Prej tërmetit të 26 nëntorit, familja Lasha qëndronte në qiell të hapur. Banesa ku ato qëndronin pësoi dëmtime shumë të mëdha, çka solli edhe shembjen e ndërtesës.
Të dy prindërit vuajnë nga probleme të rënda shëndetësore, mendore dhe fizike. Duke qenë të pamundur për t’i siguruar të ardhmen dy vajzave të vogla.
Për këtë arsye “Fundjavë Ndryshe” iu dhuroi atyre një shtëpi të re në qytetin e Durrësit.
Po ashtu fondacioni do të kujdeset edhe për shkollimin e vajzave, si edhe mundësinë për t’i siguruar punë nënës.
“Gëzimi më i madh për fëmijët e mi është kjo që ju keni bërë. Dhe falenderoj çdo donatorë që ka sakrifikuar për ne,” u shpreh Mirela.
Ndërkaq, themeluesi i “Fundjavë Ndryshe”, Arbër Hajdari premtoi mbështetjen e vazhdueshme për familjen Lasha.
“Jemi shumë të lumtur që në bashkëpunim më kompaninë Philip Morris, arritëm të finalizojmë këtë shtëpi për ju. Dhe që tashmë të marrin fund ato vuajtjet e vjetra, të cilat i mori njëherë e përgjithmonë tërmeti.”
Ta gëzoni shtëpinë e re bashkë me vajzat!
Për të dhënë kontributin tuaj për kauzat e “Fundjavë Ndryshe”, klikoni këtu.
Bashkëshortja e ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, Anita, ka reaguar përmes një mesazhi në rrjetet sociale, lidhur me raportimin në mediat kosovare, se ajo është rrahur nga i shoqi, aq sa është detyruar të kërkojë edhe ndihmë mjekësore.
Lidhur me ngjarjen, Anita Muçaj, e cila në profilin e saj Facebook, mban mbiemrin e vajzërisë dhe jo të bashkëshortit pas martese, ka reaguar duke e konsideruar lajmin mashtrim.
“Kam 20 vjet që punoj dhe jam pjesë e medias në Kosovë dhe sot shpreh keqardhje për nivelin e mediave dhe tendencës për të prodhuar lajme banale, tituj banal e thashetheme për dy klikime me shumë a më pak”, – tha Anita, e cila aktualisht është pjesë e radio-televizionit të Kosovës.
“Kam qenë shumë herë pjesë e lajmeve të tilla dhe e kam kuptuar që injorimi do te ishte formë e drejtë e përgjigjes së thashethemeve, por kjo e mbrëmshja ishte e pamundshme të injorohet, sepse unë jam nënë, motër, mike, shoqe e dikujt dhe normalisht ka shqetësuar dikë diku! Prandaj është e turpshme të prodhohen lajme kaq të ulta! Une jam shumë mirë dhe kam 17 vjet që jam shumë mirë me Ramushin!”, – tha bashkëshortja e ish-kryeministrit Haradinaj, në reagimin e saj.
Gazeta “Bota sot” mbrëmjen e djeshme dhe sot ka raportuar lajmin, madje ka mbrojtur verisionin, lidhur me sulmin e ndodhur ndaj Anitës, në familjen e ish kryeministrit Ramush Haradinaj.
Burime nga urgjenca e qytetit konfirmuan lajmin për “Bota sot”, teksa kjo e fundit i referohet për rastin e dhunës familjare, në familjen Haradinaj.
Nga vendi i ngjarjes media kosovare raporton se ky rast ka ndodhur në familjen e Ramush Haradinaj dhe e dëmtuara në këtë sulm ka qenë pikërisht bashkëshortja e tij, Anita.
Bashkëshortes së ish-kryeministrit, sipas raportimit, i është dashur edhe ndihma mjekësore.
Të njëjtat burime thonë se fillimisht Haradinaj nuk i ka pranuar në shtëpinë e tij gjithë stafin e mjekëve, ndërsa në fund i ka lejuar vetëm dy prej tyre, për ta mjekuar Anitën.
