Andueli

Brataj: Jemi të përgatitur për përballimin me sukses të një vale të dytë, nëse ndodh

Kreu i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj, deklaroi sot se “jemi të përgatitur për përballimin me sukses të një vale të dytë të infektimit nga COVID-19, nëse ndodh, në kushtet kur po vijohet me lehtësimin e masave izoluese”.

Në një intervistë në media, Brataj tha se janë marrë masat me shtimin e ventilatorëve si dhe janë bërë skenarët.

Për shkak të masave të forta dhe të shpejta që u morën, Brataj tha se “ne edhe në valën e parë nuk kemi shfrytëzuar as burimet tona pa ardhur ndihmat”.

“Vendet që morën masa të menjëhershme izolimi e disiplinuan disi, ndërsa vendet që nuk morën masa patën një “shok”, u shpreh ai.

Sipas Bratajt, është vënë re se te ato vende që u morën masat që në fillim edhe me lirimin e masave, ka patur raste të pakta të infektuarish, një rritje prej 0.2%.

Ndërsa tek vendet që nuk morën masa të forta izolimi, që në fillim vihet re një rritje më e madhe e numrit të të infektuarve, edhe me lirimin më të pakët të masave.

Ai shprehu besimin se situata do të shkojë drejt përmirësimit, pasi sipas tij, janë disa faktorë favorizues për lehtësimin e gjendjes.

“Viruset kanë një periudhë që shfaqet, arrin kulmin dhe më pas nis rënia derisa sa zhduket siç është gripi dhe viruset e tjera që shfaqen nga tetori deri në mars. Po ta marrim si sezon edhe ky virus po e bën ciklin e vet. Nga dhjetori që u shfaq në Kinë jemi në muajin e 6. Virusi pas kapjes së kulmit ka rënien e virulencës së tij, qoftë si mutacion, për shkak të ndryshimeve që pëson, qoftë për shkak të temperaturave që rriten në verë. Por edhe për shkak të karakteristikave të popullsisë, pasi popullsia shqiptare është më e re, nuk është si ajo spanjolle, italiane, apo angleze. Rol mund të ketë edhe imuniteti i Ballkanit, pasi shikojmë që në këto vende ka patur një ndikim më të vogël. Këtu mund të luajë rol gjenetika, apo mënyra e vaksinimit. Janë shumë faktorë për të mos shfaqur numër të lartë të të infektuarish”, tha Brataj.

Më tej, Brataj theksoi se temperaturat e larta janë jo favorizuese për çdo virus.

“Ka edhe një faktor. Në këtë periudhë dymujore izolimi pati një stopim të të gjitha sëmundjeve infektive, as raste gripi, tuberkulozi, fruthi, sëmundje të kohës që kanë patur gjithmonë një përqindje. Izolimi i zhduk”, u shpreh ai./atsh

Brataj: Jemi të përgatitur për përballimin me sukses të një vale të dytë, nëse ndodh Read More »

U ndanë nga jeta në krye të detyrës një vit më parë/ Meta përkujton Dëshmorët e Atdheut, Major Klodian Tanushi dhe Zarife Hasanaj

Presidenti i republikës ka përkujtuar sot një vjetorin e rënies në krye të detyrës gjatë misionit të NATO-s në Letoni të Dëshmorit të Atdheut, major Klodian Tanushi dhe Dëshmores së Atdheut, Zarife Hasanaj.

“Në një vjetorin e rënies në krye të detyrës gjatë misionit të NATO-s në Letoni, nderojmë sot me respekt dhe mirënjohje të thellë kujtimin, sakrificën sublime, kontributet e çmuara, patriotizmin, trimërinë dhe ndjenjën e lartë të përgjegjësisë të Dëshmorit të Atdheut, major Klodian Tanushi dhe Dëshmores së Atdheut, Zarife Hasanaj”, është shprehur Meta.

Presidenti ka theksuar se, “rënia e tyre në krye të detyrës, është dëshmi e lavdishme e përkushtimit dhe sakrificës të Forcave tona të Armatosura në çdo angazhim dhe mision të NATO-s, në shërbim të qytetarëve dhe sigurisë së tyre. I përjetshëm kujtimi i tyre”.

