Andueli

Nga 18 maji planifikohet hapja e bareve dhe restoranteve në mjediset e jashtme, sipas protokolleve rigoroze

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, përmes një deklarate për mediet ka bërë me dije se në vijim të planit të rihapjes, nëse do të vijojmë të kemi tregues të qëndrueshëm, sa i përket rasteve aktive ditore, numrit të shtruarve në spitale, pacientëve në terapi intensive, kemi planifikuar që prej datës 18 maj të hapen nën rregulla rigoroze, muzetë, galeritë e arteve dhe sitet arkeologjike sipas protokolleve dhe udhëzimeve të miratuara.

Sipas saj, do të fillojë zhvillimi i procesit mësimor dhe i provimeve të Maturës Shtetërore sipas udhëzimeve dhe protokolleve të miratuara nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.

“Po në këtë datë planifikojmë të hapen njësitë e shërbimit, bare dhe restorante vetëm në ambientet e jashtme deri në orën 17:30. Duke filluar nga data 18 maj shtohen fluturimet e riatdhesimit, me detyrimin për vetëkarantinim në banesë”, – tha Manastirliu.

“Prej datës 18 maj planifikohet të hapen nën rregulla rigoroze, muzetë, galeritë e arteve dhe sitet arkeologjike sipas protokolleve dhe udhëzimeve të miratuara. Nga data 18 maj do të lejohen me protokolle dhe masa sigurie dhe stërvitjet individuale të sportistëve në ambiente të hapura. Do të vijojnë të jenë të ndaluara aktivitetet kulturore dhe sportive në ambientet e hapura dhe të mbyllura. Po kështu do të vijojë të mbetet në fuqi ndalimi i grumbullimeve me shumë se pesë personave në ambientet publike si dhe do të mbetet i mbyllur dhe transporti publik”, – theksoi Manastirliu. /atsh

Nga 18 maji planifikohet hapja e bareve dhe restoranteve në mjediset e jashtme, sipas protokolleve rigoroze Read More »

Ministria e Shëndetësisë: Mbi 10 mijë testime, 8 raste të reja, shkon në 850 numri i të prekurve

Shefja e Epidemiologjisë në ISHP, Eugena Tomini deklaroi sot se situata epidemiologjike në vend paraqitet e qëndrueshme mbështetur në identifikimin e rasteve të deritanishme dhe gjurmimin e thelluar epidemiologjik.

Tomini tha se “në 24 orët të fundit janë testuar 238 qytetarë të dyshuar si të prekur me Covid-19, nga të cilët kanë rezultuar pozitivë 8 qytetarë, të shpërndarë, në Tiranë 3 raste, Krujë 2 raste, Shkodër 1 rast, Fier 1 rast dhe Kamëz 1 rast”.

Gjithashtu, tha ajo, janë kryer 18 testime në personel mjekësor dhe pacientë tek shërbimi i Neurokirurgjisë në QSUT dhe të gjithë të testuarit kanë rezultuar negativë për COVID19.

“Gjatë këtij muaji është trefishuar numri i testimeve. Aktualisht kemi një indikator pozitiviteti nën 5 %, një indikacion shumë i mirë lidhur me kontrollin e virusit”, deklaroi Tomini.

“Që nga fillimi i epidemisë deri më sot janë kryer mbi 10 mijë testime dhe janë konfirmuar pozitivë me COVID-19 në të gjithë vendin 850 qytetarë. 620 qytetarë tashmë janë shëruar. Në të gjithë vendin aktualisht janë 199 persona aktivë me COVID-19”, vijoi ajo.

Momentalisht në dy spitalet COVID, në spitalin infektiv dhe spitalin “Shefqet Ndroqi”, aktualisht janë të shtruar 30 pacientë dhe vetëm 5 prej tyre janë në terapi intensive.

