Aurora

Ja kush eshte qyteti i bardhe mes monumenteve natyrore dhe historike

Qyteti historik i Krujës ndodhet rreth 35 km larg nga Tirana dhe diçka më larg nga Durrësi, më të cilin që prej gati 18 vjetësh “bashkëjetojnë” në të njëjtin qark administrativ.
I njohur si “qyteti i bardhë” ai është ndërtuar në një lartësi mesatare 608 metra mbi nivelin e detit dhe kur koha është e kthjellët prej tij mund të shohësh bregdetin Adriatik nga Durrësi deri në derdhjen e Bunës.
I njohur më së shumti si kryeqendra e vendit tonë në mesjetë dhe si qyteti i heroit tonë kombëtar Skënderbeut, Kruja është një nga trevat më përfaqësuese në vendin tonë dhe me të drejtë banorët e tij thonë: ” Kush nuk ka vizituar Krujën, nuk ka vizituar Shqipërinë”.
Udhëtimi drejt Krujës ka disa stacione të rëndësishme natyrore, arkeologjike dhe historike, të cilit prej 10 vjetësh i është shtuar terminali i ri i aeroportit “Nënë Tereza” të Rinasit, një vepër moderne dhe shumë funksionale me një kapacitet prej 1.5 milion udhëtarësh në vit. Modeli i tij lejon që kapaciteti të shtohet deri në tre milion udhëtarë në vit.

Albanopolis, qyteti që i dha emrin shqiptarëve
3 km pasi nisesh nga Fushë Kruja drejt qytetit historik, në të djathtë do të ndeshësh tabelën me shenjën e monumentit arkeologjik “Albanopolis” dhe bashkë me të treguesin për në fshatin Halil. Pasi vijon në rrugën e re të fshatit, pjesa tjetër është një shëtitje e këndëshme mes rrënojave, mikpritjes së banorëve dhe natyrës së bukur të kësaj zone. Qyteti ilir i Zgërdheshit nuk përmendet si i tillë në ndonjë dokument historik, megjithëse shumë dijetarë besojnë se ai është Albanopolis i cituar nga historiani Ptolemeu. Kërkimet arkeologjike kanë treguar se vendosjet në këtë vend filluan në shekujt e VII dhe VI para Krishtit, ndërsa gjatësia e mureve të kështjellës arriti në 1350 metra linear. Zgërdheshi, ose Albanopoli, siç i pëlqen ta quajnë banorëve të zonës u braktis në shekullin e dytë pas Krishtit dhe sipas legjendës vendasit u shpërngulën në qytete më të sigurta.

Krojet e Krujës
Emri i Krujës e ka origjinën nga fjala “kroje”, burim uji natyral. Sipas burimeve historike në fillim të mijëvjeçarit të dytë në qytet dhe në rrethinat e tij kishte tridhjete kroje, shumë prej të cilëve ekzistojnë dhe sot me emrat dhe historinë e tyre. Një prej tyre është edhe kroi i Ballabanecit, i cili e merr emrin nga një pasha turk i vrarë pranë tij. Ndërsa pas kalasë ndodhen pranë njëri tjetrit përroi i Taslloit dhe lisi gjigand i njohur me të njëjtin emër. Një tjetër vend mjaft i preferuar është edhe Qafë Shtama, me ujin e pastër dhe ajrin e freskët. Parku kombëtar me të njëjtin emër ndodhet në një lartësi prej 1200 metra, afro 15 larg Krujës.

Teqeja e Sarisalltëkut
Në Krujë ka shumë teqe e tyrbe që i kushtohen besimit musliman bektashi. Një nga më të vjetrat është Teqeja e Dollmës në Kalanë e Krujës, ndërsa më e njohura është ajo e Sarisalltëkut që ndodhet mbi malin e Krujës, rreth 6.7 km me automjet larg qytetit.
Rruga e re që u përurua disa muaj më parë e ka bërë shumë të lehtë ngjitjen në Mal, siç e njohin krutanët, vendin e shenjtë, që ka marrë pamjen e një pike turistike mjaft të vizituar nga vendasit dhe të huajt.

