Andueli

Të mbyllur nga Covid/ Këngëtari Elton Deda: Na denigruan, po falimentojmë

Prej muajsh tashmë për shkak të pandemisë së koronavirusit janë ndaluar koncertet me muzikë dhe lokalet apo klubet ku luhej live, duke bërë që shumë këngëtarë të ndihen në vështirësi.

Njëri prej tyre është kantautori Elton Deda, i cili thotë se po shkojnë drejt falimentit.

Me anë të një mesazhi në rrjetet sociale, ai thotë se muzikantët po shkojnë 8 muaj pa punuar, duke denoncuar se shteti duhet të mendojë një strategji kompensimi.

“Tashmë, ne muzikantët në Shqipëri e Kosovë po hyjmë në muajin e 8 pa punuar. Një pjesë dërrmuese e jona, të ardhurat kryesore i kanë prej punës së lodhshme deri në orët e para të mëngjesit, në klube, bare e lounge të ndryshme.

Nuk punojmë dot jo sepse jemi të paaftë por sepse nuk lejohemi. Mbasi na kanë denigruar mirë e mirë me akte normative të bëra nga njerëz që thjesht nuk duan t’ia dinë për jetët e të tjerëve, mbasi na konsiderojnë pasanikë ndërkohë që shumë prej nesh po shkojnë drejt falimentit financiar, edhe nuk na dëgjojnë e nuk na përfillin. Nëse na mbyllën, duhet të mendohej një strategji kompensimi. Minimumi që mund të bëjë një shtet tek i cili ne paguajmë rregullisht taksa. Personalisht ndihem tepër pesimist, më tepër prej indiferencës sesa prej gropës që thellohet çdo ditë”, shkruan kantautori. /noa.al

Të mbyllur nga Covid/ Këngëtari Elton Deda: Na denigruan, po falimentojmë Read More »

Mot i keq/ Parashikimi për javët në vazhdim shqetësues

Qeveria shqiptare lëshoi sot përmes ministres së Mbrojtjes, Olta Xhaçka, një alarm për motin e keq, duke paralajmëruar se javët në vazhdim do të jenë shqetësuese.

“Intensiteti i lartë i reshjeve siç e kemi parë edhe në Itali vjet apo në Francë më parë, mund të arrijë nivele të papërballueshme nga infrastruktura e kullimit dhe parashikimet për javën e ardhshme janë shqetësuese”, deklaroi Olta Xhaçka në një dalje të posaçme për mediat para pak minutash.
“Moti i keq mund të na ekspozojë në situata të papritura. Ndërtimet e pakontrolluara dhe kolektorët e bllokuar na ekspozojnë ndaj problemeve të ndryshme kur prurjet janë të nivelit të lartë. Forcat e Armatosura janë në gadishmëri. Jam shpresëplotë se falë asaj që kemi bërë nuk do të përsëriten më situatat e viteve të shkuara në Shkodër e Lezhë”, u shpreh Xhaçka.
Informacionet e marra nga Instituti i Gjeoshkencave, Ujit dhe Mjedisit dhe nga qendrat sinoptike homologe të vendeve fqinjë flasin për një fundjavë të karakterizuar nga stuhi dhe reshje të mëdha shiu, të cilat mund të jenë shkak për përmbytje në disa zona, kryesisht në prefekturat Shkodër, Lezhë, Durrës, Fier apo Gjirokastër.

Mot i keq/ Parashikimi për javët në vazhdim shqetësues Read More »

Reshjet e shiut/ARRSH: Në të gjitha rrugët kombëtare qarkullimi vazhdon normalisht

Autoriteti Rrugor Shqiptar ka informuar se shiu i dendur ka përshkuar vendin gjatë natës së djeshme, por pa krijuar probleme në rrugët kombëtare.

ARRSH ka informuar ndër të tjera se ka pasur rënie gurësh, apo edhe degë pemësh të thyera, të cilat janë pastruar menjëherë nga kompanitë e mirëmbajtjes teksa në të gjitha rrugët kombëtare qarkullimi vazhdon normalisht.

“Ka pasur rënie gurësh, apo edhe degë pemësh të thyera, të cilat janë pastruar menjëherë nga kompanitë e mirëmbajtjes. Në të gjitha rrugët kombëtare qarkullimi vazhdon normalisht”, njofton ARRSH..