Nga data 27 Prill, ka filluar zbatimi i strategjisë së ri-hapjes dhe lehtësimit të masave për qytetarët dhe bizneset miratuar nga Komiteti Teknik i Ekspertëve, bazuar në tregues të matshëm.

Tomini tha se “lehtësimi i masave do të vijojë nëse do të kemi këtë situatë të qëndrueshme ku përllogaritet mesatarja e rasteve të reja, të shtruarit në spitale dhe pacientët në terapi intensive” .

“Pavarësisht situatës inkurajuese, funksionimi i strategjisë së ri-hapjes dhe e lehtësimit të masave do të varet nga ju. Nëse ju do të tregoheni të përgjegjshëm duke respektuar distancimin fizik, të kombinuar me masat e higjienës respiratore dhe personale, të mos kryeni vizita tek të afërmit për çdo lloj arsye, bizneset të zbatojnë protokollet strikte, ne do të vazhdojmë me lehtësimin gradual të masave sipas strategjisë së miratuar. Nëse keni shenja të sëmundjes COVID-19, ju lutem telefoni në numrin unik të Urgjencës Kombëtare, 127. Për pyetje në lidhje me COVID-19, për këshillim psikologjik në rast të shfaqjes së shenjave të ankthit apo shqetësime të tjera, ju lutemi, telefononi në linjën e gjelbër 0800 40-40”, tha Tomini.

COVID-19 – Statistika (8 Maj 2020)

Teste të kryera 10044

Raste pozitive 850

Raste të shëruara 620

Raste Aktive 199

Humbje jete 31 (Qarku Tiranë 18, Durrës 6, Fier 3, Vlorë 1, Shkodër 2, Kukës 1)

Shpërndarja gjeografike e rasteve aktive është si vijon:

Tiranë 93

Krujë 62

Shkodër 17

Kamëz 9

Kurbin 4

Fier 4

Elbasan 3

Mirditë 2

Bera 2

Durrës 1

Korçë 1

Lezhë 1/atsh

Ministria e Shëndetësisë: Mbi 10 mijë testime, 8 raste të reja, shkon në 850 numri i të prekurve Read More »

Hapja e klinikave dentare pas 11 majit, publikohet protokolli i kuq i masave higjieno sanitare COVID-19

Në kuadër të lehtësimit gradual të masave pas datës 11 maj do të hapen edhe klinikat dentare.

Në platformën “e-Albania” është publikuar protokolli i masave higjieno-sanitare si dhe rekomandimet përkatëse që duhet të përmbushin dhe zbatojnë klinikat dentare.

ISHP rekomandon që subjektet dentare të shtyjnë procedurat jo urgjente, operacionet dhe vizitat dentare rutinë. Shërbimet dentare duhet të kufizohen në vizita urgjente vetëm gjatë kësaj periudhe të pandemisë. Menaxhimi i kësaj situate do të ndihmojë stafin dhe pacientët të qëndrojnë të sigurt, të minimizojnë transmetimin e infeksionit SARS – COV 2, të menaxhojnë mjetet mbrojtëse personale dhe elementët dentare për kujdesin ndaj pacientëve dhe të ruajnë kapacitetet e sistemit shëndetësor.

Punonjësit e klinikave dentare janë në mënyrë të veçantë të rrezikuar, për shkak të mundësisë së aerosoleve të prodhuara nga spërklat e pështymës gjatë manipulimit me pacientët. Këto spërkla mund të përthithen, të vijnë në kontakt me lëkurën ose mukozën, dhe/ose të vendosen në sipërfaqet e ambienteve apo objekteve të klinikës dentare ose materialeve të tjera të përdorura gjatë aktivitetit apo manipulimeve dentare e për rrjedhojë do të kemi kontaminim të tyre.

