Aurora

Berdullaku barishtja Shqiptare e miresise

Bërdullaku është nga ato barishte që kur e sheh, të duket sikur të thotë “eja më ha.” E në fakt, gjethet dhe kërcenjtë e bërdullakut janë vërtet joshës.

Kjo barishte, që rritet nëpër lëndina dhe kopshte, është një thesar i vërtetë për njerëzit që janë në kërkim të burimeve të egra natyrale të ushqimeve.

AgroWeb ka përgatitur këtë material me të dhëna mjaft interesante dhe receta që lexuesit dhe konsumatorët ta vlerësojnë më shumë këtë barishte fantastike.

Emri botanik i bërdullakut është Portulaca oleracea. Portulaca vjen nga Latinishtja që do të thotë “portë” ndërsa Oleracea do të thotë “perime e kuzhinës.”

Në lashtësi, bërdullaku njihej për vlera shëruese, madje disa historianë të asaj kohe ishin të bindur që kjo bimë dhe lulet e saj duheshin mbajtur në rroba për të mbajtur të keqen larg.

Bërdullaku ka kërcenj të kuqërremtë dhe të butë, lule të verdha me nga pesë petale në formë ovale me një gjërësi prej 6 milimetrash.

Në varësi të shirave, lulet çelin shpesh gjatë gjithë vitit. Lulet hapin petalet e tyre kryesisht në orët e para të mëngjesit, kur farat që mbrojnë me fanatizëm janë të pjekura mjaftueshëm.

Kjo barishte ka krejt pak kolesterol. Është një burim i shkëlqyer i tiaminës, niacinës, vitaminës B6 dhe folatit.

Bërdullaku përmban vitaminë C, A, riboflavinë, kalcium, hekur, magnez, fosfor, kalium, bakër dhe mangan.

Një nga gjërat që ngjall shumë kuriozitet për bërdullakun është se kjo bimë ka më shumë acide yndyrore Omega 3 se sa çdo bimë tjetër e njohur në planet.

Në mbrëmje, gjethet përthithin dioksidin e karbonit dhe e transformojnë atë në acid malik (që i jep mollëve thartësinë karakteristike) dhe gjatë ditës atë e kthejnë në glukozë.

Nëse e mblidhni bimën në mëngjes herët, gjethet kanë dhjetë herë më shumë acid malik se sa po t’i mblidhni pasdite.

Kërcenjtë, gjethet dhe gonxhet e bërdullakut janë të gjitha të ngrënshme. Bima mund të përdoret e freskët në sallatë, mund të gatuhet si spinaqi dhe mund të përdoret në supë ose gatime të tjera.

Në Shqipëri, kjo bimë përdoret si perime, në mënyrë të njëjtë me spinaqin. Shërbehet me vaj ulliri ose përdoret në përgatitjen e byrekut.

Grekët e quajnë Andrakla. Ata përdorin gjethet dhe kërcinjtë me djathë feta, domate, qepë, hudhër, rigon dhe vaj ulliri. E përdorin në sallata, e ziejnë ose e gatuajnë me mish pule.

Në Turqi, e përdorin për sallata dhe për byrek. Edhe ata e gatuajnë në të njëjtën mënyrë si spinaqi.

Libanezët e njohin bërdullakun si Bakleh. E hanë të freskët në sallatë, e përdorin si garniturë ose në byreçka dhe pite.

Si të njihni bërdullakun?

Bërdullaku ngatërrohet lehtësisht me një bimë tjetër të njohur si Euphorbia maculate e cila është helmuese dhe të sëmur.

Ndonëse të dyja bimet rriten në sipërfaqen e tokës, gjethet e Euphrobia Maculate janë të vogla dhe në mes kanë njolla të kuqe.

Kërcenjtë e kësaj bime helmuese janë me push dhe lulet ngjajnë ndryshe. Një mënyrë tjetër për të bërë dallimin mes tyre është që të ndani kërcenjtë në dysh.

Kërcelli i bimës helmuese nxjerr një lëng kremoz ngjyrë të bardhë. Ndaj kini kujdes!