Grupet e punës janë në terren duke mbajtur situatën në kontroll’’, ka njoftuar ARRSH. /atsh

Reshjet e shiut/ARRSH: Në të gjitha rrugët kombëtare qarkullimi vazhdon normalisht Read More »

Meta: Demokracia nuk mund të sajohet. Demokracia kërkon energjinë e të rinjve, ndryshe ajo zvetënohet

Presidenti Ilir Meta ndan bindjen se demokracia nuk mund të sajohet, por se ajo kërkon energjinë e të rinjve.

Ai ndan një shkrim të cilin e quan një analizë të shkëlqyer të profesor Bajram Hysa, për të cilin thotë se na fton për reflektim të gjithëve:

“Demokracia nuk mund të sajohet. Demokracia kërkon energjinë e të rinjve, ndryshe ajo zvetënohet. Pa një pjesëmarrje aktive të popullsisë në tërësi dhe të të rinjve në veçanti, demokracia do të mbetet e mangët dhe e brishtë. Kjo është një detyrë urgjente.

Vetëm kështu ata do të luajnë plotësisht rolin e tyre si qytetarë. Vetëm kështu ata do t’i gëzohen lirisë dhe dinjitetit. Por që të realizohet kjo, duhet të funksionojë edukimi”.

Ikja e të rinjve, po thahet demokracia- Nga Profesor Bajram Hysi

Nga janari i vitit 2019 deri në gusht të 2020-ës kanë aplikuar për azil në shtetet e Bashkimit Europian rreth 30.5 mijë shqiptarë, sipas të dhënave të publikuara nga EUROSTAT. Pjesa më e madhe e atyre që po ikin janë të rinj. Të dhënat e EUROSTAT-it bëjnë të ditur se 23.8 mijë persona ose 78% e totalit të aplikimeve për këtë periudhë ishin deri në 34 vjeç. 15.3 mijë persona ishin të grupmoshës 18-34 vjeç. Mos vallë ne shqiptarët po jetojmë epilogun e kohëve biblike dhe të kohëve moderne?

Krizë e thellë besimi

Kush i shtyn vallë të rinjtë tanë të ikin në masë? Forca tërheqëse e pasurimit? Jo. “Kurrë mos beso se një njeri që kapet pas fitimeve materiale është i lumtur”, thoshte Seneka. Lumturinë dhe mirëqenien çdokush e sheh në vendin e tij. Por të rinjtë janë në krizë të thellë besimi. Janë të ndrydhur në vetvete, kur ndiejnë rreth vetes klimën e përjashtimit dhe mospranimit. Shteti ndaj tyre sillet si racist. I përbuz, i fyen me lloj-lloj formash. Kur aplikojnë për punë e kualifikime, dokumentet e tyre përfundojnë në kosh. Ata e kanë të pamundur për të realizuar ëndrrat e tyre, për të shfrytëzuar aftësitë e tyre, për të marrë pjesë në jetën demokratike. Për të mos folur për nevojtarët në zonat rurale, të cilët janë larg qendrave të debatit për të drejtat e njeriut. Përtej fjalorit patriotik, forumet tona akademike duhet të evidentojnë dhe debatojnë shkakun kryesor të këtyre ikjeve masive të të rinjve.

Prishen rregullat e lojës demokratike

Unë mendoj se ikjet masive ndodhin pasi të rinjtë tanë nuk kanë një kontratë me vendin e tyre, me kombin e tyre. Ata janë shqiptarë, por ndihen sikur nuk i përkasin Shqipërisë, sepse thelbi i përkatësisë në thelb është bashkësia kulturore. Në Shqipëri ka ndodhur një anomali historike, është shkërmoqur bashkësia kulturore që do t’u lejonte të rinjve të integroheshin në gjirin e kombit. Mbrojtja e demokracisë nuk i mobilizon, më tepër sesa shkelja e vlerave të saj. Të rinjtë që ikin nuk e kanë kuptuar siç duhet rëndësinë e rolit të tyre në jetën e kombit dhe pjesëmarrja e tyre ka ardhur duke u dobësuar. Ideja se disa çështje, mbi të cilat ata mendojnë se nuk kanë asnjë ndikim, zgjidhen pa pjesëmarrjen e tyre, pa dyshim shpjegon te të rinjtë dhe te grupet e varfra dhe më të prekshme njëfarë ftohtësie në lidhje me rregullat e lojës demokratike.

Demokracia kërkon energjinë e të rinjve

Ndaj është imperative që nxënësit dhe studentët duhen përgatitur me përgjegjësitë e njeriut të lirë të së ardhmes, të edukohen me të drejtat e njeriut dhe demokracinë, ndryshe do të ketë pasoja afatgjata mbi fatin e të gjithëve. Demokracia nuk mund të sajohet. Demokracia kërkon energjinë e këtyre të rinjve, ndryshe ajo zvetënohet e thahet.