Për këtë arsye, administratori i klinikës dentare është përgjegjës për implementimin e masave sipas këtij protokolli dhe është i detyruar ta zbatojë këtë protokoll, ai duhet të kryejë çdo ditë vlerësimin për prezencën e simptomave të COVID-19 në personat e punësuar dhe pacienteve në ambientet e klinikës duke matur temperaturën pasi asnjë person me temperature 37.5 nuk lejohet të hyjë në klinikë. Nëse personi shfaq simptoma ndërkohë që është duke punuar apo pas punës, ky person duhet të komunikojë direkt me mjekun e familjes.

Klinika dentare lejohet të veprojë vetëm në orarin e caktuar nga dispozitat ligjore dhe duhet të sigurojë vazhdimisht mjetet e tij në çdo moment doreza mbrojtëse, maska dhe higjenizues duarsh me mbi 60% alkool dhe sipas pozicionit dhe kategorisë së punës, punonjësi duhet të mbajnë në çdo moment maskën mbrojtëse duke mbuluar hundën dhe gojën.

Subjektet klinikë dentare duhet të respektojnë masat e kontrollit në praktikat e punës duke shmangur përdorimin e shiringës me ujë-ajër, duhet të respektojnë masat e kontrollit në praktikat e punës duke kryer procedura jo invazive/atraumatike duke përdorur vetëm instrumentet minimal të dorës.

Subjekti klinikë dentare duhet të kryejë dezinfektim të ambientit dhe larje para hapjes dhe pas mbylljes, rekomandohet me shume se 2 herë në ditë. Sipërfaqet e papastra lahen fillimisht me ujë dhe sapun e më pas dezinfektohen me produktet e tjera.

Për t’u njohur me protokollin e kuq dhe masat higjieno-sanitare që duhet të ndjekë çdo klinikë dentare klikoni në linkun e mëposhtëm.

PROTOKOLL_I_KUQ_I_KLINIKAVE_DENTARE/atsh

Hapja e klinikave dentare pas 11 majit, publikohet protokolli i kuq i masave higjieno sanitare COVID-19 Read More »

Shtyrja e kredive me tre muaj, miratohen 21 mijë raste

Rreth 2 miliardë euro është shuma e kredive të shtyra për tre mujorin aktual.

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko deklaron se “shtyrja e kredive për tremujorin aktual ku jemi natyrisht është zyrtarizuar dhe të gjithë jemi në dijeni, është një shumë e konsiderueshme kredish të shtyra, afërsisht 2 miliard euro, por po procedohet më shumë”.

Shtyrja e kredive, tha ai, është për ata që kanë hasur vështirësi financiare, por dua të theksoj që në këtë shtyrje bankat kanë qenë proaktive dhe kanë bërë shtyrjen në 99% të rasteve që kanë aplikuar.

Sejko tha se “për shtyrjet e kredive bankat janë treguar proaktive në terma të përgjithshëm, mund të ketë ndonjë rast përjashtimor, por vetë fakti që deri në momentin aktual janë miratuar 21 mijë raste kredish të shtyra”.

“ I kemi lejuar bankat ta bëjnë shtyrjen pa penalitete. Hapjet e llogarive janë bërë përgjithësisht pa komision”, tha ai./atsh

Shtyrja e kredive me tre muaj, miratohen 21 mijë raste Read More »

Situata epidemiologjike në Shqipëri paraqitet e qëndrueshme, vijueshmëria varet nga qytetarët

Situata epidemiologjike në Shqipëri paraqitet e qëndrueshme ndërsa rastet e reja varen nga kujdesi që tregojnë qytetarët në fazën graduale të hapjes.

Rovena Daja, eksperte pranë Institutit të Shëndetit Publik tha se “realisht, situata epidemiologjike në Shqipëri paraqitet e qëndrueshme. Numri i rasteve nuk është se është në rritje megjithëse masat janë lehtësuar megjithatë vigjilenca nga ana jonë është maksimale, si nga ana epidemiologëve nëpër rrethe, mjekëve të familjes, ISHP-së, forcave të rendit. Të gjithë momentalisht, janë duke rritur vigjilencën më shumë se më parë se kur njerëzit ishin të izoluar. Shpresojmë ndërkohë që duke lehtësuar këto masa, numri të mos na rritet i rasteve. Megjithatë do të shihet në vazhdimësi”.