Stafi mjekësor sipas “Bota sot”, ndonëse e kanë pranuar rastin të ketë ndodhur, nuk janë në gjendje për të dalë publikisht, pasi thonë se ndihen të rrezikuar.
Ndërkaq, ditët e fundit është përmendur edhe një rast i dhunës nga familja Haradinaj. Në këtë rast të publikuar nga mediat, thuhet se Ramush e Daut Haradinaj, para rreth tre muajve janë denoncuar në polici për “rrahjen e një punëtori të tyre”.
Megjithatë, pavarësisht lajmit, që sipas medias kosovare e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës, asgjë nuk është deklaruar zyrtarisht nga kjo e fundit. Sipas “Bota Sot”, pas dy javësh ankuesi ka shkuar në stacion policor dhe ka kërkuar që rasti të mbyllet, çka do të thotë se ngjarja ka ndodhur pak javë më parë. Gjithsesi, Anita ka dhënë versionin e saj, duke mohuar kategorisht që të jetë dhunuar.
Presidenti i Republikës Ilir Meta foli me tone të ashpra, teksa komentoi votimin e djeshëm në Parlament të ndryshimeve në Kodin Zgjedhor.
Meta tha se marrëveshja e 5 Qershorit është shkelur.
Teksa foli edhe për vendin ku u firmos ajo, rezidenca e ambasadës amerikane në Tiranë, kreu i shtetit lëshoi batutën e rradhës.
“Nuk kemi ku të shkojmë më keq. Ka një përkeqësim dramatik. Dhe kjo krizë është artificial, e kam thënë dhe më parë”, tha Meta i ftuar në Tempora me Sonila Meçon.
“Cila krizë? Se ka disa…” – e pyeti gazetarja.
“Ka krizë më të madhe se sa politikanët që firmosin një marrëveshje dhe pas disa ditësh shkelin marrëveshjen që firmosin. Një politikan edhe kur e thotë një gjë në publik, duhet ti qëndrojë”.
“Nuk janë ndryshime, janë shtesa, thotë arbitri…” – u pyet presidenti më tej.
“Tani arbitër është populli shqiptar, të lutem. U lodhëm me këto muhabete, me këto historira”.
Sonila Meço: Aty u nënshkrua dhe marrëveshja zoti Meta. E mbani mend ju ku u nënshkrua? As në territor shqiptar jo, në territor amerikan.
Ilir Meta: Nuk e di ku është nënshkruar, por unë di një gjë: o je shtatzanë o nuk je shtatzanë. Pak shtatzanë nuk mund të jesh.
Meta u shpreh se akti i djeshëm është një mur kriminal në rrugëtimin e Shqipërisë drejt BE.
“Presidenti ka qenë dhe do mbetet gjithmonë në mbrojtje të Kushtetutës dhe popullit shqiptar. Nëse nuk do të ketë reflketim, është i vendosur në shpartallimin e kësaj përpjekje për vendosjen e një junte”.
Meta i bëri këto deklarata gjatë intervistës në “Tempora”, teksa ishte i ftuar mbrëmjen e sotme.
“Presidenti ka disa vjet që paralajmëron për plotësimin e kushteve për integrimin europian”.
“Ka qenë Bundestagu, institucioni më i rëndësishëm në rrugën e integrimit dhe sigurisht ky akt kaq i shëmtuar që ndodhi dje, duke shkelur një marrëveshje, e cila në vetvete nuk ishte një gjë e madhe pasi nuk duhet të vihej në diskutim”.
“Ajo mori jehonë ndërkombëtare, do të thotë se është shumë e qartë që akti i djeshëm synon të hedhë në erë pluralizimin politik në Shqipëri dhe vendosja e një muri kriminal në rrugëtimin e Shqipërisë drejt BE”, u shpreh ndër të tjera Meta.
Po ashtu, Presidenti Ilir Meta u shpreh se para 20 vitesh, pozita e shqiptarëve ishte pozitive në rajon, ndërsa e Serbisë ishte mjaft problematike.