Qytetar i gjallë është ai që ushtron të drejtën e votës për të zgjedhur përfaqësues. Shumë të rinj, me prirje të larmishme politike, nuk e ushtrojnë këtë të drejtë, ndaj fati i zgjedhjeve mbetet në dorë të militantëve tradicionalë. Rama u bë autokrat pikërisht pse të rinjtë dhe njerëzit që presupozohen të jenë aktivë në jetën politike e sociale, i sundon ndjenja e apatisë dhe mosreagimit kur dhunohen dhe nëpërkëmben rregullat demokratike.

Duke iu nënshtruar skemave të mendimit autoritar të Kryeministrit, e lejuan atë të përvetësojë demokracinë, të bëjë një qeveri me njerëz të paditur, që shquhen vetëm si mjeshtër të korrupsionit dhe PPP-ve. “Rilindasit” kanë ndërtuar një pushtet për vete, që nuk ndahet me të tjerët, duke prodhuar skamje, varfëri ekstreme, vetmi të hidhur dhe shterpë. Qytetarët, veçanërisht të rinjtë, nuk kanë një ide të qartë mbi mënyrën sesi duhet të funksionojë shoqëria në shkallë lokale, ku pjesëmarrja e tyre është e fuqishme.

Dhe jemi në një situatë kur përjetojmë “melankolinë e demokracisë”. Kur një njeri i vetëm, i veshur me të gjitha pushtetet, bën çfarë t’i shkrepet. Hap e mbyll listat si t’i dojë qejfi. Ndryshon rregullat e lojës në mes të lojës.

Gjithçka buron nga kriza e sotme e arsimit

Të rinjtë kanë të drejtë të ndërtojnë të ardhmen në vendin e tyre, por Shqipëria nuk i përgatit ata me përgjegjësitë e njeriut të lirë. Pa një pjesëmarrje aktive të popullsisë në tërësi dhe të të rinjve në veçanti, demokracia do të mbetet e mangët dhe e brishtë. Kjo është një detyrë urgjente.

Vetëm kështu ata do të luajnë plotësisht rolin e tyre si qytetarë. Vetëm kështu ata do t’i gëzohen lirisë dhe dinjitetit. Por që të realizohet kjo, duhet të funksionojë edukimi. Liria është e pamundur për të paditurin. Ka vite që te ne ka munguar edukimi bazë. Është zbehur roli i shkollave. Është rrënuar prestigji dhe roli i universiteteve.

Qeveria kreu vetëvrasje ditën që ndryshoi ligjin e arsimit të lartë, duke cenuar autonominë dhe vënë në pikëpyetje rolin e universiteteve . Sot nuk ka programe që shkollat dhe universitetet të lidhen me jetën. Hendeku mes arsimit të ofruar dhe shijeve të nxënësve është jashtëzakonisht i thellë. Të rinjtë kanë një botë të vetën. Dikur ne ishim të mohuar si popull, sot të rinjtë mohohen si individë. Koha, energjia dhe fondet që i kushtohen edukimit themelor përbëjnë investimin njerëzor më përcaktues për të ardhmen e vendit.

Mjafton të përmendim se në vitin 2018, arsimit i janë akorduar fonde sa 2.47% e PBB-së, ndërsa në vitin 2019 ai nuk i kalon nivelet e mbështetjes së ofruar në vitin 2013. Shkollat dhe universitetet kanë për detyrë t’i përgatisin të rinjtë të marrin përsipër përgjegjësitë e tyre, si qytetarë me të drejta të barabarta. Duket se PD-ja dhe opozita ka një projekt bashkëkohor për arsimimin dhe punësimin e të rinjve, për një të ardhme më të mirë në vendin e tyre.

Meta: Demokracia nuk mund të sajohet. Demokracia kërkon energjinë e të rinjve, ndryshe ajo zvetënohet Read More »

Zv.ministri i Mbrojtjes Petro Koçi merr postin e rëndësishëm në PS

Petro Koçi krijoi një parti të tijën, para zgjedhjeve të vitit 2013, por më pas ai e shkriu forcën politike që krijoi me Partinë Socialiste, ku nisi karrierën politike.

Patro Koçit iu besua më pas posti i zëvendës-ministrit të Mbrojtjes,

Sakaq, përmoes këtij posti, Petro Koçi ka marrë një tjetër post politik.

Koçit i është besuar drejtimi i degës së Partisë Socialiste në Fier.