Major Klodian Tanushi dhe nëntetare Zerife Hasanaj, pjesë e kontingjentit shqiptar në kuadër të misionit të NATO “Enhanced Forward Presence” në Letoni, humbën jetën një vit më parë, gjatë kryerjes së detyrave luftarake./atsh

U ndanë nga jeta në krye të detyrës një vit më parë/ Meta përkujton Dëshmorët e Atdheut, Major Klodian Tanushi dhe Zarife Hasanaj Read More »

“Masat që morëm çuan në kontrollin e epidemisë”/ Brataj: Rreziku ka kaluar, me rëndësi respektimi i rregullave dhe i distancës nga qytetarët

“Masat që morëm çuan në kontrollin e epidemisë dhe situata është nën kontroll”, tha sot drejtori i Qendrës Kombëtare të Urgjencës Mjekësore, Skënder Brataj.

Brataj tha se ka rënie edhe të numrit të telefonatave drejt Urgjencës Kombëtare. “Numri ka rënë i thirrjeve si te 127, si te 08004040. Në këto momente jemi te 2039-2500 thirrje në 24 ore te 127 dhe 300-400 thirrje te 08004040. Duke menduar se në kohën e pikut të thirrjeve ne patëm 8300 thirrje në 24 orë, nga të cilat mbi 6000 ishin për COVID-19. Kështu që rënia është drastike, kjo është një shenjë e mirë që tregon nivelin e shoqërisë ose nevojat për ndihmë mjekësore”.

I pyetur nëse e kemi kaluar atë moment të rrezikshëm, Brataj tha se “unë mendoj se po, fakti i kësaj kurbe të sheshtë është kontrolli i saj ose menaxhimi i situatës dhe kjo për shkak të marrjes së masave të marra që në fillim, sidomos distancimi social. Ne hyjmë në ato vende që morëm masa menjëherë dhe çoi në kontrollin e epidemisë. Kjo pati disa faktorë pozitiv që sot, po shohim se shtetet po fillojnë të lirojnë masat. Ato që morën masat menjëherë e kanë situatën nën kontroll”.

I pyetur se sa ndikon rritja e temperaturave në uljen e infeksioni, Brataj tha se “ka disa faktorë dhe midis tyre është dhe temperatura e lartë dhe nuk diskutohet, por siç e pamë faktori kryesorë është distancomi social. Ne këtë periudhe duhet të mbushim mendjen se do të bashkëjetojmë për disa kohë me COVID-19, sepse është një virus i ri dhe nuk e dimë se sa do të zgjasë”.

Brataj theksoi se “mendoj se jemi drejt kontrollit të situatës dhe kjo do të tregojë pas dy javësh të lirimit të masave sa do të jetë numri i të infektuarve, varet nga respektimi i rregullave”.

Në lidhje me rrezikun e kësaj faze të lirimit të masave, Brataj shtoi se “Shqipëri nuk është se i ka masat ndryshe nga vendet e tjera. Po të shohim që nga fillimi i pandemisë, masat janë të gjitha njësojë, me ndryshimin, se kush mori me herët dhe me vonë dhe u dukën rezultate. Është kritik ky moment, lirimi i masave dhe njerëzit që do dalin, por duhet të jenë më të kujdesshëm. Nëse pas dy javësh do kemi raste të shtuara do merren masat sërish”, theksoi ai. /atsh

“Masat që morëm çuan në kontrollin e epidemisë”/ Brataj: Rreziku ka kaluar, me rëndësi respektimi i rregullave dhe i distancës nga qytetarët Read More »

“Askush nuk pengohet të thotë çfarë të dojë”/Shqipëria ka lirinë më të madhe të shpifjes në planet

“Besoj që Shqipëria ka lirinë më të madhe të shpifjes në planet”, deklaroi sot Kryeministri Edi Rama.