Ai shtoi se tashmë këto vende kanë hapur disa kapituj, ndërsa vendi ynë duhet të presë.
“Shifrat për shpopullim janë të BE-së. Para 20 vitesh, pozita e shqiptarëve ishte pozitive në rajon, ndërsa e Serbisë ishte mjaft problematike. Shqipëria ishte para sa i takon integrimit, ndërsa Seria dhe Mali i Zi nuk ekzistonin në këtë proces. Sot ata kanë çelur shumë kapituj”.
“Për ne nuk bëhet fjalë dhe nëse do të fitonte Rilindja edhe pas 4 vitesh do të prisnim se do të vendoseshin kushte të tjera. Këshilli politik për këtë u krijua që të merrej me reformën zgjedhore dhe kjo u shkatërrua nga vetëm një person” – u shpreh Meta.
Kreu i shtetit foli edhe për raportet me kryeministrin Rama.
“Unë e kritikoj Ramën dhe do ta luftoj politikisht në emër të shqiptarëve. Edhe në parlamentin e ardhshëm do të bëj një seancë me dyer të mbyllura. Pavarësisht se Rama ka gjithë pushtet, ai punon natë e ditë për t’ia ngushtuar hapësirat opozitës. Atëherë opozita e ka të domosdoshme që të jetë shumë herë më e organizuar se sa Rama dhe junta e tij. Opozita për meritë të Ramës, që është më i urryeri në Shqipëri”.
“Çfarë interesi kishte Rama dhe pse nuk erdhi në dialog për zgjedhjet vendore. As opozitën nuk e përkraha për dy palë zgjedhje. Sepse Rama i ka shtyrë zgjedhjet në vitin 2007 me Olldashi. E tha edhe Bundestagu se pa opozitën në zgjedhje nuk çelen negociatat, pse nuk vjen kur të thërret presidenti. Edhe të shkuarit në zgjedhje pa opozitën ishte nga frika” – u shpreh Meta.
Analisti Andi Bushati bëri deklaratën e fortë sot në emisionin “Open” në Top Channel, ku tha se kryeministri Edi Rama është “i vendosur për të bërë masakër elektorale”. Sipas Bushatit, ndërrimi i pushtetit nuk është problem, por problemi është rruga që po ndiqet.
“Situata është e qartë, nga njëra anë kemi Ramën të vendosur për masakër elektorale dhe Bashën që bën idiotin e dobishëm, dhe hiqet sikur nuk e kupton që masakra po ndodh para syve të tij. Nëse ti thua që ky është fundi i Ramës, nëse pushteti ndërrohet nuk do përbëjë problem, problemi është se rruga që po ndiqet, është masakër.
Ndryshimi rregullave të lojës është se Rama në 2013 ka ardhur në pushtet me koalicion, tani nuk le PD dhe LSI që të koalicionohen se do të kalonin në opozitë.
Ai thotë:’mua kështu nuk më del loja, po e prish’. Ky është ndryshimi i madh”, tha Bushati.
Rritja e pagave për mjekët dhe infermierët do të jetë në masën 40% ndërsa për mësuesit 15% dhe hyn në fuqi më 1 janar 2021.
Janë këto shifrat e prezantuara nga Kryeministri Edi Rama ditën e sotme, në konferencën e mesditës së sotme,
“Paga për bluzat e bardha do rritet 40% më e madhja historike për bluzat e bardha dhe paga për arsimtarët 15%. E dyta shifër që do t’ju jap është që me një numër punonjësish në sektorin publik që është më i vogël se në 2013, por le ta marrim njësoj, fondi i pagave është rritur nga 450 milionë dollarë në 2013, në 710 milion dollarë sot, duke përfshirë edhe rritjen e sotme që do të thotë dy mandate qeverisëse të atyre që nuk e di ku e gjejnë kurajon të kërkojnë të rikthehen dhe dy mandatet tona është thuajse dyfish fondi i pagave në sektorin publik”, u shpreh Rama.
