Aurora

700 mësues të posaçëm për nxënësit me aftësi të veçanta

Ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla në takimin me prindër e nxënës në Vlorë, ku janë shpërndarë falas paketat e librave, theksoi se ky vit i ri shkollor, edhe në Vlorë si në çdo qytet e fshat, nis me një risi tjetër, me kujdes të shtuar e vëmendje të posaçme për nxënësit me aftësi të kufizuara.

“Çdo nxënës do të ketë mësues të posaçëm që do të vendosë të gjitha dijet e tij në shërbim të tyre, një shërbim që deri më tani ka qenë jo vetëm i munguar, por nuk ka pasur as edhe një politikë të vetme për ta ofruar atë”, theksoi Nikolla.

Ministrja e Arsimit vuri në dukje se janë 700 mësues për nxënësit me aftësi të kufizuara dhe qeveria ka ambicjen për më shumë në mënyrë që çdo fëmijë të asistohet nga mësues-ndihmës që ofrojnë shërbim, madje një shërbim cilësor. Për këtë arsye, tha ministrja, mësuesit janë trajnuar nga universitetet dhe partnerët ndërkombëtarë.

Nikolla vuri në dukje se arsimi ka shumë problematika dhe shumë mbetet ende për t’u bërë, mirëpo të paktën këtë vit, janë zgjidhur disa prej tyre, e të tjerë do të zgjidhen hap pas hapi. /atsh

700 mësues të posaçëm për nxënësit me aftësi të veçanta Read More »

Fëmijët shqiptarë me tekste shkollore si bashkëmoshatarët europianë

“Fëmijët e klasës së parë deri në klasën e katërt do të kenë libra falas me standarde si çdo bashkëmoshatar i tyre në Europë”, deklaroi kryeministri Edi Rama në Vlorë, ku mori pjesë në shpërndarjen e paketave të librave falas për nxënësit, sipas vendimit të qeverisë për librat falas për të gjithë nxënësit e klasave I – II – III – IV (dhe vitin tjetër edhe V).

Kryeministri nënvizoi se librat falas janë një provë kuptimplotë jo vetëm e vëmendjes së posaçme ndaj arsimimit të fëmijëve, po edhe e faktit se falë reformave e kontributeve të të gjithëve, rriten mundësitë e shtetit për të investuar më shumë fonde në favor të familjeve e të fëmijëve pa diskutim.

Kryeministri theksoi se librat e rinj ndonëse do jenë falas, ç’është më e rëndësishme, kanë standarde europiane.

“Librat e shkollës nuk janë thjeshtë vetëm tekste, por janë tekste me një cilësi të padiskutueshme, pasi tani më, ne jemi në mbyllje të një cikli të nisur tre vjet më parë për zëvendësimi e të gjithë teksteve aq shumë problematike, aq shumë të ngarkuara, aq shumë të kontestuara nga prindërit nga mësuesit edhe aq shumë të kritikuara edhe nga organizmat ndërkombëtarë. Paketa e librave janë tekste nga Oxford, Cambridge, Pearson, që kanë zëvendësuar malet me gropa të qindra e qindra teksteve që për shumë vite, lemerisën mësuesit, prindërit e nxënësit”, theksoi kryeministri.

Tanimë, vuri në dukje ai, nxënësit shqiptarë kanë tekste të reja si ata me të cilët mësojnë bashkëmoshatarët e tyre në Britaninë e Madhe  dhe jo vetëm”, tha kryeministri Rama.

Më tej, Rama shtoi se “na vjen mirë që ia dolëm në këtë proces, por na vjen edhe me mirë që tani ne kemi mundësinë që edhe një tjetër kontribut të prindërve për familjen e për fëmijët ta zëvendësojmë me një kontribut të shtetit”. /atsh

https://web.facebook.com/edirama.al/videos/926941630839276/?t=0

Fëmijët shqiptarë me tekste shkollore si bashkëmoshatarët europianë Read More »

Festë ditëlindjeje në Shtëpinë e të moshuarve në Tiranë

“Vëmendja jonë është për ata që kanë më shumë nevojë”, deklaroi ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu ndërsa ka postuar foto nga festa e organizuar nga Shërbimi Social Shtetëror me rastin e ditëlindjeve të disa të moshuarve.

Ministrja Manistrirliu u shpreh se “ditë të mbushura me ditëlindje në Shtëpinë e të Moshuarve, Tiranë. Plot gëzim kanë kaluar festat për gjyshe Dallëndyshen dhe gjyshërit, Luan, Sotiraq, Bashkim, Et’hem, Adnanit dhe Sabriut”.

“Vëmendja jonë është tek ata që kanë më shumë nevojë për kujdes dhe ngrohtësi. Kemi përgjegjësinë të jemi çdo ditë pranë të moshuarve, të cilët i kanë dhënë kaq shumë familjes dhe shoqërisë tonë”, theksoi Manastirliu. /atsh

Festë ditëlindjeje në Shtëpinë e të moshuarve në Tiranë Read More »

A e dini pse bota e quan vendin tonë Albania, ja arsyeja

‘Albania’ u popullarizua nga Anna Komnena (1083-1146), bija e perandorit bizantin Aleks i parë, e cila shkroi në historinë e saj të famshme Alekseida, se njerëzit që banonin në zonën përtej Durrësit e quanin veten ‘Arbanez’

Më 23 korrik të vitit 90 në Aleksandri, provincë romake, Egjipt – lindi Klaudius Ptolemy (Ptolemeu), astrolog, muzikolog, matematicien, shkrimtar dhe gjeograf.

Prejardhja e saktë e tij nuk dihet. Disa thonë se ishte romak, të tjerë thonë, helen, por nisur nga emri ‘Ptolemy’, ai mund të ketë qenë me prejardhje nga Ptolemenjtë e periudhës së Aleksandrit të Madh.

Ptolemeu shkroi shumë libra, traktate shkencore, studime, por shqiptarët e përmendin atë kryesisht për Gjeografinë e tij (rreth vitit 130), ku Ptolemeu sjell për herë të parë të dokumentuar emri ‘Albanian’ me kryeqytet Albanopolis, sa kalon Durrësin, diku midis Tiranës dhe Krujës. (kjo faqe në librin e tij thuhet se ka humbur a është grisur, por të dhënat citohen nga burime të asaj kohe).