Berdullaku barishtja Shqiptare e miresise Read More »

Lazarati, nga luksi i parave të drogës te skamja

Një trafik jo i zakontë ka kapluar aksin nacional Gjirokastër- Kakavijë, në paraditen e 2 janarit të vitit të sapoardhur. Makina të shumta me targa të huaja po largohen drejt pikës kufitare, por destinacioni ynë, tashmë nuk kërkon më “vizë”.

Një tabelë anash rrugës na orienton djathtas, ku arrijmë të dallojmë për së largu Lazaratin, fshatin famëkeq, të trumbetuar aq fort nga mediat shqiptare, por edhe të huaja për kultivimin e kanabisit. Teksa ngjitemi në rrugicën me gropa, mbulohemi nga hija e mureve të larta që tre vite më parë shërbenin si “bedenat” e ruajtjes së hashashit. Por tashmë një qetësi e frikshme mbizotëron në fshat, ndërkohë që mjegulla e zymtë ka mbërthyer vendin që dikur njihej si kryeqyteti europian i kanabisit.

Prej shumë kohësh, shtetrrethimi ka rënë, nuk ka më paralajmërime apo kontrolle për të hyrë në territorin lazaratas, as kërcënime me armë, siç ndodhte dikur në ato vite, kur banorët, veçanërisht të rinj, kishin një pushtet të papërballueshëm nga shteti. Tashmë gjithçka që ka ngelur nga Lazarati është skamja e varfëria e ulur këmbëkryq brenda vilave luksoze, shumë prej tyre të ndërtuara me pasuri të paligjshme.

Banorët
Pas 20 minutash rrugë-tim, arrijmë në qendrën e fshatit Lazarat. Një grua e moshuar rreth të 70-ve, me shami e poture të zeza, po mbush ujë në një çezmë aty pranë. Pesha e jetës, e reflektuar në sytë e ballin plot rrudha, është shumë më e rëndë se ato 10 shishe me ujë që me zor po arrin t’i shkëpusë nga toka. “Djemtë ikën jashtë vendit, nuk rrinin dot më këtu, mbaroi gjithçka.

Tani jemi si mos më keq, marrim bukën dhe ushqimet me listë, por le të vijnë pushtetarët e të na shohin si jemi katandisur. I thoni Edi Ramës e Sali Berishës që të vijnë këtu e të shohin nga afër se si jemi zhytur në mjerim”,- shprehet e revoltuar e moshuara.

Vazhdojmë të ecim në qendër të fshatit, ndërsa në të djathtë shohim një lokal të vogël, me xhama të errët, e disa karrige të vjetruara jashtë. Brenda subjektit, dallohen shtëllungat e tymit të cigares, e vetmja shkelje e ligjit që lazaratasit mund të bëjnë tani. Kanë kaluar tre vjet e gjysmë nga koha kur lazaratasit nuk pyesnin dhe i bënin sfidë ligjit. U desh, superoperacioni antidrogë i qershorit të vitit 2014 që në këtë fshat “rebel” të vendosej ligji. Hyjmë brenda lokalit ku përreth një tavoline janë ulur rreth 5-6 burra të thinjur, me kafe e një teke raki para, që po luajnë domino. Mesa duket, “shteti më vete” i Shqipërisë sonë, ka marrë sërish formën e mëparshme, është rikthyer në identitet, duke iu bashkuar normalitetit të fshatrave të tjerë të vendit.

Bizneset
Vazhdojmë të ecim në fshat, ku para një minimarketi qëndron një çift të moshu-arish, të cilët mesa duket janë pronarët e këtij biznesi të vogël. Na presin me buzë-qeshje, por sapo i pyesim lidhur me situatën, fytyrat e tyre vrenjten dhe ngurrojnë të flasin.

“Largohuni, nuk keni më se çfarë merrni nga ne, se ashtu e kemi hallin. Pak na kanë bërë? Nuk dua të jap informacion, kush politikan dëshiron të vijë të shohë vetë ç’bëhet në fshat”,-thërret e revoltuar e moshuara, ndërkohë që tenton të na nxjerrë jashtë marketit. Ndërkohë, i shoqi i saj, i ulur në një karrige aty jashtë, duket se kërkon të tregojë gjithë brengat që po e gërryejnë, duke na bërë me shenjë që të shkojmë drejt tij.

