Qeveria ka urdhëruar të gjitha institucionet shtetërore në vend që duke filluar nga 1 tetori i sotëm, të gjithë nëpunësit të dalin çdo ditë në punë me orar të plotë. Të njëjtin urdhër ka lëshuar dhe kryetari i bashkisë Tiranë”, Erion Veliaj.
Urdhëresat vijnë pak ditë pasi qeveria njoftoi se do të zbatojë kërkesën e Komitetit Teknik të Ekspertëve për rihapjen nga 1 tetori të mjediseve të brendshme dhe të mbyllura të bareve, restoranteve dhe pishinave.
Por urdhrat e qeverisë dhe bashkisë që administrata të mos punojë më pjesërisht ose plotësisht nga shtëpia, vijnë në të njëjtën kohë me një apel të fortë që lëshuan publikisht anëtarët e Komitetit Teknik të Ekspertëve dhe Instituti i Shëndetit Publik.
Jo më larg se pasditen e djeshme, e mërkurë, Mirela Cami, Drejtore e Operatorit të Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor, kërkoi që institucionet dhe kompanitë të aplikojnë punën nga shtëpia për punonjësit.
“Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i bën thirrje edhe njëherë bizneseve, institucioneve, që, kur është e mundur të lejojnë punonjësit të punojnë nga shtëpia për të minimizuar kontaktin mes tyre dhe përhapjen e infeksionit. Virusi është ende mes nesh, dhe ne mund ta mposhtim atë vetëm nëse ndryshojmë sjelljen tonë të përditshme duke respektuar rregullat e vendosura ne normalitetin e ri”, ishte thirrja e bërë nga Cami.
Deri dje, si qeveria dhe bashkia nxitnin vazhdimisht punën nga shtëpia jo vetëm për nëpunësit publikë, por edhe për punonjësit e kompanive private.
Tetori koincidon edhe me nisjen e fushatës intensive të partive kryesore në vend, për zgjedhjet parlamentare të 25 prillit. /noa.al/
Duke nisur nga dita e sotme, e enjtja e 1 tetorit, hapen baret, restorantet dhe pishinat e mbyllura, të mbyllura prej muajsh për shkak të pandemisë së koronavirusit.
Gjatë marrjes së këtij vendimi Komiteti Teknik i Ekspertëve ka miratuar protokollet e posaçme të sigurisë për rihapjen nga data 1 tetor, të restoranteve dhe bareve në ambiente të mbyllura si dhe të pishinave në ambiente të mbyllura.
Ndër rregullat që duhen respektuar janë distancimi fizik, higjiena dhe mbajtja e maskës nga stafet që shërbejnë është e detyrueshme në çdo subjekt.
Task-Forca e inspektimit të protokolleve anticovid, policia e shtetit dhe policia bashkiake do të inspektojnë zbatimin e protokolleve duke ndërmarrë masat sipas legjislacionit në fuqi, me qëllim mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve.
Ndërkohë do të vijojnë të mbeten të mbyllura sipas Aktit Normativ të miratuar në muajin korrik, të gjitha klubet e natës, lounge-bar, pub-e, diskot apo veprimtari të këtij lloji. /noa.al
Ministri i Turizmit, Blendi Klosi ka dhënë një argument të ri se përse nuk lejohet muzika në kafene.
I ftuar në studion e Report Tv, Klosi tha se valët përhapin virusin, një argument i ri ky, që nuk ishte dëgjuar më parë, por që ministri e tha me siguri.
“Nuk duhet t’ia bëni pyetjen ministrit të turizmit, se për politikat e turizmit do ishte shumë mirë që të ishin të hapura, por kjo pyetje duhet bërë ekspertëve, që gjykojnë se zonat me muzikë dhe kjo është e vërtetuar janë zonat ku virusi hapet më shumë se në çdo vend tjetër pasi valët e muzikës janë ato që përçojnë virusin, në distancat ku ka valë muzike përhapja e virusit është më e madhe.
Dhe në ambientet me muzikë sidomos ku përdoret pika alkoolike, njerëizt duke qenë më pranë njëri tjetrit, lëshohen më shumë”, tha Klosi.
Kryebashkiaku Erion Veliaj thumbon lidershipin e PD, i cili sipas tij gëzohet për çdo grua që largohet nga partia, duke marrë shembullin e Jozefina Topallit dhe Majlinda Bregut.
Partia Socialiste ndezi sot “motorët” për fushatën e zgjedhjeve të 25 prillit, për të siguruar një mandat të tretë qeverisës, që do të ishte historik në këto 30 vite.