Dhe kështu fillon rrugëtimi historik i një emri; ‘Albania’ . Në fillim të shekullit XII normanët në epikën e tyre në frëngjisht, ‘Këngët e Rolandit’ e quajtën ‘Albania’ rajonin nga Durrësi në Vlorë; në shekullin XIV, ata që ikën në Greqi nga këto troje e quajtën veten në dialektin gjuhësor ‘Arbanitë’ – ‘Arvanitë’; në shekullin XV ata që ikën në Italinë jugore e quanin atdheun e tyre ‘Arbana’ dhe veten ‘Arbëreshë’; Gjon Buzuku, një nga shkrimtarët e pare shqiptarë të shekullin XVI, i referohej vendit të vet ‘Arbën’;

Madje Buzuku ishte i pari që e quajti gjuhën e tij ‘Shqip’; ndërkohë bota vazhdon të përdorë emrin e vjetër ‘Albania’ (ndikuar nga Ptolemeu) dhe ‘Albanian’ për gjuhën që flitet, ndërsa vendasit mbështeten në fjalën ‘shqip’ dhe ‘Shqipëri” dhe ‘Shqiptarë’ e quajnë veten e tyre.

“Gjeografia” nga Ptolemeu

Ptolemeu është përgjegjës për disa nga tekstet e historisë më të rëndësishme në astronomi dhe hartës. “Gjeografia”, udhëzuesi i tij për kartografinë, konsiderohet si përpjekja e parë e vërtetë në botë për krijimin e një harte të botës.

Ndërkohë që ideja e Ptolemeut mbi botën mund të mos duket si globi modern ku ne kemi qasje sot, mbetet sërish një punë mbresëlënëse për shekullin e 2-të. Shumë nga teknikat moderne të hartës që përdorim sot ende varen nga risitë e bëra nga Ptolemeu në trajtimin e portretit të tij.

A e dini pse bota e quan vendin tonë Albania, ja arsyeja Read More »

Sami Frashëri mbi Çamërinë dhe të vërtetat e pamohueshme

Të vërtetat që janë thënë nga apostujt e Rilindjes sonë Kombëtare, janë të vërtetat që burojnë nga realiteti i pakontestueshëm që u bënë njëherazi edhe frymëzuesit e ndërgjegjes kombëtare.

Shqipëria dhe trojet e saj që përmblidhen në fjalët “Shqipëria e Vërtetë” kanë qenë në fokusin e njerëzve që morën përsipër të flasin për fatet e kombit dhe të thonë haptaz  ato që do të cilësoheshin shpesh si “të vërtetat e pamohueshme”.

Sami Frashëri, njeri nga vëllezërit Frashëri është njeri nga ata që flet me detaje dhe me saktësinë e kohës për Çamërinë, njera nga krahinat shqiptare në jug që në atë kohë ishte nën sundimin otoman turk.

Ka një debat në lidhje me atë se cila është Çamëria, ku shtrihet ajo, ç’pjesë të territorit zë ajo, cilat janë qytetet dhe fshatrat e saj që fatkesësisht sot ndodhen nën sundimin Grek pas ndarjes së kufijëve më 1913, kohë kur edhe u zhvillua Konferenca e Londrës.

Sami Frasheri mbi Çamerinë dhe disa nga qytetet e saj kryesore, marrë nga vepra e tij “Fjalor i përgjithshëm i historisë dhe i gjeografise” (Konstandinopoje 1889). Vepra 2 e Sami Frasherit, botim i Akademisë së Shkencave,1988.

Tesprotia (Çamërinë)

parathimiaËshtë një nga krahinat që përbënin Epirin e lashtë. Krahina e lartpërmendur zgjatej nga Ambrakija, pjesa jugore e bregditit d.m.th. nga gjiri i Nartës deri në lumin Thijamis d.m.th Kalama. Me një fjalë Tesprotia ishte emri i vjetër i pjesës jugore të Shqipërisë të quajtur Çamëri.

Kufizohet nga veriu me Mollosinë që përbëhet nga sanxhaku i Janinës dhe me krahinën e Kaonisë që përbehet nga sanzhaku i Gjirokastrës d.m.th nga krahina e Labërisë, nga jugu me Ambrakinë d.m.th. me gjirin e Nartës, nga perëndimi me detin Jon. Kjo krahinë laget nga lumenjtë Akeron dhe Kogjin,që bashkohen para derdhjes së tyre në det.

Këta konsiderohen nga grekët e lashtë si lumenjtë e skëterrës. Ndë rsa lumi Haradros d.m.th. Loros e ndante këtë krahinë nga Mollosia. Qytetet dhe qytezat kryesore janë Pandosja, Kasupa, Allaka, Haradra, Himrion, Efina, Vruka e të tjera.Këto përfshihen midis 80 qyteteve që kryekomandanti romak Pal Emili rrafshoi në Epir. Megjithëkëtë ekzistojnë gërmadhat e disave prej tyre. Flitet dhe besohet se tempulli i famshëm i Dodonës ndodhej në këtë krahinë..Pas kësaj romakët themeluan në skajin jugor të kësaj krahine një qytet të madh me emrin Nikopolis,gërmadhat e të cilit ekzistojnë në një istme te ngushtë një orë larg në veri të Prevezës.

Tesprotianet e vjetër i përkasin thjesht popullit pellazg. Ishin të një gjaku dhe kishin të njëjtën gjuhë me popullin e Kaonisë dhe të Mollosisë.

Përshumë kohë u qeverisën nga krerët e tyre dhe pastaj për një periudhë u qeverisën në formën e një republike. Pas kësaj u pushtuan nga sundimtari i Molosëve, Pirrua dhe më vonë iu aneksuan shtetit maqedonas. Së bashku me Maqedoninë kaluan në duart e romakëve dhe së fundi pas shkatërrimit të shtetit të Bizantit, ashtu si në viset e tjera të Shqipërisë,edhe në këto anë u formuan principata të vogla të cilat u pushtuan në kohën e sundimit të sulltan Mehmetit II dhe të Bajazitit II dhe iu aneksuan tokave osmane.

Ajdonat (Paramithi)

paramithiaËshtë një qytezë,qendër kazaje në krahinën e Çamërisë, e cila formon pjesën juglindore të Shqipërisë, varet nga vilajeti dhe sanxhaku i Janinës.

Ajdonati ndodhet afërsisht 40 km në jugperëndim të Janinës dhe 18 km në lindje të limanit të Myrtos, rrezë një mali,në anën e majtë të lumit Vuvo d.m.th ne lindje te tij. Pozicioni i tij është i lartë, me ajër shumë të mirë dhe i rrethuar me vreshta e kopshte. Popullsia e tij arrin në 2500 njerëz, thuajse të gjithë myslimanë dhe shqiptarë.

Kështjella quhet Ajos Dhonatos dhe emri Ajdonat që përdohet në gjuhën zyrtare për qytezën,e cila njihet nga vendësit me emrin Paramithi, është marrë nga emri i sipërmendur. Përreth gjenden rrënimet e qytetit të vjetër Uria.

Është një qytezë ku zhvillohet mjaf tregëti dhe çdo vit me 10 shtator bëhet një panair i madh që vazhdon pesë ditë. Burnot i cilësisë së lartë, i njohur me emrin burnoti i Janinës, prodhohet nga duhani, që rritet në këtë qytezë dhe ne disa vende të kësaj kazaje. Qyteza bashkë me kazanë ka 64 fshatra, 40 nga këto janë në veri të qendrës së kazasë dhe 24 në jug të saj.

