Aurora

Mantija e Kosoves – Byreku i mbuluar me kos dhe hudhra

Mantija është një gatim fantastik i shijshëm i traditës kosovare.

Byrek i mbushur me mish të grirë e qepë apo gjizë dhe i mbuluar me kos e hudhra.

Një shije fantastike që të përfshin tërësisht. Në fakt, mantija është një gatim me prejardhje nga kuzhina orientale.

Në Kosovë, mantija përgatitet gjerësisht në të gjitha krahinat jo vetëm nga amvisat në shtëpi por shërbehet edhe në byrektore të ndryshme apo edhe restorante tradicionale.

Më poshtë keni recetën fantastike të përgatitjes së mantijas krejt lehtë në shtëpi.

Përgatitja e Mantijas së Kosovës në Shtëpi

Përbërësit

1 kg miell,

2 gota ujë të vakët,

2 lugë gjelle vaj ulliri

Kripë për brumin

Dy gota kos i holluar pak

Dy-tre thelpinj hudhra

Mbushja

Për mbushjen mund të përdorni përbërës sipas preferencës, mish të grirë të përgatitur me qepë dhe salcë domate, gjizë apo djathë me vezë etj.

Në rast se do përdorni mbushje me mish të grirë atëherë do t’ju duhet 600 gr mish i grirë, një apo dy kokrra qepë dhe pak salcë domateje.

Në rast se do përdorni mbushje me gjizë, siç është rasti i mëposhtëm do t’ju duhet 500 gr gjizë me kripë dhe një apo dy kokrra vezë sipas dëshirës.

Përgatitja

Në tavolinën e kuzhinës ose në tepsi hidhet mielli, uji i vakët, vaji i ullirit, kripa dhe përzihen me dorë derisa brumi të bëhet homogjen.

Më pas, brumin e ndajmë në 30 toptha të vegjël.

Secilin nga topthat e hapim përmes një petësi në formën e një pete, jo më të madhe se pëllëmba e dorës.

Të gjithë topthat e hapur në petë i lyejmë pëmes një furçe kuzhine me gjalpë të freskët.

Më pas, bashkoni dhjetë nga topthat e hapur një mbi një dhe përmes një petësi hollojini në një petë të madhe.

Kështu bëni edhe me 20 petët e tjera duke krijuar me to dy petë të mëdhaja.

Më pas, bashkoni të tre petët e mëdha në një të vetme dhe ndajeni në katrorë të përshtatshëm për mbushjen e gjizës.

Në çdo katror shtohet një lugë gjelle gjizë mbështillet diagonalisht nga të katër anët (si zarf) dhe vihet me rradhë në tepsi për t’u pjekur.

Mantia piqet një gjysmë ore. Pasi është pjekur mbulohet me kos të holluar me pak ujë, kripë dhe hudhra të shtypura.  Për aromë mund të shtoni sipër pak nenexhik të freskët të prerë hollë.

Mantija e Kosoves – Byreku i mbuluar me kos dhe hudhra Read More »

Zbuloni pse duhet te hani karrota cdo dite

Në fillimet e kultivimit të saj, njerëzit e përdornin karrotën për kura mjekësore.

Më vonë e kuptuan se ajo kishte një potencial të shkëlqyer në kuzhinë.

Karrota ka të paktën 5000 vjet që rritet mbi këtë tokë, por asnjë nuk e di kohën e saktë se kur kjo perime u shfaq për herë të parë.

Me kalimin e viteve, karrota u rendit mes ushqimeve më të shëndetshme për organizmin.

Ekspertët thonë se njerëzit duhet të hanë karrota çdo ditë që të përfitojnë të mira të vazhdueshme shëndetësore. Lexoni më poshtë përfitimet e renditura .

Fibra Tek Karrota 

Një racion me karrota të prera përmban 3.6 gramë fibër e cila mban stomakun dhe arteriet të pastra.

Në këtë mënyrë shmanget rreziku i sëmundjeve kardiovaskulare, kolesterolit të lartë, konstipacionit dhe hemoroideve.

Fibra rregullon sheqernat në gjak dhe është e dobishme për të humbur në peshë.

Vitamina A dhe Beta Karoteni

Karrotat janë ndër burimet kryesore të vitaminës A.

Një racion me karrota ofron 1,069 mikrogramë të kësaj vitamine, duke tejkaluar dozën e nevojshme prej 700 mikrogramë për femrat dhe 900 mikrogramë për meshkujt.