Ajo u bëri thirrje qytetarëve të ruajnë distancimin fizik.

“Edhe një herë u bëjnë thirrje qytetarëve sepse çdo gjë në këto moment varet nga ata. Higjiena duhet të jetë maksimale dhe ju lutem distancimi fizik. Ju lutem, mos komunikoni shumë me njëri-tjetrin dhe mos lëvizni nga një qytet në tjetrin dhe kjo është arsyeja se pse ne nuk kemi pasur edhe raste të reja”, apeloi Daja.

Ajo sqaroi se gruaja shtatzënë e prekur nga infeksioni është në gjendje të stabilizuar. “Normalisht gruaja shtatzënë është në gjendje të stabilizuar megjithatë i takon klinikës për të vendosur nëse do të qëndrojë apo jo”, u shpreh Daja.

E pyetur nëse ka pavijone të posaçme për gratë shtatzëna të infektuara me COVID, ajo tha se “normalisht kemi dy spitale COVID ku shtrohen personat që janë me COVID pozitiv. Janë marrë të gjitha masat, në të dyja spitalet për të mjekuar të gjitha rastet”.

Për numrin e fëmijëve të prekur nga COVID ajo tha se “aktualisht kemi 35 fëmijë të prekur ku 22 prej tyre janë të shëruar. Numri i grave shtatzëna me COVID është 5, ku 4 prej tyre janë të shëruara. /atsh

Situata epidemiologjike në Shqipëri paraqitet e qëndrueshme, vijueshmëria varet nga qytetarët Read More »

Sezoni turistik/ Gurma diskuton me operatorët protokollet e hapjes: Saranda, oaz i gjelbër qetësie dhe sigurie

Kryetari i bashkisë së Sarandës Adrian Gurma ka zhvilluar sot një takim me operatorët kryesorë turistikë në Sarandë për të diskutuar rreth problemeve për sezonin turistik që pritet të hapet së shpejti.

Qëllimi i takimit me operatorët dhe bizneset që ofrojnë turizëm, ishin rregullat e reja, protokollet dhe angazhimi i përbashkët për menaxhimin e suksesshëm të sezonit turistik.

Në fjalën tij, Gurma tha se falë marrjes së të gjitha masave, Saranda hyri në hartën e bashkive të gjelbra dhe kjo është meritë e qytetarëve, strukturave të pushteti lokal dhe të gjithë instancave të tjera që operojnë në bashki. “Të gjithë bashkë kemi bërë më të mirën jo vetëm për njerëzit tanë, por dhe për ata që presin të na vizitojnë, sepse Saranda do jetë një oaz i gjelbër qetësie dhe sigurie. Kjo është e para që doja të ndaja me ju dhe realisht jam shumë i kënaqur. Jemi në fashën e bashkive të gjelbra. Kjo na vë edhe para përgjegjësive dhe nuk duhet të jemi në eufori. Pjesa që kaluam në bashki të gjelbër, që kemi lirinë e lëvizjes, kemi lirinë e komunikimit, e ndërmjetësimeve me të gjitha bashkitë e tjera që rrethojnë bashkinë e Sarandës, na bëjnë akoma më të përgjegjshëm që situatën në vazhdim ta përballojmë me sukses”, u shpreh Gurma.

“Në momentin që Saranda do jetë e aksesueshme jo vetëm për bashkitë e gjelbra që kemi përqark, por do jetë e aksesueshme edhe për Tiranën, Kosovën, pse jo për Maqedoninë e Veriut, neve na takon dhe kemi përgjegjësi, kemi sfida të mëdha përpara për të përgatitur në kushtet e reja situatën”, vijoi Gurma.