Në juglindje të kësaj kazaje ndodhet nahija e Sulit, popullsia e së cilës është e njohur për qëndresën e guximshme kundër Ali pashë Tepelenës. Toka e saj është malore, por ka edhe disa lugina e pllaja të bukura. Toka e saj është pjellore, prodhon drithëra të ndryshme dhe duhan. Ka një popullsi afërsisht prej16.000 njerëzish, shumica e të cilëve janë shqiptarë e afro gjysma myslimane. Brenda kazasë ka 22 xhami e mesxhide, 1 shkollë plotore, një medrese, 4 shkolla fillore kuranike, 3 punishte për regjien e lëkureve,13 ura. Rrethi i kazasë mund të përshkohet për 23 orë.

Janinë

filatiËshtë një qytet, qendër e vilajetit me të njëjtin emër. Ndodhet në jug të vilajetit të Shkodrës 700 km në jugperëndim të Stambollit e 210 km në jugperëndim të Selanikut, në bregun perëndimor të liqenit me të njëjtin emër. Ka 35.000 banorë, 30 xhami, 6 kisha, 2 sinagoge, 3 teqe, disa medrese, një bibliotekë, një gjimnaz, një shkolle fillore e disa shkolla fillore kuranike (mektep), një gjimnaz me emrin “Zosimea”, disa shkolla fillore dhe një shkollë për vajza vetëm për greket,një shkollë plotore për vllehët, një azil grek për jetim e të varfër si dhe një spital, një spital tjetër të ndërtuar kohët e fundit nga bashkia, treg të bukur, hane e hamame të shumta, një kështjellë të mbetur nga Ali pashë Tepelena, që ndodhet mbi gadishullin që futet brenda në liqen, të rrethuar me hendek; përreth ka disa pendë dheu.

Ne rrethet e qytetit ka vreshta e toka pjellore, punishte lëkurësh; prodhohen sende prej argjendi dhe prej lëkure dhe zhvillohet një tregëti mjaft e rëndësishme.

Janina është ndërtuar nga i quajturi Jani, një nga princat e vendit në kohën e rënies së perandorisë bizantine. Ajo i është dorëzuar paqësisht sulltan Bajezit Jellderemit, pastaj u kishte dalë dorë (osmanëve) dhe në vitin 1431 në kohën e sulltan Muratit II u pushtua përfundimisht. Më vonë në kohën kur sundoi i pavarur Ali pashë Tepelena, qyteti u zhvillua dhe u zbukurua tepër prej tij dhe kishte më shumë popullsi.

Kazaja e Janinës, ndodhet në mes të sanxhakut e të vilajetit që mban të njëjtin emër. Së bashku me dy nahijet e quajtura Zagor dhe Korondos, përfshin 233 fshatra me 87.256 banorë. Toka është e ndryshme, ka fusha pjellore, kullota dhe disa pyje. Shumica e popullsisë së fshatrave është e krishtere dhe përbëhet nga grekë dhe vllehë.

Sanxhaku i Janinës, është sanxhaku qendror i vilajetit që mban të njëjtin emër. Kufizohet nga juglindja me kufirin e Greqisë, nga verilindja me vilajetin e Manastirit, nga veriperëndimi me sanxhakun e Gjirokastrës, nga perëndimi me detin Jon,nga jugu me sanxhakun e Prevezës. Sanxhaku përbëhet prej 6 kazave dhe dy nahijeve me 439 fshatra dhe 166.691 banorë si më poshtë :

Sanxhaku Kazate Nahijet Fshatra

Janinë Zagore   233

Korondos           49

Leskovik           34

Janinë Konicë     3

Mecovë             62

Ajdonat             68

Filat

paramithiaVetëm popullsia e Janinës me fshatrat e Mecovës dhe të Konicës është e përbërë nga mysliman, vllehë e grekë, kurse popullsia e tri kazave të tjera është krejtësisht shqiptare dhe shumica myslimane. Të krishterët shqiptarë dëshirojnë të mësojnë në gjuhën e tyre shqipe dhe nuk e mbajnë

veten të kombësisë greke.

Konicë

Është një qytezë, qendër kazaje që ndodhet në sanxhakun e vilajetin e Janinës, 45 km në veri të Janinës, në anët e lumit të Vjosës, në rrëzat e maleve që ndodhen në skajet e një fushe; ka 5500 banorë, nëpër rrethe ka shumë kullota, ku mbahen shumë dhen me qumështin e të cilave bëhet djathë i famshëm shqiptar. Popullsia është shumë e zgjuar.

Kazaja e Konicës,rrethohet nga jugu me kazanë e Janinës, nga perëndimi me sanxhakun e Gjirokastrës, nga veriu me kazanë e Leskovikut, nga lindja me vilajetin e Manastirit. Përbëhet nga 34 fshatra me popullsi afërsisht 35.000 banorë, prej të cilëve gjysma janë myslimanë shqiptarë dhe të tjerët janë të krishterë shqiptarë dhe vllehë.

Toka është malore, më pak vende të përshtatshme për bujqësi. Kullota ka shumë, prandaj mbahen sasira të mëdha dhensh dhe bagëti të tjera. Në fushën e Konicës dhe ne luginën e Vjosës ka shumë drurë arre dhe nxirret një sasi mëndafshi.

Gratë në fshatra prodhojnë corape, fanella, velenxë e të tjera sende prej leshi. Lumi i Vjosës përshkon kazanë duke marrë me vete përrenjtë Vidomati dhe Sarandoporo. Në këtë kaza ka një llixhë squfuri me nxehtësi të madhe, dobia e së cilës është provuar. Një herë në vit organizohet një panair me emrin “Pazaropolo”, ku tregëtohen shumë kafshë dhe prodhime leshi.

Margëlliç

Është një qytezë, qendër kazaje ne sanxhakun e Prevezës të vilajetit të Janinës, ndodhet 50 km në veriperëndim të Prevezës, në një distancë 10 km prej bregut të detit. Ka 3000 banorë, të gjithë janë myslimanë shqiptarë.

Kazaja e Margelliçit së bashku me nahijet e Pargës e të Fanarit ka 71 fshatra me afërsisht 25.000 banorë. E gjithë popullsia është shqiptare, pjesa më e madhe myslimane. Janë të njohur për guxim e trimëri.

Toka e saj është pjellore, prodhohen drithëra, oriz, ullinj e të tjera. Në vendet afër bregut të detit klima është e butë gjatë dimrit, prandaj andej ka kullota të mira dimërore. Përveç Pargës, ka edhe disa skela të vogla, në të cilat mund të hyhet me barka të vogla.