“Këtë market të vogël e kam hapur para shumë vitesh, por një gjendje ekonomike të tillë fshati nuk e kam parë kurrë, jemi në krizë. Fletorja është mbushur plot me emrat e atyre që marrin edhe bukën me listë. Pyesni Edi Ramën për gjendjen tonë se mund t’iu përgjigjet më mirë. Gjendja në Lazarat është jashtëzakonisht e keqe dhe kaotike, banorët i ka mbytur varfëria e papunësia. Ishte viti i ri dhe lazaratasit pothuajse nuk kanë blerë asgjë për ta festuar e për ne ka qenë një natë si gjithë të tjerat”,-tregon pronari i biznesit.

Ndërkaq, edhe kazinoja në të cilën lazaratasit shumë kohë më parë, linin miliona lekë, tashmë ka dalë jashtë funksionit, e dyert e saj janë mbuluar me gazetat që shkruan aq shumë për qendrën e kanabisit të Shqipërisë. Mesa duket, ajo çka ka ngelur nga fshati famëkeq, janë vetëm muret e larta që mbronin hashashin e fasadat e vilave, ndërsa makinat luksoze që para “pushtonin” jo vetëm Lazaratin, por edhe Gjirokastrën e zonat përreth janë zhdukur. Vendin e tyre tashmë e kanë zënë bagëtitë, të cilat shumë prej banorëve i kullosin për të shitur ndonjë shishe qumësht dyerve të gjirokastritëve për të mbajtur frymën gjallë. Pra, shumë gjëra janë kthyer si shumë kohë më parë për Lazaratin, përveç migrimit të të rinjve, i cili ka pësuar një rritje nga viti në vit.

Djemtë lazaratas, që vite para lëviznin me lekë ndër duar e pistoleta në brez, në makinat e shtrenjta, sot janë larguar nga vendlindja e tyre jashtë shtetit apo në kryeqytet për një jetë më të mirë. Gjatë rrugës së kthimit nga fshati rebel, shikojmë edhe fushën e shkretuar që i mori jetën efektivit të RENEAS, Ibrahim Basha qershorin e 2015-ës gjatë një operacioni antidrogë.

Reagimi i gjirokastritëve
Në periudhën e lulëzimit të kanabisit në Lazarat, edhe Gjirokastra pati një ngritje ekonomike, pasi jo pak qytetarë zgjodhën të punonin në presimin apo ujitjen e hashashit, ku paguheshin shumë më shumë sesa në një punë tjetër. Sot, shumë biznese në Gjirokastër janë mbyllur për shkak se fuqia blerëse ka rënë. “E mbylla dyqanin me veshje. Para blinin shumë, sidomos lazot.

Tani s’ka më kush t’i blejë, punë s’ka, kjo rënia e Lazaratit ndikoi edhe te ne”,-tregon një ish-pronar i një butiku veshjesh në këtë qytet. Por pavarësisht kësaj, shumë gjirokastritë, me paksa cinizëm tregojnë se ndihen të kënaqur për gjithçka ndodhi në Lazarat. “Shumë mirë iu bë, e meritonin! Ishin bërë zotër të Gjirokastrës, por tani u kthyen aty në origjinë, përfunduan ku e kanë vendin. Mund të flemë të qetë natën, pa frikën se mos na kap ndonjë plumb nga të shtënat e lazaratasve”,-tregon një tjetër gjirokastrit.

Lazarati, nga luksi i parave të drogës te skamja Read More »

Kallezim penal per stafin mjekesor te Spitalit Vlore

Më datë 19.01.2018, Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Vlorë kanë referuar materialet hetimore në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor, Vlorë, për veprën penale ”Mjekimi i pakujdesshëm”, të parashikuar nga neni 96 i Kodit Penal, sepse:

Shtetasia E.R., ka bërë kallëzim penal pranë strukturave policore Vlorë pasi pretendon se më datë 18.01.2018, bashkëshorti i saj shtetasi V.C., 66 vjeç, ka ndëruar jetë në repartin e reanimacionit të Spitalit Rajonal Vlorë, si pasojë e mjekimit të pakujdesshëm prej stafit mjekësor.