Në një takim me gratë socialiste në Amfiteatrin e Tiranës, Kryetari i Bashkisë dhe njëherësh drejtues politik për Tiranën, Erion Veliaj deklaroi se PS ka vetëm një plan, të bëjë Shqipërinë dhe Tiranën më të mirë.
“Ne sot krenohemi kur themi: “Edhe një”. Kurse, kundërshtari ynë thotë: Iku edhe një! Se iku Jozefina. Iku edhe një, se iku Majlinda Bregu”.
Sipas tij, “diferenca mes Partisë Demokratike dhe një partie të lodhur nuk është emri, por mentaliteti. Në forcën tonë ka gëzim kur vjen edhe një. Në partinë e tyre ka gëzim kur ikën edhe një, kur edhe një grua tjetër largohet nga një parti që është kthyer në një tufë burrash të mllefosur”.
“Ky është mesazhi ynë i fitores, se i gëzohemi çdo zonje, çdo zonjushe, çdo goce dhe vajze, “edhe një”, kur bashkohet me forcën tonë politike”, u shpreh Erion Veliaj, kryebashkiak i Tiranës.
Gjatë takimit së Forumit të Gruas Socialiste, Erion Veliaj tha se PS krenohet për çdo grua që i bashkohet partisë.
“Na kanë ngelur edhe 207 ditë, para se ne të shkojmë në një betejë ku të themi “#edhe 1, edhe 1” për Partinë Socialiste. Kanë ngelur edhe 207 ditë para se ne të fokusohemi dhe të themi çfarë planesh kemi. Ne kemi vetëm një plan: Të bëjmë Shqipërinë dhe të bëjmë Tiranën. Pala tjetër ka një plan tjetër, kanë shtëpinë e tretë, kanë pasaporta holandeze, kanë edhe një plan B”.
“Unë besoj që për secilin prej nesh që ka vetëm një plan, duhet të mendojmë fort për situatat që kaluam. Nëse dikush ka iluzion se ata kanë hallin e familjeve tona, duhet t’i mendojë këto fakte. Mund të kemi opinione të ndryshme, por jo fakte të ndryshme. Nëse ju mendoni se Sali Berisha që kërkon ringjalljen e tij të tretë, ka hallin e familjeve tuaja, e keni gabim, ndaj duhet të flasim me çdo zonjë dhe zonjushë”, – tha Veliaj.
Ai komentoi edhe planin ekonomik të prezantuar nga opozita, ku theksoi se fokusi i tyre është t’u vendosin gjoba kompanive dhe të shtojnë vilat e tyre.
“Po shihja axhendën, se sa shtëpi do duhet të hapim nesër për familjet që u prekën nga tërmeti, kurse ata janë të shqetësuar se si në kohën e tërmetit kanë shtuar shtëpitë e tyre. Teksa gjithë ekonomia ka rënë jo vetëm në Shqipëri, por kudo në botë, ekonomia e tyre është rritur. Shihni llogarinë e kunatit, shihni sa gjoba u vihen kompanive”.
‘Sot dolën me plan ekonomik, seriozisht? I vetmi plan ekonomik që kam dëgjuar këto tetë vite është, gjej një kompani, vëri gjobë nëpërmjet zëdhënies, paguaj gjobën që unë të të heq sulmin ndaj partisë. Pyetja është: Do mendojmë për ekonominë, shtëpitë, planet B, për rritjen e financave të dy familjeve të vetme, që edhe në opozitë vetëm u ka shkuar puna vaj, apo duhet të përveshim mëngët për të gjitha familjet e Shqipërisë”, nënvizoi Veliaj.
Duke e cilësuar PS si forca më pozitive, më progresiste dhe më patriote e Shqipërisë, Veliaj tha se qytetarët shqiptarë kanë një shans historik që jo vetëm PS të fitojë këto zgjedhje, por të fitojë e ardhmja e vendit.
I vetmi shans i tyre që të fitojnë është përçarja. I vetmi shans që ne të fitojmë është bashkimi. I vetmi shans që ata të fitojnë është helmi”.
“I vetmi shans që ne të fitojmë është mjalti, është goja e ëmbël. I vetmi shans që ata të fitojnë është dhuna. I vetmi shans që ne të fitojmë është paqja, vëllazëria me njeri-tjetrin. Ndaj, motrat e mia, ne kemi 207 ditë për gojën e ëmbël, për fjalën e mirë, për politikën e bashkimit, për njerëzit që i bëjnë të tjerët të rrinë më afër me njeri-tjetrin, jo t’i largojnë”.