“Do të doja se gjithë secili nga ju të marrë përgjegjësit por të jetë edhe mirëkuptues ndaj rregullave dhe standardeve të reja që do kemi karshi të gjithë pushuesve sepse në fund të fundit nuk na intereson asgjë më shumë sa mbarëvajtja dhe siguria që Saranda të jetë si vitet e tjera jo vetëm avangard për turizmin dhe perla e turizmit, por dhe marka, sepse kur të përmendësh emrin Sarandë do të thotë se pushohet mirë, pastër, lirë dhe në mënyrë të sigurt. Kjo duhet të jetë lajtmotivi i të gjithë punës tonë bashkë”, tha ai.

Gurma ritheksoi se ulja e paketës turistike me 20% sa i përket çmimit do maksimizojë fitimet e operatorëve turistikë, pasi do fitojë Saranda dhe do të kemi një fluks të madh vizitorësh.

“Ne kemi marrë angazhime edhe në bashkëpunim me operatorët e shoqatës turistike e kemi prezantuar zhvillimin e paketës turistike në krahasim me vitet e tjera në një situatë ndryshe për sa i përket ofertës. Ai 20% më i lirë them se nuk duhet të diskutohet më, sepse në fund të fundit do jetë fitim për të gjithë ne. Do jetë fitim për biznesin hoteleri, do jetë fitim dhe për Sarandën. Për sa i përket bashkisë, mbështetja do të jetë maksimale”, tha ai. /atsh

Sezoni turistik/ Gurma diskuton me operatorët protokollet e hapjes: Saranda, oaz i gjelbër qetësie dhe sigurie Read More »

Prej 9 ditësh asnjë humbje jete, testimi i serologjisë te grupet me risk

Prej 9 ditësh në Shqipëri nuk ka asnjë humbje jete prej COVID-19.

Lajmin e ka dhënë ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrotjes Sociale, Ogerta Manastirliu, gjatë mbledhjes së Komitetit Teknik të Ekspertëve me Kryeministrin Edi Rama.

“Ne kemi hyrë në ditën e 9-të të kur nuk kemi asnjë humbje jete. Pra prej 9 ditësh nuk kemi asnjë humbje jete dhe kjo është diçka që patjetër nga gëzon, sepse edhe një humbje jete për ne është e dhimbshme”, tha Manastirliu.

Manastilriu u shpreh se do të kemi pas dy jave e pak pune intensive në laboratorin e Mikrobiologjisë në QSUT rezultatet e para të testimit të serologjisë.

Manastirliu theksoi se, “ky është një testim për një kampion të parë. Pra do të vijojë testimi në grupet e riskut, siç tashmë e kemi vendosur përsa i përket personelit mjekësor, gjithashtu dhe sa i përket të infektuarve të identifikuar sipas skemës dhe metodologjisë që po vlerësohet nga Komiteti Teknik i Ekspertëve”.

Duke folur për atë që është duke u bërë sa i përket situatës së hapjes në të gjithë sektorët e ekonomisë, por dhe të rihapjes së sektorit të kujdesit shëndetësor, Manastirliu tha se, “tashmë është aprovuar strategjia e ekspertëve për planin e veprimit të funskionojë në raport me organzimin e sistemit shëndetësor në të gjithë hallkat e tij duke filluar nga shëndeti publik, duke vijuar nga kujdesi parësor tek ai spitalor tek urgjenca paraspitalore, e cila tregoi edhe njëherë që ka një organizim perfekt, me të gjithë strukturat e tjera. Për të mos lënë askënd pa shërbim dhe kujdes shëndetësor”.

Nga ana tjetër, Manastirliu informoi se, “rezultatet e deritanishme tregojnë për një organizim shumë të mirë të të gjithë sistemit, por edhe cilësisë së shërbimit të ofruar qytetarëve, pasi siç edhe të dhënat deri më sot tregojnë ne kemi hyrë në ditën e 9-të të kur nuk kemi asnjë humbje jete. Pra prej 9 ditësh nuk kemi asnjë humbje jete dhe kjo është diçka që patjetër nga gëzon, sepse edhe një humbje jete për ne është e dhimbshme”.