Vitamina A është e domosdoshme për shëndetin e syve, lëkurës, dhëmbëve dhe kockave.

Ajo u vjen në ndihmë qelizave për t’u rritur normalisht.

Beta karoteni ndihmon të parandalojë problemet shëndetësore të nxitura nga mosha, si sëmundjet koronare.

Vitamina K

Një racion me karrota ofron 16.9 mikrogramë të vitaminës K ose 20% të dozës së rekomanduar ditore.

Vitamina K luan një rol thelbësor në mbarëvajtjen e qarkullimit të gjaku dhe shëndetit të kockave.

A Rrezikoheni Nga Beta Karoteni i Tepërt?

Ngrënia e sasive të mëdha të beta karotenit nuk ju vë në rrezik nga një mbidozë e mundshme e vitaminës A.

Organizmi di vetë të rregullojë sasitë e nevojshme të beta karotenit që ka nevojë.

Megjithatë, nëse konsumoni sasi të mëdha karoteni, do të përballeni me një zverdhje të lëkurës.

Nga ana tjetër është shumë e vështirë ta teproni me ngrënien e karrotave apo edhe perimeve të tjera.

Sa i përket karrotës, ju mund të konsumoni një ose dy në ditë.

Lëkura e Karrotës Nuk Duhet Hequr

Lëkura e karrotës përmban gjysmën e antioksidantëve që gjenden tek kjo perime e nëntokës.

Karrotat pasi t’i lani mirë gatuajini me avull ose hajini të pagatuara, duke i përfshirë në sallata ose lëngje frutash.

Zbuloni pse duhet te hani karrota cdo dite Read More »

Si te merrni 100% te hekurit prej ushqimeve

Ekzistojnë dy lloje të hekurit, njëri që përthithet shumë mirë nga trupi dhe tjetri që thithet më me vështirësi. 

Vetëm 2 deri 20 përqind e hekurit që gjendet në produktet me origjinë bimore ia del të shkojë nga sistemi tretës në gjak, krahasuar me  15% deri 35% e hekurit që arrin të përthithet nga produktet me origjinë shtazore.

Por kjo nuk duhet t’ju merakosë nëse keni vendosur të hiqni dorë nga produktet shtazore. Mjafton që në ushqimet tuaja të shtoni vitaminën C.

Kjo vitaminë do të ndihmojë hekurin që përthithet me vështirësi, duke gjashtëfishuar aftësitë e tij për të kaluar nga sistemi tretës në gjak, duke ndihmuar kështu edhe nëse jeni anemikë.

Më poshtë do të gjeni listën e përgatitur  me gjashtë ushqime të pasura me hekur që mund të kombinohen shumë mirë me një frut ose një perime të mbushur me vitaminë C.

Por nuk ka pse t’i qëndroni strikt këtyre kombinimeve, mund edhe të bëni të gjitha kombinimet që dëshironi. 

  1. Spinaqi (hekur) + specat e kuq (vitaminë C). Sipas kërkimeve të AgroWeb.org, mënyrat e kombinimit të këtyre dy ushqimeve janë të shumta.

Mund t’i bëni sallatë, mund të bëni speca të mbushura me spinaq, apo t’i gatuani së bashku duke shtuar vaj ulliri, hudhër dhe piper të kuq

  1. Brokoli (hekur) + domate (vitaminë C). Mund të përzieni brokolin me një salcë domatesh të thata.

Mund të shtoni qepë, kërpudha, vaj ulliri, hudhër dhe erëza të tjera dhe t’i gatuani së bashku.

Mund të shtoni edhe një ushqim me proteina (mish pule, sardele ose fasule) ose të bëni një mëngjes të shëndetshëm duke bërë një omletë me brokoli dhe domate.

  1. Fasulet e zeza (hekur) + lakër (vitaminë C). Edhe në këtë rast është në dorën dhe shijen tuaj se si mund t’i kombinoni këto dy ushqime fantastike plot me vlera ushqimore.

Mund të bëni sallatë, ose t’i gatuani veç e veç. Sipas hulumtimeve AgroWeb.org, e rëndësishme është që të dyja bashkëpunojnë më së miri.

  1. Lakra të egra (hekur) + portokalle (vitaminë C). Tingëllon çuditshëm, por ju mund t’i përzieni këto dy produkte në një lëng të vetëm, mund t’i shtoni në sallatë dhe ta konsumoni në drekë ose në darkë sipas preferencave.