Pargë

cameri2Është një qytezë, qendër nahijeje në kazanë e Margëlliçit të sanxhakut të Prevezës të vilajetit të Janinës, në pjesën jugore të bregdetit shqiptar.

Ndodhet 45 km në veriperëndim të Prevezës dhe 55 km në jugperëndim të Janinës. Ka 5.000 banorë, një xhami, një kështjellë të vjetër të ndërtuar mbi një shkëmb të futur në det; përreth ka kopshte me portokalle e limone dhe ullishta të bukura. Ka shumë nerënxa që janë tepër të kërkuara dhe që pëlqehen nga çifutët.

Nga ky prodhim, popullsia ka nxjerrë shumë të ardhura. eksportimet e tjera kryesore janë portokallet, limonat e vaji i ullirit; në qytezë prodhohet një lloj sapuni në ngjyrë gështenjë; e ka ajrin të këndshëm e të mirë, që u sjell mjaft dobi atyre që vuajnë nga sëmundje të mushkërive.

Ka edhe banja deti shumë të dobishme. Megjithëse anijet nuk ndalin aty, ajo është skelë për krahinën e Çamërisë, pasi aty vijnë e shkojnë barka me vela dhe zhvillojnë tregëti me Korfuzin dhe Triesten. Kjo qytezë për shumë kohë ka qenë në dorë të anglezëve, por Ali pashë Tepelena e bleu qytezën nga shteti i lartpërmendur dhe me këtë rast popullsia u shpërngul dhe kaloi në ishujt.

Qyteza dhe toka e saj u bë çiflig i Ali pashës dhe pas ekzekutimit të tij, i kaloi thesarit të shtetit. Në atë kohë u ble prej Rifat pashës që ishte ministër i financave dhe sot gjendet në dorë te trashëgimtarëve të tij. Nga popullsia e saj, ata që janë myslimanë dhe një pjesë e të krishterëve janë shqiptarë, të tjerët janë grekë.

Nahija e Pargës varet nga kazaja e Margëlliçit, që formohet nga pjesa qendrore e krahinës së Çamërisë, së bashku me qytezën përfshin edhe tre copë fshatrash përreth. Më përpara, së bashku me një numër fshatrash formonte një kaza më vete.

Prevezë

Është një qytezë në skajin jugor të Shqipërisë, në fund të një gadishulli që mbyll anën perëndimore të gjiut të Artës, në bregun verior të grykës që mban të njëjtin emër. Është qendra e sanxhakut me të njëjtin emër, të përfshirë në vilajetin e Janinës si dhe e krahinës së Çamërisë. Ndodhet 92 km në jugperëndim të Janinës.

Pozicioni i saj shumë i bukur të kujton atë të Stambollit. Ka 8000 banorë dhe shumë kopshte me portokalle e limona si dhe ullishtë. Në anën nga toka është e mbrojtur nga një kanal, nga deti me dy fortifikata dhe 4 kala, të ndërtuara prej Ali pashë Tepelenës. Në qytet ka dy xhami, njera e ndërtuar prej Ali pashë Tepelenës dhe tjetra prej Ahmet aga Dinos.

Ka gjithashtu dy teqe, disa tyrbe,një shkollë plotore e disa shkolla fillore, dy shkolla fillore greke, një për vajza e një për djem, një mulli me avull, një punishte për regjjen e lëkurës, disa fabrika sapuni e vaji. Prodhohet një lloj pëlhure shumë e preferuar, pambuku e mëndafshi e punuar shumë holl, çorape e të tjera prodhime.

Ka një liman mjaft të frekuentuar, që bën shumë tregti me skelat e Triestes, Korfuzit, të Greqisë dhe të Italisë. Në veri dhe brenda gjiut ka edhe një liman me të madh të quajtur Vati ose me emrin Drin, i cili ka qenë liman i qytetit të lashtë të Nikopolisit. Emri Prevezë rrjedh nga emri i qytetit të lashtë te ndërtuar prej të famshmit Pirro, i cili ka marrë emrin e se vjehrrës së tij, Berenika, e shoqja e Ptolome Lagosit dhe ishte quajtur Berenikia.

Ky qytet ndodhej ose në vendin e Prevezës së sotme ose në atë të qytetit të Nikopolit. Nikopoli, i ndërtuar prej Oktavianit dhe gërmadhat e të cilit duken edhe sot një orë larg në veri të Prevezës, u shkatërrua nga sulmet e bullgarëve dhe të serbëve, kurse Preveza e tanishme u ndërtua prej venedikasve; ajo qendroi për shumë kohë në dorë të francezëve bashkë me ishujt e Dodekanezit.

Në vitin 1798, Ali pashë Tepelena e mori qytezën nga francezët me luftë dhe qysh prej asaj kohe ajo bën pjesë në territorin otoman. Preveza për rëndësinë ushtarakë dhe tregëtare i ka të gjitha mundësitë të përparojë.

cameriSanxhaku i Prevezës është me i vogli ndër katër sanxhakët që formojnë vilajetin e Janinës.Ndodhet në skajin jugor të Shqipërisë dhe përbëhet nga gjysma jugore e krahinës së Çamërisë. Kufizohet nga veriu me sanxhakun e Janinës, nga lindja me kufrin grek, nga jugu me gjirin e Nartës dhe me grykën e Prevezës, nga perëndimi dhe jugperëndimi me detin Jon.

Pjesa më e madhe e tokës përbëhet nga kodra të ulëta, me kullota të bukura, të veshura me portokalle e limona. Megjithëse tokën e ka shumë pjellore, për shkak të helmimit të ajrit nga kënetat dhe të mungesës së popullsisë, tokat kanë mbetur djerr dhe përdoren vetëm si kullota dimërore.

Lumi i Nartës rrjedh në lindje të sanxhakut dhe ndan kufirin me Greqinë. Në tokat e sanxhakut ka edhe dy lumenj të tjerë, njeri është Lorosi që mbledh ujerat që zbresin prej maleve të Olickës, të cilat ndodhen në sanxhakun e Janinës dhe që derdhet në gjirin e Nartës. Ky lum e kthen në një kënetë fushën që ndodhet midis Nartës dhe Prevezës.

Tjetri është lumi Ferari që rrjedh nëpër kazane e Margëlliçit, buron prej maleve të Sulit pastaj drejtohet nga veriu e duke marrë me vete lumin Vovo, derdhet në detin Jon. ky është lumi Akeron që mitologjia greke e quante skëterrë. Popullsia e tij arrin në 55.000 banorë, shumica janë myslimanë e të tjerët të krishterë e një numër i paktë çifutësh.

E gjithë popullsia myslimane dhe shumica e të krishterëve janë shqiptarë, përveç të krishterëve të vetë qytezës së Prevezës dhe të vendeve kufitare me Greqinë, të cilët janë grekë. Kazaja përfshin 179 fshatra, 48 xhami e mesxhide, dy medrese,30 shkolla (fillore kuranike), 220 kisha e manastire, 450 dyqane, 50 mullinj e të tjera.

