Andueli

Rikonstruktohet shkolla “24 Maji” në Vlorë/ Leli: Një nga projektet model, gati për vitin e ri shkollor

Shkolla 9-vjeçare “24 Maji” në qytetin e Vlorës do të ketë ambiente të reja për vitin e ri shkollor 2020-2021.

Kryetari i bashkisë së Vlorës, Dritan Leli, inspektoi sot punimet për rikonstruksionin e kësaj shkolle, ndërsa theksoi se “është një nga projektet e rëndësishme ku bashkia e Vlorës është kontributore me fondet e saj në 50% të këtij investimi kaq të rëndësishëm, i cili është realizuar në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë”.

Sipas tij, pas rikonstruksionit të shkollës, e cila do jetë e përfunduar në fund të qershorit, do të jetë nga projektet e rikonstruksionit të shkollave model në të gjithë territorin e bashkisë së Vlorës dhe jo vetëm.

Sot, vijoi Leli, po inspektojmë punimet në shkollën “24 Maji” që është një nga më të rëndësishmet e qytetit me një pozicion tërësisht qendror dhe projekti po realizohet me standarde të larta.

“Në shkollë janë të vendosura edhe shkallët e sigurisë, të cilat janë të aplikuara në këtë shkollë si një rritje e standardit të sigurisë së jetës së nxënësve dhe mësuesve të kësaj shkolle. Në pjesën pas oborrit të shkollës janë dy fusha të mëdha sportive, një fushë futbolli dhe një tjetër multifunksionale. Kemi rënë dakord me përfaqësuesit e firmës për ta realizuar që të jetë një fushë volejbolli dhe tenisi e hapur jo vetëm për fëmijët e kësaj shkolle, por edhe me iniciativën e shkollës komunitare të përdoret nga gjithë fëmijët e zonës ku është e vendosur shkolla”, – nënvizoi Leli.

Kryetari Leli u shpreh se “ka përfunduar instalimi i sistemit për rrezikun e zjarrit, sistemi i zjarrit për të garantuar kushte optimale të mësimdhënies gjatë sezonit të dimrit. Do të punohet me gjelbërimin, ka përfunduar fasada dhe sistemi i të gjithë hapësirave të tjera dhe palestrës së mbyllur të shkollës”.

“Punët tona të përditshme janë të drejtuara drejt përgatitjes së Vlorës për sezonin turistik që presim të jetë i suksesshëm, aq sa kushtet COVID-19 do të na lejojnë që ta kemi. Por nuk janë jashtë vëmendjes tonë objektet që po restaurohen dhe punët e tjera publike që po kryhen në bashkinë e Vlorës”, – tha Leli./atsh

Rikonstruktohet shkolla “24 Maji” në Vlorë/ Leli: Një nga projektet model, gati për vitin e ri shkollor Read More »

Kuvendi miraton raportet vjetore të 3 institucioneve të pavarura dhe 2 projektligje

Kuvendi i Shqipërisë miratoi sot raportet vjetore të 3 institucioneve të pavarura dhe 2 projektligje.

Kuvendi miratoi me 81 vota pro, raportin e veprimtarisë vjetore të Autoritetit të Konkurrencës për vitin 2019.

Kuvendi miratoi me 80 vota pro raportin e veprimtarisë vjetore të Komisionerit për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil për vitin 2019.

Kuvendi miratoi me 86 vota pro raportin e veprimtarisë vjetore të Institutit të Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit në Shqipëri për vitin 2019.

Kuvendi miratoi me 85 vota pro, projektligjin “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.10465, datë 29.9.2011, “Për shërbimin veterinar në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar””.

Kuvendi miratoi me 86 vota pro projektligjin “Për Eurobondin që do të emetohet nga ministri i Financave dhe Ekonomisë, miratimin e përjashtimeve nga tatimet e taksat dhe të parashikimeve për heqjen dorë nga imuniteti në marrëveshjet që do të lidhen”. /atsh

Kuvendi miraton raportet vjetore të 3 institucioneve të pavarura dhe 2 projektligje Read More »

Kuvend/ Interpelancë me ministrin e Brendshëm

Kuvendi i Shqipërisë zhvillon sot seancën plenare ku do të ketë një interpelancë urgjente me ministrin e Brendshëm kërkuar nga një grup deputetësh lidhur me dhunën e ushtruar nga forcat e policisë gjatë operacionit të shembjes së godinës së Teatrit Kombëtar si dhe me kriminalitetin në vend.