Lajmi është bërë i ditur nga deputetja e PS, Adelina Rista. “Nga sot, PETRO KOÇI në krye të Partisë Socialiste Fier!Shumë urime dhe suksese! SUKSESE PS!”, shkroi Rista.

Emërimi i Petro Koçit në krye të socialistëve të Fierit vjen para zgjedhjeve të përgjithshme të 24 prillit.

Fieri konsiderohet një ndër bastionet e së majtës.

/NOA.al

Zv.ministri i Mbrojtjes Petro Koçi merr postin e rëndësishëm në PS Read More »

Sali Berisha flet për çështjen e detit: ‘Po të isha unë kryeministër…’

Ish-kryeministri Sali Berisha ka komentuar çështjen e detit. Nëse ai do të ishte kryeministër, çështja e detit në Shqipëri-Greqi nuk ekzistonte. Kështu deklaroi sot në studion e emisionit “Zonë e Lirë”.

“Do zgjidhja Shqipërinë dhe interesat e saj. Natyrisht, fqinjët të respektuar, të nderuar, por Shqipëria është një vend i cili duhet të ndërtojë marrëdhënie miqësore me të dy këto vende… Kemi firmosur një marrëveshje në 2009 dhe i kam qëndruar gjithmonë asaj marrëveshje. Problemi është këtu, imagjinojmë se Shqipëria do anësojë kundër Greqisë apo kundër Turqisë, nuk duhet të imagjinohet. Shqipëria duhet të mbajë një qëndrim në interesin e saj kombëtar, Shqipëria uron që të zgjidhet konflikti nëpërmjet dialogut.
Po të isha kryeministër unë, në mënyrë absolute çështja e detit në Shqipëri-Greqi nuk ekzistonte. Dy qeveri greke njëra pas tjetrës, të dyja pranuan të shkojmë në Gjykatë. Erdhi Rama dhe tha ‘jo, s’kam punë me Gjykatat’. Gjykata Kushtetuese e rrëzoi marrëveshjen atëherë, isha kundër atij vendimi të Gjykatës. Asgjë nuk ka ndryshuar në raportin me detin në këndvështrimin tim. Këta pasi negociuan 2 vite, u detyruan t’i thonë palës greke se tani ne kemi vendimin e Gjykatës Kushtetuese… Greqia pranoi negociatat me Shqipërinë me 6 milje”, tha Berisha.

Sali Berisha flet për çështjen e detit: ‘Po të isha unë kryeministër…’ Read More »

Java e Biodiversitetit/ Blegtorët orientohen drejt mbarështimit të dhisë ‘Kuqja e Matit’, racë tipike lokale

Dhia “Kuqja e Matit” është një nga shumë burimet gjenetike autoktone të vendit tonë. Ajo e ka origjinën nga zonat e bashkisë Klos, qarku i Dibrës.
Kuqja e Matit është një racë tipike lokale për rajonin e Matit për shkak të adaptimit dhe performancës së saj të mirë me relievin, kushtet gjeografike e klimatike si dhe bimësinë që e karakterizon këtë zonë.

Kuqja e Matit është menaxhuar historikisht nga fermerët në zonë, duke transferuar traditën dhe njohuritë e tyre nga një brez në tjetrin.
Kjo racë është e adaptuar më së miri dhe është gjithashtu rezistente ndaj sëmundjeve dhe parazitëve. Në veçanti, me ngrohjen globale, adaptimi dhe rezistenca e kësaj race në kushte më të ngrohta është mbresëlënëse.
Një tjetër vlerë e shtuar e kësaj race, është dhe përmbajtja në nivel mjaft të kënaqshme e yndyrës dhe proteinës të cilat variojnë 3.28% deri 3.71% proteinë dhe 2.6% deri në 6.18% yndyrë.
Blegtorët e kësaj zone, vitet e fundit me mbështetjen financiare të qeverisë përmes Skemës Kombëtare, po orientohen në ruajtjen dhe zhvillimin e tufave të dhisë së racës “Kuqja e Matit”, prodhimi i qumështit dhe nënprodukteve të saj janë mjaft të kërkuara nga tregu dhe konsumatorët.
Në kuadër të projektit PNUD “Forcimi i burimeve njerëzore, kuadrit ligjor dhe kapaciteteve institucionale për zbatimin e Protokollit të Nagojës”, i mbështetur nga GEF (Global Environment Facility) në bashkëpunim me Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, si dhe me qëllim ruajtjen e biodiversitetit dhe vlerave gjenetike autoktone, Shoqata Kombëtare e Blegtorëve Shqiptarë (LEAA) ka realizuar projektin ”Identifikimi dhe sjellja në vëmendje të publikut dhe politikëbërësve te Vlerave të Dhisë “Kuqja e Matit”.
Valbona Ylli, drejtoreshë e projektit LEAA, shprehet se projekti synon të mbrojë këtë racë autoktone që është në rrezikun e saj të zhdukjes apo dhe të problematikave të tjera. Edhe pushteti lokal është mjaft i interesuar për mbrojtjen e dhisë “Kuqja e Matit”.
Kryetari i bashkisë Klos, Ilmi Hoxha, ka mirëpritur ndërhyrjen e projektit dhe në bashkëpunim me skemat e subvencionit siç tha ai, “krahas investimeve në infrastrukturë që po ndërmerr qeveria, synojmë të nxisim fermerët në shtimin e këtyre tufave me këtë racë dhe në promovimin e produkteve të bulmetit nga “Kuqja e Matit”. /atsh