Prodhohen drithëra të ndryshme dhe me shumicë ullinj, portokalle, limona, vaj ulliri e pemë të tjera; si sasi e madhe vaj ulliri eksportohet. Ka shumë bagëti, dhentë e shumta që kullosin verës ndër malet e sanxhakut të Janinës dimrit zbresin ndër kullotat e Prevezës. Klima është e butë dhe e këndshme, rralë bie borë. Sanxhaku ndahet ne 3 kaza e dy nahije si me poshtë:

Kaza nahije fshatra

Prevezë ——         38

Loros, Xhemernik 68

Margelliç, Pargë   73

Kazaja e Prevezës ndodhet në skajin jugor të sanxhakut dhe kufizohet nga verilindja me kazanë e Lorosit dhe nga veriu me kazanë e Margelliçit.

camri5Megjithëse kazaja ka toka të gjera më pak banorë, ka vetëm 38 fshatra me një popullsi deri në 13.000 banorë. Shumica e atyre që banojnë në fshatra janë shqiptarë të krishterë. Në këtë kaza gjenden shumica e kullotave dhe e ullishteve të sanxhakut.

Suli

Është një qytezë e vogël në krahinën e Çamërisë në Shqipëri, 45 km në jugperëndim të Janinës, në një vend malor dhe të fortifikuar prej natyre; banorët prej shqiptarë të krishterë.

Këta së bashku me popullsinë e fshatrave përreth kanë ruajtur të drejtën e mbajtjes së armëve, duke marrë përsipër në rast lufte, detyrën për të luftuar në radhët e ushtrisë osmane. Janë njerëz shumë trima dhe të zotët për të ruajtur të drejtat e tyre personale. Ali pashë Tepelena, me qëllim që të shpërngulte suliotët nga vendi, dërgoi në vitin 1790 forca ushtarake kundra tyre, por pësoi humbje.

Edhe në vitin 1792 suliotët qëndruan burrërisht, por në vitet 1800 e 1803 u dërguan përsëri forca të tjera kundër tyre dhe më në fund popullsia e Sulit nuk mundi t’u bëjë ballë dhe u shpërngul në Pargë, e cila në atë kohë gjendej në dorë të Anglisë. Që në atë kohë Suli u shkretua. Edhe sot nuk ka tjetër veçse një kala të ndërtuar prej Ali pashë Tepelenës, e cila është e shkatërruar.

Kur Ali pasha bleu Pargën, suliotët ikën së andejmi në Korfuz dhe më vonë u shpërndanë andej-këtej. Në revolucionin e fundit grek, kryetarët më trima janë suliotët.

Një herë, kur Ali pasha rrethoi Sulin, në të gjendeshin vetëm gratë, të cilat për një kohë bënin qëndresë, por duke kuptuar se do të detyroheshin të dorëzoheshin, të kërcënuara nga Tepelenasi, me guxim të madh pranuan të vetëflijoheshin.

Duke vallëzuar në një shesh që gjendej mbi një shkëmb të lartë, të kapura dorë më dorë, u hodhën së bashku në humnerë dhe vdiqën

Sami Frashëri mbi Çamërinë dhe të vërtetat e pamohueshme Read More »

Arratisja e Ismail Qemalit dhe tre djemve të tij nga Turqia që habiti Sulltanin

Nga Aurenc Bebja*, Francë

Gazeta franceze, “Le Constituionnel”, ka botuar, të premten e 4 majit 1900, në ballinë, një shkrim në lidhje me arratisjen e Ismail Qemalit dhe tre djemve të tij nga Turqia.

Atdhetari shqiptar, i emëruar nga sulltani në postin e Valit në Tripoli, kishte planifikuar të udhëtonte drejt këtij destinacioni nëpërmjet anijes “Fuad”, por gjithçka ka ndodhur ndryshe.

Në vijim, do të gjeni shkrimin e plotë mbi planin e arratisjes së patriotit shqiptar, të sjellë në shqip nga Aurenc Bebja – Blogu “Dars (Klos), Mat – Albania”:

Arratisja e Ismail Qemal Beut vazhdon të jetë objekt i të gjitha komenteve

Ndryshe nga ajo që u tha më parë, Ismail Qemali, pasi u largua nga “Yildiz Kiosk”, nuk hyri në bordin e “Fuadit”, i cili do ta çonte atë në Tripoli, nga ku do të nisej natën.

Ismail Qemali, duke dalë nga “Yildiz Kiosk”, hyri fare thjeshtë në luftanijen angleze “Salamander”, me tre djemtë e tij, dhe kërkoi strehim që iu akordua menjëherë.

Ambasada angleze informoi Portën e Lartë për atë që kishte ndodhur dhe e paralajmëroi se Ismail Qemali dëshironte të strehohej jashtë vendit për të jetuar tashmë atje.

Sulltani ishte shumë i habitur dhe u përgjigj se Ismail Qemali, sipas dëshirës së tij, mund të shkonte, ose në postin e tij në Tripoli, ose të largohej jashtë vendit.

Ismail Qemali dhe tre djemtë e tij u larguan sot nga “Salamanderi” për t’u nisur me një avullore (anije me avull) të Kompanisë “Rubattini”, e cila do t’i çojë ata në Marsejë.

Ismail Qemali ka reputacionin e një njeriu të drejtë dhe të kthjellët: vendimi që ai ka marrë, për të braktisur vendin e tij, tregon qartësisht se ai e konsideron të pamundur jetesën e çdo individi inteligjent në Turqi.

* Burimi: Blogu © Dars (Klos), Mat – Albania

Arratisja e Ismail Qemalit dhe tre djemve të tij nga Turqia që habiti Sulltanin Read More »

Intervista e Isa Boletinit në prill 1913, për kufijtë e Shqipërisë

ga Aurenc Bebja*, Francë

Gazeta franceze, “Le Radical”, ka botuar, të mërkurën e 9 prillit 1913, në faqen n°3, intervistën e patriotit dhe trimit shqiptar, Isa Boletini, në lidhje me përcaktimin e kufijve të Shqipërisë.

Atdhetari shqiptar, ashtu siç i ka hije një lideri, ka mbrojtur asokohe çështjen e kombit tonë, madje duke dhënë edhe disa këshilla për fqinjët tanë.

