Apo e ka prishë vetë? Kështu edhe me Daut Boriçin, kryetarin e degës së Lidhjes së Prizrendit për Shkodren, me Filip Shiroken, Isuf Tabukun, etj. I lanë pa plang e pa shtëpi, e kjo për se vdekuni. A ka hall ma të madh?! Ishte, nji njeri, burrë tepër i ndershëm, mik i Gurakuqit, (Gj. Kamsi), që kur u ba shtëpia muze, dorëzoi nji mori materialesh, që prej teshave të pergjakuna, kunorat, lajmërimet etj., që i kishte ruejtë me fanatizëm prej dekadash, në shtëpinë e tij. Mendim i mrekullueshëm i tij e që plotësoi sasinë e relikeve të shtrejta të heroit, por… ku janë sot?

Këta breza të rij, që rriten, a i kanë pa ndonjiherë dhe a dijnë se ekzistojnë? Edhe në kjoftë se ruhen në muze, vështirë për ekspozim të përherëshëm, për mungesë ambientesh.

Vorri?!

Ndër vorret e deshmorëve ishte e asht nji (vorr) i caktuem për te. Dikur, u pat thanë se erdhën eshtnat e bekueme të Gurakuqit, prej Barit, e u vëndosen aty. Edhe nji (vorr) për Dedë Gjo Lulin, por ky i fundit kje vorrosë në Kishen Françeskane, por, për mos me e lane vetëm, eshtnat e tij u treten në Bunë, bashkë me ata të At Gjergj Fishtës, kur u rropos gjithshka ndër kisha e xhamija.

Pyes vehten sot: … i tiji (vorri i Gurakuqit), a ka gja mbrendë, atje në kodër? Po?! Si duket, Gurakuqi, për brezat e fundit të politikës, i takon tokës. “HESHTJE”. E pra, nji vrasje tjetër kjo.

Fluturoi, tashma kaherë 100 vjetori i pamvarsisë, e ….HESHTJE vetëm për emnin e tij. Dishroj me këtë rasë, që Shkodra të bante diçka, për të ekspozue ata relike, tepër të shtrejta, si dhe (ndoshta absurditet), nji bust, të derdhej në bronx e të çohej në Vlonë dhe të vihej tek kambët e Ismail Qemalit, se kje krahu i djathtë i tij, e ai, me siguri, do të ndjehet ma i fortë, prap si në ditët e Nandorit të madhnueshëm.

Kujtoj, sa përvjetorë të lindjes e të vdekjes së tij, e ….përsëri hiq… Turp! … Edhe ma turp, kur kërkohet që gjakun e tyne të pastër (Gurakuqit, Currit, Gazullit, Prishtinës, Rustemit), ta përlyejnë, tue na thanë e quejtë “ Vllazën të nji gjaku”, me pushtuesit e ndryshëm… E pra, as probatina që i kena pi gjakun njeni tjetrit, nuk jena, …DERDHË PO!?

Fishta thotë: Me gjithkend vllazen e shokë, por seicili n’cak të vet… Nuk paska folë kot, me ato dy elegji për Gurakuqin e Currin. Mirëpo, pyes përsëri: A mbulohet dielli me shoshë? Se kush kje e asht Gurakuqi, dihet prej botimeve të kaherëshme e plotësohet prej intervistave të W. Kamsit, V. Hotit, G. Shpuzës (të gjithë profesorë), të librit të Kolec Çefës etj.

Si ka mundësi të vihet nji eklips artificial, mbi një diell që ka shndritë me forcë token shqiptare?! Përsëri me fjalët e Fishtës së madh: …A ka si i bahet kuej ma tepër dhunë? E vrasësi krekoset në bronx, për vepren e përgjakshme të tij, bile, thohet:…Me këtë nuk errësojmë figurat e tjera… Kulmi! Na në Shkoder thona: O puth kryqin o kërce hendekun…, pra, …djajtë e shejtnit, kurrsesi nuk mund të rrijnë bashkë. Kanë kalue ka herë dy datat e tija: lindja me 19 shkurt 1879 dhe vdekja 2 mars 1925. Prap “HESHTJE”.

Pyes gjithnji: a i del zot kush, sot, në “Demokraci” këtij demokratit të madh, që nuk asht turp që në çdo zyrë demokratike, të jetë portreti i tij? A thue, të gjithë janë pro kësaj heshtje, që përveç se pa shtëpi e pa vorr, duen të jetë edhe pa emen? Historia kështu do të bahet?

Atëherë lutem: shëndritja, Zot, mendjen autoriteteve tona, shkencatarëve tonë, historianëve tonë e atdhetarëve tonë, që të vejnë emnin e tij të pavdekshëm, në piedestalin e Atdheut, për të cilin, shkriu jeten; e në kjoftë se heshtet ma, në këtë botë u baj thirrje shpirtënve e eshtnave të dëshmorëve: Gurakuq, Curr,  Prishtinë, Gazull, Rustem, të mblidhen tok atje në parajsë e si thotë Fishta: Para fronit të Perëndisë, lypni gjyq mbi këta “KAINA” të kunorzuem, që kombin tonë po duen me e pa të sharruem?!

Pyes, …pyes,…Pse linde ndopak o Gurakuq?

“HESHTJA“, vdekje ma e randë se atentati Read More »

Presidenti Meta uron “mirëmëngjes” me not zhytur nga Saranda (VIDEO)

SARANDE – Presidenti i Republikës, Ilir Meta, është sot i pranishëm në qytetin bregdetar të Sarandës.

Ai i uroi “mirëmëngjes” shqiptarëve nga një pishinë, pas notit zhytur. “Mirëmëngjes nga gjiri i Bukenvileve në Sarandë, një eksperiencë e jashtëzakonshme,” shprehet ai.

Ditën e djeshme kreu i shtetit, ndodhej për vizitë në Konispol ku dhe u takua me disa turistë italianë.

Këta të fundit zgjodhën Konispolin me bukuri natyrore për të kaluar disa ditë pushimi.

Sipas Metës, turistët italianë kishin hasur mikpritjen tradicionale nga qytetarët e Konispolit.

BalkanWeb

https://www.facebook.com/ilirmetazyrtar/videos/526023211188769/?t=0

Presidenti Meta uron “mirëmëngjes” me not zhytur nga Saranda (VIDEO) Read More »