Andueli

Kalo apel qytetarëve: Mos ulni vigjilencën ndaj masave, COVID-19 është një realitet jetësor

Mjeku infeksionist Tritan Kalo ju bënë apel qytetarëve të kujdesen për masat ndaj virusit, pasi Sars-Cov2/Covid-19 është një realitet jetësor.

“Dhoma e parë në të djathtën e fotos së korridorit të pavijonit të parë është zyra ime në Shërbimin e Sëmundjeve Infektive në QSUT, ose sikundër edhe njihet Spitali Covid-1. Përkujdesi ndaj të sëmurëve realizohet vetëm aty dhe shumë më pak në studiot televizive, si dhe njohuritë për këtë sëmundje ende me shumë e shumë të panjohura përftohen po aty, krahas njohjes me eksperiencën e kolegëve tanë në Shqipëri dhe në mbarë botën”, shprehet ai.

Po ashtu, Kalo shton se “gjendem aty që herët në mëngjes jo i frikësuar, por i ndërgjegjësuar për të qenë sa më pranë jush në çdo rast nevoje. Miq e dashamirës, përkujdesuni në vijimësi për shëndetin e jetën tuaj dhe të afërmve tuaj. Sars-Cov2/Covid-19 është një realitet jetësor. imagjinatën e sëmurë për konspiracionin e mosekzistencës së kësaj “flame mbarëbotërore”, lërjani të dashuruarve pas teorive konspirative apo atyre gjithollogëve, që janë në kërkim të protagonizmit të munguar”.

“Kurrë mos harroni se janë aty që prej 9 Marsit 2020, në 24 orët e ditës me dhjetëra e dhjetëra motra e vëllezër tuaj mantelbardhë, infermierë, sanitarë, imazheristë, administratorë, farmacistë, barrelistë, shoferë e punonjës të rendit, për të vigjiluar mbi shëndetin tuaj. Mendoni edhe për sakrificat e privimet e tyre të pafundme. Jo rrallë ne edhe nuk ja kemi dal mbanë dhe kemi humbur jetë njerëzish, shpirtrat e të cilëve pushofshin në Parajsë. Fëmijët kanë humbur nënën apo babanë, të afërmit motrën apo vëllanë, ne kemi humbur kolegët tanë të çmuar. Ju lutem si mjek e vëlla, që kurrë të mos e braktisni për asnjë çast përkujdesin ndaj vetes, si dhe vigjilencën për të mos rënë PRE e këtij infeksioni sa tinëzar edhe jetë-marrës”, apelon Kalo.

“Me mirëbesim reciprok si dhe me përpjekje të palodhshme do mundet t’a fitojmë sfidën me Sars-Cov2/Covid-19”, shprehet Kalo. /atsh

Kalo apel qytetarëve: Mos ulni vigjilencën ndaj masave, COVID-19 është një realitet jetësor Read More »

Manastirliu: Mbi 4 mijë vizita dhe shërbime në 28 qendrat verore, identifikohen rastet e para me COVID-19

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu ka inspektuar qendrat shëndetësore verore në Vlorë, ku ka kërkuar angazhim maksimal për respektimin e protokolleve antiCOVID, për të identifikuar në kohë rastet e dyshuara dhe për të ndërprerë zinxhirin e transmetimit të infeksionit në zonat turistike, të cilat pritet të kenë fluks të shtuar pushuesish.

“Në protokollet e vendosura në 28 qendrat shëndetësore verore është gjithashtu një protokoll i posaçëm, i cili përcakton të gjitha hapat që duhet të marrë një mjek apo një infermier, në momentin kur ballafaqohet me një rast të dyshuar me COVID-19. Janë deri tani disa dhjetra raste të dyshuara në qendrat verore, të cilët janë evidentuar nëpërmjet protokolleve të përcaktuara nga stafet mjekësore dhe më pas kanë ndjekur rrugëtimin dhe protokollin nga epidemiologët dhe Qendra Kombëtare e Urgjencës Mjekësore”, tha Manastirliu.