Në vijim, do të gjeni intervistën e plotë, të sjellë në shqip nga Aurenc Bebja – Blogu “Dars (Klos), Mat – Albania”:

 

Kufijtë e Shqipërisë

Romë, 8 prill. – Në një intervistë, Isa Boletini, shqiptari i famshëm, i cili aktualisht shërben si Ministër i Luftës në Qeverinë e Përkohshme, ka shprehur :

“Në qoftë se është ende e pamundur të shprehemi për vijën e saktë të kufijve, mund të themi se shqiptarët nuk do të heqin dorë kurrë nga qytetet e Gjakovës, Pejës, Manastirit, Shkupit, Shkodrës dhe Janinës, nga që i konsiderojnë logjikisht pjesë të territorit të tyre. Këto qytete janë kryesisht shqiptare; ata na përkisnin për shekuj me radhë; në zemër, ato kurrë nuk kanë reshtur të jenë tonat. Bashkëqytetarët tanë i banojnë pothuajse tërësisht. Na u tha që edhe sikurse Evropa të na japë një status, ne nuk do të jemi të sigurtë ndaj ndonjë rreziku tjetër.

Në fakt, na shpjegojnë se Fuqitë e Mëdha i patën garantuar solemnisht Turqisë integritetin e territorit të saj, dhe megjithatë Turqia u nënshtrua nën shtytjen e tërbuar të shteteve aleate.

Mos vallë edhe Shqipëria do të shtypet? Unë jam i lumtur t’u përgjigjem këtyre shqetësimeve duke i siguruar miqtë tanë.

Krejt ndryshe është situata jonë : populli shqiptar është një popull homogjen, i nxitur nga patriotizmi i zjarrtë, lufton për një ide. Ai nuk shpall luftë, por mbizotëron dhe triumfon nëpërmjet kryengritjes.

Shikoni të kaluarën tonë: lëvizjet tona kryengritëse kanë qenë gjithmonë lëvizje fitimtare. Shtetet e Ballkanit kanë çdo interes të jetojnë në mirëbesim me shtetin autonom të Shqipërisë.

Në rast të shkeljes së drejtave, në kundërshtim formal dhe të qëllimshëm të Evropës, njëqind mijë luftëtarë që kemi në dispozicionin tonë, nuk do të vonojnë të sulmojnë së shpejti shtypësit, nëse Serbia, Greqia dhe Mali i Zi përpiqen të mbajnë nën sundim qytetet shqiptare që kanë pushtuar, atëherë atyre do t’u duhet të mbajnë ushtritë përjetësisht në gjendje lufte.

Një perspektivë e tillë do t’i lodhte para nesh.”

* Burimi: Blogu © Dars (Klos), Mat – Albania

Intervista e Isa Boletinit në prill 1913, për kufijtë e Shqipërisë Read More »

“Ciceroni”, spiuni shqiptar i Hitlerit

Në tetor të vitit 1943, një person “i armatosur” me mbi 50 fotografi, troket në derën e ambasadës gjermane në Ankara dhe kërkon t’i shesë ato për 20-mijë sterlina. Nëpunësi përkatës i verifikoi fotografitë, dhe megjithëse çmimi iu duk i lartë, e pagoi personin dhe i tha të vinte sa herë që të kishte foto të tilla.

Kështu filloi karrierën e tij si spiun me pagesë shqiptari Iliaz Bazna ose Ciceroni, emri i koduar që i dhanë nazistët, duke u kthyer në një legjendë të spiunazhit.

Por cila ishte historia e njërit prej agjentëve më të mëdhenj të Luftës së Dytë Botërore, që nga çelësabërës kasafortash u shndërrua në vjedhës dokumentesh të rëndësishme? Lexoni specialen e mëposhtme.

 

Nga Raimonda Moisiu & Armand Plaka

Emri i një agjenti shqiptar është shënuar në fjalorin biografik me personalitetet e spiunazhit që kanë bërë emër dhe famë gjatë shekullit të 20-të, në Luftën e Dytë Botërore, fjalor ky që jep mjaft të dhëna për jetën dhe veprimtarinë e tyre.

Të tërheq vëmendjen jeta e agjentit shqiptar, i cili është një nga agjentët më të shquar të shekullit XX. Ai punoi për gjermanët gjatë Luftës së Dytë Botërore, të cilëve u dha informacione mjaft të vlefshme.

Ai radhitet përkrah agjentëve me famë botërore, që kanë bërë emër në të dyja luftërat botërore, si: Franc Fon Papen, Fric Kolbi, Kim Filbi, Mata Hari apo Ana Maria Leser.

liaz Bazna

Jeta e shqiptarit Bazna nga hajdut në çelësabërës

Iliaz Bazna është emri i legjendës shqiptare të spiunazhit, i njohur me pseudonimin “Ciceroni”. Ka lindur në vitin 1904, në Prishtinë, në kohën kur krahina e Kosovës, por edhe pjesa më e madhe e Ballkanit, ishte e pushtuar nga Perandoria Osmane. Ai dhe e gjithë familja e tij janë shqiptarë në origjinë, por në edukimin e tij ndikoi shumë tradita turke.

Bazna tregonte se babai i tij ishte një mysliman i devotshëm dhe mbante titullin “mullah”. Gjyshi i tij dhe xhaxhallarët kanë jetuar kohën e xhonturqve, d.m.th., të turqve të rinj, në kohën e Mustafa Qemal Ataturkut. Tre nga kushërinjtë e parë të tij, por edhe Bazna vetë, patën studiuar në një akademi ushtarake turke dhe arritën të shkëlqejnë me punë, aq sa njëri prej tyre ka qenë kryebashkiaku i Ankarasë nga viti 1960-1962.

Por agjenti i ardhshëm, Bazna, do të flakej jashtë akademisë ushtarake dhe në vitin 1919 do të niste jetën e keqbërësit ordiner në Stambollin e pushtuar nga aleatët. Fillimisht kapet duke vjedhur armë në depot e ushtrisë britanike, dhe për këtë kalon një pjesë të jetës së tij në kampin penal të Marsejës.

Pasi doli kampi, zuri punë në një fabrikë ku prodhoheshin çelësa për kasafortat dhe bëhet mjeshtër në këtë profesion, pas disa dështimesh në përpjekjet e tij për të gjetur punë në përfaqësitë diplomatike.

Dokumentet sekrete

Pasi punoi për një ambasador jugosllav, për një konsull britanik, për një atashe ushtarak amerikan ai arrin të punësohet nga ambasadori britanik, Knaçbull-Hugesen, në Ankara. Hugesen ishte “naiv” kur mendonte se ishte i përgatitur për të mos ia hedhur kurrkush. Në fillimin e vitit 1943 ambasadori punësoi Baznën, një njeri i mprehtë, servil dhe dinak, i cili e dinte se ç’duhet të bënte për padronin e tij. Bazna, pasi qe shtrënguar ta linte akademinë qe kthyer në një autodidakt dhe kishte njohuri të mira në disa gjuhë, të cilat i fliste rrjedhshëm. Ai ishte i përpiktë në realizimin e të gjitha detyrave. Hugesen e vlerësoi Baznën dhe i besoi atij verbërisht për të gjitha. Pra, ai nisi të mbështetet tek Bazna.

