Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se, hapja do të jetë graduale dhe nuk do të ketë një “datë çlirimi” për këtë luftë.
I pyetur sot në një intervistë televizive se kur do të rifillojë puna, Rama tha se, “paralelisht me këto masa do të shkojmë, nëse do të na lejojnë shifrat që vijnë nga vija e zjarrit, që deri sot janë shumë inkurajuese, duke hapur, hapur, hapur për t’i dhënë mundësi punës të rifillojë në pjesën e saj më të madhe. Sigurisht nuk mund të hapim menjëherë restorante dhe bare, por dhe për restorantet dhe baret po punojmë do të kemi një dokument të zgjeruar, të detajuar, një rregullore të bashkëjetesës me armikun në territor se do të jetë bashkëjetesë me armikun, për një periudhë kohe”.
Rama shtoi se, “ajo që ne duhet të bëjmë tani është të lëvrojmë nga arka e përbashkët, e shtëpisë sonë së përbashkët, e buxhetit të shtetit, një masë të konsiderueshme parash që do t’u shkojnë të gjithë atyre që sot janë në këto halle që po flasim për të pasur qetësi deri në periudhën e fundmajit, ku do të shikojmë pastaj përsëri se sa janë ata që kanë rifilluar punë, sa janë ata që nuk e kanë rifilluar dot, dhe me ndihmën e Zotit nuk do të kemi armikun në kundërsulm”.
I pyetur nëse kemi një datë për hapjen, Rama tha se, “hapja nuk do të jetë si një ditë çlirimi. Kjo është një luftë jokonvencionale, kjo nuk është njësoj si luftërat me të cilat ne jemi mësuar nga historia, nga librat, nga filmat apo qoftë dhe nga eksperienca e Kosovës, kur fundi i regjimit në Beograd dhe tërheqja e forcave agresore në Kosovë solli ditën e Çlirimit. Këtu nuk do të ketë ditë Çlirimi, këtu do jetë një periudhë tranzitore mes pushtimit në të cilin ne jetojmë dhe Çlirimit. Pra do të jemi në një hapje graduale pjesë-pjesë dhe do të bashkëjetojmë me armikun. Pra do të bashkëjetojmë me idenë dhe vetëdijen që çdo moment mund të infektohemi dhe çdo moment mund të na ndodhi ajo që nuk duam të na ndodhi. Për këtë arsye duhet të përgatitemi për një jetë, mund të zgjasë 2, 3, 5, 6, 10 muaj. Në shumë vende të botës thonë 3 vjet, nuk e di, larg qoftë, që duhet të mësohemi me një jetë që do jetë me rregulla të tjera. Nuk ka të shkosh në pazar dhe të bësh siç ke bërë më parë, me radha, me hyrje me numra të caktuar në mjedis tregtar, me pritje me të gjitha ato që do na duhen”.
“Do shkojmë në plazh, më pyesin njerëzit. Unë shpresoj që po, por nuk do të shkojmë siç jemi mësuar të shkojmë. Do të shkojmë në plazh, por duke respektuar disa rregulla, për të cilat ne po punojmë, që të mbrojmë veten dhe të tjerët. Pra hapja do të jetë graduale”, – tha Rama.
I pyetur nëse gjendja e turizmit pritet të jetë e mjeruar këtë vit, Rama tha se, “mund ta themi, por mund të ndodhë dhe disi ndryshe, jo shumë ndryshe, sepse fjala e mjeruar është një fjalë shumë e rëndë dhe patjetër që në momentin që flasim nuk duket pa vend”. /atsh