  2. Thjerëzat (hekur) + lakra të vogla (vitaminë C). Lakrat e vogla, ose siç njihen rëndom Lakra Brukseli mund të përgatiten në zgarë, në tenxhere ose në tigan.

Ato mund t’ia bashkangjisësh sallatës, ose mund të bësh lakra të mbushura me thjerëza.

  1. Çokollata e zezë (hekur) + luleshtrydhe (vitaminë C). Bëhet fjalë për një kombinim aq të shijshëm sa të lëpish gishtat. Çokollata e zezë është një burim i pasur hekuri.

Mund ta shkrini atë, të zhysni luleshtrydhet e t’i shijoni për një mbrëmje të këndshme.

Ose mund t’i shtoni në mëngjës kur jeni dukë ngrënë tërshërë, t’i ktheni në lëng, ose të bëni kos me luleshtrydhe dhe çokollatë për ëmbëlsirë.

A e dini se?

• Po të gatuani me produkte hekuri (tenxhere, tiganë, tepsi) nxehtësia do të bëjë që thërrime të vogla hekuri të futen në ushqim duke shumëfishuar kështu dozën e hekurt që merr në ushqim.

Kjo vlen kryesisht për ushqimet e lëngshme dhe me aciditet të lartë, siç është salca e domates.

Një studim tregoi se niveli i hekurit në një salcë domatesh për makarona u rrit me nentë herë pas gatimit në një enë prej hekuri.

• Kalciumi dhe tanina (një përbërës që gjendet tek çaji dhe kafeja) ndikojnë negativisht në përthithjen e hekurit nga trupi.

Ndaj përpara se të nisësh një dietë ushqimore të pasur me hekur, hiq dorë nga suplementët e kalciumit, çaji dhe kafeja.

Si te merrni 100% te hekurit prej ushqimeve Read More »

Arrestohet sipërmarrësi i njohur , ja “bëmat” e tij

Është arrestuar, pasi ishte në kërkim, këtë të enjte ndërtuesi Namik Pelivani. Ai ka qenë i shpallur në kërkim, pasi është dënuar me vendim gjykate.

Ndërtuesi Pelivani akuzohet për mashtrim thotë Policia e Tiranës.

SHKRIMI PËR ARRESTIMIN NË VITIN 2015

Policia e Tiranës arrestoi ndërtuesin Namik Pelivani pas kallëzimit nga disa banorë të Unazës së Re me pretendimin se janë mashtruar nga biznesmeni prej 6 vitesh.

Sipas kallëzimit, që ata kanë bërë në Komisariatin nr.6, Pelivani u ka premtuar disa banorëve se pas prishjes së banesave të tyre private për ndërtimin e pallatit nga firma e tij, do t’i jepte atyre apartamente në këtë pallat.

Ndërsa së fundi kishte ndryshuar mendim, duke mos e njohur kontratën noteriale të nënshkruar në vitin 2009. Sipas tij kompensimi nuk do të kryhej në atë pallat, por në godina të tjera që ende nuk kishin nisur të ndërtoheshin.

Policia e Tiranës tha zyrtarisht se kishte filluar procedimi penal për 62-vjeçarin Namik Pelivani, pronar i një firme private, pasi dyshohet se nuk u njeh kontratat noteriale të lidhur në vitin 2009, për dhënien e truallit për ndërtim ku kanë pasur shtëpitë në proces legalizimi, shtetasit L.R., D.L., E.P. e K.L., banues ne rrugen “Teodor Keko”.

Pallati për të cilin janë ngritur herë pas here pretendime nga banorët, ndodhet në zonën e Unazës së Re, ndërsa banorët e mashtruar nga Pelevani kanë kërcënuar disa herë se do të hidheshin nga pallati nëse nuk i jepej shtëpia e premtuar. Konflikti mes tyre ka nisur prej vitit 2012.

PROTESTAT

Dhjetë gra hynë në grevë urie në ambientet e pallatit ku prisnin të merrnin apartamente, për shkak të konfliktit që kanë me pronarin e firmës së ndërtimit. Burime nga Policia e Tiranës thanë se bëhet fjalë për 17 familje, të cilat kanë dhënë shtëpitë e tyre për të ndërtuar një pallat në zonën Unazës së Re në kryeqytet, në këmbim të marrjes së sipërfaqeve të banimit, sipas një kontrate të nënshkruar me kompaninë e ndërtimit.

