Andueli

Sejko: Me rëndësi masat e marra nga Qeveria shqiptare për përballimin e kësaj situate

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, mori pjesë në takimin e 43-të të Klubit të Guvernatorëve të vendeve të Azisë Qendrore, Rajonit të Detit të Zi dhe Ballkanit.

Në qendër të diskutimeve të takimit ishte trajtimi i situatës së krijuar nga pandemia Covid-19 dhe efektet e saj në ekonomitë e vendeve anëtare dhe atë globale. Guvernatorët e bankave qendrore u shprehën se kanë marrë në analizë situatën e krijuar nga pandemia, e cila tashmë përbën një sfidë të vërtetë për politikëbërësit.

Guvernatori Sejko në fjalën që mbajti u shpreh se, në linjë me parashikimet në nivel global, edhe në Shqipëri, si pasojë e masave të kujdesit të marra për kontrollin e përhapjes së pandemisë Covid-19, gjatë vitit 2020, aktiviteti ekonomik pritet të shënojë rënie, e cila parashikohet të jetë kalimtare dhe të rikuperohet më pas në vitet në vijim.

Gjithashtu, ai theksoi rëndësinë e masave të ndërmarra nga autoritetet publike për përballimin e kësaj situate, si paketat fiskale dhe miratimi i fondeve për garancitë sovrane të ofruara nga qeveria shqiptare për të mbështetur me kredi bankare kompanitë.

Në vijim, Guvernatori prezantoi masat e ndërmarra nga Banka e Shqipërisë për të minimizuar kostot e pandemisë Covid-19 në ekonominë e vendit, si ulja e normës bazë të interesit në nivelin historik prej 0.5%, furnizimi me të gjithë likuiditetin e nevojshëm të sistemit bankar në vend duke hequr kufijtë sasiorë, eliminimi i kostove të operimit të sistemeve të pagesave elektronike, sigurimi i pandërprerë i ekonomisë me para fizike, shtyrja me dy tremujorë e pagesave të kësteve të kredisë për bizneset dhe familjet në vështirësi financiare, si dhe ndryshimet rregullative me qëllim sigurimin e zgjidhjes së kërkesave të klientëve dhe sigurimin e shëndetit të bankave dhe sistemit në tërësi.

Në përfundim, Guvernatori u shpreh se Banka e Shqipërisë mbetet e gatshme të përdorë instrumentet që disponon, në bashkëpunim me gjithë autoritetet në vend, me qëllim kapërcimin e kësaj situate dhe krijimin e premisave për një rimëkëmbje sa më të shpejtë të ekonomisë.

Pjesëmarrës në këtë takim, i cili u zhvillua online, qenë drejtuesit e bankave qendrore të vendeve anëtare të Klubit si: Banka Qendrore e Republikës së Turqisë, Banka e Sllovenisë, Banka Kombëtare e Rumanisë, Banka Kombëtare e Bullgarisë, Banka Kombëtare e Çekisë, Banka e Greqisë, Banka Qendrore e Malit të Zi, Banka Kombëtare e Serbisë, Banka e Izraelit, Banka Kombëtare e Polonisë, Banka Qendrore e Republikës Popullore të Kinës, etj./atsh

Sejko: Me rëndësi masat e marra nga Qeveria shqiptare për përballimin e kësaj situate Read More »

Hyrja në Kosovë/ Shtetasit e huaj duhet të nënshkruajnë deklaratën për vetëizolim për 7 ditë

Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar të Republikës së Kosovës sqaron lidhur me vendimin nr.02/38 të datës 31 maj 2020, për çështjen e hyrjes në Republikën e Kosovës, se të gjithë personat që hyjnë në RKS dhe e kanë të kryer testin për Covid19, jo më të vjetër se 4 ditët e fundit nuk janë të obliguar të qëndrojnë në vetëizolim.