Nga ana e Specialistëve të Seksionit për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Vlorë janë ndërmarë veprimet hetimore të sekuestrimit të kartelës mjekësore të shtetasit V.C., dhe është dërguar trupi në Institutin e Mjekësisë ligjore Tiranë, për kryerjen e ekspertizës mjeko-ligjore dhe përcaktimin e shkakut të vdekjes.

Kallezim penal per stafin mjekesor te Spitalit Vlore Read More »

Një letër e hapur për ata që nuk lënë asnjëherë bakshish për kamarierin

I dashur person, i cili nuk ka ide se sa shumë ka rëndësi bakshishi,

Dua të filloj duke të bërë një pyetje të thjeshtë: Përse nuk lë asnjëherë bakshish?

E bën këtë sepse ti nuk mund ta përballosh një gjë të tillë? Apo për shkak se je i verbër dhe nuk mund ta dish se një kamerier/kameriere që po të shërben është duke e siguruar jetesën në atë mënyrë?

A mos është fakti se thjesht je koprac dhe “nuk ta ndjen”? A mos është për shkak se ti mendon se, duke u kujdesur jo vetëm për tavolinën tënde, por edhe për të paktën tre deri në pesë të tjera, kamarieri vonoi shumë për të ta sjellë porosinë?

Apo është thjesht sepse nuk je në dijeni se një kamarier merr një rrogë qesharake dhe vetëm një bakshish e bën diferencën?

Këto femra dhe meshkuj që të shërbyen, mbështeten plotësisht në bakshishet që klientët mund t’ju lënë, në mënyrë që gjatë javës të paguajnë faturat e tyre.

Unë kam dy fjalë për disa prej jush të cilët janë mjaftueshëm injorantë për t’u larguar pa lënë asnjë qindarkë falenderim për shërbimin.

Mendoni sikur po shkoni në punë, puna fillon ngadalë, pastaj pothuajse si një bombë e vërtetë shpërthen një kaos në vendin e punës dhe nuk mund ta gjesh një minutë për të ndaluar dhe për të marrë frymë, e lëre më të mendosh se çfarë duhet të bësh më pas.

Imagjinoni që po u shërbeni dhe po ndihmoni njëherazi gjashtë grupe të ndryshme njerëzish, me secilin grup që përmban dy deri në dhjetë vetë.

Mendoni se po punoni për tu siguruar që këta klientë të marrin përshtypjen më të mirë të mundshme. Pastaj iu dorëzoni faturën, u thoni “Shumë faleminderit! Ishte kënaqësi t’ju shërbeja, shpresoj të kaloni një ditë të mrekullueshme!”

Imagjinoni që ju po largoheni në përpjekje për të filluar një nga shtatëmbëdhjetë gjërat e tjera që ju duhet të përfundoni, shikoni se si grupi që sapo falënderuat, as mirupafshim nuk ju tha.

Imagjinoni që po pastroni rrëmujën që ata kanë lënë me kaq mirësi, shikoni faturën dhe e kuptoni se ajo nuk asgjë shpërblyese për ju.

Mendoni se sa të shkatërruar ndjeheni duke ditur se i keni ndihmuar këta njerëz sa më shumë që keni mundur dhe jeni treguar kaq të sjellshëm dhe ata as që e kanë vlerësuar.

Tani, kuptojeni se sa herë që vendosni t’i lini një bakshish një kamarieri/je, kjo është nëntë nga dhjetë herët e asaj që ato kalojnë e përjetojnë.

Unë nuk mund ta theksoj sa është e rëndësishme për njerëzit që të kuptojnë se ky është profesioni i dikujt – nëse ata janë një student kolegji, një nënë e vetme që bën punën e dytë të ditës, një baba i ri që duhet të paguajë kredinë që iu desh të merrte për të patur një makinë më të sigurt për fëmijën e tij, miku, mamaja, babai, motra, vëllai yt.

