Andueli

Turizmi ia doli ndaj COVID-19/ 230 mijë pasaporta të huaja hynë në Shqipëri në 15 ditët e para të shtatorit

Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi u shpreh se, “sezoni turistik ia doli të mbijetojë, megjithëse ishte një vit shumë i vështirë për shkak të situatës së krijuar nga COVID-19, ndërkohë që sezoni turistik nuk ka mbaruar ende”.

Në një intervistë për median Klosi tha se “për turizmin ishte një vit i vështirë. Ndërkohë që nuk bie dakord me lajmet që informojnë fundin e sezonit turistik, apo u mbyll sezoni, pasi duhet t’i falemi motit të mirë dhe të ngrohtë që po nxit ende fluksin e turistëve në vendin tonë, kryesisht nga vendet e Rajonit, si Kosova e Maqedonia”.

“Hotelet e bregut janë ende të frekuentuara në mënyrë të konsiderueshme edhe në mesin e muajit shtator. Bëj apel që sezoni turistik nuk ka mbaruar, kur thamë atëherë deri më 15 nëntor, mbajmë mend që pati shumë ironi nga opozita apo nga njerëz që nuk e kuptojnë këtë industri”, – u shpreh ministri.

“E kemi thënë shpesh dhe po e ritheksoj, – vijoi Klosi, – se do të vazhdojmë të konsumohet turizëm në qoftë se do të vijojë të ketë mot të mirë, pasi janë shumë të interesuar kompanitë për të ofruar destinacion Shqipërinë”.

Duke iu referuar këtij sezoni turistik ai theksoi se “ja kemi dalë në fakt në këtë sezon jashtëzakonisht të vështirë për turizmin. Katastrofik për vendet e Rajonit dhe të Europës që kanë një turizëm të përqendruar. Ne ia dolëm të mbijetojmë, madje mbijetuam të kemi një turizëm të konsiderueshëm në zonat bregdetare. Nga situata e krijuar nga COVID-19, vuajti këtë sezon Berati, Gjirokastra, Korça, Kruja, pra qytetet që ishin destinacione për turistët e huaj. Por ama nuk mund të them që pati shqetësim në zonën e bregut në Vlorë, në Shëngjin, Velipojë të cilat u frekuentuan jo vetëm nga shqiptarët e Shqipërisë”.

Sipas tij, politika e ndjekur ia doli që ne të kemi një grup të ri turistik në Shqipëri që janë turistët e Rajonit. Pati këtë vit një numër të konsiderueshëm turistësh nga Serbia, Maqedonia, nga Bosnja, Bullgaria e Mali i Zi.

“Pra Shqipëria u shndërrua në një destinacion dhe ky është një lajm shumë i mirë për një turizëm që do të qëndrojë ende”, – tha ministri Klosi.

“Për sa i përket muajve të mbylljes nga Covid padyshim që shifrat ishin 0. Ndërsa në muajt qershor, korrik dhe në gusht shkuan në 40% numri i të huajve që kanë hyrë në Shqipëri si zakonisht. Ndërsa në 15 ditët e para të shtatorit ne kemi rreth 70% të numrit të të huajve që kanë hyrë në vendin tonë, ose rreth 230 mijë pasaporta të huaja kryesisht nga vendet e Rajonit, që kanë hyrë në vendin tonë”, – u shpreh Klosi.

Duke iu referuar bilancit të hyrje daljeve, Klosi theksoi se numri i shqiptarëve që kanë dalë jashtë është minimal dhe buxheti i shpenzuar i papërfillshëm, kundrejt hyrjes së të huajve në vendin tonë.

“Dy ishin mesazhet për turizmin, që dolën nga situata e pandemisë: e para, që shqiptarët njohën Shqipërinë, potencialin e madh turistik të vendit dhe në këtë kuadër filozofia që ndoqëm për njohjen e bregdetit shqiptar si destinacion të mundshëm pati efekt, nga vizitorët e rajonit. Së dyti, thirrja emergjente që sa shumë nevojë kemi ne për struktura akomoduese, pasi me këtë fluks të turistëve të brendshëm dhe atyre nga Rajoni, që po e bëjnë zgjedhje Shqipërinë për turizëm kërkojnë zgjerim të strukturave akomoduese”.