Kështu, Bazna, brenda pak muajve, i mësoi të gjitha zakonet e ambasadorit, madje dhe lëvizjet e sjelljet tij. Shqiptari u bë njeriu më i privilegjuar dhe më i besuar. Ai zbuloi që punëdhënësi i tij solli në shtëpi dokumente shumë të rëndësishme sekrete për t’i studiuar.

Madje, ai vuri re që Hugesen i mbante dokumentet në kasafortë. Bazna, mjeshtri i çelësave të kasafortave, arriti t’i dublojë çelsat. Zbuloi dhe kombinimin e shifrave të kasafortës sekrete dhe i tërhoqi dokumentet. Kështu, më 20 tetor ai i merr ato dhe, me anën e një likuidi të quajtur “Leica”, prodhon faksimile të tyre.

Ishte koha e Konferencës së Teheranit dhe Bazna jo vetëm që zbuloi dokumente sekrete, që kishin të bënin me operacionet e aleatëve në Normandi, por ai mësoi shumë të fshehta në lidhje me rrezikun që i kanosej Ballkanit.

Takimi me gjermanin Ludvig

23273_134122159931490_325_nNë mbrëmjen e 26 tetorit të vitit 1943 Bazna takohet me një zyrtar të lartë të ambasadës gjermane, për të cilin kishte punuar më përpara, dhe i ofron atij faksimilet e dokumenteve sekrete. Zyrtari i lartë gjerman i njohur me pseudonimin “Pierre”, ishte rekrutuar nga RSHAVI, dhe quhej Ludvig C.

Bazna dhe ai punuan së bashku në fshehtësi. Bazna i kërkoi gjermanit 20 mijë stërlina në këmbim të informacionit. Gjermani e refuzoi për momentin kërkesën e shqiptarit, duke i thënë se nuk ishte i gatshëm të jepte shuma të tilla. Megjithatë, ai e kuptoi se bëhej fjalë për një informacion shumë të rëndësishëm dhe këmbënguli të shikonte dokumentet. Bazna i tha se nuk ishte aq budalla sa t’ia jepte dokumentet para se të paguhej, përndryshe do t’ua shiste ato sovjetikëve.

Ai i tha gjermanit se do t’ia jepte dokumentet në bobinë filmike, por kjo do t’u kushtonte gjermanëve 15 mijë stërlina. Ludvigu kishte në dispozicion 3 ditë për ta vlerësuar ofertën e shqiptarit. Bazna do ta telefononte Ludvigun në ambasadën gjermane në datën 30 tetor 1943, në orën 3 pasdite dhe do të prezantohej në telefon si “Pierre”.

Ai do të pyeste nëse Ludvigu kishte ndonjë letër për të. Nëse përgjigja do të ishte negative, atëherë gjermanët nuk do të dëgjonin më kurrë për të. Ishte pak pas mesnate kur vizitori veshi pallton, vuri një kapele që i binte pak mbi sy dhe shkoi te dera ku ndodhej Ludvigu. U ul pranë gjermanit dhe i tha me zë të ulët: “Ju doni të dini se kush jam unë? Jam rekruti i ambasadorit britanik.

Pasi u fut brenda, Bazna në mënyr të habitshme iu zhduk nga sytë Ludvigut i cili fillimisht e ndoqi atë nëpër rrugë, por nuk e pa më. Mengjesin tjetër Ludvigu ia tregoi historinë e tij ambasadorit gjerman në Turqi, Franc Fon Papen. Por ky nuk u habit, pasi ishte marrë me spiunazh dhe intriga.

Kishte rekrutuar spiunë në Amerikë, madje kishte kontaktuar edhe me Mata Harin, me famë, dhe tashmë ishte përfshirë në të gjitha kombinacionet sekrete brenda Rajhut të Tretë. Duke qenë se Turqia ishte një vend neutral, ajo ishte bërë një qendër e spiunazhit të të gjitha fuqive të mëdha.

Si e mori shqiptari emrin “Cicero”

Fon Papen i tha Ludvigut se nuk ishte i autorizuar ta paguante shumën prej 20 mijë stërlinash, për një informacion akoma të pavërtetuar. Për më tepër, ai i tha se ky vendim duhet të merrej nga nivele më të larta shtetërore në Gjermani, pra nga ministri i Jashtëm i Gjermanisë të asaj kohe, Joakin Fon Ribentrop. Ambasadori i dërgoi një mesazh të koduar Ribentropit, ku i shpjegonte situatën dhe i kërkonte shumën prej 20 mijë stërlinash si fillim, ndërsa më pas do të procedohej edhe me shuma të tjera.

Shuma duhet të mbërrinte në Ankara jo më vonë se 30 tetori, përndryshe operacioni do të dështonte. Edhe pse ambasadori nuk e mendonte të tillë, përgjigjja nga Berlini ishte pozitive.

0ecf77e0-eba1-012d-9807-0050569439b1

Ludvigu shkoi më pas, sipas urdhrit, në zyrën e ambasadorit. Papeni i tha Ludvigut se duhej të bënte marrëveshje me atë që tashmë do të quhej “Ciceron”, sipas emrit të marrë nga oratori i famshëm romak, pasi informacioni ishte shumë shpresëdhënës. Ambasadori i tha Ludvigut se korrieri kishte mbërritur dhe me vete kishte sjellë edhe 20 mijë stërlinat.

Megjithatë, ambasadori e këshilloi Ludvigun që të ishte i kujdesshëm, pasi puna që po bënte ishte me rrezik. Takimi u bë në vendin e caktuar dhe shqiptari i dorëzoi Ludvigut dy bobina filmike 35 mm. Ndërsa Ludvigu u zgjat të merrte bobinat shqiptari i qetë i tha: “Më parë, paratë”. Ludvigu i nervozuar hapi zarfin dhe numëroi paratë.

Ai këmbënguli që, gjithsesi, para se t’ia jepte Ciceronit, t’i shihte filmat të zhvilluar, sepse nuk besonte. Ciceroni ra dakord për të pritur vetëm gjysmë ore. Ludvigu e mori filmin dhe e pa të zhvilluar në një dhomë të errët pranë zyrës së tij. Informacioni përmbante të dhëna të rëndësishme të kohëve të fundit. Ludvigu më në fund vendosi të kryente pagesën.

Që nga ky moment Ciceroni vazhdoi ta furnizonte Ludvigun me sekrete shumë të vlefshme, të cilat ai i fotografonte me shumë kujdes dhe i ruante në godinën e ambasadës britanike.

Materiali i zbuluar nga Ciceroni ishte një thesar sekretesh, duke përfshirë edhe planet e Konferencës së Kazablancës midis Ruzveltit, kryeministrit britanik, Çërçill dhe liderit nacionalist kinez, Çan Kai Shi. Më pas Bazna u dha gjermanëve edhe planin e Konferencës së Teheranit, midis presidentit Ruzvelt, Çërçillit dhe Stalinit. Nga detajet që mësuan mbi këtë takim të nivelit të lartë, nazistët kuptuan për herë të parë planet e aleatëve mbi pushtimin e Evropës.