Nëse nuk mund ta përballosh dot një bakshish, mos dil jashtë për të ngrënë. Nëse nuk mund të përballosh tre pije alkoolike që ju gëlltisni, plus ushqimin tuaj, një bakshish i vogël nuk të mjafton për të ngrënë prapë.

Nëse nuk mund ta shihni se personi që është para jush është duke punuar më së miri për t’ju akomoduar, ndërsa përpiqet të bëjë të njëjtën gjë për pesë tryezat e tjera rreth jush, mos dilni për të ngrënë.

Nëse nuk mund ta kuptoni se burri apo gruaja para jush është një person i vërtetë, me jetën dhe problemet e tyre personale dhe se ndoshta këto probleme i kanë bërë ata të jenë arsyeja për të cilën qëndrojnë para jush, atëherë mos dilni për të ngrënë jashtë.

Unë jam vetë një kamariere. Më vret fakti që nuk e vini një herë veten në vendin tonë – a thua se jeni më të mirë se ne. Pyes veten nëse e kuptoni se ju ndihmoni për keq në motivimin tonë si “shërbëtorët” tuaj.

Pyes veten nëse ndoshta një ditë do të jeni në vendin tonë dhe shpresoj tek Zoti që askush të mos ju trajtojë ashtu siç na keni trajtuar.

Por në qoftë se ata e bëjnë, atëherë ndoshta ju do të kuptoni se si kemi ndjerë kur nuk na keni lënë asnjë bakshish pasi ju kemi dhënë kohën, mirësjelljen dhe shërbimin tonë.

Një letër e hapur për ata që nuk lënë asnjëherë bakshish për kamarierin Read More »

Si te perdorni frutat dhe perimet per rinine e lekures

Frigoriferi është streha më e mirë e disa prej recetave ideale për kujdesin e lëkurës .Më poshtë disa metoda efikase në përpilimin e disa maskave të thjeshta nga ushqime të freskëta që i bëjnë lëkurës një transformim të mirëfilltë.

Maska për lëkurë të thatë

Përbërësit

Një Avokado

2 Lugë gjelle me kos

Një lugë gjelle me vaj ulliri

Një lugë gjelle me mjaltë

Kjo maskë e pasur me acide yndyrore omega-3 forcon qelizat e lëkurës.

Falë mjaltit dhe kosit, fytyra do të jetë më e tendosur dhe e butë.

Maskë për lëkurat problematike

Përbërësit

Një banane

Gjysëm luge çaji me sodë  buke

Gjysëm luge çaji me shafran indie

Nëse lëkura juaj është problematike dhe ka tendencën të ketë akne të shumëta, atëherë provojeni këtë maskë.

Bananet janë të pasura me vitaminë A që rigjallëron qelizat dhe pastron poret.

Shafrani shkatërron bakteret që shkaktojnë akne, ndërsa soda e bukës përthith yndyrën e tepërt në lëkurë.

Maskë për lëkurë të ashpër

Përbërësit:

Gjysëm kastraveci i bërë pelte

Çerek gote me qumësht

Një lugë gjelle me mjaltë

Një lugë gjelle me sheqer kaf

Kastraveci largon skuqjet.

Për më tepër, ai përçon një aromë freskie sa do ju duket sikur jeni në një qendër estetike.

Kjo maskë e zbut lëkurën ndjeshëm vetëm pas një përdorimi.

Maskë për lëkurë të ndjeshme

Përbërësit:

Një lugë gjelle  me kos

Një lugë çaji me mjaltë

Një lugë çaji me kakao pluhur

Lëkurat e ndjeshme kanë tendencën të përjetojnë më shumë skuqje.

Kosi është baza e maskave të suksesshme.

Ai është i pasur me probiotikë dhe proteina që qetësojnë lëkurën.

Mjalti ngushton puret dhe largon infeksionet.

Kakaoja përmban flavonolë qetëson lëkurën nga irritimet e ndryshme.