“Për një kulturë e cila çon në fqinjësi të mirë, në solidaritet, në vëllazëri. Kemi një shans historik që jo vetëm ne të fitojmë këto zgjedhje, por të fitojmë të ardhmen. Nuk është punë për zgjedhjet e ardhshme, është punë për gjeneratën e ardhshme. Ndaj, në këto 207 ditë, unë dua që secila prej jush të bëjë 207 kontakte, të bëjë 207 biseda, të pijë 207 kafe nga një kafe në ditë me një gocë, me një vajzë, me një zonjë dhe me një zonjushë që duhet të bashkohet, duhet të jetë ajo “#Edhe 1”. Mezi pres që këto 207 ditë, goja e ëmbël, mendja e shëndoshë dhe zemra e hapur të jetë karta jonë e fitores”, deklaroi Veliaj.
Nga nesër mund të ri-aplikoni për pasaporta me procedurë të thjeshtuar, pa formular policie.
Është kjo deklarata e bërë nga ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj ditën e sotme, i cili tha se qytetarët mund të paraqiten menjëherë pranë zyrave të aplikimit.
Sipas tij, kjo është një risi që do të kursejë kohë e shpenzime për shtetasit shqiptarë që tashmë e kanë shumë më të thjesht procedurën e ripajisjes me dokumente biometrike.
“Duke filluar nga nesër, qytetarët që duhet të ri-aplikojnë për pasaportë, u mjafton vetëm të paraqiten pranë sportelit përkatës të aplikimeve, pas përcaktimit të orarit të aplikimit që bëhet online. Një risi tjetër, e cila ka kohë që ka ndodhur lidhet me faktin që për qytetarët që aplikojnë për karta identiteti dhe që janë mbi moshën 75 vjeç, ajo lëshohet pa afat vlefshmërie që do të thotë që kushdo që ka kaluar moshën 75 vjeç dhe aplikon për të marrë një kartë identiteti, ajo lëshohet pa afat skadence, që është po ashtu një lehtësi dhe shërbim i ri në favor të qytetarëve”, u shpreh ministri.
Ai bëri ftesë për qytetarët që të shpejtojnë për të aplikuar pranë zyrave përkatëse qoftë për letërnjoftime, qoftë për pasaporta, për shkak se prej pandemisë, qeverinë është detyruar që të shtyjë afatin e vlefshmërisë për kartat apo pasaportat e skaduara. /noa.al
Presidenti Ilir Meta thotë se kur ethet elektorale dhe planifikimet e çmendura për kapje votash me presione nga më të fëlliqurat kanë nisur para kohe, situata ekonomike në vend po shënon një regres të pandalshëm.
Ai shton se përshkallëzimi i krizës politike në këto kushte bëhet edhe më kërcënues për stabilitetin e vendit dhe shton pasigurinë për qytetarët, sipërmarrjen dhe investitorët.
“Ndaj i mbështes plotësisht vlerësimet dhe rekomandimet e Prof.Dr. Arben Malaj për rrugën e duhur që duhet ndjekur për daljen nga humnera. Siç ai thekson me të drejtë: “Ringritja fillon nga reduktimi i pasigurive dhe paqartësive për të ardhmen.”
“Disa arsye kryesore për këtë opsion janë risqet se individët dhe investitorët privatë vendas dhe të huaj mund të presin zgjedhjet parlamentare 2021 për të marrë vendime për të rritur investimet e tyre; donatorët bilateralë dhe multilateralë po ngadalësojnë lëvrimin e granteve dhe kredive të buta. Qeveria ka dështuar të thithë fonde nga donatorët për tërmetin”, shkruan Meta.
Ai citon më tej se Qeveria vazhdon të aplikojë partneritete publike-private prefenciale, që do të prodhojnë kosto të rënda për konsolidimin financiar të vendit. Për ta përmirësuar ringritjen e ekonomisë sonë gjatë vitit 2021 kërkohen një sërë reformash strukturore për një model rritje ekonomike të shëndetshme, ku rritet pesha e ekonomisë së gjelbër dhe ekonomisë së dijes dhe ku ndahen më mirë përfitimet e rritjes ekonomike.
Kreu i shtetit shkëput pjesë nga shkrimi i Malaj dhe thotë se politikat dhe paketat lehtësuese dhe mbështetëse për të papunët, për të varfrit dhe për bizneset, duhet të jenë të qarta dhe lehtësisht të arritshme deri te të varfrit dhe të papunët.