Në rastin kur nuk kanë test, ata nënshkruajnë deklaratën për vetëizolim për 7 ditë.
Gjithashtu kur ekipi mjekësor vlerëson se ata kanë simptoma të COVID19, i japin udhëzimet e tyre se si të veprojnë.
Në një njoftim për shtyp, Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar të Republikës së Kosovës, thekson se “për të hyrë në RKS, shtetasit e huaj që nuk kanë test të COVID19 duhet të kenë dëshmi të ligjshme për vendqëndrimin e tyre në Kosovë (leje qëndrimi dhe kontratë qiraje, si dhe dëshmi të tjera të pranueshme)”.
“Kjo bëhet në mënyre që të sigurohet se ata do të respektojnë masën e vetëizolimit. Andaj ata persona që nuk paraqesin dëshmi të vendqëndrimit ku do ta mbajnë vetë izolimin nuk lejohet të hyjnë në RKS.
Përjashtim nga ky rregull bëjnë studentët të cilët vijnë në RKS për nënshtrim të provimeve, me kusht që të kthehen në vendet e tyre të njëjtën ditë.
Hyrja bëhet duke dëshmuar identitetin studentor me një dokument të vlefshëm të lëshuar nga Institucioni përkatës Arsimor në RKS.
Të gjithë ata që kanë për qëllim kalimin tranzit nëpër RKS, përjashtohen nga këto rregulla”- thuhet në njoftimin për shtyp. /atsh

Hyrja në Kosovë/ Shtetasit e huaj duhet të nënshkruajnë deklaratën për vetëizolim për 7 ditë Read More »

Meta: Shqipëria dhe Italia kanë sot marrëdhënie të veçanta e të partneritetit strategjik

“Shqipëria dhe Italia kanë sot marrëdhënie të veçanta e të partneritetit strategjik”, thekson Presidenti Ilir Meta në një mesazh urimi drejtuar Presidentit të Republikës italiane, Sergio Mattarella me rastin e Festës së Republikës italiane.

“Shqipëria dhe Italia kanë sot marrëdhënie të veçanta e të partneritetit strategjik, të cilat reflektohen në të gjitha fushat e dimensionet e bashkëpunimit dypalësh, shumëpalësh si dhe iniciativave apo organizatave të tjera rajonale dhe ndërkombëtare. Konstatoj me kënaqësi se falë traditës dhe vullnetit të mirë të të dyja palëve, këto marrëdhënie janë bërë më të forta e shumë më intensive”, ka theksuar Meta.

“Dy popujt tanë, miq prej shekujsh, ndërveprojnë gjithnjë e më shumë me njëri-tjetrin. Arbëreshët e Italisë, një urë lidhëse e vjetër dhe e qëndrueshme, si dhe mijëra shqiptarë që pas viteve ’90 gjetën mikpritje e mbështetje në Itali e kanë forcuar në mënyrë të vazhdueshme miqësinë midis dy vendeve. Gëzohem pa masë kur mësoj se numri i qytetarëve italianë që investojnë, bëjnë biznes, punojnë, studiojnë apo që vijnë për turizëm në Shqipëri rritet çdo ditë, duke i bërë më të forta e të pazgjidhshme marrëdhëniet midis dy kombeve tona”, ka shtuar Meta.

“Përfitoj nga rasti të shpreh mirënjohjen e thellë për të gjithë mbështetjen që Ju personalisht dhe të gjitha autoritetet dhe institucionet italiane po i japin Shqipërisë në kuadër të procesit të integrimit europian. Ndjehemi me fat që në realizimin me sukses të kësaj aspirate kemi një mbështetës dhe avokat të jashtëzakonshëm si Italia”, ka nënvizuar Meta.

“I nderuar mik, ndërsa pandemia e COVID-19-ës po godet mbarë botën dhe vendet tona, uroj që së bashku, me përpjekje të mirëmenduara e të koordinuara, me mençuri dhe forcë, ta kapërcejmë këtë situatë, të rikthehemi së shpejti në normalitetin e jetës së përditshme dhe të kemi një të ardhme sa më të mirë për të gjithë ne”, ka vijuar Meta.