Gjithashtu në Kuvend do të prezantohet raporti i veprimtarisë vjetore të Autoritetit të Konkurrencës për vitin 2019.

Në kuvend do të bëhet edhe Raporti i veprimtarisë vjetore të Komisionerit për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil për vitin 2019.

Në Kuvend pritet të diskutohet edhe raporti i veprimtarisë vjetore të Institutit të Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit në Shqipëri për vitin 2019.

Kuvendi diskuton sot edhe Projektligjin “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.10465, datë 29.9.2011, “Për shërbimin veterinar në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar””.

Kuvendi do të shqyrtojë edhe projektligjin “Për Eurobondin që do të emetohet nga ministri i Financave dhe Ekonomisë, miratimin e përjashtimeve nga tatimet e taksat dhe të parashikimeve për heqjen dorë nga imuniteti në marrëveshjet që do të lidhen”.

Gjithashtu Kuvendi do të shqyrtojë sot projektvendimin “Për një ndryshim në vendimin nr. 102/2017 “Për ngritjen e komisionit të posaçëm për realizimin e reformës zgjedhore” të ndryshuar””./atsh

Kuvend/ Interpelancë me ministrin e Brendshëm Read More »

Rama: U uroj rrugëtim të mbarë qeverisë së re të Kosovës e opozitës gjithashtu, në shërbim të interesit të popullit e të shtetit

Kryeministri Rama ka përshëndetur votimin e sotëm në Kuvendin e Kosovës duke i uruar rrugëtim të mbarë qeverisë së re dhe opozitës gjithashtu.

“U uroj rrugëtim të mbarë qeverisë së re të Kosovës e opozitës gjithashtu, në shërbim të interesit të popullit e të shtetit të tyre, me besim e shpresë se pas një periudhe jo të lehtë përpëlitjesh në procesin e maturimit demokratik, do të bëjnë së bashku punë të mira për Kosovën”, u shpreh Kryeministri Edi Rama.

Me 61 vota pro, 1 abstenim dhe 24 vota kundër, deputetët e Kuvendit i thanë “po” sot qeverisë së re të udhëhequr nga Avdullah Hoti i LDK-së./atsh

Rama: U uroj rrugëtim të mbarë qeverisë së re të Kosovës e opozitës gjithashtu, në shërbim të interesit të popullit e të shtetit Read More »

Reforma Zgjedhore, ambasadorja Kim: Kemi një marrëveshje shumë të mirë, merita të veçanta partisë në pushtet; topi në fushën e Bashës që t’i thotë “po” integrimit në BE

“E përgëzoj partinë në pushtet për atë që bënë këtë mbrëmje. Ne kemi atë që mund të jetë një marrëveshje shumë e mirë. Është një marrëveshje që do ta vendosë Shqipërinë drejt anëtarësimit në BE, që mban masat e adresuara nga OSBE/ODIHR”.

Kështu deklaroi ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim pas gati 9 orë të tjera diskutimesh me Këshillin Politik të Reformës Zgjedhore, që nuk ka dalë ende në marrëveshje.

Përfaqësuesit e opozitës jashtëparlamentare nuk janë kthyer në tryezën e bisedimeve të Këshillit Politik, ndërsa aty prisnin ambasadorët e SHBA-së, BE-së dhe Britanisë së Madhe si dhe anëtarët e tjerë nga mazhoranca dhe opozita parlamentare.

Ambasadorja e SHBA, Yurim, gjatë një deklarate për mediet, theksoi se marrëveshja për reformën zgjedhore është në duart e opozitës dhe topi është në fushën e Partisë Demokratike.

“Faleminderit që pritët. Kemi pasur një ditë të gjatë. U takuam për 9 orë dje dhe kemi bërë progres të madh dhe u takuam sot për 9 orë të tjera dhe bëmë progres të jashtëzakonshëm, por pa rezultat. Kjo reformë kaq e rëndësishme për të ardhmen e Shqipërisë duhet të ketë mbështetje nga palët. Çdo palë dhe çdo parti i kërkohet të japë që Shqipëria të fitojë. Çdo palë fitoi, populli shqiptar mund të fitojë edhe më shumë. Çdo palë dha, por duhet t’i jap merita të veçanta partisë në pushtet”, – theksoi Kim.

“Ne e bëmë të qartë se partia në pushtet ka privilegje, e për këtë arsye ata duhet të jepnin më shumë. E përgëzoj partinë në pushtet për atë që bënë këtë mbrëmje. Ne kemi atë që mund të jetë një marrëveshje shumë e mirë. Është një marrëveshje që do ta vendosë Shqipërinë drejt anëtarësimit në BE, që mban masat e adresuara nga OSBE/ODIHR”, – tha Kim.