“Eliminimi i çdo vonese e pengese në procesin e integrimit europian çliron energji dhe burime rritje dhe zhvillimi edhe në kohë krize. Reduktimi i risqeve të thellimit dhe zgjatjes së krizës politike është kritik për reduktimin e paqartësive dhe pasigurive që pengojnë ringritjen. Përzgjedhja me përgjegjësi profesionale dhe transparencë maksimale e përdorimit të fondeve të rindërtimit dhe ringritjes do të zgjidhte krizën e të pastrehëve, të çerdheve, kopshteve, shkollave, të qendrave shëndetësore dhe spitaleve, por njëkohësisht do të rrisë punësimin dhe rritjen e të ardhurave për shtresat në nevojë. Të mirëintegruara së bashku këto reforma dhe parime mirëqeverisje do të ndikojnë në ringritjen e ekonomisë sonë, mundësisht brenda vitit 2021”, citon Presidenti.
Kriza e pandemisë mund të jetë më e lehtë, ringritja më e vështirë- Nga Arben Malaj
Strategjia e ringritjes nuk nënkupton një lumë fondesh në ekonomi. Risku i keqpërdorimit të “parave të lira” në vendet me shkallë të lartë të korrupsionit dhe kapjes së shtetit është pjesë e problemit, jo e zgjidhjes. Sapo Covid-19 goditi rëndë dhe pa pritur ekonominë globale, u tentua të përllogaritej niveli e rënies së ekonomisë, rritjes së papunësisë dhe borxhit publik. Është shumë shpejt për të bërë parashikime të qëndrueshme për pasojat dhe kostot e COVID-19. FMN, BE dhe EBRD parashikuan se rënia e ekonomisë globale do të ishte 3.5 %, rritja e papunësisë me rreth 300 milionë dhe rritja e borxhit publik mesatarisht 30% mbi nivelin e momentit të fillimit të pandemisë. Në BE, rënia ekonomike u parashikua – 7.4 të GDP-së në 2020 dhe + 6.1 % në 2021.
Përllogaritja e pasojave të pandemisë vlen për të qartësuar dhe implementuar politikat kundër ciklike monetare dhe fiskale dhe vë theksin te reformat strukturore, që lehtësonin pasojat e krizës dhe të krijojnë premisa nxitëse për rimëkëmbjen dhe ringritjen e ekonomisë dhe stabilitetit financiar sa më parë.
Analiza e recesioneve të tjera pas vitit 1945 tregon se nëse rënia e ekonomisë gjatë vitit 2020 do të jetë më e ngadaltë se ajo e parashikuar në fillim, ringritja e ekonomisë dhe stabiliteti i financave publike do të jetë më e ngadaltë dhe niveli i parakrizës mund të arrihet në fund të vitit 2022, por vende të ndryshme do të kenë sjellje të ndryshme në rimëkëmbjen e tyre. COVID19 ka shkaktuar një recesion, nga i cili ekonomia globale pritet të rikuperohet në fund të vitit 2022, nëse ekziston një vaksinë.
Një moment i vështirë për studiuesit edhe politikëbërësit është forma e ringritjes së ekonomisë, a do të kompensohet një rënie e thellë me një rritje të shpejtë në formën e V-së. I tillë ishte parashikimi i BERZH për ekonominë shqiptare se gjatë vitit 2020 do të ishte – 9% të PBB-së, por në 2021 do të rritej me 12%. Opsione të tjera të ringritjes mund të jenë në formën e L-së, në formën e U-së dhe në formën e Ë-së.
Rënia mund të rezultojë më e lehtë, mund të shpjegohet me disa arsye, por më kryesoret mund të jenë: parashikimet e para u bënë nën një presion të fortë të paqartësive dhe pasigurive që krijoi goditja nga COVID19; shkalla e lartë dhe fleksibiliteti maksimal që u dakordësua për përdorimin e politikave monetare jokonvencionale për të ulur koston e parasë dhe për të siguruar likuiditete për qeveritë dhe biznesin, të cilat ishin të larmishme dhe të palimituara; dhe politikat fiskale ekspansioniste mbështetën qëndrime të unifikuara se taksat e ulëta, ristrukturimi i detyrimeve për t’u paguar në një kohë të dytë, lehtësitë dhe paketat fiskale për të papunët, të varfrit dhe për bizneset nuk do të pengoheshin nga kufizime për mosrritjen e borxheve. Të marra së bashku edhe me çeljen graduale të ekonomisë globale, ato prodhuan efekte pozitive në rritjen e kërkesës agregate dhe ndikuan që rënia ekonomike dhe papunësia të jenë nën nivelet kritike të parashikuara në fillim të krizës.