“Me urimet më të mira për shëndetin dhe lumturinë Tuaj, si dhe dëshirën për të vijuar së bashku me Ju forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve miqësore midis dy vendeve tona, ju lutem pranoni, Zoti President, shprehjen e konsideratës sime më të lartë”, ka përfunduar urimin e tij Presidenti Ilir Meta./atsh

Meta: Shqipëria dhe Italia kanë sot marrëdhënie të veçanta e të partneritetit strategjik Read More »

Nuk ka arsye për të shtyrë gjendjen e fatkeqësisë natyrore në gjithë vendin, po diskutohet shtyrja në vijën bregdetare

Kryeministri Edi Rama informoi sot se “për sa i përket gjendjes së jashtëzakonshme nuk ka arsye për të bërë shtyrje të përgjithshme por po ekzaminojmë idenë e një zone të kufizuar vetëm në vijën bregdetare”.

Rama tha se “kjo po diskutohet për të pasur gjatë sezonit të verës mundësinë që të ushtrojmë fuqinë legjislative në përballje të kësaj situate, për të ndihmuar në mbrojtjen nga përhapja”.

“Nëse nuk do të kemi një shtyrje të përgjithshme do të kemi një zonim vetëm në vijën bregdetare pa përfshirë zonat urbane. Jo në Durrës por në plazhin e Durrësit, jo në Vlorë por në plazhin e Vlorës. Kjo është diçka që po e studiojmë sepse mendojmë se do të ishte ndihmëse për njerëzit e shtetin”, tha Rama.

Ai theksoi se “sot ka përfunduar edhe gjithë procesi i ndërtimit të platformës për të aplikuar online për administrimin e plazheve nga subjektet private, një proces i qendërzuar nga një autoritet i përkohshëm për këtë fazë. Do të bëjmë atë që duhet për të mos lejuar pushtimin e plazheve publike masivisht”.

Rama tha se “do të jemi racional sepse nuk është se do ta fshijmë fare administrimin privat të hapësirave publike, kjo do të bëhet edhe sipas kushteve të caktuara”.

“Do të kërkohet për një sipërfaqe të caktuar apo për një numër të caktuar çadrash për të cilat përgjigjet para ligjit. Kjo për të mbrojtur njerëzit. Nuk besoj se ka arsye për të shtyrë gjendjen e fatkeqësisë natyrore në gjithë vendin përveç plazhit, por akoma nuk e kemi marrë këtë vendim”, tha Rama. /atsh

Nuk ka arsye për të shtyrë gjendjen e fatkeqësisë natyrore në gjithë vendin, po diskutohet shtyrja në vijën bregdetare Read More »

Raporti vjetor i Qendrës Europiane të Drogave/ Meta: Lufta kundër kanabisit kusht për integrimin europian

Presidenti Ilir Meta deklaroi sot se “përqendrimi i Policisë së Shtetit, Shërbimit Informativ Shtetëror, Prokurorisë dhe agjencive ligjzbatuese në luftën kundër kanabisit është i domosdoshëm”.

Në një reagim pas publikimit të raportit të Qendrës Europiane të Drogave, Meta tha se “raporti vjetor i Qendrës Europiane të Drogave i publikuar së fundmi, është një këmbanë e fortë alarmi që duhet të zgjojë dhe t’i bashkojë të gjitha forcat e përpjekjet për të mos lejuar kurrë më përsëritjen e këtij fenomeni kanceroz për shoqërinë, që aq shumë e ka dëmtuar imazhin e Shqipërisë”.

“Lufta kundër kanabisit është kusht për integrimin europian dhe çdo neglizhencë në këtë drejtim do kishte pasoja tepër të rënda për të ardhmen e vendit”, tha Meta./atsh

Raporti vjetor i Qendrës Europiane të Drogave/ Meta: Lufta kundër kanabisit kusht për integrimin europian Read More »

Së shpejti, protokolli i mbrojtjes së të miturve në shkolla, Kuko: I patolerueshëm çdo mosveprim nga çdo palë përgjegjëse

Zëvendësministrja e Brendshme Romina Kuko tha sot se së shpejti do të jetë gati protokolli i mbrojtjes së të miturve në shkolla.

Zëvendësministrja Kuko zhvilloi sot një takim online me oficerë të sigurisë në shkolla si dhe deputetë dhe përfaqësues të Ministrisë së Arsimit për të diskutuar për sigurinë në shkolla.