Java e Biodiversitetit/ Blegtorët orientohen drejt mbarështimit të dhisë ‘Kuqja e Matit’, racë tipike lokale Read More »

Vlorë/ Parku i Shtëpisë së Pavarësisë një tjetër gur në mozaikun e transformimit rrënjësor të qytetit bregdetar

Parku i Shtëpisë së Pavarësisë është një tjetër gur në mozaikun e transformimit rrënjësor të qytetit të Vlorës, që po bëhet përditë e më tërheqës, si dhe do të kalojë kufijtë e vendit tonë.

Kështu deklaroi sot Kryeministri Edi Rama në prezantimin e projektit të ndërtimit të parkut të Shtëpisë së Pavarësisë.

“Vlora do të kthehet vit pas viti në një nga motorët më të fuqishëm të industrisë së turizmit shqiptar, duke rritur më tej punësimin, të ardhurat dhe vlerën e pasurive të paluajtshme të zonës. Ky park do të lidhë bulevardin “Ismail Qemali” me buzën e detit dhe Lungomaren, ku më në fund do të dalë në dritë shtëpia më e rëndësishme e Shqipërisë, e fshehur pas gardheve e kioskave prej dekadash të tëra; do mbillen shumë pemë e gjelbërim dekorativ, në një tjetër hapësirë fantastike për banorët, vizitorët dhe turistët”, – tha Rama.

Kryeministri Rama u shpreh se “projekti do të sjellë lidhjen e bukur mes bulevardit të ri të Lungomares dhe do të krijojë një hapësirë krejt ndryshe e të re për gjithë banorët, por edhe për vizitorët e ditës dhe turistët në Vlorë duke iu ofruar një mundësi të gjithëve pavarësisht moshave për të pasur më shumë hapësirë dhe më shumë ndërveprim me njëri-tjetrin, sepse jam i bindur se ky park do të jetë shumë i jetuar gjatë çdo dite”.

“Kjo është shtëpia më e rëndësishme e Shqipërisë dhe për fat të keq për shumë shumë kohë është një shtëpi që ka mbetur e vetmuar ndërkohë që duhet të jetë e hapur e plot me njerëz në mënyrë të vazhdueshme. Mënyra sesi është rrethuar dhe ka humbur pas gardheve e kioskave e ka bërë të pamundur që edhe kjo shtëpi e vogël në përmasë, por kaq e rëndësishme nga pikëpamja historike të jetë pjesë e rasteve që e bën Vlorën të vizituar jo thjesht për detin, diellin, por edhe për historinë e saj”, – nënvizoi Rama.

Kryeministri Rama u shpreh se “projekti është pjesë e zinxhirit që i kalon përmasat e ngushta të një qyteti kur vjen puna tek aspektet e veta urbanistike e arkitektonike, njësoj si Lungomare, si sheshi ‘Skënderbe’, si shëtitorja pranë detit në Himarë, njësoj si një sërë projektesh të tjera do ti kalojë kufijtë e vendit, do shikohet në publikime urbanistike e arkitekturore e do jetë pjesë e konkurseve të mëdha ndërkombëtare siç ishte Lungomare apo sheshi ‘Skënderbe’ që fitoi çmimin si hapësira më e bukur publike e ndërtuar në Europë”.

“Ne me këtë projekt rrisim edhe hapësirën e gjelbër të zemrës së qytetit dhe krijojmë një mundësi urbanistike të re për të lidhur gjithë aksin kryesor”, tha Rama./atsh

Vlorë/ Parku i Shtëpisë së Pavarësisë një tjetër gur në mozaikun e transformimit rrënjësor të qytetit bregdetar Read More »