Maska për lëkurë të yndyrshme

Përbërësit

Gjysëm filxhani me tërshërë të gatuar e të ftohtë.

Një vezë

Një lugë gjelle me lëng limoni.

Acidi tek lëngu i limonit largon yndyrën e tepërt dhe qelizat e vdekura ndërsa tërshëra e zbut lëkurën dhe heq skuqjen.

Maskë për lëkurë me njolla

Përbërësit

Një kungull dimri nga ato që rritet në vreshta.

Kungulli duhet bërë pelte në një mikser

Një lugë gjelle me mjaltë

Dy pika nga vaji i pemës së çajit

Kjo maskë jo vetëm që largon aknet por edhe nxit prodhimin e kolagjenin.

Mjalti në veçanti zbardh lëkurën.

Maska duhet bërë një herë në javë.

Maska për lëkurë të lodhur

Përbërësit

Lëngu i një limoni

Dy lugë gjelle me sheqer

Një lugë gjelle me vaj ulliri

Me këtë maskë fytyra juaj do të jetë e freskët dhe e qetë.

Limoni dhe sheqeri do të ndihmojnë në largimin e qelizave të vdekura.

Vaji i ullirit do të hidratojë lëkurën dhe do t’i japë shëndetin dhe freskinë e munguar.

Si te perdorni frutat dhe perimet per rinine e lekures Read More »

Si te pergatisni cokokrem ne shtepi

 

Aspak të shëndetshme

Teksa kërkoja në internet për çokokremin, u terrorizova. Përbërësit më të shumtë të saj, ishin vaji i palmës dhe sheqeri i bardhë, ndërkohë që kakao dhe lajthitë zinin një vend minimal.

Pra im bir ishte dendur në sheqer e vaj palme. Kështu vendosa ta bëj vetë në shtëpi, duke qenë se përbërësit janë tepër të thjeshtë e gjenden gjithkund.

Pas shumë tentativave që më çalonin kryesisht te copëtimi i bajameve arrita të bëj çokokremin perfekt.

E nëse juve keni të njëjtin problem, po ju tregoj mënyrën si bëhet një çokokrem i shëndetshëm. Kryesisht masën e përbërësve e përzgjedh me sy, por si për fillim duhet kjo recetë.

Përbërësit:

80 gram lajthi

100 ml qumesht

60 gram sheqer ngjyrë e kaftë

100 gram çokollatë e zezë

2 lugë gjalpë

Në fillim pjek lajthitë për 10 minuta në furrë të paranxehur, ndërsa në një tenxhere shkrij çokollatën me qumështin. Më pas lajthitë e pjekura i fus në mikser.

Duan pak punë për t’u copëtuar se shpesh ngelin thërrime-thërrime dhe fëmijët nuk e pëlqejnë. Për t’i dhënë pak ndihmë në mikser shtoj edhe sheqerin e kuq (apo ndryshe sheqerin kaf) e më pas 2 lugë gjalp.

Vazhdoj t’i përzjej për disa minuta. Më pas i shtoj çokollatën e shkrirë në qumësht duke mos ndalur së përzjeri.

Pasi të gjithë përbërësit shkrihen me njëri tjetrin, i fus në enën e çokokremit të supermarketit, të cilën e ruaj sepse maskoj çokokremin e bërë në shtëpi.

Im bir është ende i vogël dhe duhet të vazhdojë të besojë se të gjitha ushqimet që sheh në market apo TV janë të mira.

Pasi ftohet për dy-tri orë, e le po kaq kohë edhe në frigorifer dhe është gati për përdorim. Ndërkaq edhe për akulloret përdor sërish çokokremin tim dhe është mjaft e lehtë.

Në mikser fus gjysëm kavanozi çokokrem, i shtoj qumësht dhe një paketë vanilje. Pasi i miksoj, mbush format e gatshme dhe i vendos në akull.

Kështu të paktën dy kërkesat më të zakonshme të fëmijës tim i zgjidh në mënyrën më të shëndetshme për të.