Gjatë një interviste televizive, i pyetur lidhur me raportin e publikuar të Freedom House ku sipas analistit kërkimor Michael Smelzer udhëheqësit në vendet në rajon po heqin dorë dhe nga fasada e demokracisë, Rama tha se “zotëria ka arritur në përfundimin e gabuar. Këtu s’bëhet fjalë për fasadë të demokracisë. Këtu bëhet fjalë për një demokraci në zhvillim dhe me të gjithë problematikat që ka zhvillimi”.

Përsa i përket lirisë së medias, Rama tha se “Shqipëria ka lirinë më të madhe të shpifjes në planet. Flas për median në tërësi nuk flas për gazetarët në veçanti. Është një hapësirë e madhe, ku siç ka gjëra padiskutim me vlerë ka edhe një shumicë shpifjesh përditë, përditë, që janë jo thjesht produkt i gazetarëve, por edhe produkt në tërësi i mjedisit të debatit publik dhe që kalojnë pa asnjë filtër, pa asnjë faktim, pa asnjë argumentim thjesht kalojnë dhe njerëzit dynden me shpifje dhe pasaktësi. Ky është fakt”.

“Fakti është që në Shqipëri askush nuk pengohet të thotë çfarë të dojë dhe shumëkush thotë atë që i vjen për mbarë dhe shpesh ato që thuhen janë të pavërteta, të pasakta, janë gjysmë të vërteta, që janë dhe gënjeshtrat më të mëdha siç dihet. Dhe shpifje sigurisht sa të duash”, theksoi Kreu i Ekzekutivit.

“Sasia e të pavërtetave dhe gjysëm të vërtetave, që janë dhe gënjeshtrat më të mëdha dhe e shpifjeve pa i hyrë në gjemb në këmbë askujt është në nivelet më të larta të planetit”, u shpreh Rama.

I pyetur nëse do heqë dorë nga ligji i antishpifjes, Kryeministri Rama tha se, “absolutisht. Edhe ky është një rast konkret për të thënë sesa pak në media mund të gjesh të vërtetën dhe sa shumë gjen deformim. Sepse faktikisht ai ligj ka lidhje shumë pak ose aspak me shumëçka që është thënë mbi atë ligj në media”.

Rama u shpreh se patjetër që do të vazhdojë me ligjin e antishpifjes. /atsh

“Askush nuk pengohet të thotë çfarë të dojë”/Shqipëria ka lirinë më të madhe të shpifjes në planet Read More »

Qeveria nuk ka marrë asnjë vendim për të dhënë me koncesion asgjë në Porto Romano

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se nuk ka koncesion në Porto Romano, por shtesë të një kontrate ekzistuese.

Gjatë një interviste televizive, Rama deklaroi se qeveria nuk ka marrë asnjë vendim për të dhënë me koncesion asgjë në Porto Romano.

“Është 100% e pavërtetë. Kjo është një nga ato pasaktësitë që pastaj kthehen në shpifje. S’është e vërtetë. Nuk ka marrë qeveria asnjë vendim për të dhënë me koncesion asgjë në Porto Romano. Është e gjitha e pavërtetë. Ju ngatërroni mbledhjen e qeverisë me mbledhjen e parlamentit ku është bërë thjesht një shtesë e një kontrate ekzistuese”, u shpreh Rama.

Kryeministri tha se “qeveria e ka dërguar atë me kohë, por nuk e ka bërë në mbledhjen e javës së kaluar. Prapë një pasaktësi tjetër që faktikisht konfuzion opinionin publik”./atsh

Qeveria nuk ka marrë asnjë vendim për të dhënë me koncesion asgjë në Porto Romano Read More »

Ministria e Shëndetësisë: 12 raste të reja, shkon në 832 numri i të prekurve

Gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar 12 raste të reja me COVID-19, duke e çuar në total numrin e të prekurve në 832.

Në informimin e sotëm në lidhje me situatën e COVID-19 zv.ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Mira Rakacolli tha se, ” gjatë 24 orëve të fundit janë evidentuar 12 raste të reja pozitive nga testimi i 255 personave të dyshuar si bartës të këtij infeksioni ose të semurë. Pjesa më e madhe e tyre janë kontakte të rasteve të konfirmuara më parë dhe të gjetura nga hetimi epidemiologjik”.