Ministrja e Shëndetësisë u shpreh se vetëm në këto javë që nga hapja, në qendrat verore janë realizuar mbi 4 mijë shërbime shëndetësore për qytetarët dhe turistët.

“Vetëm në këto javë janë ofruar më shumë se 4000 shërbime, konsulta, mjekime nga të gjithë qendrat shëndetësore verore nga Shkodra në Sarandë. Të gjithë qendrat shëndetësore verore janë të pajisura me mjetet e mbrojtjes personale kur flasim për protokollet antiCOVID. Nga ana tjetër, të 18 pikat e ambulancave të Urgjencës Kombëtare janë të vendosura në postacione specifike për të garantuar mbërritjen e shpejtë në vendin ku ndodh urgjenca”, tha Manastirliu.

Ministrja Manastirliu nënvizoi se i gjithë sistemi shëndetësor është në gatishmëri dhe aktualisht po përballet me fluksin më të madh gjatë gjithë epidemisë.

“Epidemiologët janë në terren, gjurmimi dhe hetimi po vijon dhe mjekët e familjes janë duke bërë një punë të jashtëzakonshme, pasi janë më shumë se 800 raste Covid pozitivë, të cilët po ndiqen në banesa ku janë të karantinuar nga mjeku i familjes, duke marrë terapitë e mjekimit. Puna po vijon dhe është në fluksin më të madh gjatë gjithë epidemisë, pasi kemi një rritje të numrit të rasteve pozitive, gjë që tregon se kemi shumë punë për të bërë sa i përket këputjes së zinxhirit të infeksionit në vatrat aktive”, u shpreh Manastirliu.

Ministrja e Shëndetësisë kërkoi rritjen e vigjilencës në çdo strukturë dhe apeloi qytetarët të tregojnë kujdes për respektimin e rregullave, për të kufizuar përhapjen e COVID-19.//atsh

Manastirliu: Mbi 4 mijë vizita dhe shërbime në 28 qendrat verore, identifikohen rastet e para me COVID-19 Read More »

Kryetari i OSBE-së, Rama: Duke kujtuar Srebrenicën, duhet të dalim përtej përkujtimit dhe fjalëve dhe të mësojmë në mënyrë aktive leksionet

Duke shprehur respektin e tij ndaj viktimave boshnjake të gjenocidit të Srebrenicës në 1995, Kryetari i OSBE-së, Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama deklaroi sot se në kujtimin e këtij krimi mizor, duhet të dalim përtej përkujtimit dhe fjalëve dhe të mësojnë në mënyrë aktive leksionet.

“Shkalla dhe egërsia e këtij gjenocidi është një tragjedi që rëndon sot mbi shpirtin tonë, edhe 25 vite më vonë”, tha ai.

“Unë shpreh respektin ndaj viktimave që u vranë pa mëshirë dhe ofroj ngushëllimet e mia të thella për familjet e atyre që humbën jetën”, shtoi ai.

Kryeministri tha se ishte i trishtuar dhe i shqetësuar nga një prirje në rritje për të rishkruar historinë e krimeve që u shpalosën në Srebrenicë dhe zonat përreth, në verën e vitit 1995.

“Rishkrimi me qëllimin e keq i historisë mund të çojë në të njëjtat gabime dhe krime që po bëhen përsëri. Gjyqtarët lokalë dhe ndërkombëtarë kanë dokumentuar atë që ndodhi në Srebrenicë dhe rrethinat e saj në vitin 1995. Kjo nënvizon domosdoshmërinë e dhënies së drejtësisë. Mosndëshkimi nuk është opsion”, tha ai.

“Ne gjithmonë themi se Srebrenica nuk duhet të përsëritet kurrë, por vetëm disa vite më vonë pati një konflikt shkatërrues në Kosovë”, tha Rama.