Jo vetëm çokokrem

Të njëjtën gjë kam nisur të bëj edhe me patatinat. Në këtë rast përdor patate të freskët të prerë hollë me renden thikë, të cilat i kripos, i hedh një pikë vaj ulliri dhe i pjek në furrë me 200 gradë deri sa të zverdhen e të bëhen krokante.

Mos harroni që maskimi i paketimit është i nevojshëm edhe në këtë rast, sepse fëmija është më inteligjent sa ne e mendojmë.

 

Si te pergatisni cokokrem ne shtepi Read More »

Mjalte me spec djeges,efekte fantastike per organizmin

A e keni provuar ndonjëherë mjaltin me spec djegës?

Është i ëmbël dhe i zjarrtë. Ka një shije, e cila duket sikur të ka munguar gjithë jetën. Në lugën e parë, ëmbëlsia e mjaltit të zgjon qiellzën ndërkohë që pak çaste më vonë përjeton nxehtësinë e papërmbajtur të specit djegës. Thënë shkurt, një kombinim i jashtëzakonshëm.

Duke marrë në konsideratë faktin që specat qëndrojnë shumë pak në përqafimin e ëmbël të mjaltit të ngrohtë, djegësia që ata çlirojnë është befasuese dhe ndjellëse.

Ata që janë të dhënë pas mënyrave të shëndetshme të pastrimit të organizmit, do të gëzohen kur të mësojnë se mjalti me spec djegës është një metodë pastrimi shumë popullore e cila përpos të gjithave ndihmon në rënien në peshë.

Speci djegës është përdorur prej shumë kohësh kundër disa problemeve shëndetsore përfshirë këtu urthin, kllapinë, ethet, sëmundjet e stomakut, temperaturën, problemet me tretjen, fryrjet e stomakut, problemet me fytin, çrregullimet hormolane, të vjellat, bajamet dhe difterinë.

Detoksifikimi i organizmit nëpërmjet kësaj formule shpesh njihet si ‘dieta e lemonatës.’

Në këtë artikull do të mësoni për vlerat dhe efektet e kësaj metode pastruese për organizmin.

Në mënyrë që ta kuptoni këtë metodë, duhet të dini që përbërësit janë ushqime natyrale të jetës së përditshme, ndaj nuk përbëjnë ndonjë rrezik për trupin.

Metoda e pastrimit ka të bëjë me ushqyerjen me lëngje.

Duhet të pini 1 lugë çaji mjaltë dhe spec djegës të tretur në një gotë ujë të ftohtë ose të vakët të paktën tetë herë në ditë.

Disa njerëz përdorin edhe limonin për një shije më të mirë.

E gjithë metoda e pastrimit synon të çlirojë trupin nga kthetrat e radikaleve të lira që akumulohen në trup dhe rikthimin në normalitet të sistemit tretës.

Nëse e pini limonatën në fjalë për tre deri në katër ditë, shëndeti juaj do të forcohet ndjeshëm. Sidoqoftë, është e udhës që të diskutoni për këtë çështje me mjekun dhe të mos ndërmerrni aktivitete fizike. Kura ka nevojë për pushim.

Si të përgatisni mjaltin me spec djegës

Përbërësit

1 filxhan me mjaltë

3 lugë çaji me speca djegës të grirë ose 5 speca të vegjël e të thatë të grirë.

Udhëzimet

Mjaltin dhe specat vendosini në një enë qelqi, të cilën duhet ta mbani futur në një tenxhere me ujë të valuar.

Përziejini specat dhe mjaltin ndërkohë që ngrohen për disa minuta duke rritur ngadalë temperaturën. Por duhet të kujdeseni që nxehtësia të mos jetë shumë e madhe sepse shkatërron enzimat mirëbërëse të mjaltit.

Fikeni zjarrin dhe lëreni enën me mjaltë të qëndrojë për 10 minuta. Më pas kullojeni mjaltin në një kavanoz qelqi.

Përveçse në formën e limonatës siç përmendëm më lart, mund ta përdorni këtë mjaltë në sallata, me djathë, mish, peshk ose perime.

Nëse jeni prekur nga të ftohtit, hidhni pak prej tretësirës në çajin tuaj me limon ose mente.