Pazari i Krujës
Pazari karakteristik i Krujës, i vendosur në të dy anët e një koridori të gjatë e të shtruar me kalldrëm, ka qenë shumë më i gjatë se sa është sot. Në dyqanet e tij prej druri dikur grupoheshin zeje të ndryshme si bakraxhinj, qëndistarë, punues të armëve, etj.
Gjatë verës Pazari është mjaft i vizituar nga turistë vendas dhe të huaj të cilët mund të gjejnë suvenire të vjetra që shitësit i mbledhin nga e gjithë zona rreth e rrotull, ndërsa artizanët e traditës vazhdojnë punimet e qelesheve, qilimave apo ato të drurit.
Në afërsi të pazarit është një xhami e shekullit të XVI-të, e ndërtuar thuajse në të njëjtën kohë me atë që ndodhet brenda kështjellës.

Muzeu kombëtar Gjergj Kastrioti Skenderbeu
Muzeu Historik Kombëtar “Gjergj Kastrioti Skenderbeu” ndodhet brenda mureve të kalasë mesjetare. Godina është përfunduar në vitin 1982. Në sallat e eksponateve, që ruajnë një itinerar të historisë së popullit shqiptar në shekuj vijnë çdo vit mesatarisht deri në 100 mijë vizitorë.Një kopje e përkrenares dhe shpatës së Skenderbeut janë vendosur në sallën kryesore, ku ndodhen flamurët me stemat e familjeve të mëdha që luftuan përkrah heroit.
Një afresk gjigand i piktorit Naxhi Bakalli dëshmon një nga betejat e mëdha pranë mureve të kalasë së Krujës. Portrete, piktura dhe libra të shkruar për Skenderbeun janë vendosur në mjedist e katit të tretë të Muzeut.

Muzeu Kombëtar Etnografik
Muzeu Kombëtar Etnografik i Krujës ndodhet përballe Muzeut Kombetar Gjergj Kastrioti Skenderbeu, në oborrin e kalasë mesjetare. Muzeu është vendosur në një godinë të vitit 1764 të familjes Toptani. Shtëpia është një ndërtesë dykatëshe me mjediset e punishteve ose kantinat në katin e parë dhe mjediset e banimit në të dytin. Muret e muzeut kanë afreske origjinale 250-vjeçare, tavane të gdhendura në dru, mobilje të rralla, qilima dhe kostume tradicionale. Veglat muzikore, armët e kohës si dhe veshjet e grave dhe të burrave e bëjnë muzeun etnografik të Krujës mjaft të vecantë. Banjoja turke me avull brenda shtëpisë është një nga të vetmet e këtij lloji që kanë mbetur në Shqipëri. Në muze ndodhen rreth 1200 objekte origjinale, që dëshmojnë për mënyrën e jetesës së kësaj treve në shekujt 18-19.

Image result for foto qyteti i krujesImage result for foto qyteti i krujesRelated imageImage result for foto qyteti i krujesImage result for foto qyteti i krujesImage result for foto qyteti i krujesImage result for foto qyteti i krujes

Ja kush eshte qyteti i bardhe mes monumenteve natyrore dhe historike Read More »

Sonila Meço shfryn ashpër ndaj Ramës dhe Bashës: Për çfarë vlejnë milionat e hedhura për lobime

Prej disa ditësh opinionin publik po “zien” prej komenteve dhe reagimeve lidhur me lobimin e PD për imazhin e Lulzim Bashës, një investigimi i botuar në “Mother Jones”. Një reagim i cili përcjell edhe shqetësim vjen nga gazetarja Sonila Meço.

Meço ka ngritur disa pyetje të rëndësishme, ku thekson se ky lloj lobimi për politikanët tanë, nuk ka sjellë asgjë të mirë për shqiptarët, duke shtuar se investimet e aktet konkrete ende nuk janë parë në Shqipëri.

“Lobimi në Shtetet e Bashkuara për politikanë shqiptarë, veç shpëlarjes a përlyerjes së imazheve të politikanëve, çfarë ka prodhuar për shqiptarët?”, ka shkruar Meço.

KOMENTI I PLOTË:

Ku qëndron Shqipëria në axhendën globale të Shteteve të Bashkuara?