“Përgjegjësia për krimet u takon atyre që i kanë kryer. Por, shoqëritë janë gjithashtu fajtore nëse ato nuk kujtojnë dhe nuk mësojnë nga leksionet e asaj që ndodhi në Srebrenicë”, përfundoi ai.

https://www.osce.org/chairmanship/457186/atsh

Kryetari i OSBE-së, Rama: Duke kujtuar Srebrenicën, duhet të dalim përtej përkujtimit dhe fjalëve dhe të mësojmë në mënyrë aktive leksionet Read More »

AIDSSH: Hetim administrativ në lidhje me publikimin në shtyp të dosjes së Martin Camajt

Kryetarja e Autoritetit për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, Gentiana Sula tha sot se ka nisur hetim administrativ në lidhje me publikimin në shtyp të dosjes së Martin Camajt.

Sula shprehet se “nisur nga dinamikat e ditëve të fundit dhe publikimeve në shtyp mbi dosjen fashikull nr. 456 të Martin Camajt, që kanë të bëjnë me trajtimin e saj nga AIDSSH, sot, më datë 10.07.2020 firmosa urdhrin nr. 31 të nisjes së hetimit administrativ për verifikimin e praktikës së dosjes fizike dhe asaj digjitale të Martin Camajt nga AIDSSH”.

Po ashtu, Sula shton se “grupi i punës i ngritur për këtë qëllim do të verifikoje zbatimin e rregulloreve përkatëse gjatë administrimit të materialit arkivor në ngarkim të tij. Ndërkohë AIDSSH do të vazhdojë të zbatojë me rigorozitet ligjin, duke garantuar qasjen në dokumentet e Sigurimit, edhe për figurat historike”.

“Materiali përmbledhës i hartuar pas kryerjes së veprimeve për përmbushjen e objektit të urdhrit në fjalë do t’i bëhet i ditur Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, për ndjekje sipas legjislacionit në fuqi”, tha Sula. /atsh

AIDSSH: Hetim administrativ në lidhje me publikimin në shtyp të dosjes së Martin Camajt Read More »

“100 mijë kontrolle në të gjithë vendin për masat antiCOVID”, Rakacolli: Pas hapjes rritja normale, duhet të respektohen protokollet e sigurisë

“Kemi ushtruar mbi 100 mijë kontrolle në të gjithë vendin në lidhje me respektimin e protokolleve të hapjes”, tha sot zëvendësministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Mira Rakacolli, e ftuar në një emision televiziv, ndërsa thekson se rritja e numrit të infektuarve nuk ka të bëjë me rikthim virusi, por është një normalitet pas hapjes.

Në lidhje me rritjen e numrit të të infektuarve pas hapjes dhe a është rikthim i virusit, Rakacolli tha se “nuk është një rikthim i virusit, është një vazhdimësi që ka ndjekur protokollin e hapjes. Pra, nuk është një gjë e papritur, është një gjë që ka ndodhur në të gjithë botën, dhe pas mbylljes në protokollin e hapjes ka rritje të numrit të të infektuarve”.

“Në Shqipëri kjo rritje numrash ishte parashikuar, por nuk ishte parashikuar që të ndodhte më këtë ritëm që kemi sot. Kjo është një tendencë normale dhe ka ndodhur në të gjithë botën, që pas mbylljes së fortë dihet se në rihapje do të këtë rritje numrash, por sa shkon kjo rritje mbetet për t’u vlerësua”, tha ajo.

Rakacolli tha se kur bëhet fjalë për një sëmundje infektive ka të bëjë shumë shkaktarë që e jep sëmundjen infektive dhe shkaktari siç dihet është virusi, dhe fatkeqësisht deri më tani nuk ka asnjë vaksinë dhe nuk ka një mjekim specifik dhe e vetmja mënyrë është mos kontaktimi, është parandalimi, marrja e masave për të mos e kontaktuar këtë virus. Në rastin kur virusi është respirator është akoma më e vështirë që të mbrohesh nga ky. Pra që të mos marrës virusin ka vetëm një mundësi që të mos e kontaktosh. Në momentin që hapemi, nëse ne nuk i marrim ato masa që të mos e kontaktojmë virusin, patjetër që do të infektohemi.