Ringritja mund të jetë më e vështirë sepse edhe pse nuk ka kufizime të vazhdimit të politikave monetare jokonvencionale dhe politikave fiskale ekspansioniste është arritur në një “pikë thyerje” ku efektshmëria e tyre në ekonominë reale vjen dhe ulet. Kjo, edhe për faktin se individët dhe bizneset në kushtet e niveleve shqetësuese të paqartësive dhe pasigurive nuk marrin risk për më shumë borxhe, pavarësisht nga kostoja e ulët e tyre apo garancitë sovrane. Ritmet e ulëta të rritjes se konsumit dhe investimit private qartësojnë se rritja e kërkesës agregate do të jetë më e ngadaltë dhe niveli para krizës mund të spostohet nga optimizmi për vitin 2021 në parashikime më realiste. Studiuesit qartësojnë se: “Shumë do të varet jo vetëm nga evolucioni i vendosjes terapeutike dhe vaksinave pandemike dhe efektive, por edhe nga ato monetare, politikat fiskale, tregtare dhe rregullatore që do të ndiqen”.
Profesori Michael Boskin i Universitetit i Stanfordit këshillon se: “Mes kaq shumë pasiguri, politikëbërësit duhet (i) të përqendrohen në mbajtjen e taksave të ulëta; (ii) zhvillimin e planeve për konsolidimin fiskal dhe (iii) shmangien e rregulloreve të reja derisa ekonomia të kthehet në rrugën e duhur”. Po në Shqipëri si mund të jetë ringritja? Në fillim, të COVID-19 për ekonominë tonë u parashikua një rënie ekonomike 5-9% të PBB-së dhe një ringritje e shpejtë në 2021 me rreth 12%. Pas treguesve të 9-mujorit 2020, shifrat do të rishikohen, rënia mund të jetë 4.5-6%, ndërsa ringritja mund të jetë 8-9 % të GDP-së. Ringritja fillon nga reduktimi i pasigurive dhe paqartësive për të ardhmen.
Ringritja mund të jetë më e ngadalshme, pasi fatkeqësisht në vendin tonë ka një politikë krizëprodhuese, paqartësitë dhe pasiguritë janë rritur, braktisja e vendit është rritur, ndërsa integrimi europian po ngadalësohet. Disa arsye kryesore për këtë opsion janë risqet se individët dhe investitorët privatë vendës dhe të huaj mund të presin zgjedhjet parlamentare 2021 për të marrë vendime për të rritur investimet e tyre; donatorët bilateralë dhe multilateralë po ngadalësojnë lëvrimin e granteve dhe kredive të buta. Qeveria ka dështuar të thithë fonde nga donatorët për tërmetin.
Qeveria vazhdon të aplikojë partneritete publike-private prefenciale, që do të prodhojnë kosto të rënda për konsolidimin financiar të vendit. Për ta përmirësuar ringritjen e ekonomisë sonë gjatë vitit 2021 kërkohen një sërë reformash strukturore për një model rritje ekonomike të shëndetshme, ku rritet pesha e ekonomisë së gjelbër dhe ekonomisë së dijes dhe ku ndahen më mirë përfitimet e rritjes ekonomike. Politikat dhe paketat lehtësuese dhe mbështetëse për të papunët, për të varfrit dhe për bizneset duhet të jenë të qarta dhe lehtësisht të arritshme deri te të varfrit dhe të papunët.
Eliminimi i çdo vonese e pengese në procesin e integrimit europian çliron energji dhe burime rritje dhe zhvillimi edhe në kohë krize. Reduktimi i risqeve të thellimit dhe zgjatjes së krizës politike është kritik për reduktimin e paqartësive dhe pasigurive që pengojnë ringritjen. Përzgjedhja me përgjegjësi profesionale dhe transparencë maksimale e përdorimit të fondeve të rindërtimit dhe ringritjes do të zgjidhte krizën e të pastrehëve, të çerdheve, kopshteve, shkollave, të qendrave shëndetësore dhe spitaleve, por njëkohësisht do të rrisë punësimin dhe rritjen e të ardhurave për shtresat në nevojë. Të mirëintegruara së bashku këto reforma dhe parime mirëqeverisje do të ndikojnë në ringritjen e ekonomisë sonë, mundësisht brenda vitit 2021.