Por komanda e lartë gjermane, pasi i studioi dokumentet e ardhura nga Stambolli vendosi të mos i pranojë ato si të verteta, duke arritur në përfundimin se informacioni ishte një sajesë e britanikëve për t’ua hedhur nazistëve.

Plani ishte shumë i mirë për të qenë i vërtetë. Gjermanët në vend të kësaj i besuan plotësisht informacionit të sjellë nga një agjent i tyre i rekrutuar nga britanikët, i cili njihet në terminologjinë e spiunazhit si “njeriu që kurrë nuk ekzistoi”. Rrjedhja e informacioneve shumë të vyera të Ciceronit ndaloi në pranverë të vitit 1944, kur aleatët mësuan se diçka serioze kishte ndodhur në ambasadën britanike në Ankara.

Aleatët e mësuan këtë jo si rezultat i shërbimit të tyre sekret, por nga goja e vetë ministrit të Jashtëm të Rajhut, Riobentrop, ose e thënë më saktë nga një spiun aleat, nga të paktët që kishin mbetur në Gjermaninë e asaj kohe.

Fric Kolbe

Ky agjent ishte Fric Kolbe, i cili kishte punuar për një kohë të gjatë në administratën naziste, një patriot gjerman që i urrente nazistët. Kolbeg kishte arritur të vihej në kontakt prej kohësh me zyrën e shërbimit strategjik OSS dhe shefin e saj Alen Dallas në Berë të Zvicrës, duke i dhënë atij dokumente shumë të rëndësishme.

Në fillim të vitit 1944 Kolbeg kishte arritur të dekodifikonte një telegram të ardhur nga ambsadori Papen për Ribentropin në Berlin, ku bëhej fjalë për informacione sekrete të ardhura nga spiuni Ciceron, dhe ku thuhej se ky informacion vinte direkt nga zyrat e ambasadës britanike në Ankara. Ai ia kaloi këtë informacion në mënyrë urgjente Dallesit, i cili ia përcolli më tej në Inteligjent Servisit.

Arrestimi

Pas verifikimeve, Bazna u arrestua në Ankara. Por, nuk pranoi asgjë. Të gjitha pyetjeve që iu drejtuan i përgjigjej me heshtje. Ai kishte arritur të mblidhte në atë kohë një shumë prej 300 mijë stërlinash, në atë periudhë një shumë marramendëse.

Ai arriti të arratisej dhe të shkojë në Lisbonë, ku prenotoi një udhëtim për në Amerikën e Jugut. Sapo shkoi në Amerikë të Jugut, Ciceroni hapi një llogari bankare duke depozituar paratë në një bankë të madhe. Pushonte në një vilë që kishte pamje nga oqeani, kishte shumë shërbëtorë, një femër të bukur dhe bëri një jetë qejfi prej një xhentëlmeni.

Tashmë ishte ai që kishte një të rekrutuar që i shërbente atij verbërisht. Kjo e bëri të renditej mes spiunëve më të mëdhenj të të gjitha kohërave. Por, si për ironi të fatit, ai nuk do ta shijonte për një kohë të gjatë stilin e ri të jetës që kishte nisur.

Bankierët amerikanojugorë erdhën ta vizitonin në vilën e tij dhe e informuan se kishte diçka që nuk shkonte me llogarinë e tij bankare. Pothuajse shumica e stërlinave britanike kishte dalë jashtë qarkullimit. Në fillim ai u shokua, por më pas arriti të kuptojë “tradhtinë” e stërholluar të gjermanëve. Mjeshtri i spiunazhit ia plasi të qeshurit me zë të lartë.

Punëdhënësit e tij nazistë thjesht kishin prerë monedha false dhe ia kishin dhënë atij. Bazna u arrestua dhe u dërgua në burg, por më vonë arriti çuditërisht të lirohet dhe të kthehet në Evropë. Shumë libra, përfshirë edhe kujtimet e tij vetjake, si dhe një film të madh që quhej “Pesë Gishtat”, shfaqin profilin e tij të pabesueshëm, fantazma e të cilit për shumë kohë do të vërtitej në korridoret e errëta të spiunazhit.

Si shumë spiunë të tjerë, ai punoi për përfitim personal, por në fund ai i kaloi ditët e tij në varfëri të plotë, duke vdekur në vitin 1971 pa pasur një dyshkë në xhep.

Hitleri i besoi shqiptarit

Në gati 6 muaj Bazna prodhoi 400 kopje të dokumenteve, shumica e të cilave bënte fjalë për planet e operacioneve të mëdha ushtarake. Autoritetet gjermane në Berlin, duke përfshirë edhe vetë Hitlerin, patën shumë arsye të besonin që dokumentet sekrete të Baznës ishin autentike, se ato s’ishin pjellë e intrigës britanike. Në përgjithësi, arsyeja që jepet për dështimin e Gjermanisë deri në kapitullimin e saj të plotë, ishin xhelozitë dhe kundërshtimet që patën midis tyre organizatat e shërbimeve sekrete të Ribentropit. Himlerit dhe Kanarisit.

Por më 20 prill, në një kohë relativisht të shkurtër, zbulimi sekret britanik, vendos një linjë të sigurtë përgjimi. Bazna e nuhat dhe lë punën e largohet si një njeri i lirë. Me një shumë prej 1,2 milionë dollarësh Bazna do të fillonte të ndërtonte një hotel luksoz turk, por nuk arriti ta përfundonte, sepse të gjitha kartëmonedhat britanike që ai kishte marrë nga OPN Bernard do të dilnin false.

Bazna, kësaj radhe, i shpëton burgut për mrekulli, i akuzuar për falsifikim monedhash. Ai e kaloi pjesën tjetër të jetës në varfëri dhe nuk ishte në gjendje të merrte kompensimet nga qeveria perëndimore gjermane e pasluftës.

Duke punuar si një rregullues automjetesh dhe si një mësues muzike (kishte pasur disa kurse trajnimi në fushën e operistikës) Ciceroni vdiq në Stamboll në vitin 1971.

Disa thonë se ai kishte qenë agjent i dyfishtë, – vetë Ilias Bazna nuk tregon gjë në librin e tij “I Was Cicero”, ndoshta sepse ky libër ishte pjesë e një operacioni të zbulimit britanik për të mbajtur tepër sekret sistemin e agjenturës së dyfishtë për shumë kohë edhe pas luftës së dytë botërore.

5_fingers

Në vitin 1952, Çështja Bazna gjithashtu frymëzoi kineastët për realizimin e filmit “Five Fingers” me aktorin e njohur James Mason në rolin e shërbyesit të pabesë./TO/

“Ciceroni”, spiuni shqiptar i Hitlerit Read More »