Por, për aq kohë sa pallati ka qenë në ndërtim, sipas një kontrate noteriale, pronari i firmës së ndërtimit, Namik Pelivani, u ka paguar qiranë banorëve për të jetuar diku tjetër. Megjithatë prej 4 vitesh, ai ka ndërprerë pagesën për qiranë dhe kur pritet të përfundojë së ndërtuari pallati, u ka komunikuar se nuk do të marrin shtëpi në këtë objekt, por kur të ndërtojë objekte të tjerë.

“Ne kërkojmë ndihmë nga shteti. Kemi 6 vjet që vijmë vërdallë, ndërsa zotëria nuk na paguan asgjë dhe kemi mbetur në mes të 4 rrugëve”, janë shprehur para mediave disa prej grave që hynë në grevë të hënën. KONFLIKTI NE 2012 Konflikti i parë mes banorëve të Unazës së Re dhe Namik Pelivanit nisi me një protestë dhe kërcënime me vetëvrasje më 26 mars të vitit 2012. Shtatë gra kërcënuan se do të hidheshin nga tarraca e pallatit 10 katësh, ende i papërfunduar, në Unazën e Re, në Tiranë.

Dashurie, Ite e Leta Rasha, Violeta e Nirie Lila, Roza Braka dhe Melita Gjoni, kërcënonin me vetëvrasje, pasi sipas tyre shkaku ishte mosmarrja e kompensimit për shtëpitë e prishura në vitin 2009, ku tashmë ishte ndërtuar pallati 10 katësh

Arrestohet sipërmarrësi i njohur , ja “bëmat” e tij Read More »

Veprimi kriminal i kasapit, e merr lopën e ngordhur në përrua, e shet për mish

Një ngjarje e pazakontë dhe kriminale ka ndodhur në fshatin Busavatë të Komunës së Kamenicës. Një lopë e ngordhur të cilën pronari e ka hedhur në përrua, është marrë nga një kasap, i cili mishin e saj e ka nxjerrë në shitje. Gjithçka filloi kur kasapi i kërkoi një fshatari t’ia shiste lopën e sëmurë, por thuhet se pronari refuzoi ta shes kafshën. Policia ka arrestuar të dy personat, ndërsa me rastin po merret edhe Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës. Express ju sjell detaje nga kjo ngjarje morbide.

Gjatë ditës së martë, A. Maliqi nga fshati Busavatë kishte zbritur në stacionin policor në Kamenicë, për ta denoncuar një bashkëvendësin e tij. Maliqi ka deklaruar në polici se një kasap nga Kamenica e ka marrë mishin e lopës së ngordhur, të cilën ky e kishte hedhur në përrua, për ta nxjerrë në shitje mishin e saj.

E gjithë ngjarja ka filluar kur në shtëpinë e pronarit të lopës kishte shkuar një kasap nga Kamenica, A. Rashiti, duke shprehur interesim për blerjen e lopës. Pronari A. Maliqi nuk ia kishte shitur me arsyetimin se lopa është e sëmurë dhe nuk bën të përdoret për konsum mishi i saj.

Lopa e A. Maliqit kishte ngordhur dy ditë pas ofertës së kasapit për ta blerë. Pronari me një traktor nga shtëpia e tij e kishte dërguar kafshën e ngordhur në një përrua.
Por, A. Maliqi u shokua kur pas dy ditësh në përroin e fshatit Busavatë i pa vetëm lëkurën dhe eshtrat e lopës. Ai thotë se lopën e ngordhur e ka marrë kasapi dhe mishin e saj e ka nxjerrë në shtije. Për këtë rast menjëherë pronari ka shkuar në stacionin policor dhe e ka paraqitur rastin.

Por edhe pse e ka denoncuar kasapin, as A. Maliqi s’ka shpëtuar lehtë pasi lopën e ka ngordhur e ka hedhur në ambient të hapur.

Policia rajonale e Gjilanit për këtë rast ka arrestuar dy persona, kasapin dhe pronarin e gjedhit. Këtë e ka konfirmuar për Express zëdhënësi i rajonit të policisë në Gjilan, Ismet Hashani. Ai thotë se të dy personat kanë kryer vepra penale.