Mjalte me spec djeges,efekte fantastike per organizmin Read More »

Eksodi vazhdon, shqiptarët ikin në heshtje nga vendi. Punëdhënësi më i madh një kompani lojërash fati

Në Tiranë, revista ekonomike Monitor sapo ka kryer një vëzhgim mbi emigrimin e ri të shqiptarëve. Sipas këtij vëzhgimi, që publikohet të hënën në kryeqytet, ritmi i largimit të shqiptarëve nga vendi po rritet përsëri deri në nivelet rekord të vitit 2015.

E veçanta në këtë valë të re emigrimi është se tashmë qytetarët thjesht ikin heshturazi e nuk kthehen, por nuk kërkojnë azil.

Edhe gjatë vitit 2017 qytetarët shqiptarë vazhduan ta braktisin vendin në masë të konsiderueshme, duke kërkuar ta ndërtojnë jetën e tyre në shtete të tjerë.

Vëzhgimi i revistës Monitor, që publikohet të hënën në Tiranë, zbuloi një tjetër rritje të fortë të ikjes së shqiptarëve, tregues i emigrimit të shtuar edhe gjatë vitit 2017.

Nga të dhënat e INSTAT për 10-mujorin e 2017, largimet pa kthim të shqiptarëve shënuan një rritje të re, në diferencën mes udhëtarëve që dalin dhe atyre që hyjnë nga kufiri.

Sipas vëzhgimit të revistës Monitor, grafiku i largimeve të shqiptarëve ka 3 kulme maksimale; në vitin 2011 kur Shqipërisë iu hoq regjimi i vizave, një kulm tjetër është viti 2015, kur u vërtetua se kishte shumë aplikime për azil, dhe tani në 2017, që njerëzit ikin dhe nuk deklarojnë asgjë as kur nisen dhe as kur mbërrijnë.

Image

Drejtuesja e revistës Monitor, Ornela Liperi, theksoi se në mungesë të një regjistrimi të popullatës, kjo mënyrë e tërthortë është e vetmja për të regjistruar largimet e njerëzve, pra përmes raportit të atyre që ikin dhe atyre që kthehen, një diferencë që sa vjen dhe thellohet.

“Ritmi i ikjes së shqiptarëve në 10 muajt e 2017 është po aq i lartë sa edhe në vitin 2015, kur shifrat arritën rekord maksimal. Njerëzit ikin nga mungesa e alternativës, sidomos të rinjtë. Firmat, bankat, callcenterat po shkurtojnë vendet e punës. Punëdhënësi më i madh privat aktualisht është një kompani lojërash fati” – tha zonja Liperi.

Në një pjesë të konsiderueshme të shifrave, bëhet fjalë për largime të fshehta e të padeklaruara të shqiptarëve.

Ata thjesht udhëtojnë jashtë vendit dhe nuk kthehen brenda afateve ligjore, mbeten jashtë dhe nuk deklarojnë statusin e tyre.

Një pjesë kërkojnë azil, por një pjesë nuk kërkojnë azil, ata kërkojnë punë dhe jetesë jashtë vendit pa treguar asgjë rreth vetes, e duke humbur çdo gjurmë.

“Mendoj se u duhet rënë kambanave të alarmit, sepse Shqipëria po zbrazet edhe nga mjekët e profesorët edhe nga rinia e nga fuqia punëtore. Me këto ritme po plaket popullata dhe po nisin probleme të rënda sociale e ekonomike. Shqipëria nuk është vetëm e politikanëve, por është e të gjithëve” – tha sociologu Gëzim Tushi.

Sipas të dhënave të fundit, diferenca mesatare historike për kthimin është negative midis 200-250 mijë persona, duke llogaritur edhe periudhën 3 mujore që kanë të drejtë të rrinë andej.

Ekspertët pohojnë se kur shifrat kapërcejnë befas, edhe shkaqet që i sjellin ato ndryshime janë të forta. /VOA.

Eksodi vazhdon, shqiptarët ikin në heshtje nga vendi. Punëdhënësi më i madh një kompani lojërash fati Read More »