Çfarë interesash madhorë ekonomikë e gjeopolitikë kryqëzohen në Shqipëri, që lënë pa gjumë këshilltarë e strategjistë të presidentit dhe administratës amerikane?

Lobimi në Shtetet e Bashkuara për politikanë shqiptarë, veç shpëlarjes a përlyerjes së imazheve të politikanëve, çfarë ka prodhuar për shqiptarët?

Me një logjikë të thjeshtë, duke gjykuar informacionin që vjen nga SHBA, të besojmë DEA-n amerikane që vë alarmin për shndërrimin e Shqipërisë në vendin kryesor të tranzitit të drogërave në Europë, sasitë që kapen përditë, apo artikujt e lobistëve që kur e ndjejnë se ata që i paguajnë janë bërë mish për top, nxjerrin në treg një mish më të freskët? Se vetëm për këtë paguhen, hajër me investime e akte konkrete për Shqipërinë ende nuk u kemi parë…

Sonila Meço shfryn ashpër ndaj Ramës dhe Bashës: Për çfarë vlejnë milionat e hedhura për lobime Read More »

Thellohet skandali, arkivat sovjetike tregojnë se “bamirësi” i Bashës është ish-agjent i KGB-së

Evgeni Sheremetjev, ky është njëri prej emrave që investigimi i “Mother Jones” ka lidhur me Lulzim Bashën.

Biznesmeni rus është bashkëthemelues i “Biniatta Trade”, kompanisë fantazmë që pagoi rreth një milionë dollarë për llogari të Partisë Demokratike, në prag të zgjedhjeve të 25 qershorit.

Megjithatë, përpara se t’I futej me sukses rrugës së biznesit, duke siguruar edhe disa tendera nga qeveria ruse, Sheremetjev ka një të shkuar të errët.

Arkivat sovjetike, si dhe ky artikull bashkëngjitur tregojnë se në vitin 1988, pak përpara se të rrëzohej regjimi, ai ishte një funksionar i lartë i KGB-së.

Madje, një artikull i publikuar në mediat izraelite, tregojnë se Sheremetjev ishte një negociator i suksesshëm, në rastin e një pengmarrje që ndodhi në të njëjtin vit, duke siguruar lirimin e disa shtetasve hebrenj.

Në të njëjtën kohë, edhe Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin shërbente si një agjent i KGB-së në Berlinin e Lindjes dhe duket se marrëdhënia midis dy personave është vendosur që në atë kohë.

Pothuajse 30 vjet më pas, Sheremetjev, i lindur në qytetin e Stravropolit, ka një aktivitet të suksesshëm biznesi, që përfshin një zyrë shërbimesh ligjore dhe disa aktivitete të tjera fitimprurëse.

Megjithatë, nuk dihet arsyeja përse ai, me dëshirë pagoi një pjesë të faturës së një milionë dollarëve, të përdorur për të influencuar rezultatin e zgjedhjeve në Shqipëri.

Thellohet skandali, arkivat sovjetike tregojnë se “bamirësi” i Bashës është ish-agjent i KGB-së Read More »

Misteri i kishës së Laçit – Shëna Ndou i Padovës

Dikur Kisha e Laçit ishte një nga Kishat më të dashura, më të ndjekura. Pastaj prej saj mbeti vetëm një shkëmb i lëmuar nga buzët e besimtarëve. Që lanë aty, mijëra lutje, dalë nga zemrat. Kështu shkëmbi i thatë u kthye në simbol shprese e qëndrese. Pushteti  komunist i përdori të gjitha mjetet e mundshme për ta zhdukur nga kujtesa e shqiptarëve atë vend të shenjtë. E nga zemrat, njërin nga Shenjtorët më të dashur të botës së krishterë. Por as propaganda, as kërcënimet, as policët e ushtarët e rreshtuar, nuk qenë në gjendje ta ndalonin procesioinin e gjatë, të vijueshëm të shqiptareve që vit për vit, posaçërisht më 13 qershor, shkonin për të nderuar kujtimin e Shenjtit e për të kërkuar ndihmën e Tij. Studiuesit e kësaj dukurie të pashembullt në mes të terrorit të Shqipërisë komuniste, ende nuk kanë arritur ta shpjegojnë këtë mister: një regjim gjakatar thyhej përballë një Shenjti. E edhe përballë vullnetit të popullit, për ta dëshmuar haptas besimin në një nga Shenjtorët më të njohur në historinë e Kishës katolike. Në atë dështim pa dyshim, ishte fryma hyjnore, që dukej e ridukej, me gjithë pushtetin e vet hyjnor, të papërballueshem nga pushtetet tokësore, shprehur përmes mrekullive, të “Shenjtit të mrekullive”.