“Dy persona janë arrestuar pasi që besohet se në bashkëpunim kanë vënë në qarkullim produkte të dyshimta. Janë ndaluar pronari i lopës dhe kasapi. Rreth këtij rasti janë ndërmarrë të gjitha masat ligjore. Është njoftuar Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës”, ka thënë Hashani për Express.

Ai thotë se pronari i gjedhit ka kryer veprën penale të hedhjes së produkteve të dëmshme në vende joadekuate, ndërkohë që kasapi është ndaluar për veprën penale për vënien dhe qarkullimin e produkteve të dëmshme për konsum për qytetarët.

Për rastin është njoftuar edhe Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë. Nga ky institucion deklarojnë se me datë 06.03.2018 rreth orës 11:30 janë njoftuar nga Policia e Komunës së Kamenicës se një fermer nga fshati Busavatë ka pasur një ngordhje të një kafshe, lloji gjedh (lopë) të cilën e ka hedhur në fushë (ambient te hapur) në dalje te fshatit Busavatë. Sipas informatës është dyshuar se kafsha e ngordhur është marrë nga një kasap i cili banon në një lagje ne Gjilan.

AUV thotë se e ka inspektuar lokacionin dhe aty janë gjetur mjete pune për therje dhe se në atë objekt kryhen therje ilegal.

“Nga informatat qe ka dhënë fermeri është inspektuar praktika veterinare e cila ka kryer shërbime mjekimi tek fermeri në kafshën qe tani është e ngordhur. Veterinari në ketë rast ka ofruar të gjitha dëshmitë mbi mjekimet dhe trajtimet qe i ka bërë kafshës njëkohësisht mbi anamnezën e kafshës për gjendjen shëndetësore dhe dyshimet. Të gjitha këto janë përfshirë në procesverbal dhe i është ofruar organeve ndjekëse Policisë dhe Prokurorisë”, thuhet në përgjigjen e AUV-së dhënë Expressit.

Nga Agjencia kompetente nuk tregojnë nëse mishi i lopës është vënë për konsum nga ana e kasapit. Andej thonë se po i presin kontrollet tjera nga organet ndjekëse.
“Ne si autoritet kemi kryer të gjitha kontrollet në bazë të informatave qe na janë ofruar. Jemi ne pritje dhe të gatshëm për kontrolle tjera nëse kërkohen nga organet ndjekëse. Inspektoret e AUV-së kanë vepruar konform procedurave standarde dhe ligjeve ne fuqi ne bazë të mandatit qe kanë. Rasti është duke u hetuar dhe për të tjera informata mund t’i kontaktoni organet ndjekëse”, thuhet në përgjigjen e Agjencisë së Veterinës dhe Ushqimit.

Ndaj të njëjtëve do të ngrihen fletëparaqitje në Gjykatë për therje ilegale.

Veprimi kriminal i kasapit, e merr lopën e ngordhur në përrua, e shet për mish Read More »

Policia serbe dhunon dy shkrimtarët shqiptarë: nuk lejon festimet e 7 Marsit

Policia serbe sekuestron librat artistikë shqip që hynë nga Kosova dhe keqtrajton dy shkrimtarë shqiptarë.

Rraham  Hyseni dhe Bilall Maliqi janë bllokuar dje në kufi ndërmjet Preshevës dhe Kosovës, vetëm se kishin me vete disa libra të gazetarit dhe shkrimtarit Fehmi Ramadani, që do t’i shpërndanin nëpër shkolla apo edhe në individë.

Me rastin e 7 Marsit, Ditës së Mësuesit, dy shkrimtarët kishin paraparë një aktivitet në shkollat e Preshevës, por ata janë ndaluar pa asnjë shpjegim, edhe pse nuk kanë shkelur asnjë ligj.

Fehmi Ramadani, gazetar dhe veprimtar për mbrojtjen e të drejtave të njeriut të shqiptarëv të Preshevës thekson për tesheshi.com se “ndërsa në Graçanicë jepet një dramë për nder të Sllobodan Milosheviçit, policia serbe vazhdon të arrestojë shqiptarët vetëm se festojnë 7 Marsin.

Shteti i Kosovës, së bashku me institucionet e saj duhet të reagoj që ky shtet fqinj të ndal maltretimin e panevojshëm të intelektualëve të saj, të ndal diskriminimin e librave shqip, por dhe të drejtat e shqiptareve të rajonit të Medvegjës e Luginës. Ky shtet duhet të dekrimainalizohet nga njerëz të së kaluarës, si në artë, kulturë e më gjerë, ndryshe kjo politikë diskriminuese më shumë i dëmton interesat e tyre.