Klosi theksoi se turizmin në Shqipëri e favorizojnë ndër të tjera edhe çmimet e arsyeshme dhe kulinaria tradicionale.

“Risi në këtë sezon turistik ishte edhe zgjerimi i hapësirave publike ku pushuesit frekuentonin plazhin pa kosto dhe në disa bashki pati shërbime për mbajtjen e plazheve pastër. Pra oferta për plazhin publik ka qenë e përmbushur në shumë drejtime”, – tha Klosi.

Klosi evidentoi faktin se, nga të gjithë turistët e huaj që vizituan vendin tonë nuk pati asnjë rast të infektuar në hotelet shqiptare, çka na rriti reputacionin “Shqipëria vend i sigurt për turizëm”. /atsh

Turizmi ia doli ndaj COVID-19/ 230 mijë pasaporta të huaja hynë në Shqipëri në 15 ditët e para të shtatorit Read More »

Kthesa e papritur e motit!

Agjencitë meteorologjike të rajonit janë të shqetësuara në lidhje me disa zhvillime në detin Mesdhe, të cilat nëse shkojnë sipas parashikimeve mund të shkaktojnë shkatërrime në disa shtete. Sipas agjencisë Meteorologjike të Athinës, janë të gjitha gjasat që në Mesdhe të formohet një Uragan, i cili të përshkojë të gjithë zonën detare deri në jug të detit Jon.

Por a do ta prekë Shqipërinë kjo stuhi e fuqishme?
Meteoalb bën me dije se Shqipëria mbetet në periferi të kësaj stuhie duke sjellë vetëm rrebeshe shiu dhe forcim të erës deri në 45 Km/h.

“Zhvillimi i një stuhie tropikale në Mesdhe do të sjellë rrebeshe shiu dhe stuhi të forta ere, ku parashikohet që shpejtësia e erës në det të jetë deri 200km/orë. Kjo stuhi do të prekë dhe brigjet e Italisë Jugore, po ashtu dhe Jugun e Greqisë.

Vendi ynë mbetet në periferi të kësaj stuhie duke sjellë vetëm rrebeshe shiu dhe forcim të erës deri në 45 Km/h”, tha Meteoalb për abcnews.al.

Kthesa e papritur e motit! Read More »

Rama uron Fatos Nanon për ditëlindje

Kryeministri i vendit Edi Rama ka uruar sot në ditën e lindjes ish-kreun e Partisë Socialiste Fatos Nano. Me një postim të gjatë në rrjetet sociale, Edi Rama thotë se do të kishte dëshirë që të shkruan një libër së bashku për rrugëtimin e tyre. Ai tregon se me Fatos Nanon gjithmonë ka pasur marrëdhënie shumë të mira.

“Historia e marrëdhies sonë të zhvilluar mes ekstremesh, nga “birësimi” im në familjen socialiste me bekimin e Fatosit, deri tek “vrasja e babait” për marrjen e skeptrit të tij, dihet përgjithësisht. Po në ndërkohën që flasim marrëdhënia mes nesh ushqehet shëndetshëm, me një komunikim miqësor ku e kuptojmë njëri-tjetrin në ajër, sepse prej kohësh tanimë flasim si shoferi i turnit të parë me shoferin e turnit të dytë, për të njëjtën makinë. Ose jo në fakt, se kur mendoj çfarë katërrrotaku sovjetik mori Fatosi në turnin e parë, çfarë mjeti shumë më të mirë mora unë prej tij dhe çfarë brandi shpejtësie është sot Partia Socialiste, flasim në fakt si dy pilotë të një makine që duhet të vijojë vetëzhvillimin dhe lëvizë ende më shpejt, duke e mundur përditë rrezikun e ngadalësimit nga konkurenca e dobët.:, shkruan ndër të tjera Rama.
Postimi i plotë:

#EDHE100💐

FATOS NANO u gjend në krye kur armata e shpartalluar komuniste kryente funeralin e Partisë së Punës në mes të shkretëtirës, me flamurin e rreckosur të diktaturës së proletariatit në gjysëm shtizë, moralin nën shuajt e këpucëve të rraskapitura nga marshimi 45 vjeçar drejt horizontit që vetëm largohej derisa u zhduk dhe gurmazin e konsumuar të komunizmit që nxirrte thirrjet e fundit për luftë me tërë botën, teksa era e papërmbajtshme e ndryshimit e kthente vajtimin e egër të dëshpërimit, në një fishkëllimë sa çjerrëse aq edhe qesharake. Mes fytyrave verdhacuke të udhëheqësve gjemimmbytur nga ardhmja e qametit dhe sekretarëve lëkurëdjegur nga dielli i arafabrikakantiereve, “Qorri” ishte aty fytyra e dykuptimtë e kuadrit të ri të partisë, që punonte në Institutin e Marksizëm-Leninizmit dhe e presorit garip të Ekonomikut, që tregonte barcaleta tallëse për regjimin e luante Bitëllsat me kitarën e tij.
Ishte pikërisht profili joskematik i Fatos Nanos që i dha atij skeptrin e të majtës së porsalindur pas varrimit të Partisë së Punës dhe natyra e tij jodogmatike, e kombinuar me burgosjen absurde që e pagëzoi si lider të pakonkurueshëm të socialistëve, i dha Partisë Socialiste një frymëmarrje të re e një perspektivë si forcë e parë në rrugën e përpjetë të politikës shqiptare. Mbase pa sakrificën e tij të imponuar, socialistët do të kishin pasur një fat më pak bujar, por edhe Fatosi pa atë sakrificë të imponuar, mbase nuk do ishte bërë lideri i tyre aq jetëgjatë. Fotoja që kam përzgjedhur për këtë ditë urimi ka qenë për mua pamja më domethënëse e Fatos Nanos fill pas daljes së tij nga burgu dhe ende sot befasohem nga ndryshimi i hatashëm mes saj e pamjes së tij në gjyq. Fatosi i prangosur para gjykatësve me vështrimin enigmatik, është presori i Ekonomikut i marrë peng që mbahet fort për sytë e popullit. Ndërsa Fatosi me duart e lira dhe sytë që shkëlqejnë fort është një kafshë e rrallë politike, të cilën pata fatin ta njoh nga afër.

Ai e mbajti timonin e PS në të përpjeta e të tatëpjeta dhe padiskutim është e tija në radhën më të parë, merita që Partia Socialiste nuk lëvizi asnjë moment, nga graviteti i interesit kombëtar, çka përbën sot e gjithë ditën një vijë sjelljeje të palëkundur e unikale mes partive politike në Shqipëri. Në krye të PS ai i nxorri socialistët nga shkretëtira pas varrosjes së Partisë së Punës, duke i futur në Internacionalen Socialiste si një familje idesh progresiste të kohës së re dhe duke e bërë shpirtin e ndryshimit motor të lëvizjes përpara. Në qeverisjen e vendit atij iu desh të drejtonte daljen e popullit nga shkretëtira e piramidave dhe rifillimin e shtetndêrtimit pas katrahurës rrafshuese të vitit ’97.

Historia e marrëdhies sonë të zhvilluar mes ekstremesh, nga “birësimi” im në familjen socialiste me bekimin e Fatosit, deri tek “vrasja e babait” për marrjen e skeptrit të tij, dihet përgjithësisht. Po në ndërkohën që flasim marrëdhënia mes nesh ushqehet shëndetshëm, me një komunikim miqësor ku e kuptojmë njëri-tjetrin në ajër, sepse prej kohësh tanimë flasim si shoferi i turnit të parë me shoferin e turnit të dytë, për të njëjtën makinë. Ose jo në fakt, se kur mendoj çfarë katërrrotaku sovjetik mori Fatosi në turnin e parë, çfarë mjeti shumë më të mirë mora unë prej tij dhe çfarë brandi shpejtësie është sot Partia Socialiste, flasim në fakt si dy pilotë të një makine që duhet të vijojë vetëzhvillimin dhe lëvizë ende më shpejt, duke e mundur përditë rrezikun e ngadalësimit nga konkurenca e dobët.