Një kishë e rrënuar, gjithnjë në këmbë: Laçi

Françeskanët erdhën në Shqipëri rreth vitit 1241, dhjetë vjet mbas ngjitjes në qiell të portugezit të shquar, që me kultin e Tij, u bë udhërrëfyes i shqiptarëve në udhën drejt Krishtit. Ndërmjet disa Kishave kushtuar shenjtit, ndërtuan edhe atë të Shna Ndout, në Sebaste, kishë që u ngrit rreth vitit 1300 dhe u rrënua më 1971. Në këtë kishë shërbyen shumë meshtarë, ndërmjet të cilëve, Atë Shtjefën Gjeçovi, i Lumi Atë Mati Prenushi, Atë Klement Miraj, Imzot Robert Ashta, Atë Zef Pllumi…

Sot kisha e bukur, e rindërtuar mbi kodrën e Laçit, pret e përcjell njerëz të gjitha besimeve, dëshmitarë mrekullish…

Një mrekulli, ndërmjet shumë të tjerave…

(Ritreguar sipas një dëshmie)

Në vitin 1981, një grup ushtarësh nga toga e Drojës mori urdhër të shkonte te kodra e “Shna Ndout”, në Laç,  për të rrëzuar pjesën e mbetur të rrethimit. Të krijohej përshtypja se qeveria kishte frikë edhe nga rrënojat. Ndërtesa qe shembur në vitin famëkeq 1967, kur regjimi komunist doli haptazi në shesh të mejdanit kundër Kishës. E, natyrisht, edhe kundër Shëna Ndout.  Duel i heshtur i armës me uratën! Po më kot u mundua t’ua presë udhën besimtarëve. Një frymë misterioze i tërhiqte aq, sa të përballonin deri diktaturën, që nisi të shqetësohej seriozisht për këtë fenomen. Prej këndej ushtarët e zonës morën urdhër t’i hidhnin në erë muret e, me ta, të shlyenin përgjithmonë edhe kujtesën e kishëzës e të Shëna Ndout.

Pasi e shembën një pjesë të rrethimit, 32 ushtarët e togës  mbetën, çuditërisht, të paralizuar nga mesi e poshtë. Ishte një fenomen i pashpjegueshëm. Mbetën të ngrirë, aty, mbi mur, ku erdhën e i morën me shpejtësi. Nuk ishte më fjala për të zhdukur ca gërmadha. Duhej zhdukur çdo gjurmë e një mrekullie të gjallë, të prekshme që, megjithë kujdesin e qeverisë, e si çdo lajm i ndaluar, mori menjëherë dhenë. Pushteti popullor i nisi disa prej ushtarëve të ngurrosur për mjekime në Austri, për 6 muaj, ndërsa të tjerët, në Spitalin Ushtarak të Tiranës.

Ushtarët u ngritën përsëri në këmbë pas shumë mjekimesh. Por gjithnjë me pasoja të dukshme. Fenomeni mbeti i pashpjegueshëm. Qeveria bëri çmos ta justifikonte ngjarjen, duke pohuar se ishte helmim nga ushqimi, por kjo diagnozë nuk u provua kurrë shkencërisht. Historia mbeti, edhe sot e kësaj dite, e veshur me mister. E regjistruar ndërmjet shumë mrekullive të tjera, në kujtesën popullore. Sa mirë do të ishte të kujtohej dikush e t’i mblidhte mrekullitë e Laçit në një libër kushtuar Shenjtit, nga shqiptarët mirënjohës.

Misteri i kishës së Laçit – Shëna Ndou i Padovës Read More »

Femra kemi gjetur “Burimin e Rinisë” – Ky ilaç i mrekullueshëm do t’ju bëjë të dukeni 10 vjet më të reja!