Rastet pozitive të ditës së sotme janë të shpërndara si vijon: Në Fier 3 të prekur, 3 në Krujë, 3 në Kamëz, 2 në Shkodër dhe 1 rast në Tiranë.

“Me shtimin e rasteve të sotme, numri i të prekurve nga COVID-19 shkon në 832.
Prej tyre janë tashmë të shëruar 595 persona dhe vazhdojnë të jenë aktivë aktivë 206 persona”, tha Rakacolli.

“Në dy spitalet COVID, në spitalin infektiv dhe spitalin “Shefqet Ndroqi”, aktualisht janë të shtruar 36 pacientë dhe vetëm 8 prej tyre janë në terapi intensive. Pjesa tjetër po ndiqen nga mjeku i familjes ose janë asimptomatikë”, u shpreh Rakacolli.

Rakacolli tha se, “situata epidemiologjike e infeksionit Sars Cov 2 dhe sëmundjen Covid 19 në Shqipëri, po monitorohet me shumë kujdes nga të gjitha strukturat shëndetësore. Veçanërisht në këtë situatë të lehtësimit të masave, është rritur vigjilenca për gjurmimin, testimin dhe identifikimin në kohë të rasteve të dyshuara me COVID-19 si dhe kontakteve të tyre, në mënyrë që situata të vazhdojë të mbahet në kontroll”.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale apelon për qytetarët që të vazhdojnë të respektojnë masat e rekomanduara nga autoritetet shëndetësore sidomos distancimi fizik si një nga mjetet më efikase të parandalimit të infeksionit. Po ashtu bizneset e hapura duhet të respektojnë me rigorozitet protokollet e sigurisë, në mbrojtje të shëndetit publik dhe të parandalimit të shtimit të infeksionit.

Ftojmë qytetarët të mos neglizhojnë shenjat e COVID-19 dhe të telefonojnë menjëherë urgjencën kombëtare 127 në rast se kanë dyshime se janë të prekur nga ky virus.
Për të kontaktuar mjekun e familjes, për pyetje në lidhje me COVID-19, për këshillim psikologjik në rast të shfaqjes së shenjave të ankthit apo shqetësime të tjera, ju lutemi, telefononi në linjën e gjelbër 0800 40-40.

COVID-19 – Statistika (6 Maj 2020)

Teste të kryera 9531
Raste pozitive 832
Raste të shëruara 595
Raste Aktive 206
Humbje jete 31 (Qarku Tiranë 18, Durrës 6, Fier 3, Vlorë 1, Shkodër 2, Kukës 1)

Shpërndarja gjeografike e rasteve aktive është si vijon:
Tiranë 98
Krujë 69
Shkodër 16
Kamëz 6
Kurbin 4
Elbasan 3
Fier 3
Mirditë 2
Berat 2
Durrës 1
Korçë 1
Lezhë 1/atsh

Ministria e Shëndetësisë: 12 raste të reja, shkon në 832 numri i të prekurve Read More »

Rama: Rezultat fantastik në sistem si pasojë e masave të marra

“Ne kemi një rezultat fantastik, fal masave. Nëse nuk do të kishim marrë masat e duhura sot do ishim duke numëruar të vdekurit”, tha sot Kryeministri Rama, i ftuar në një intervistë televizive.

Në lidhje me deklarimet se virusi ka qarkulluar ne muajin dhjetor, Kryeministri Edi Rama tha se ne nuk jemi epimidiolog, këto janë debate për shkencëtarët për ata që kur flasin dinë çfarë flasin. Ajo që ne mund të diskutojmë se çfarë lidhet me punë dhe detyrën time. Unë nuk jam epimidiolog dhe nuk marre përsipër këtë gjë.

“Ne kemi një rezultat fantastik në sistem. Ky rezultat vjen si pasojë e masave që kemi marrë. Nëse ne nuk do merrnim masa dhe do bënim këto që kemi bërë mund të kishim më shumë se 7 mijë ose mijëra të vdekur jo ata që ishin në spital”, tha Rama.