“Përmban disa hapa domethënëse që nuk janë rekomanduar dhe nga OHDIR, por që do të shihen si një hap i rëndësishëm përpara për Shqipërinë. Ka ardhur koha, për opozitën, për PD-në, për mikun tim Luli Basha, që të baraspeshojnë, të balancojnë të gjithë faktorët dhe të thonë ‘po’ për popullin shqiptar, dhe të thonë ‘po’ për Shqipërinë në Europë. Topi është në fushën e tij, e ardhmja është në duart e tij”, tha Kim gjatë deklaratës së saj për mediet. /atsh

Reforma Zgjedhore, ambasadorja Kim: Kemi një marrëveshje shumë të mirë, merita të veçanta partisë në pushtet; topi në fushën e Bashës që t’i thotë “po” integrimit në BE Read More »

“Topi në fushën e Bashës”/ Kreu i PD: Opozita e bashkuar do të bëjë gjithçka për votën e lirë

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha reagoi menjëherë pas deklaratave të ambasadores amerikane në Tiranë, Yuri Kim e cila deklaroi se “duhet të thotë ‘po’ për Shqipërinë në Europë. Topi është në fushën e tij”, ndërsa theksoi se Këshilli Politik ka një marrëveshje shumë të mirë për Reformën Zgjedhore.

“Është bërë progres drejt dakordësisë për administrimin zgjedhor. Ka mbetur një çështje pa zgjidhur. Dua t’i siguroj shqiptarët se opozita e bashkuar do të bëjë gjithçka për votën e lirë dhe të ndershme”, – tha Basha.

Këshilli Politik dhe ambasadorët e SHBA-së, BE dhe Britanisë së Madhe punuan dje dhe sot nga 9 orë për të gjetur një marrëveshje për Reformën Zgjedhore, e cila siç u shpreh ambasadorja Kim, do ta vendosë Shqipërinë drejt anëtarësimit në BE./atsh

“Topi në fushën e Bashës”/ Kreu i PD: Opozita e bashkuar do të bëjë gjithçka për votën e lirë Read More »

Lungomare në Orikum, IKMT aksion për pastrimin e inerteve

Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit nisi sot pastrimin e inerteve përgjatë bregdetit të Orikumit.

Aksioni është ndërmarrë pas prishjes pak kohë më parë të një numri objektesh po nga ana e IKMT-së.

Në zonën ku po ndërhyn aktualisht IKMT, kalon projekti i shëtitores buzë detit, që nis nga Vlora.

Pavarësisht këtij aksioni në Orikum, IKMT nuk ka ndërprerë, por ka intensifikuar kontrollet dhe ndërhyrjet përgjatë gjithë bregdetit shqiptar dhe prej pak javësh edhe përgjatë lumenjve në mbrojtje të territorit dhe mjedisit./atsh

Lungomare në Orikum, IKMT aksion për pastrimin e inerteve Read More »

Parashikimi i motit, e mërkurë 3 qershor 2020

Shërbimi Meteorologjik Ushtarak bën me dije se moti sot parashikohet me kthjellime si dhe vranësira mesatare kalimtare nga orët e mesditës deri ato të pasdites.

Do të ketë reshje shiu të dobëta në formë pikash në relievet e larta malore ndërsa në zonën e jugut lokalisht reshjet në kohë afatshkurtër në formën e shtrëngatave dhe stuhive. Era do të fryjë me drejtim verilindje – veriperëndim e lehtë dhe në bregdet fiton intensitet. Deti parashikohet i forcës 0-1 ballë.

Temperaturat parashikohen:

QYTETET Temperaturat në °C Sigla
Shkodër 11/26 Diell re kalimtare
Kukës 9/23 Diell re kalimtare
Lezhë 11/26 Diell re kalimtare
Dibër 7/20 Diell re kalimtare
Durrës 14/25 Diell re kalimtare
Tiranë 14/27 Diell re kalimtare
Elbasan 12/27 Diell re kalimtare
Berat 10/27 Diell re kalimtare
Vlorë 13/25 Diell re kalimtare
Korçë 7/20 Diell re kalimtare
Gjirokastër 6/26 Diell re kalimtare
Sarandë 13/25 Diell re kalimtare/atsh

Parashikimi i motit, e mërkurë 3 qershor 2020 Read More »