Duke i uruar ditëlindjen liderit historik të socialistëve, uroj gjithashtu që një ditë ta shkruajmë në një libër, së bashku, raportin e turneve tonave, për t’ua lënë në bibliotekën e zyrës së kryetarit, atyre që do të marrin turnin pas nesh. Po ka kohë plot deri atëherë dhe në ndërkohë, uroj për Fatosin shëndet, gëzime e çdo të mirë familjarisht. #TëRRALLË

Rama uron Fatos Nanon për ditëlindje Read More »

Taulant Balla uron për ditëlindje Fatos Nanon: Formësoi të majtën moderne

Kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla ka uruar sot liderin historik të të majtëve për ditëlindjen, Fatos Nanon.

Përmes një mesazhi në ‘Facebook’ Balla theksoi se nën drejtimin e Nanos u formësua e majta moderne socialdemokrate.

MESAZHI I BALLËS

Urimet më të mira për ditëlindjen udhëheqësit tonë historik Fatos Nanos.

Nën drejtimin e tij u formësua e majta moderne socialdemokrate dhe progresiste, duke spikatur kontributi i PS në momente të vështira e delikate që do të kalonte Shqipëria në ngjarje me ngarkesë të madhe politike:
si refuzimi i tentativës për uzurpimin e demokracisë nga diktatura berishiane me projekt-kushtetutën e vitit 1994,

zgjedhjet e vjedhura të 26 Majit 1996 dhe dhunimi masiv i opozitës,

kriza e piramidave në 1997, kolapsi total dhe përgjegjësia jonë për rivendosjen e shtetit,

miratimi i Kushtetutës në 1998,

kontributi i pazëvendësueshëm në luftën e Kosovës në 1999,

hapat e rëndësishëm dhe historikë drejt anëtarësimit në NATO dhe në Bashkimin Europian.

Taulant Balla uron për ditëlindje Fatos Nanon: Formësoi të majtën moderne Read More »

Diplomati i njohur: Ruhuni nga ‘marrëdhëniet e shkëlqyera’ me Greqinë!

Mbrëmjen e djeshme kryeministri Rama deklaroi se Shqipëria ka marrëdhënie të shkëlqyera me Greqinë. Mirëpo pas kësaj deklarate të kryeministrit ka ardhur reagimi i diplomatit Shaban Murati, i cili apelon për të pasur kujdes.

“Se si mund të shkëlqejnë marrëdhëniet me shtetin, që rivendikon detin tënd dhe territorin tënd, që mban në fuqi ligjin e luftës me Shqipërinë 75 vjet pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore, që nuk njeh çështjen çame, që kërkon autonominë e “Protokollit të Korfuzit” për minoritetin grek, që të ka grabitur ujërat e Vjosës, që në tetor 2019 abstenoi në samitin e BE kur votohej për hapjen e bisedimeve të Shqipërisë me BE”- shkruan Murati.
Postimi i plotë:

Ruhuni nga “marrëdhëniet e shkëlqyera” me Greqinë!

Marrëdhënie të shkëlqyera Shqipëria ka patur me Jugosllavinë, kur ishte satelite e saj. Marrëdhënie të shkëlqyera Shqipëria ka patur me Bashkimin Sovjetik, kur ishte satelit i tij. Marrëdhënie të shkëlqyera Shqipëria ka patur me Kinën, kur ishte satelite e saj.
Në mbrëmje vonën e 15 shtatorit kryeministri shqiptar, pas një darke intime në Athinë me kryeministrin grek, nuk dihet pse shpërtheu në një patetizëm enokulturor dhe deklaroi në emfazë se marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Greqisë janë të shkëlqyera. Se si mund të shkëlqejnë marrëdhëniet me shtetin, që rivendikon detin tënd dhe territorin tënd, që mban në fuqi ligjin e luftës me Shqipërinë 75 vjet pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore, që nuk njeh çeshtjen çame, që kërkon autonominë e “Protokollit të Korfuzit” për minoritetin grek, që të ka grabitur ujrat e Vjosës, që në tetor 2019 abstenoi në samitin e BE kur votohej për hapjen e bisedimeve të Shqipërisë me BE, etj. këtë paradoks vetëm udhëheqës raja dhe shtete raja mund ta besojnë.

Shqipërisë i duhen marrëdhënie normale me shtetet fqinjë, për “të shkëlqyerat” na tremb historia jonë kombëtare. Të dashur shqiptarë, ruhuni nga “marrëdhëniet e shkëlqyera” me Greqinë!