Në lidhje me përhapjen e virusit nga ajri, Rakacolli tha se “OBSH i përmendi 200 studime por përsëri e la për t’u konfirmuar, por që të shpjegohet mirë se shpërndahet nga ajri do më tepër kohë. Përhapja kryesore është nga spërklat dhe mendohet që spërklat nuk mund të qëndrojnë në ajër për një kohë të gjatë. Tashmë OBSH i ka vlerësuar dhe mundet që këto copëza mund të copëzohen dhe mund të qëndrojnë në ajër për një kohë më të gjatë, prandaj në ambientet e mbyllura është më e madhe mundësia për ta marrë këtë virus dhe prandaj në këto ambiente duhet të përdoret barrierë mbrojtëse”.

Në lidhje me masat dhe kontrollet, Rakacolli tha se, “kur janë bërë protokollet e hapjes të gjitha protokollet janë të shoqëruara me masat që duhet të marrë çdo aktivitet me hapjen. Pra, të gjithë ne duhet ta dimë se ka ndryshuar jeta jonë në drejtim të qasjes dhe normalitetit. Pavarësisht se u hapëm nuk do të thotë se sëmundja mbaroj, duhet të ruajmë distancimin social”.

“Ne kemi marrë masa, kemi bërë inspektime në të gjithë vendin dhe që nga fillimi i epidemisë janë bërë mbi 100 mijë inspektime dhe janë vendosur gjoba, ku rreth 70 kanë qenë me pezullim të aktivitetit. Forcimit të këtyre masave i ka shërbyer edhe Akti Normativ që u kalua në parlament në lidhje me masat që merren për zonat turistike, që në qoftë se nuk respektohet protokollet mund të kaloj në një gjobë 700 mijë lekë dhe nëse përsëriten mund të shkojnë deri në pezullim të aktivitetit”, përfundoi Rakacolli. /atsh

“100 mijë kontrolle në të gjithë vendin për masat antiCOVID”, Rakacolli: Pas hapjes rritja normale, duhet të respektohen protokollet e sigurisë Read More »

PS mbështet hapjen e listave/ Marrëveshja e 5 qershorit nuk preket

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se “Partia Socialiste mbështet një hapje të listave për t’i dhënë mundësi çdo zgjedhësi të zgjedhë subjektin politik dhe të shprehë preferencën e tij për deputetin apo deputeten e përfshirë në listën e subjektit”.

Në një komunikim me mediet, Rama foli mbi qëndrimin e PS-së për përmbylljen e procesit të Reformës Zgjedhore në parlament brenda këtij sesioni të Kuvendit të Shqipërisë.

“Ky është një qëndrim i formësuar tanimë pas një procesi të gjatë dhe të vonuar për hir të së vërtetës për Reformën Zgjedhore. Arsyet e vonesave i dini dhe ndërkohë në Kuvendin e Shqipërisë ka hyrë në proces sipas gjithë rregullave të procedurës, si pasqyrimi pikë për pikë i marrëveshjes së bërë me opozitën jashtëparlamentare edhe nisma e opozitës parlamentare”, tha Rama.

Rama tha se “ne kemi vendosur që të mbështesim hapjen e listave, dhe ky është një vendim që reflekton bindjen tanimë se hapja e listave përkon me dëshirën e një mase shumë të madhe qytetarësh shqiptarë që shkon shumë përtej një shumice apo pakice qeverisëse”.

“Shkon përtej asaj që do të ishte zgjidhja më e thjeshtë dhe në pamje të parë më komode për një parti të madhe, por edhe për mua personalisht si kryetar i partisë, që në këtë rast duhet t’u jap të gjithëve jo me fjalë, por me faktin e hapjes së listave mesazhin që asnjëherë nuk ka qenë për mua prioritet komoditeti im, por gjithmonë prioritet është që PS të reflektojë shoqërinë dhe të reflektojë interesat dhe ambiciet e shoqërisë”, tha Rama.

Gjithashtu, Rama deklaroi se “të cilësosh si problem hapjen e listave dhe ta konsiderosh këtë si cenim të integrimit, kjo është marrëzi”.

“E di shumë mirë që ka një sëkëlldi dhe po ashtu ka edhe një përpjekje që kjo gjë të tregohet sikur është një shkelje e marrëveshjes së 5 qershorit, por fakti është se marrëveshjen e 5 qershorit ne e kemi realizuar me vullnetin më të mirë duke shkelur dhe mbi veten, për hir të së vërtetës”.