Mjekësia alternative ka gjetur diçka që ne besojmë se është “burimi i rinisë” – ​​një pije e mrekullueshme që do të fshijë vitet nga fytyra juaj dhe rivendosjen e rinisë në trupin tuaj. Më e mira nga të gjitha, nuk keni më nevojë të shpenzoni kohë ose para në procedura të shtrenjta kozmetike ose mbingarkoni lëkurën tuaj me produkte kozmetike të mbushura me kimikate. Në fakt, ju duhen vetëm dy përbërës për pijen tuaj ‘të përjetësisë’ – ujë dhe klorid magnez.

Çfarë është kloruri i magnezit?

Një mineral esencial, magnezi ka përfitime të shumta shëndetësore në lidhje me shumë sëmundje. Plus, është një mineral që ka efekte rinovuese në trup.

Përfitimet shëndetësore të klorurit të magnezit:

-Mbron kundër osteoporozës

-Përmirëson tretjen

-Përmirëson problemet menstruale

-Qetëson dhimbjet e kokës

-Mbron enët e gjakut

-Stimulon humbjet e peshës

-Jep energji

– Redukton depresionin

-Mbron kundër viruseve të zakonshme

-Përmirëson funksionin e sistemit nervor qendror

– Ka veti anti-kancerogjene

Kloridi i magnezit në shtëpi

Receta

Filloni duke vendosur 1l ujë të valojë. Sapo uji të fillojë të valojë, hiqni atë nga nxehtësia dhe lëreni të ftohet. Kur të arrijë temperaturën e dhomës, shtoni 33g klorid magneziumi (pluhur). Ju mund ta blini në farmacinë tuaj lokale.

E RËNDËSISHME:

Kur e merrni këtë ilaç, është jashtëzakonisht e rëndësishme të dini dozën e duhur, e cila përcaktohet nga mosha. Nuk rekomandohet për fëmijët më të vegjël se 10 vjeç.

Dozimi sipas moshës:

-Midis 10 and 40 vjeç – gjysmë filxhan në mëngjes

-Midis 40 and 70 vjeç – 1 filxhan në mëngjes

-70 vjeç e lart – 1 filxhan në mëngjes dhe 1 filxhan para gjumit

Ky ilaç është parë se është shumë i dobishëm për rinovimin e trupit dhe përmirësimin e shëndetit të përgjithshëm.

Femra kemi gjetur “Burimin e Rinisë” – Ky ilaç i mrekullueshëm do t’ju bëjë të dukeni 10 vjet më të reja! Read More »

Gegërisht apo toskërisht?

Të huajt gjithnjë  janë tërhequr nga dy dialektet e shqipes, duke i ndarë shqiptarët në gegë e toskë.

Në fakt dhe në trojet shqiptare debati mbi gegët dhe toskët dhe të folmen e tyre ka ngjallur gjithnjë interesimin e gjuhëtarëve, shkrimtarëve dhe historianëve. Një debat që nuk duhet të na ndajë por të na bashkojë. Historia tregon se gegërishtja ka qenë bazë e të folmes dhe shkrimit shqip deri pas Luftës së Dytë Botërore. Disa prej kryeveprave shqipe u shkruan  në këtë dialekt.

Toskërishtja si baza e gjuhës shqipe dhe eleminimi i gegënishtes ishte një urdhër i diktatorit,  Enver Hoxha. Ky ishte fati i gegënishtes…Diktat i politikës.

E rëndësishme është që kur vjen puna për çështje kombëtare: gegë e toskë janë të unifikuar në një trup, në shqiptari…

Dialekti gegë është një nga dy dialektet e gjuhës shqipe që flitet nga shqiptarët gegë në Veri të Shqipërisë, në Kosovë, në Maqedoni, në Turqi si dhe në Serbi e Mal të Zi. Gegët janë një klasifikim ndëretnik i shqiptarëve dhe përfshin banorët e viseve mbi Shkumbin. Trojet e banuara nga gegët janë njohur historikisht si Gegëri, sidomos gjatë shekullit XIX dhe kohës së Lidhjes së Prizrenit.