Kryeministri u shpreh se “unë kam folur për shifra të tjera dhe kam folur duke u nisur nga një projeksion i bërë nga ekspertët nëse këtu do të kishte ndodhur ajo që ndodhi në Lombardi dhe s’kishte sepse të mos ndodhte nëse ne nuk do merrnim masat, kur dihet se çfarë lidhjesh të pazgjidhshme kemi ne me Italinë. Kështu po të merrnim shifrat e Lombardisë dhe nëse do ishin zhvilluar ngjarjet si në Lombardi në mungesë të masave ne sot do ishim duke numëruar më shumë se 1000 të vdekur”.

Rama theksoi se shifrat dalin nga projeksionet që bëjnë ekspertët.

“Unë nuk parashikoj shifër. Unë për gjithçka që them për gjera që nuk janë të fushës sime të përgjegjësisë, e marr,dhe pastaj e them. Nuk e bëj siç e bëni shpesh në media pa e ditur fare se çfarë thoni, e merrni dhe e transformoni pa dashje me qëllimin e mirë që të impresiononi publikun. Unë shifrat i marr nga projeksionet që bëjnë ekspertët”, deklaroi Kryeministri Rama. /atsh

Rama: Rezultat fantastik në sistem si pasojë e masave të marra Read More »

Turizmi/ Instrumenti i garancisë mundësi për operatorët që të fuqizojnë kapitalin e tyre

Kryeministri Edi Rama u shpreh se në kushtet e situatës së masave ndaj COVID-19, sektori i turizmit është në vështirësi por jo në pamundësi të plotë sepse po vazhdojnë aktivitetin.

Gjatë një interviste televizive, Kryeministri tha se, “po të shohin eksportet bujqësore, ato nuk kanë pësuar goditje të ndjeshme puna ka vazhduar, ajo që ne po bëjmë për të gjetur zgjidhje për turizmin ka disa lloj dilemash sepse vërtetë nuk kemi një shans të rëndësishëm këtë herë ndonëse duke qenë se jemi një vend që jemi prekur shumë pak nga COVID-19, pra nuk jemi një vend që trembim, por nga ana tjetër dilema është a duhet apo nuk duhet të hapemi aq fort sa ta shikojmë këtë si një mundësi, apo të ruhemi maksimalisht”.

Ne, vijoi Rama, do të bëjmë gjithë çka kanë bërë vendet e tjera, jemi në kontakt të vazhdueshëm me ta dhe do të shikojmë në javët që vijnë dhe do të veprojmë patjetër, për qasjen sa i hapur do të jetë sezoni dhe si do të marrë formë zhvillimi ai.

“Për sa i përket likujditetit në sektorin e turizmit, Kryeministri tha se, ne kemi vënë në dispozicion të turizmit një instrument shumë të fuqishëm garancie i cili i mundëson operatorëve të fuqizojnë kapitalin e tyre qarkullues përmes këtij instrumenti”.

Gjithashtu, deklaroi Rama, për sa i përket taksave, turizmi në Shqipëri, ka taksat më të ulëta sesa në vendet që kanë hequr taksat.

“Turizmi në Shqipëri ka TVSH 6% dhe e ka më të ultën në Rajon dhe nuk është çështje e taksave dhe e TVSH-së, por çështja është se sa ne do ta hapim sezonin dhe këtë do ta bëjmë duke parë të tjerët, që akoma nuk kanë marrë vendime përfundimtare”- tha Rama.

Kryeministri tha se, nuk ka as një gjasë që ne të jetojmë si përpara shfaqjes së COVID-19 deri kur të dali vaksina.

“Se deri kur të dali vaksina ne do ta kemi këtë armik të padukshëm mes nesh, që do të thotë që duhet të mësohemi me praninë e tij dhe duhet të adaptojmë një sjellje ndryshe nga ajo e përparme”- tha Rama. /atsh

Turizmi/ Instrumenti i garancisë mundësi për operatorët që të fuqizojnë kapitalin e tyre Read More »