Rama tha se “lidhja e këtij procesi dhe vënia e kujës se duke prishur marrëveshjen e 5 qershorit po bëhet diçka kriminale në raport me interesat e integrimit të vendit është krejtësisht e pabazë”.

“Marrëveshja e 5 qershorit nuk preket nga PS dhe këtu është ngërçi i vetëm që ne kemi me opozitën parlamentare. Ne do të kërkojmë deri në fund nga ata që janë iniciatorët e ndryshimeve që të mos insistojnë në ndërhyrje për administrimin e zgjedhjeve. Ata janë kundër marrëveshjes që administrimi i zgjedhjeve dhe procesi i numërimit të kryhet nga partitë politike. Kundër kam qenë edhe unë sepse as mua nuk më pëlqen kjo zgjidhje, por ky është lëshimi i madh që kemi bërë dhe kështu opozita jashtëparlamentare nuk ka asnjë alibi për të kërkuar dhe pretenduar në funksion të garancive. Është pjesëmarrëse në proces, të gjitha rregullat e lojës janë shkruar e do zbatohen bashkërisht”, tha Rama.

Ideja që hapja e listave prish marrëveshjen, sipas tij, “është një çmenduri”.

“Kërcënimet dhe aludime se po u bë kjo ne do të bëjmë kështu e ashtu nuk e ndihmojnë procesin në raport me Europën. Por nga ana tjetër, peng Partinë Socialiste dhe Kuvendin e Shqipërisë ku hyn edhe opozita parlamentare nuk e merr dot askush nga jashtë këtij Kuvendi, as me forcë, shantazhe, kërcënime në raport me Europën, miqtë dhe partnerët tanë që ishin të përfshirë dhe ndikuar pozitivisht në realizimin e asaj marrëveshjeje”, tha Rama.

Kryeministri tha se “ne jemi absolutisht të qartë dhe produkti është ai që flet”. “Do të ishte shqetësuese patjetër nëse PS do të shfrytëzonte këtë situatë apo do të përdorte rrugë të padenja për të garantuar mazhoranca që do ta çonin sistemin drejt ndonjë ndryshimi që do të cënonte cilësinë e demokracisë”, tha Rama. /atsh

PS mbështet hapjen e listave/ Marrëveshja e 5 qershorit nuk preket Read More »

Parashikimi i motit, e premte 10 korrik 2020

Shërbimi Meteorologjik Ushtarak bën me dije se moti sot parashikohet i kthjellët me vranësira të pakta kalimtare në orët e mesditës. Era do të fryjë me drejtim veriperëndim me shpejtësi 1-8m/s.

Deti parashikohet i forcës 1-2 ballë.

Temperaturat parashikohen:

QYTETET Temperaturat në °C Sigla
Shkodër 20/36 diell
Kukës 16/32 diell re
Lezhë 24/36 diell
Dibër 15/32 diell re
Durrës 22/33 diell
Tiranë 22/35 diell
Elbasan 20/36 diell re
Berat 17/35 diell
Vlorë 19/31 diell
Korçë 17/28 diell re
Gjirokastër 17/35 diell
Sarandë 16/32 diell/atsh

Parashikimi i motit, e premte 10 korrik 2020 Read More »

Mbaje fytyrën gjithmonë nga dielli dhe hijet do i kesh gjithmonë pas krahëve

“Mbaje fytyrën gjithmonë nga dielli dhe hijet do i kesh gjithmonë pas krahëve”, tha sot kryeministri Edi Rama, duke zgjedhur të tjera fjalë të çmuara për të përcjellë mesazhin e tij.

Ishin këto fjalë të poetit të njohur amerikan Walt Whitman, që kryeministri Rama përcolli mëngjesin e sotëm përmes rubrikës “Fjalë të çmuara”./atsh

Mbaje fytyrën gjithmonë nga dielli dhe hijet do i kesh gjithmonë pas krahëve Read More »