Dokumentet më të vjetra të shqipes janë shkruar në gegërisht. Këto përfshijnë “Formulën e pagëzimit” të Pal Ëngjëllit, “Mesharin” e Gjon Buzukut, “Çetën e profetëve” nga Pjetër Bogdani, vepra e Pjetër Budit, Frang Bardhit etj. Në gegërisht u shkruan dhe kryeveprat e letërsisë shqiptare si “Lahuta e malcisë” e Gjergji Fishtës, si dhe u kodifikuar Kanuni i Lekë Dukagjinit nga Shtjefën Gjeçovi. Gegërishtja ka qenë dialekt zyrtar në Shqipëri para Luftës së Dytë Botërore dhe në Kosovë deri më 1968.

Toskërisht është një nga dialektet e gjuhës shqipe, që flitet në Jug të Shqipërisë, në një pjesë të vogël të Maqedonisë, në Greqi dhe në Italinë Jugore nga arbëreshët. Kufiri mes gegërishtes dhe toskërishtes është lumi Shkumbin.

Gegërishtja dhe toskërishtja janë degëzuar për së paku prej një mijëvjeçari. Gjuha zyrtare shqipe, e shkruar me gërma latine u përvetësua në vitin 1909 dhe ishte e bazuar në dialektin e Gegërishtes së Elbasanit dhe nga fillimi i shtetit të Shqipërisë deri në Luftën e Dytë  Botërore.

Pas luftës së dytë Botërore dialekti gegë u mënjanua prej vitit 1945 deri në vitin 1967, dhe de facto prej vitit 1972 deri më sot. Gjuha e sotme zyrtare shqipe jo vetëm që bazohet në toskërisht, por dhe fjalët dhe shprehjet që huazohen kthehen në morfologjinë, fonologjinë dhe sintaksën e të folmes toske.

Shumë pyetje lindin në këtë fushë. Por një gjë dihet. Vendosja e dialektit tosk u bë për arsye politike. Dhe ishte një zgjidhje e padrejtë, sepse pjesa më e madhe si komb, pavarësisht kufijve, flasin gegërisht. Specialistët thonë se nëse gjuha shqipe do të ishte e bazuar tek gegërishtja nuk do të kishim sot një gjuhë të varfër në sinonime.

Ka shumë debate në lidhje me këtë çështje. E rëndësishme është që dialektet gjuhësore nuk duhet të jenë një element që na ndajnë dhe të përkthehen në terma etnikë. Sepse fundi i fundit si gegët si toskët i përkasin vetëm dhe mënyrë të patjetërsueshme, kombit shqiptar.

Rezultate imazhesh për foto gege apo toske

Gegërisht apo toskërisht? Read More »

Fiton 30 mijë euro në javë, këngëtarja shqiptare më e pasur se Obama

Është një nga shqiptaret më të dashura në botë, por askush s’do ta kishte menduar se Rita Ora mund të jetë më e pasur se ish-presidenti amerikan, Barack Obama.
Të dhënat janë bërë publike nga “Celebrity NetWorth”, e cila raporton se pasuria e 27-vjeçares vlerësohet të jetë rreth 16 milionë dollarë (13 milionë euro).

Nga ana tjetër, Barack Obama gjatë kohës kur ishte president, fitoi 12 milionë dollarë neto.

Edhe pse në vitin 2016 ishte viktimë e një mashtrimi dhe humbi 3.2 milionë dollarë, Rita vazhdon të jetë e pasur.

Burimi kryesor i të ardhurave janë padyshim hitet dhe albumet muzikore, të cilat e kanë çuar këngëtaren shqiptare në majat e klasifikimeve.

Në fund të vitit 2017, ylli i muzikës pop paralajmëroi turneun e ri muzikor që do ta zhvillojë gjatë këtij viti dhe ka lidhur gjithashtu kontrata me brende të njohura.

Vetëm nga marrëveshja me Adidasin, ajo ka përfituar 1.5 milion funte (1.68 milion euro). Nga viti 2016, këngëtarja bashkëpunon edhe me Tezenis, në koleksionet e të brendshmeve

Rita është gjithashtu një sipërmarrëse e suksesshme.

Edhe pse nuk kishte publikuar asnjë material të ri muzikor për një periudhë njëvjeçare (deri në prill 2017), ajo kishte fituar mbi 30 mijë euro në javë, duke përfituar 1.4 milion funte (1.57 milion euro) në atë periudhë 12 mujore.

