Loading...

“Kemi të shëruar, por edhe të shtruar në gjendje të rëndë”/ Apeli i mjekes Çomo: Lufta nuk ka mbaruar ende

“Kemi të shëruar, por edhe të shtruar në gjendje të rëndë. Lufta nuk ka mbaruar, ju lutem respektoni masat, duke qëndruar të distancuar, sepse kjo sëmundje ka pabesi të jashtëzakonshme”.

Kështu shprehet shefja e spitalit Infektiv në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë, prof. Najada Çomo, në një mesazh drejtuar qytetarëve të publikuar nga ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu.

“Natyrisht në bazë të njohurive që keni marrë në përditshmërinë tuaj është ulur numri i personave të shtuar në shërbim. Unë do paraqes atë që është reale, në shërbim ne kemi të sëmurë të rënduar. Të bën pak optimiste shifra e ulët e personave të shtruar në Spitalin Infektiv dhe të bën optimist numri i personave të shëruar të dalë nga Infektivi, por unë do citoja dy elementë të rëndësishëm: së pari, mjekimin që ne u kemi ofruar personave të sëmurë nga COVID-19 ka qenë mjekim mjaft bashkëkohor, me të gjitha standardet që ofrohen në vendet e Europës”, – tha Çomo.

Shefja e Infektivit shprehet se “ky mjekim i është ofruar të gjithë pacientëve pas nevojës që ata kanë pasur, por natyrisht duhet të dini që në shërbim ka pasur edhe jetë të humbura, pavarësisht mjekimit intensiv, që është ofruar në shërbimin tonë”.

Çomo u bën thirrje gjithashtu qytetarëve të respektojnë masat.

“Vazhdoni të ruani masat duke qëndruar të izoluar, të distancuar dhe respektoni ato që u thuhen, sepse sëmundja ka vështirësi, pabesi të jashtëzakonshme dhe është shumë tinzare në kohën që prek një pacient”, – tha Çomo.

Ajo u shpreh se “arma e vetme që keni në dorë është të mbroheni dhe arma që kemi ne është të mjekojmë pacientët që shtrohen pranë shërbimit tonë, i cili ka ofruar një ndihmë maksimale, duke filluar nga sanitaret, infermierët, reanimatorët, mjekët. Gjithçka ka qenë në shërbim të këtyre pacientëve”./atsh

WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com