Kryeministri Edi Rama nga konferenca e sotme për mediat, sqaroi procedurën e re që kërkon Bashkimi Europian, për udhëtimin e atyre shteteve që nuk kanë nevojë për vizë.
Ai tha se ka që në vitin 2106 që flitet diçka e tillë dhe se tani thuhet se hyn në fuqi në vitin 2023.
“Nuk bëhet fjalë për kthim pas, por për sistem sigurie të BE për të gjitha shtetet jo anëtare të BE, qytetarët e të cilëve duan të hyjnë në BE dhe nuk ka nevojë për vizë. Sipas këtij sistemi ETIAS, do të duhet që para se të nisen në vendet e BE, të bëjnë një aplikim online, i cili nuk është për vizë. Merret konfirmimi po online, nëse je apo s’je i lejuar të hysh në BE në bazë të kartelës kriminale. Është e gjitha për shtetet që nuk kanë nevojë për viza që të hyjnë në BE”, u shpreh Rama.
Ai tha se nuk është kthim mbrapa te viza, por është politikë e sigurisë kundër terrorizimit dhe krimit të organizuar, dhe jo siç tha ai, “duan të gjithë ata që duan të përhapin erën e pusetës dixhitale në Gjirin e Lalzit”.
Teksa naftëtarët e Ballshit kanë hyrë në ditën e nëntë të grevës së urisë, Kryeministri Edi Rama flet për herë të parë për gjendjen e tyre.
Në konferencën e sotme për mediat, ai u pyet nga mediat lidhur me situatën e tyre, teksa foli për një privatizim kriminal.
“Kam bërë lloj-lloj lutjesh tek kompania për të rifilluar puna. Jo më larg se disa javë më parë shkova enkas në Azerbajxhan dhe takova Presidentin. Por të na vini faj është e tepërt. Privatizimi është kriminal dhe në atë ndërmarrje nuk u bënë kurrë investime serioze. Ajo rafineri është keqshfrytëzuar. Jam i shqetësuar por e rëndësishme është të bëjmë diçka, më vjen keq. Jam i informuar por nuk mendoj se s’ka nevojë për greva urie që të sensibilizojnë mua”, u shpreh Rama.
Ai tha se është super i sensibilizuar dhe se për situatën e tyre është ndërhyrë disa herë.
Naftëtarët janë futur në grevë pasi pretendojnë se kanë disa muaj, deri në mbi një vit rroga pa marrë, duke thënë se kanë mbetur në mes të rrugës dhe puna është ndërprerë dhe se pavarësisht protestës në Tiranë, askush nuk i priti.
Janë rreth 800 punëtorë të mbetur pa punë pas mbylljes së rafinerisë së naftës, që administrohet nga “Tosk Energji”. /noa.al
Kryeministri Edi Rama shigjetoi Lëvizjen Socialiste për Integrim, lidhur me bluzat e bardha, ku deklaroi se aktualisht vendi ka shëndetësi.
Ai tha se Shqipëria sot ka mjekë dhe se nuk ka mungesa në sistemin shëndetësor.
“Në dallim nga atëherë që hyje në spital dhe s’dalloje dot mjekun nga i sëmuri dhe infermieri. Larg qoftë të kishte rënë Covidi shtatë vite përpara”, u shpreh Rama.
Ai shtoi se Shqipëria kishte mjek që luftonin nga mëngjesi deri në darkë si në kohën e luftës dhe kishte infermierë që nuk dinin se ku do i zinte e nesërmja se bluzat e tyre io mbante partia.
“Ishte një parti sidomos që ishte bërë si fason bluzash infermierësh që i shpërndante me një teserë bardhë e kuq në xhep”, deklaroi Rama.
Sipas tij asokohe në spitale hyje dhe nuk e ndaje dot nëse ishe në spital, treg fruta-perimesh, rrobash të përdorura etj.
Kreu i qeverisë shtoi se as uniforma nuk kishin dhe në gardhet e spitaleve rrinin njerëzit duke ulëritur me receta në dorë, të cilët duhet të vraponin për të gjetur ilaçe se nuk kishte spitali.