Krahas këngëve, Ora është angazhuar edhe në aktrim dhe në gara konkurrimi, si ‘The Voice UK’, ‘The X Factor’ dhe ‘America’s Next Top Model’.

Fiton 30 mijë euro në javë, këngëtarja shqiptare më e pasur se Obama Read More »

A e dini sa qytete dhe fshatra ka Shqiperia?

Reforma administrative-territoriale nuk mund të arrijë objektivat e caktuar nëse nuk do të dihej sëpari numri real i qyteteve dhe fshatrave dhe të popullsisë së tyre në të gjitha komunat, bashkitë dhe qarqet e vendit. Këto qendra banimi përbëjnë bazën ku ngrihen dhe funksionojnë njësitë e qeverisjes vendore me organet e tyre përfaqësuese dhe ekzekutive.

Sipas nenit 5 të ligjit 8652/2000 për organizimin dhe funksionimin e qeverisjes vendore, qytet, shpallet (me ligj) një qendër banimi e cila ka një plan perspektiv zhvillimi urban të miratuar. Kurse fshati krijohet në një territor me mbi 200 banorë me vendim të këshillit komunal.

Po sa qytete dhe fshatra ka Shqipëria sipas këtyre përcaktimeve? Duket si pyetje të cilës  mund t’i jepet një përgjigje të shpejtë. Të shpejtë po, por jo të saktë, pasi në këto dy dekadat e fundit nuk është bërë ndonjë “invetar” nëse ka “firuar” apo është shtuar ndonjë prej tyre.

 

Qytetet

Sipas censusit 2011, për herë të parë në Shqipëri, popullsia që banon në zonën urbane e ka kaluar numrin e popullsisë në zonën rurale në raportin 53, 5% me 46, 5%, kundrejt 42.2 % dhe 57.8 % më 2001, dhe 35.7% me 64.3% më 1989.  Pra, midis viteve 1989-2011, popullsia banuese në zonën urbane është rritur 17.8% duke u pakësuar me të njëjtën përqindje në zonën rurale.

Zakonisht zona urbane përfshin qytetet mbi territorin e të cilëve ngrihen kryesisht bashkitë, kurse zona rurale përfshin fshatrat, mbi të cilat ngrihen komunat.

Sipas të dhënave të INSTAT, Shqipëria deri në vitin 1990 ka pasur 67 qytete, në vitin 2000, 74 qytete, po kaq edhe vitet e fundit (2009).

Nëse u besojmë këtyre të dhënave del se, edhe pas dy e më shumë dekadave, në rrethin e Tropojës ka 3 qytete , në rrethin e Mirditës 4 qytete, në rrethin e Matit 3 qytete, në rrethin e Bulqizës 2 qytete, në rrethin e Kurbinit 3 qytete etj. Kami në Tropojë, Kurbneshi në Mirditë, sa për të sjellë ndonjë shembull, figurojnë si qytete vetëm për faktin se dikur janë shpallur qytete!

Para vitit 1990, qyteti ka qenë një njësi e ndarjes tokësore-administrative të vendit, me këshillin popullor dhe komitetin ekzekutiv e tij prandaj të dhënat kanë qenë të sakta. Mirëpo pas vitit 1990, ndodhën ndryshime të thella politike, ekonomike, sociale dhe demografike. Kështu, shumë qytete që lindën nga qendrat minerare apo industriale në vitet 1950-1980, si rrjedhojë e mbylljes të minierave, uzinave dhe fabrikave të pasurimit, pas vitit 1990 filluan të boshatisen. Papunësia dhe varfëria ishin dy faktorët kryesorë që nxitën largimin e popullsive të tyre drejtuar qendrave urbane apo rrethinave të qarqeve të Tiranës dhe Durrësit.

Tani, në vend të veçorive dalluese që karakterizojnë një qytet, kanë mbetur grumbull pallatesh apo shtëpish të rrënuara dhe pak njerëz, që rrojnë me ndihmë ekonomike. Statusi “de jure” i tyre është qytet pasi janë shpallur kështu me ligj nga Presidiumi i Kuvendit Popopull (para 1990) kurse në fakt ky status është shuar prej kohësh.