Kjo duhet të jetë hera e fundit që ky pushtet në Serbi kontrollon dhe ndalon libra në gjuhën shqipe, sepse ajo është e drejtë që nuk guxon të mohohet kurrë ndaj shqiptarëve të rajonit që të lexojnë, mësojnë dhe flasin në gjuhën e tyre.

Padyshim, kjo politikë duhet të denohet edhe nga bota e artit dhe politika antidiskriminuese e ketij regjimi dhe më gjerë”.

Policia serbe dhunon dy shkrimtarët shqiptarë: nuk lejon festimet e 7 Marsit Read More »

EPOPEJA E GJORMIT

Fshati Gjorm është me tradita të hërshme në histori. Historia e nje fshati ashtu si edhe nje rrethi apo nje qarku ka te veçantat e veta. Tradita dhe historia e Gjormit eshte pjesë e traditës dhe e historisë kombëtare, si e tillë ajo është mbeshtetur në dokumentet arkivore shume të rendësishme. Gjormi ka dhënë kontribut të çmuar në luftërat për pavarësi e mbijetesë e sidomos në Luftën Antifashiste Nacioanlçlirimtare.

Shkalla e parë e luftes partizane ishin njesitet guerile. K.Q.P.SH. vlerësonte se lufta guerile po merrte përpjestime të gjera dhe ata kishin plotesuar misionin e tyre per pergatitjen e popullit për luftë. Tani situatë kërkonte që organizimi i luftes te ngrihej në nje shkalle me te larte, te kalohej ne krijimin e cetave partizane. Ne perberjen e cetave nuk ishte asnje kufizim. Ne te pranoheshin te gjithe qe deshironin te luftonin kunder pushtuesit fashistë, me perjashtim të atyre me të kaluar të errët kriminelëve, hajduteve qe shikoheshin me perbuzje popullin.

Pas shumë njësiteve guerile qe ishin ngritur dhe funksiononin në Vlorë në të gjitha anët dhe qe kishin bërë një pune të jashtezakonshme erdhi rradha e ngritjes se cetave partizane. Çeta e parë në Qarkun e Vlorës u krijua më 4 dhjetor 1942 në fshatin Gjorm me komandant Neki Hoxhaj dhe komisar Qazim Çakeri. Kjo u quajt çeta “Plakë e Vlorës”. Çeta “Plakë” që në krijimin e saj dhe deri me 20 qershor 1943 kur ajo u inkuadrua ne Batalionin “Ismail Qemali”, zhvilloi shumë aksione, pritje e goditje te befasishme shkaterruese kunder forcave fashiste. Ajo zhvilloi edhe nje punë të madhe bindese me popullin per propagandimin e L.A.N.Ç. Shume shpejt ajo u be e dashur ne te gjithë Vlorën. Populli i priste krahëhapur luftetaret e kesaj çete dhe e furnizonte me ushqime dhe me djem te rinj qe dilnin vullnetarë.

Ajo kreu shume aksione kunder pushtuesve fashiste dhe u be nje shembull frymezimi per te gjitha njesitë e tjera partizane. Nje nga luftimet me te medha, te ashpra e te pergjakshme ishte Lufta e Gjormit kunder forcave fashiste dhe mercenareve te Halil Alisë dhe të Selim Kaloshit. Ne kete lufte “Çeta Plakë” ishte reparti i vetem i organizuar e kompakt me partizanet dhe qendronte ne balle te luftimeve. Sëbashku me forcat e kesaj çete u bashkuan edhe 1500 fshatare te Lumit te Vlores, te Krahines se Kurveleshit, te Tepelenes, te Mallakastres e Topalltisë ne përleshje te pergjakshme me fashistët. Aty u shpartallua Rregjimenti i Duçes, u kapen mjaft rob ushtarë e oficere që ishin bashkuar me mercenaret e Halil Alise dhe të Selim Kaloshit. Aty u vra edhe komandanti i Rregjimentit kolonel Kelmendi qe u rrezua nga kali. Ne ate lufte te madhe ne Kalibaq te Gjormit u vra Bako Tafili nga Gjormi, Beqir Selimi nga Terbaçi, Barjam Xhebro nga Brati, Qamil Asllani nga Vranishti, Velo Hysi dhe Barjam Rexhepi nga Smokthina. Prandaj me të drejte kjo lufte u quajt në Gjorm Epopeja e Vlorës dhe Gjormi Moska e Vogel.