“Si e thyejmë këtë kulturë heshtjeje? Duhet vepruar në 360 gradë! Sot thirra në takim online 100 oficerë sigurie në shkolla të vendit, deputetë, MASR, MSHMS për këtë çështje. Shumë shpejt, Protokolli i Mbrojtjes së të miturve në shkolla (MB, MSHSMS, MASR)”, shprehet Kuko.

“I patolerueshëm çdo veprim/mosveprim nga çdo palë përgjegjëse. Kemi kërkuar hetim të thelluar. Abuzuesit ata që mund t’ju shkelin syrin, nuk do ia hedhin paq! Krahas parandalimit, të instalojmë përfundimisht kulturën e mbrojtjes së viktimës. Fajësimi i viktimës duhet të marrë fund”, shprehet Romina Kuko, duke iu referuar ngjarjes në Kamzë.

Gjithashtu, Kuko apeloi që të denoncohen rastert e abuzimit me të miturit.

“Inkurajoj këdo të denoncojë në 112 apo Komisariarin Digjital (edhe në kushtet e anonimatit) çdo rast, pa asnjë hezitim! Dhe nëse nuk shihni reagim, tel. 0800 90 90 Shërbimin e Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave për çdo mosveprim! Asnjë frikë për të vënë drejtësi në vend!”, shprehet ajo. /atsh

Së shpejti, protokolli i mbrojtjes së të miturve në shkolla, Kuko: I patolerueshëm çdo mosveprim nga çdo palë përgjegjëse Read More »

Dezinformimet për Reformën Zgjedhore vazhdojnë/ Ne e kemi bërë pjesën tonë duke respektuar afatin 31 maj

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se “për Reformën Zgjedhore dhe dezinformimet që vazhdojnë, do të presim edhe sot pa folur, pasi kemi bërë pjesën tonë duke respektuar afatin 31 maj”.

Po ashtu, Rama informoi se në Francë ka shkuar pasditen e të premtes e është kthyer mesditën e të shtunës për një vizitë informale të nivelit të lartë.

“Unë s’jam në Francë po në Shqipëri qysh pardje! Kam shkuar pasditen e të premtes e jam kthyer mesditën e të shtunës për një vizitë informale të nivelit të lartë dhe “shpenzimet e luksit e të fundjavave jashtë” ua kam lënë atyre që të vetmen punë kanë të më shajnë ditë-natë! Pikë”, tha Rama.

Kryeministri theksoi gjithashtu se “sot kemi angazhuar edhe ushtrinë për operacionin e pastrimit të inerteve nga sheshet e Rindërtimit, ku shpejt do të nisin projektet”./atsh

Dezinformimet për Reformën Zgjedhore vazhdojnë/ Ne e kemi bërë pjesën tonë duke respektuar afatin 31 maj Read More »

1 Qershori/ Basha: Buzëqeshja në fytyrat e fëmijëve, forca për të tejkaluar sfidat

“Buzëqeshja në fytyrat e fëmijëve tanë është gëzimi dhe motivimi ynë për të bërë gjithçka që ata të kenë një jetë sa më të lumtur”, tha sot Kryetari i PD, Lulzim Basha, i cili uroi fëmijët me rastin e festës së 1 Qershorit.

“Është forca për të tejkaluar sfidat në këto kohë të vështira dhe për të ecur përpara për ditë më të mira e për tu dhënë të gjithë prindërve sa më shumë mundësi për të plotësuar dëshirat e tyre”, tha Basha.

“Le të jetë dashuria dhe mirësia që na dhurojnë çdo ditë fëmijët tanë shtysa, shpresa dhe besimi për të bërë gjithçka që e ardhmja e tyre në Shqipëri të jetë më e mirë, dhe ata të rriten me mundësi si gjithë fëmijët e tjerë europianë! Gëzuar 1 Qershorin! Ditë më të mira”, ishte urimi i kreut të PD, Lulzim Basha./atsh

1 Qershori/ Basha: Buzëqeshja në fytyrat e fëmijëve, forca për të tejkaluar sfidat Read More »