 

Fshatrat

Po sipas INSTAT, ka pasur 2848 fshatra në vitin 1990, 2962 fshatra në vitin 2000, dhe po kaq edhe tani! Po a mund të besohet që jetë rritur numri i fshatrave pas vitit 1990 deri në vitin 2000 dhe ky numër të ketë mbetur në vend në këto tre pesëvjeçarët e fundit? Në fakt, logjikisht i bie që të ketë ndodhur fenomeni i kundërt: që numri i tyre të ketë rënë për shkak se dallgët e lëvizjeve të popullsisë më shumë kanë prekur zonat rurale.

Gjatë viteve 1989-2011 numri i popullsisë ka rënë në 10 qarqe dhe është shtuar vetëm në 2 prej tyre: në qarkun e Tiranës dhe të Durrësit.

Ritmi më i lartë i çpopullimit ka prekur fshatrat malore me burime jetese të kufizuara  të zonës verilindore (Shkodër, Kukës, Dibër) por edhe të zones jugë-lindore (Korçë, Gjirokastër) e të zonave të tjera. Sipas Censusit (regjistrimit) të popullsisë të vitit 2011, për herë të pare, qarku i Gjirokastrës është renditur i fundit me 72,176 banorë ose 2.6% të popullsisë banuese gjithsej në shkallë vendi, duke ia kaluar edhe qarku i Kukësit me 85,292 banorë ose 3%.

Me qindra fshatra, që dikur kishin qindra apo mijra banorë secili tani nuk kanë as 200 persona për t’u quajtur qendra të tilla banimi. Madje ka edhe “fshatra” ku popullsia e tyre numërohet me gishtat e duarve. Në shumë krahina apo komuna popullsia ka rënë në nivelet e fshatrave të vegjël. Sipas të dhënave të Censusit 2011, 70 komuna kishin mesatarisht secila nga 1,498 banorë, 24 të tjera nga 801 dhe 11 nga 385 banorë.

Kuptohet se sa e gjatë do të ishte lista me fshatrat që u ka mbetur vetëm emri. Prandaj është e nevojshme që të lehtësohet invetari me emërtime të tilla fshatrash.

Ka edhe një dukuri tjetër: shumë fshatra kanë marrë një zhvillim të tillë urbanistik, social-ekonomik dhe demografik që gjithnjë e më tepër po u ngjajnë qyteteve. Kështu psh Golemi i Kavajës apo Ksamili i Sarandës tani janë fshatra apo qytete? Përgjigjen e saktë të kësaj pyetjeje dhe të tjerave në raste të tilla vështirë se mund ta japin institucionet publike përkatëse.

 

Përfundim

Për një rindarje administrative-territoriale dhe krijimin e njësive të reja të qeverisjes vendore sëpari është e nevojshme të njihet numri i qendrave të banuara sipas kritereve të tanishme  ligjore për shpalljen e qyteteve dhe fshatrave. Pra, duhet bërë një “invetar” i këtyre vendbanimeve në të gjitha komunat, bashkitë e qarqet e vendit.

Por kjo nuk mjafton, pasi kriteret ligjore nuk janë të plota dhe të qarta për të dalluar një zonë urbane nga një rurale apo të ndërmjetëme. Prandaj, për të mbushur boshllëkun ligjor dhe institucional për emërtimin e qendrave të banuara qytet dhe fshat duhet të hartohet një ligj i veçantë me disa kritere bazë demografike, urbanistike, historike dhe social-ekonomike. Për caktimin e këtyre kritereve duhet të përshtatet legjislacioni i vendeve europiane këtë fushë.

Duke parashikuar se, në të ardhmen, nuk do të ketë qytet dhe fshat pa një plan rregullues të miratuar nga Këshilli i Ministrave do të ishte më e drejtë që edhe miratimin e shpalljes së tyre dhe të ndryshimit të statusit të tyre ta bënte i njëjti organ. Në këtë mënyrë kjo do të parandalohej krijimi i qendrave të banuara me shkelje urbanistike dhe pronësore dhe do të kishim fshatra dhe qytete sipas kritereve bashkohore.

A e dini sa qytete dhe fshatra ka Shqiperia? Read More »