Pas krijimit të Çetës Plakë më, 30 qershor 1943, në Fushën e Gumenicës u krijua Çeta e Rinise me komandant Mehmet Jahon dhe Komisar Kastriot Muçon. Çeta e Rinise u quajt sepe me i vogli nga partizanet ishte 15 dhe me i madhi 20 vjeç. Si Çeta Plakë dhe ajo e Rinisë jane dy nga çetat me te njohura e me te sukseshme jo vetem ne Vlorë, por ne te gjithë Shqiperinë.

Nga keta trima ate Gjormin ne Luften e dyte Boterore ranë heroikisht ne fushen e betejes: Bako Tafili, Arap Shenaj, Kapo Askushaj, Mevlan Imeri, Hamdi Lazaj, Qani Shenaj.

Pjesëtare te Çetës Plakë që ranë dëshmore: Selam Alliaj, Sako Malo, Xhaferr Lulaj, Lulo Shaipi, Xhelo Halilaj, Myslim Alliaj, Babo Halilaj, Shaqe Çobaj, Bego Kuqaj, Haxhi Ballaj, Hasko Baxhuli.

Veteranët e LANÇ janë dëshitarë të gjalle të atyre heroizmave të luftes për liri. Ata i kanë sjellë Shqiperise lirine pa asnje dyshim. Ata meritojnë gjithë respektin e dashurinë e popullit.

KALO HALILAJ

Rezultate imazhesh për foto fshati gjormRezultate imazhesh për foto fshati gjorm

EPOPEJA E GJORMIT Read More »

10 fjalë që i dëgjon po të rrish me një gjirokastrit

Ti e kupton menjëherë nëse dikush që sapo takon është nga Vlora, Shkodra, apo Gjirokastra. Mësohesh me dialektin e tyre, tingëllimin e fjalëve, shprehjet, derisa papritur dëgjon një fjalë. “Çfarë do me thënë????????”, pyet me habi. Dhe personi përballë e përsërit po aq i habitur sesi ka mundësi që nuk e kupton një fjalë aq të zakonshme, por ja që ndodh.

Gjirokastra, është një nga ato qytete, që prej vendndodhjes pranë Greqisë e ndikimeve të ndryshme, ka në leksikun aktiv disa fjalë që në zona të tjera të Shqipërisë as që nuk kuptohen. Njihuni me disa prej tyre, që kur të shkoni në Gjirokastër për ndonjë festë a festival të mundshëm, apo për të zbuluar e njohur nga afër këtë qytet që mbrohet nga Unesco, t’ua dini kuptimin. Përkthimi është me përafërsi.

I, e Ilimaksur– I, e babëzitur. Përdoret në rastet kur dikush ha diçka shpejt dhe me babëzi sikur të kishte kohë pa ngrënë. Ha si e ilimaksur.

Qifqi (Theks fundor)-Gatim tradicional. Qofte me oriz dhe nenexhik, të skuqura në një tigan special me forma. Është një nga emrat që do e hasni në shumicën e menuve të këtij qyteti. Vetëm kujdes: Mos i hani si të ilimaksur!

Thjam– I, e ndotur, shumë pis. Sa thjam je bërë!

Cuks-Ndjesia e djegies në lëkurë. Po më cuks plaga.

Qilis-Prek tokën me një copë që varet. Ngrije atë batanijen se e qilise.

Zabërhan-Bredharak. Je bërë një zabërhan ti!

Kselhasem-Çlodhem. Hiç, ja po kselhasem.

Sfarangonje (theks fundor)-Rrjetë merimangash. Paskan zënë muret sfarangonje.

Haraks-Hutim, humbje e mendjes, fiksim diku pa e pasur mendjen.  Pse rri si e haraksur?

Eflatun-Shumë i shkathët. Vajzë eflatune.

Gjuha shqipe pastrohet vazhdimisht nga fjalët e huazuara megjithatë fjalët që përdoren në disa qytete janë gjithmonë një e përbashkët që i afron më shumë njerëzit e atij qyteti kudo që janë e i bën të qeshin, si t’u kujtoje një copë fëmijërie. Kështu që gjirokastritët janë të lutur të na kujtojnë  fjalë të tjera që përdoren në qytetin e tyre.

10 fjalë që i dëgjon po të rrish me një gjirokastrit Read More »