Diplomati i njohur: Ruhuni nga ‘marrëdhëniet e shkëlqyera’ me Greqinë! Read More »

Meta mesazh të fortë: ‘Besa-besë për të shpëtuar Shqipërinë’

Presidenti Ilir Meta ishte sot në Pezë, ku dha edhe disa mesazhe të forta politike.
Meta mori pjesë në sot, në kujtim të 78 vjetorit të Konferencës së Pezës.
‘Pezë do të thotë Shqipëria mbi të gjitha!”, – tha Meta.

“Pezë do të thotë bashkim, kushtrim dhe qëndresë, pa dallim feje, krahine dhe ideje në mbrojtje të interesit kombëtar”, shtoi më tej Presidenti i Republikës.

“Mesazhet që përcjell edhe sot, pas 78 vitesh, Konferenca e Pezës janë më aktuale se kurrë për të lënë mënjanë ndasitë e interesat afatshkurtra, dhe për t’u bashkuar kundër një pushtimi të ri nga një sekt e një bandë oligarkësh që kanë uzurpuar institucionet dhe kanë marrë peng të ardhmen e çdo shqiptari dhe atë europiane të vendit tonë”.

“Peza është një amanet: Besa-besë për të shpëtuar Shqipërinë!”

“O SOT, O KURRË!” – u shpreh Meta nga Peza.

Meta mesazh të fortë: ‘Besa-besë për të shpëtuar Shqipërinë’ Read More »

Kalo politikaneve: Ju rikujtoj se do të vijë shpejt një ditë që populli do zgjohet dhe do ngrihet, nuk do të ketë vrimë ku do mundeni të fshiheni

OPINION nga Tritan Kalo

KOHË KOVIDIANE…15.09.2020…

Dita Ndërkombëtare e Demokracisë dhe “Poema jonë Migjeniane e varfërisë”…

DEMOKRACIA është sistemi i shanseve te barabarta, sistemi i zbutjes së dallimeve shoqërore, sistemi ku ekzistenca e sigurisë së jetës, e strehimit, e punësimit, e shkollimit, e përkujdesit shëndetsor, i drejtësisë për të gjithë janë të garantuara….

A është DEMOKRATIKsistemi ynë??….LEXOJENI sy dhe veshë hapur ju “Rollinghillasat dhe Gjirëlalistat” tanë, ju autorët Pusht-Shtetarë të DEMON-KRACISË “Made in Albania”….

JENI JU dhe sëra e juaj që i rikthyet ditët Migjeniane të “Legjendës së Misrit” dhe të “Poemës së Mjerimit”, sepse për fatin tonë të zi “KOHA ËSHTË E MASKARENJVE” (A.A.)….

E përjetuar SOT në vetë të parë….Dëshiroja të bleja bukë këtë pasdite në një Punishte prodhuese të produkteve të brumrave ngjitur me Spitalin Gjerman te Rruga e Kavajës.

Para meje një zonjë që pasi bleu një llallë 50 lekëshe i tha shitëses: “Të lutem më jep një panine 10 lekëshe, që ta ha së bashku me llallën.

PO BËRA më vonë një tjetër 50 leksh do të vi të blej një bukë për në shtëpi.”….

MU bë një lëmsh në grykë dhe sytë mu mbushën me lot…I thashë shitëses që t’i ofrojë zonjës dy bukë e ndonjë gjë tjetër të nevojëshme, që tua shpjerë fëmijëve të saj, sepse e paguaj unë së bashku me bukën time….

Zonja dëgjoji fjalët e mia dhe syhapur u kthye e më tha se: “A je i sigurtë që do t’i paguash?”….”Është më e pakta gjë që mundet të bëj për ju në këto çaste” – iu përgjigja unë…