“Ne duam të vijojmë me këta tregues, por ka një rëndësi të madhe ndërgjegjësimi i popullatës, kujdesi dhe sjellja personale, në këto momente kur ne do të vijojmë me fazat e rihapjes, ashtu siç Komiteti i Ekspertëve vijon të na këshillojë”, tha ajo.

“Monitorimi do të jetë mbi baza periodike. Ne po përgatitemi të fuqizojmë kapacitetet tona edhe më tej përsa i përket testimit, gjurmimit dhe duke vijuar gjithashtu dhe me testimin e serologjisë që është gjithashtu një indikator shumë i mirë që do të na japë një panoramë më të gjerë sa i përket edhe hapjes së mëtejshme në raport me identifikimin e antikorpeve në grupe të caktuara të riskut por më tej edhe në popullatë, sipas testimit që ne po programojmë të kemi”, u shpreh Manastirliu./atsh

Prej 9 ditësh asnjë humbje jete, testimi i serologjisë te grupet me risk Read More »

Statusi i prokurorëve, parakusht që goditja ndaj krimit të jetë sa më e efektshme

Në takimin periodik të Mekanizmit Institucional Kuvend-Qeveri- Institucione të pavarura raportuan edhe drejtuesit e Prokurorisë së Përgjithshme dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë.

Prokurori i Përgjithshëm Olsian Çela në fjalën e tij vlerësoi maksimalisht bashkëpunimin me Këshillin e Lartë të Prokurorisë, ku theksoi ai, “kontaktet kanë qenë frekuente dhe nevojat reciproke për informacion dhe bashkërendim të aktiviteteve kanë qenë optimale dhe në përgjigje të duhura”.

Sa i përket bashkëpunimit ndërkombëtar , Çela tha se nga ana e Prokurorisë janë kryer të gjitha hapat për të nënshkruar marrëveshjen me Eurojust, ku Prokuroria e Përgjithshme është pjesë e nënshkrimit të marrëveshjes si dhe të zbatimit të saj, për caktimin e një prokurori ndërlidhës pranë Eurojust-it.

Çela shprehu shqetësimin e tij sa i përket të dhënave statistikore, për të cilat tha se do të jetë sfida për vitin 2020 realizimi i një sistemi statistikor, por edhe të plotë, i cili do të jetë i dobishëm dhe funksional, jo vetëm për Prokurorinë, por edhe për institucionet e tjera që merren parandalimin e luftës ndaj krimit.

Ndërsa drejtuesi i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Gent Ibrahimi tha se, “qëllimi final i yni është mbështetja e sistemit të Prokurorisë që goditja penale e krimit të jetë sa më e efektshme”.

Natyrisht theksoi ai, “që për të arritur deri këtu kërkohen një sërë parakushtesh. Dhe përgatitja e këtyre parakushteve në një masë të madhe ka të bëjë me statusin e prokurorëve”.

“Nuk mund të ketë goditje efikase penale të krimit në rast se prokurorët që janë ushtruesit e kësaj goditje së bashku me sistemin gjyqësor sigurisht, nuk janë të pavarur, nuk janë profesional, nuk janë etik dhe kështu em radhë”, tha Ibrahimi.

Pikërisht shtoi ai, “këto përbëjnë objektin e punës së KLP. Natyrisht ne jemi organ i ri dhe ne jemi të interesuar për ta vijuar më tej marrëdhënien me Kuvendin në një mënyrë të tillë që të jetë produktive për të dyja palët dhe për shoqërinë”./atsh

Statusi i prokurorëve, parakusht që goditja ndaj krimit të jetë sa më e efektshme Read More »