Fjalët e saj të mirënjohjes dhe sytë e saj plot lot, KURRË nuk do t’i haroj sa të frymoj në këtë botë jarane….JU “FUKARENJTË tanë” që banoni në vila disakatëshe, disa edhe me dhjetë banjo kudo në këtë TOKË të bekuar nga PERËNDIJA, por të MALLKUAR nga sëra e juaj plangprishëse dhe e pangopur, U KAM LËNË PERËNDINË të marë hak për këta të mjerë, që NUKU NGOPIN DOT BARKUN me bukë në ndërkohë kur ju, zonjat tuaja e barkëgicat fëmijët tuaj notoni mes lluksit e vanitetit….JU “ish brekëgrisur të para 1990” dhe sot “PASHALLARË të kuq, blu, rozë apo pink”, të asaj që quhet SHQIPËRI e andej dhe e këndej Drinit, JU RIKUJTOJ se do të vijë shpejt një ditë që populli do zgjohet dhe do ngrihet…..NUKU do të ketë vrimë ku do mundeni të fshiheni….

Vërtet që ”KOHA ËSHTË E MASKARENJVE, POR ATDHEU I SHQIPTARËVE” (A.A.)….Quo vadis Shqipëria ime Natyrale e 28.11.1912!!!

Kalo politikaneve: Ju rikujtoj se do të vijë shpejt një ditë që populli do zgjohet dhe do ngrihet, nuk do të ketë vrimë ku do mundeni të fshiheni Read More »

Evis Kushi: Mendova se provimet për mua mbaruan. Por paskam qenë aq gabim sa s’ka! Ky i tanishmi është një provim aq i vështirë sa nuk gjej fjalë ta shpreh!

Deputetja socialiste e Elbasanit, Evis Kushi, e propozuar nga Kryeministri Edi Rama si ministre Arsimi, në vend të Besa Shahinit, reagon lidhur me mesazhet e marra.

Ajo publikon një fotografi nga momenti i diplomimit të doktoraturës, pas shkrimeve dhe akuzave se doktoratura e saj është plagjaturë, siç pretendoi studiuesi Vladimir Kola.

Kushi thotë se është diplomuar në Staffordshire University në Britaninë e Madhe, pas pesë vitesh studime e vajtje ardhje mes Elbasanit dhe Stoke-on-Trent.

“Mendova se provimet për mua mbaruan. Por paskam qenë aq gabim sa s’ka! Ky i tanishmi është një provim aq i vështirë sa nuk gjej fjalë ta shpreh! Uroj që të kem ndihmën tuaj dhe të kolegëve të mi të shumtë në botën universitare për t’ia dalë faqebardhë. Do bëj gjithçka mundem që të nderoj Elbasanin tim, Partinë Socialiste dhe kryeministrin tonë dhe që kur të kthehem një ditë në auditor të kem respektin e të gjithë kolegëve të mi për atë që do të jem si drejtuese e arsimit”, shkruan Kushi.

Mesazhi i plotë i ministres së propozuar

Të dashur miq,

Ju falenderoj pamasë për mesazhet tuaja inkurajuese në këtë moment kaq sfidues për mua! Më keni gëzuar, por nuk më keni lehtësuar! Përkundrazi, mesazhet tuaja më bëjnë të ndjehem edhe më e ngarkuar se sa dje kur kryeministri më shprehu vendimin e tij, me barrën e kësaj përgjegjësie të jashtëzakonshme. Kur mora doktoraturën në Staffordshire University në Britaninë e Madhe, pas pesë vitesh studime e vajtje ardhje mes Elbasanit dhe Stoke-on-Trent mendova se provimet për mua mbaruan. Por paskam qenë aq gabim sa s’ka! Ky i tanishmi është një provim aq i vështirë sa nuk gjej fjalë ta shpreh! Uroj që të kem ndihmën tuaj dhe të kolegëve të mi të shumtë në botën universitare për t’ia dalë faqebardhë. Do bëj gjithçka mundem që të nderoj Elbasanin tim, Partinë Socialiste dhe kryeministrin tonë dhe që kur të kthehem një ditë në auditor të kem respektin e të gjithë kolegëve të mi për atë që do të jem si drejtuese e arsimit. Një pedagoge dhe qytetare në shërbim të përulur ndaj komunitetit të madh të dijedhënësve.

Faleminderit shumë edhe njëherë të gjithëve! /noa.al

Evis Kushi: Mendova se provimet për mua mbaruan. Por paskam qenë aq gabim sa s’ka! Ky i tanishmi është një provim aq i vështirë sa nuk gjej fjalë ta shpreh! Read More »